VOAL

VOAL

Tiranë: 7 organizata i kërkojnë qeverisë të tërheqë 2 projektligjet mbi mediat online si jodemokratike

January 18, 2019

Komentet

Rreth një muaj protestë kundër qeverisë, aktivisti Murataj: Kërkesa kryesore është dorëheqja e Ramës! Realizimi i saj do krijonte efekt domino dhe për Berishën

Aktivisti Erion Murataj ka komentuar vijimësinë e protestave qytetare që prej 28 ditësh po zhvillohen në Tiranë, duke u ndalur te kërkesa kryesore e protestuesve, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

I ftuar në emisionin “News24 Fundjavë”, Murataj tha se realizimi i kësaj kërkese do të sillte një ndryshim të rëndësishëm politik dhe do të kishte efekt edhe në Partinë Demokratike dhe Sali Berishën.

“Kërkesa e kërkesave është dorëheqja e Ramës. Kjo do të krijonte një efekt domino dhe për Berishën. Kjo do t’u jepte mesazh edhe shqiptarëve që do të ishte i prekshëm realiteti politik, kthimi te vullneti i qytetarëve”, u shpreh ai.

Sipas Muratajt, brenda protestës ekzistojnë disa kërkesa dhe zëra të ndryshëm, por realizimi i një prej tyre do të konsiderohej si një arritje.

Ai komentoi edhe reagimet ndaj protestës, duke thënë se pavarësisht luhatjeve në pjesëmarrje, ajo nuk është dobësuar në mënyrë drastike.

“Propaganda dhe reaksioni që ka krijuar jo vetëm te pushteti, por dhe te opozita, që e kanë sulmuar protestën, kanë harruar një detaj, pavarësisht numrave në shesh, nuk kanë rënë në mënyrë eksponenciale. Ka luhatje patjetër, ishte edhe dita me shi para dy ditësh. Është normale kjo”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se “këta individë që janë zëra kundër, iu përgjigjem se lëpirja nuk është pjesë e kulturës. Më mirë të jem arrogant se sa të lëpihen”.

Analisti Murataj: Kërkesa e kërkesave, është dorëheqja e Ramës. Kjo do të krijonte një efekt domino dhe për Berishën. Kjo do u jepte mesazh dhe shqiptarëve që do të ishte i prekshëm realitet politik, kthimi te vullneti i qytetarëve. Brenda protestës ka disa vokacione.

Realizimi i një kërkese do të quhej si fitore e vogël. Por duhet të kujtojmë se kockat e vogla kanë shuar protestat e tjera më parë. Do të shuhej nga kockat e vogla. Propaganda dhe reaksioni që ka krijuar jo vetëm te pushteti, por dhe te opozita, që e kanë sulmuar protestën, kanë harruar një detaj, që pavarësisht numrave në shesh, nuk kanë rënë në mënyrë eksponenciale.

Ka luhatje patjetër, që ishte dita me shi para dy ditësh. Është normale kjo. Mendoj se numrat janë aty, fryma është mbarëkombëtare. Për këta individë, që janë zëra kundër, iu përgjigjem se lëpirja nuk është pjesë e kulturës. Më mirë të jem arrogant se sa të lëpihen.

Kreu i SPAK Klodian Braho: Në emrin e Gent Prognit nuk rezulton të jetë jetë regjistruar ndonjë procedim penal

Ka reaguar në rrjet Gent Progni, njëri nga organizatorët e protestës të Revolucionit Flamingo, ndaj sulmeve shpifëse sikur “ai është nga SPAK nën hetim”.

Gent Progni ka sjellë dokumentin e firmosur nga kreu i SPAK, ku thuhet se nuk është nën hetim.

Voal.ch po sjell edhe reagimin e Gent Prognit, edhe dokumentin nga SPAK firmosur nga Klodian Spaho si më poshtë:

Gent Progni:

“Duke pare nje sulm te pa logjikshem ndaj meje sikur jam ne hetim nga SPAK, them te palogjikshem se s’kam qene ndonjehere as drejtues institucioni dhe as i perfshire ne ndonje tender, dergova nje kerkese per informacion dhe sot mora pergjigje. I kerkoj çdo media/portali , qe me apo padashje ka publikuar nje lajm te tille, ta pergenjeshtroje dhe te kerkoje falje ose do perballet me padi nga ana ime.”

Në dokumentin e nënshkruar nga kreu i SPAK lexohet si më poshtë:

“Në përgjigje të shkresës suaj, të protokolluar më datë 22.06.2026, pas verifikimeve të kryera në regjistrin e njoftimit të të veprave penale të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar, nuk rezulton që në emër të shtetasit të mëposhtëm ndonjë procedim penal.

Gentian Progni, i biri i Nikes….

Drejtuesi i Prokurorisë

Klodian Braho”

 

Voal.ch e boton këtë dokument për efekte mirëinformimi të opinionit publik.

Protesta- “Bashkohen të gjithë dhe secili sjell potencialin e tij”, aktivistja Çepani: Kërkohet dorëheqja e Ramës dhe qeveri teknike!

Teksa sot do të mbahet protesta e 28, aktivistja e shoqërisë civile Edlira Çepani pohoi se tashmë ka nisur një lëvizje qytetare, ku kërkohet dorëheqja e Ramës dhe një qeveri teknike. Ajo tha për emisionin ‘News24 Fundjavë’ se ka rëndësi fakti që po thyhen barrierat.

 

Mes të tjerash Çepani tha se nuk është zgjidhje bullizmi politik, duke iu adresuar dhe reagimeve të kryeministrit Edi Rama për protestën.

“Askush nuk delegon asgjë, pasi nuk ka lidershipin. Kur një sistem funksion më mënyrë horizontale, dhe secili merr përsipër që të japë atje ku mundet, kjo është arritje e madhe. Kjo sjell bashkim, pasi secili sjell atë pjesë ku është i aftë. Është formë organizmi, ku bukuria e të cilës vjen me këmbëngulje nga vetë protestuesit. Organizmi nga poshtë, është ndër më të fuqishmit. Ka nisur të lëvizë dhe ndodh kjo lëvizje, siç është grupimi që përfaqëson protestën. Protesta është politike. Aktivizimi dhe protesta është politik. Nuk jam nga ata njerëzit që nga ky grupim të dalë një grupim politik. Të gjithë duhet ta kenë lirinë që të krijojnë një grupim të tillë. Protestat kanë detyrat e veta për të reaguar mbi situatat. Nëse arrihet që ato që kërkon protesta, të ndodhin, ideja është se në një sistem me një kod të barabartë zgjedhor, aty i jepet mundësia që cilido që të krijojë një forcë të re, apo të garojë si qytetar i pavarur, kjo është gara e vërtetë.

Duhet që përfaqësimi të jetë i mirëfilltë përmes garës së barabartë. Nuk është problemi se kush do të marrë lidershipin, por që sistemi të largojë barrierat. Qytetarët të jenë pjesë e zgjidhjes. Ne kemi profesionistë të mirë në Shqipëri. Ata fatkeqësisht nuk janë dëgjuar. Qeveria teknike që kërkohet, bën dhe propozimet për ndryshimin e kodit zgjedhor. Pastaj ky kod zgjedhor i jep mundësi partive të reja, apo të vjetra. Aty garantohet dhe përfaqësimi i duhur. Bullizmi politik nuk është zgjidhje për problematikat. Nuk zgjidhen gjërat duke u tallur apo kërcënuar. Institucionet paguhen me taksat e qytetarëve. Mendoj se ka vend për t’u përmirësuar në pjesën e kthimit të përgjigjeve për këto protesta. Hajde ti diskutojmë këto kërkesa që vinë nga protesta, çështje që duhet të trajtohen në Kuvend.”, tha ajo.

Protestat masive kundër qeverisë, grupi koordinator letër ambasadorëve të vendeve perëndimore: Ja pesë kërkesat tona të panegociueshme drejtuar qeverisë Rama

Lëvizja qytetare që prej 27 ditësh organizon protesta të përditshme kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ka ndërmarrë një hap të ri, duke e ndërkombëtarizuar aksionin e saj.

Grupi Koordinator i Protestës i është drejtuar me një letër zyrtare ambasadorëve dhe shefave të misioneve të vendeve të akredituar në Shqipëri, ku i informon mbi kërkesat e protestës dhe situatën politike në vend.

Në letër, koordinatorët shprehen se përfaqësojnë një lëvizje të gjerë qytetare dhe paqësore, e cila prej 27 ditësh ka mobilizuar qytetarë në mbrojtje të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe dinjitetit njerëzor.

“Shqipëria ndodhet në një moment përcaktues të zhvillimit të saj demokratik. Qytetarët e mbledhur në mënyrë paqësore në sheshet publike në mbarë vendin po ushtrojnë të drejtën e tyre themelore për t’u shprehur qytetarisht, të udhëhequr nga një angazhim i thellë ndaj shtetit të së drejtës, qeverisjes demokratike dhe dinjitetit njerëzor.”, thuhet në letër.

Grupi Koordinator paraqet pesë kërkesa që, sipas tij, përfaqësojnë vullnetin e protestuesve, duke nisur nga dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor,  ndryshime kushtetuese të miratuara me referendum popullor, që përfshijnë reformimin e Kodit Zgjedhor, ligjit për financimin e partive politike dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë jetës politike.

Po ashtu ata kërkojë edhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

Pika e pestë është hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, përmes konsultimeve me intelektualë, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile jopartiake.

Në përfundim të letrës, Grupi Koordinator u bën thirrje ambasadorëve të marrin në konsideratë seriozitetin e protestës dhe të mbështesin një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse të situatës politike në Shqipëri.

“Mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo komunikim të mëtejshëm dhe besojmë në angazhimin tuaj të vazhdueshëm për demokracinë dhe dinjitetin njerëzor në Shqipëri, si pjesë e vlerave tona të përbashkëta evropiane”, përfundon letra.

LETRA E PLOTË

26 qershor 2026

Drejtuar Shkëlqesive të Tyre,
Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve të vendeve perëndimore të akredituara në Republikën e Shqipërisë

Lënda: Njoftim mbi kërkesat e protestuesve

Shkëlqesi,

Në emër të Grupit Koordinator të Protestës, që përfaqëson një lëvizje të gjerë dhe paqësore qytetare, e cila ka mobilizuar qytetarët shqiptarë për njëzet e shtatë ditë radhazi, kemi nderin t’ju drejtohemi në frymën e transparencës, përgjegjësisë demokratike dhe respektit për vlerat që bashkojnë vendin tonë me komunitetin euroatlantik.

Shqipëria ndodhet në një moment përcaktues të zhvillimit të saj demokratik. Qytetarët e mbledhur në mënyrë paqësore në sheshet publike në mbarë vendin po ushtrojnë të drejtën e tyre themelore për t’u shprehur qytetarisht, të udhëhequr nga një angazhim i thellë ndaj shtetit të së drejtës, qeverisjes demokratike dhe dinjitetit njerëzor.

Në këtë kontekst, Grupi Koordinator i Protestës paraqet me respekt kërkesat e mëposhtme, të cilat pasqyrojnë vullnetin e popullit sovran:

  1. Dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë aktuale, si një hap thelbësor dhe i panegociueshëm drejt një ripërtëritjeje demokratike.
  2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat dymbëdhjetëmujor, për të mbikëqyrur një proces reformash të besueshëm dhe të paanshëm.
  3. Një reformë të gjithanshme kushtetuese, të bazuar në parimin e barazisë së plotë të të gjithë qytetarëve shqiptarë përpara ligjit dhe që do të miratohet përmes një referendumi popullor.

Kjo reformë duhet të përfshijë, ndër të tjera:

  • Reformimin e Kodit Zgjedhor;
  • Reformimin e legjislacionit që rregullon financimin e partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile;
  • Vendosjen e kufizimit të mandateve për postin e Kryeministrit, duke mos lejuar që asnjë individ të ushtrojë këtë detyrë për më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë karrierës së tij politike.
  1. Korrigjime të menjëhershme ligjore, duke përfshirë:
  • Shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura (Ligji nr. 21/2024);
  • Shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore;
  • Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;
  • Shfuqizimin e kuadrit ligjor që rregullon Investimet Strategjike.
  1. Hartimin e një kontrate të re sociale ndërmjet qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përgatitet përmes konsultimeve të gjera me intelektualë të pavarur, ekspertë teknikë dhe përfaqësues jopartiakë të shoqërisë civile, në përputhje me propozimet e lëvizjes qytetare.

Këto kërkesa përfaqësojnë shprehjen e qartë dhe legjitime të një populli sovran, të përkushtuar ndaj vlerave demokratike dhe shtetit të së drejtës.

Me respekt, ju bëjmë thirrje që të merrni në konsideratë seriozitetin dhe sinqeritetin e kësaj lëvizjeje qytetare dhe të mbështesni një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse të krizës aktuale politike në Shqipëri.

Mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo komunikim të mëtejshëm dhe besojmë në angazhimin tuaj të vazhdueshëm për demokracinë dhe dinjitetin njerëzor në Shqipëri, si pjesë e vlerave tona të përbashkëta evropiane.

Ju lutemi pranoni shprehjen e konsideratës sonë më të lartë.

Në emër të Grupit Koordinator të Protestës

Nipi i ish-komandantit të UÇK: Edi Rama dhe Taulant Balla e kanë vrarë për së dyti Tahir Sinanin!

Nipi i ish-komandantit të UÇK-së Tahir Sinanit ishte pjesë e protestës së 27-të sot para Kryeministrisë.

Ai mbajti dhe fjalën teksa theksoi se me deklaratat e tyre Taulant Balla dhe Edi Rama e kanë prarë për së dyti Tahir Sinanin.

Nipi i ish-komandantit Tahir Sinani: Vij nga Tropoja jam nip i Tahir Sinanit, sot Taulant Balla bashkë me Edi Rama e kanë vrarë për herë të dytë Tahir Sinanin. Duhet tu them të gjithëve që deri ditën e djeshme kam qenë anëtar i PS, por me ditën e djeshme as unë as familja ime as miqtë e mi mos u afroni te zona jonë. Një fjalë kam për Ramush Haradinajn, Ramush jam djal i bacit Agronit ke hongër bukë në shtëpinë time. Mos thy pjatën ku ke hongër. TB i them të shohi Hashim Thaçin bashkë me vëllain e tij, është dëshmia e Gani Thaçit. gsh

18.1 vite punë për të blerë një shtëpi! Tirana ia kalon edhe Parisit, Vjenës e Londrës

18.1 vite punë për të blerë një shtëpi! Tirana ia kalon edhe Parisit, Vjenës e Londrës

Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë vijon të renditet ndër më të papërballueshmit në Europë. Sipas të dhënave më të fundit të platformës ndërkombëtare Numbeo, një familjeje shqiptare i duhen mesatarisht 18.1 vite të ardhura për të blerë një banesë, duke e vendosur Tiranën në vendin e pestë në Europë për raportin më të lartë mes çmimit të banesave dhe të ardhurave.

Kjo do të thotë se blerja e një shtëpie në kryeqytetin shqiptar është më e vështirë sesa në qytete si Vjena, ku nevojiten rreth 17.4 vite të ardhura, Parisi me 17 vite, apo Londra me 16 vite.

Renditja kryesohet nga Lisbona dhe qyteti kroat i Splitit, ku raporti arrin në 18.7 vite, ndërsa pas tyre vijnë Praga, Milano dhe Tirana. Në dhjetëshen e qyteteve më të shtrenjta për t’u bërë pronar banese renditen gjithashtu Beogradi, Parisi, Londra dhe Brno.

Raporti çmim/të ardhura konsiderohet një nga treguesit më të rëndësishëm për matjen e përballueshmërisë së tregut të banesave. Ai tregon sa vite të ardhura i duhen një familjeje mesatare për të blerë një banesë tipike. Sipas ekonomistit të ABN AMRO, Mike Langen, çdo raport mbi nivelin 10 konsiderohet problematik për blerësit, pasi tejkalon kufijtë e zakonshëm të kreditimit bankar dhe aftësinë paguese të familjeve.

Pozicioni i Tiranës në këtë renditje tregon se çmimet e banesave janë shkëputur ndjeshëm nga ritmi i rritjes së të ardhurave të familjeve shqiptare. Edhe pse pagat janë rritur vitet e fundit, ritmi i rritjes së çmimeve të apartamenteve, veçanërisht në kryeqytet, ka qenë dukshëm më i lartë, duke e bërë pronësinë gjithnjë e më të paarritshme për një pjesë të madhe të qytetarëve.

Një situatë edhe më ekstreme paraqitet në Portugali. Në Lisbonë, një banesë kushton mesatarisht 18.7 herë të ardhurat vjetore të një familjeje. Gjatë dekadës së fundit, çmimet e banesave në Portugali janë rritur me afro 240%, ndërsa pagat janë rritur vetëm 59%, duke krijuar një hendek të madh mes vlerës së pronave dhe fuqisë blerëse të qytetarëve.

Sipas OECD-së, Portugalia është ndër vendet me aksesin më të kufizuar në strehim në botën e zhvilluar. Organizata evidenton mungesën e ofertës së banesave, tregun e dobët të qirave dhe pengesat rregullatore si faktorët kryesorë të krizës së strehimit. Aktualisht ndërtohen rreth 25–30 mijë banesa në vit, ndërkohë që nevojat reale të tregut vlerësohen në 45–50 mijë banesa.

Megjithatë, analiza të tjera sugjerojnë se mungesa e ofertës nuk është i vetmi shkak. Në raportin e fundit të monitorimit të tregut të banesave, ABN AMRO argumenton se rritja e të ardhurave dhe normat më të ulëta të interesit kanë ndikuar historikisht më shumë në rritjen e çmimeve të banesave në Europë sesa ritmi i ndërtimit të banesave të reja.

Pavarësisht kostove rekord, ekonomistët nuk presin një rënie të menjëhershme të çmimeve. Në Portugali, banka qendrore vlerëson se kërkesa e lartë, oferta e kufizuar dhe rregullat strikte të kreditimit e mbajnë tregun relativisht të qëndrueshëm, edhe pse treguesit e përballueshmërisë vazhdojnë të japin sinjale shqetësuese.

Edhe për Tiranën, renditja ndër qytetet më të papërballueshme të Europës tregon se sfida kryesore nuk është vetëm rritja e çmimeve, por fakti se ato po ecin shumë më shpejt se të ardhurat e familjeve. Si rezultat, ëndrra për të blerë një banesë po bëhet gjithnjë e më e largët për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve shqiptarë. /ekofin.al

“Ta mbrojmë sa s’është vonë!” Braktisi PS dhe mbështeti protestat, neomalësorja: Çdo ndërhyrje në lumin e Currajve në Nikaj-Mërtur i pajustifikuar. Të veprojmë!

Deputetja Marjana Koçeku, e cila braktisi hapur Partinë Socialiste, duke mbështetur protestat masive, ka dalë sërish kundër një projekti të qeverisë. Bëhet fjalë për ndërtimin e disa digave në lumin e Currajve në Nikaj-Mërtur.

Ajo theksoi se tashmë është koha që të reagohet sa nuk është vonë, për të kundërshtuar projektin në fjalë.

“Sot mora vesh që lumi i Currajve në Nikaj-Mërtur po cënohet nga betonizimi dhe ndërtimi i disa digave.
Kjo nuk duhet me u leju. Banorët e zonës duhet ta mbrojnë para se të jetë vonë. Çdo ndërhymje në atë lumë të egër asht i pajustifikueshëm.
U baj thirrje organizatave mjedisore, banorëve, aktivistëve të gjelbër, të organizohen dhe ta kenë në vëmendje nji pasuni natyrore siç asht lumi i Currajve në Nikaj-Mërtur.
Nuk ka pasë ndonjëherë kohë ma të mirë për me vepru!”, shkruan deputetja. bw

Qeveria e shpalli “non-grata”- Ikballe Huduti i përgjigjet Ramës: Dal në protestë kundër padrejtësive, pozitat janë amanet dhe përgjegjësi

TIRANË– Ikballe Berisha Huduti, për të cilën Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, nxorri urdhrin për shpalljen “non-grata”, për një periudhë 15-vjeçare, i është përgjigjur kryeministrit Rama. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ajo shkruan se ka dalë në protestë kundër padrejtësive, ndërsa shton se pozitat janë amanet dhe përgjegjësi.

Ajo shprehet se njeriu vlen aq sa shqetësohet për hallet e të tjerëve dhe aq sa përpiqet të kontribuojë për të mirën e përbashkët. Kjo duke theksuar se nuk kërkon armiqësi me askënd. Huduti deklaroi se dalja e saj në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare.

Reagimi i plotë:

I nderuar Kryeministër Edi Rama.

Dalja ime në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare. Unë jam bijë e një familjeje shqiptare dhe kam kaluar shumë sprova, padrejtësi dhe vështirësi në jetë. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të hesht përballë padrejtësive që prekin popullin tim.

Edhe sikur trupi im të mos jetë më një ditë, fjala dhe zëri im do të vazhdojnë të jenë në shërbim të së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Unë nuk dal në protestë nga urrejtja ndaj askujt, por nga dashuria për popullin tim dhe nga bindja se çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin kur mendon se po cenohet interesi publik.

Ju bëj thirrje juve dhe çdo udhëheqësi botëror si dhe BE që të dëgjoni zërin e qytetarëve të revoltuar. Historia ka treguar se asnjë pushtet nuk është më i fortë se vullneti i një populli të ndërgjegjësuar. Besoj se dialogu, drejtësia dhe respekti ndaj qytetarëve janë rruga më e mirë për të shmangur përçarjet dhe konfliktet.

Zoti është dëshmitar i veprave tona. Pozitat janë amanet dhe përgjegjësi. Kur pushteti përdoret me drejtësi, ai bëhet bekim; kur keqpërdoret, bëhet barrë për mbajtësin e tij.

Unë jam shqiptare dhe ndihem përgjegjëse për fatin e kombit tim. Nuk mund të fle e qetë kur shoh probleme që prekin shoqërinë tonë. Besoj se njeriu vlen aq sa shqetësohet për hallet e të tjerëve dhe aq sa përpiqet të kontribuojë për të mirën e përbashkët.

Nuk kërkoj armiqësi me askënd. Kërkoj paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë.

As Lindje, as Perëndim – Paqe me Drejtësi për Shqipërinë./Dosja.al

Shqipëria ia ndalon hyrjen për 15 vjet predikueses fetare nga Kosova, Ikballe Huduti, duke e cilësuar “kërcënim për sigurinë”

Protestues në kryeqytetin shqiptar Tiranë, më 21 qershor. Huduti ishte parë në njërën prej protestave të këtij muaji kundër Qeverisë shqiptare.

 

Jetmira Delia-Kaci

Shqipëria ia ka ndaluar të enjten hyrjen në vend për 15 vjet predikueses fetare nga Kosova, Ikballe Huduti – e njohur për qëndrimet e saj pro Iranit dhe kundër Shteteve të Bashkuara – duke e akuzuar si “kërcënim për sigurinë e vendit”, pasi ajo ishte parë në protestat e këtij muaji në Tiranë.

Huduti mori pjesë në një prej protestave që po zhvillohen në kryeqytetin shqiptar tash e 25 ditë kundër ndërtimit të një resorti në një zonë të mbrojtur në jug të Shqipërisë, i cili lidhet me kompaninë e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një reagim në Facebook, kryeministri shqiptar, Edi Rama, e cilësoi Hudutin si një prej përfituesve të kësaj proteste, duke theksuar se ajo “predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës”.

Burimet bënë të ditur për Radio Evropa e Lirë se vendimi për t’i ndaluar hyrjen Hudutit është marrë pasi “veprimtaria e saj vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike”.

Urdhri u nënshkrua nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe u është përcjellë Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit për zbatim të menjëhershëm.

Rama shkroi se figura të tilla si Huduti “në emër të fesë predikojnë urrejtje, nxisin përplasje dhe përpiqen të shfrytëzojnë kauza mjedisore për qëllime politike dhe ideologjike”.

Ai publikoi gjithashtu fotografi ku Huduti shfaqej pranë ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinejad.

Huduti është predikuese fetare nga Kosova, e njohur për përkatësinë e saj në komunitetin shiit. Ajo njihet për qëndrimet publike në mbështetje të figurave dhe politikave të Republikës Islamike të Iranit.

Në këtë fotografi të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve, IQNA, shihet Ikballe Huduti pranë ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinehad, në Iran.

Në këtë fotografi të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve, IQNA, shihet Ikballe Huduti pranë ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinehad, në Iran.

Ajo ishte arrestuar më 2020 nga autoritetet kosovare pas publikimeve të saj në rrjetet sociale në mbështetje të gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, i cili ishte nga një sulm amerikan me dron në Irak atë vit.

Ajo u akuzua për shtytjen e veprave terroriste në Kosovë, por u lirua më vonë nga akuzat në mungesë të provave.

Ndërkohë, ky është rasti i dytë në pak ditë që kryeministri Rama përmend pjesëmarrës në protestë për lidhje me Iranin.

Dy ditë më parë, Dritan Goxhaj, i cili lexoi pesë kërkesat e protestuesve për Qeverinë, u quajt nga Rama si “zëdhënës i interesave të Iranit”.

Rama publikoi në Facebook pjesë nga postime të një llogarie që mban emrin dhe fotografinë e Goxhajt, ku janë publikuar postime me qëndrime të ashpra kundër politikave të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në Lindjen e Mesme, si dhe me tone mbështetëse ndaj Iranit dhe Hezbollahut, të cilin një postim e përshkruan si “rezistencë të armatosur”.

Hezbollah është grup militant dhe parti politike që kontrollon një pjesë të madhe të Libanit jugor. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e tij të armatosur.

Rama i ka paraqitur protesta e tanishme kundër Qeverisë së tij dhe ndërtimit të resortit në Zvërnec jo si revoltë spontane qytetare, por si të nxitur nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, si dhe nga dezinformimi.

Ai ka folur për “luftë hibride”, duke përmendur fillimisht ndikime nga Greqia dhe Irani, më pas propagandë të shpërndarë nga blogerë dhe rrjete sociale, si edhe pjesëmarrje të personave nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Më 20 qershor, Rama tha se vëmendja ndërkombëtare për Zvërnecin nuk lidhet me mbrojtjen e natyrës, por me përfshirjen në projekt të Jared Kushnerit dhe lidhjen e tij familjare me presidentin amerikan, Donald Trump.

Gjatë protestës më 21 qershor, një vajzë e hoqi flamurin izraelit në Ambasadën e Izraelit në Tiranë dhe e grisi atë gjatë kohës kur protestues të shumtë po marshonin në rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë.

Protestat në Tiranë, Vlorë dhe qytete të tjera të Shqipërisë kundër punimeve për një resort në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë, mes shqetësimeve për ndikimin në mjedis dhe hetimeve për pronësinë e tokës – kanë hyrë në ditën e 24-të.

Prokuroria e Posaçme është duke kryer hetime në lidhje me kontratat e shitjes së tokës, ku do të realizohet ky projekt.

Sipas të dhënave zyrtare, zona në Zvërnec figuron në pronësi të kompanisë Albania Land Development, e regjistruar më 27 maj 2025 në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Ndërkaq, të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.

Aktivisti Ilir Xhemalaj: Të rinjtë kanë marrë fatin në dorë, protesta do të çojë në dorëheqjen e Edi Ramës

Teksa protesta ka hyrë në ditën e saj të 26-të, aktivisti Ilir Xhemalaj shprehet i bindur se lëvizja qytetare do të arrijë objektivin e saj kryesor, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

I ftuar në programin e drekës në News24, përballë gazetares Ola Bruko, Xhemalaj theksoi se forca e protestës qëndron te pjesëmarrja e të rinjve, të cilët sipas tij kanë vendosur të marrin në dorë fatin e vendit.

“Sot të rinjtë janë ngritur nga kafenetë dhe kanë marrë fatin në dorë. Janë të shkolluar, të artikuluar dhe të vendosur për të sjellë ndryshimin që kërkon vendi”, deklaroi ai.

Sipas Xhemalajt, protestës i japin qëndrueshmëri edhe profesionistët e rinj që janë bashkuar nga diaspora, mes tyre mjekë, inxhinierë dhe ekspertë të fushave të ndryshme.

“Ka të rinj të arsimuar, mjekë dhe inxhinierë që kanë ardhur nga diaspora për t’iu bashkuar kësaj kauze. Pikërisht kjo e bën protestën të qëndrueshme dhe do të arrijë qëllimin e saj, dorëheqjen e Edi Ramës”, u shpreh ai.

Ndërkohë, gjatë të njëjtit emision, aktivisti Eduart Kaca ngriti diskutimin për ndryshimin e sistemit të qeverisjes në vend. Ai argumentoi se modeli aktual parlamentar ka dështuar dhe se Shqipëria duhet të kalojë në një sistem të ngjashëm me atë amerikan.

“Sistemi parlamentar ka dështuar, ashtu si edhe sistemi shumëpartiak. Kemi parti pa institucione dhe liderë të përhershëm. Shqipëria ka nevojë për një sistem amerikan, me president të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli dhe me kompetenca të plota”, deklaroi Kaca.

Revoltat masive- Agron Duka thirrje socialistëve: Dëgjoni zërin e protestuesve, nesër mund të jetë vonë!

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka reaguar lidhur me protestat qytetare, duke u bërë thirrje socialistëve që të reflektojnë dhe të dëgjojnë kërkesat e shqiptarëve që prej javësh janë në shesh.

Përmes një reagimi publike, Duka shprehet se protestuesit përfaqësojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe nuk duhet të etiketohen apo të trajtohen si kundërshtarë politikë. Sipas tij, ata kërkojnë një shtet më funksional, më shumë llogaridhënie dhe përfaqësim, jo përçarje apo hakmarrje.

“Gabimi më i madh që mund të bëhet sot është t’i përçmosh ose t’i etiketosh. Ata nuk po kërkojnë të shembin vendin, por ta bëjnë atë më të jetueshëm”, thekson Duka. Kreu i PAA-së u ndal edhe te zërat kritikë që kanë ardhur nga figura të njohura të së majtës, duke përmendur emra si Ndre Legisi, Ilir Zela, Ermelinda Meksi, Arta Dade, Arben Malaj dhe Ditmir Bushati. Sipas tij, nuk mund të konsiderohet armik kushdo që shpreh kritika ndaj qeverisë apo pushtetit.

REAGIMI I DUKES
Si mbështetës i protestave qytetare dhe i së drejtës së njerëzve për t’u dëgjuar, dua t’u drejtohem sot socialistëve me një thirrje të sinqertë për reflektim.
Ata që prej 26 ditësh janë në shesh, janë fëmijët e qindra mijëra shqiptarëve, të majtë, të djathtë, pa parti, për të cilët të gjithë ne që jemi marrë me politikë kemi bërë aq sa mundëm, por dukshëm jo aq sa duhej, që ata të gëzonin një jetë më të mirë, një demokraci më të shëndetshme, një shtet që u shërben të gjithëve, e jo vetëm një pakice.
Me këmbëngulje, guxim, kreativitet, qytetari dhe me numra të paparë në këto tre dekada, ata janë jo vetëm kartolina më e bukur e Shqipërisë europiane, por edhe dëshmia se asgjë nuk mund të jetë më si më parë në politikën tonë.
Prandaj gabimi më i madh që mund të bëhet sot është t’i përçmosh, t’i etiketosh apo t’i trajtosh si kundërshtarë. Sepse ata nuk po kërkojnë të shembin vendin; po kërkojnë ta bëjnë atë më të jetueshëm. Nuk po kërkojnë hakmarrje; po kërkojnë llogari. Nuk po kërkojnë përjashtim; po kërkojnë përfaqësim.
Dhe këtë zë nuk mund ta mbulojnë as sulmet, as ironitë, as teoritë e komplotit. Sepse kur në shesh dalin kaq shumë të rinj, prindër, profesionistë, qytetarë të lirë dhe njerëz që nuk kanë kërkuar kurrë asgjë nga politika, detyra e politikës nuk është të gjejë armikun, por të kuptojë mesazhin.
Prandaj, kur qytetarët flasin me këtë forcë, përgjigjja nuk mund të jetë mbyllja, arroganca apo përçmimi.
E nëse unë sot mund të konsiderohem kritik ndaj kësaj force politike, për të cilën kam pasur nderin të shërbej në qeveri, dua të pyes shumë thjesht: po kur zërin e ngrenë edhe vetë socialistët, çfarë janë?
Ndre Legisi, Ilir Zela, Ermelinda Meksi, Arta Dade, Arben Malaj, Ditmir Bushati e të tjerë qenkan në shërbim të Iranit?
Po ata qindra e mijëra socialistë të thjeshtë që kanë zbritur në shesh sepse janë përjashtuar nga vendimmarja, të cilëve nuk ua dimë emrat, por i kanë dhënë besimin PS-së ndër vite, janë në shërbim të Rusisë?
Jo. Jo çdokush që kundërshton është armik, por prova se problemi nuk është te protesta, por te pushteti juaj, që ka humbur aftësinë të dëgjojë. Kur çdo kritik quhet armik, atëherë nuk po mbrohet partia e as qeveria, po mbrohet karrigia.
Partia Socialiste u kthye në qeverisje në vitin 2013-të për t’u mos u bërë bunker pushteti, as për të parë me përçmim njerëzit që kërkojnë llogari. Përkundrazi, ajo u rrit duke denoncuar arrogancën, mbylljen dhe mendësinë se pushteti është pronë personale.
Dhe me qetësinë që më dikton përvoja, si edhe distanca që kam zgjedhur me vetëdije nga jeta parlamentare, mund të them se në politikë nuk ka gabim më të madh sesa të përsërisësh vetë ato që dikur i ke kundërshtuar te të tjerët. Të denoncosh dje një pushtet që nuk dëgjonte, dhe sot të mos dëgjosh vetë. Të kritikosh dje arrogancën, dhe sot të flasësh me arrogancë. Të kërkosh dje përgjegjësi për skandale, dhe sot të sillesh sikur pushteti është i pandashëm nga emri yt.
Pushteti nuk është destinacion ku mbërrihet për të qëndruar përgjithmonë; është një përgjegjësi e përkohshme, një shërbim që të besohet nga qytetarët dhe që një ditë duhet t’u kthehet atyre me llogari. Kur kthehet në qëllim në vetvete, kur karrigia bëhet më e rëndësishme se njerëzit, atëherë politika humbet kuptimin dhe pushteti humbet legjitimitetin moral.
Rreziku i vërtetë sot nuk është protesta. Rreziku është që mosdëgjimi ta kthejë pakënaqësinë në një krizë edhe më të thellë besimi; një krizë ku qytetarët të mos besojnë më as te qeveria, as te opozita, as te institucionet, as te vetë politika.
Dhe kur një vend hyn në këtë shkallë mosbesimi, ai nuk bëhet thjesht më i vështirë për t’u qeverisur. Bëhet më i vështirë për t’u mbajtur bashkë.
Prandaj kjo krizë nuk kërkon ndryshime politike të vërteta. Këta qytetarë nuk mund të dëgjohen vetëm nga larg, as të përmenden vetëm në fjalime. Ata duhet të përfshihen në një sistem më të hapur, më përfaqësues dhe më të drejtë.
Shqipëria ka nevojë për institucione që dëgjojnë, për parti që hapen, për vendimmarrje që nuk mbyllet në pak duar dhe për një politikë që nuk i kujton qytetarët vetëm ditën e votimit. Nëse ka një mesazh të madh nga kjo protestë, është se njerëzit nuk kërkojnë thjesht të protestojnë; por kërkojnë të kenë zë në vendin e tyre.
Prandaj, dëgjojini qytetarët sot. Nesër mund të jetë vonë. bw

“Shqipëria, kryelajm botëror”! Ish-zv/ministrja e PS ‘rrëzon’ Ramën: Protesta solli atë që qeveria s’e arriti me miliona euro lobime dhe propagandë

Nga Ornela Çuçi, ish-zv/ministre e Turizmit dhe Mjedisit

Ka 23 ditë që në Tiranë po ndodh diçka që nuk e kam parë prej shumë kohësh. Nuk flas për protestën. Flas për njerëzit. Njerëz që flasin me njëri-tjetrin. Njerëz që buzëqeshin. Njerëz që ndalojnë për të përshëndetur dikë që nuk e kanë parë prej vitesh. Njerëz që diskutojnë për të ardhmen dhe jo vetëm për ikjen. Për herë të parë pas shumë kohësh, në këtë qytet po shoh njerëz që duken sikur besojnë se fjala e tyre ka ende peshë. Dhe pikërisht duke parë këtë energji, kam kuptuar se ajo që shohim çdo mbrëmje në bulevard është vetëm maja e ajsbergut. Njerëzit nuk po vijnë thjesht në protestë. Po organizojnë jetën e tyre rreth saj. Një ditë vjen burri, ditën tjetër gruaja.

Njëri qëndron disa orë dhe largohet që të kujdeset për fëmijët, pastaj vjen tjetri. Disa vijnë pas pune. Të tjerë para pune. Disa qëndrojnë pak dhe kthehen përsëri të nesërmen. Disa vijnë vetëm në marshim. Të tjerë presin t’u kalojë marshimi pranë pallatit dhe dalin për një copë herë. Protesta duket sikur funksionon me turne. Dhe pikërisht kjo më ka bindur se ajo që shohim në rrugë është vetëm një pjesë e vogël e asaj që po ndodh. Sepse protesta nuk është vetëm turma që shohim. Protesta është edhe turma që nuk e shohim. Janë njerëzit në administratën publike që bien dakord me shumë nga ato që thuhen aty, por që nuk guxojnë të dalin. Jo sepse nuk duan, por sepse e dinë që vendi i punës në këtë vend shpesh varet nga bindja dhe jo nga aftësitë e tyre. Janë punonjësit e kompanive që sot janë sekuestruar, nesër mund të sekuestrohen, ose që prej muajsh jetojnë me pasigurinë se çfarë do të ndodhë me vendin e tyre të punës.

Janë familjet e tyre. Janë bizneset që nuk flasin, sepse kanë frikën e inspektorëve te dera. Janë profesionistët që nuk flasin, sepse dikush nga drejtuesit e kompanisë ua ka dhënë mesazhin e qartë se fati i kompanisë dhe i tyre varet nga kjo qeveri. Janë njerëzit që nuk protestojnë sepse kanë frikë të protestojnë. Pakënaqësia për atë që po i ndodh këtij vendi nuk zhduket në qytetet ku në protestë del vetëm një njeri. Nuk zhduket në administratë. Nuk zhduket në kompani. Ajo thjesht nuk shihet. Prej frikës. Dhe pikërisht për këtë arsye, numri i njerëzve në shesh nuk tregon domosdoshmërisht madhësinë e pakënaqësisë. Madje mund të ndodhë e kundërta. Në vende ku njerëzit ndihen të lirë, pakënaqësia shfaqet lehtë.

Në vende ku njerëzit kanë frikë për vendin e punës, për kontratën, për biznesin apo për të ardhmen e familjes së tyre, pakënaqësia fshihet. Kryeministri ka zgjedhur ta shpjegojë këtë protestë në çdo mënyrë të mundshme, përveç asaj që lidhet me të dhe me qeverisjen e tij. Ditët e fundit kemi dëgjuar teori nga më të ndryshmet, deri te pretendimi se në Tiranë po luhet një pjesë e rëndësishme e gjeopolitikës globale. Edhe mund të ndodhë. Ëndrra janë… Mund të ketë interesa politike, ekonomike apo ndërkombëtare që ndërthuren me atë që po ndodh. Historia është plot me shembuj ku konflikte më të mëdha se vetë vendet janë reflektuar në beteja lokale. E megjithatë, ka një element që asnjë teori gjeopolitike nuk arrin ta shpjegojë, energjinë e kësaj proteste. Sepse njerëzit mund të organizohen, mund të mobilizohen dhe madje mund të nxiten për shumë arsye. Por askush nuk mund të importojë në bulevard zhgënjimin e një shoqërie.

Askush nuk mund të krijojë artificialisht ndjesinë e padrejtësisë, lodhjen, mosbesimin dhe frustrimin që janë grumbulluar për vite me radhë. Këto ose ekzistojnë, ose nuk ekzistojnë. Dhe ndoshta pikërisht sepse kjo energji është reale, protesta ka filluar të prodhojë diçka që shkon përtej bulevardit. Ka filluar të tërheqë vëmendje. Jo vetëm në Tiranë, por edhe jashtë saj. Jo vetëm tek ata që protestojnë, por edhe tek ata që prej vitesh e kanë parë Shqipërinë përmes historive të kuruara me kujdes nga makineria e komunikimit shtetëror. Dhe pikërisht këtu qëndron ironia më e madhe e gjithë kësaj historie. Për më shumë se një dekadë, kjo qeveri ka investuar energji, kohë dhe para të panumërta nga buxheti i shtetit për ta bërë Shqipërinë lajm ndërkombëtar. Janë paguar kompani komunikimi, janë organizuar samite, janë prodhuar fushata promovimi, janë blerë hapësira mediatike dhe janë ndërtuar me kujdes histori suksesi për konsum ndërkombëtar.

Për vite me radhë kemi parë Shqipërinë e fasadës që i kemi prezantuar botës. Dhe mirë kemi bërë, sepse Shqipëria është e bukura e dheut dhe meriton të promovohet. Kemi parë Shqipërinë e transformimit, të mrekullisë digjitale dhe të historive që duhej të pushtonin faqet e para të gazetave të botës. Kemi parë deri edhe “Diellën” të shndërrohej në simbol të Shqipërisë së re dhe moderne. E megjithatë, asnjëra prej këtyre nuk arriti atë që po arrin sot protesta. Sot Shqipëria është sërish në faqet e para të mediave ndërkombëtare. Vetëm se këtë herë nuk është aty falë një kontrate komunikimi, një kompanie lobimi apo një fushate marketingu. Është aty sepse mijëra qytetarë kanë krijuar një histori që nuk mund të blihet dhe nuk mund të kontrollohet.

Nëse kryeministri ka të drejtë dhe e gjithë gjeopolitika globale po luhet sot në Tiranë, atëherë duhet pranuar se ia doli më në fund. Ëndrra për t’u bërë kryelajm ndërkombëtar u realizua. Vetëm se për herë të parë pas shumë vitesh, për këtë reklamë nuk pagoi asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit. E paguan qytetarët me kohën e tyre, me këmbënguljen e tyre, me netët e tyre në bulevard dhe me guximin e tyre për të mos u larguar. Dhe kjo është ndoshta arsyeja pse kjo histori po lexohet kudo. O sa mirë me qenë shqiptar!!! bw


Send this to a friend