Në një fjalim të rëndësishëm të transmetuar drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Donald Trump e shpalli integritetin e zgjedhjeve si krizën më urgjente dhe më kërcënuese për vendin. Gjatë këtij fjalimi, presidenti njoftoi për deklasifikimin e menjëhershëm të një sërë dosjesh të organeve të zbulimit, të cilat sipas tij ekspozojnë pika të dobëta alarmuese dhe ndërhyrje të huaja në sistemin zgjedhor amerikan.
Në qendër të fjalimit të Presidentit Trump ishte një akuzë e ashpër e drejtuar ndaj Kinës. Udhëheqësi amerikan tha se, duke filluar nga cikli zgjedhor i vitit 2020, Pekini drejtoi një fushatë masive të shfrytëzimit të të dhënave duke vënë në shënjestër votuesit amerikanë. Sipas deklaratës së tij, të dhënat e deklasifikuara së fundmi nga organet e zbulimit tregojnë se Kina përvetësoi në mënyrë të paligjshme rreth 220 milionë dosje të regjistrimit të votuesve amerikanë. Këto dosje përmbanin të dhëna sensitive personale si emrat, adresat, numrat e telefonit dhe përkatësitë partiake të qytetarëve.
Presidenti Trump shtoi se dhjetëra miliona të dhëna në 18 shtete të ndryshme u blenë, u hakeruan ose u komprometuan përmes një njësie të specializuar kibernetike të krijuar nga qeveria kineze posaçërisht për këtë qëllim.
Kritikët vunë në dukje se të dhënat e regjistrimit të votuesve në Shtetet e Bashkuara konsiderohen gjerësisht si të dhëna publike sipas ligjeve shtetërore, dhe shumë shtete rregullisht u ofrojnë qasje në këto lista fushatave politike dhe organizatave të ndryshme.
Një tjetër temë kryesore e fjalimit ishte kritika e ashpër ndaj agjencive të zbulimit dhe të zbatimit të ligjit. Presidenti akuzoi burokratët e të ashtuquajturit “shtetit të fshehtë – deep state) për fshehje rigoroze të kërcënimeve të huaja nga administrata e tij dhe nga Kongresi.
Presidenti Trump tha se dokumentet e deklasifikuara dëshmojnë se si zyrtarë të ndryshëm të organeve të brendshme të zbulimit punuan për të minimizuar informacionet mbi ndërhyrjen e Kinës.
Zoti Trump përmendi raste specifike ku analistët e organeve të zbulimit dyshohet se pranuan ndryshimin ose “zbutjen” e raporteve të përditshme që i paraqiten Presidentit, për të fshehur, siç tha ai, shtrirjen e aktiviteteve kineze.
Ai iu referua gjithashtu një emaili të një zyrtareje të FBI-së, e cila pretendonte se po drejtonte një “qeveri hije” brenda byrosë për të parandaluar daljen në dritë të këtyre informacioneve, si dhe zbulimit të disa thasëve për djegien e dokumenteve sekrete nga administrata e mëparshme që përmbanin të dhëna të rëndësishme që nuk ishin asgjësuar.
Presidenti Trump nënvizoi se makinat elektronike të votimit dhe portalet zgjedhore amerikane mbeten tejet të ndjeshme ndaj manipulimeve nga kundërshtarë të huaj si Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut. Ai përmendi veçanërisht një plan të huaj për të manipuluar në mënyrë dixhitale sistemet e votimit në Venezuelë, duke pretenduar se këto taktika mund të anashkalonin auditimet pa u zbuluar fare nga ekspertët.
Megjithatë, raportet e mëparshme të deklasifikuara të organeve të zbulimit të SHBA-së dolën në përfundimin se, ndonëse aktorët e huaj u përpoqën të ndikonin në opinionin publik, asnjë fuqi e huaj nuk arriti të ndryshonte numrin e votave apo të manipulonte infrastrukturën fizike të numërimit, pa ofruar prova.
Presidenti Trump kërkon miratimin e një ligji për të siguruar që vetëm shtetasit amerikanë hedhin votën në zgjedhje. Duke pohuar se rregullat aktuale të votimit në nivel shtetëror janë jashtëzakonisht të pamjaftueshme për të garantuar sigurinë. Presidenti Trump e shfrytëzoi pjesën e fundit të fjalimit të tij për të kërkuar që Kongresi të miratojë menjëherë projektligjin e njohur si SAVE America. Kjo nismë legjislative ka ngecur prej kohësh në Senat.
Projektligji i propozuar bazohet në tre reforma thelbësore që synojnë të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën e votimit në vend. Së pari, ai parashikon një kartë kombëtare identiteti për pjesëmarrjen në votimet federale.
Së dyti, kërkohet paraqitja fizike e provës së shtetësisë amerikane, si certifikata e lindjes ose pasaporta, gjatë procesit të regjistrimit të votuesve të rinj.
Së treti, nisma parashikon kufizime jashtëzakonisht të rrepta për votimin me postë, duke e lejuar këtë mundësi vetëm për raste të dokumentuara kur amerikanët janë të sëmurë rëndë, paaftësive fizike, shërbimit ushtarak aktiv ose udhëtimeve të pashmangshme jashtë shtetit.
Presidenti e mbylli fjalimin duke i cilësuar këto gjetje si një kërcënim të madh kibernetik të drejtuar ndaj zemrës së demokracisë amerikane, duke iu bërë thirrje demokratëve, republikanëve dhe të pavarurve që të bashkohen për të siguruar sistemin zgjedhor të vendit.
“Qëllimi ynë me zbardhjen e këtyre informacioneve nuk është të dobësojmë besimin te zgjedhjet,” përfundoi zoti Trump, “por ta fitojmë atë besim duke u ballafaquar me pikat tona të dobëta dhe duke i korrigjuar ato shumë, shumë shpejt.”
Shënim: Shtëpia e Bardhë i ka bërë publike dokumentet e deklasifikuara në faqen e saj në internet…
Whitehouse.gov