Nga dyert e Prokurorisë së Përgjithshme, deputeti Tom Doshi tha se hetimet në themel për çështjen e tij sapo kanë nisur dhe se lojës së bërë deri më tani i ka ardhur fundi. Ligjvënësi mbërriti dje në organin qendror të akuzës, ku mori të gjitha materialet e fashikullit hetimor, ku siç thekson ai, ka mjaft prova në favor të tij dhe dëshmi kontradiktore të dhëna nga persona të përfshirë në këtë histori. Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme është në prag të përfundimit të hetimeve për çështjen “Doshi”, deputeti theksoi se do të bëjë publike dëshmitë e Spartak Brahos dhe Saimir Tahirit dhe do t’u dëshmojë shqiptarëve poshtërsinë që ata kanë bërë në këtë proces.
“Poshtërsinë më të madhe në këtë proces e kanë bërë Saimir Tahiri, Spartak Braho, Ilir Meta dhe i gjithë grupi. Shqiptarët do ta shohin përditë, pasi unë do t’i bëj publike të gjitha mashtrimet që kanë bërë, që nga ministri i Brendshëm, që ndryshe deklaron në konferencë për shtyp dhe ndryshe në prokurori, e Spartak Braho, që deklaron që ‘nuk e njoh Fation Skënderin’, ndërsa unë kam të gjitha provat, siç janë mesazhet dhe telefonatat që ka bërë me Skënderin para dhe pas dëshmisë së dhënë në prokurori”, – theksoi Doshi. Duke u ndalur te Spartak Braho, të cilin e cilëson si një prej njerëzve më të afërt të Ilir Metës, deputeti Doshi këmbëngul se ai ka kryer disa vepra penale, që nga “kallëzimi i rremë” e deri te “shpërdorimi i detyrës”. Doshi tha se tashmë ka në duar pamjet e aeroportit të Hanoverit në Gjermani, përmes të cilave dëshmohet se “Spartak Braho është prit në Gjermani, ka fol me të vëllanë e Fation Skënderit, me vetë Fationin si dhe Imer Lalën”; këta dy të fundit i akuzon si ndërmjetës të krimit. Doshi këmbëngul se, për këto arsye, pasi të studiojë materialet e fashikullit, do të bëjë kallëzim ndaj Brahos dhe prokuroria është e detyruar të hapë çështje penale ndaj tij dhe ta marrë të pandehur.
Deputeti mori si provë edhe videon e ballafaqimit mes tij dhe Durim Bamit në Prokurorinë për Krime të Rënda, ku sipas tij, lehtësisht vërtetohen pretendimet e tij, se Bami e ndryshoi dëshminë nën presion.
“Mbi Durim Bamin është bërë presion. Informacionet janë që vetë Spartaku ka shkuar te dhomat e izolimit”, – theksoi deputeti, i cili ka cilësinë e të pandehurit për akuzën e “kallëzimit të rremë”.
Për fushatën
Sa i përket rikthimit në jetën politike ku doli në mbështetje të hapur të kandidatit të PS-së për Bashkinë e Vaut të Dejës, Doshi tha se e mbështet fuqimisht këtë kandidaturë, pasi është i vetmi që është propozuar nga baza e socialistëve. “Është i vetmi kandidat që është propozuar nga strukturat e Partisë socialiste. Kam shkuar me kërkesën e të rinjve të zonës së Vaut të Dejës me kërkesën e vetë kandidatit. Kandidatja që është në Shkodër, Keti Bazhdari është propozuar nga LSI-ja. Unë mbështes Partinë Socialiste, jo LSI-në dhe kandidatët e LSI-së. Sot Voltanës i uroj fitoren”, – tha Doshi. Në fund, ligjvënësi tha se nuk ndihet aspak keq që është përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, pasi atë e mbështet populli. “Ndihem keq të më përjashtojë populli, votuesit e mi, jo ata deputetë që janë ushtarë që pas dy vitesh dalin në rrugë”, – u shpreh ai. Beteja e Tom Doshit me drejtësinë pritet të vazhdojë tashmë në Gjykatën e Lartë, ndonëse hetimet për të dhe deputetin Mark Frroku e Durim Bamin ende vijojnë. GSH
TOM DOSHI – Kam SMS-të Braho-Skënderi


Komentet