Përbërësit
Qoftet:
500 gr mish të grirë
1 qepë, 1 thelpi hudhër
2 feta bukë
1 kokërr vezë
1 lgj vaj ulliri, 1 lgj mustardë
Kripë, piper, nenexhik
Salca:
2 kokrra domate
1 lgj pure domate
1 lk sheqer
3 lgj vaj ulliri
1 qepë, 1 thelpi hudhër
Kripë, piper, nenexhik
Pureja:
600 gr patate
1 gotë qumësht
1 lgj gjalpë
100 gr djathë të verdhë
Pergatitja
Fillimisht përgatisim qoftet duke bashkuar në një tas mishin e grirë me qepën dhe hudhrën të grirë shumë imët. Shtojme fetat e bukës të njomura me pak ujë, shtojmë kripë, piper të zi, nenexhik, vaj ulliri dhe një kokërr vezë. I bashkojmë mirë të gjithë përbërësit dhe i lemë që të pushojnë në frigorifer (sa më gjatë aq më mirë). Më pas realizojmë qofte rrumbullake dhe i vendosim të piqen (sa të marrin një faqe nga të dy anët) në një tigan me pak vaj.
Ndërkohë përgatisim salcën duke kaurdisur fillimisht një kokërr qepë me një thelpi hudhër. Sapo qepa të fillojë të zbutet shtojmë domatet të prera në kubikë të vegjël. I trazojmë sa të fitojnë pak nxehtësi dhe më pas shtojmë një lugë pure domateje, pak sheqer, kripë dhe piper të zi dhe e lemë salcën të marrë valë për disa minuta. Në fund shtojmë 4-5 gjethe nenexhiku.
Presim patatet në kubikë mesatar me qëllim që të ziejnë sa më shpejt dhe i vendosim të ziejnë me pak ujë (uji duhet të jetë në masën e patateve). I shtypim më pas patatet duke shtuar dhe 1 gotë qumësht dhe 1 lugë gjalpë. E lemë purenë të marë një valë duke patur kujdes që të mos trashet pasi duam një pure pak të lëngshme.
Më pas marrim një tavë, e lyejmë me pak vaj dhe vendosim si shtresë të parë salcën e përgatitur. Shtresë të dytë vendosim qoftet dhe në fund si shtresë të tretë vendosim purenë e patates. E mbulojmë të gjithë siperfaqen me djathë kaçkavall të grirë në rende dhe e vendosim në furrën e parangrohur në temperaturën 180 gradë Celsius për 35-40 minuta.
Komentet