Edepsiz është fjalë turke. Fjala rrjedh nga “edep” (edukatë/moral) dhe prapashtesa “-siz” (pa), duke nënkuptuar fjalë për fjalë “pa edukatë”.
Përkthimi: I paedukatë, i paturpshëm, pa edukatë, i ndyrë, imoral, i pahijshëm.
Konteksti: Përdoret për të kritikuar dikë që shkel normat shoqërore ose sillet me mungesë respekti.
Edepsëz gjen kudo në Shqipëri: Në autobuzat urban, ne zyrat e shtetit, në shkollat nëntëvjeçare, në universitete, në fasoneritë, në ministritë madje dhe në rrugë e trotuare. Edepsëzët nuk janë të organizuar, paraqiten të veçuar, veçse ta bëjnë jetën e vështirë me sjelljet e tyre. Shoqëria janë ka kohë që ështe e sëmurë nga imoraliteti që e ndesh kudo, por kur ai është e organizuar në turma dhe shoqëria e sidomos organet shtetërore bëjnë sehir, atëherë kemi të drejtë të themi se po zhytemi në fekale e po na mbyt edepsizllëku.
Është fjala për një pjesë të konsiderueshme të tifozave vlonjatë, që të paktën për dhjetë vjet rresht krahas thirrjeve plot qytetari si “Flamurtar, Flamurtar,” ose “Flamurtar, je zemra jonë” përdor në kor thirrje të pamoralshme. Jo një apo dy herë, por gjatë gjithë ndeshjes, për minuta tëra. Kam parë tri ndeshjet rradhazi të Flamurtarit në stadium dhe një herë në Tiranë. Thirrjet fyese nuk kishin të pushuar dhe filluan për arbitrin (nuk kursehen as lojtarët dhe as trajnerët e kundërshtarit) që sipas tyre nuk po arbitronte drejt. Ajo që të trondit më shumë është se këta tifoza edepsizë tashmë janë shtuar dhe në ekipet e tjera. Të më falni lexues të dashur, por unë do t’i shkruaj në shqip sharjet si ata çirren e nuk pushojnë duke përsëritur për minuta të tëra: “O arbitër të qifsha motrën” Sipas rastit fjala “motër” zëvendësohet me fjalët “grua” ose “robt” Po ka dhe sharje të tjera që nuk po i përmend ndoshta edhe më të shëmtuara. Duket sikur ka një garë kush të shajë më shumë e më shëmtuar.
Në ndeshjen e fundit në Vlorë (nuk shkoj më në stadium) para ca kohësh, vërejta posaçërisht disa herë (sa herë përsëriteshin sharjet) drejtuesit e klubit. Dikush qeshte, dikush tha “filluan këta legenat prapë,” ndërkohë që presidenti i klubit përdrithte tespiet e shtrenjta turke dhe buzëqeshte jo i lumtur, por as i mërzitur.
“Flota kuqezi” janë vetëquajtur këta edepsëz, që dhe një parrullë mesa duket nuk dinë ta shkruajnë saktë. Kanë mbi dhjetë vjet që sokëllijnë stadiumeve, madje jo rrallë guxojnë e përleshen fizikisht thjesht për argëtim me “armiqtë”, skuadrën mike. Pyes:
JU tifoza të “Flotës kuqezi,” a keni motra, nëna, gra ose të dashura!? Kur shkoni në shtëpi u thoni motrave, nënave, grave apo fëmijëve se çfarë bëni në stadium? Merreni një herë motrën, nënën, gruan, të dashurën apo fëmijët në stadium, t’u dëgjojnë! Do keni guxim të silleni si shkërdhata (fjalë të përdorura ng tifozët kuqezi) me to në krah? Po sikur dikush t’ua kthejë sharjen?
Ti president i klubit, ti drejtor sportiv dhe gjithë stafi jeni dakord me edepsëzët e tifozërisë që qeshni, rrini indifferent ose dridhni tespihet?
Ju tifozëria qytetare vlonjate si lejoni t’u mbyt llumi dhe turpi i tifozërisë vlonjate!?
Futbolli është sporti më i bukur, më popullor dhe më i ndjekur në botë. Njerëzit aty shkojnë të ndjekin skuadrën e zemrës, ta inkurajonë atë, të argëtohen dhe të kalojnë dy orë plot adrenalinë. Si i lejoni këta lamashë, këta edepsëzë me sjelljet e tyre të “shkërdhejnë“ kulturën, qytetarinë, traditën, humanizmin, solidaritetin njerëzor, dashurinë dhe respektin për futbollin dhe futbollistët? Ju drejtues të policisë dhe të bashkisë tunduni pak! Një sharje edhe në kor, një e pështytur, nuk përbën vepër penale dhe nuk mund të futesh në burg. Por ka një kod moral, ka një vijë të kuqe, që shoqëria e sotme nuk lejon të kalohet. Përndryshe kthehemi në kafshë xhunglash.
PS. Ne nuk mund të kthejmë Kanunin e Lekë Dukagjinit, por mund të mësojmë sesa e kanë çmuar dhe si e mbanin të parët tanë kodin moral, thënë ndryshe NDERIN. Një fyerje, një sharje paguhej edhe me jetë dhe për këtë nuk kishte hakmarrje, nuk merrej gjaku për të vrarin. Kjo sot është e tejkaluar, por Nderi prap Nder quhet.
Po botoj pa koment një pjesë nga Kanuni i Lekë Dukagjinit për këtë çështje, botim i vitit 2022, nga françeskanët.
Neni 251, pika b. (janë shtatë pika) thuhet se “…Burrit i merret ndera me e sha, me e pështy, me e matë, me e shty, a me i ra kush…”
Neni 252, thotë ndër të tjera: “… Ndera e marrun gjobë nuk ka, as nuk shpërblehet me gja, por a (Kryhet. Shën, im.) me të derdhun të gjakut, a me të falun, fisnikisht, përmes ndërmjetësisë së dashamirëvet…”