Trarët e teatrit të shembur sot, më kujtuan disa trarë të tjerë e kuptime të tjera.
Meqenëse kam jetuar dhe punuar gjatë në Romë, përveç të tjerave kujtoj atë që quhet “Palazzo Scanderbeg”, është shtëpia autentike e Gjergj Kastrioti – Skenderbeut, ka dhe një afresk mbi portë me portretin e Skenderbeut dhe mbishkrime, jo vetëm sugjestionuese për ne, por dhe me vlera për historinë.
Kur vinte Skenderbeu në Romë, në Selinë e Shenjtë, për punët shtetërore në mbrojtje të Atdheut dhe Europës Perëndimore, rrinte te kjo shtëpi, është vërtet e tij, nderkohë pasuri e trashëgimisë kulturore italiane, e mbrojtur me ligj, që dhe nëse ndërron pronar apo dhe funksion, duhet të mbetet siç është, strukturë e kujtesës, si para 5 shekujve, kështu e përgjithmonë, sa të jetë Roma.
Kam bërë propozime e kërkesa që kjo ngrehinë hijerëndë, tashmë hotel, të blihej nga shteti shqiptar apo të shkëmbehej, ku mund të vendoseshin ambasadat tona në Itali, e Shqipërisë dhe e Kosovës, edhe ajo në Vatikan, madje dhe një Qender Kulturore Shqiptare, nga që është pallat i madh, ngjitur me Quirinale-t…
Sa herë më vinin miq, i sillja tek kjo shtëpi. Nuk po zgjatem me rrëfime, por nuk harroj trarët e saj, që kur më thanë se janë po ata të para 550 vjetëve, shtanga. Janë po ata trarë qē rrinim mbi kryet e Skënderbeut, kur shkruante mbi skrivani, ato ka parë me syte e tij, kur i ngrinte lart, s’dihej ç’donte t’i thoshte Qiellit.
Pata një xixëllimë të beftë si ndeshje sysh. Një vend tjetër, që ka vetëm ai 60 % deri 70 % të të gjithë thesarit të kulturês botërore dhe ruan trarët e Skënderbeut? Të atij që bëri çatinë e Kombit tonë? Ç’mrekulli!
…
Dhe sa dhimbje sot, që në mes të kryeqyteti tonë, pa zbardhur mirë, rrëzuan disa trarë kêsisoj, gati një-shekullorë, të një çatie të artit dhe të kujtesës së përbashkët…
Pashë Qiellin dhe unë. Fali, o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë apo e dinë?
Komentet