VOAL

VOAL

TRËNDAFILET – Poezi nga GEORGE ELIOT (1819-1880) – Përktheu: SKËNDER BUÇPAPAJ

June 5, 2018
1 Comments
  • author avatar
    Ulrika Charles 6 years ago Reply

    I theu me dashurinë e jetës sime pas një lufte të madhe. Ai tha se ishte e gjatë midis nesh dhe se ai kurrë nuk do të më kthejë mbrapa pasi i përfundoja gjërat me të disa herë.
    Vetëm kuptova se ai ishte dashuria e jetës sime pasi e humba.
    Unë e dua atë, por unë gjithashtu nuk dua ta lëndoj përsëri. Nuk jam i sigurt se si mund të kthehem prapa, duket sikur po ecën me jetën e tij.
    Unë kam ardhur përmes një komente online, një lexuar një post nga një grua nga Suedia quajtur Katie Mburgs, ajo dha një dëshmi se si ish e saj kthehen përsëri pas saj 2years e ndarjes, ajo la pas një adresë e-mail {[email protected] } ajo dëshmoi se Një Shëruese Shpirtërore e quajtur Oduduwa gjeti një magji në emër të saj.
    i dërgoj një mesazh postë në të njëjtën adresë e-mail dhe i shpjegoj çdo problem të martesës, Oduduwa premtoj të kthej burrin tim brenda 2 ditëve, i dha në një përpjekje dhe për befasinë time më të madhe ajo ndodh pikërisht siç ka premtuar. burri më thirri në telefon me numër të padiskutueshëm, ai kërkoi falje dhe rregullonte një datë për t’u takuar.
    ne e bëmë dhe sot po jetojmë me lumturi së bashku si një familje. Unë jam i uritur. falë këtij njeriu të madh.
    Unë kam qenë në fillim duke pasur frikë nga dyshimi, por i jap atë një provoni dhe ajo punon për të mirën time. Unë jam i sigurt se kjo do të punojë edhe për ju, 100% i sigurt.
     Tel: +13019658857

Komentet

Intervista- SKIFTER KËLLIÇI, 86 VJEÇ SHKRIMTAR DHE 70 VJEÇ GAZETAR DHE KOMENTATOR SPORTIV (II)

(vijim)

VOAL – Të vimë tani edhe një herë te gazetaria sportive.
– Ndërkohë në vitin 1970 u ktheva në TVSH, ku, ashtu siç kisha krijuar më 1959 “Rubrikën sportive” në Radio, krijova dhe atje një rubrikë të tillë. Natyrisht, nisa të komentoja dhe ndeshje futbolli në televizion, duke u përpjekur të krijoja një stil dhe gjuhë më të pasur, sportive, hera-herës edhe me figura letrare dhe me terma të rinj, mbështetur në përvojën e komentatorëve sportivë, kryesisht sovjetikë dhe italiaë, dhe Anton Mazrekut, prirje për të cilën u kritikova, jo vetëm nga drejtori dogmatik, Thanas Nano, por edhe nga lart.

VOAL – Por jo nga Todi Lubonja, i cili zëvendësoi Thanas Nanon…
– Ashtu është. Kjo ndodhi në janar të vitit 1972. Ishte Todi Lubonja që vuri në jetë propozimin tim që në kohën e Thanas Nanos, i cili e hodhi poshtë si pedant dhe konservator që ishte dhe mbeti, që TVSH-ja të transmetonte ndeshje ndërkombëtare futbolli, të marra “piraterisht” nga RAI dhe televizionet jugosllave, ndërsa unë me kufje do t’i komentoja nga studioja televizive. Kur më 26 prill të atij viti komentova ndeshjen ndërkombëtare të futbollit Itali-Belgjikë, e cila u transmetua nga TVSH-ja, kishte nga ata teleshikues që besuan se unë ndodhesha në Milano, ku luhej ndeshja, por, kur pas dy orësh komentova ndeshjen e dytë, Angli-RF Gjermane, që luhej në Londër, kuptuan se komentoja nga një studio e televizionit tonë. Kështu këto lloj trasmetimesh u bënë traditë dhe kulmuan me transmetimin Lojërave Olimpike që u zhvilluan në vitin 1972 në Mynih, (RFGJ) dhe për traditë vazhdojnë edhe në
ditët tona.

VOAL – Po krijimtarinë letrare nuk e braktise?
– Kisha krijuar bindjen se se isha më i mirë si gazetar sportiv i penës dhe i mikrofonit radioteleviziv, se sa si shkrimtar , dhe kështu ishte, por, sidoqoftë në atë to vite, (1970-72), botova dy vëllime me tregime, njëri “Zërat e jetës “, kushtur kompozitorëve klasikë dhe tjetri, ”Mbi mjegullat e kohëve”, kushtuar njerëzve të mëdhenj të shkencës botërore, bazuar në përvojën time si gazetar e emisioneve artistike në Radio Tirana. Librat u pëlqyen kryesisht nga të rinjtë dhe fëmijët, por të them të drejtën pa ndonjë nivel të dukshëm artistik, që më lanë të kuptoja se unë mund të isha diku në mesin e shkrimtarëve tanë, por që vështirë të ngrihesha më lart. Ndaj fillova të merresha me grumbullimin e materialeve për të shkruar
një histori të futbollit botëror.

VOAL – Ndërkohë në RTVSH ndodhen përbysje.
– Po. Me nismën e vetë diktatorit Enver Hoxha, në pranverë të vitit 1973 u hoq Todi Lubonja si drejtor liberal dhe vendin e tij e zuri përsëri Thanas Nano, i cilësuar nga Byroja Politike dhe
vetë diktatori si konsevator. Ndonësë theksonte se partia luftonte njëlloj si konservatorizmin, ashtu dhe liberalizmin, me rikthimin e Thanasit në RTVSH, Enver Hoxha dëshmoi hapur të kundërtën, kur me riardhjen e Nanos ky institucion theksoi: “RTVSH nuk do të ketë ngritje profesionale, por pro$kat e Todit , nuk do t’I bëjë”. Si pasojë u hoqën gazetarë me prirje liberale të mbështetur nga Todi Lubonja, ndër ta edhe unë, edhe për gabime të miat, aq më tepër , kur Todi Lubonja në takime me shokë “lart” u kishte thënë se unë isha “kokë e madhe në gazetarinë sportive” dhe Fadil Pa$rami, “gazetar profesionalisht për t’u marrë si shembull”.

VOAL – Atëherë iu ktheve përsëri letërsisë?
– Doemos. Desha të shkruaja një vëllim me tregime për figura të njohura shqiptare, në shekuj, duke u nisur nga Avni Rustemi me aktin e tij historik, vrasjen e Esat pashë Toptanit, në qershor të vitit 1920 në Paris, aq më tepër që kishte dhënë shpirt në Spitalin e Tiranës në duart e xhaxhait tim, Reshat Këlliçi, pas atentatit të një vegle të Ahmet Zogut. Por kur në revistën “Studime Historike”nr.4 1964 lexova punimin e pr. Jusuf Alibali me titull “Avni Rustemi para organeve të hetuesisë franceze”, që ishte në të njejtën kohë platforma e një romani, thellova dhe më tej njohuritë rreth kësaj ngjarjeje të bujshme, me dokumente të tjera që gjeta në Arkivin e Shtetit dhe kështu shkrova romanin “Atentat në Paris”, (1978).

VOAL – Roman që u cilësua nga veprat mira letrare me temë historike të letërsisë shqiptare, e cila u bë edhe më e njohur pasi u përshtat për skenë me titullin “Dy krisma në Paris” nga Teatri “Bylis” i Fierit.
– Më saktësisht me plagjatura të shëmtuara nga autorët, Pëllumb Kulla dhe Sheri Mita, sidomos i pari, që madje vodhi nga romani figurën e gjeneralit Sarraj, figurë që në 120 shfaqje të kësaj drame nuk ekzistonte dhe madje e luajti dhe vetë. Por nuk po zgjatem, sepse për këtë vjedhje skandaloze, të pashembullt në letërsinë shqipe, kam shkruar disa herë në shtypin tonë që nga viti 2000.

VOAL – Libri “Historia e futbollit” u botua në fillim të viteve 80-të dhe me sukses të madh.
– Për një arsye të thjeshtë. Ishte libri i parë që botohej për fubollin, një sport aq popullor edhe në Shqipëri, ku përfshihej dhe një kapitull i gjatë për historinë e futbollit shqiptar, vë$anërisht para Luftës së Dytë Botërore, dhe kamponatet kombëtare të zhvilluara në peridhën (1930-38), të pasqyruara gjerëisht në gazetën “Sporti Shqiptar” të asaj kohe, periudhë e lënë qëllimisht në harresë, sepse historia e kampionatev tona të futbolli duhej të fillonte në vitin 1945, me vendosjen e regjimit komunistk. Kështu, cilido që do ta kishte shkruar këtë libër, do të kishte pasur sukses.

VOAL – Megjithatë, ky sukses u bë dhe më i dukshëm, sepse librin e shkruante një gazetar dhe komentator spotiv radio-televiziv me përvojë të madhe, ve$ të tjerash, shkruar me një stil letrar, sepse ai ishte edhe shkrimtar…
– Falemnderit… Por vetëm pas botimit të romanit “Atentat në Paris”, (1978), kur shokë të mi edhe kritikë më thanë se unë isha tashmë shkrimtari afirmuar, pas vëllimit të parë me tregime “Një ndodhi në stadium”, (1968) dhe librave të tjerë , të shkruar gjatë atyre 10 vjetëve.

VOAL – Megjthatë, rikthimi yt në stadiumet tona për të komentuar ndeshje futbolli në TVSH vonoi.
– Kjo ndodhi në vjeshtë të vitit 1983. Përse ky ngurrim, kur unë kisha botuar tashmë dy libra të mësipërm që, më falni për mungesën e modestisë, kishin bërë jehonë te lexuesit? Si$ më kanë shpjeguar më vonë, ngurrimi vinte drejt e nga shefi i madh i propagandës, nga Ramiz Alia, që, ve$ të tjerash, ishte edhe ndjekës i apasionuar i futbollit, jo vetëm në Radio dhe më pas në Televizion, por edhe në stadiume . Por ai ishte në të njejtën kohë edhe shok fëmijërie dhe lufte i Todi Lubonjës, i cili i kishte folur gjithnjë me shumë etuziazëm për risitë që kisha sjellë unë në komentimet e ndeshjeve sportive ndërkombëtare për të cilat rrëfeva më sipër. Po kështu dhe Fadil Pa$rami. Por kur këta të dy u cilësuan nga Enver Hoxha armiq shumë të rrezikshëm të Partisë në fushën e kulturës dhe artit, nuk u panë me sy të mirë edhe ata të cilët ishin vlerësuar prej tyre, shkrimtarë, artistë….Një ndër ta isha dhe unë, kryesisht në fushën e sportit, për prirjet “moderniste” si kometatorët italiaë. Ja përse kthimi im në ekranin televiziv, u vonua derisa shprehja “Edhe ky ka qenë beniamini i Todi Lubonjës dhe Fadil Pa$ramit”, të harrohej ose të mos përmendej më. Dhe për këtë u deshën plot 9 vjet, (gusht 1974-prill 1983).

VOAL – Megjithatë, ti u shfaqe si drejtuesi “Rubrikës sportive” në TVSH për disa muaj, për t’u zhdukur përsëri?

– Një nga drejtuesit kryesorë të RTVSH-së, para se të filloja ta drejtoja atë në prill të vitit 1986, më tha se drejtuesi i mëparshëm i”Rubrikës sportive”, V.G., ishte i ftohtë dhe jo komunikues, gjë që ishte plotësisht e vërtetë, ndaj edhe me rekomandim nga lart rubrikën do ta drejtoja tashmë unë, të cilën edhe e kisha krijuar në vitin 1970. Dhe kështu u bë. Por vetëm për disa muaj, sepse në shtator të atij viti e pashë veten të zëvendësuar nga një gazetar tjetër. Nuk m’u tha arsyeja, të cilën e mora vesh në vitin 1991 nga Marash Hajati, atëherë presidenti i Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë: V.G. ishte i ftohtë, por unë me mënyrën si flisja, me shoqërimin e fjalëve edhe me gjeste, u ngjaja… komentatorëve italianë”. Kështu, as njeri dhe as tjetri…

VOAL – U kritikove përsëri për gjuhën figurative në komentet e ndeshjeve të futbollit?
– Po. Përpiqesha gjithnjë që ta pasuroja gjuhën sportive me fjalë të reja,si goditje këndi, rivënie anësore, rivënie fundore, barazpeshë, ose me shprehje figurative si:” X.Y.me këtë “arratisje” nga krahu i majtë u shmanget mbrojtësve kundështarë…”që u bë problem, sepse fjala “arratisje” të kujtonte, sipas atyre “nga lart” arratisjen, që ishte tradhti ndaj atdheut dhe absurtitete të tjera të tilla.

VOAL – Besoj se pas rënies së komunizmit ky qëndrim ndaj teje ndryshoi?
– Me të vetmin ndryshim se u vazhdua nga disa kolegë me shokë, ndër të cilët gjithnjë i paafti V.G. dhe drejtori mediokër i TVSH-së, A.G., që bëri $’është e mundur që libri im “Historia e Radio-Televizionit, (1930-1990) të mos botohej, dhe kur u botua, për “gabime ideore”, sepse në libër kritikohej ish -drejtori dogmatik Thanas Nano, babai i kryeministrit të atëhershëm, të mos promovohej më mjediset e këtij institucioni. Dhe kjo ndodhte në Shqipërinë pluraliste, (!?).

VOA – Përse nuk t’u akordua nga këshilli shkencor i IKF “Vojo Kushi” titulli doktor i shkencave për librin “Nga 2-3-5- në 4-4-2”, (Vështrim historik mbi evoluimin e sistemeve taktike të futbollit shqiptar)?
– Histori e gjatë dhe e neveritshme. Në fillim specialitë të futbollit, kolegë të mi më të mëdhenj me moshë ose sa unë, për arsye qesharake, (sepse unë nuk isha diplomuar në IKF “Vojo Kushi”, nuk deshën ta botonin, (1987). Por kur erdhi puna që në vitin 1995 me këtë vepër të botuar të merrja gradën e mësipërme shkencore, në mënyrën më të paturpshme ia arritën qëllimit duke futur në komisionin përkatës specialistë që nuk ishin në fushën e futbollit,(?!)

(vijon)

 

30 vitet e botuesit Hudhri me Kadarenë dhe zullunjtë e Konicës- Nga Fatbardh Amursi

Nëse ka një njeri në Shqipëri, veç bashkëshortes së shkrimtarit, Helena Kadare, autore e librit, sa monografi dhe autobiografi “Kohë e pamjaftueshme”, është botuesi Bujar Hudhri, i cili do të mbetet një pikë reference për njohjen e shkrimtarit përtej librave të botuara nga “Onufri”. Gjatë intervistët me Eni Vasilin në “Open” të titulluar “30 vite me Kadarenë”, botuesi dhe miku i Kadaresë u tregua shpërfillës ndaj hamhamërisë, e cila, e ka shoqëruar shkrimtarin për gjatë gjithë jetës së tij. Aq u mësua shkrimtari me to, sa ishte gati të bënte ndonjë skandal, si e si ta ndërsente lukuninë kundër vetes. I mësuar të ecë kundër rrymës, Kadarenë s`e kanë shqetësuar asnjëherë kundërvëniet, mospajtimet, keqkuptimet, polemikat, veçse: keqinterpretimet dhe shpifjet e shtriganëve. Nëse ia doli t`ia hidhte regjimit me ambiguitete, tinzarllëqet që vinin nga kulisat i hapnin telashe. Në vëllimin 7, botim i “Onufrit”, në f. 631, duke iu referuar rimohuesëve, që bëjnë “flirte me robërinë”, shkrimtari vë në dukje se çdo popull ka në gjirin e vet një energji të kundërt. “Rimohuesit janë të vjetër sa bota. E keqja e Shqipërisë ishte se sasinë e rimohuesëve e kishte tepër të lartë. Më të lartë se caku i lejueshëm, pas të cilit kombi mund të përmbysej.” Kjo “sasi e tepërt rimohuesish” do shfaqej fill pas mortit të tij. “Debati për mitet dhe çmitizimin që zhvillohet në Shqipëri, pas rënies së komunizmit, ka qenë një ndër më të padenjët për nga çoroditja e tij. Nëse do të kërkohej njëfarë karakterizimi i tablosë aspak të këndshme, fjalët që do të shërbenin për të do të ishin: padije, dredhi dhe mashtrim.”-shkruan shkrimtari. Midis dredhanëve dhe shpifsëve: të paditurit përbëjnë shumicën. Ndodh rëndom: ai që s`di, të mëson. Këtë soji, Konica, do e quaji “zullu”. Qëllimi i rilindasve ishte: “për t`i kthyer zullutë nga një turmë të përgjakur në një komb me dinjitet.” Ata shkruan këngë madhështore dhe jo tallavara “kurvash zhurmonjëse në ca kafene të errëta”. Kadare u dha shqiptarëve një ushqim shpirtëror të njëllojtë me të botës së qytetruar. Po ku duan t`ia dijnë ata të tasit me dhallë! “Trahanaja” e Hasan Zyko Kamberit ku e ku më lart nga “Darka e fundit”?! Baroni Groult “kërkon me ngut Akademinë e Gastronmisë në Paris, ngaqë ai, bashkë me mikun e tij, Ismail Kadare, kanë pësuar një zhgënjim të rëndë nga darka e mbrëmshme. Kështu që, për të mos u përsëritur ky tmerr, ai kërkon nga Akademia këshillën e duhur për restorantin e duhur.” Ç`është ky Groult? Mos është gjë një baron droge? Si mik i Shqipërisë ai bashkë me Kadarenë ndërmjetësonte tek Papa, si e si të ndihmohej Kosova.
Gjatë intervistës moderatorja e pyet botuesin Hudhri për shprehjen: “Iku jashtëqitja e kombit”, me gjasa thënë prej Ismailit. “Shpifje”-iu përgjigj botuesi me neveri, duke dhënë një sërë argumentash. (Ndërkohë, gazetarja dhe poetja e njohur Elida Buçpapaj i drejtohet publikisht moderatores: “Eni Vasili, të ftoj për herë të dytë pas 7 vitesh, rrëzoje shpifjen që qarkullon prej 34 vitesh!”) Dihet se sa libra të mrekullueshëm ka shkruar Kadare për qytetin e tij të lindjes. Në festivalin e Gjirokastrës të vitit 1983 për Kadarenë ishte dhënë urdhëri të mos pranohej në qytet. Kur një mik i gjen një dhomë në hotel “Turizëm”, më pas do t`i vinte me fytyrë të prishur duke i thënë se s`duhej të rrinte atje, ndërkohë që: “Veturat e udhëheqësve, të mbushura me gra e dhëndurrë, kalonin hijerënda midis kalimtarëve… Të mos zemërohesha që në qytetin tim të lindjes, atë që unë e kisha bërë të njohur në të gjithë botën me librat e mi, të mos kishte një vend për mua midis mijëra vendeve të rezervuara për gjithëfarë burokratësh, fëmijësh të tyre, marksistë-leninistë vulgarë, etj, etj.” (“Pesha e kryqit” f.122.) M`u kujtua poezia e Vasil Bozos nga Lushnja: “Poetin Vasil duan ta përzënë nga qyteti”) “Nga Roma, ku banon prej kohësh, Matvjeviq më shkruan se ka përfituar nga qendrimi dy ditësh në Zagrep, për të blerë tokën e varrit.”-shkruan Kadare në V.7 në kapitullin “Mozaikal”, f.905. Ky fakt do ju kujtoj përfoljen se ku do të prehej trupi i shkrimtarit?! “Unë jam ateist si shumë nga kolegët e mi, intelektualë shqiptarë…. Unë nuk përpiqem të bëj njerëz për vete: ateizmi im lidhet vetëm me mua dhe unë nuk kam nevojë për makinë shteti që të më përputhë me të… Shqiptarët nuk i kushtonin rëndësi të tepruar kultit… Feja është pjesë e një kulture, cilado qoftë ajo.” (V. 7, “Kohë barbare”, f.401-2-3) Pavarësisht gjithë këtyre mbizotron tejpamja e gjeniut: “Një shkrimtar është më tepër se një parti, ai është një atdhe më vete.” Po ku duan t`ia dijnë ata, që për partinë bëjnë namin, sikurse dhe kinse patriotët, që i shqetëson gjatësia e trupit të Skënderbeut dhe duan ta barabisin me shtatin e Esat pashë Toptanit?! (“Kohë barbare f.315) “Gjithë kombet gëzojnë, ti Shqipëri pse s`gëzon?”,-pyet Naim Frashëri. Mos faji duhet kërkuar tek: rimohuesit? Pyetjes se gazetares se a i ka thënë Kadare të gjitha. Botuesi iu pergjigj me “po”. Nëse lexoni 7 vëllimet e fundit, Kadare u përgjigjet dhe atyre, që lëshuan gojën në mortin e tij. Prisni dhe duroni që ta shihni veten tek pasqyrat që ai ka enkas për ju. Ai është betuar, që, të gjitha poshtërsitë do ua nxjerr para syve. U bë bytha juaj, të merreni me Kadarenë, do thoshte Edison Ypi…

Vasilij Tjuhin: Kadareja të mos botohet edhe pas njëqind vjetësh!, deklaronin kategorikisht në KQ të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik

Përktheu nga rusishtja: Bujar Hudhri

Marrë nga portali “Gorkij”

Më 1 korrik 2024 u shua në Tiranë Ismail Kadareja, shkrimtar shqiptar, autor i mbi 80 librave të përkthyer në mbi 45 gjuhë të botës, laureat i pothuaj të gjitha çmimeve të rëndësishme letrare ndërkombëtare (përveç “Nobelit”, ku ishte i nominuar dhjetëra herë dhe nuk e mori dot). Ishte 88 vjeç.

Në Shqipëri u shpall zi dyditore, u ulën flamujt në gjysmështizë, u krijua komision shtetëror për ceremoninë e varrimit, ditën e 3 korrikut, në orën 13:00, kur i gjithë vendi ngriu në një minutë heshtje. Kështu i varrosin presidentët.

Pas viteve ’90, shumë herë përfaqësuesit e të gjitha partive politike në Shqipëri donin ta bindnin që të bëhej president, por ai ka refuzuar kategorikisht. Disa javë para vdekjes u takua me të presidenti i tanishëm me bashkëshorten. E vizituan në kafe “Juvenilja”, ku zakonisht kalonte kohën e lirë me miqtë.

Kadareja ishte për Shqipërinë më shumë se president. Presidentë ka shumë. Kadareja ishte vetëm një.

Përse nuk njihej Kadareja në Rusi

Kur Kadareja u shpall fitues i çmimit inaugural “Man Booker International”, duke lënë pas në shortlist Márquez-in, Kundera-n, Grass-in, Lem-in,  Updike-un, Spark-un, Lessing-un dhe klasikë të tjerë të gjallë, një nga blogerët tanë letrarë shprehu një mosbesim të qartë: E kush na qenka ky Kadareja, më i preferuar se Márquez-i? Vërtet në atë vend të vogël ballkanik paska shkrimtarë të nivelit botëror? Mos ka ndonjë prapaskenë politike? Ndonjë çështje dite?

Më pas, si u njoh më afër me krijimtarinë e Kadaresë, e pranoi se ishte ngutur me dyshimet dhe shkroi: Jo, ky Kadareja është i duhuri. Keqardhje që te ne njihet aq pak.

Shkrimtar i njohur botërisht, laureat i çmimeve prestigjioze letrare, librat e të cilit botohen në dhjetëra vende, po përse në Rusi ishte kaq pak i njohur?

Në vitin 1989, në revistën “Inostrannaja Literatura” u botua romani i tij më popullor “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”,  më pas doli edhe një roman tjetër, që nuk ra në sy në kohërat e stuhishme të fillimit të viteve ’90, edhe disa tregime gjatë njëzet viteve po në këtë periodik dhe deri në fillim të vitit 2020 u kufizua vetëm me këto botime. Dhe bëhej fjalë për një shkrimtar të lidhur ngushtësisht me Rusinë, që zotëronte mrekullisht rusishten, që kishte studiuar në Institutin e Letërsisë “Gorki”. Në Moskë doli libri i parë i Kadaresë i përkthyer jashtë shtetit: përmbledhja me vjersha “Lirika” (1961), redaktuar dhe pajisur me parathënie nga David Samojllov. Del, pra, që duhej ta njihnin te ne qysh prej vitit 1960, por ndodhi krejt e kundërta: deri në fund të viteve ’80 emri i tij në BRSS u ndalua heshturazi dhe ia arritën që të harrohej. Më vonë, për shumë arsye, asgjë nuk ndryshoi.

Tradhtari

Në vitin 1985, njerëz të informuar dhe të lidhur me sektorin ideologjik të KQ-së së PKBS-së, deklaronin kategorikisht se Kadarenë nuk do ta botonin edhe pas njëqind vjetësh. Shkaku ishte i thjeshtë: ai studioi te ne në Institutin e Letërsisë,  pastaj botoi romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, në të cilin, duke shfrytëzuar njohuritë e marra, “përhapi thënie të pavërteta për rendin shoqëror dhe shtetëror sovjetik”. Faktikisht, kjo quhej tradhti. Por kohërat ndërrojnë më shpejt se ç’mund ta marrësh me mend.

Tashmë në vitin 1987, në revistën “Inostrannaja Literatura”, Çingiz Ajtmatov nisi të shqyrtojë seriozisht mundësinë e botimit të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, pa marrë parasysh kundërshtimet e organeve partiake dhe në vitin 1989 ky roman u botua. Tirazhi i revistës ishte në atë kohë pothuaj gjysmë milioni ekzemplarë. U duk se Kadarenë tashmë publiku që lexonte do ta njihte dhe ai me siguri do të zinte vendin e tij midis autorëve të huaj që ishin bërë popullorë në Bashkimin Sovjetik. Por ndodhi që BRSS-ja u shpërbë, filluan vitet e turbullta ’90. Madje, i përkthyer dhe i botuar me ngut, romani antisovjetik “Dimri i vetmisë së madhe” (në rusisht i përkthyer me titullin “Dimri i ashpër”), për të cilin ai ishte futur në listën e zezë të KQ-së, nuk tërhoqi kurrfarë vëmendjeje. Në fillim të viteve ’90 ishin në kulmin e tyre botimet më sensacionale, njëra pas tjetrës hiqeshin tabutë e dikurshme, kurse libri i botuar i një autori shqiptar jo aq të njohur, për më tepër me një kopertinë gri të errët jo aq tërheqëse, nuk mund të binte në sy. Si fenomen letrar thjesht nuk e vërejtën, kurse për mesazhin e tij antihrushovian tashmë askush nuk ishte i interesuar.

Në fund të viteve ’90 filluan problemet me Serbinë dhe Kosovën, dhe Kadareja ishte shqiptar. Pastaj Shqipëria u bë anëtare e NATO-s. Gjithë kohën Kadareja nuk ishte në rendin e ditës te ne, ishte në fazë të kundërt me tendencat në zhvillim. Procesi letrar më së shumti varet nga lidhjet personale, prania në shfaqjet publike, interesi i botuesve. Botuesit nuk donin të rrezikonin. Disa adhurues të letërsisë frënge, që e konsideronin Kadarenë shkrimtar francez (jo pa bazë), kur vinin në Rusi, sinqerisht habiteshin: si kështu, ndoca shkrimtarë të rendit të dytë apo të tretë ishin popullorë në Rusi, botoheshin me tirazhe të stërmëdha, i ftonin për të folur në salla koncertesh, shkruanin me entuziazëm në kronikat mondane apo me skandalet që kishin lidhje me këta libra, kurse për Kadarenë, shkrimtarin e rendit të parë, librat e të cilit ishin në raftet e librarive të të gjithë botës midis Joyce-it dhe Kafka-s, shumë në Rusi as që kishin dëgjuar?

Nëse e nisim me Homerin

Kadareja ka lindur në vitin 1936, në qytetin përrallor të gurtë, Gjirokastër, në mbretërinë e Shqipërisë, ku sundonte mbreti me emrin Zogu i Parë (megjithëse Zogu, sado e çuditshme, është mbiemri, kurse mbretin e quanin Ahmet), i cili e quante veten pasardhës të princit mesjetar Skënderbeg, heroi që kishte udhëhequr një nga kryqëzatat, por edhe të Aleksandrit të Madh (aspak jomaqedonas, sikurse ta shpjegon çdo shqiptar: përderisa nëna e tij ishte nga Epiri, Aleksandri ishte ilir dhe ilirët ishin paraardhësit e shqiptarëve).

Në shkollë Ismaili i ri hyri kur tashmë sundonte mbretëria italiane, ku në vitin 1939 iu bashkua dhunshëm Shqipëria së bashku me Etiopinë dhe në tekstet shkollore poeti kombëtar i Shqipërisë (dhe i Etiopisë) ishte Dante. Qysh në bankat e shkollës Kadareja u njoh mrekullisht me letërsinë klasike, lexonte Homerin, Eskilin, Shekspirin.

Ismaili e mbaroi shkollën tashmë në pushtetin popullor dhe shkruante hartime për krijimtarinë e Majakovskit, po ashtu për Gorkin, Shollohovin dhe shkrimtarë të tjerë sovjetikë. Poeti i ri studioi në Universitetin e Tiranës. Botoi dy vëllime poetike: “Frymëzime djaloshare” (1954) dhe “Ëndërrimet” (1957). Pas përfundimit me sukses të Fakultetit Filologjik në Universitetin e Tiranës, ai u nis për në Moskë.

Moskoviti i viteve gjashtëdhjetë

Mund të duket paradoksale, por udhëtimi për stazh pasuniversitar në Moskë, kryeqytetin e BS-së, qendrën e komunizmit botëror, solli një përfundim krejt tjetër me atë që, mbase, kishin llogaritur ata që e çuan Kadarenë pikërisht atje. Atij i eci që ata nuk e kuptuan qysh në fillim. Në epokën hrushoviane të shkrirjes së akujve Moska nuk ishte aspak gri apo e mërzitshme, sikundër kanë dëshirë ta paraqesin kinoregjisorët hollivudianë. Kurse Instituti i Letërsisë ishte një qendër e mendimit të lirë, liberalizmit, me një fjalë, gjithçka që më vonë u quajt disidencë. Moskovitët e lexonin me etje “Inostrannaja Literatura”, shkrimtarët më popullorë te publiku i gjerë ishin Hemingway dhe Remarque (portretet e amerikanit me mjekër vareshin në muret e apartamenteve të njerëzve të thjeshtë), kurse tek intelektualët – Sartri dhe Kafka.

Pikërisht me përkthimet në rusisht Kadareja u njoh me letërsinë bashkëkohore të Europës, SHBA-së dhe Amerikës Latine. Studentët e Institutit të Letërsisë lexonin edhe librat samizdat dhe në romanin “Muzgu i perëndive të stepës” Kadareja përshkruan se si ndeshi në auditorin e zbrazët një pirg me letra të shtypura me makinë shkrimi, ku lexoi një mbiemër të çuditshëm: Zhivago. Duke shfletuar tekstin e shtypur me makinë, Kadareja nuk pati interes dhe e la atë po në auditor. E dëgjoi përsëri këtë mbiemër në mbledhjen e përgjithshme të studentëve, ku po diskutohej për dënimin e Pasternakut. Në krah të tij ishte ulur një vajzë duke qarë, të cilën e mori për mbesën e shkrimtarit. Në fakt, ishte Irina, bija e Olga Ivinskajas, së dashurës së Pasternakut. Me Irinën u takua pastaj vetëm në shekullin XXI, në Paris.

Botimi i parë në rusisht i romanit “Gjenerali i ushtrisë sëvdekur në revistën e përmuajshme “Inostrannaja Literatura”, Moskë

Modernisti sovjetik

Kur David Samojllov, një njeri që kishte pasur probleme në jetë me pushtetin ndaj u tregua tepër i kujdesshëm, kur përgatiti për botim librin me përkthime të poezive të autorit të ri shqiptar. E quajti të domosdoshme ta paralajmëronte në parathënien e shkruar nga ai për ndikimet moderniste dhe avangardiste në krijimtarinë e Kadaresë. Ishte i bindur që kjo mund ta dëmtonte poetin, por nuk e rishkroi parathënien dhe e këshilloi Kadarenë të hiqte dorë nga botimi i librit. Poeti i ri pranoi me ngazëllim të quhej modernist dhe nuk pranoi të hiqte dorë. Studiuesit e letërsisë le të analizojnë se cilat poezi në këtë vëllim kanë ndikim nga Majakovski dhe cilat nga avangarda perëndimore, por gjithsesi ishte një fillim i shkëlqyer.

Nuk dihet se si do të ishte fati i mëtejshëm i krijimtarisë së tij, por pikërisht në kohën që Kadareja studionte në Institutin e Letërsisë ndodhi ndërprerja e marrëdhënieve Shqipëri-BRSS. Kadareja ishte i detyruar të kthehej në atdhe, i cili, përkundrejt pritjeve të shërbimeve inteligjente, pas shkëputjes nuk u kthye drejt Perëndimit, por në Lindje, në krah të Kinës, në konfliktin politik në lidhje me vlerësimin e figurës së Stalinit dhe më tej, pas shkëputjes edhe nga Kina, përfundoi në izolim të plotë.

Arratisja në BS, një përpjekje e dështuar

Situata në Shqipëri ishte aq ndrydhëse për autorin e ri (modernist dhe avangardist) sa, madje, mendoi të arratisej. Nuk zgjodhi Perëndimin. Zgjodhi Lindjen – Bashkimin Sovjetik. Në Moskë kishte të njohur, zotëronte përsosmërisht rusishten dhe prej aty, hamendësonte se si i huaj do ta kishte shumë të lehtë nëse domosdo i vinte rasti për të shkuar në Perëndim.

E planifikoi arratisjen në vitin 1962, kur ishte i ftuar në Festivalin Botëror të Rinisë dhe Studentëve në Helsinki. Historia e arratisjes së dështuar është rrëfyer imtësisht nga fjalët e tij prej bashkëshortes së Kadaresë, Helenës, në librin e saj të kujtimeve, “Kohë e pamjaftueshme” (2011). Para se të nisej ai ua dha dorëshkrimet për t’i ruajtur miqve besnikë, u dha lamtumirën përgjithmonë atdheut dhe së fejuarës, pa i ndarë me askënd planet e tij. Në qoftë se dikush do ta dinte, atëherë në kohën e hetimit do ta konsideronin si bashkëfajtor.

Në kthim nga Helsinki, delegacioni shqiptar bëri një ulje në Pragë dhe  pas njëzet e katër orësh do të fluturonte për në Tiranë. Atëherë Kadareja iu drejtua ambasadës sovjetike me kërkesën për strehim politik dhe u paraqiti bashkëpunëtorëve të habitur të ambasadës librin e botuar në Moskë, ku dukej qartë portreti i tij. Ambasada, si u ndesh me këtë rast të jashtëzakonshëm, pavarësisht disa vonesave burokratike, e mori të arratisurin shqiptar dhe e strehoi në një hotel në Pragë, me një emër të fshehtë, që të nesërmen ta dërgonin në Moskë. Historia e mëtejshme na kujton një libër të Dostojevskit. Dhoma konspirative e ofruar nga ambasada ruse ishte aq ngushtë sa një varr. Pasi kishte vendosur i bindur që të arratisej, Kadareja s’dihet pse u kthye në hotelin ku ishte akomoduar delegacioni shqiptar dhe fjeti atje. Pastaj, duke llogaritur gjithë kohën se në cilin çast do të ishte më e përshtatshme që të shkëputej nga delegacioni shqiptar, shkon së bashku me të gjithë në aeroport dhe madje duke iu afruar shkallëve, ende përfytyron që të kthehet tani dhe t’ia mbathë. Kur avioni u ngrit, ai mori frymë i lehtësuar: tani nuk varej asgjë prej tij dhe nuk mund të merrte kurrfarë vendimi. Arratisja për në BS nuk ndodhi.

Shqiptari më i njohur në botë

Romani i parë i Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ishte një ngjarje letrare. Pasi e përktheu Jusuf Vrioni në frëngjisht, Kadareja u bë i njohur në gjithë botën. Franca u bë për Kadarenë porta për në botën perëndimore. Shumica e përkthimeve të veprave të Kadaresë nuk bëhej nga shqipja (sepse nuk kishte përkthyes të kualifikuar nga shqipja), por nga frëngjishtja. Luajti rol edhe fakti që Shqipëria nuk e kishte nënshkruar konventën e së drejtës së autorit. Ashtu sikundër edhe në BRSS, në Shqipëri përkthenin dhe botonin kë të donin, pa u trembur nga penalizimet.

Një nga përkthyesit më të njohur të veprave të Kadaresë në anglisht, David Bellos, duke u justifikuar, madje, ka shkruar një artikull të tërë se si duhej të merrej me një punë të pamenduar ndonjëherë, me ripërkthim (retranslating) të librave të Kadaresë nga frëngjishtja dhe jo nga shqipja, që ai nuk e zotëronte. Situata dukej pa rrugëdalje. Kadareja duhej ripërkthyer. Shqip pakkush dinte. Sido që të ishte, në vitet 1970 dhe 1980 Kadareja u bë shqiptari më i njohur në botë (pas Enver Hoxhës, kuptohet), prodhuesi i produktit kulturor që eksportohej, burimi i valutës së fortë dhe për hir të kësaj mori disa privilegje, që shqiptarët e thjeshtë s’mund t’i kishin, si mundësia për të udhëtuar jashtë shtetit.

Intervistë e Vaisilij Tjuhinit me Kadarenë për gazetën “Sankt-Peterburgskie Vedomosti”

Përse Kadareja nuk është Sollzhenicin

Në epokën e re, kur Kadareja nominohej për çmimin e radhës, fillonte një fushatë për diskreditimin e Kadaresë në qarqet letrare europiane (që përbëhej kryesisht nga shkrimtarë të nderuar nga vendet e ish-kampit socialist, por kishte edhe mjaft shqiptarë). Pjesëmarrësit e saj argumentonin se ai nuk mund të pretendonte autoritet moral, pasi gjatë sundimit të Hoxhës gëzoi të gjitha përfitimet, botoi, udhëtoi jashtë vendit dhe nuk ishte aspak i përfshirë në luftën politike kundër regjimit diktatorial. E akuzuan se nuk ishte si Sollzhenicini. Ai i pranonte qetësisht këto akuza. Po, ai nuk ishte Sollzhenicini. Ai merrej me krijimtari letrare dhe letërsia ishte për të lufta më sublime dhe më e rëndësishme.

Konfrontimi i hapur me regjimin më të ashpër në Europë mund të çonte në vetëm një gjë: ekzekutimin, ose, në rastin më të mirë, dënimin me pesëmbëdhjetë vjet. Atëherë askush nuk do ta dinte se ai ishte një shkrimtar i shquar dhe nuk do të kishte mundur të shkruante asgjë. Në fund të fundit, që Kadareja kishte të drejtën me vete dëshmon qoftë ai fakt që librat e shkruar prej tij në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, edhe sot e kësaj dite, përkthehen dhe ribotohen në të gjithë botën.

Të shkruash në kushtet e një diktature totale

Nuk mund të thuhet kurrë që jeta për Kadarenë ishte e lehtë. Rrethanat përcaktonin kushtet e ekzistencës dhe Kadareja shfrytëzonte mundësi të tilla, si: duke shkruar romane me temë historike, duke zotëruar gjuhën e Ezopit, mësoi si të kapërcente censurën. Romani “Pallati i Ëndrrave”, veprimet e të cilit zhvillohen në Perandorinë Pseudoosmane fillimisht doli para lexuesit me disa kapitujt, prej të cilëve përgjithësisht asgjë nuk ishte e qartë, dhe me titullin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, në një vëllim me tregime dhe novela. Pas një viti autori e botoi tekstin e plotë të romanit dhe censura nuk funksionoi, sepse u mendua se bëhej fjalë për ribotim, madje nuk e lexuan me vëmendje fare. Pastaj u zhvillua plenumi i KQ-së, akuzat nga tribunat e larta, kërcënimet, ndalimi i librit dhe tërheqja e tij nga të gjitha libraritë. Por kaluan veçse dy javë nga momenti i daljes dhe i gjithë tirazhi prej njëzet mijë ekzemplarësh u shit krejt.

Dorëshkrimet e romaneve “Vajza e Agamemnonit”, “Qyteti pa reklama” dhe “Hija” u nxorën nga Shqipëria fshehurazi nga botuesi i tij francez sikur të ishin përkthime nga gjermanishtja dhe u vendosën në një kasafortë të një banke në Paris, me kushtin që të botoheshin në rast të një vdekjeje të papritur të autorit, për çfarëdo shkaku (duke përfshirë aksident automobilistik apo helmim nga ushqimi). Subjekti i romanit “Piramida” ka lidhje me ndërtimin e piramidës së Keopsit, por në shumëçka të kujtonte situatën në Shqipëri. Dorëshkrimin autori e fshehu te miqtë e tij besnikë para se të arratisej për në Francë. Kjo ndodhi në vitin 1990, kur emri i Kadaresë u shfaq në listën e përfaqësuesve të inteligjencies, e cila ishte në shënjestër të Sigurimit.

Kavalieri, akademiku, klasiku

Pasi mori nënshtetësinë franceze, Kadareja mund të botonte gjithçka që nuk mundi të botojë më parë dhe tashmë kishte mundësinë të shkruante ato që s’mund t’i shkruante më parë. Në shumë vende e konsiderojnë si autor francez dhe për këtë ka një arsye të fortë, sepse të gjithë librat e rinj dilnin pothuaj njëkohësisht në frëngjisht. Kadareja u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale dhe Politike, i dekoruar me Urdhrin e Legjionit të Nderit të të gjitha shkallëve. E kaloi jetën midis Parisit dhe Tiranës si dhe në vilën e tij buzë detit Adriatik. Por librat i shkroi në shqip dhe mbeti shkrimtar shqiptar.

“Pallati i ëndrrave”, rusisht

Bilanc

Në vitin 2010 Kadareja erdhi në Moskë dhe foli para studentëve të Institutit të Letërsisë. Rezultat i këtij udhëtimi, në shumëçka i kushtëzuar nga nostalgjia e viteve të rinisë, ishte libri i fundit i shkrimtarit “Kur sunduesit grinden” (2018), një akord final i krijimtarisë së tij. Pas këtij libri Kadareja deklaroi se nuk do të shkruante më dhe e mbajti fjalën.

Është edhe më mbresëlënëse që libri i fundit i autorit me famë botërore i kushtohet letërsisë ruse dhe shërben si një lloj qendre organizuese për të gjitha veprat e tij “ruse” – përmbledhja me poezi “Lirika”, romanet “Muzgu i perëndive të stepës” dhe “Dimri i vetmisë së madhe”, disa tregime, skenari “Sorkadhet e trembura” sipas të cilit Yuri Arabov realizoi filmin “Gjirokastra”.

Në vitin 2021 nisi kthimi i Kadaresë në Rusi – doli përkthimi i “Pallatit të Ëndrrave” dhe vetë autori ka shkruar se ky roman është përkthyer në vende të ndryshme, por asnjë botim nuk i ka ngjallur kaq emocion sa ky version rusisht.

Pavarësisht jetës së gjatë dhe të vrullshme, në diçka vijoi të mbetet moskoviti i viteve gjashtëdhjetë, student i instituti të letërsisë me emrin Gorki.

Çfarë mund të lexojmë nga Kadareja

Për ata që nuk e zotërojnë gjuhën shqipe (pra, shumica e lexuesve) mbetet vetëm një alternativë – ta lexojnë Kadarenë në frëngjisht. Pikërisht në këtë gjuhë është përkthyer pothuaj krejt vepra e tij dhe nga frëngjishtja librat e tij përkthehen në gjuhët e botës. Në anglisht është përkthyer afërsisht një e treta e opusit të tij.

Në rusisht mund të lexohen veprat që tashmë janë botuar: “Lirika”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Dimri i vetmisë së madhe”, disa tregime në “Inostrannaja Literatura”, “Pallati i Ëndrrave”.

Së afërmi do të dalin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (një përkthim i ri, i bazuar në botimin e fundit të veprës së tij të plotë); “Vajza e Agamemnonit” dhe “Pasardhësi”, në një vëllim; disa kapituj nga “Kur sunduesit grinden” do të botohen në “Inostrannaja Literatura” në nëntor të këtij viti.

(Marrë nga ExLibris)

INTERVISTA – SKIFTER KËLLIÇI, 86 VJEÇ SHKRIMTAR DHE 70 VJEÇ GAZETAR DHE KOMENTATOR SPORTIV (I)

Sa herë që dëgjohet të flitet për Skifter Këlliçin, secilit i vete mendja menjëherë te futbolli, që ka arritur te lexuesit e gazetave, radiodëgjuesit dhe teleshikuesit tanë 7 dekada më parë edhe nëpërmjet penës, Radios, ekranit televiziv. Pastaj edhe nëpërmjet veprave letrare që ai ka shkruar më pas po me temë sportive.

VOAL – Kështu pra, Skifter, së pari gazetaria sportive dhe pastaj letrare?
– Saktë. Ishte një ditë e hënë fillim gushti i viti t 1954, kur unë, djalë 16-vjeçar me pantallona të shkurtëra, lashë te portieri i Ministrisë së Shëndetësisë, ku ndodheshin zyrat e gazetës “Sporti Popullor” një shkrim prej dy faqesh fletoreje, rreth përfundimit të kampionatit lokal të tenisit që ishte zhvilluar në Parkun “Sportiv ”Rinia”. Në këtë kampionat vëllai binjak, Luani, ishte shpallur kampion dhe Adnani, djali i xhaxhait, nënkampion; dhe merreni me mend që atë mërkurën në faqet e kësaj gazetë, aq popullore, unë dhe im vëlla, dhe shumë bashkëmoshatarë pamë të botuar shkrimin, poshtë të cilit me shkronja të mëdha lexohej dhe emri im: SKIFTER KËLLIÇI. Që nga ajo ditë dhe më pas, sipas rasteve, unë vazhdova të shkruaja në këtë gazetë shkrime, që u pasuan më pas me shkrime të tjera, madje edhe për Botërorin e Futbollit në Suedi, (1958), në gazetën “Zëri i Rinisë”, pastaj nga viti 1959, kur sapo kisha mbaruar studimet larta dhe isha tashmë gazetar në Radio Tirana, nisa komentimin e ndeshjev të futbollit, krahas Ismet Bellovës dhe më pas të Anton Mazrekut, të kthyer pas një pauze prej disa vitesh në mikrofonin sportiv të Radio Tiranës; pastaj nga viti 1970 krijova “Rubrikën Sportive” në TVSH me disa ndërpreje, deri në vitin marsin e vitit 1999, kur u vendosa përfundimsht në Amërikë, ku vazhdova përsëri të shkruaja për sportin, edhe letërsi artistike, (vëllimin e parë me tregime,madje sportive me titull “Një ndodhi në stadium” e pata shkruar në vitn 1958 në moshën 30-vje$are).Pra, së pari e kam filluar të shkruaj gazetari sportive dhe pastaj letërsi artistike.

VOAL – Përmende pak më parë emrin e Luanit, vëllait tënd binjak. Dy emra kafshësh të egra…
– Nëna ime nga Shkodra, rritur në një mjedis të ngritur, veç të tjerash, kishte lexuar një libër pështatur nga gjermanishtja, ku dy fëmijë quheshn Agron dhe Benon. Gjyshja donte të na quante Asllan dhe Kapllan, pra në turqisht luan dhe tigër. Gjyshi, vërtet kishte mbarur studimet e larta për financë në Turqi, ku kishte punuar në disa vise të Perandorisë Osmane, por i kthyer me gjithë familjen në atdhe në vitn 1918, ishte zgjedhur deputet në Parlamentin e Parë Shqiptar, (1921-24) në krah të Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, at Gjergj Fishtës, Avni Rustemit…., nuk donte që ne binjakët të mbanim emra turq, ndaj na vuri emrat Luan dhe Skifter. E vërteta është se mua nuk më pëlqen emri që kam.

VOAL – Të kthehemi te krijimtaria. A pate dilemë nëse do të bëhesh shkrimtar apo gazetar, veçanërisht sportiv?
-Jo. Kur fillova studimet e larta për gjuhë-letërsi, në kursin tonë u miqësova me Dhimitër Xhuvanin dhe Jorgo Bllacin që njiheshin që atëherë si letrarë me talent. Një kurs më lart se u unë njoha edh me Ismail Kadarenë dhe letrarë të tjerë, që botonin letrësi artistike, kur unë ende vazhdoja të botoja te “Sporti Popullor”shkrime të thjeshta. Edhe dy tregime që botova në faqen letrare të “Zërit të Rinisë”, qenë të dobëta, ndaj vendosa të bëhesha gjuhëtar, por pa u shkëputur nga shkrimet për sportin, duke përfshrë edhe sportet ndërkombëtare. Ndërkohë, madje fillova të përmirësoja me vullnet rusishten dhe italishten, dy gjuhë, mendoj të domosdoshme për atë periudhe për $do intelektual që kërkonte të zgjeronte horizontin e tij. Mund të kisha përfunduar vërtet gjuhëtar, sepse isha ndër studentët më të mirë të profesorëve të njohur Shaban Demiraj, Stefan Prifti, Mahir Domi,Eqrem #abej, por rrethanat dhe pasioni më sollën në Radio Tirana që të filloja të punoja gazetar i emisioneve letrare dhe sportive, aq më tepër që në vitin 1958 fillova të lexoja si folës edhe në emisionet e lajmeve, i bindur që nuk do të bëhesha kurrë shkrimtar.

VOAL – Por u bëre dhe radiokronist i ndeshjeve të futbollit”?
– Po. Ishte një dëshirë imja që 10 vje$ të bëhesha si Anton Mazreku, babain e gazetarisë sportive shqiptare, të cilin e imitoja hera-herës, kur fëmijët e mëhallës ku jetonim, luanin futboll. Në tetor të vitit t 1959, 21-vje$ar, bëra një provë të regjistruar në magnetofon gjatë një ndeshjeje , që e dëgjuan jo vetëm shefat e redaksisësë së informacionit në Radio Tirana,por edhe specialistë në Federatën Shqiptare të futbollit, ndër të cilët vetë Anton Mazreku, që më përgëzoi. Kështu së bashku me komentatorin e njohur sportiv Ismet Bellova, që kishte nisur të komentonte në mikrofonin sportiv dy vite më parë dhe më pas me vetë Anton Mazrekun, që u bashkua me ne pas tre vitesh, krijuam një “trio” të paharruar vokale, e cila nga viti 1970, (në vitin 1969 papritmas ai ndërroi jetë), u kthye në një skuadër radiokronistësh të talentuar, ndër të cilët, Veli Rada, Aleko Gjergo, Frederik Fico, Ymer Striniqi…

VOAL – Atëherë, si ndodhi që, gjithsesi botove librin e parë me tregime, me titullin “Një ndodhi në stadium”?
– Me të ashtuquajturin qarkullim kuadri në vitin 1966 u emërova mësues në Berat, ku i njohur për emisionet e mësipërme letrare në Radio, më mbanin dhe si shkrimtar, ndaj me rekomadimin e Seksionit të Arsimit të Beratit më dhanë 18 orë mësim, duke më krijuar kështu hapësira të lira edhe për të shkruar. Ndaj dhe unë fillova të shkruaja vëllimin me tregime ’”Një ndodhi në stadium”, (1968), me temë sportive, që e njihja më mirë se fushat e tjera të jetës.

VOAL – Ky libër u prit mirë, sidomos nga lexuesit e rinj.
– Ashtu besoj, sepse ishte e para vepër letrare me një temë të tillë si sporti. Por në shtypin letrar për të nuk u shkrua asnjë recension. Madje nuk shkroi asnjë koleg imi në gazetën “Sporti Popullor”. Botova pastaj një vëllim të dytë me tregime, gjithnjë me tëmë sportive, por u nxitova. Me këtë libër nuk pata ngritje artistike. Përgatita dhe një vëllim me tregime me temë shoqërore, dhe ndonëse pjesa me e madhe e tyre ishte botuar në shtypin e kohës, vëllimi nuk u botua…. U mërzita dhe vendosa të merresha vetëm me gazetari. Por në vjeshtë të vitt 1969 shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, që edhe ai me qarkullim kuadri kishte ardhur në Berat si korrespondent i “Dritës”, më dha të lexoja novelën e tij “Qyteti i jugut” me motive vetëjetëshkrimore. U mahnita. Dhe menjëerë nisa të shkruaja novelën “Kujtimet e mëhallës së vjetër” (1970), ku në qendër ishin dy vëllezër binjakë në vitet e Luftës, disa prej ngjarjeve të së cilës i kisha pëjetuar dhe unë me vëllanë, atëherë 5-6 vjeçarë. E dorëzova në redasinë e prozës së SHB “Naim Frashëri”, por kur pas dy javësh vajta atje të merrja përgjigje, më thanë se e kishin kaluar novelën te redaksia e letërësisë për fëmijë, ku e kishin pëlqyer, sepse kishte edhe ngjarje që, ve$ tetjersh, lidheshin me skuadrat antifashiste të futbollit gjatë pushtimit fashist. Kështu krejt rastësisht u bëra shkrimtar për fëmijë. Atëherë mora guxim të shkruaja romanin “Pas gjurmëve”, (1971), me protagonistë përsëri dy vëllezërit binjakë, por ne vitet e para të Pasluftsës, që u pëlqye dhe më shumë, madje nga regjisorja legjendare Xhanfise Keko, e cila në vitin 1979 me skenarin tim, bazuar te ky roman, realizoi filmin për fëmijë me të njejtin titull, i cili fitoi Çmimin Special” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë në Xhifoni,(Itali).

(vijon)

Kujtim prej hiri që bie si muzg- Cikël poetik nga LULZIM LOGU

Ndoshta…

Ndoshta nesër papritur nuk do të jem tjetër, por në lëkurën time prapë
Prapë ndjej shijen e athtë të netëve të pambaruara me ty dhe trupin tënd
Teksa avullon tisin e ngrohtë të dashnisë të vonuar në kohë dhe ankthin
Ankthin e të qënit pjesë e të fundmes strehë të pasionit mëkatar, të vjetër
Të vjetër tashmë në pamundësinë e mbijetesës…

Ti ngadalë shndrrohesh në një kujtim prej hiri që bie si muzg
Mbi krahët e thyeshëm të ëndrrës së pafajshme dhe shpresës…

Moli
Cukla resh ndjellin muzgun pranë nesh
Dhe shlyejnë buzëkuqin prej buzëve tua
Që ngadalë shndrrohet më i ëmbël, më gri
E ndjej që edhe sonte po të ikësh sikur dielli
Asnjë peng mes nesh nuk mbetet tjetër
Kur silueta jote te moli shket , varkë e fundit
Mbi syrprinën e ëndërrt të vesës…

Vera
Mbi qelqin e gotës vizatuar trajtat e mungesës
Ngjyer në tulin e purpurtë të një qershie të vetme
Zhytur padashur në lëngun e akullt që marrëmënd
Duke kuptuar ritmin e çmendur të jetës
Dhe kufijtë e vetes…

Shtyj gotën përtej pragut, por nuk thyhet
Teksa rrokulliset në barin e brishtë të muzgut
Vera e vjetër…

Amanet
Amanet ta kisha lënë zemrën pa ngurim
Atë mbrëmje jam kthyer me gjoksin bosh
Një pikëllimë të madhe në zgavrën e tij
Binte si këmbanë natën e pambarueme
Ndërsa ti shkoje me zemrën time në duar
Ndër banesa të shkretuara, ndër mure…

Amanet ta kisha lënë zemrën pa ngurim
Llambë për ty në rrugën e gjatë të kthimit
E pashë kur u shua skaj horizontit të largët
Si drita e zbehtë e një ylli …

Një zog nate ulet të çukisë mbi mua
I uritur dhe me cicërima ndër vaje
Por ti mos u ndal rrugës tënde e dashur
Si fener shprese, zemrën time mbaje…

Koha
Netve, kur më merr malli
Kthej kohën e shkuar kah vetja
E flas me të në sofrën e natës
Së bashku pimë verë të valë
Me gllënjka të vogla, të ngadalta
Dehemi pakuptuar deri në ag …

Ajo ka shkuar në krahë yjesh
Në sofrën e përmbysur të mëngjesit
Pelerinë e saj e përgjakur kullon
Diellin e sapolindur dhe të sotmen
Pengjet e mia merr me vete
Si lotë shiu mbi horizont i zbraz…

Tropojë, Mars 2024

Bujar Hudhri rrëfen raportet me Kadarenë: Ndjej një boshllëk, por edhe njëlloj qetësie. Ja fjalia e fundit që më tha…

Në emisionin “Open” në News24 ishte botuesi Bujar Hudhri. Ai ka folur për gjeniun e letrave shqiptare, Ismail Kadare, që u nda nga jeta më 1 korrik.

Hudhri tha se tashmë ndjen njëlloj qetësie, duke iu referuar këtu intensitetit të takimeve dhe punës me Ismail Kadarenë.

Por, botuesi shprehet se largimi i ismail Kadaresë i ka krijuar edhe një boshllëk.

“Nuk kam ku të shkoj, nuk ngutem, pasi bisedat dhe takimet, bashkëpunimi me Kadarenë, ishte me një instensitet të rrallë, gjithëpërfshirës.

Kjo përfshirje emocionale ishte si ajo shprehja që po e perifrazoj “Shqipëria hyri në diktaturë si në festë”. Kisha një bashkëpunim të gjatë, një bashkëpunim që përfshinte procesin krijues, atë rishikues”, tha Hudhri.

Në vijim ai ka sjellë në vëmendje fjalinë e fundit që i ka thënë Kadare, tre ditë para se të ndahej nga jeta.

“Falimenderit Bujar”, kjo ishte fjalia e fundit që më ka thënë ditën e premte, ndërsa të hënën u nda nga jeta.

Hudhri tha se Ismail Kadare nuk kishte probleme shëndetësore, ndërsa shkaku i vdekjes është “arrest kardiak”.

“Pengu që kam është që nuk arrita të flas ditën e fundit, të hënën”, tha Hudhri.

Në vijim ai rrëfeu se shkak i takimeve me Ismail Kadarenë është bërë vëllai i botuesit. “Unë synoja të mbështesja autorët shqiptarë, letërsinë shqiptare.  E ndjeja që ndaj letërsisë shqipe, ndaj shkrimtarëve shqiptarë po mbahej një qëndrim jo i drejtë.  Kadare kishte botuesen e tij në Paris, Brikena Çabej. Nuk synoja ti zija vendin Brikenës, por Kadare donte botuesin e tij në Tiranë”, tha Hudhri.

Në vijim, ai rrëfeu takimin e parë që kishte me Ismail Kadarenë. “Më la një takim në shtëpinë e tij në orën 14:00, unë me thënë të drejtën mendova se ishte kohë dreke, dhe nuk shkova. Por më pas mësova se në orën 14:00 ai zhvillonte takimet më të rëndësishme”, rrëfeu Hudhri.

(BalkanWeb)

“Pengjet e Kadaresë” Rrëfehet Bujar Hudhri: Kur i dhashë honorarin e parë u emocionua, ja momenti më i sikletshëm

Botuesi Bujar Hudhri, duke folur në emisionin “Open” në News24, për raportet dhe bashkëpunimet që ka pasur me gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare, ka zbuluar edhe një detaj të pathënë më parë.

“Kur Kadare më ka dhënë librin e parë, unë i kam dhënë një honorar. U emocionua shumë, ishte një shumë e konsiderueshme. Fytyra e Kadaresë mori një ngjyrë të purpurt, kështu i bëhej kur emocionohej shumë. Më pas më foli për shpenzimet që i ishin shtuar etj etj”, rrëfeu Hudhri.

Ai tha se për të demonstruar se kush është njeriu Ismail Kadare kam arritur që për 15 vitesh ta ulja në një kafene (lokal) ku ai takohej me njerëz pafund, bënte fotografi, dhe mendoj se këto ishin ndoshta momentet më të bukura për jetën e Kadaresë në Tiranë.

Duke folur për momentet më të vështira në marrëdhënien 30-vjeçare me Kadarenë, Hudhri tha se “para dy-tre vjetësh, kishte botuar një shkrim për 25 vjetorin e marrëdhënieve me shkrimtarin e madh, dhe isha në siklet. Titulli i shkrimit ishte “Terren i vështirë dhe vazhdimisht binin rrufe”. Ua sa titull i bukur qenka, më tha Kadare, dhe e lexoi të gjithë shkrimin”.

Hudhri tha se me Kadarenë kishte debate, përplasje, por që ndjehej rehat në atë gjallërinë e tij. Ai e konsideroi Kadarenë një gjeni, por gjithmonë pyeste “e, si tu duk. Ndoshta edhe për të provuar se si do të ishte reagimi”.

“Kadare punonte 90 minuta në ditë, aq ka punuar gjithë jetën”, tha Hudhri.

 

(BalkanWeb)

Dashuria është t’i shohësh fëmijët të fluturojnë- Nga Franco Battiato- E shqipëroi Elida Buçpapaj

Fëmijët rriten nga dashuria jonë: kaq mjafton.

T’i duash fëmijët me zjarrin e zemrës do të thotë të mësosh të heqësh dorë prej tyre.

Ata që besojnë se të jesh prind është një e drejtë dhe jo një detyrë, përfundojnë duke i indoktrinuar fëmijët e tyre në vend se t’i edukojnë ata.

Fëmijët tanë, megjithatë – siç ka shkruar Khalil Gibran – nuk janë tanët, ata nuk vijnë nga ne, por nëpërmjet nesh, ne nuk duhet t’i konsiderojmë ata pronën tonë: ata nuk duhet të detyrohen të mendojnë si ne, të bëjnë të njëjtën jetë si ne sepse ata kanë mendimet e tyre, të cilat mund të jenë të ngjashme me tonat, ose ndonjëherë krejt të kundërta, dhe gjithsesi është mirë që ata t’i kenë dhe të kapen pas tyre.

Fëmijët tuaj nuk janë fëmijët tuaj.

Ata janë bijtë dhe bijat e vetë jetës.

Shumë herë kam dëgjuar një prind të thotë: Duhet ta rregulloj fëmijën tim. “Ta sistemoj”. Si një vazo kineze.

Ti ke lindur një objekt apo ke lindur një shpirt njeriu?

Nëse ke sjellë një shpirt në botë, nuk ke pse ta rregullosh atë sipas shijeve të tua, shpirti shkon atje ku duhet të shkojë.

Çfarë mesazhi japim ndryshe?

Meqenëse ju si nënë nuk mund ta bëni këtë, atëherë do të kujdeset babai.

Një prind është si një instruktor fluturimi, ai duhet të të mësojë të fluturosh.

Ai nuk është dikush i cili shpreson që ju duhet të qëndroni në shtëpi deri në moshën gjashtëdhjetë vjeçare, në mënyrë që të bëheni një lloj kujdestari për prindin.

Ky është egoizëm, nuk ka të bëjë fare me dashurinë.

Dashuria është t’i shohësh fëmijët të fluturojnë.

Franco Battiato
“Riflessioni”

(Nga Facebook – tek muri i Shqipe Saraçit)

Tek Ura mbi Ibër Poezi nga Elida Buçpapaj

Tek ura mbi Lumin Ibër
kalimtarët janë të rrallë
si retë e rralla në qiellin
mbi kokat tona

Tek Ura mbi Lumin Ibër
kalimtarët e rrallë
janë të heshtur
si retë e heshtura
në qiellin mbi kokat tona

qiell i rimtë sykthjellët
me ndonjë re tek-tuk
si kalimtarët tek-tuk
në Urën mbi Ibër

tre qenushë endacakë të bukur
patrullojnë
mbi Urën e Lumit Ibër
kanë uri dhe na afrohen
miqësisht
futen në fokusin
e aparatit fotografik
si miq të vjetër
nuk pyesin çfarë etnie ke
sytë i kanë miqsorë, lutës
t’i ftosh në shtëpinë tënde në Europë
të luajnë me fëmijët
të lehin gjithë gaz
kur kthehesh në shtëpi
nga udhëtimi në Mitrovicë –
nga Ura mbi Lumin Ibër
aty ku qentë endacakë të uritur
lypin miqësi jo bukë
të mbushin
barkun e uritur
dhe vijnë e fotografohen me ty
sikur të jenë
pjestarë të familjes

Liria është Poezi nga Elida Buçpapaj

Liria është e imja e jotja
pasuri e patundshme
që nuk gërryhet nga brejtja
Liria është një ushtri e çarmatosur
nga urrejtja

Liria është e pasur
që ngop çdo stomak e shpirt bosh
burim i pastër, i pashtershëm drite
Liria është një ushtri e çarmatosur
nga çdo lloj frike

Liria është frymëzim
me sy kuriozë e të paqtë si fëmija
që grish për ta jetuar jetën pa dallim
Liria është një ushtri e armatosur
vetëm nga dashuria
fund e fillim

KULAKU -Tregim nga Shkëlqim HAJNO

Qirjako Davera u ngrit shumë herët në fshatin Haskogravë. Gati dy sahatë pa zbardhur mbi majëmalet e Axhenikut, nga dilte si gjithmonë vetulla e parë e diellit. Pothuaj menjëherë pas këngës së këndezit të parë në fshat, e pa veten në këmbë . Gjumi i ishte terratisur dhe sytë i rëndonin nga pagjumësia. Gjoksi i veshur me fanellën e bardhë, punuar me shtiza nga duart e të shoqet, Rinës, gati sa s’i çahej nga ankthi i ditëve të fundit.
Në shtëpi nuk kishte më bereqet. Asnjë grusht miell dhe asnjë kalli misri. Tani rrezikonte që uria të ulej këmbëkryq në konakun e tij qysh atë ditë. Si do të bëhej me të gjashtë frymët që kishte për të ushqyer në shtëpi dhe, motrën sakate, shtatë? Mbathi opingat e lëkurta dhe doli në oborrin e madh me avorua dhe manin e moçëm në mes. Nisi të tymoste pa rreshtuar duhan të hapur nga nevoja për të folur me veten duke përtypur thërmijat farmak nga cigarja e varur në buzë. Nuk mjaftonte që e kishin futur në listë si të vetmin kulak në fshatin minoritar, për shkak të një dyqani që pati në katund gjyshi I tij kurbetli. Por kjo, tani e tutje, do të ishte si një gur nishani, paralajmërues për të gjithë.
Në këtë pragdimri, duhet të gjej medoemos disa hise misër apo thekër për të mbajtur gjallë frymët e pragut tim. Suferina e jetës nuk ka qenë bujare me pragun tonë sidomos gjatë Luftës së Dytë. Dhe mesa duket më keq akoma për ne, pas Luftës, me pushtetin e ri. Por kohë për të qarë, nuk ka. Kjo është silloia. Ka kohë vetëm për të gjetur pak misër. Përplase kokën ore, rob perëndie në daç në mure e në daç, në trarët e tavanit.
***
Në Votuca, qendër e lokalitetit, një mal larg me Haskogravën , u mësua shpejt se njerëzit e lokalitetit do të ndanin nga një sasi misri për çdo familje nga ndihmat e mbërritura në vend nga UNRA. Po vallë, do të kishte për të gjithë ndihma nga këto që kishin ardhur nga jashtë? Vallë, do t’u jepnin të gjithëve siç flitej?
Me këto brejtje në shpirt, Qirjako Davera mësoi se nga një sasi bereqeti do të ndahej për familjet e katundeve përreth pikërisht në hangarin e madh në qendër të kooperativës së re, me një emër të ri: Vëllazëria. Rrugës për atje, pikërisht te kroi në Qafë të Lëpjetës , pa gra të ngarkuara me tërkuzë me thasë misri po edhe kafshë dore të ngarkuara me thasë ku shquhej qartë në barkun e tyre stampa: ‘UNRA’. Ndihmat perëndimore për atë që nisësit e quanin furnizim për riaftësim nga Kombet e Bashkuara, nisën në vjeshtën e tretë të vitit njëmijë e nëntëqind e dyzet e pesë.
Rrugës për në vendmbërritje, Qirjako Davera kishte dëgjuar vërtet dikë se misër mund të mos jepej për të gjithë.Ca zëra të tjerë për shembull thoshin se për kulakët, nuk ka misër. Këto fjalë e murrëtyen edhe më tepër njeriun që po udhëtonte me kafshën e dorës drejt lokalitetit.

Vazhdonte të tërhiqte mushkën për kapistre i muzgosur në shpirt e fytyrë prej ankthit se, mund të kthehej duarbosh. Por, më shumë se kaq, prej veçimit të mundshëm nga të tjerët. E kishin futur në një rreth të kuq. Kulak! Ky-lak! përsëriti me vete.Pastaj i fliste mushkës. Eh, moj e bekuar. Ç’kemi ndryshe nga të tjerët që na pagëzuan me këtë emër. Si një mallkim dhe si ai kulari në qafën e qeve për të lëruar në ara. Eh, moj Çile, kuqalja ime, ç’fat të kemi këtë herë!. Nuk është në dorën tonë…
Ishin metrat e fundit deri në qendër, në Votuca.
Nga ata që ktheheshin të ngarkuar me misër në këtë dite të bekuar mësoi dy lajme. Një, të mirë sipas tij. Por tjetri, farmak. Njeriu përgjegjës për ndarjen e bereqetit në Votuca, ishte Myfit Dobra, sekretar i lokaliteti. Nërsa lajmi i dytë, ai, të cilit i trembej ishte se kulakët, këtë herë nuk do të përfitonin misër, deri në një urdhër të dytë, që do të thoshte deri në një ngarkesë tjetër, të dytë e cila, do të mbërrinte shumë shpejt në lokalitet.
Prit! Mendoi. Myfit Dobra. Ai kishte qenë partizan. E njihte. Myfiti vinte nga malet, ishte nga fshati fqinj me Daverën. Njiheshin. Ishin vërsnikë në moshë dhe dikur fëmijë, kishin lozur te jazi i mullirit. Ka një emër të mirë Myfit Dobra, mendoi. Edhe si njeri, edhe si familje. Edhe të parët tanë, familjet tona vërtet, njera e krishterë minoritare dhe tjera myslimane, kanë mbajtur lidhje e miqësira edhe në kohë lufte, edhe në kohë paqeje, silloiste me vete Qiriako Davera.
Njëherë e një kohë mendoi, burrat e këtyre familjeve kishi rrahur tregëtinë pas kurbetit. Por nga ato kohëra, ujëra shumë kanë rrjedhur dhe, njerëzit ndryshojne siç stinët, përtypte silloinë njeriu me mushkë.
***

Te kroi në Bregun e Milloshe Qiriako Davera u ndal. Ishte copa e fundit e udhës gjer në depot e ndihmave. Aty u përshëndosh me të tjerë banorë të fshtrave përreth: Skarani, Zhupani, Ragnoi, Ganicati, Axheniku e të tjerë. Kur i erdhi radha në oborrin e depos së madhe të lokalitetit, ishte pasdite vonë. Ai e njohu menjëherë përgjegjësin e ndarjes së ndihmave. Myfit Dobra ishte një burrë shtatlartë. Thatim por i stralltë dhe me mustaqe. Duke pritur ai po këqyrte çdo xhest e fjalë të Myfit Dobrës po edhe lëvizjen e radhës së njerëzve drejt një peshoreje me gurë zigji dhe një tavoline të madhe pranë stivave të thasëve me bereqet.
Ndihmësi i Myfitit herë pas here i bënte të njohur eprorit të tij emrin e personit në radhë dhe fshatin radhës. Tjetri, jepte urdhër dhe mbante shënim në një defter të madh emrin dhe sasinë e drithit që dilte nga depoja.
– Qirjako Davera! -bëzajti me një ton të lodhur ndihmësi. Njeriu të cilit i thirrën emrin, lëvizi nga vendi si ta kishte sëmbuar diçka e mprehtë në gjoks.
Eprori diçka lexoi në defterin e madh dhe tundi kokën sikur lexoi një kumt jo të mirë:
-Sot…nuk ka për të gjithë! E dimë, të gjithë janë nevojtarë. Po sot, nuk ka për të gjithë! As për ty Qirjako. Na vjen keq….Ndoshta do njoftoheni nje herë tjetër….
Njeriu që dëgjoi emrin në radhë ngriu dhe u murrëtye tok me cigaren që s’e hiqte nga buzët.
-Si kështu?!-mbeti pa fjalë njeriu në radhë.
Po ndjente se një dorë e fshehtë, në mister s’di se ku, po i pështillte në ters punët dhe fatin e tij.
Pas një heshtje që rëndoi si plumb e pllakosi mbi të gjithë ata që ishin në radhë, ndihmësi përsëriti fjalët e sekretari te lokalitetit, shefit të tij, Myfit Dobra:
-Sot…nuk ka për të gjithë! -picëroi sytë ndihmësi-Të gjithë janë nevojtarë. Po sot, nuk ka për të gjithë! As për ty Qirjako. Na vjen keq…
Një mërmërimë e lehtë u dëgjua nga njerëzit në radhë brenda depos me bereqet.
Si për ta prerë mërmërimën e turmës, Myfit Dobra iu drejtua ndihmësit me një ton të fortë:
-Rexhep! Hidhu jashte tani dhe, numëro sa njerëz janë akoma dhe mbaji shënim! Tani!Lëshou!
Tjetri u drejtua nga porta tok me një bllok të madh në dorë.
Myfit Dobra i bëri një shenjë me dorë Qirjako Daverës që të afrohej tek ai.
Tjetri u qas si i trullosur. Diçka i tha me një zë që askush nuk e dëgjoi nga kureshtarët e turmës, por të gjithë e panë sesi kulaku duke thithur cigaren i trishuar , u drejtua për nga porta e jashtme e depos i brengosur, me çapat që i hidhte ngadalë si mbi një tokë të minuar.

***
Era birsk e ftohtë e vjeshtës së tretë i fshiku fytyrën e brazduar Daverës, duke i kujtuar se dimri ishte në prag.
Çfarë më tha Myfit Dobra? Qirjako, eja sonte, në dy pas mesnate! Fiks në dy!Tok me mushkën. Për tre thasë me misër. Allvanika milao, Qirjako!(Shqip po flas, Qirjako!.) Sekretari i lokalitetit i kishte folur në gjuhën amtare të Haskogravës. Sepse, njëherë e një kohë të rinjtë e asaj ane, ia dinin gjuhën amtare njeri-tjetrit.
Atë grimë kohe kur Davera donte të thoshte diçka, Myfit Dobra i bëri me dorë shenjën “mos!”. Ik Qako! Tani, ik o byrazer!.
Ai, që njihej nga shumëkush aty me nofkën kulaku, lëvizi duke hequr këmbët zvarrë si në një ksoll apo mort.
Mori përdore mushkën e lidhur jashtë dhe pas pak, ikona e tij u tret ngadalë atë pasdite drejt lugut të kodrinave të Skaranit. Vuri instiktivisht pëllëmbën e djathtë në qafën e kafshës dhe nisi ta përkëdhelë. Ec, o Çile! Ec, o xhan. Nuk kemi prishur as kishë e as xhami, as teqe e as vakëf, por na kanë ngulur një damkë në lëkurë.
Damkë si ato që u bënin njëherë e një kohë kafshëve në lëkurë me hekur të djegur…. Unë jam kulaku.Ti je mushka e kulakut. Domethënë, nuk jemi si të tjerët, o e shkretë bashkë me zotin tënd që të tërheq për kapistre e, qajmë hallet së toku. Po ç’do u themi atyre në shtëpi, o xhan? Ç’do i themi Rinës, o Çile që na pret te pragu e kërkon miell për magje të mbrujë bukën e radhës? Po motrës sakate që më kupton edhe flet vetëm me sy?
Duhet t’u themi diçka. Të vërtetë a të reme? Nuk e di, o xhan!
Retë e dyshimit ia errësuan edhe më pamjen e shtegut në rrugën e mëhallës së tij. Po sikur, të na shkojë huq dhe të kthehemi si tani duarbosh? Po unë mendoj se nuk janë rralluar fare burrat, o Çile . Po vallë, Myfitit i peshon fjala e dhënë si dikur, të parët e tij?.
Po sikur të bëjnë lojë e prapë të na kthejnë duarbosh? Si do t’i vejë filli? Si do t’i vejë filli, o kuqale, o xhan, si? Po halli? Se tutje, përtej nga sinori shtetëror, nuk ikën dot të kërkosh si njëherë e një kohë, se kufijtë janë mbyllur. Po as këtej, nuk ke ku të mbytesh e ku të gjesh një trastë me bereqet?
Befas, vuri re se pemët e mëdha të valanidheve në hyrje të Haskogravës u shfaqën me tërë kurorat e rënda. E la një çast Çilen të kullosë e lirë dhe vetë, nisi të dridhte mbi një trung të prerë lisi cigaren e fundit që do të mjaftonte ta tymoste për atë copë rrugë deri te shtëpia.
Po vriste mendjen se çfarë do t’i thoshte Rinës që po kthehej duarthatë, kur sytë i mbetën mbi një degë të madhe lisi që ishte tharë e djegur nga rrufeja e shirave të fundit.
Ndjeu sërish nevojën e silloisë dhe shkëmbimit të fjalëve me dikë. O dru i lisit, o vëllai im, tha me zë. Sot, kisha një ditë të vdekur, o vëlla. Një ditë si kjo ana jote e përcëlluar dhe e shkrumbuar nga rrufeja. Ishte një ditë e vdekur, o vëlla dhe krahët e mi po i ndjej si ky krahu jot i tharrë e i nxirë, i çarë e i nxirosur nga rrufeja.
Te oborri i shtëpisë, baloja, qeni i shtëpisë iu ngashërye i pari plot kuisje gëzimi duke iu fërkuar e hedhur sa te këmbët e tij aq edhe te Çilja.
Pas tij, Rina që e ndjeu praninë e të zotit ende pa e parë, u dha te pragu i portës së madhe.
-Si vajti, o burrë! Nuk prure gjë apo mbaroi?
Qirjako i ndjeu sytë e saj që i depërtuan thellë në shpirt dhe i lexuan fytyrën e murrëtyer. Hoqi në shpirt duke thithur fort cigaren e dredhur.
-Ishte radhë e gjatë, mori Rinë.
-Edhe?
-Shkrova emrin dhe, nesër që pa gdhirë duhet të jem bashkë me Çilen përsëri në lokalitet.
-Të kam bërë dy vezë të ziera po hajde e shlodhu,-ia pat Rina që diç jo të mirë e të turbullt kuptoi me atë intuitën e pagabuar të zonjës së shtëpisë.

***
Nga dritaret e vogla të depos së drithit, në Votuca atë mesnatë mezi shquhej drita e një feneri të vogël, varur diku në faqen e murit. Që nga një ledh përbri depos së madhe të lokalitetit, shquhej hija e një njeriu që pinte duhan në gjysmëterr. Hija lëvizi drejt portës së depos dhe ikona e siluetës së tij nën dritëzën e fenerit u shfaq e stërmadhe në faqen e murit.
Ishte pas mesnate. Jashtë era frynte me suferinë duke krijuar melodinë e misterit dhe krokamën e zhurmës së llamarinave të çative aty rrotull.
Njeriu brenda mureve nxori orën me qostek nga xhepi i palltos. Hapi kapakun dhe pa se akrepat e orës kishin shkuar tek dyshi. Hapi portën e depos me kujdes dhe u mundua të shohë në sheshnajën para objektit të zhytur gjithashtu të terr.
Një. kollitje diku fare pranë tij, ishte si një shenjë e frymës së një njeriu. Pastaj dalloi cigaren e tjetrit dhe tha kuturu në errësirë:
-Ke ardhur Qirjako?
-Po or mik. Kam një copë herë që këtu jam bashkë me mushkën.
-Afroje këtu anash dhe hyr brenda e merr ngarkesën!
Tjetri, heshti pak.
-Ma bëre borxh dhe nuk di si do ta lajë, o Myfit Dobra, o njeri i fisëm!.-u dëgjua njeriu që hyri në hapësirën e ngrehinës së mbuluar me llamarina.
Tjetri nuk foli por thithi fort cigaren.
Pas pak, kafsha e ngarkuar ishte gati për udhë.
-Janë kohë të vështira, Qirjako.
Pasoi sërish heshtje..
-T’i kesh mirë kallaballëkun! Këtë të uroj.
Qirjako i zgjati kutinë e duhanit.
Myfit Dobra mori një cigare dhe i zgjati të tijën.
-Udha e mbarë!
Të dy burrat shtrënguan duart fort pa thënë dot asnjë fjalë.
Në atë shtrëngim, të heshtuar dukej se kishte shumë dhimbje dhe forcë burri.
Kafsha e ngarkuar dhe njeriu që e shoqëronte atë natë pragdimri nisën të çapiteshin në errësirën pus të thellë. Në një rrugëtim si drejt askundit.//

–oo0oo–

Veprat e Ismail Kadaresë – jehonë madhështore e gjuhës shqipe dhe vlerave etnokulturore e shpirtërore të kombit shqiptar- Nga Akademik GJOVALIN SHKURTAJ

1. Prelud:

Më 1 korrik, kur mësova se Ismail Kadareja u nda prej nesh, ashtu siç isha në një bar duke pirë kafen e mëngjesit, mora celularin dhe nisa në adresën e akademikëve  një shfrim të pikëllimit të ligjshëm për Njeriun e Madh të letrave shqipe:

“Kjo ditë e parë e muajit korrik erdhi me një kumt aq trishtues: qenka ndarë së gjallësh Ismail Kadareja, poeti, shkrimtari, mendimtari dhe akademiku ynë, pak të thuash më i lavdishmi i ditëve tona.

Natyrisht, pikëllimi e dhimbja janë të mëdha, por duke parafrazuar Migjenin, do të thoshim se është “dhimbje krenare”, është dhimbje për atë që na përfaqësoi e na bëri krenarë në botën e letrave, duke u lexuar veprat e tij në mbarë hapësirat e shqiptarisë, po edhe duke u përkthyer veprat e tij në frëngjisht e në shumë gjuhë të botës.

Nuk është sot rasti të përsërisim vlerësimet meritore për gjuhën e stilin e Tij, për të cilat edhe është shkruar e do të shkruhet prapë, por le ta bashkojmë sot dhimbjen e madhe me bindjen se burra si Isamil Kadareja i vijnë rrallë një kombi të vogël dhe se ai, ashtu si Nënë Tereza, me emrin e lavdinë e tij e bëri të madhe gjuhën shqipe dhe i la emër të madh Shqipërisë, u la krenari të pavdirë Shqipërisë e kombit shqiptar.

I qoftë e lehtë mbi shtat lëndina e Atdheut, për të cilin ai i bëri dhe malet të mendohen dhe sot, pa dyshim, fushat dhe malet e Shqipërisë kanë rastin të lëshojnë jehonë vajtimtare.

Durrës, 1 korrik 2024

2. Për gjuhën dhe prurjet ligjërimore në veprat e Ismail Kadaresë është shkruar jo pak, edhe unë, në rrjedhë të moteve, kam folur e shkruar artikuj e studime mirëfilli për prurjet e kahet e fjalëkrijimit të tij. Po lejohem të përmend disa pika nga trajtimet e mia për gjuhën e Kadaresë, të botuara në librin “Kadareja dhe fjala shqipe” (bashkautor me Tefik Çaushin) dhe te librat e mi: “Pesha e fjalës shqipe” (UFO Press, 2009) etj..

1. Veprat e Kadaresë si jehonë madhështore e gjuhës shqipe dhe e kombit shqiptar.

2. Gjuha shqipe dhe jetësia e saj në vizionin artistik të Ismail Kadaresë.

3. Koncepti i Kadaresë për gjuhën si njësia themelore dalluese e kombit.

4. Prurjet leksikore e togfjalëshat e shqipes së hershme e krahinore me vlerë pohuese dhe fisnikëruese.

5. Fjalë të përdorura me mëtime mirëfilli gjuhëpastruese: – ndajfoljet me -shëm: ankthshëm, frikshëm; emrat me -najë (bornajë, sherrnajë, grunajë)etj.

Disa vlerësime më të veçanta.

Kadareja është i lidhur me shqipen e shqiptarinë si Anteu mitik me tokën. I nisur prej një mjedisi si Gjirokastra, me pak tokë e shumë gurë, ai do të bënte pikërisht “kronikën në gurë” të Atdheut të vet.

Gurët, malet e ushtima e tyre do të ishin qysh në fillim të shkrimtarisë së tij “baza e nisjes”së tij. Ashtu si Naimi, që e niste poemën e vet me vargun “O malet e Shqipërisë…” edhe Ismail Kadareja metaforën më të fuqishme do të kishte malet:”Përse mendohen këto male…”Dhe ai, si një mal i lartë, do të ngrihej mbi të gjithë brezin e vet, duke na lënë  aso veprash që, pa dyshim, Shqipërinë e vogël e bëri të madhe, gjuhën shqipe e vuri krahas gjuhëve më të lexueshme dhe prej saj, opusi letrar i Kadaresë do të botohej, së pari, në frëngjisht në Francë, pastaj edhe në mbi 40 gjuhë e vende të tjera të botës.

Nuk kam qenë mik a shok i Kadaresë. Mund ta kem takuar tri a katër herë, në raste tubimesh letrare dhe, në vitet e fundit, në Akademi, kur iu dha çmimi i karrierës. Pra, kam qenë lexues dhe studiues e vlerësues i veprave  të tij, sidomos i gjuhës  dhe i konceptit të tij për rolin e shqipes si tipari themelor përbashkues e njësues i kombit shqiptar; natyrisht kam qenë e jam edhe adhurues i mjeshtërisë  së tij në njohjen, prurjet dhe përzgjedhjen e fjalëve e figurave, krahasimeve e metaforave aq të mahnitshme e origjinale, si dhe të ndihmesave të tij të pakundshoqe si fjalëkrijues e fjalëfisnikërues krejt  i veçantë.

Kam folur e shkruar për Kadarenë, jo pak në rrjedhë të viteve, artikuj, studime dhe një libër “Kadareja dhe fjala shqipe” (bashkautor me Tefik Çaushin).

Nuk është rasti t’i përsëris ato që kam thënë e shkruar, sepse janë dhe në librat e mi të botuar “Ta duam e ta mbrojmë gjuhën tonë të bukur” dhe “Pesha e fjalës shqipe”. Do të theksoj se, kur ikin nga kjo jetë burra të mëdhenj si Ismail Kadareja, botës së letrave (kritikëve, studiuesve, mësuesve dhe pedagogëve të shkollave të larta e, mbi të gjitha, atyre që drejtojnë shtetin e institucionet arsimore e kulturore, u bie detyra të veprojnë si bujqit mbas korrjeve të begata:

Të shtrojnë pyetjet: Çfarë na la? Çfarë të bëjmë me gjithë atë prodhimtari shkrimore të madhe, të larmishme e të gjithnduershme: poezi, poema, balada, prozë të shkurtër, tregime e novela, ese dhe sprova; prozë të gjatë, romane me teamtikë të rëndësishme nga e shkuara dhe e sotmja e popullit tonë, vepra të ripunuara e të përpajnuara në ribotimet e viteve të fundit etj..

Si bujqit e mirë që, së pari, ndajnë e lënë në ruajtje farën; ndajnë kokrrat më të shëndetshme për t’i mbjellë. Ndajnë drithin e bukës së përditshme dhe, duke e shoshur e hedhur me kujdes, heqin dhe çdo grozhël a kllogjër që duhet lënë mënjanë.

Për mua, si “gruri i farës” dhe si “drithi i bukës” do të mbeten modeli i shkrimtarisë dhe përzgjedhja e temave të shkrimtarisë nga Kadareja. Mbeten me vlerë të pavdirë puna me gjuhën e vlerësimi për shqipen e shqiptarinë, pohimi i vlerave dhe i jetësisë së shqipes si gjuhë pjellore e jo si “gjuhështerpë”, njohja dhe pohimi i hireve të shqipes si gjuhë e një populli që është në anën e diellit e në kundërvënie me hënën.

Le të kujtojmë strofën kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut:

“Si dritë e plotë ai shtjellej

Me re dhe erë  mbi Atdhe,

Një emër Gjergj e kish si diellin,

Tjetrin si hënën, Skënderbe.”

Motivin e kundërvënies, Kadareja e ka zgjeruar më tej e më shquarazi te poezia “Gjuha shqipe”. Aty, osmanët, bartësit e simbolit hënë, kundërshtarët e diellit u hodhën në sulm të tërbuar, por kështjellat shqiptare më të forta nuk i pushtuan kurrë. Këto kështjella janë “kështjellat e sintaksës” shqipe, janë palca e gjymtyrët e gjuhës  që mbeten të pathyeshme.

Mua si gjuhëtar, më ka ngazëllyer qëndrimi i drejtë i Ismail Kadaresë për gjuhën e sotme letrare shqipe. Ai, disa herë, ka gjetur rastin dhe ka shprehur qartë e prerë se gjuha shqipe e njësuar, ashtu si e kemi sot, është vepër me vlera të mëdha kombëtare; ajo është farkuar e njësuar si fryt i një pune më se shekullore të brezave  të tërë të shkrimtarëve dhe mendimtarëve  përparimtarë të kombit shqiptar. Kadareja, ashtu si gjithë krijuesit më të shquar shqiptarë të sotëm, brenda dhe jashtë trojeve të Republikës së Shqipërisë, i mëshon pikërisht përgjegjësisë  gjuhësore të shkrimtarit.

Për të gjitha këto, jam i bindur se Kadareja ynë i ka merituar të gjitha epitetet dhe atributet  e një mjeshtri të madh të fjalës shqipe. Jehona e veprave letrare të Ismail Kadaresë është, në të vërtetë, jehonë madhështore e gjuhës  sonë të ëmbël e të pavdekshme.

Ismaili u nda sot prej nesh, por vepra e tij na mbetet  përjetë si pasuri e pavdirë e trashëgimi kombëtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Durrës, 3 korrik 2024


Send this to a friend