Fragment bisede me gazetarin Jakup Gjoca (botuar në Gazetën “Telegraf” më 7 Shkurt 2021)
Taulant Dedja, ish-Prefekt i Tiranës, ish-zëvendësministër i Pushtetit Lokal, ish-deputet i PS në 2 mandate, në qeverisjen e PS dhe në opozitë, në një bashkëbisedim ekskluziv për gazetën “Telegraf” ka skanuar intervistën e fundit të pardjeshme të Fatos Nanos duke u shprehur se “Nano u kthye në origjinë, te Blloku, te Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, atje ku u projektua sjellja e tij në drejtimin e PPSH në periudhën kur ajo ishte kthyer në kufomë…”
– Z. Dedja, ish-kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano në një intervistë pohoi se është penduar, që si kryeministër përqëndroi shumë pushtet, ndërkohë që Edi Rama si kryeministër e ka deleguar pushtetin. A ka vërtetësi kjo, që kryeministri Rama nuk ka përqëndruar pushtet në duart e tij, sikurse Nano kryeministër?
T.D. – Tashmë jam shprehur publikisht për intervistën e ish-kryetarit të PS dhe ish-kryeministrit, ku mbi gjithçka mungoi sinqeriteti dhe mbizotëroi teatraliteti. Sipas meje e përsëris, Nano u kthye në origjinë, te Blloku, te Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, atje ku u projektua sjellja e tij në drejtimin e PPSH në periudhën kur ajo parti ishte kthyer në kufomë dhe duhej ringjallur në një formë tjetër. Gjithsesi analiza e historisë së PS, një parti konglomerat, që sipas meje është shpërndarë qysh në vitin 2007, nuk i takon kësaj interviste… Duke qenë se Nano u deklarua si kalkulues, që arriti deri diku “të përdorë” një brez të rinjsh, sigurisht dhe “liberalizmi” tij ka qenë pjesë e këtij kalkulimi. Të rinjtë i duheshin për imazh PS, sepse ishte trashëgimtarja e PPSH në fillimet e saj. Nga ajo që dëgjova dhe nga ato që kujtoj nga vitet e mia në PS, nuk më duket se Nano ishte dikush që përqëndronte shumë pushtet në duart e tij. Në të kundërt, është Rama ai që kontrollon sot çdo gjë. Distanca, pasi kanë kaluar shumë vite, më ndihmon të jem më gjakftohtë në arsyetim dhe analiza. Unë mendoj që Nano edhe atë që e ai e quan sot mungesë apo kontroll të dëshirës për hakmarrje, e ka pjesë të kalkulimit. Normale fare. “Dhelpra” politike apo “kafshë” politike, siç u shpreh ai ka në gjithë botën. Madje, që nga koha e Aristotelit, që është autori i shprehjes “njeriu është një kafshë politike”. Dihet që, jo vetëm në Shqipëri, por kudo, që të mbijetosh në politikë duhet të jesh “dhelpër”. Për të vazhduar me thelbin e përgjigjes ndaj pyetjes, mund të them që Nano në qeverisje dhe drejtim ishte pa dyshim më liberal se Rama (të dy ngjajnë si dy pika uji në faktin që ndërtojnë vetëm “miqësi” konjukturale), por Nano e delegoi pushtetin për dy arsye. Nga njera anë, se ishte dembel dhe neglizhent, nga ana tjetër se nuk mund ta kontrollonte PS-në si zot i gjithpushtetshëm, sepse në kupolën e saj kishte shumë personalitete me individualitet dhe profil të lartë politik dhe profesional. Por mos harroni, edhe faktorin FRESSH, që nxorri disa figura të spikatura, mbi të cilat Nano nuk kishte kontroll dhe me të cilat ishte i detyruar të bënte kompromise. Këto historirat me promovime e mundësi që u krijoi Nano individëve apo përkrahje që u dha, më duken shumë bajate sot për t’u përmendur. Me kë do vinte në pushtet Nano? Me farefisin apo me fëmijët dhe nipat e byroistëve? Sigurisht, që nuk do vinte dot. Nano, si kalkulues, e kuptonte mirë se me cilët njerëz mund të fitonte vota për të arritur deri te qeverisja. Madje, për ketë arsye ai ishte i pari që promovoi dhe disa “të fortë” në Parlament…
– Sot, pas 8 viteve qeverisje nga “Rilindja”, sipas mendimit tuaj, si ndihen socialistët?
T.D. – Mendoj se sot nuk shkon më pyetja si ndihen socialistët, sepse termi socialist më duket shumë relativ për t’u marrë në referencë. Të mos harrojmë që, për shkak të traditës, dy partitë kryesore shqiptare janë një konglomerat njerëzish dhe interesash (në fakt kështu është kudo, por fatkeqësia jonë është se ishim një vend shumë i varfër). Vështirë se në Shqipëri mund të flitet ende për të Majtë apo të Djathtë klasike. Diferenca ende bazohet te ndarja partizanë-ballistë dhe te miti i Luftës Nacional-Çlirimtare që unë e kam quajtur Lufta Nacional-Shkatërrimtare. Shpresoj të vijë dita që historia të shkruhet si duhet në mënyrë të paanshme. Nuk e di për ç’ndarje majtas-djathtas mund të flitet, p.sh. kur në periudhën para vitit tragjik 1997, djali i nënkryetarit të PS kishte biznes të përbashkët me djalin e nënkryetarit të PD. E kam thënë në një artikull të botuar te gazeta “Populli Po” në dhjetor 1994 se fatkeqësia e Shqipërisë ishte që nga Lëvizja e Dhjetorit 1990 nuk doli asnjë forcë politike pa trashëgimi punisto-komuniste. Mbase ishte e pamundur, por kjo më shumë se këdo tjetër penalizoi gjatë këtyre 30 viteve të fundit ata që vuajtën realisht në kohën e diktaturës gjakatare të Enver Hoxhës. Dhe sot, për fat të keq, shoqëria shqiptare ende nuk e ka bërë katharsis-in sa i takon dënimit të diktaturës komuniste. Shpresoj të vijë dita që në Parlament të miratohet një akt ligjor ku t’i kërkohet falje gjithë viktimave të diktaturës komuniste dhe të dënohet zyrtarisht regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe gjithë trashëgimia e tij. Në këtë kontekst sot mendoj që pyetja duhet shtruar si ndihen shqiptarët. Si ndihet një vend që po lëngon në çdo pikpamje dhe ku brezi më shpresëhumbur është rinia që dëshirë të vetme ka largimin drejt Perëndimit. Dhe për këtë e ka përgjegjësinë gjithë klasa politike pa përjashtim, përfshi dhe mua që për gati 15 vjet isha pjesë e saj. Ne duhet t’i kërkojmë falje qytetarëve që na kanë votuar, besuar apo mbajtur deri edhe mbi supe që nuk realizuam shumë premtime, dhe aq më keq, situata e solli që 8 vitet e fundit të jenë një regres i vërtetë. Një nga përgjegjësit kryesore për këtë vazhdon të jetë Fatos Nano, i cili është i pari që duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve, e jo të përrallisë për 7 mëkatet e Biblës të Metës apo Berishës, tek të cilët ka trokitur sa herë i duhej sipas kalkulimeve të veta. Nëse do flasim për mëkate, kryemëkatari i 31 viteve të tranzicionit është Fatos Nano. Ishte ai që e solli Edi Ramën nga Parisi, jo se i duhej një rebel, se rebelë kishte PS, por se mori urdhër nga Athina. Dhe ua la peshqesh socialistëve dhe shqiptarëve. Dhe sot që del dhe e lustron Ramën, sigurisht nuk është çudi të ketë marrë sërish urdhër. E pra, ky është mëkati i tij më i madh, që ia zhvleftëson dhe 4 vitet e burgut që drejtësia ia ka cilësuar si të padrejta. Madje, në një lloj mënyre duhet t’i jetë mirënjohës edhe për këtë Berishës. Pa burgun, ai nuk do ishte shndërruar në një lloj “miti”, se nuk thonë kot, që çdo e keqe e ka dhe një të mirë. Nëse atë mocionin e famshëm të “qypit me mjaltë” në 1996 do ta kish bërë në kushte jashtë burgut, nuk do ia kish dalë përballë atij grupi drejtuesish të lartë të PS-së, që nuk e kishin fort për zemër, por e kishin pranuar si kryetar në rrethana kompromisi, që mbase një ditë do qartësohen më shumë…
– Cili është dallimi mes Partisë Socialiste në kohën e Fatos Nanos kryeministër dhe “Rilindjes” socialiste me Edi Ramën kryeministër?
T.D. – Nanon e vunë në krye të një partie konglomerat, të cilën asnjëherë nuk e kontrolloi dot. Kalkulimet në funksion të ambicieve dhe rolit që i dhanë, e detyruan që të krijonte ekuilibra. Sigurisht, ekipi drejtues i PS veçanërisht në vitet 1992-2005, kishte disa kualitetete të cilëve këta profanët e sotëm të qeverisë Rama as nuk u afrohen. Pa dyshim kishte dhe ministra mediokër, por boshllëqet e tyre mbuloheshin me zëvendësit që vinin fill pas tyre. Krahasoni, për shembull, Prof. Maqo Lakrorin, i cili në vitin 1997 u emërua Sekretar Shteti për Integrimin me profanin kalama Gent Cakaj. Apo, krahasoni Prof. Kastriot Islamin me “tigrin” Arben Ahmetaj. Po shkencëtarin Prof. Ethem Ruka me kë ta krahasosh? Po shtetarin e klasit të lartë Ylli Bufi me kë ta krahasosh? Po Prof. Ermelinda Meksin me kë ta krahasosh? Prof. Meksin, për të cilën kam një respekt të veçantë, e kam konsideruar gjithmonë si dikush që mund ta drejtonte shumë mirë PS, apo të ushtronte me integritet, dinjitet e profesionalizëm funksionin e kryeministrit. Por Nanos i bënte punë Pandi, që mund ta vije e ta hiqje sa herë të ishte e nevojshme për kalkuluesin e Institutit të M-L drejtuar nga Nexhmije Hoxha… Shpresoj, që me sa thashë më lart, të kuptohet nga lexuesit se cila është diferenca mes qeverisë së Ramës sot, dhe qeverive të PS deri më 2005, jo për meritë të Nanos, por për shkak të përbërjes së ekipit drejtues të PS. Në vitin 2007, pas kompromisit që Rama bëri me Berishën, që ky i fundit t’i linte bashkinë e Tiranës, Rama arriti të marrë nën kontroll PS-në, me ndihmën e Gramoz Ruçit, duke e mashtruar Nanon me ëndrrën e presidentit. Këto ia kam thënë në sy Ramës, në fjalimin që mbajta në Kongresin e prillit 2007. Fjalimi është publik dhe i botuar në media. Sikurse dhe Nanos, ditën që u zhvillua kongresi, i dërgova mesazh në telefon ku shkruajta: “nëse nuk vjen sot të vësh ekuilibrat në parti dhe në Kongres, harroje se mund të bëhesh president!”…
– Z. Dedja, a mendoni se sot Fatos Nano përdoret politikisht nga Edi Rama për fushatën elektorale? Për interesa vetjake? Apo për të mirën e Partisë Socialiste?
T.D. – Fatos Nano si kalkulues profesionist vazhdon të bëjë kalkulimet e veta. Tani, pasi i “shkoi prapa historia”, është ai që “po i shkon prapa historisë”, sepse ende ëndërron të bëhet president. Historia ka ecur shumë përpara dhe ai e ka humbur atë “tren” tash 13 vjet, një herë e përgjithmonë. Meqë i është kthyer Biblës, shpresoj të pendohet për ca gjera. E mëshiroftë Zoti për çdo mëkat, nëse vërtet pendohet! Nuk e di a do ta falin socialistët dhe shqiptarët për mëkatet ndaj tyre…
– Ju z. Dedja jeni njohur dikur si mbështetës i Nanos… çfarë ka ndodhur?
T.D. – Se cila është përgjegjësia e Nanos në raport më Shqipërinë dhe me PS e shtjellova më lart dhe besoj kaq mjafton për të kuptuar pse kam reaguar parimisht si qytetar i vendit tim, krejt i lirë nga çdo detyrim dhe me ndërgjegje krejt të qetë, e sidomos pa asnjë lloj dëshire për t’iu rikthyer politikës. Kurrë më! Tani të kthehemi te pjesa personale. Dikush, me të drejtë mund të thotë sot, pse flet Taulant Dedja kështu kundër Fatos Nanos? Ai e bëri kështu e ashtu, ai e promovoi etj., etj. Ndofta në një moment tjetër do t’i përshkruaj më gjatë raportet e mia personale me të, raporte që kanë patur shumë ulje e ngritje. Ajo që dihet botërisht nga socialistët dhe jo vetëm, është fakti që unë kam qenë kundër rikthimit të tij në krye të PS në vitin 1999. I kam dale ballë për ballë dhe publikisht. Nuk i jam lutur as servilosur asnjëherë dhe ai më njeh mirë që nga viti 1984, kur më kishte student, njëlloj siç pati në të njëjtën shkollë dhe në të njejtën kohë student edhe Edvin Ramën. Pse ma njihte karakterin, ma kërkoi mua dhe askujt tjetër të shkoja në Tropojë si përfaqësues i Plotfuqishëm i qeverisë në kohën e krizës së refugjatëve nga Kosova në vitin 1998 (Edvin Rama me tha fjalët “të rroni vetë” një ditë para se të nisesha më 12 qershor 1998), sepse isha i pari përfaqësues i shtetit, që pati kurajon të shkonte atje pas katrahurës së vitit 1997 në tetor të njejtit vit. Po më 1997, me kërkesën e drejtpërdrejtë të Nanos, më është dashur të shkoj me helikopter, i vetëm, në cilësinë e anëtarit të KQZ, (sepse asnjë nga anëtarët e PD në KQZ nuk pranoi të vinte bashkë me mua) për të mbledhur në shumicën e territorit të Shqipërisë proces-verbalet e zgjedhjeve… Më pas më është dashur të shkoja në Sarandë, ku nuk funksiononte fare pushteti lokal, e në çdo qendër prefekture të Shqipërisë për t’i ulur bashkë drejtuesit lokalë që ishin nga PD me prefektët socialistë, në Lazarat kur nuk hynte dot as policia, në Kukës ku kishte konflikt për depon e Ujësjellësit në Kolesjan dhe s’merrte ujë qyteti, në Shkodër, kur u mor peng Prefekti Gëzim Podgorica e ku takova për herë të parë Jozefina Topallin… Janë ende gjallë ata që kanë qenë dëshmitarë të këtyre ngjarjeve. Janë si majtas, ashtu dhe djathtas. Unë me Fatos Nanon, jam konfliktuar vetëm për arsye parimore dhe e kam kundërshtuar në shumë e shumë raste. Në dorë e kishte të më hiqte, por nuk më hoqi Nuk e di çfarë ka kalkuluar… Sigurisht, që mes meje dhe Ramës në vitin 2000 do zgjidhte Ramën në krye të Bashkisë, se ish bërë me kohe plani i betonimit të Tiranës. Aq më tepër që edhe Athina nuk më kishte me sy të mirë, sepse isha konfliktuar me ca diplomatë të saj për hir të dinjitetit të Shqipërisë dhe reciprocitetit, histori që e kam rrëfyer publikisht. Madje, ku isha prefekt kam refuzuar edhe ofertën e Athinës zyrtare përmes Ambasadës greke në Tiranë për të shkuar me bursën e “Kokkalis Foundation” në John F. Kennedy School of Government, Harvard University. Ndërsa në përplasjet e mia parimore me Nanon, e theksoj, ka qenë ai që ka kërkuar paqe dhe më ka kërkuar ta mbështes në momentet kur i kthyen krahët ata që nga askushi i bëri dikushi. Nejse, këto janë sa çështje karakteri për disa, aq edhe kalkulimi drejt apo gabim, për disa të tjerë. Nuk besoj gjithsesi, që Nano ta mohojë se në vitin 2005 e detyruan 15,000 e ca firma të një peticioni të qytetarëve të Elbasanit, që të më rikandidonte deputet…
Foto : Nga fushata elektorale e vitit 2001 në Elbasan