“Një vend që nuk njeh të djeshmen e tij nuk mund të ketë një të nesërme.”
INDRO MONTANELLI
“ Pas fjalëvet që tha Z. Kryetar Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ vênduan që Shqipëria me sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme.”
Kjo frazë e thjeshtë, e shkruar në një fletë letre të bardhë nga Luigj Gurakuqi, e pasuar nga përkthimi turqisht e firmat e 37 përfaqësuesve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, më 28 nëndor 1912, shënonte aktin e lindjes së të parit shtet të bashkuar shqiptar në historinë e gjatë të këtij populli. Ishte një lindje e vështirë, në një kohë të turbullt, kur perandoria që na kishte mbajtur më shumë se 400 vjet në trupin e saj trekontinentesh ishte në grahmat e fundit, në një fillim shekulli të trazuar që do të shënonte në almanakun e tij tragjeditë më të mëdha e diktaturat më mizore.
Ata idealistë që, me shumë mund, e mbajtën në shpërgënj fëmijën shtet, t’ëndërruar prej trimijë vitesh si Mesinë, lutën Zotin që ai të rritej i shëndoshë e të ruante të gjitha gjymtyrët e trupit të tij. Por ajo lutje mbeti vetëm një dëshirë, një ëndërr e, si pasojë e dhunës që historia ushtroi mbi të, u kthye në një ideal, për të cilin punuan dy breza shqiptarësh. Ideali qe Shqipëria e bashkuar në kufijtë e saj etnikë. Qe një ideal paqësor, i natyrshëm, i çiltër e i dlirë në vetvete, por i paracaktuar të mbetej vetëm një vegim, mbasi sendërtimi i tij në vitet 1941 – 44 kaloi si një meteor, pa lënë gjurmë, jo vetëm për kohën e shkurtër por edhe për rrethanat në të cilat ndriçoi.
Arsyet e dështimit t’idealit janë të njohura, por të pamjaftueshme për të zbehur joshjen e tij në vetëdijen e kombit. Grushti vdekjeprurës që mori nuk ishte vetëm ai i vendimeve famëkeqe të konferencave të ndryshme ndërkombëtare, që nga Londra (1913) deri tek Jalta (1945), i luftrave botërore e pasojave të tyre, por edhe i një ideologjie të bazuar në “internacionalizmin proletar”, të përqafuar verbërisht nga fituesit e nëndorit 1944. Për 47 vite me rradhë Shqipëria zyrtare bashkëjetoi me idenë e përjetësisë së ndarjes së trojeve të saj, duke mallkuar, përbaltur e dënuar të gjithë ata shqiptarë që mbanin të ndezur në zemrat flakën e idealit të kombit të bashkuar. Me këtë frymë u rritën e u edukuan dy breza shqiptarësh, për të cilët kosovarët ishin miq kurse jugosllavët, rusët apo kinezët ishin “vëllezër” e shkuar vëllezërve të idealit…
Pasojat qenë rrënuese në arkitekturën shpirtërore të një populli që, falë një proçesi historik të pashmangshëm evropian, siç qe shëmbja e komunizmit, në teori duhej të kishte fituar lirinë e të kishte rifituar vlerat e përdhosura, të humbura e të groposura nga një regjim kundër kombëtar. Fatkeqësisht ndryshimi i sistemit ndikoi pak në drejtim të ringjalljes së vlerave qenësore të kombit, të rishikimit në kah vetëqortues të historisë së tij, të rivlerësimit në vështrim objektiv të kësaj të fundit. Kjo ndodhi mbasi mendësia dhe njerëzit që mbarështuan pas komunizmin ishin pjella shpirtërore dhe intelektuale të regjimit e ideve të tij, të paaftë të shkëputeshin realisht nga nënëvetëdija e trashëguar dhe formimi konceptual i fituar.
Qindvjetori i Pavarësisë e gjen kombin shqiptar të ndarë në pakica kombëtare, të njohura zyrtarisht në Maqedoni, Sërbi e Mal të Zi, posë dy shteteve të pavarura, Shqipërisë e Kosovës e qindra mijra qytetarëve të tyre, të shpërndarë në gjithë globin. E gjen më mirë se sa shumë përvjetorë të tjerë, mbasi mund të gëzojmë Kosovën e pavarur nga Serbët, por të kushtëzuar aq shumë nga liria e fituar, sa që të mos mundet as t’a festojë atë përvjetor…
Sigurisht ëndrra e firmatarëve të Vlorës, në krye të një shekulli, është bërë copë e thërrime. Kjo jo vetëm se Shqipëria që, në përfytyresën e tyre, duhet t’ishte Zvicra e Ballkanit, mbeti ende vëndi më i varfër i Evropës, por edhe se shqiptarët, në nivele të ndryshme të drejtimit të shteteve e bashkësive të tyre, kanë lënë peng n’altarin e Evropës gjithshka që përbënte idealin kombëtar dhe dëshirën për të jetuar së bashku në trojet e të parëve.
“Bjerrja morale, ndërthurur me mungesën e vullnetit për të qenë bashkë, do të merrte përmasa të frikshme kur prekte klasën politike, atë që do të duhej të ishte rojë e parë, së paku për çështjen numër një të kombit. Edhe këtu do të shtrohej pyetja nëse klasa politike, për shkak të dobësisë së saj, arrinte të sëmurej prej pezmatimit moral, apo ishte ajo vetë që e nxiste atë.”
Solla këtu një fragment të shkurtër nga sprova letrare e fundit e më të madhit nga shkrimtarët shqiptarë n’aktivitet, vëllimi “Mosmarrëveshja” i Ismail Kadaresë. Duke mos vënë në diskutim vlerat e përgjithshme të studimit, mendoj se kapitulli i fundit që titullohet “Epilog me Zotin”, është një kryevepër thellësie zbërthyese e stili në paraqitjen e një dukurie sa trishtuese aq dhe të hidhur për shoqërinë shqiptare, siç është ajo e braktisjes zyrtarisht e, jo vetëm, e asaj ideje të kombit të bashkuar, së cilës paraardhësit tanë i kushtuan gjithshka, mëndjen e zemrën, fuqitë, energjitë e vrullet shpirtërore, pasuritë, familjet e shpesh edhe jetën e tyre.
Sot përfaqësuesi zyrtar i Shqipërisë “demokratike”, zv.kryeministri Haxhinasto, shkon në Prishtinë, n’atë trevë historike ku u shkrua saga e pavdekshme e Lidhjes së Prizrenit e ku zu fill kryengritja e madhe e vitit 1912, për të deklaruar botërisht se “ Tirana nuk mbështet idetë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë”!!! “ O tempora, o mores!” shpreheshin romakët e lashtë. Nuk mund të kishte shuplakë më të fortë se sa kjo për kujtimin e atyre dhjetra mijra vullnetarëve të Lidhjes e të Malësive të Veriut që, me forcën e armëve e të idealeve atdhetare, bënë të ndërroheshin tri herë vendimet e të mëdhejve të Berlinit, deri sa flota ndërkombëtare të garantonte zbatimin e tyre, nëpërmjet gjymtimit të parë të madh që pësonte Shqipëria etnike.
Ministri nuk shqetësohet për këtë shuplakë, madje krenohet me të, sepse është në vazhdën e atyre që, për dhjetra mijrat e kosovarëve të masakruar nga serbët, në një gjysëm shekulli të socializmit, dhanë ndihmesën e tyre të çmuar, duke shkelur mbi të gjitha parimet fisnike që bartëte në vetvete geni i shqiptarëve. Por a është vetiak mendimi i ministrit, apo shpreh një vijë, një koncept zotërues të qeverisë së tij e, më gjërë, të politikës shqiptare në shtetin amë, që gjen jehonë në segmentet e shumicës qeverisëse edhe në Kosovë? Duke mos parë asnjë kundërveprim zyrtar të opozitës në Shqipëri e të pozitës në Kosovë mendoj se, fatkeqësisht është kështu. Në atë rast është e kotë të merremi me personin zyrtar dhe qeveritarët t’i falim se NUK DIJNË SE Ç’BËJNË !
Problemi është më i gjërë e më i thellë e duhet trajtuar në dy vështrime. I pari është ndjenja e përgjithshme kombëtare, qëndrueshmëria, prirja e shqiptarëve për t’a ruajtur si vlerë e për t’a patur si synim, apo braktisja e saj në dobi të një iluzioni e vizioni më të hapur : të të qënit qytetarё të Evropës së bashkuar. I dyti është projeksioni i kësaj prirjeje në klasën politike që, në teori, duhet të jetë filtri i sintezës së saj e i kthimit në një vizion politik të qartë e pa mëdyshje .
Vështrimi i parë kërkon një analizë të plotë, për të cilën do të na kishin ndihmuar shumë sondazhet e opinionit në të gjitha trevat shqipfolëse, por kryesisht në Shqipëri e Kosovë. Shqiptarët e sotëm nuk janë ata të njëqind apo gjashtëdhjetë viteve më parë, kur koncepti i atdheut dhe përkatësisë së tij ishte më i ndjerë e më i fuiqishëm. Por mendoj se edhe sot ajo ndjenjë e afërsisë së gjakut, e njëjtësisë së gjuhës, e bashkësisë së traditës e interesave, ideja se një komb i bashkuar ka më shumë mundësi të shkojë përpara në krahasim me entitetet e veçanta e të vogla, do të ishin bindëse e përcaktuese në kushtet e një shprehjeje të lirë të vullnetit të shqiptarëve. Por sot as që guxohet të merret në shqyrtim një mundësi e tillë, sepse në përfytyresën e përgjithshme të politikës evropiane ajo klasifikohet si një blasfemi, si diçka që nuk duhet çuar nëpër mënd, mbasi do të shpinte në “destabilizimin” e Ballkanit e më gjërë. Konkretisht kemi të bëjmë me një vështrim të ngurtësuar të problemit, që ka hedhur rrënjë në plogështinë mendore të diplomacisë evropiane, që është kthyer në një farë tabuje, së cilës i bëjnë jehonë jo vetëm burokratët e kancelerive të ndryshme të Brukselit, Strasburgut apo Pallatit të qelqtë, por edhe mas-mediat e një pjesë e mirë e opinionit publik.
E keqja e madhe është se një “tabu” e këtillë është përvehtësuar edhe nga politika shqiptare në të majtë e në të djathtë të Drinit, me përjashtime të rralla siç është Vetvendosja në Kosovë. Arsyet janë të ndryshme por, mbi të gjitha është ndjenja e ligjshme e mirënjohjes ndaj faktorëve ndërkombëtarë, që bënë të mundur pavarësinë e Kosovës, fitores më të madhe të kombit shqiptar, mbas shpalljes së Pavarësisë. Në këtë motiv nuk mund të ketë vërejtje, por krahas tij ka dhe arsye të tjera që përcaktojnë një nënështrim të plotë të mendimit politik shqiptar ndaj real-politikës evropiane apo amerikane. Shkaqet mendoj se duhet t’i kërkojmë jo vetëm në vartësinë objektive ndaj qendrave vendim marrëse të politikës botërore, po edhe në nivelin e ulët profesional e madje edhe të profilit karakterial të klasës së improvizuar politike të Shqipërisë e, pjesërisht, edhe të Kosovës.
Këta zotërinj që sot kanë nderin dhe detyrën të përfaqësojnë kombin shqiptar, duhet të kenë kurajon qytetare e politike të nxjerrin nga naftalina shumë dhjetëvjeçare aspiratën mijëvjeçare të popullit të tyre. Të bisedohet mbi një bashkim të mundshëm mes Shqipërisë e Kosovës, nëse qytetarët e të dy Vëndeve e dëshirojnë një gjë të tillë, nuk është një “sakrilegj”, as një sfidë që u bëhet fqinjëve, Evropës, apo paqes në Ballkan e më gjërë. Evropa, e kuptuar jo thjesht si emri i kontinentit, por si model i zhvillimit ekonomik e shoqëror, si djep qytetërimi, prej të cilit rrjedhin vlera morale, intelektuale e politike, të cilat ne vetë i kemi huajtur për t’i shartuar në bazën e mendësisë sonë, duke i konsideruar të qenësishme për ecjen tonë përpara, mbetet gjithmonë synimi kryesor i shoqërisë sonë. Futja zyrtare në organizmat politike e organizative të saj nuk është vetëm objekt i politikës e cila, në vënd të rrjeshtimit të pafund të vetëlavdërimeve të pamerituara, duhet të spjegojë përse rruga jonë drejt Evropës është gjithmonë në të përpjetë, pse i ngjasojmë një anijeje pa busull në det të hapur e pse i arrijmë gjithmonë të fundit objektivat e mëdha. Në këtë drejtim ka shumë të thotë, sepse është ajo kryekëput përgjegjëse për zvarritjen e pafalshme të proçesit të integrimit evropian.
“Teoria” e ministrit Haxhinasto dhe gjithë politikës zyrtare shqipfolëse se “ Teza për bashkime, për shkëmbime territoresh, janë teza të dëmshme që nuk shërbejnë aspak, e aq më pak u shërbejnë shqiptarëve…”është vetëm një refleks i kushtëzuar i diplomacisë evropiane, e cila nuk ka anjë dëshirë të përballojë problemet që ajo vetë i ka krijuar në shekullin që shkoi e kujtohet për to vetëm nëse gjindet para malit të kufomave. Bën një përshtypje të keqe kur ajo bëhet vija drejtuese e shtetit shqiptar e, sinqerisht, nuk arrij të kuptoj se si mund të motivohet publikisht “dëmi” imagjinar që paralajmërohet, pasojë e një mosarsyeje që nuk bind asnjë fëmijë filloreje. Ajo diplomaci e, së bashku me të, dhe “politikanët pa atdhe” të markës shqiptare, siç i përkufizon bukur Kadareja, do të bënin mirë të kthenin vështrimin jo më shumë se njëzet vite mbrapa, duke bërë një krahasim të thjeshtë mes Evropës s’atëhershme e kësaj të sotmes.
Pa hyrë në hollësitë e kthesave epokale të bashkimit t’Evropës së Lindjes me simotrën e saj të Perëndimit, dua të kujtoj ndryshimet e kufijve e të territoreve të kryera, që nuk kanë shkaktuar as kataklizma, as cuname në jetën e Evropës, siç profetizonte shumkush në fillimin e viteve 90-të. Bashkimi i Gjermanisë qe një proçes politik që vulosi fundin e një epoke historike, një ngjarje përmasash të jashtzakonshme në drejtpeshimet e Evropës. Megjithëse u kundërshtua nga mjaft prej drejtuesve të Perëndimit u krye pa trauma, sepse populli gjerman e deshi e sepse pati në krye të qeverisë federale një burrë shteti të vërtetë që diti të bindë të lëkundurit brënda e jashtë kufijve se e ardhmja e atij populli duhet t’ishte e përbashkët dhe e njëjtë për të gjithë qytetarët, se Gjermania e bashkuar nuk ishte një “rrezik” por një faktor force e paqeje për gjithë kontinentin, se kombi gjerman ishte një e meritonte t’ishte i bashkuar, pavarësisht nga çmimi që duhej paguar.
Ndryshe menduan ish përbërësit e Çekosllovakisë, që kërkuan të jenë secili në vete, duke u ndarë paqësisht mbas një referendumi, duke krijuar dy shtete të veçanta. Federata serbo – kroato- sllovene, krijesa më “largpamëse” e Konferencës së Versajës në sintoni me interesat e Francës dhe Anglisë, sapo ra sistemi komunist u bë copë e thërrime, duke lënë pas vetes gjashtë shtete të reja në hartën e Evropës. Kosova, në sajë të qëndresës së popullit të saj, të udhëhequr me largpamësi nga Kryetari Rugova, duke patur si katalizator luftën e armatosur të UÇK-së, si pasojë e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, që nuk mundi të qëndronte më gjatë vëzhguese e thjeshtë e krimit shtetëror të serbëve e të Milosheviçit, fitoi pavarësinë.
Pamja e re e Evropës së sotme që theu monotoninë politike të një gjysëm shekulli, duke hedhur në koshin e plehrave statu-quon e mbas luftës së dytë botërore, qe një fitore e arsyes, e së drejtës, e vullneteve të popujve. Si e tillë qe një hop i madh cilësor në ristrukturimin e një kontinenti që, megjithë vështirësitë, mbetet gjithmonë një pikë riferimi për mbarë njerëzimin. Në këtë kuadër problemi i shqiptarëve mbetet ende një ekuacion i shtruar për zgjidhje. Alibija e zgjidhjes së tij në kuadrin e Evropës së bashkuar është një gjethe fiku që mbulon paaftësinë e drejtuesve politikë për të gjetur kurajën dhe argumentat e duhura në mbrojtje të shtetit të bashkuar. Duke pritur kohët biblike të hyrjes n’Evropë, për shumë arsye, përfshirë këtu dhe mangësitë e theksuara të klasës politike, ne duhet të punojmë me të gjitha forcat tona, me mënçuri, realizëm e largpamësi, për të qënë një komb i bashkuar e për të hyrë n’Evropën e dëshëruar si i tillë e jo si pakica të shpërndara si zogjtë e korbit, duke arritur edhe një tjetër rekord absurditeti, si i vetmi popull i Bashkimit me dy shtete.
Duket një mirazh i paarritshëm një opsion i tillë, ashtu siç ishte dhe pavarësija e Kosovës në fillimin e viteve 90-të. Shkruesi i këtyre rradhëve, nëpërmjet letrash gazetave të ndryshme italiane n’ato vite, ka pohuar me forcë drejtësinë e ligjëshmërinë e pavarësisë së Kosovës, herë herë edhe duke polemizuar me kundërshtarët e saj. Sot bashkimin e Shqipërisë me Kosovën nuk e quan një tabu të paprekëshme, por një objektiv të sendërtueshëm në kohët e përshtatëshme, sepse është një projekt në përputhje me një parim universal e të patjetërsueshëm, siç është ai i vetvendosjes së popujve, sepse do të jetë një faktor paqeje e qëndrueshmërie politike në Ballkan.
Projekti mund të hasë në vështirësi, ndoshta më shumë nga ne se nga të tjerët, por mendoj se duhet të nisë rrugën e tij. Nëse politika shqiptare, në miopinë e saj, e sheh të pamundur, madje “të dëmshme” një nismë të tillë, opinioni publik duhet të jetë veprues në pohimin, mbrojtjen dhe argumentimin e saj. Politika është e kushtëzuar nga interesa, konjunktura, vendime, vartësi objektive e subjektive, mungesë personalitetesh të forta e projektesh largpamëse, por opinioni publik, që nuk njeh të tilla dukuri, e ka për detyrë të thotë fjalën e tij me forcë e të rrahë mendimet për çështjet që kanë të bëjnë me problemet madhore të kombit, me të sotmen e t’ardhmen e tij. Një opinion publik, që i beson verbërisht këtë mision aparatçikëve t’administratës së tij shtetërore, pa bërë të ndihet zëri i tij, nuk është në lartësinë e detyrës. Uroj e shpresoj që kjo të mos jetë e vërtetë për shqiptarët në të dy anët e kufijve.
Mars 2011
Marrё nga libri “Demokratura shqiptare nw vwshtrimin e njё tё mёrguari”
Komentet