Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vuri në dukje rëndësinë e respektimit, mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar këtë çështje si element kyç për stabilitetin e brendshëm dhe funksionimin e një shteti demokratik e gjithëpërfshirës.
KROACI- Delegacioni i Partisë Demokratike dhe i Partisë Republikane, kryesuar nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, zhvilluan një takim me Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, në kuadër të Forumit të Internacionales Demokratike të Qendrës (IDU), që po mbahet në Zagreb.
Biseda, e cilësuar nga të dyja palët si e hapur dhe konstruktive, u përqendrua në çështje me rëndësi strategjike për të dy vendet dhe për rajonin në tërësi. Palët shprehën bindjen e përbashkët se procesi i integrimit europian mbetet jetik për të ardhmen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. U theksua nevoja që të dy vendet të përparojnë me ritme të përshpejtuara, nëpërmjet përmbushjes së standardeve europiane dhe forcimit të shtetit të së drejtës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vuri në dukje rëndësinë e respektimit, mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar këtë çështje si element kyç për stabilitetin e brendshëm dhe funksionimin e një shteti demokratik e gjithëpërfshirës. Garantimi i barazisë reale, i përfaqësimit të drejtë dhe i zbatimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese u nënvizua si kusht thelbësor për bashkëjetesë të qëndrueshme dhe besim ndërkombetar mes komuniteteve.
Palët i kushtuan një vëmendje të veçantë thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare. Në qendër të diskutimit u vendos Korridori 8, i konsideruar si një arterje infrastrukturore strategjike për lidhjen e rajonit me tregjet europiane, me potencial të lartë për nxitjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të punës.
Delegacionet diskutuan gjithashtu për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha si energjia, infrastruktura dhe siguria rajonale, si dhe koordinimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare. U theksua se një bashkërendim më i ngushtë mes dy vendeve është i domosdoshëm për përballimin e sfidave të përbashkëta.
Partia Demokratike dhe Partia Republikane rikonfirmuan angazhimin e tyre për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri–Maqedoni e Veriut dhe mbështetjen e çdo iniciative që kontribuon në paqe, stabilitet dhe integrim europian të rajonit./Dosja.al