Terror i përditshëm, shantazh, linçim, kërcënim! Normalitet, ku grupe bandash me lidhje politike, zyrtar partish, disa të fortë financiarisht e të tjerë kapadainj, e deri te kryeministri, se kanë as më të voglin problem që të dalin përpara për të të frikësuar.
Veprimet e tyre dallojnë nga karakteret që kanë: ka prej atyre që nisin me sharje, si kryeministri Isa Mustafa, siç pati bërë edhe gjatë fushatës zgjedhore të fundit kur gazetën “Zëri”, e pat cilësuar “fashiste”.
Pastaj, vijnë me radhë, shpifësit e “aferave”, qëllimi i të cilëve është linçimi publik dhe denigrimi, aso që të dërgojnë selame, duke ta përmendur edhe familjen.
Në këtë mozaik shantazhues nuk mungojnë as ata më të sofistikuarit, të cilët drejtpërdrejtë nuk të shkruajnë, e as kërcënojnë, por i kanë dyert ku trokasin kundër teje.
I gjithë ky presion ka një qëllim – për të na FRIKËSUAR! Kush po ua lehtëson punën kapadainjve?! Të sulmuar, të kërcënuar, të larguar nga puna, e të vrarë… Ky terror mbi gazetarët e pavarur asnjëherë nuk është dënuar nga cilado forcë politike e as nga institucionet shtetërore, të cilat duhet të krijojnë ambient për liri të shprehjes. Këtë deklarativisht e kanë bërë vetë shoqatat e gazetarëve duke dënuar kërcënimet ndaj kolegëve.
Pavarësisht kësaj, nuk ka pasur asnjë presion ndaj gjykatave që rastet që lidhen me vrasjen, apo kërcënimet e gazetarëve të trajtohen në këto institucione. Çuditërisht, ende s`kam pranuar asnjë thirrje nga AGK-ja, në gjithë këtë mori kërcënimesh, fyerjesh e denigrimesh që kam marrë nga radikalët në vazhdimësi. Ata nuk janë interesuar fare nëse të njëjtat i kam raportuar në Polici.
Kjo nuk është gjë tjetër, përpos demagogji e rrjeteve sociale, në të cilën këta demagogë nuk duan t`ia prishin terezinë vetes, duke përdorur standarde të dyfishta qoftë edhe në reagimet që synojnë t`i dënojnë sulmet ndaj gazetarëve.
Sot është kërcënuar Vehbiu nga shefi i ekzekutivit, dje unë nga një ekstremist fetar, nesër kërcënohet Linda, pasnesër Arta…
Ne duhet të protestojmë për fyerjet e kryeministrit Isa Mustafa, por edhe kërcënimet e grupeve kriminale që parakalojnë çdo ditë para nesh!
Komentet