VOAL

VOAL

Tageszeitung: Investimet evropiane në Ballkan, parandalojnë emigrimin ilegal

August 28, 2015

Komentet

Kryeministri Kurti bëri hapjen e konferencës ndërkombëtare “Future Industry Minds 2026“

 

 

Schloss Bensberg, Gjermani, 11 maj 2026

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri hapjen e konferencës ndërkombëtare “Future Industry Minds 2026“, në Schloss Bensberg në Gjermani, ngjarje që ofron një platformë për shkëmbime profesionale, inovacion dhe dialog të nivelit të lartë për industrinë, digjitalizimin dhe transformimin.

 

Në edicionin e sivjetmë, Republika e Kosovës është mirëpritur si Shtet Partner i “Future Industry Minds”, me ç’rast përfaqësues të institucioneve dhe kompanive kosovare po marrin pjesë në këtë konferencë dy ditore.

 

Në fjalën hapëse të konferencës, kryeministri në detyrë Kurti foli për historinë e lidhjes së ngushtë ndërmjet dy vendeve, ndërsa shprehu falënderime e mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Gjermanisë ndaj Kosovës. Në këtë kontekst ai përmendi se në Gjermani jetojnë rreth 600 mijë pjesëtarë të mërgatës nga Kosova, të cilët janë mirë të integruar dhe të suksesshëm, përfshirë doktorë, inxhinierë, ndërmarrës, punëtorë të aftë e të zellshëm etj.

 

Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se duke qenë një nga vendet me popullsinë më të re në Evropë, me moshë mesatare rreth 34 vjeç, dhe me shumicën e të rinjve që flasim së paku një gjuhë të huaj, Kosova ka një potencial të madh të fuqisë punëtore.

 

“Dekada të migrimit kanë krijuar një gjeneratë të kosovarëve që janë rritur si bilingualë, që flasin shqip dhe gjermanisht, të cilët kanë studiuar në Gjermani, janë trajnuar në Gjermani dhe në shumë raste kanë punuar në Gjermani para se të kthehen në shtëpi. Kur ekipi juaj në Prishtinë bashkohet në një video-lidhje me selinë qendrore në Köln ose Frankfurt, nuk ka nevojë për përkthyes. Krejt çfarë duhet është interneti i mirë, dhe jam i lumtur ta them, me një nga mbulueshmëritë më të mira me internet në Evropë, nuk është fare problem”, tha ai.

 

Në kontekst ekonomik ai nënvizoi se qarkullimi i përgjithshëm ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë aktualisht është 1.8 miliardë euro, duke veçuar sektorin e shërbimeve si komponent kryesore me 1 miliard euro, por edhe remitencat që kalojnë shifrën prej gjysmë miliardi eurosh. Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se në përgjithësi kompanitë gjermane kanë investuar rreth 1.5 miliardë euro në Kosovë, 62% prej të cilave vetëm në pesë vjetët e fundit.

 

Duke folur për kompanitë pjesëmarrëse nga Kosova si partnere serioze dhe duke bërë thirrje për thellim të bashkëpunimit, kryeministri në detyrë Kurti vëmendje të veçantë i kushtoi potencialit të jashtëzakonshëm të Kosovës në sektorin e teknologjisë së informacionit, zhvillimit softuerik, shërbimeve, logjistikës etj.

 

“Dua të jem specifik. Kompanitë në këtë dhomë tashmë janë dëshmuar për klientë ndërkombëtarë. Ato kanë përmbushur afatet evropiane, kanë punuar me standardet e cilësisë evropiane dhe në shumë raste kanë ndërtuar ekipe që komunikojnë rrjedhshëm në gjermanisht. Ato nuk janë në fillim të rrugëtimit të tyre. Ato janë në një pikë të rrugëtimit ku partneriteti i duhur do të përshpejtonte gjithçka”, tha kryeministri në detyrë Kurti./Zyra e Kryeministrit

GSHPD: “NJË LLOJ SPECJE” DHE “NJERIU ME BISHT”

(Dy cilësime që shpërthejnë nga brumosja ideologjike e Ramës për shqiptarët në BE-në e grupkapitujve)
 
Brenda një dite, më 11 Maj, 2026 kryeministri për rilindësit në këtë fazë të tranzicionit, shqiptarët kundërshtarë të politikave të tij i vë epitetin specie sikurse edhe ata të fillimeve të tranzicionit i përforcon gjatë një ceremonie hua për t’i cilësuar si “njerëz me bisht”. Të dy përcaktimet brenda një dite vijnë nga dy veprimtari të ndryshme ku në qendër është Evropa jo ashtu siç është, por ashtu siç fryma përjashtuese ideologjike dhe gjuha e urrejtjes së Ramës e do edhe Evropën.
Shqiptarët si specie, janë opozita ose ata rreth 600 mijë shtetas që e votuan kundër një vit më parë e ca më shumë të tjerë që çdo ditë po e kritikojnë drejtimin e një qeverisje të korruptuar që nuk ka fund me skandalet në çdo drejtim të jetës. Ndërsa shqiptarët si njerëz me bisht, vjen nga një huazim sa racist aq edhe dashakeqës që prej shtet formimit dhe shpien Ramën bashkë me verbërinë e propagandës së tij në faqet e ATSH-s që të njëjtat ngjarje, të përmbledhura si lajme zyrtare të qeverisë të lexohen ndryshe nga shqipfolësit, anglisht dhe franko folësit (dy gjuhët e huaja në të cilat ATSH i publikon lajmet). Pra shtirja dhe standardi i nënshtrimit përpara të vërtetës me të huajt. Ndryshe nga dëshira për t’i vënë në lojë vend e pa vend kundërshtarët e tanishëm politik, pasi ata të artit dhe të sportit e kanë lënë kryeministrin në delirin e ekspozitave ndërkombëtare dhe stilimin me këpucë të lehta, shpesh herë ai shpërthen me gjuhën e urrejtjes nga Kuvendi i Shqipërisë, në fjalimet e asambleve politike, në programet e sociale vetë prodhuara, e deri tek ndeshja me median duke i etiketuar ato pafundësisht duke mbledhur së bashku mllefin* e një njeriu që nuk e kontrollon dot më pushtetin e kalbur nga korrupsioni.
Edhe humor sikur të duash të eksperimentosh nga bëmat e çdo dite nga propaganda e parti shtetit e ke të pamundur zgjedhjen sepse padyshim do të ndeshesh me ngurtësimin e administratës shtetërore, me bllokun e ligjvënësve socialist në Kuvendin e Shqipërisë, sikurse edhe në të gjitha mediat e anuara apo të blera nga qeveria për të mos lejuar dallimin e disa nuancave shumë të holla që e zhveshin pushtetin e rilindësve.
Çfarë vendi do të zinte në një veprimtari ku artisti Tedi Papavrami që po nderohej me një dekoratë të lartë shtetërore duhej ta merrte atë në thjeshtësinë e ‘Parkut të Eden-it’ brenda ndërtesës së kryeministrisë, ku “spontanisht artistë”, qeveritarë, akademikë dhe përfaqësues ambasadash, ishin ulur në shkallët e instalacionit prej 3.7 milion € të cilit vazhdimisht i shtohen fonde. Por nuk qendron vetëm këtu thjeshtë vështrimi kritik sikur mezi presim të gjejmë kleçka. Vështrimi kritik qendron tek fryma e urdhrave që parti shteti jep dhe kontrollon në gjithshka. Një gjë e tillë sikurse në anglisht është shprehja “stole the show”. Pra të bëhesh qendra e vëmendjes dhe t’ua marrësh të tjerëve shkëlqimin.  Dhe si e tillë kjo u pa tek formulimi propagandistik dhe i pa sqarueshëm i ATSH-s që në krye të lajmit shkruan:-“Kryeministri Edi Rama dekoroi sot muzikantin dhe instrumentistin virtuoz Tedi Papavrami me ‘Yllin e Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjës’, në emër të Presidentit të Republikës.” 
 A ka vend ku të rrijë kjo?
 O kryeministër, lëre Tedin të flasë!
Sigurisht që përvetësimi i shfaqjes pa e lënë një talent të bërë vetë si Tedi të flasë diçka që përse u bë ai që është, Rama me huanë e dekoratës së Begajt ka rastin e mirë të vemendjes dhe të shkëlqimit bashkë për veten e tij. Ai e bën audiencën të qeshë e të gëlltisë njëkohësisht cilësimin se “shqiptarët janë njerëz me bisht”. Një shprehje mbi 100 vjeçare e vjetër e atyre qarqeve politike e diplomatike që Shqipërinë e shihnin si një tokë për t’u copëtuar të destinuar për t’u shpërbërë si komb nga asimilimi i popullsisë, e cila as e ka vendin sot për t’u thënë dhe as për të bërë krahasimin e zhvillimeve të Shqipërisë afër me Evropën sidomos në vitin e parë të mandatit të katërt. Pra plot pas 13 vitesh.
Sikur të mos mjaftonte një individ si Tedi, talenti i Ramës zbuloi gjatë paradites së 11 Majit edhe një tjetër “grep të ngecur”, kur gjatë një konference për shtyp “Shqipëria, ecuri pozitive në fushën e prokurimeve publike” edhe pse ai po përpiqej të sqaronte rreth një ligji të ri për resortet turistike dhe portet private, shqetësimi doli vetiu tek roli i opozitës dhe cilësimi i saj një lloj “specieje”. Ngado që ta sjellësh, mos përgatitja e këtij ligji jo vetëm gjatë 12 viteve të tre mandateve të Rilindjes Socialiste, por edhe në ato të njëpasnjëshmet e rritjes së numrit të turistëve me mbi 10 milion çdo vit sipas shifrave të qeverisë, i bie të kuptosh se thelbi i çështjeve të pronësisë në raport me korrupsionin dhe klientelizmin e partneritetit publik-privat janë disi më të dobëta sot pas goditjeve që prokuroria speciale dhe drejtësia kanë ndërmarrë. Titulli i ATSH-s në një konferencë shtypi kryesisht për ekonominë dhe prokurimet publike në vend që t’i përmbahet shpjegimeve të kësaj rëndësie për lexuesin dhe publikun, del me “argumentin” se:-Rama: Ne kemi një specie që lutet në Evropë që Shqipëria të mos anëtarësohet në BE”.
Cilado që të ketë qenë pyetja, marrja në konsideratë e fjalëve të Ramës se paskemi një opozitë që e pengon anëtarësimin në BE, vjen më pas se sa kritikat dhe tërheqja e vemendjes së institucioneve ndërkombëtare mbi mjedisin. Po të kujtonim fundin e vitit 2022 kur ndërtimi i aeroportit në Lagunën e Nartës u cilësua në mungesë të dukshme të respektimit të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare”, çështja aty ishte pikërisht për speciet, llojet e gjallesës së florës dhe faunës më të pasur në Evropë në natyrën shqiptare që u kërcënua nga korrupsioni dhe etja e fitimeve të partneritetit publik-privat të qeverisë së Ramës. Ndërsa sot pas katër vitesh, janë jo vetëm bregdeti me portet, por edhe zhdukja me fuqinë e kartonit në Kuvendin e Shqipërisë të Zonave të Mbrojtura, Agroturizmi, Paketa e Maleve etj. si këto që kanë larguar banorët e zonave përmes falimentimit ekonomik duke sjellë shpopullimin, emigracionin, mungesën e investimeve dhe erozionin e natyrës bashkë me kërcënimin e gjallesës dhe me të vërtetë të atyre specieve të rralla të natyrës shqiptare. Le ta shohim nga ky këndvështrim vlerësues për gjallesën “llojin e species” që shqetëson sot Ramën. Një Aeroport në Vlorë, në zemër të Lagunës së Nartës, që ka filluar edhe të përmbytet sa herë që bien rreshje të vrullshme jo vetëm që ka prishur deri tani ekosistemin, por në rastin e fillimit të fluturimit të avionëve ajo larmi gjallese aty do të kërcënohet deri në shfarosje.
 
Nga këta dy shembuj vetëm brenda një dite, pa ndihmën e propagandës dhe pa mbështetjen e saj nga mediat e kapura dhe të blera prej qeverisë, shtetasit shqiptarë e kanë fare të lehtë të kuptojnë se kush vuan sot për protagonizëm, kush e merr shkëlqimin nga arritjet e shqiptarëve për të mbuluar korrupsionin dhe së fundmi se kush po mashtron se po e çon në BE Shqipërinë, përpara se ta copëtojë dhe ja hequr pasuritë nga duart pronarëve të ligjshëm dhe “dhuruar” investitorëve strategjikë.
Pas gjithë këtij shikimi duke lënë me një anë propagandën mund të thuhet se në fare pak vend mediat i kushtuan vend gjuhës fyese të kryeministrit dhe cilësimeve të tij për shqiptarët. Në të dyja rastet qoftë Kuvendi i Shqipërisë dhe qoftë media përmes normave të etikës dhe komisioneve përkatëse, duhet të mbajnë qëndrim të fortë kritik dhe masa administrative (me gjobë),  për rastet e përsëritura.
Në qoftë se këto nuk bëhen atëherë edhe ATSH-ja le ta jetojë larg së vërtetës dhe brenda hipokrizisë kryeministrore, kur në të njëjtën kohë ka çelur në kryeqytet një ekspozitë të titulluar “Një rrugëtim në historinë e lajmit” që ka tërhequr interesin e vizitorëve vendas dhe turistëve të shumtë sipas citimit të propagandës shtetërore.
_____________
 
 
11 Maj, 2026
 
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Donika Gërvalla: Sulmet e tilla nuk na lëkundin, nuk na frikësojnë e as nuk na ndalin, sepse e vërteta nuk blihet me profile fallso

VOAL- Zonja Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, në një reagim bën të ditur se faqja e saj në facebook është sulmuar nga disa mijëra profile të rreme. “Sulmet e tilla nuk na lëkundin, nuk na frikësojnë e as nuk na ndalin, sepse e vërteta nuk blihet me profile fallso dhe as nuk rrëzohet nga klikime patetike e të fabrikuara. Ne vazhdojmë. Edhe më të fortë. Edhe më të vendosur. Edhe më të palëkundur. Bashkë!”, shkruan në reagimin e saj onja Gërvalla.
Më poshtë teksti i plotë i reagimit:
Të nderuar miq,
ma paskan sulmuar sot faqen e Facebook-ut me disa mijëra profile të rreme.
Me „zemra“ fallso po përpiqen të cënojnë reputacionin tim dhe të krijojnë përshtypjen edhe në raport me vizitorët e faqes sime, por edhe me vet Facebook-un, sikur qenkemi shërbyer me këto profile fallso.
Profilet e rreme janë bllokuar, Facebook-u është informuar dhe po presim marrjen e masave adekuate nga ana e tyre.
Nëse keni faqe me shtrirje të gjerë në Facebook, ndoshta nuk është keq të kontrolloni edhe ju „zemrat“ në postimet tuaja. Profilet fallso dallohen sepse kanë emra, të cilët nuk përputhen me vizitorët dhe lexuesit e zakonshëm të postimeve tuaja.
Sulmet e tilla nuk na lëkundin, nuk na frikësojnë e as nuk na ndalin, sepse e vërteta nuk blihet me profile fallso dhe as nuk rrëzohet nga klikime patetike e të fabrikuara.
Ne vazhdojmë. Edhe më të fortë. Edhe më të vendosur. Edhe më të palëkundur. Bashkë!

Raporti- Nuk ka më as punë online, Shqipëria me rënien më të madhe të numrit të punëtorëve “freelance”

 

Shqipëria po përballet me një tkurrje të ndjeshme të punonjësve në platformat online, etj.

Sipas raportit të fundit rajonal “Gigmetar” për vitin 2025, Shqipëria rezulton vendi me rënien më të madhe të numrit të punëtorëve freelance (profesionistë të lirë online) në platformat upwork, Freelance, Guru etj, nga të gjithë vendet e Rajonit të Europës Juglindore.

Ndërkohë që rajoni në tërësi ka pësuar një tkurrje të lehtë prej 0.7% nga korriku 2024 në maj 2025, Shqipëria regjistron rënien me të madhe prej 5.3% të numrit total të punëtorëve aktivë në platformat kryesore.

Ky trend është veçanërisht i dukshëm në platformën Upwork, ku numri i shqiptarëve të angazhuar u ul me 7.5%, dhe në Freelancer, ku ndryshe nga vendet e tjera të rajonit që patën rritje, Shqipëria shënoi një rënie prej 1%.

Raporti nxjerr në pah një tjetër Shqipëria ka popullsinë më pak aktive të freelancer në rajon, me vetëm 28.2% të punëtorëve që janë realisht të angazhuar me projekte, krahasuar me Maqedoninë e Veriut e cila kryeson me mbi 40%.

Ekspertët e raportit sugjerojnë se, ulja po vjen nga pasiguria në sektorin teknologjik global dhe efektet që ka dhënë rritja e inteligjencës Artificiale që po ndryshon kërkesën për shërbime.

Megjithatë, për rastin e Shqipërisë, faktorë si migrimi i të rinjve dhe mungesa e aftësive digjitale të specifikuara janë shkaqe kyçe që po dekurajojnë punëtorët e rinj të hyjnë ose të qëndrojnë në këtë treg.

Të dhënat nga Gigmetar tregojnë se në 2025 po punojnë në platforma 4108 shqiptare, me tkurrje 5.3 për qind nga viti 2024.

Pavarësisht rënies, Upwork mbetet platforma kryesore për shqiptarët, duke mbajtur 68.2% të tregut vendas. Tkurrja më e madhe vjen nga profesionet e zhvillimit të software-ve dhe dizajnit kreativ.

Ndërkohë që Shqipëria po braktis punën në platforma që lulëzoi gjatë pandemisë, vende si Rumania dhe Hungaria kanë shënuar stabilitet ose rritje të lehtë./Monitor

LVV nominon Albin Kurtin për kryeministër, kreu në detyrë i qeverisë: Synojmë të marrim 60% të votave

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), që u mblodh të shtunën, ka nominuar sërish Albin Kurtin si kandidat për kryeministër.

 

Kryeministri në detyrë synon një mandat të ri pas fitores së LVV-së në dy palë zgjedhjet e vitit 2025, në shkurt dhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit.

Në të fundit, partia e tij mori mbi 51% të votave dhe Kurti doli sërish si më i votuar. Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se rritja e mbështetjes për Vetëvendosjen është e vazhdueshme, ndërsa shtoi se synojnë të marrin 60% të votave.

“Prej shkurtit deri në dhjetor vitin e kaluar u rritëm për 9%, nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor mund të prekim 60%. Nëse punojmë veçse ne dimë, me sinqeritet dhe përkushtim edhe kjo padyshim është e mundur”, tha ai.

Ai akuzoi opozitën për bllokim të proceseve institucionale, duke thënë se veprimet e saj nuk e kanë mundur popullin, por kanë synuar pengimin e shtetit. Sipas Kurtit, zgjedhjet e reja nuk ishin të domosdoshme, por shtoi se ato mund të jenë të tilla për disa faktorë politikë, por jo për popullin.

“Sa herë po na bllokojnë ne po rritemi. Ata po marrin përgjigje më të fortë nga populli. Nuk kishim nevojë për këto zgjedhje. Mbase dikush, ndonjë strateg që drejton nga hija veprimet opozitare, po mendon që zgjedhjet janë të domosdoshme.

Ndoshta janë për dikë, por jo për popullin e shtetin. Kjo po ndodh sepse kemi një opozitë e cila ka kuptuar se nuk mund ta mund popullin, por ka zgjedhur ta bllokojë shtetin. Vullnet i popullit nuk është nen kushtetues, është forcë e historisë që na shpie përpara”, deklaroi ai.

Kujtojmë që KQZ ka njoftuar se 22 subjekte politike dhe tre koalicione janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa nëntë subjekte kanë hequr dorë nga garimi të vetme ose në koalicion.

Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë

Raporti i detajuar i konsumit të barnave për muajin mars 2026 bazuar në listën e rimbursimit nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore tregon se popullata shqiptare po vuan nga përhapja e lartë të sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe gastritit.

Lista tregon se sëmundjet Kardiovaskulare mbeten kategoria me volumin më të lartë të rimbursimit. Gjatë muajit mars, vetëm për kontrollin e tensionit arterial dhe ritmit kardiak, janë rimbursuar dhjetëra mijëra paketime.

Për shembull, bllokuesit e kanaleve të kalciumit si Amlodipina dhe Lercanidipina shënojnë shifra të larta konsumi, ku vetëm disa prej brendeve kryesore arrijnë në mbi 10,000 paketime secila. Kjo tregon se hipertensioni është sëmundja me shtrirjen më të gjerë gjeografike dhe moshore në vend. Gjithashtu aspirina protekt konsumohet në masë.

Diabeti pason si kategoria e dytë për nga sasia e barnave të shpërndara. Metformina, si mjekimi bazë për diabetin Tip 2, shënon shifra rekord. Nga të dhënat e muajit mars, rezulton se variantet e ndryshme të Metforminës (si Siofor apo Glucophage) janë rimbursuar në sasi që i kalojnë 20,000 paketime në total.

Ndërkohë, te insulinat, vihet re një dominim i insulinave me veprim të shpejtë si Novorapid (mbi 4,000 njësi) dhe insulinave bazale si Lantus apo Tresiba, që dëshmon për një numër të lartë pacientësh që varen nga terapia me injeksion.

Sëmundjet e sistemit tretës zënë një vend të rëndësishëm në hartën e konsumit. Barnat anti-ulcer dhe ato për mbrojtjen e stomakit, si Omeprazoli, shfaqen me një sasi totale rimbursimi prej mbi 18,000 paketimesh (ndarë mes brendeve Ulcozol, Omeprazid, etj.). Kjo tregon për një incidencë të lartë të problemeve gastrike në popullatë.

Shëndeti okular (Glaukoma) dhe Sistemi Nervor përmbyllin listën e kategorive me konsum të lartë. Për trajtimin e Glaukomës, produkti Travatan shënon një sasi prej rreth 4,930 paketimesh, ndërsa Xalatan rreth 1,394, duke treguar një fokus të lartë te shëndeti i syrit te moshat e thyera.

Për sa i përket sistemit nervor, barna si Levetiracetam për epilepsinë dhe Donepezil për Alzheimerin shënojnë konsum të qëndrueshëm, duke pasqyruar nevojat e vazhdueshme të pacientëve me sëmundje degjenerative.

Ky vëllim i lartë i barnave të rimbursuara tregon se buxheti i shtetit po orienton pjesën më të madhe të fondeve drejt menaxhimit të sëmundjeve kronike jo-ngjitëse, të cilat dominojnë profilin shëndetësor të popullatës shqiptare në vitin 2026./Monitor

Banka Botërore: 23% e popullsisë shqiptare jeton me 681 lekë në ditë, ja çfarë mund të përballojnë

Vitin e kaluar 23.4% e popullsisë shqiptare ka jetuar me 8.3 dollarë (681 lekë në ditë me kursin e këmbimit lek USD), sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore. Shifrat tregojnë se Shqipëria kishte nivelin më të lartë të varfërisë në Rajon edhe në 2025 së bashku me Kosovën dhe do të vijojë ta ketë edhe së paku deri në fund të dekadës.

Një e katërta e popullsisë së vendit është jashtë konsumit pasi shporta e blerjeve me këtë shumë është shumë e kufizuar vetëm sa për mbijetese. Shërbimet arsimore dhe shëndetësore apo qiraja në këtë nivel të ardhurash janë tërësisht të papërballueshme.

Metodologjia e Bankës Botërore përllogarit se rreth 60 për qind e shumës prej 681 lekësh pra rreth 400 lekë shkojnë për ushqime ditore dhe pjesa tjetër prej 281 lekësh për të përballuar të gjitha shpenzimet e tjera.

400 lekë në ditë ushqim çfarë blen

Me një buxhet prej 400 lekësh në ditë për ushqim, 23.4 % e popullsisë në Shqipëri detyrohet të orientohet tërësisht drejt produkteve të shportës bazë dhe shumë të kufizuar pa mish, pasi kjo shumë është e mjaftueshme vetëm për një dietë modeste. Ky nivel shpenzimi kërkon një menaxhim qe eliminon mundësinë për konsumuar produktet jetike të shportës.

Për të qëndruar brenda këtij kufiri 400 lekë një person gjatë një ditë mund të blejë një bukë masive kushton rreth 100 – 120 lekë, dy kokrra vezë llogariten rreth 50 – 60 lekë, një gotë kos ose qumësht që kushton rreth 60 – 80 lekë, gjysmë kilogrami patate ose disa mollë kushtojnë rreth 50 – 70 lekë. Me tej mund te blihet një porcion fasule, oriz ose makarona llogaritet rreth 70 – 90 lekë.

Ky buxhet nuk lejon hapësirë për produkte si mishi i viçit apo i derrit, pasi kostoja e tyre tejkalon mundësitë ditore. Po ashtu, shpenzimet për si ëmbëlsirat, pijet me gaz apo kafetë në lokal janë të pamundura.

281 lekë të tjera për drita dhe uje

40 për qind e shumës prej 681 lekësh gjithsej 281 lekë shkojnë për mbulimin e faturave të dritave dhe ujit. Energjia elektrike dhe uji për një konsum minimal llogariten rreth 150 deri në 200 lekë në ditë, dhe edhe pse shteti ofron subvencione prej rreth 648 lekësh në muaj për kategoritë në nevojë, barra mbetet përsëri e lartë.

Situata vështirësohet më tej nëse personit i duhet të lëvizë për punë ose arsim, pasi transporti publik me urban kushton 80 lekë në ditë për një biletë vajtje-ardhje. Kjo kosto e nxjerr buxhetin ditor menjëherë me minus, duke e detyruar individin të zgjedhë mes ecjes në këmbë ose pakësimit të mëtejshëm të ushqimit. Ndërkohë, produktet e higjienës bazë si sapuni apo pasta e dhëmbëve zënë rreth 20 deri në 30 lekë të tjera nga ky buxhet modest.

Çfarë nuk mund të konsumojë 23% të popullsisë

Kategoria që jeton me 681 lekë në ditë mbetet me nevoja kritike plotësisht të pambuluara. Qiraja në zona periferike, që kushton rreth 1,075 lekë në ditë, është e papërballueshme pasi tejkalon të gjithë buxhetin ditor. Po ashtu, blerja e medikamenteve apo vizitat mjekësore private janë të paarritshme pa ndihmë shtesë. Edhe arsimi mbetet një sfidë, pasi tarifat universitare kërkojnë kursime drastike ose punësim shtesë. Sa i përket veshjeve, blerja e rrobave apo këpucëve ndodh vetëm përmes kursimeve afatgjata ose mbështetjes nga të afërmit jashtë vendit. Kjo kategori gjithashtu nuk mund të përballojë pushime dhe konsumin e vakteve jashtë dhe të marrë pjesë në aktivitetet kulturore./Monitor

EUROSTAT: 44.5% e familjeve me fëmijë në Shqipëri në rrezik varfërie, dy herë më e lartë se mesatarja e BE

Gati 45% e familjeve, që kanë fëmijë në varësi në Shqipëri janë në rrezik varfërie, përballen me privim të rëndë material dhe social, ose jetojnë në një familje me intensitet shumë të ulët pune. Të dhënat janë publikuar nga Eurostat, në raportin e sotshëm për rrezikun e varfërisë me të cilin përballen familjet me fëmijë.

Kjo përqindje është shumë më e lartë sesa mesatarja europiane prej 22.1%.

Eurostat mat treguesin AROPE, që tregon përqindjen e popullsisë në rrezik varfërie ose përjashtimi social.

Konkretisht, në Shqipëri 44.5% e familjeve me fëmijë në varësi në Shqipëri, ose kanë të ardhura sa 60% e medianës kombëtare, ose nuk paguajnë dot fatura, shpenzimet e papritura, pushimet, ushqimet, ose jetojnë në një familje ku shumica e anëtarëve punojnë shumë pak, ose një kombinim i disa prej këtyre kushteve. Për familjet pa fëmijë, kjo përqindje është 37%, sërish shumë më e lartë sesa mesatarja e BE-së prej 19.8%.

Varfëria e familjeve shqiptare me fëmijë është shumë e lartë se e rajonit. Në Mal të Zi, në rrezik varfërie janë 34.8% e familjeve me fëmijë, e dyta më e lartë në Europë, pas Shqipërisë. Në Serbi, vetëm 21.4% e familjeve me fëmijë janë në rrezik varfërie.

Edhe Maqedonia e Veriut, ka 29% të familjeve me fëmijë në rrezik varfërie. Mungojnë të dhënat për Kosovën dhe Bonjën.

Sipas Eurostat, Treguesi “në rrezik varfërie” mat përqindjen e personave që jetojnë me të ardhura më të ulëta se një prag i caktuar në vendin e tyre. Sipas Eurostat, një person konsiderohet në rrezik varfërie nëse të ardhurat e tij të disponueshme (pas transfertave sociale) janë nën 60% të të ardhurave mediane kombëtare.

“Norma e privimit të rëndë material dhe social” (SMSD) mat përqindjen e popullsisë që nuk mund të përballojë financiarisht disa nevoja bazë të jetesës. Sipas Eurostat, një person konsiderohet në privim të rëndë material dhe social nëse nuk mund të përballojë të paktën 7 nga 13 elemente bazë, si pagesa e faturave, shpenzimet e papritura, pushimet, ushqimi i rregullt, interneti apo pjesëmarrja në aktivitete sociale.

Norma e privimit të rëndë material dhe social (SMSD) mat përqindjen e popullsisë që nuk mund të përballojë financiarisht disa nevoja bazë të jetesës. Sipas Eurostat, një person konsiderohet në privim të rëndë material dhe social nëse nuk mund të përballojë të paktën 7 nga 13 elemente bazë, si pagesa e faturave, shpenzimet e papritura, pushimet, ushqimi i rregullt, interneti apo pjesëmarrja në aktivitete sociale.

Personat që jetojnë në familje “me intensitet shumë të ulët pune” janë ata që jetojnë në familje ku anëtarët në moshë pune kanë punuar 20% ose më pak të potencialit të tyre total të punës gjatë vitit.

Europa

Sipas Eurostat, në vitin 2025, 22.1% e personave që jetonin në familje me fëmijë në varësi në BE ishin në rrezik varfërie ose përjashtimi social (AROPE), krahasuar me 19.8% të atyre që jetonin në familje pa fëmijë në varësi.

Norma AROPE për personat që jetonin në familje me fëmijë në varësi ishte më e larta në Spanjë, me 29.9%, e ndjekur nga Rumania, me 29.4%, dhe Bullgaria, me 29.1%. Në të kundërt, nivelet më të ulëta u regjistruan në Slloveni, me 10.4%, Holandë, me 11.7%, dhe Qipro, me 12.2%.

Në 16 nga 27 vendet e BE-së, norma AROPE ishte më e lartë për personat që jetonin në familje me fëmijë në varësi sesa për ata që jetonin në familje pa fëmijë në varësi./ Monitor

Rruga që kushtoi 260 mln euro sërish me probleme, situata kritike në lotin e dytë të aksit Qukës-Qafë Plloçë

Rrugës Qukës-Qafë Plloçë nuk i mbarojnë problemet, pasi ditëve të fundit janë evidentuar sërish problematika në këtë aks.


 

Sipas asaj që shihet në terren vërehen ulje të niveleve në shtratin e rrugës, konkretisht në lotin e dytë, pranë zonës së quajtur “Kthesa e Trebinjës”.

Duhet të kujtojmë se vetëm pak kohë më parë, edhe një pjesë tjetër e këtij aksi, pësoi zhytje për shkak të rrëshqitjes së strukturës.

Megjithatë pavarësisht se kanë kaluar kohë ky segment ende nuk është rikthyer në normalitet, ndërsa qarkullimi vijon të jetë i kufizuar dhe i orientuar vetëm në një korsi.

Problemet dhe dëmtimet në rrugën Qukës–Qafë Plloçë kanë nisur që prej inaugurimit të saj.

Gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, ka patur shumë problematika për shkak të reshjeve.

Kjo rrugë ka kushtuar 260 milion euro dhe është hapur për qarkullimin e mjeteve në shtator të vitit të shkuar. Ndërsa  pas problematikave në lotin e tretë, së fundmi situata serioze është evidentuar dhe në lotin e dytë të rrugës. gsh

Gjykata Speciale për Radio Evropa e Lirë: Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është shtyrë për të paktën dy muaj

Radio Evropa e Lirë

Paneli gjyqësor i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka shtyrë edhe për të paktën dy muaj shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në gjyqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjyqi ndaj Hashim Thaçit, ish-president; Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, ish-kryeparlamentarë; dhe Rexhep Selimit, ish-deputet, përfundoi në shkurt dhe aktgjykimi pritej këtë muaj.

Megjithatë, zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, i ka thënë Radios Evropa e Lirë të mërkurën se paneli gjyqësor vendosi ta shtyjë shpalljen e aktgjykimit deri më 20 korrik, “për shkak të kompleksitetit të rastit”.

Ajo gjithashtu shpjegoi se 20 korriku nuk nënkupton se në atë kohë do të shpallet aktgjykimi dhe paralajmëroi se mund të ketë shtyrje tjetër.

“Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data e afatit të zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje e mëtejshme do të jetë absolutisht e nevojshme, do të nxjerrë një urdhër për këtë qëllim në kohën e duhur”, tha Griep.

Raporti i IOM: Shqipëria, ndër më të rrezikuarat në Europë nga emigracioni i moshave riprodhuese! Ja pasojat

Shqipëria është ndër vendet europiane ku emigracioni mund të ndikojë më tej në rënien e popullsisë, për shkak të largimit të personave në moshë riprodhuese, vlerëson Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin në raportin “World Migration Report 2026”.

Raporti thekson se Europa ka numrin më të madh të vendeve që kanë shënuar rënie të ndjeshme të popullsisë gjatë periudhës 2005-2024. Sipas IOM, në disa vende të kontinentit, rënia e popullsisë lidhet kryesisht me normat e ulëta të lindshmërisë, ndërsa emigracioni ka kontribuar gjithashtu në këtë prirje.

Raporti përmend Shqipërinë krahas Lituanisë, Moldavisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, si vende ku normat e fertilitetit janë tashmë nën nivelin e zëvendësimit të popullsisë.

“Në vende si Shqipëria, Lituania, Republika e Moldavisë dhe Bosnja e Hercegovina, ku normat e fertilitetit janë tashmë nën nivelin e zëvendësimit të popullsisë, emigracioni i personave në moshë riprodhuese mund të kontribuojë në një rënie të mëtejshme të popullsisë, për shkak të numrit të lindjeve që humbasin pas largimit jashtë vendit”, thuhet nw raport.

Raporti vëren gjithashtu se gjatë tre dekadave të ardhshme, disa vende europiane, si Moldavia, Bosnjë-Hercegovina dhe Lituania, pritet të humbasin 20% ose më shumë të popullsisë së tyre. Për shumë vende europiane, imigracioni pritet të mbetet një faktor kyç për rritjen e popullsisë, duke zbutur efektet e plakjes dhe të lindshmërisë së ulët.

Sipas raportit, në vitin 2024 kishte rreth 304 milionë migrantë ndërkombëtarë në botë, ose 3.7% e popullsisë globale. Pavarësisht rritjes së numrit absolut të migrantëve, IOM thekson se shumica e njerëzve vijojnë të jetojnë në vendin ku kanë lindur.

Shqiptarët po bëhen europianë, 62% e emigrantëve nën 35 vjeç

Të dhëna të tjera të Eurostat, më herët bënë të ditur se emigrantët që kanë ikur nga Shqipëria, tashmë po bëhen qytetarët të vendeve të BE-së me të drejta të plota. Në vitin 2024, rreth 48.2 mijë shtetas shqiptarë morën shtetësi në një nga vendet e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të Eurostat.

Që nga viti 2010, rreth 632 mijë shqiptarë kanë marrë pasaportë në një nga vendet e BE-së, ndërsa vetëm dekadën e fundit janë dhënë 522 mijë shtetësi. Niveli më i lartë ishte në 2016 dhe 2016, me rreth 60-67 mijë në vit.

Shifra prej 522 mijë shqiptarësh që kanë marrë një shtetësi të BE-së në dekadën e fundit përkon pak a shumë dhe me tkurrjen e popullsisë në vend që në periudhën gjatë dy censeve 2011-2023 u ul me rreth 420 mijë persona, e ndikuar në pjesën më të madhe nga emigracioni, por dhe nga rënia e shtesës natyrore të popullsisë, si rrjedhojë e lindjeve më të pakta.

Po sipas Eurostat, në treguesin tjetër, atë të numrit të emigrantëve shqiptarë në vendet e BE-së, mbizotërojnë të rinjtë, vetëm në vitin 2024 kanë emigruar në vendet e Bashkimit Europian rreth 44 mijë shqiptarë.

Në total, 62% e personave që kanë ikur emigrantë në vitin 2024 ishin nën 35 vjeç. Një pjesë e rëndësishme vitale dhe me përvojë e tregut të punës gjithashtu po preferon të largohet, me grupmoshën 35-49 vjeç që përbënte 20% të të ikurve.

Të dhënat historike të Eurostat tregojnë se ka një ulje të moshës së emigracionit. Psh në 2019-n, grup mosha kryesore që emigroi ishte ajo midis 30-34 vjeç, me 15.6% të totalit.

Emigracioni e ka dhënë tashmë efektin në rënien e lindjeve. Ndërmjet 2015 dhe 2025, numri i fëmijëve të lindur në vendin tonë ra me 35%, duke reflektuar, jo vetëm dëshirën e njerëzve për të pasur më pak fëmijë, por për një tkurrje të motorit riprodhues të vendit.

Të dhënat zyrtare të INSTAT referojnë se ndërmjet 2015 dhe 2025, numri i grave në kulmin e riprodhimit 20-34 vjeç ra me 32%. Qarqe të tëra kanë humbur mbi gjysmën e grave në moshën e lindjes në dekadën e fundit.

Popullsia e re në moshë riprodhimi u tkurr dy herë më shpejt se popullsia e përgjithshme, duke garantuar përkeqësim të fortë të lindjeve në vijim.

Vitin e kaluar lindën 21,425 bebe në të gjithë vendin, ose 8% më pak se vitin paraardhës. Ritmi i rënies është thelluar pas pandemisë me rreth 26% gjatë 2021–2025. Në fillim të viteve ’90, lindjet ishin mbi 70 mijë, ose mbi tre herë më shumë. /Monitor

“Ne masim lirinë e medias, jo komunikimin e qeverisë” – Reporterët pa Kufij i përgjigjen Ramës: Renditja e Shqipërisë në vendin e 83-të pasqyron sulmet politike e kërcënimet ndaj gazetarëve

Reporterët pa Kufij i janë përgjigjur kryeministrit Edi Rama në lidhje me raportin e tyre për lirinë e medias, ku Shqipëria renditej në vendin e 83-të, duke shënuar një rënie me tre pikë në krahasim me një vit më parë.

Në reagim, Reporterët pa Kufij nënvizojnë se, renditja e Shqipërisë në vendin e 83-të pasqyron sulmet politike, abuzimin me organet e zbatimit të ligjit, transparencën e ulët dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.

“Kryeministër Edi Rama, ne masim lirinë e medias, jo komunikimin e qeverisë. Renditja e Shqipëria në vendin e 83-të (-3) në Indeksin 2026 pasqyron sulmet politike, abuzimin me organet e zbatimit të ligjit, transparencën e ulët të medias dhe kërcënimet ndaj gazetarëve,” thuhet në reagimin e Reporterëve ka Kufij.

Kjo deklaratë erdhi pas një postimi të mëhershëm të kryeministrit Edi Rama, i cili vinte në dukje një vlerësim pozitiv të Agjencisë për Media dhe Informim në një raport të SIGMA-OECD, ndërsa ironizoi duke përmendur “bërbaltje”, që sipas tij, janë bërë nga të 4 anët nga brenda dhe jashtë vendit.

“Deri dje e bombarduan dhe përbaltën nga të katër anët, ca nga brenda e ca nga jashtë, duke vënë kujën e duke harxhuar bojë kot, për raportet e tyre të pavarura jo vetëm nga qeveria, po edhe nga faktet… Por ja që e vërteta qenkesh ndryshe, shumë ndryshe, sepse kjo Agjencia për Media dhe Informim e qeverisë, e pagëzuar në lindjen e saj me bombat e me baltën e pushtetit të katërt, luaka një rol krejt tjetër, e na qenka në shërbim cilësor të mediave dhe të publikut natyrisht.

Dhe këtë nuk po e them më unë. Nuk e thotë as qeveria e një vendi që targetohet rëndom dhe jo rrallë fare kuturu, për lirinë e shtypit. Këtë e thotë raporti i SIGMA-OECD, një ndër ato burime institucionale ndërkombëtare, reputacioni i fortë i të cilave është krijuar mbi respektin për faktet, jo mbi perceptimet, mbi analiza profesionale, jo mbi paragjykime arbitrare, mbi vlerësime objektive të të vërtetave, jo mbi amplifikime subjektive të gjysëm të vërtetave!”, shkroi Rama. gsh

Reagimi i Reportereve pa kufij

Send this to a friend