The Telegaph
Trump: Përdorëm armën “Discombobulator” në aksionin kundër Maduros
Një pajisje misterioze sonike thuhet se i la ndihmësit e diktatorit venezuelian duke “vjellë gjak”
Connor Stringer Korrespondent i Uashingtonit 24 janar 2026,
Donald Trump deklaroi se pajisja “i nxori jashtë funksionit mjetet e armikut”, kur helikopterët amerikanë zbarkuan në Karakas më 3 janar.
Një armë sekrete e quajtur “Discombobulator” ishte përcaktuese për aksionin amerikan që kapi Nicolas Maduron, tha Donald Trump. Presidenti amerikan duket se konfirmoi ekzistencë e një pajisjeje misterioze, e cila mund të jetë pas raportimeve se ndihmësit e zotit Maduro janë rrëzuar nga një valë zëri.
Ekspertët kanë vënë në dyshim detajet e dhëna nga një dëshmitar, i cili pretendon se arma bëri që rojet e Maduros të kishin gjakderdhje nga hunda dhe të villnin gjak. Presidenti tha se pajisja “bëri që pajisjet e armikut të mos funksiononin” kur helikopterët amerikanë zbritën në Karakas më 3 janar për të arrestuar Maduron dhe gruan e tij, Cilia Flores.
Zoti Trump i tha New York Post: “Discombobulatori. Nuk më lejohet të flas për të.” Ai shtoi: “Ata nuk i lëshuan kurrë raketat e tyre. Kishin raketa ruse dhe kineze, por nuk arritën të lëshonin asnjë. Ne hymë brenda, ata shtypën butonat, por asgjë nuk funksionoi. Ishin gati për ne.”
Komentet e zotit Trump duket se konfirmojnë raportet se Uashingtoni ka blerë një armë energjetike, që dyshohet se qëndron pas “Sindromës së Havanës”, e cila ka shqetësuar diplomatët amerikanë në mbarë botën.
Rastet e para të kësaj gjendjeje u raportuan në vitin 2016, kur diplomatët e stacionuar në ambasadën amerikane në Kubë filluan të vuanin nga simptoma të pashpjegueshme kognitive, duke përfshirë dhimbje koke ekstreme, marramendje, humbje të kujtesës dhe të dëgjimit. Që atëherë, raste të “Sindromës së Havanës” janë raportuar nga diplomatë dhe staf qeveritar në më shumë se 15 vende.
Diplomatët e stacionuar në Kinë kanë përjetuar gjithashtu marramendje e probleme me gjumin, ndërsa fëmijët e tyre kanë pasur gjakderdhje nga hunda, sipas The New York Times. Simptomat e Sindromës së Havanës, zakonisht të shoqëruara me trauma në kokë, nuk kanë ndonjë shkak të dukshëm organik. Disa besojnë se sëmundja vjen si rezultat i një sulmi të shënjestruar sonik, ndërsa të tjerë ia atribuojnë stresit, ndotjes së ajrit apo agjentëve kimikë si pesticidet.
Një roje, që pretendohet se ishte dëshmitar i sulmit të SHBA-së në kompleksin e Maduros, deklaroi se grupi që mbronte udhëheqësin venezuelian u godit nga një lloj “arme sonike”. “Papritmas ndjeva sikur koka po më shpërthente nga brenda”, tha individi i paidentifikuar në një dëshmi të ndarë nga anëtarët e Shtëpisë së Bardhë. “Të gjithëve filloi të na rridhte gjak nga hunda. Disa po villnin gjak. Ramë përtokë, të paaftë për të lëvizur.”
Maduro, 63 vjeç, po mbahet në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit në Nju Jork, në pritje të gjyqit për akuzat e narkoterrorizmit, ndërsa Delcy Rodriguez shërben si udhëheqëse e përkohshme e Venezuelës