Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh me tone të forta gjatë një takimi me homologun polak, duke paralajmëruar se çdo vendim i presidentit rus Vladimir Putin për Ukrainën, nëse nuk përputhet me interesat e SHBA-së, do të ketë pasoja serioze.
“Ai do të marrë një vendim, dhe çfarëdo që të jetë, ne ose do të jemi të kënaqur ose jo. Dhe nëse nuk jemi të kënaqur, atëherë do të shihni që ndodhin gjëra,” tha Trump para gazetarëve.
I pyetur për refuzimin e Putinit për t’u takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Trump reagoi i irrituar:
“Si e dini këtë? Si mund të jeni kaq i sigurt? A e dini vërtet çfarë ndodh pas skene?”
Ai kujtoi se SHBA ka vendosur tashmë sanksione ndaj Indisë, të cilat sipas tij kanë kushtuar qindra miliarda dollarë, dhe shtoi se ende nuk ka aktivizuar “fazën dy” dhe “fazën tre” të sanksioneve – duke lënë të kuptohet për masa shumë më të forta nëse situata nuk ndryshon. Me tone të ashpra, Trump iu drejtua gazetarëve: “Nëse thoni se nuk ka veprim, ndoshta duhet të gjeni një punë të re.”
Sa i përket paradës ushtarake në Kinë, Trump e përshkroi atë si “shumë të bukur” dhe “tepër mbresëlënëse”. Ai shtoi se SHBA duhej të përmendej në fjalimet e liderëve kinezë për ndihmën që, sipas tij, kishte ndikuar në “fitimin e lirisë” së Kinës. “Mendoj se donin që unë ta ndiqja, dhe e ndoqa. Marrëdhëniet e mia me të gjithë janë shumë të mira. Do ta shohim se sa të mira janë javën që vjen, ose pas dy javësh,” përfundoi presidenti amerikan, duke lënë të hapur pritjen për zhvillime të rëndësishme në të ardhmen e afërt. gsh