Në kuadër të vizitës shtetërore në Konfederatën Helvetike, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, zhvilloi një takim të veçantë me mërgatën shqiptare në Gjenevë.


Ky takim u mundësua nga shoqatat joqeveritare “Smira” dhe “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”.
Presidentja Osmani-Sadriu ishte e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, z. Prindon Sadriu, si dhe këshilltarja e saj, znj. Donika Kada-Bujupi.

Në delegacionin zyrtar të Republikës së Kosovës merrnin pjesë edhe kryetarët e tri komunave: z. Xhafer Gashi (Kastriot),z. Ramiz Lladrovci (Drenas), dhe z. Qemajl Aliu (Shtime).
Të pranishëm në këtë takim me bashkatdhetarët tanë ishin edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, z. Mentor Latifi, dhe Konsullja e Përgjithshme në Gjenevë, znj. Floreta Kabashi.
Takimi u mbajt në Sallën e Festave të Komunës Vernier të Gjenevës, e cila ishte e tejmbushur me bashkatdhetarë që kishin ardhur për të përshëndetur Presidenten Osmani.
Në fjalën e saj, Presidentja Osmani falënderoi përzemërsisht për mikpritjen dhe vlerësoi lart pritjen dinjitoze që iu bë nga homologia e saj zvicerane, znj. Karin Keller-Sutter, aktualisht Presidente e Konfederatës së Zvicrës për vitin 2025.

Që në fjalët e para, zonja Osmani theksoi kontributin e jashtëzakonshme të mërgatës shqiptare në Zvicër, si gjatë kohës së luftës, ashtu edhe në periudhën e pasluftës, duke e cilësuar këtë ndihmë të pazëvendësueshme.
Kurse, miqësinë me Zvicrën, zonja Osmani e quajti ” miqësi të shenjtë”, e cila duhet ruajtur dhe thelluar në të gjitha fushat, pasi që Zvicra, ka qenë dhe mbetet ndër përkrahëset më të fuqishme të shtetit të Kosovës.
Këtë takim të përzemërt me mërgimtarët tanë në Gjenevë e pasuroi edhe paraqitja e grupeve kulturore dhe artistike nga Nyoni dhe Gjeneva, të cilat sollën para të pranishmëve tingujt dhe ngjyrat e trashëgimisë sonë kombëtare.
Ngjarja u moderua nga znj. Linda Rexha Maliqi, ndërsa me fjalë përshëndetëse Presidentes Vjosa Osmani iu drejtuan z. Ramadan Rrahmani, kryetar i Shoqatës “Smira” dhe z. Nasuf Nuhiu, kryetar i Shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”. Ata me këtë rast prezantuan edhe aktivitetin e këtyre dy shoqatave.
Në fund të takimit, Presidentes Osmani iu dorëzua, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti:
Emblema e gravuar në kristal e Shoqatës “Smira”, dhe
libri “Në kërkim të idesë” i autorit Ali Sh. Mehmeti.

Ngrohtësinë e kësaj ngjarjeje e shtuan edhe fëmijët shqiptarë të veshur me kostume kombëtare, të cilët e pritën dhe e përcollën Presidenten Vjosa Osmani dhe ekipin e saj me tufa lulesh, duke krijuar një atmosferë mjaft mbresëlënëse.
Ndërkaq, për mbarëvajtjen dhe sigurinë e lartë të këtij aktiviteti u përkujdesën Policia Kantonale e Gjenevës dhe ajo e Bernës, të cilat siguruan një ambient të qetë dhe të dinjitetshëm për të gjithë pjesëmarrësit.
Lexues të nderuar si shtojcë të këtyre rreshtave do të gjeni edhe pamje nga kjo ngjarje e rëndësishme.

ARIF EJUPI
Gjenevë, 22 maj 2025


