VOAL

VOAL

Tahir Muhedini: Pse PDIU po kërkon Ministrinë e re të Diasporës (Intervistë)

November 4, 2015
blank

Komentet

blank

Parada me makina luksoze dhe fishekzjarrë- Mijëra shqiptarë ‘zbarkuan’ në rrugët e Londrës për të festuar Pavarësinë, disa të arrestuar

Teksa mijëra shqiptarë zbarkuan në rrugët e Londrës Qendrore për të festuar ditën e Pavarësisë, duke hedhur fishekzjarrë dhe shishe, disa prej tyre janë arrestuar nga policia. Rrugët rreth Westminsterit u bllokuan nga turma që valëvitnin flamuj shqiptarë dhe ndiznin fishekzjarrë, me Audi, Mercedes dhe makina sportive të konvertueshme duke u parë duke lëvizur në trotuar dhe duke i rënë borive.

Daily Mail shkruan se disa njerëz u panë duke valëvitur flamuj teksa qëndronin nëpër çatitë e automjeteve në lëvizje, ndërsa qarkullimi i rregullt në përpjekje për të kaluar nëpër kryeqytet u ndal pasi tubimi shkaktoi mbylljen e rrugëve.

Policia Metropolitane konfirmoi se arrestoi shumë njerëz pasi disa njerëz hodhën fishekzjarrë drejt turmës, ndërsa të tjerë dyshohet se hodhën shishe drejt oficerëve. Policia lëshoi një urdhër shpërndarjeje në rrugët e Londrës qendrore, duke u dhënë oficerëve më shumë fuqi për t’i detyruar njerëzit të largohen nga zona ose t’i ndalojnë nëse refuzojnë.

Policia më vonë vlerësoi se ‘rreth 1000 njerëz’ ishin mbledhur në rrugën Belvedere për të marrë pjesë në këtë tubim si pjesë e demonstratës, me mbylljen e rrugës midis York Road dhe Concert Hall Approach.bw

blank

Shqiptarë nga gjithë bota mblidhen në Paradën kuqezi

Jetmira Delia-Kaci

Shqiptarë nga gjithë bota parakaluan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Me nismën e shoqatës “Rrënjët shqiptare”, me seli në SHBA, Parada kuqezi – me këngë e valle të trashëguara brez pas brezi – u organizua për herë të parë në kryeqytetin shqiptar.

Bora Zukali, i lindur në Turqi, por me prejardhje shqiptare, ishte në mesin e mijëra të pranishmëve.

“Në çdo festë, ne, shqiptarët e Stambollit, mblidhemi së bashku, në mënyrë që fëmijëve dhe brezave që vijnë t’ua lëmë këtë trashëgimi të madhe – gjuhën, traditat, zakonet tona”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Bora Zukali, shqiptar i lindur në Stamboll.

Bora Zukali, shqiptar i lindur në Stamboll.

Me një shqipe të pastër, ai tregoi se familja e tij është vendosur në Turqi nga viti 1952. Tha se, viteve të fundit, e viziton shpesh Shqipërinë dhe se një ditë mendon të jetojë aty.

“Këtë e kam diskutuar në familje… Do të duhet të presim edhe pak sa të më rriten fëmijët që duan të studiojnë në vende të ndryshme evropiane dhe dua të kthehem”, tha Zukali, kryetar i shoqatës “Vatra” në Turqi.

Pamje nga parakalimi në tiranë.

Pamje nga parakalimi në tiranë.

Paradës i priu “Skënderbeu” – një i ri nga Tirana, i veshur si heroi kombëtar i Shqipërisë.

“Është krenari që unë performoj me këtë përkrenare të Skënderbeut, i cili ishte ndër të parët që e ngriti flamurin”, u shpreh Shkëlzen Brahaj.

Shkëlzen Braha i veshur si heroi kombëtar, Skënderbeu.

Shkëlzen Braha i veshur si heroi kombëtar, Skënderbeu.

Në Paradë parakaluan grupe nga SHBA-ja, Australia dhe mbarë diaspora shqiptare.

Të pranishëm ishin edhe rreth 180 arbëreshë të Italisë, që me shekuj kanë ruajtur gjuhën dhe traditat shqiptare.

“Është shumë emocionuese të jem sot këtu. Kam dashur gjithnjë ta vizitoj Shqipërinë, për të cilën kemi dëgjuar aq shumë nga të parët tanë… Na kanë mësuar arbërisht, na kanë mësuar zakonet… Festat kombëtare i kemi festuar gjithmonë”, tha arbëreshi Michele Cangale.

Arbëreshi Michele Cangale duke festuar 28 Nëntorin në Tiranë.

Arbëreshi Michele Cangale duke festuar 28 Nëntorin në Tiranë.

Mes grupit të arbëreshëve ishte edhe Nikoleta Panajoti.

“Jetoj në Krotone, në Kalabri, prej 30 vjetësh. Atje ka një dëshirë të madhe për të ruajtur gjuhën dhe traditat [shqiptare]. Unë punoj atje me fëmijët pikërisht për këtë qëllim – për t’ua mësuar gjuhën, këngët, vallet… Atje ruhen gatimet e hershme, edhe meshat mbahen në gjuhën arbëreshe. Është emocion të kthehem në Tiranë, por sigurisht jetën tashmë e kam ndërtuar atje”, tha Panajoti.

Nikoleta Panajoti.

Nikoleta Panajoti.

Mbi 150 grupe në paradë ishin nga trevat shqiptare në rajonin e Ballkanit.

Bedrana Duka tash e 25 vjet jeton në SHBA. Ajo ka shkuar atje në moshën 17-vjeçare nga Maqedonia e Veriut.

“Është bukur të mblidhemi të gjithë shqiptarët, sepse i dimë sakrificat që kanë bërë të parët tanë. Kemi mësuar fshehtas historinë tonë në bankat e shkollave në Maqedoninë e Veriut. Ndaj, kisha dëshirë t’i sillja fëmijët këtu. Jetojmë në Nju Jork, fëmijëve ua trashëgojmë gjuhën dhe traditat. Krejt gatimet i kemi tradicionale…”, rrëfeu Duka.

Bedrana Duka nga Maqedonia e Veriut dhe jeton në SHBA, duke festuar 28 Nëntorin në Tiranë.

Bedrana Duka nga Maqedonia e Veriut dhe jeton në SHBA, duke festuar 28 Nëntorin në Tiranë.

Këtë 28 nëntor u shënua 111-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, e cilësoi atë si festën më të bukur të të gjithë shqiptarëve.

“Sot jemi shtet i pavarur në sajë të mençurisë, guximit dhe vendosmërisë së patriotëve shqiptarë 111 vjet më parë, në emër të dashurisë për atdheun dhe kombin, në emër të dashurisë për këtë flamur, në emër të lirisë”, shkroi Begaj në llogarinë e tij në Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se 28 Nëntori u kujton të gjithë shqiptarëve “çmimin e lartë për lirinë”.

Shqiptarë nga gjithë bota parakaluan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për nder të 28 Nëntorit - Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Shqiptarë nga gjithë bota parakaluan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
blank

VIDEO- Fjala e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Samitin III të Diasporës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar fotot nga Samiti III i Diasporës që u mbajt në Tiranë me shënimin: “Shqiptarë nga të gjitha anët, me një mesazh të përbashkët: sukseset tona mbajnë vulën e mërgatës sonë!”

Në vijim, fjalimi i plotë i Presidentes Osmani.

I nderuar president Begaj, i nderuar kryeministër Rama, e nderuar kryetare e Kuvendit znj. Nikolla, i nderuar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z.Talat Xhaferi, Zëvendëskryeministra, ministra e përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Presheva, Medvegja, Bujanoci e treva të tjera shqiptare,t ë dashur vëllezër e motra,

Mërgata jonë është sublimim i përpjekjeve të gjata e të kahershme për liri, për pavarësi dhe për shtetndërtim.

Prandaj, jam jashtëzakonisht e nderuar që jam sot këtu në Tiranë, në qytetin, i cili na mbledhë zakonisht ne shqiptarëve kudo që jemi, aq më tepër në Samitin që I dedikohet mërgatës sonë, e cila vazhdon të jetë një katalizator i ndryshimit pozitiv kudo që jetojnë shqiptarët.

Mërgata shqiptare është simbol i qëndrueshmërisë, i forcës dhe shpirtit të palëkundur të popullit e të kombit tonë.

Gjatë historisë, shqiptarët, pa dëshirën e tyre, janë shpërndarë në mbarë globin, por gjithnjë duke mbajtur trashëgiminë tonë të pasur kulturore, traditat dhe identitetin e paepur shqiptar.

Nga ky cep i Evropës e deri në kontinentet më të largëta, shqiptarët kanë lënë gjurmë, duke u integruar e arritur suksese në shtetet në të cilat emigruan, por gjithnjë duke ruajtur themelet dhe rrënjët e tyre.

Mërgata jonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në secilin shtet ku jeton dhe vepron, duke kontribuar me aftësitë, njohuritë dhe përkushtimin e palëkundur të punës në fushat e ndryshme.

Pavarësisht sfidave me të cilat është përballur, mërgata shqiptare ka mbetur thellësisht e lidhur me atdheun, duke i mbetur besnike rrënjëve.

Fati historik e treti nëpër botë një pjesë të njerëzve tanë, por lidhja e fuqishme me vendin e origjinës, respekti ndaj traditës, bëri që ata asnjëherë mos t’ia kthejnë shpinën atdheut, duke u bërë ura më e fuqishme lidhëse e shteteve tona me botën.

Nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja e Bujanoci, mërgata jonë është një!

Përderisa jemi mbledhur sot të gjithë këtu mos të harrojmë se vëllezërit dhe motrat tona në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc akoma përballen me diskriminim sistematik që rezulton edhe me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Si gjithnjë, u themi edhe sot ju nuk jeni vetëm! Të gjithë jemi bashkë me ju, të gjithë jemi bashkë me ju në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Prandaj, edhe në këtë kauzë, në këtë kauzë për mbrojtjen e tyre duhet dhe do të jemi një.

Roli historik i mërgatës shqiptare është i jashtëzakonshëm. Përgjatë kohërave sfiduese, ata ishin dhe janë ambasadorë të kulturës sonë, avokatë dhe avokues të kauzave tona dhe përkrahës të vendosur të aspiratave tona kombëtare. Mërgata shqiptare, padyshim është shtylla e lëvizjes kombëtare për liri, e për pavarësi të shqiptarëve.

Solidariteti dhe mbështetja e tyre e palëkundur kanë qenë burim force për ne në rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë e demokracisë por edhe drejt fuqizimit të shtetndërtimit e prosperitetit të popullit tonë.

Në vitet e tetëdhjeta e nëntëdhjeta mërgata jonë ishte zëri ynë në të gjitha qendrat e vendimmarrjes, nga Uashingtoni në Bruksel, nga Berlini në Paris, e në Romë e në shumë vende të tjera. Ishte zëri i fuqishëm i një populli të shtypur që synonte dhe luftonte për lirinë. Ishte mërgata jonë ajo që qëndroi në ballë të qëndresës sonë, luftës për mbijetesë dhe luftës për shtet të pavarur e sovran.

Por mbështetja e mërgatës nuk u ndal me kaq. Kontributi i saj prej dekadash e ka shndërruar atë edhe në një krah të fortë ekonomik të familjeve dhe shtetit të Kosovës.
Ky angazhim nuk u ndërpre asnjëherë.

Falë kontributit të mërgatës sonë u arrit të mbahej gjallë edhe sistemi paralel i arsimit, shëndetësisë dhe kulturës në vitet e nëntëdhjeta, në një kohë kur populli shqiptar në Kosovë po rrezikohej nga shfarosja.

Kjo mërgatë, mbi të gjitha bëri të mundur mbajtjen gjallë të idesë politike për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, ngase secili mërgimtar, në fakt ishte një ambasador i Kosovës në përhapjen e të vërtetës dhe mbrojtjen e të drejtës sonë për liri e pavarësi.

Rrugëtimi i tyre është një me fatin e vendit, ndaj më 1997, kur lufta për lirinë e Kosovës mori hov, shumë të rinj e të reja nga mërgata iu bashkuan varganit të lirisë, duke u mobilizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si mbrojtës të vendit tonë.

Në këtë mënyrë, mërgata jonë nuk e luajti vetëm rolin mbështetës për Kosovën, por u bë hisedare kryesore në procesin e lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.

Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Agim Ramadani, Sali Çekaj, ushtarët e batalionit Atlantiku, e shumë e shumë të tjerë, janë vetëm disa, vetëm disa nga heronjtë tanë, të cilët ranë në altarin e lirisë, duke qenë së pari aktivistë të çështjes kombëtare, si mërgatë në vendet ku jetuan dhe vepruan.

Por, nuk janë vetëm individët, ka edhe shumë shoqata, të cilat grumbullojnë shqiptarët në mërgatë e që kanë bërë punë të jashtëzakonshme, qoftë ne mesin e shqiptarëve të Amerikës, pastaj në Zvicër, Gjermani, Mbretëri të Bashkuar, e në shumë e shumë shtete të tjera të Evropës e të botës. Por, asgjë ndoshta nuk dëshmon më shumë lidhjen e fortë me rrënjët se sa arbëreshët tanë, të cilët ruajtën gjuhën e traditën për shekuj të tërë.

Pra, kontributi i mërgatës shqiptare në zhvillimin e atdheut është i pamatshëm.

Sot, nëpërmjet remitancave, investimeve, filantropisë dhe shkëmbimit të njohurive, mërgata jonë vazhdon të marrë pjesë aktive në përparimin ekonomik, social e kulturor të vendeve tona. Ata nuk janë vetëm qytetarë që jetojnë në dhe të huaj, por përbëjnë potencial të rëndësishëm për transformimin e shteteve tona nëpërmjet përvojës dhe ekspertizës së tyre.

Mërgata luan rol të rëndësishëm si agjente e ndryshimit dhe avokuese për zhvillim. Përvojat e tyre krijojnë një perspektivë unike për qeverisjen, çështjet sociale dhe politikat tona.

Në fakt, imazhi më i mirë i Kosovës janë pikërisht mërgata jonë. Njerëz punëtorë, atdhetarë që busullë orientimi e kanë vendin e tyre të prejardhjes, atdheun e tyre.
Sot, kemi shumë arsye të krenohemi si shqiptarë, sepse shumë figura nga mërgata jonë janë shndërruar në referenca botërore. Nga Dua Lipa, krenaria e vendit tonë e deri të Rita Ora e artistë të tjerë të mëdhenj, na kanë bërë vazhdimisht krenarë. Nga zëri magjik i Elbenita Kajtazit e Ramë Lahajt e deri te futbollistët tanë në ekipe të ndryshme botërore si Xhaka, Shaqiri, Muriqi, e shumë e shumë të tjerë, futbollistja jonë kampione Kosovare Asllani e shumë e shumë të tjerë në sporte të ndryshme…pavarësisht se ku kanë luajtur apo performuar, zemrat tona gjithnjë rrahin një me të tyret.

Të nderuar të pranishëm,

Mërgata jonë me shumë nisma ka dëshmuar shpirtin kreativ, duke themeluar, udhëhequr biznese, por edhe duke bartur mbi supe përgjegjësi në sferën e politikës dhe diplomacisë.

Mbështetja ekonomike që marrim nga mërgata është përcaktuese edhe për qëndrueshmërinë tonë ekonomike. Të dhënat nga Banka Qendrore e Kosovës tregojnë se trendi i remitencave për Kosovën vazhdon të rritet çdo vit. Pavarësisht kësaj të mire nga mërgata, ajo nuk është vetëm kontribut material për vendin. Është frymëzim, është frymëzim dhe përpjekje për një Kosovë më të mirë!

Shteti i Kosovës ka krijuar kushte të favorshme për investime nga mërgata, ndaj është me rëndësi që përvojën dhe kapitalin e tyre të mund ta investojnë edhe në atdheun e tyre. E me ndryshimet e fundit që i kemi bërë në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, mërgata jonë më në fund do të ketë të drejtën të votojë edhe në ambasadat e konsullatat tona aty ku ata jetojnë. Duke njohur rolin e jashtëzakonshëm të mërgatës sonë edhe në demokratizimin e vendit tonë, realizimi sa më i lehtë e të drejtës në votë është esencial.

Prandaj, bashkërisht e çdo ditë secili prej nesh në mënyrën e tonë do ta bëjmë të mundshme një mjedis ku mërgata është jo vetëm e vlerësuar, por edhe e fuqizuar për të kontribuar edhe më tej në zhvillimin e shteteve tona.

Mërgatë e dashur, faleminderit për përkushtimin tuaj të palëkundur, faleminderit për përpjekjet tuaja të palodhura e mbi të gjitha për dashurinë e pakusht ndaj atdheut! Ndoshta nuk ua themi mjaftueshëm, por ne e kuptojmë mallin tuaj dhe sakrificën e gjithsecilit prej jush. Ne kurrë nuk do të ishim këtu ku jemi, sikur mos të ishit ju dhe mbështetja juaj.

Shteti i Kosovës, ëndrra e kamotshme e shumë brezave, mban edhe vulën tuaj!

Ju faleminderit!

blank

Projektligji- Emigrantët që s’deklarojnë adresën e banimit brenda 6 muajve, nuk do të përfitojnë shërbime të gjendjes civile

Emigrantët me qëndrim të rregullt të pajisur me leje qëndrimi apo të pajisur me shtetësi të huaj që nuk deklarojnë adresën e banimit nuk do të përfitojnë shërbim nga gjendja civile.

Afati për deklarimin e të gjitha adresave të banesave në pronësi të tyre, duke përcaktuar vendbanimin e tij vendbanimin e tij është deri 6 muaj pas hyrjeve në fuqi të ndryshimeve ligjore. Ndryshimet janë propozuar nga Ministria e Brendshme në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile”, të ndryshuar”” i publikuar te konsultimet publike.

Në relacion theksohet se ndryshimet rregullojnë procedurat dhe zgjidhin problematikën me deklarimin e rremë të regjistrimeve fillestare të emigrantëve në Shqipëri në kundërshtim me ligjin e vendeve të huaja.

Në fokus të ndryshimeve ligjore do të jetë edhe përmirësimi i një sërë procedurash të tjera të lidhura me gjendjen civile, si dokumentimi i lindjes së fëmijës, (këtu i referohen fëmijëve që lindin të vdekur), si dhe të proceduarve mëtejshme që duhet të ndjekin nëpunësit e gjendjes civile në bashki / njësi administrative gjatë lidhjes së martesës, si dhe për veprimet nga shërbimet konsullore.

Për sa i përket deklarimit të vendbanimit në nenin 4, të projektligjit parashikohet ndryshimi i dispozitës për nenin 14 të ligjit “Deklarimi i vendbanimit”, ku shprehimisht parashikohet detyrimi i shtetasve për deklarimin e adresës së çdo banese që kanë në pronësi brenda ose jashtë vendit, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e ligjit duke zgjedhur ndër to vendbanimin e tij.

Sipas këtij formulimi përcaktohet detyrimi i shtetasve për deklarimin e të gjitha adresave të banesave në pronësi të tyre, për të cilat duhet të përcaktojë vendbanimin e tij.

Sipas pikës 2 të dispozitës së propozuar përcaktohet se shërbimi i gjendjes civile do të ofrohet për shtetasit pasi të respektojnë detyrimin e mësipërm, duke parashikuar si kusht detyrimin për të deklaruar adresën e çdo banese në pronësi të tyre sipas ligjit për adresat.

Regjistrimi fillestar i vendbanimit sipas nenit 5 të projektligjit do të bëhet në zyrën e gjendjes civile të njësisë administrative që ka në juridiksion territorial banesën e deklaruar si vendbanim, duke përcaktuar njëkohësisht se shtetasi nuk mund të deklarojë më shumë se një vendbanim.

“Ky proces, i parashikuar për t’u kontrolluar më mirë i shërben zgjidhjes së problematikave të evidentuara për çështjet e adresave të shtetasve, që në raste të caktuara mund të rezultojnë të pavërteta, duke mos pasqyruar lidhjen reale të individit me territorin ku i ofrohen shërbimet publike, të cilat në vijimësi njoftojnë zyrën e gjendjes civile nëse konstatohet mosplotësim i standardeve dhe deklarim i rremë. Në vijimësi zyrat e gjendjes civile në bashki / njësi administrative vijojnë me refuzimin e kërkesës së shtetasit sipas arsyetimit përkatës”, theksohet në relacion.

Projektligji parashikon se do të jetë ministri që mbulon shërbimin e gjendjes civile për të nxjerrë mënyrën e aplikimit, rregullat për ndryshimin e vendbanimit dhe mënyrën e administrimit të dokumentacionit./Monitor

blank

Evakuohen nga Gaza nëna shqiptare me 4 fëmijët e saj, ministri Hasani: Vijojmë procedurat për kthimin e tyre në Shqipëri

Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani ka bërë me dije se janë evakuuar nga Gaza 5 shqiptarët e parë, nëna me 4 fëmijët e saj.

Në një reagim në platformën X, ai bën me dije se aktualisht ata ndodhen në Egjipt, dhe se po kryhen procedurat që kthimin e tyre në Shqipëri.

Ministri Igli Hasani në platformën X:

Pas tre javësh përpjekjesh e vështirësish, më në fund shtetasit e parë shqiptarë, një nënë dhe 4 fëmijët e saj të mitur, sapo lanë territorin e Gazës.

Ata ndodhen tashmë të sigurt në Egjipt, ndërsa vijojmë proçedurat për kthimin e tyre sa më të shpejtë në Shqipëri.

Mirënjohje për autoritetet e Izraelit dhe Egjiptit për bashkëpunimin, për mbështetjen si dhe kolegëve të ambasadave shqiptare në Izrael dhe Egjipt për punën e mirë në këtë situatë e operacion kompleks.

Po punojmë ngushtë me autoritetet për kthimin e shpejtë e të sigurt të shtetasve të tjerë shqiptarë që ndodhen në Gaza.bw

blank

Shqiptaro-izraelitja Felicita Jakoel përshkruan jetën në Izrael pas sulmit të Hamasit

VOA/Keida Kostreci

Sulmi i pashembullt i Hamasit, më i rëndi ndonjëherë për shtetin e Izraelit, ka ndryshuar rrënjësisht jetën e banorëve të vendit. Rreziku i vazhdueshëm nga goditjet dhe gjendja e luftës e shpallur si kundërpërgjigje, ndikon tek çdo qytetar që kanë humbur çdo ndjesi sigurie. Zëri i Amerikës bisedoi për situatën e krijuar në një intervistë të drejpërdrejtë me qytetaren nga Tel Avivi, shqiptaro-izraeliten Felicita Jakoel, e cila është edhe kryetare e shoqatës së miqësisë Izrael-Shqipëri. Zonja Jakoel tha se në 30 vjet që jeton në Izrael, që kur u largua nga Shqipëria, kjo është situata më e rëndë në vend. Vetëm një orë para intervistës, në Tel Aviv kishin rënë sirenat dhe ajo si edhe të gjithë banorët e tjerë, kishin hyrë në dhomat e sigurisë, ku kishte dëgjuar një shpërthim të fuqishëm.

Zëri i Amerikës: Për të folur mbi situatën e krijuar, jemi lidhur drejtpërdrejt nga Tel Avivi me qytetaren shqiptaro-izraelite, Felicita Jakoel, e cila është edhe kryetare e shoqatës së miqësisë Izrael – Shqipëri. Zonja Jakoel, u bë një javë nga sulmi i Hamasit. A mund të na përshkruani ndjesitë tuaja, si një qytetare izraelite që nga ajo ditë?

Felicita Jakoel: Për mua dhe për gjithë izraelitët ajo ditë dhe gjithë java janë jashtëzakonisht të vështira. Por dita e parë dhe e dytë ishin një surprizë, një traumë, një gjendje që nuk e besonim se po e jetonim në realitet, dhe të gjithëve na dukej se po jetonim në një film horror. Gjithë vendi qe në një traumë të jashtëzakonshme, por pas dy a tre ditësh, ashtu siç ndodh edhe me qeniet njerëzore, njerëzit filluan ta marrin veten, vendi filloi ta marrë veten, shteti filloi ta marrë veten dhe tani është krijuar një unanimitet dhe një gatishmëri, që të gjithë bashkë të mundohemi ta kalojmë këtë periudhë, që për mua, që kam 30 vjet që jetoj në Izrael, është padyshim periudha më e vështirë. Izraeli nuk është një vend i lehtë. Kemi kaluar në këto 30 vjet shumë ngjarje dramatike dhe tragjike, por pa shumë diskutim, kjo është ngjarja më e rëndë.

Zëri i Amerikës: Zonja Jakoel, a mund ta përshkruani gjendjen në Tel Aviv, që megjithëse më në distancë nga kufiri jugor, është vënë gjithashtu në shënjestër nga Hamasi?

Felicita Jakoel: Po. Para një ore isha këtu në sallon dhe papritur dëgjova sirenën, dhe menjëherë u ngrita, ashtu si gjithë të tjerët dhe u futa në dhomën e sigurisë, dhe pastaj u dëgjua një shpërthim, që ishte jashtëzakonisht afër. Dukej sikur ishte mbi kokën tonë, aq afër u dëgjua. Ishte një raketë nga Gaza, por edhe me këtë jemi mësuar. Këtu kemi edhe kupolën e hekurt, e cila deri sot ka shpëtuar me mijëra e mijëra jetë njerëzore. Gjendja është shumë e nderë. Dy tre ditët e para çdo gjë ishte mbyllur, të gjithë ishin në shtëpi, nuk kishte njerëz, nuk kishte makina, nuk dëgjoje zëra fëmijësh. Tani këtu në qendër sikur është çliruar pak gjendja: janë hapur disa kafene, njerëzit dalin, por megjithatë të gjithë jemi të kujdesshëm sepse e dimë se gjendja mund të keqësohet.

Zëri i Amerikës: Zonja Jakoel, përmasat e humbjeve njerëzore po sjellin krahasime me kapitujt më të dhimbshëm të historisë së popullit hebre, madje edhe me Holokaustin. Çfarë do të thotë kjo për ju dhe për shoqërinë atje nga pikëpamja emocionale dhe psikologjike?

Felicita Jakoel: Në Izrael Dita e Holokaustit përkujtohet si edhe në gjithë botën, por këtu ajo ditë kujtohet me kujtimet e njerëzve, që i kanë kaluar ato gjëra. Këto ngjarje janë aq të dhimbshme dhe aq traumatike sa që, më besoni, unë çdo vit i them vetes sivjet nuk do ta hap televizorin as do të dëgjoj radion. Por është e pamundur, sepse Holokausti është pjesë e ADN-së së këtij populli. Këto ditë, pa dëgjuar median, por vetëm duke dëgjuar historitë e atyre që i mbijetuan kësaj masakre, në mënyrë të natyrshme të vijnë reminishencat e Holokaustit. Pamje të tmerrshme, historira të patregueshme, gazetarë që qajnë duke folur me të shpëtuarit, ose duke parë gjendjen e atyre fshatrave të shkatërruara, me kufomat e masakruara. Veç të tjerave janë marrë robër në Gaza dhe nuk dihet tani se ç’bëhet me ta. Të gjithë këto janë si rikthimi i një traume jashëzakonisht të thellë dhe të rëndë për popullin hebre.

Zëri i Amerikës: Zonja Jakoel, Izraeli u kundërpërgjigj me goditje ajrore dhe ka bërë thirrje për largimin e banorëve nga Gaza në pritje të një sulmi tokësor. Si iu përgjigjeni shqetësimeve për pasojat ndërmjet civilëve palestinezë, të cilat po shprehen edhe nga ata që mendojnë me forcë që Izraeli ka të drejtën të kundërpërgjigjet ndaj këtyre sulmeve?

Felicita Jakoel: Gjendja e Izraelit eshte e pashpresë. Është një vend i rrethuar, tani kemi paqe me Egjiptin dhe me Jordaninë, por në veri kemi Hezbollah, në kufi afër nesh është Hamasi, një organizatë terroriste, që të gjithë e krahasojnë me ISIS-in dhe që është e financuar dhe e mbështetur nga Irani. Të gjithë ne ishim në shpresë në këtë periudhë për disa arsye. E para: Shumë punonjës nga Gaza vinin çdo ditë dhe punonin në Izrael, nxirrnin bukën e gojës dhe ktheheshin në familjet e tyre në darkë, dhe kjo ndihmonte në përmirësimin e gjendjes së tyre ekonomike. Nga ana tjetër, kishim shumë shpresë se me ndërhyrjen e presidentit Biden, edhe Arabia Saudite do të arrinte në një marrëveshje me Izraelin që pa diskutim do të sillte edhe lehtësime edhe për popullsinë palestineze. Në fakt, kishte filluar një proces paqeje. Ashtu si filloi procesi i paqes në Oslo dhe u shkatërrua nga Hamasi pas vdekjes së J. Rabinit, me autobusat që u hodhën në erë në Tel Aviv, Jeruzalem dhe kështu me radhë, të njëjtën gjë po bën Hamasi tani. Kemi përballë një rrip të ngushtë, ku jetojnë 2 milionë banorë, që unë besoj se shumë prej tyre janë të pafajshëm, por nëntoka është krejt e militarizuar nga Hamasi. Nga dalin këto raketa? Nga vijnë gjithë këto municione që ende ne nuk e besojme si kanë hyrë atje? Atje ka një qytet me labirinte të nëndheshme, të cilat duam apo nuk duam, duhen shkatërruar, se përndryshe kjo gjendje do të kthehet përsëri. Izraeli ka paralajmëruar popullsinë civile të spostohet në mënyrë që të bëhet shkatërrimi i këtij militarizimi. Këtu kam një gjë për të shtuar. A iu kujtohet kur ndodhi Kosova? Çfarë bëri Shqipëria? Hapi dyert për të pranuar kosovarët që vinin nga lufta për t’u strehuar në Shqipëri. Çfarë po bën Egjipti sot, miku i ngushtë i palestinezëve? Po mbyll kufirin. Kjo është e palejueshme. Në vend që të hapë kufirin dhe të krijojë kampe refugjatësh, të cilët jam e sigurtë se do të ndihmoheshin nga e gjithë bota, ai po i mbyll palestinezët në një burg akoma më të ngushtë dhe kjo e bën situatën akoma më të vështirë. Problemi nuk është vetëm: Ne dhe Hamasi. Problemi është: Ne dhe Irani. Dhe Irani është një armiqtë më të rrezikshëm sot jo vetëm për Izraelin, por edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë Europën. Prandaj, problemet duhen parë në sy më të gjerë. Unë si person i përkas të majtës së Izraelit, që mendojmë se duhet të ketë një shtet palestinez, ku ata të jetojnë në paqe dhe siguri, siç jetojmë dhe ne. Por kemi ardhur në një pikë, që kemi të bëjmë me një organizatë të pashpirt, brutale, të skajshme dhe fanatike.

Zëri i Amerikës: Zonja Jakoel, ju falemnderit shumë për perspektivën tuaj…

Felicita Jakoel: Fola me pasion, por duhet ta kuptoni, që gjendja këtu është shumë e vështirë. Izraeli këto ditë është në zi. Ne jemi duke qarë vajzat dhe djemtë, që janë vrarë këto ditë të tmerrshme.

blank

UGSHPD – AGJENCIA TELEGRAFIKE SHQIPTARE SI FRIEND I RAMËS NË FACEBOOK. NJË MAKINË E PROPAGANDËS SHTETËRORE

A është kryeministri i vendit Rama një ndikues dhe promovues i natyrës së Shqipërisë që e ka hobi kapjen e peizazheve me kameran tij si artist, apo është Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) një institucion zyrtar informacioni që gërmon pusin e tharë të qeverisë për të treguar se burimi nuk ka shterur?

Aspektin e njëanshmërisë dhe mungesën e pasqyrimit me profesionalizëm të realitetit Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës e sheh si një frymë kërcënuese që sot ushtrohet mbi median e lirë nga pushteti një partiak.

Janë me dhjetëra rastet kur “selfiet” e kryeministrit dhe të ministrave të kabinetit të tij shkrepen, u vendosen “diçitura” dhe postohen në rrjete sociale dhe kryesisht në Facebook a thua se kabineti ka shpallur ndonjë konkurs pranimi për punën më të mirë artistike dhe domethënien e mesazhit se sa shumë po zhvillohet vendi në çdo skaj.

Ndjen keqardhje për këtë amatorizëm të drejtimit të shtetit ku duket se edhe punët e zyrës ua zgjidh Facebook-u.

Rastet e përsëritura kulmuan sot ku në katër formate të përsëritura ATSH realizon prodhimin e lajmit qeveritar;

(shabllonet nga ATSH)

“Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video informuese mbi ”

“Në videon e publikuar nga kreu i qeverisë fjalët i kanë lënë vendin pamjeve, të cilat ofrojnë magjinë e ngjyrave të perëndimit”

 

“ Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një fotografi të veçantë, ku Berati promovohet në trenat e qytetit të Hamburgut në Gjermani”.

4- “Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale, pamje mbresëlënëse nga kodrat me ullinj në fshatin Dushk të Lushnjës, të cilat i cilësoi si ‘kodrat e jetës’.”

Të katër “lajmet” mbajnë datën 21 Gusht. Pra ATSH e realizoi planin edhe sot. Katër gazetarë i ilustruan me shifra frymëzimet e kreut të qeverisë, rrogën e marrin si gazetarë dhe nesër mbi tryezë u vjen tematika ditore nga mbikëqyrësit e tyre që nuk janë gjë tjetër veç se agjentë të propagandës, patronazhistë dhe nuk kanë kurrfarë lidhje me profesionin e gazetarit.

Po nesër ?

Konkursi do të vazhdojë pa dyshim. Nga përvoja e dhjetë viteve skema vazhdon. Në terren do të hidhen sipas shkallës së rëndësisë zv/kryeministrie Balluku me tunele dhe infrastrukturë, ministri i rendit Balla mbi kanabis, ministrja e turizmit Kumbaro me ndonjë mrekulli turistike dhe natyre, ajo arsimit me ndonjë përurim shkolle me qenë se po vjen viti i ri shkollor e kështu me rradhë, pra “vetëm suksese” dhe “vetëm përpara”.

ATSH-ja po thyen çdo rekord të servilizmit ndaj qeverisjes.

blank

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei giornalisti professionisti albanesi della diaspora (UGPAD)

blank

Ndryshimet që diaspora do të donte t’i shihte në Kosovë

Kuvendi i Kosovës ka hapur dyert për mërgimtarët. Prishtinë, 24 korrik 2023.

Luljeta Krasniqi-Veseli

“Shumë gjëra do të doja të ndryshohen në Kosovë, por do të veçoja largimin e mbeturinave”, thotë për Radion Evropa e Lirë Shyqyri Demaku nga Prishtina, i cili tash e 33 vjet, bashkë me familjen, jeton në Suedi.

“Pastrimi nuk është në nivel. Këta kontejnerë që i keni për mbeturina, të futen nën tokë disi. Kjo duhet të ndryshohet dhe kjo mund të bëhet lehtë me angazhimin më të madh të institucioneve”, thotë Shyqyriu, i cili Kosovën e viziton deri në tri herë në vit.

Shyqyri Demaku me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, 24 korrik 2023.

Shyqyri Demaku me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, 24 korrik 2023.

Ai dhe dhjetëra kosovarë të tjerë nga diaspora vizituan të hënën ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe u pritën nga disa deputetë.

Aktiviteti tradicional, i njohur si “Bashkatdhetarët në Kuvend”, zgjat dy ditë.

Hysni Makovci, i cili vizitoi Kuvendin bashkë me djalin e tij, thotë se “syrin ia vrasin ndërtimet e shumta në Kosovë”.

“Më mirë është të investohet në shëndetësi. Do të duhej të kishte sigurime shëndetësore, ashtu siç i kemi ne në Gjermani”, thotë Hysniu.

Mërgimtari Hysni Makovci me djalin e tij në sallën e Kuvendit të Kosovës

Mërgimtari Hysni Makovci me djalin e tij në sallën e Kuvendit të Kosovës

Ai migroi në Gjermani gjatë kohës së luftës, në vitin 1999. Vendlindjen e tij, Prishtinën, e viziton deri në katër herë në vit.

Hysniu thotë se duhet punuar edhe për rritjen e pagave në Kosovë, ku mesatarja sillet rreth 520 euro në muaj.

“Kam motrat këtu dhe nënën dhe më duhet t’i ndihmoj. Dërgoj para çdo muaj. Edhe për mua është vështirë t’i ndaj ato mjete që i dërgoj në Kosovë, por punojmë shumë dhe ia dalim”, thotë ai.

Pamje nga jashtë e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Pamje nga jashtë e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850.000.

Vizitat e tyre në Kosovë janë më të shumta gjatë verës.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, shpenzimet e diasporës në Kosovë në vitin 2022 – qoftë në hotele, restorante apo biznese lokale – kanë kapur vlerën e rreth 1.9 miliard eurove.

Diaspora dërgon shuma të konsiderueshme parash edhe në formë të remitencave – vlera e të cilave, vitin e kaluar, ka arritur në 1.2 miliard euro.

Albion Krasniqi, i cili studion në Itali, të hënën vizitoi Kuvendin e Kosovës.

Albion Krasniqi, i cili studion në Itali, të hënën vizitoi Kuvendin e Kosovës.

Kuvendin e Kosovës e vizitoi të hënën edhe Albion Krasniqi, nga komuna e Klinës, i cili jeton dhe studion në Itali.

Ai synon që një ditë të kthehet në Kosovë. Thotë se do të dëshironte që “ligjet që miratohen në Kosovë, të zbatohen”, si dhe t’u jepet më shumë hapësirë të rinjve.

“Mendoj se çdo i ri që jeton atje, në Itali, ka shumë aftësi që mund t’i zhvillojë këtu dhe mund të kontribuojë më shumë këtu sesa në Itali”, thotë Albioni.

Fatmir Bytyçi dhe familja e tij gjatë vizitës në Kuvend.

Fatmir Bytyçi dhe familja e tij gjatë vizitës në Kuvend.

Fatmir Bytyçi ka disa javë që bashkë me familjen gjenden në Kosovë. Me prejardhje nga Prizreni, ai ka emigruar në Gjermani në vitin 1992.

Për Fatmirin, arsimi është fusha ku duhet investuar më së shumti në Kosovë.

“Subjektet politike nuk i njohin problemet e arsimit… Një problem që nuk e kupton, nuk mund as ta zgjidhësh. Mendoj se arsimi është shumë i dobët në Kosovë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Mërgimtarët gjatë vizitës në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës.

Mërgimtarët gjatë vizitës në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, diaspora zë vendin e parë edhe sa u përket investimeve të huaja në vend, që bëhen kryesisht në patundshmëri. Ndërtuesit konfirmojnë se deri në 70 për qind e blerësve janë nga diaspora.

blank

U nis me not nga Italia, por ndërpreu sfidën pas problemeve- Avokatja Eva Buzo përfundoi në spital, ja si është gjendja shëndetësore (VIDEO)

Avokatja shqiptare që jeton në Australi Eva Buzo u shtrua në spitalin e Vlorës për shkak të problemeve shëndetësore që e detyruan të ndërpresë sfidën e nisur prej mëngjesit të djeshëm.

Gazetari Enrik Mehmeti raportoi për “BalkanWeb” se ajo fillimisht u vendos në terapi intensive, pasi sipas mjekëve kishte hipotermi për shkak të qëndrimit në ujë.

Ndërkohë gjendja e saj shëndetësore aktualisht raportohet se është e qëndrueshme, dhe gjithashtu bëhet me dije se Eva ka filluar të komunikojë.

Pas daljes së saj dhe rikuperimit nga spitali do të ketë një pritje në lungomare. Është bërë një organizim për ta pritur atë edhe pse sfida e saj nuk shkoi deri në fund, u thye çdo rekord.

Avokatja u nis mëngjesin e djeshëm nga Otranto, Itali për të mbërritur me not në Vlorë, por pas rreth 27 orësh në det u detyrua të ndërpresë sfidën 10 milje nga Karaburuni. Ajo u dërgua me urgjencë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. bw

blank

DIASPORA NAIVE, APO DORA E ZGJATUR E SEKTIT “RILINDAS”?- Nga MILAIM NELA

Me shumë shqetësim kam parë këto ditë prononcime të eksponentëve të ndryshëm të Diasporës për Shqipërinë e Lirë për situatën post zgjedhore në Shqipëri.

Ajo që mbizotëron në ligjërimin e tyre është nevoja për një përfaqësim të ri politik në Shqipëri. Me gjysmë zëri dhe sa për të larë gojën e thonë që në Shqipëri është vjedhur dhe tjetërsuar vota, e këtë vetëm kur sfidohen dhe pyeten direkt nga gazetarët.

Me një gjuhë të maskuar ligjërimi i tyre në fakt është në të njëjtën linjë me tymueset qeveritare në Shqipëri.

Bërtasin fort që duhet vota e diasporës duke e paraqitur veten si faktor super të rëndësishëm politik në diasporë duke krijuar përshtypjen që janë kaq të fuqishëm sa vetëm vendet në Parlament ju mungojnë.

Ne shqiptarët kudo ku jetojmë – të nderuar diasporistë – po shohim se Shqipëria po rreshqet jo në autokraci, siç është bërë e modës të quhet sot, por në diktaturë të mirëfilltë. Kush ka sy e ka përpara.

Ne kemi parë që si asnjëherë tjetër që pushteti ka masakruar jo vetëm një parti politike liderin e së cilës në kushte normale mund të mos e pëlqejmë shumë prej nesh duke parë me dylbitë e rehatllëkut nga vendet ku jetojmë por është shkallmuar opozita shqiptare, është rrënuar pluralizmi politik!

A nuk e vëreni këtë – të nderuar diasporistë?

Si mund të thuash opozita nuk frymëzoi kur ne e dimë që operacionet e tmerrshme politike dhe ekstraligjore të regjimit nuk lejojnë të regjistrohet ligjërisht vullneti i 500 mijë shqiptarëve por mjaftoheni me konstatime bajate?

A nuk e kuptoni ju – të nderuar diasporistë – që një grupim politik i opozitës që unë i kam quajtur delenxhinj, pa kryetar, pa forume dhe pa anëtarë të financuar rëndë nga KQZ e dëmtuan keqas opozitën reale jo vetëm duke shpërndarë mjegull në popullin opozitar përmes studiove të cilat hapën dyert për çdo lloj anonimi mjafton të ishte kundër Sali Berishës?

Vetëm dje ky grup votoi në unison me pushtetin për rritjen e rrogave të tyre kur njerëzit e thjeshtë mezi mbyllin muajin!

Në cilin vend (të madh apo të vogël) ku jetoni ju – të nderuar diasporistë – që do bëni namin nesër me partiçkën tuaj ndodh që ambasadorët e vendeve të huaja sillen me deputetet vendas me arrogancë duke ju bërë presion se kë duhet të mbështesin e me kë nuk duhet të bashkohen!?

Gojët e liga thonë që me disa ambasadorë në Shqipëri takoheni shpesh edhe ju?

Nëse jeni takuar të paktën na e thoni atë që nuk na e thonë neve publikisht?

Në cilin vend të botës ku jetoni ju – të nderuar diasporistë – ndodh që kursi i këmbimit të valutës 3 javë para zgjedhjeve tronditet në mënyrë drastike duke e zhvlerësuar atë frikshëm? Shumë prej jush punoni në instuticione financiare!

A na e shpjegoni dot? Apo kjo ndodh se nuk frymëzon opozita?!

Në cilin vend të botës ku jetoni ju – të nderuar diasporistë – ndodh që një parti politike si ajo e Tom Doshit pa asnjë program apo ofertë politike të ketë aq ndikim në zgjedhje sa të dalë parti e dytë jo në një por disa zona zgjedhore?

A e besoni ju – të nderuar diasporistë – votimin elektronik që u aplikua në Shqipëri jo për gjë po shumë prej jush e mbani veten si ekspertë të shkencës kibernetike!

A na jepni ndonjë shembull nga vendet ku jetoni si votën e fut për X e te del Y?

Nuk ju dëgjova të flisni për këtë!

Në cilin vend të botës ku jetoni ju – të nderuar diasporistë – partive që janë në pushtet ju rritet mbështetja nga mandati në mandat paçka se vendi braktiset e korrupsioni rritet në mënyrë eksponenciale?

Tani ju lutem ndajeni mendjen e mos na merrni për leshko të paktën neve që jetojmë si ju në përendim ose opozita nuk frymëzon ose në Shqipëri është bërë kasaphanë me votën e lirë! Sepse na u shprehët që në zgjedhjet e fundit keni patur edhe përfaqësuesit tuaj.

Shumë pyetje më kanë munduar për ju dhe individë të caktuar prej jush që drejtoni këtë organizatë që duket se nuk vuan për financime se këtej ku jetoj unë të paktën ne nuk ta fal njeri kollaj paranë por kjo nuk është objekt i këtij shkrimi!

Bashkëatdhetarët tanë në Shqipëri nuk kanë nevojë për një parti të re politike qoftë edhe diasporiste sepse i kanë nja 150 të tilla por duan ndihmë që botës së qytetëruar e qendrave vendimarrëse të ju bëhet e ditur çfarë po ndodh me opozitën shqiptare! Ti bëhet e ditur se Shqipëria një vend edhe ashtu i vogël po zhbëhet nën hundën e ambasadorëve të tyre ! Kjo sepse në Shqiperi regjimi i ka mbyllur thuajse të gjitha gojët e lira.

A nuk e dini ju – të nderuar diasporistë – se ndryshimi politik në Shqipëri nëse do bëhet ndonjëherë do ndodhë vetëm nga brenda e kurrë nga jashtë!?

Si do ta ligjëroni ju votën e diasporës kur nuk keni në dorë asnjë mekanizëm ligjor për ta bërë këtë? Po pse more kujtoni ju se me ato lojërat me Kushtetuesen që e kontrollon një njeri i vetëm do na hidhni hi syve?

Shqipëra nuk ndihmohet duke hedhur tymuese që ndihmojnë vetëm pushtetin por duhet ndihmë që vendit ti rikthehet pluralizmi politik dhe vullneti i njerezve të çlirohet nga litarët e pushtetit!

Shqipëria nuk ndihmohet duke fraqmentarizuar opozitën akoma me shumë me partiçka të reja sepse 20 vitet e fundit çdo parti apo grupim i ri politik ka dështuar që embrion për shkak të sistemit vrasës dhe hermetik që nuk e mundëson një gjë të tillë!

Ju e dini fort mirë – të nderuar diasporistë – që edhe sikur nesër regjimi ta lejojë votën e diasporës ajo sërish do jetë minimale në krahasim me peshën që do kishte në Shqipëri pasi jo vetëm jemi të shpërndarë si zogjtë e korbit por shumica e shqiptareve janë pa status të definuar legal në vendet ku punojnë e jetojnë e do jenë indiferentë ndaj së drejtës së votimit.

Pse more kujtoni ju sa ata na përzunë neve që të jemi faktor?

A jeni në metro?

Ju besoj se nuk ushqeni ndonjë iluzion të çmendur që regjimi do lëshojë pe në kontrollin e institucioneve përfshi atë të votës e të na lejojë neve të votojmë nga vendet ku jetojmë!

Ju mund ta besoni, unë jo.

Edhe nese ndodh hataja ata do lejojnë votimin elektronik si në Kamzë e Elbasan ose votimin me postë që votat të ju a numërojë Taulanti me Elisën!

Po pse kujtoni ju se regjimi na ka përzënë që me të organizohemi e ti shembim me parti politike nga jashtë!

Ata të mërguarit e para 90s kanë qenë burra më të zot se ne por as nuk patën shansin më të vogël edhe duke patur mbështetjen e perëndomit e sot ky përendim ku jetojmë ne mbështet jo neve por republiken e kontenierëve të bananeve të Ramës!

E për fund – të nderuar diasporistë – shqiptarët nuk kanë nevojë as për parti politike të diasporës që Rama në rastin më të mirë të ju japë dy tre vende në Parlament, as për njerëz apo organizata që janë dora e zgjatur e sektit rilindas por për ndihmë për të fuqizuar dhe reformuar opozitën ekzistuese në Shqipëri sepse ajo është mënyra e vetme për ta rikthyer sistemin pluralist në Shqipëri!

Unë i kam ndjekur qëndrimet tuaja politike inkonsistente dhe tejet të dyshimita që para zgjedhjeve të para 25 Prillit 2021 e kam shkruar edhe herë të tjera për to.

Personalisht e kam të pjekur qëndrimin se kujt i shërbeni e në mulli të kujt çon ujë narrativa juaj edhe sikur të jetë e sinqertë që në rastin më të mirë është naive por nuk mund të rri indiferent që ju ti fyeni inteligjencën shqiptarëve!
***
PS: Ju kërkoj ndjesë atyre aktivistëve të Diasporës për Shqipërinë e Lirë që ndihen të atakuar e kontribuojnë ndershëm me mish e me shpirt për çeshtjen shqiptare por ky shkrim nuk është shkruar për ata por për kupolën vendimarrëse të kësaj organizate.
©️ Milaim Nela
24 Maj 2023

blank

Nga Vlora në Zodiac Aerospace dhe Telsa, kjo është shqiptarja Mira Murati krijuesja e Chat GPT

Ajo që më parë konsiderohej e pamundur, e padëgjuar ose një pjellë perversioni apo edhe fantashkencë, tani mund të ndodhë. Siguritë zvogëlohen dhe mendimet e dyta shumohen ndërsa Chat GPT-ja tashmë e famshme bëhet më e shpejtë, më inteligjente dhe më e aftë në të menduarit kombinues duke shërbyer gënjeshtra në vërtetësi.

Në vetëm pesë muaj, makina e inteligjencës artificiale duket se ka pushtuar botën, duke habitur edhe vetë krijuesit e saj dhe duke ngritur dyshime edhe për gjëra që ne i konsideronim, nëse jo të sigurta, të paktën të vetëkuptueshme. Askush nuk mund të jetë më i sigurt për asgjë.

Dhe tani Chat GPT ose GPT4, siç quhet versioni i ri i përmirësuar i lëshuar më 14 mars, duket se është në gjendje të bëjë pothuajse gjithçka mirë. Ndër arritjet e tij më të rëndësishme janë dhënia e provimit të jurisprudencës në SHBA, diplomimi i tij në drejtësi nga Universiteti i Minesotës dhe sigurisht performanca mbresëlënëse edhe në testin e certifikimit sommelier. Ka shumë pak pyetje që GPT4 nuk mund t’u përgjigjet (ende). Është e habitshme, por një prej tyre është se ai nuk e ka idenë se kush është Mira Murati.

Shqiptarja Mira Murati është krijuesja e aplikacionit më të famshëm, më të nxehtë dhe sigurisht më të diskutueshëm të Inteligjencës Artificiale. E megjithatë, nëse dikush pyet GPT-në, përgjigja që merr është e kufizuar në një “nuk e di/nuk përgjigjem”.

 

Të paktën përgjigja e tij duket në përputhje me “nëna humbet fëmijën dhe fëmija humbet nënën”, një frazë që përmbledh atë që ka ndodhur në Silicon Valley, në kompanitë e teknologjisë, në universitete dhe shkolla, në lëvizjen e përditshme të internetit, që nga dita kur u shpik GPT – dhe pothuajse humbi honorarin. E lindur në vitin 1988 në Vlorë, Shqipëri, Murati u rrit dhe u edukua në skajin e dy botëve. Fëmijëria e saj ishte gjithçka tjetër veçse e lehtë dhe e shkujdesur.

blank

Murati në intervistat e saj nuk flet shumë dhe e vërteta është se ajo nuk pyetet shpesh për fëmijërinë e saj – logjike, pasi ka një mori pyetjesh rreth ndryshimeve bërthamore që sjell inteligjenca artificiale në mënyrën se si ne e perceptojmë dhe përjetojmë botën. Ajo që ajo gjithmonë thekson është se streha e saj personale në vitet e fëmijërisë dhe adoleshencës ishte matematika. Problemi, tha ajo për ato vite, nuk ishte teoria, por praktika.

blank

Që në moshën 16-vjeçare, kur familja e saj emigroi nga Shqipëria në Kanada, Murati filloi të lulëzonte në atë që është sot, më interesante, e kërkuar, por kryesisht e panjohur

blank

 

  • foto galeri

Përkundrazi, në intervistat e saj ajo quhet shpesh Kryeshefja e Teknologjisë (për vitin e fundit ajo ka pasur atë titull) i OpenAI, kompania që krijoi GPT dhe softuerin e saj të krijimit të imazheve të motrës DALL-E.

Me Elon Musk

Në moshën 24-vjeçare, Murati kishte përfunduar studimet për Inxhinieri në Kolegjin Ivy League Dartmouth dhe tashmë kishte filluar t’i shihte në kufirin imagjinar të vendosur nga qielli. Ajo përfundoi praktikën e saj në Goldman Sachs, mori pagëzimin e saj profesional me zjarr në prodhuesin francez të hapësirës ajrore Zodiac Aerospace dhe tre vjet më vonë ishte gati të kalonte pragun e Teslës.

Në shoqërinë e Elon Musk, i cili sot së bashku me të tjerë shefa të teknologjisë si Steve Wozniak kërkon urgjentisht pezullimin e punës së OpenAI duke pasur parasysh se shumë shpejt inteligjenca artificiale e GPT4 do të sjellë “revolucion” dhe do të bëhet autonome nga krijuesit e saj.

Kjo nuk ishte kompania e teknologjisë më e kërkuar dhe as më e madhja, megjithëse sot 375 punonjësit e saj duken të pakët në krahasim me ndikimin dhe financimin që siguron – vetëm Microsoft investoi 10 miliardë dollarë në zhvillimin e saj të mëtejshëm, siç njoftoi në fund të janarit kompania. Brenda pesë viteve, Murati jo vetëm që rriti reputacionin dhe ndikimin e kompanisë, por krijoi diçka po aq novator dhe revolucionare sa iPhone, Bitcoin dhe Facebook së bashku.

E megjithatë, pavarësisht se ishte shpirti i padiskutueshëm i projektit, Murati bëri rezistencën më të madhe dhe kishte dyshimet më të forta nëse Chat GPT ishte gati për të nisur nëntorin e kaluar. Ajo dyshonte nëse bota ishte e përgatitur, e pjekur dhe e matur për të mirëpritur sistemin e inteligjencës artificiale më të sofistikuar, por edhe më të arritshme dhe më të kuptueshme për mendjen e zakonshme, në të cilën ju pyesni dhe ai ju përgjigjet.

Kundërshtimet e saj mund të jenë tejkaluar dhe konflikti i saj i brendshëm ka kaluar në një regjim të përkohshëm armëpushimi. Po, askush nuk mund të dyshojë se e bën për sytë e botës ose jo. Megjithatë, në ato pak intervista -në krahasim me madhësinë e viralitetit të saj- që ka dhënë, ajo kujdeset të vërë në dukje dilemat etike dhe filozofike që do të dalin, por edhe problemet praktike që do të lindin nga përdorimi dhe integrimi i inteligjencës artificiale, në jetën e përditshme.

Shqiptarja Mira Murati është krijuesja e aplikacionit më të famshëm dhe më të diskutueshëm të inteligjencës artificiale.

Askush nuk mund të përjashtojë që Murati ka rezervuar tashmë një vend në panteonin e Historisë, mes atyre personaliteteve që jo vetëm skalitën botën, por edhe e ndryshuan atë rrënjësisht. Pyetja është nëse ndryshimi do të jetë për mirë apo për keq. Kasandrat tashmë po parashikojnë fundin e fjalës së shkruar, pasi ajo do të zëvendësohet nga inteligjenca artificiale, përmbysja e sistemit akademik global – tashmë universitetet më të mëdha në botë në Evropë, SHBA dhe Azi po ndalojnë njëri pas tjetrit përdorimin e chatbots nga studentët, por edhe eliminimi i mijëra vendeve të punës në dekadat e ardhshme.

Në fakt, ata flasin për fundin e së vërtetës, gjykimit dhe vullnetit, botën siç e njohim ne dhe shfaqjen e një të reje në të cilën njeriu dhe inteligjenca artificiale do të shkëmbejnë rolet e sunduesit dhe të sunduarit. Dhe kjo për shkak të Muratit, shpikja e të cilës mund të rezultojë më vendimtare për njerëzimin se molla e kafshuar e Evës. Megjithatë, ajo zgjedh ta shohë situatën me gjakftohtësi dhe me në qendër njeriun dhe e përshkruan veten jo si një Mesia femër, por si një vajzë e magjepsur nga teknologjia e Stanley Kubrick – dhe habitet që filmi i saj i preferuar është “2001: Odisea e Hapësirës”.

(BalkanWeb)

blank

“Edi Rama o hajdut”, ja si pritet kreu i qeverisë shqiptare gjatë vizitës në Londër

Kryeministri Edi Rama është pritur me protestë nga një shqiptar në Britani gjatë vizitës së djeshme.

Teksa ishte duke zbritur nga mjeti i cili e shoqëronte, Rama u fut në anën e pasme të godinës ’10’, pasi mendoi se do shmange protestat. Por aty e priste një shqiptar, i cili kishte vendosur në trotuar flamurin shqiptar dhe një tabelë që shkruante ‘Edi Rama’.

‘O hajdut. Albanian criminal. Albanian mafia. Duhet të të vijë turp nga vetja. Të gjithë bosat e drogës vijnë këtu’, tha protestuesi. Pamjet u publikuan nga VoxNews.

Kujtojmë se një ditë më parë, Rama u takua me Rishi Sunak, konkluzioni i takimit ishte se të burgosurit shqiptarë që vuajnë dënimin në burgjet e Britanisë së Madhe do të kthehen në atdhe.

 

Kryeministri Edi Rama është përballur me një incident gjatë vizitës së tij në Londër ku edhe u takua me kryeministrin britanik Rishi Sunak.

Një qytetar ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Rama, duke e quajtur atë një hajdut, ndërsa shton se duhet t’i vijë turp.

https://www.tiktok.com/music/original-sound-7213830515358419717?refer=embed


Send this to a friend