VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Synimet strategjike të Serbisë në Kosovë Nga Xhafer SHATRI

By | June 4, 2020
blank

Komentet

blank

Kosova po bëhet një vend normal ! Nga Xhafer Shatri

Dje partitë politike patën një takim të rëndësishëm te Presidentja Osmani.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kishte propozuar që për shkak të pandemisë zgjedhjet lokale të shtyhen deri sa të kryhet vala e radhës e Covidit 19. Partia në pushtet e kishte mbështetur këtë propozim.
Opozita e kundërshtoi.
Presidentja vendosi: pa konsenzus nuk mund të shtyhen zgjedhjet.
Folën edhe kryetarët e partive opozitare, zotërinjtë Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku. Folën pa inat, pa helm në gjuhë. Folën si njerëz normal.
Foli edhe kryeministri. Krejt normalisht.
Pa cinizëm, pa mëni.
Unë nuk e di se çmendime kishin ata në kokë në momentin kur po flisnin, por ata dje i dhanë një mesazh të fuqishëm kombit, por edhe të tjerëve:
Kosova po kthehet në një vend normal, sepse kundërshtitë po zgjidhen në tavolinë. Pa sharje, pa jargë, pa zallahi.
Kjo është dëshmia më e mirë se vitin e fundit në Kosovë ndodhën ndryshime substanciale: u ndërrua pushteti, u ndërruan edhe elitat politike në dy partitë e mëdha të vendit: në LDK e PDK.
Një mendësi e re po bëhet dominuese gjithandej te ne.
Anal-istët e qarshisë, kjo lukuni çakejsh të neveritshëm, kësaj adhe mbetën me gishta në gojë.
Urime Kosovë!
blank
blank

Ballkani i Hapur  Nga Parid Turdiu

Mora disa disa komplimenta ne Inbox, te tipit “flm per shkrimet, te ndjek me vemendje”, si dhe nje kritike, “je too soft”.  U pergjigja “soft is good” sidomos kur te tjeret hard.  (S’ka kuptim qe te gjithe te jene njesoj.)

Theodore Roosevelt ka thene, “fol soft, por mbaj nje dajak te madh ne dore”.  Fjala popullore thote, “qeni qe leh, nuk kafshon”.  Une flas soft per shkak te moshes.  Te rriturit duhet te jene te matur.  Vrulli dhe nxitimi i kane hije rinise.

Ballkani i Hapur?  Ashtu ka qene Gadishulli Ilirik ne 2 mije vet te perandorive te Romes e Stambollit, pastaj u nda ne shtetkombet e sotme.

Fara e ndarjes lind ne realitetin e bashkimit.  Fara e bashkimit lind ne realitetin e ndarjes.  Çdo gjendje permban faren e shkatrrimit te vet.  Pse?  Se bashkimi realizon disa gjera, por neglizhon disa te tjera.  Krijohen ferkime dhe ndodh ndarja.  Me ndarjen po ashtu, kenaqen disa kerkesa, por krijohen disa pengesa.  Lind nevoja per nje bashkepunim te ri.

Eshte koha e bashkepunimit, jo e ekstremizmave.  Por bashkepunimi duhet te jete parimor, per te bere gjera te mira, jo mafioz.  Njekohesisht bashkepunimi duhet te kete kufi (boundaries), perndryshe behet “shoqeri e dendur, e qelbur, e fendur”.

Serbia dhe Shqiperia jane shtete mafioide, – boll qe te shihet harta e pastrimit te parave  https://index.baselgovernance.org/map.  Por edhe Zvicra paska te njejten ngjyre ne harte.  Kreret perendimore jane mesuar te bashkejetojne me mafian, prandaj nuk qelben nga era e keqe ne Shqiperi e Serbi.

Merkel, ne turin e saj te lamtumires vizitoi Beogradin dhe Tiranen, nje njohje e faktit se dy kombet me te medhenj ne BP jane serbet dhe shqiptaret.  Mbyllja u be ne Tirane, qe sinjalizon disi nje mbeshtetje per shqiptaret, – tradicionale ne nocionin gjeopolitik te gjermaneve.

Rama e quajti “teori konspiracioni” refuzimin e Kurtit per Ballkanin e Hapur.  Kurti u pergjigj sakte se proceset europiane duhet te udhehiqen nga vlera europiane.

Per 6 vendet e vogla te BP Europa inicioi “Procesin e Berlinit”, i cili ka levizur teper ngadale. Serbia dhe Shqiperia ndermoren nismen paralele te “Ballkanit te Hapur”, me te cilen u bashkua edhe Maqedonia.  Tre vendet e tjera e refuzuan.

Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur kane te perbashket integrimin gradual ballkanik.  Ndryshojne ne faktin se Procesi i Berlinit udhehiqet nga BE, kurse Ballkani i Hapur nga segmente te fuqishme ne USA, sic e thote vete emri:  Open Balkan, i organizates Open Society te Soros.  Vertet, kreret e tre vendeve te BH, Vuçiç, Rama dhe Zaev, jane te njohur per lidhjet soroiste.

USA dhe BE, njekohesisht konkurojne dhe bashkepunojne.  Marredhenia e tyre nuk eshte pa ferkime.  Trump anonte ndaj rivalitetit me BE, Biden ndaj bashkepunimit.  Konflikti ndermjet “Procesit te Berlinit” dhe “Ballkanit te  Hapur” eshte shprehje e konkurences se Amerikes me Europen ne Ballkan.  Administrata Biden duket se do i leshoje pe Europes, ne lidhje me nje ceshtje kaq prane kufinjve te saj.

Difekti i “Procesit te Berlinit” eshte se leviz me shpejtesine e kermillit, te percaktuar nga forca jashte Ballkanit.  Avantazh i “Ballkanit te Hapur” eshte se kontrollohet nga brenda, nga vete vendet e interesuara.

Nje difekt i Ballkanit te Hapur eshte se mund te dyshohet qe nuk udhehiqet nga vlera demokratike europiane, por nga marreveshja personale e dy krereve iliberale me tendenca autokratike, Rama dhe Vucic.  Duket se eshte fjala per nje Ballkan te Hapur te mbyllur.

Duket sikur eshte bere teper e veshtire per oligarket shqiptare e serbe te bejne dallavere ne vendet e veta, ku njerezit i njohin dhe kane menduar qe serbet te pastrojne para ne Shqiperi, kurse shqiptaret ne Serbi, se s’merret vesh, kalon per nje investim te nje kompanie te huaj.

Ana pozitive e pastrimit te parave eshte qe sjell para ne vend.  Anet negative jane te shumta.

Difekti me i madh i Ballkanit te Hapur eshte se kapercen, injoron, saboton te drejten e Kosoves per t’u njohur nga Serbia.  Shqiperia dhe Kosova jane dy rajone te te njejtit komb.  Nuk duhet te shihet drite djelli ndermet tyre (dmth nuk duhet te kete carje muri ku shihet drite).  Shqiperia dhe Kosova duhet te jene solidare.  Ne marredheniet me Serbine duhet te udheheqe Kosova, se ajo ka pasur pune me ta.

Per Kosoven dhe Shqiperine, Serbia eshte si veze me proshute, per mengjes.  Ne kete rast, Shqiperia eshte pula, qe sakrifikon vetem vezen, kurse Kosova eshte derri, qe sakrifikon mishin e vet.

Me te njohur Serbia Kosoven, le te behet Ballkani i Hapur (per oligarket).

Nderkohe une kam blere nje Tshirt “Tax The Rich”, qe do e vesh ne Tirane.

Shoh ne Facebook fotot e shqiptareve nga USA, Kanadaja, Australia, pa permendur vendet europiane, qe kalojne ato pushime te pakta ne Shqiperi.  Mund te shkojne ne gjithe boten, por zgjedhin Shqiperine.  Nuk eshte Shqiperia me e bukura ne bote.  Nuk ka asgje qe nuk e kane Greqia, Kroacia, Spanja, Italia, Turqia.  Nqs Shqiperia ka 5 plazhe, Amerika ka 5 mije.

Pse kosovaret dynden per te ardhur ne plazhet e Shqiperise?

Dje kisha miq per drinks dhe nje arkitekt, qe shtepine e vet e ka te mbushur me gjera te bukura, pelqeu pikturen time te fundit, “Emigracioni”.  Me tha, “e shet, se dua ta blej.”  U pergjigja, ‘jo, se dua te bej ekspozite, ndoshta”.  Me pyeti “ketu ne West Palm Beach?” I thashe, “jo, ne vendlindje”. Ai:  “Pse aq larg?”  Une:  “Nuk me intereson ketu, por atje.”

Pse?  Memedheu, identiteti.  Identiteti eshte i rendesishem, eshte pjese e te qenit njerez, jo robote.

Perçarja ndermjet ndermjet Shqiperise dhe Kosoves rrit rrezikun qe Kosova te zhvilloje, ne fillim shtetsine dhe me pas identitetin e vet e te dale perfundimisht si shtetkomb me vehte, si Maqedonia ndaj Bullgarise.

Do them dicka te tmerrshme:  Nuk me pelqen qe Kosova te zhvilloje shtetsine e vet, se kastes politike do i lezetohet sipas parimit “me mire i pari ne fshat se i dyti ne qytet” dhe do pengoje bashkimin kombtar.  Ata qe do demtohen jane shqiptaret e thjeshte, qe meritojne nje shtetkomb te madh dhe te forte.

Shqiptaret e kane shtetin e vet, qe me 1912.  Tani duhen bashkuar (paqesisht) trojet shiptare, jo te krijohen principata te reja, flamuj te rinj, kombtare te reja futbolli.  Ky komb eshte teper i vogel per t’u fragmentuar.

Problem te ngjashem ka Serbia, me zonat serbe te shperndara neper Ballkan.  Serbia paska caktuar 15 shtatorin si “dite te flamurit serb”; ka futur fshehurazi flamuj ne trojet serbe jashte kufinjve, qe  po i valavisin sot.

E njejta gje qe dua per shqiptaret, nuk mund t’u mohohet serbeve.  Meritojne te bashkohen paqesisht ne shtetkombin e vet, njesoj si e meritojme ne.  Quhet vetevendosje.  Me pas, keta popuj sovrane ne shtepite e veta, le te ulin kufinjte per te lehtesuar biznesin.

Jam per qarkullim te lire te kapitalit, por jo te njerezve; njerezit duhet te migrojne me leje, per aresye te rregulluara me ligj.  Po te kisha ne shpi nje dhome te tepert, do pranoja te fusja nje qeraxhi te filtruar, jo kush te doje, si han pa porta.

Po e mbyll me nje note pozitive:

Nje efekt i dobishem i nismes se Balkanit te Hapur eshte presioni ndaj BE, per te hapur qesen dhe per te pershpejtuar integrimin, duke i lene te kuptoje se hej, nuk je i vetmi kandidat per Shqiperine tone beqare, pak kv.  Nxitohu!

blank

11 SHTATORI : SHENJAT E TEPOSHTES AMERIKANE – Nga ANTONIO POLITO – Përktheu Eugjen Merlika

 

 

            Ushtari I fundit sovjetik, gjenerali Boris Gromov, la Afganistanin më 15 shkurt 1989. Muri i Berlinit u shemb në nëndor, nëntë muaj mbrapa. BRSS u shkri në Krishtlindjen 1991. Perandoria komuniste nuk i mbijetoi thyerjes në Kabul. Fundi i perandorisë britanike – ka kujtuar së fundi  historiani Niall Ferguson – filloi mbas një krize financiare dhe një pandemie rrënuese, gripit spanjoll të viteve 1918 – 1919. Shtetet e Bashkuara, në një hapësirë kohe të krahasueshme, kanë njohur njërën dhe tjetrën.

Paralele historike tronditëse po nxjerrin në dritë në këto javë profecitë e “teposhtes amerikane”. Shumë besojnë se Dymija nuk do të jetë si Nëntëqinda, “shekulli amerikan”. Nga ana tjetër të gjitha perandoritë shpejt a vonë mbarojnë, në mos për tjetër  për “overstretch” e tyre, pra për zgjatjen e tepërt, pa patur më burime ekonomike dhe ushtarake të mjaftueshme për të kontrolluar hapësirën e madhe të botës mbi të cilën shtrijnë interesat e tyre. Nga pikpamja ushtarake Amerika nuk ka ende rivalë; por, ushtarët e saj, qindra mijra,  janë të pranishëm në 150 Vënde. Nga pikpamja ekonomike  kriza e 2007-08 ka bindur Kinën dhe botën se mbreti është lakuriq: turbo-kapitalizmi anglosakson, deri atëherë i shkërbyer gjithandej (edhe në Pekin), nuk është i pandalshëm, madje mund të eksportojë krizat e saj. Shënjat e teposhtes me një fjalë janë. Por duhet të themi: pasardhësve vendimi i vështirë.

Më shumë se fatet e Shteteve të Bashkuara, në fakt ne evropianëve duhet të na interesojnë fatet e botës që do të vijë “mbas” SHBA. Pyetja e vërtetë që ka të bëjë me ne nuk është nëse jemi të pranishëm në rënien e perandorisë amerikane, të paralajmëruar nga Paul Kennedy që nga fundi i viteve tetëdhjetë, gjë për të cilën është më se e ligjëshme të kemi dyshime, por më mirë nëse Amerika është ende “kombi i domosdoshëm”. Nëse pra bota mund të shpresojë në një rend thelbësisht paqësor e të begatë, e njëherësh të karakterizuar nga zgjerimi i lirisë, i të drejtave njerëzore dhe i demokracisë, pa udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara.

Qe Madeleine Albright, ndoshta e fundit Sekretare e madhe e Shtetit amerikan, që përdori përcaktimin e “kombit të domosdoshëm”, mbas rastit të fundit në të cilin SHBA kanë pranuar të bëjnë “luftën e të tjerëve”: ndërhyrja e 1999 kundër Sërbisë në mbrojtje të Kosovës. Ishte ideja e Shteteve të Bashkuara sigurues të qëndrueshmërisë ndërkombëtare, si e vetmja mbifuqi e mbetur. Por ishte edhe një riformulim i parimit të “jashtzakonshmërisë amerikane”, bindja se ai komb ka një detyrë të veçantë kundrejt gjithë botës, sepse të veçanta janë vlerat që përfaqëson. Kjo teori është ndërpretuar shpesh si një shfaqje e thjeshtë e imperializmit. Megjithatë ndjenja e të pasurit të një misioni mbarë botëror i ka bashkuar në histori të gjithë kombet e lindura nga një revolucion: nga BRSS tek Franca, tek Britania e Madhe.

Që atëherë, ndoshta në vazhdim të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar në një përzgjedhje gjithënjë e më të ngushtë të interesave të tyre kombëtare. Dy luftërat n’Afganistan dhe n’Irak janë njohur si “luftëra amerikane”, edhe se të veshura me arsye morale e zotimesh të “nation building”. Që nga Obama, më pas me ashpërsinë e Trump-it, e së fundi me sinqeritetin befasues të Biden-it, arriti lajmi që Amerika tërhiqej nga fushat e betejave ku mendonte se kishte sendërtuar qëllimin e saj parësor: të kapte Bin Ladenin e të shkatërronte Al Qaedën n’ Afganistan. Të nxirrte jashtë ndeshjen me skajshmërinë islamike në Irak, të çonte pra terrenin e betejave larg truallit kombëtar, duke pranuar të humbiste ushtarë për të shpëtuar civilë. Në fund të fundit kjo ka ndodhur. Tashmë shkëmbimi nuk është më i nevojshëm, prej njëzet vitesh terrorizmi nuk godet më Amerikën, pra kthehemi në shtëpi.

Është e mundëshme që goditja e 11 shtatorit të ketë qënë vendimtare për t’i dhënë fund idesë së “kombit të domosdoshëm”. Pyetja e parë që bënë amerikanët atë të martë qe: “Përse na urrejnë kaq shumë?” Përgjigja, me kalimin e kohës, duhej t’ishte zorile një prirje për t’u zotuar më pak në botë, për të hequr dorë nga roli i viganit që vërtitet duke shtrënguar në një dorë një karrotë e në tjetrën një shkop me xhunga. Me kalimin e kohës përgjigja qe: secili të bëjë për veten. Nëse befason ndryshimi ndërmjet premtimit të Biden-it në fushatën zgjedhore mbi ngritjen e rolit ndërkombëtar të SHBA dhe së vërtetës së qëndrimit të tij faktik që në rastin e parë, nuk befason drejtimi i ecjes që mbetet ai i njëjti i para-ardhësve të tij: sjellja në shtëpi e ushtarëve.

Megjithatë, edhe pse mund të duket një kundërthënie, mbarimi i një lufte nuk do të thotë detyrimisht fillimi i një paqeje. Për shembull n’Afganistan prej kohësh nuk kishte luftë, ndërsa mbas tërheqjes amerikane rifilloi me fitoren talebane e betejën e Panshirit. Veç asaj zbrazësia strategjike e lënë nga SHBA do të mbushet. Saigoni ra në pranverën e 1975, duke shënuar humbjen më përvëluese të viganit amerikan n’Azi: katër vjet më pas Bashkimi Sovjetik u ndje kaq i sigurtë në vetvete sa që mësyu Afganistanin, duke i dhënë fund fazës paqësore të uljes së tensionit ndërmjet Lindjes e Perëndimit. Ndërsa Obama vinte në jetë strategjinë e “leading from behind”, një mëtim i qeverisjes së botës nga ulësja e mbrapme, Putini ndërhyri në Ukrainë dhe në Siri. E mund të jemi të sigurtë se tani, mbas Afganistanit, kombëtarizmi kinez do të ndjehet më i fuqishëm e më guximtar.

Nga ana tjetër, provën që bota nuk është aspak m’e sigurtë pa xhandarin amerikan, e patëm pikërisht në Kabul në këto ditë: qenë talebanët që liruan qindra militantë të Isis-K, grupit që mori përsipër plojën e aeroportit, dhe emëruan kryeministër një terrorist ndërkombëtar në listat e OKB.

Bota ndoshta nuk do t’a kalojë provimin e teposhtes amerikane. Njëzet vite mbas Kullave binjake, Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë më të jenë “kombi i domosdoshëm”. Por ne kemi një nevojë shumë të madhe.

 

“Corriere della Sera”, 8 shtator 2021   Përktheu Eugjen Merlika                                                                                                                                                                                                                                        

blank

MBROJTJA EVROPIANE DHE BOTA E DJESHME – Nga DANILO TAINO – Përktheu Eugjen Merlika

     Sa gjasë ka që Bashkimi Evropian do t’arrijë të na japë një politikë serioze të përbashkët të Mbrojtjes? Atë autonomi strategjike për të cilën flet Emmanuel Macron e që nga pak të gjithë e quajnë të domosdoshme? Mbas tërheqjes tronditëse të Joe Biden-it nga Afganistani, çështja ka brofur në krye të përparësive politike evropiane, sëpaku për çastin. Vështirësitë për të krijuar një Mbrojtje të përbashkët  janë të shumta e të rrënjosura. Është njëra shpesh e nënvleftësuar: shumica e qytetarëve evropianë nuk don t’i a dijë. Të rritur në paqe e në demokraci, të mbrojtur nga shqyti i NATO-s, më së shumti amerikan, duket se nuk kanë kuptuar se bota ka ndryshuar, është bërë më e rrezikëshme. Që është kthyer shemëria agresive  mes fuqive, e ngjajshme me atë të gjysmës së parë të Nëntëqindit, akoma më komplekse se ajo ndërmjet SHBA dhe BRSS gjatë luftës së ftohtë.

Një hulumtim serioz të opinionit më të fundit mbi qëndrimin e evropianëve sa i përket Mbrojtjes e ka kryer Pew Research Center në fillim të vitit 2020. Në përgjithësi kishte rënë besimi në NATO-n, më të shumtën për shkak të politikës së America First të Donald Trump-it: për shembull nga 60 në 49 % në Francë, nga 67 në 57 % në Gjermani nga 2017 në 2019 (ndërsa n’Itali ishte shtuar me 3 %, 60 % në të njëjtën periudhë). Por ajo që është interesante për të kuptuar nëse opinionet publikë evropianë janë të gatshëm  për të marrë përsipër Mbrojtjen është e dhëna që ka të bëjë me Nenin Pesë të NATO-s, simbas të cilit antarët e konsiderojnë sulmin kundër një Vendi t’aleancës si sulm kundër vetë atyre, pra duhet të ndërhyjnë në anën e tij. Pyetjes nëse Vëndi tyre do të duhej të mbronte një aleat të NATO-s të sulmuar ushtarakisht nga Rusia, 66 % të italianëve i përgjigjej jo. Përgjigje johenike edhe nga 60 % e gjermanëve, nga 53 % e francezëve, nga 56 % e spanjollëve. Të vetmit evropianë, në shumicë në dobi të ndërhyrjes, ishin hollandezët, britanikët dhe lituanët. Por pelivançe 75 % e italianëve mendonin se në rastin e një sulmi rus Shtetet e Bashkuara do të kishin ndërhyrë. I njëjti mendim për 72 % të spanjollëve, 63 % të gjermanëve, 57 % të francezëve. Mundet që rasti i Afganistanit të sqarojë pak realitetin. Por përshtypja është që shumica e evropianëve kujton se jeton ende në botën e djeshme. E kuptueshme. Për fat të keq nuk është kështu.

“Corriere della Sera”, 8 shtator 2021  Përktheu Eugjen Merlika

blank

11 SHTATORI: PLAGA E HAPUR DHE RRËNOJAT E NJË SOLIDARITETI TË HUMBUR – Nga MASSIMO GAGGI – Përktheu Eugjen Merlika

 

Amerika që sot kremton përvjetorin e njëzetë të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 është një Vënd i sfilitur, i drobitur nga lufta më e gjatë e historisë së saj: një betejë e zgjatur njëzet vite, e luftuar nga etër dhe nga shumë prej bijve të tyre. Por është edhe një Vënd i ndarë, i përshkuar nga një çarje e thellë. Figura tragjike e Rudy Giulianit është një simbol: kryebashkiaku i brohoritur nga të gjithë si një hero mbi rrënojat tymosëse të 11 shtatorit, “njeriu i vitit” i festuar në kopertinën e Time, i kthyer në një nxitës të sulmit mbi Kongresin të 6 janarit të shkuar, një rrezik për qëndrueshmërinë e demokracisë amerikane.

Pandemia, piskama e sotme, në vënd që t’i bashkonte SHBA si kundër Al Qaedës, ushqen përplasje: madje një klimë të luftës civile me shumë që ftojnë për kryengritje kundër detyrimit vaksinor të lajmëruar nga presidenti Biden. Kongresi, një shënjestër e mundëshme e aeroplanit të tretë të terroristëve të 2001, ai që ra në Pensilvani, mbështillet përsëri nga rrjeta e telit me gjëmba nga frika e sulmit. Jo nga xhihadistët por nga skajorë të së djathtës që do të manifestojnë në Washington të shtunën e ardhëshme.

“Po shkoj në Afganistan me qëllim që biri im një ditë të mos luftojë të njëjtën betejë”. Kur në 2002 kapterri Trevor deBoer i u përgjigj kështu atij që e pyeste se përse shkonte vullnetar, nuk mund të merrte me mënd se 17 vite më pas i biri Payton do të ndahej nga shërbimi ushtarak në të njëjtën bazë afgane ku filloi misioni i tij. Me një luftë që zgjati sa një brez njerëzish, raste si ai i familjes deBoer janë të panumurtë dhe vërtetojnë mirë “mundin e luftës”, dëshirën e shumë amerikanëve për t’u tërhequr nga bota, ndiesinë e fshehtë të zhgënjimit që kërcënon kremtimet e përvjetorit të njëzetë të sulmit terrorist të Al Qaedës.

Plaga e asaj dite të tmerrshme nuk është shëruar kurrë e ka shtyrë, pak a shumë me vetëdije, një popull që ka jetuar gjithmonë me mërgim në tokën e tij dhe me marrëdhënie të ngushta me të gjitha Vëndet, të mbyllet hap mbas hapi në logjikën e “kështjellës Amerikë”. Amerika bujare, e ardhur për të shpëtuar Evropën në dy luftëra botërore, ajo e planit Marshall, nuk është krejtësisht e shuar, por atëherë njerëzit e saj ndjenin se kishin bërë diçka për ata që, për shumë prej tyre, ishin Vëndet e zanafillës: ishte thirrja e rrënjëve dhe kishte ndjeshmëri, vlera e kultura të përbashkëta, të këmbyera nga mirënjohja e Kontinentit të Vjetër kundrejt Botës së Re.

Asgjë nga e gjitha kjo nuk është përsëritur në luftërat e Gjirit e t’Azisë Qëndrore: Vënde të largëta, fisnore, të pakuptueshme. Ashtu sikurse i pakuptueshëm për më të shumtit ishte sulmi i ftohtë kundër Kullave Binjake dhe Pentagonit, i organizuar nga njerëz që vinin nga një Vënd aleat, Arabia Saudite.

Por ata të një lufte të pafund nuk kanë qënë vetëm njëzet vite që kanë sfilitur Amerikën, duke i hequr asaj dëshirën për të luftuar, për të vazhduar të ndërpretojë rolin e xhandarit të botës, të rënë mbi shpatulla nga fundi i viteve Tetëdhjetë me shëmbjen e perandorisë sovjetike. Kanë qënë edhe vite dasirash gjithënjë në rritje, në të cilët Vëndi ka humbur atë pak kompaktësie që kishte fituar pikërisht nën goditjet e terrorizmit.

Ashpërsimi i dasive politike kishte filluar me sulmet tejet të forta të spikerit republikan të Kongresit, Newt Gingrich, kundrejt presidencës Bill Clinton, më pas me zgjedhjen e George Bush-it mbas një lufte kokë për kokë me Al Gorin. Por mësyemja e Al Qaedës, veç shtyrjes së gjysmës së botës të deklaronte “jemi të gjithë amerikanë” e kishte ribashkuar Vëndin. Sot, në një Amerikë që diskuton më shumë për vaksinat se për mënyrat e tërheqjes nga Afganistani, i vetmi që ze faqet e para. është ish (e ndoshta i ardhëshmi) president Donald Trump-i. Ai e bën në mënyrë të çuditëshme: nuk flet për tërheqjen, të kryer mbi bazën e marrëveshjeve që ai ka mbështetur, ka dashur fuqishëm e ka nënëshkruar, por për heqjen e përmendores së gjeneralit konfederal Robert Lee në Richmond të Virgjinisë: një çast nga lufta kulturore në vazhdim n’Amerikë, që mund të jetë e diskutueshme nga pikëpamja e ruajtjes së kujtesës historike. Por ish presidenti e shfrytëzon për të lëvduar një njeri që ka luftuar për të mbrojtur skllavërinë duke shtuar pastaj, me një nga daljet e tij sureale, se po të kishte jetuar në kohët tona, sigurisht Lee do t’a kishte fituar luftën n’Afganistan.

Sureale por të pëlqyeshme për ithtarët e tij. Amerika e sotme është edhe kjo: e trullosur nga dy dhjetëvjeçarë luftërash pa krye, që e kanë dobësuar politikisht, ekonomikisht e moralisht, por edhe e ndarë ndërmjet dëshirës për të përkujtuar të rënët e saj, duke provuar të vetëbindet se viktimat e 11 shtatorit dhe 6650 të vrarët amerikanë në Irak e Afganistan nuk janë flijuar kot dhe tharjes së simpatisë të prodhuar në mënyrë servile nga efekti-Trump, me bindjen e tij se kush vdes në betejë është  një humbës. Veteranë në revoltë kundër tij? Çfarë thua! Madje për të mbushur rradhët e milicive paraushtarake, kundërshtuesit më të gjallë të rregullshmërisë së zgjedhjes së Biden-it, janë pikërisht shumë veteranë të dy luftërave që, të zhgënjyer nga rikthimi në jetën civile, shpesh të papërshtatur ose të papunë, kanë kërkuar ikje në teoritë konspirative më fantastike e kanë gjetur strehë në populizmin e ashoër e luftarak të Trump-it. Njëzet vite më parë Amerika blindohej për t’u mbrojtur nga kërcënimi i të tjerë atentatesh xhihadiste. Sot ai rrezik nuk është harruar, por mbas sulmit të 6 janarit mbi Kongresin, shqetëson më shumë kryengritja e brëndëshme.

Hapësirën ndërmjet këtyre dy Amerikave do t’a shohim sot në qëndrimet e presidentëve dhe ish presidentëve amerikanë: ndërsa Barack Obama e Georg Bush, veç Biden-it do të marrin pjesë në përkujtimoret e të rënëve, Trumpi në Floridë do të dëfrehet duke bërë telekronistin e një ndeshjeje boksi, ndërmjet dy lavdive të vjetra, tashmë pesëdhjetëvjeçarë, të peshave më të rënda.

 

“Corriere della Sera”, 10 shtator 2021   Përktheu Eugjen Merlika

blank

E drejta ndërkombëtare nuk njeh “kompromise të dhimbshme” ! – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

 

Barometri diplomatik

 

 

*** Jo, jo “kompromise të dhimbshme”, por ndëshkim juridiko-penal ndërkombëtar të kolonializmit gjenocidal të Serbisë në Ballkan.

 

Për më tepër, Kosova ka bërë mjaft “kompromise të dhimbshme” në favorin e Serbisë kolonialiste me imponimin e “Planit të Ahtisarit” (2007). Pikërisht ky plan i Ahtisarit provoi se “kompromiset e dhimbshme” nuk zgjidhin problemin kolonial të Serbisë në Ballkan .Prandaj, pa dekolonizimin e Serbisë nuk zgjidhet përfundimisht probelmi i Kosovës, kot po zhvillohet Dialogu i Brukselit (2011-2021), sepse nuk KA kapacitetin juridik dhe politik të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Pavarësisht nga projektet afatgjata të BE-së, Ballkani nuk mund të zhvillohet gjithanshmërisht dhe të integrohet në tërësi, pa dekolonizimin paraprak të Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Prandaj, duhet pasur kujdes, sepse imponimi dhe diktati i çfarëdo “kompromisi të dhimbshëm” është në kolizion flagrant me të drejtën historike dhe me të drejtën e vetëvendosjes si postulat kryesor i së drejtës ndërkombëtare, si dhe në kundërshtim të plotë me Kartën e Kombeve të Bashkuara.

-E drejta ndërkombëtare nuk njeh “kompromise të dhimbshme” as juridike e as politike. Ky  koncept  ëshë fiksion politik, që vë në dukje mosgatishmërinë dhe mosvullnetin  e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e drejtë, të ligjshme dhe përfundimtare të problemeve të ndryshme ndërkombëtare, së këndejmi edhe në Ballkan.

Përkundrazi “kompromiset e dhembshme” mes Kosovës dhe Serbisë lënë të hapur mundësinë e përsëritjes së konflitkeve dhe të luftërave gjenocidale kolonialiste serbe në Ballkan, në veçanti në territoret indigjene të Shqipërisë Etnike (1844-2021).  Kjo është një nga arsyet thelbësore pse pala negociuese shqiptare e Prishtinës  në Dialogun e Brukselit me palën negociuese serbe të Beogradit, në asnjë formë nuk do të duhej të pranonte kurrfarë “kompromisi të dhimbshëm” kinse për të arritur ndonjë “marrëveshje gjithëpërfshirëse” me Serbinë e Aleksandër Vuçiqit. Logjikisht, nuk mund të ketë “marrëveshje gjithëpërfshirëse” nëse Kosova bën “kompromise të dhimbshme” me Serbinë, sepse automatikisht do të vihej në rrezik  shthurja e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, si dhe dekompozimi territorial i saj nga Serbia kolonialiste dhe gjenocidale.

Edhe pse deri tani opinioni i gjerë publik ballkanik, evropian e as ai botëror nuk janë dijeni se për çfarë “kompromise të dhimbshme” pritet të bëhen mes palëve negociuese serbo – shqiptare në Dialogun e Brukselit, që për këtë “opsion” pati njohtuar emisari  i BE-së, Miroslav Lajçak, qysh vitin e kaluar me rastin e vizitës së tij, bërë Prishtinës dhe Beogradit(2020). Mirëpo, pa ndonjë propozim konkret, duke qenë se as Bashkimi Evropian (BE) e as OKB-ja deri tani nuk kanë  shpërpallur ndonjë përkufizim të saktë se çfarë nënkupton “kompromisi i dhimbshëm” për palët negociuese serbo – shqiptare në procesin e Dialogut të Brukselit (2011-2021).

          

“Kompromisi i dhimbshëm” është kushtëzim dhe mosgatishmëri e zgjidhjes përfundimtare të problemit kolonial serbo – shqiptar në Ballkan (1878-2021) !

Mirëpo, pala negociuese e Prishtinës, nuk duhet të pranojë  “opsionin” e diktuar nga emisarët e BE-së, Mirsolav Lajçak dhe Josep Borreli, se gjoja një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Beogradit dhe Prishtinës mund të arrihet vetëm nëse   mes dy palëve  të tyre bëhen “kompromise të dhimbshme”.

Fatkeqësisht një “formulë” të tillë të arritjes së kompromisit politik mes Serbisë dhe Kosovës në kuadrin e Dialogut të Brukselit, tanimë ka paralajmëruar edhe Miguel Berger (sekretar  në Ministrinën e Jashtme të Gjermanisë) në një intervistë dhënë “Deutsche Welle”, më 12 shtator 2021, ku ndër të tjera, thuhet : Zgjidhja e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës duhet të arrihet sa më shpejt. Prandaj përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE është shumë i rëndësishëm. I dërguari special i BE -së për dialog, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, kanë mbështetjen tonë të plotë. Ata janë duke bërë pikërisht atë që tani për tani është e drejtë: T’i ulin të dyja palët në bisedime. Në fund, do të nevojiten të bëhen edhe kompromise të dhimbshme, në mënyrë që negociatat të përmbyllen me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe detyruese, që do t’u mundësojë të dy vendeve të bashkohen me BE-në. Sidoqoftë, përballja me të kaluarën nuk duhet të jetë parakushti i dialogut, sepse kështu bisedimet do të jenë të pamundura. Në këndvështrimin tim është e anasjella: Një marrëveshje e suksesshme mes Kosovës dhe Serbisë do ta bënte më të lehtë përballjen me të kaluarën.” (https://www.dw.com/sq/berger-tregu-i-p%C3%ABrbashk%C3%ABt-rajonal-%C3%ABsht%C3%AB-projekt-historik-q%C3%AB-duhet-jet%C3%ABsuar/a-59155778 ).

Me gjithë këto observime politike të Miguel Bergerit, “kompromiset e dhimbshme”, të parashikuara sipas BE-së, nuk përbëjnë zgjidhjen përfundimtare dhe të drejtë të problemit  kolonial më se njëshekullor të Kosovës (1912-1999). – Së pari, Serbia duhet të dekolonizohet ligjërisht sipas së drejtës ndërkombëtare dhe sipas parimeve dhe objektivave të Kartës së OKB-së, pastaj të kërkohet kompromisi politik mes saj dhe Kosovës. Ndryshe, për  “hesape pa hanxhiun” të BE-së  në Ballkanin Perëndimor, Kosova nuk do të pranojë asnjë “kompromis të dhimbshëm” veç njohjes de fakto dhe de jure nga Serbia, pa asnjë kompensim qoftë territorial apo të krijimit të “srpska zajednicës”, që dot të thotë një “srpska republika” në territorin e Republikës së Kosovës, ashtu siç po kërkon Serbia në Diualogun e Brukselit.

Së fundi, nëse BE-ja përmes Dialogut të Brukselit e “mbështet për muri”-e dtyron palën shqiptare, që të bëjë ndonjë “kompromis të dhimbshëm”, atëherë aletrantiva e vetme është që, qeveria e Kosovës, të shpallë Referendum gjithëpopullor kundër opsionit  të imponuar “kompromise të dhimbshme” në dëm të sovranitetit territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës.

Në këtë rast (me imponimin e kompromisit të dhimbshëm palës shqiptare) BE-ja nuk duhet të “reprizojë”  vendimet e gabuara politike dhe diplomatike të Konferecnës së Ambasadorëve të Londrës (1913), që për hir të rujatjes së ekuilbirit  të marrëdhënieve  ndërshtetërore të Fuqive të Mëdha të Evropës, përfaqësuesit e saj bënë “koncesione të dhimbshme”, duke copëtuar territorin e Shqipërisë Etnike në favorin e Serbisë së Madhe kolonialiste. Përkundrazi, sot BE-ja ka shansin historik, që ta bëjë të kundërtën nga Konferenca e dikurshme e Londrës, në favorin e rendit pozitiv juridik ndërkombëtar, duke e detyruar Serbinë, që shqiptarëve t’ua kthejë territoret e tyre të aneksuara dhe të kolonizuara që nga Kongresi i Berlinit (1878); nga Konferenca e Ambasadorëve e Londrës (1913) dhe nga Konoferenca e Paqes e Parisit (1919).

-Pa rishqyrtimin e  kolonializmit të Serbisë në territoret shqiptare  në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara,  Dialogu i Brukselit nuk do të ketë kurrfarë kuptimi, kurrfarë rezultati pozitiv as de fakto, as de jure , as historik, as as politik e as paqësor, pavarësisht nga synimet dhe nga projketet e BE-së për të sotmen dhe për të nesërmen e perspektivës “Ballkanit Perëndimor” !

blank

Interesat e Shqipërisë dhe Parlamenti i Ri Nga Prof. Dr. Romeo Gurakuqi

Më, 10 shtator 2021, deputetët e emëruem nga kryetarët e partive dhe të votuem nga elektorati i dorëzuem vendimit të tyre arbitrar, jo transparent dhe jo statutorë, u betuan në Parlamentin e Tiranës. Një histori projektimesh artificiale të përfaqësisë që përsëritet prej shumë kohësh. Një parlament që nuk përfaqëson ma vendin, por veç interesat private të pak familjeve, që, përmes liderve të partive që nuk njohin dhe nuk respektojnë Interesat Publike të Shqipërisë, sundojnë këtë vend duke djegur në varfëri, mjerim, dëshpërim dhe pasiguri breza të qytetarëve shqiptarë.

Parlamenti i ndërtuar kështu nga “arsyetimet” e panjohura të kryetarëve nuk përfaqëson ma vendin, por grupe interesash oligarkike, që përmes partive që operojnë jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore rregullatore, kontrollojnë dhe sundojnë më dorë të hekurt të gjithë jetën politike, ekonomike, ende atë gjyqësore, prirjet e jetës së vendit, krijojnë krizat dhe i zgjidhin ato me gjysmakërinë tipike orientale që i karakterizon.

Si në asnjë vend tjetër në rrugën e demokracisë dhe europianizimit, mbledhja e parë, konfirmimet, votimet, grisjet dhe rrahjet e pakuptimta të tavolinave, u zhvilluan pa praninë e përfaqësuesve diplomatike të Aleatëve Strategjikë të Shqipërisë, të lodhur tanima me “senjorët” dredharakë të skenës “teatrore” në Tiranë.

Ndodh sërish kështu të mos kemi një parlament përfaqësues, elitar, zonjash dhe zotërinjsh që dinë rregullat dhe etiken e sjelljes, sepse:

1. Reformimi i kuadrit ligjor mbi të cilin funksionojnë partitë politike, ngrihen burimet njerëzore elitare dhe qytetare, nuk u pranua të kryhej në ditët e qershorit 2020. Për rrjedhojë fasada e pluralizmit dhe e përfaqësisë e garës së prillit 2021 mbeti e gozhduar njëlloj mbi të njëjtët binarë antidemokratikë të pilotimit të kotësisë në organin sovran;

2. Reforma Elektorale, ajo që do të transformonte vullnetin e familjeve të kryetarëve, grave, kunetërve, fëmijëve me rreth të fortë, në vullnet të qytetarëve, nuk u realizua asnjëherë, në marrëveshje të plotë mes krahëve të politikës;

3. Ligji kundër korruptimit elektoral enkas nuk u vendos kurrë në rendin e ditës për t’u aprovuar nga udhëheqësit, që nga mengjesi deri në darkë bërtasin për zgjedhje të lira dhe të ndershme;

4. Emigrantët, të pakontrollueshmit nga partitë, edhe një herë në mënyrë të koordinuar në heshtje, u penguan të votonin për fatet e atdheut, që ata e deshirojnë aq shumë të jetë një Arbni Adriatikase;

5. Zhbalancimi administrativ antikombëtar i Shqipërisë mbeti ashtu siç e kishte realizuar PS e lënë e lirë nga opozita në përsheshjen e vendit.

Për këto arsye dhe të tjera të nënkuptuara, vendi ndodhet i ngrirë në kuadrin institucional, politik dhe zhvillimor, sikur ka qenë katër vite ma parë, duke pritur përsëritjen e të njejtave skena në Parlament.

Ndaj, një shfaqje teatrale si ajo që po ndodh në këto orë e ditë në Tiranë, mund të inskenohet vetëm në këtë vendin tonë, në seline kryesore sovrane të tij, të kthyem në modelin tipik të një Bazari Allishverishesh, në të cilin, Interesat Publike të Shqipërisë prej 30 vitesh nuk përkufizohen aksiomatikisht, për rrjedhojë, lihen menjanë ose shtypen brutalisht.

Është kjo arsyeja pse, publikut, në të shumtën e rasteve, në mënyrë të turbulluar, Interesat  Sovrane të Shqipërisë iu shfaqen enkas të ngatërruara me interesat e individëve të gjithpushtetshem, që një ditë janë pro amerikanë dhe pro evropianë, ndërsa pas një jave bëjnë të kundërtën nga brigjet e Azisë, ose nga rezortet e dhuruara nga oligarkët në bregdetin Adriatikut dhe Jonit .

Në çdo vend institucionalisht të perëndimizuar, parlamenti ka virtyte përfaqesuese, mirëpo në Shqipërinë tonë, reformat që do t’i duhet t’i jepnin fund regjimit plutokratik të krijuem nga kontrollorët e medhenj, ushqyesit e tyre me para, nuk u realizuan; rregullimet që do të duhet të përfaqësonin komunitetet përbërëse të kombit nuk u respektuan; pengesat ligjore që ndalojnë individët pa shkollime të rregullta të zënë vendet në organin e naltë sovran, u kapercyen në heshtje, përderisa vetë zotat e punëve janë mbartës të shkollimeve jo të qarta, të tejzgjatura dhe asnjëherë të përfunduara në kohë.

Kësisoj, as Parlamenti i vitit 2021, sipas gjykimit tim, nuk përfaqëson vendin, krahinat, komunitetet kulturore, njerëzit e Shqipërisë, por është një strukturë e imazheve dhe interesave të kryetarëve miliarderë, që nuk dijnë cilen banesë të zgjedhin më parë për rezidencë zyrtare për ta regjistruar në sistemin e transparencës publike. Mbase kësaj here në Parlament nuk ka njerëz me precedentë penalë, por ushqimi dhe lejimi nga ana e kryetarëve firmatarë të listave, e familjarëve të të njëjtëve, angazhimi i tyre në zhvendosje, dorëheqje të papritura dhe hapje rruge për përfaqësuesit e të fortëve në atë institucion, e shpie rezultatin në situatën e para dekriminalizimit. Kjo do të thotë që Procesi Dekriminalizues ishte veç një lojë politike në duar të njerëzve jo seriozë, kulima, të pavertetë, syluajtës, por jo një program parimor drejt ndërtimit të një parlamenti elitar. Dhe ska si të ndodhte ndryshe me njerëz të pilotuar nga askundi në maje të drejtimit të ekzekutivave, pa shënuar asnjë ditë pune në sistemin publik shqiptar të punësimit dhe pa i njohur askush në këtë vend.

Edhe shpresa e publikut që Reforma në Drejtësi do të jepte efektet e veta në çmontimin e këtij kontrolli piramidal nga keto pak duar, ende nuk ka pasur impaktin e duhur, pavarësisht gjithë angazhimit të jashtëzakonshëm të perëndimorëve, për shkak të frenimeve procedurale të padukshme edhe në formimin e organeve të reja të drejtësisë, gabimeve metodike në programim e rekrutimit të burimeve njerëzore. Dhjetra të rinj shqiptarë të shkolluar me cikël të plotë ndër universitetet perëndimore në drejtësi, enden rrugëve pa shpresë punësimi, sepse baballarët socialistë të reformës, i kanë përjashtuar nga e drejta e shërbimit ndaj vendit të tyre.

Ndaj, Republika vazhdon të jetë një ndërtesë shumëkatëshe oligarkike, me kasta të mbylluna robsh pa lidhje mes vedit, të vendosun nën urdhna të kryefamiljarëve që i kanë pilotue (e dinë ata se si), në Parlament dhe Qeveri e kudo ku kontrollohet shpërndamja e pasunive të Shqipërisë dhe mbrohet i paprekun Kontrollori i madh respektiv i linjës politike.

Publiku nuk pret asgja të re nga shumë prej këtyre protagonistëve, që nuk kanë shkelqyer as në profesionet e tyre të para, përveç se për bindjen e verbër për të votue çdo koncension, çdo falje taksash ndaj oligarkëve, mbi Portin e ndërtuem në Muret Antike të Dyrrachium-it, në tokën e Teatrit Kombëtar dhe gatishmërisë për të rrëshqit me buton prej Parlamentit kur nuk duhej me kenë të pranishëm në mëkatet qeveritare të faljes së taksave ndaj Oligarkëve. Askush nuk harron koordinimin përfekt të padronëve, kur vinte puna për të ndihmuar të “mëdhenjtë e ekonomisë” nga të cilët varen.

Kontrollorët e Mëdhenj të Teatrit Parlamentar, vërtetë mund te jene yjet e oligarkëve të caktuar, mbase edhe personazhe kalimtare të projektuar nga dikush për të pastruar rrugën e Shqipërisë drejt një vendi të sigurtë dhe serioz në Aleancë, por ato nuk janë në asnjë rast modelet e udheheqësisë së një Shqipërie të Lirë, Laike, të Balancuar kulturalisht dhe krahinarisht, Demokratike, Parlamentare dhe Perëndimore, të cilen Kombi e ka fuqinë dhe mundësinë e vertetë me e krijue me aq shumë njerëz të ditur dhe vullnetmirë në dispozicion.

Ata vertetë mund të jenë kujdesun me i paraqitë interesat e tyne të ngushta sikur janë interesat e Shqipnisë dhe qytetarëve, por në fakt asgjë të tillë nuk ka pasur në thelbet e qendrimeve të tyre.

Ndër grupimet politike që ata drejtojnë, ose mungon urtësia dhe guximi me folë lirisht, ose ajo është në minorancë. Kudo ndër sjelljet dhe veprimet e tyre mungon respekti ndaj rregullave të vendosuna, mungon besnikëria e arsyeshme ligjore dhe korrektësia qytetare ndaj kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, mungon vendimarrja e përcaktueme mbi bazë të kolegjialitetit. Thikat pas shpine, inskenimet dhe kurthet e gatshme përbëjne mjetet e tyre për të siguruar heshtjen e përhershme të “kryengritësve” potencialë brenda radhëve.

Në mënyrë të njëllojtë Kontrollorët Politikë të Shqipërisë e përdorin për mbrapshtë zgjuarsinë që u ka falë natyra, për të krijuar rrjete njërëzish shërbenjës terminalë, për veten, klanin e tyre dhe bizneset e tyre të lulëzuara, ndërkohë që popullin e thjeshtë, fëmijët tanë, rininë e Shqipërisë, e kanë demoralizuar, hutuar, dëshpëruar dhe vënë në rrugën e ikjes nga sytë kembët nga Atdheu.

Nga ana tjetër, sundimi kaq i gjate i përsonazheve të këtyne familjeve oligarkike, që interesat publike të partive i konceptojnë bazuar mbi interesat e tyre private, të qenies ose mosqenies në tavën e politikës, përulja e njerëzve ndaj një të keqe që e shohin dhe vijojne ta ndjekin mbrapa, tregon se jena një shoqni e paafte me u organizue vetvetiu, krejt e ndryshme nga ajo që diten dhe realizuan të parët tanë; ne sot jemi një shoqni qe nuk i qendrojmë më besnikë ligjit, rregullit, parimeve themelore mbi të cilat ndërtuan Shtetin Tonë të Përbashkët, Etërit tanë në dekadat e agimit të lirisë.

Kjo sepse Kontrollorët Politikë, mbasi na kanë lidhur me bukën e gojës dhe mbijetesën, kanë fshirë nga prioriteti, nga respekti dhe nga zbatimi, Tërësinë e Parimeve të Interesave Shqiptare, të brendshme dhe të jashtme, të shkrueme nga Sami Frashëri, Faik Konica, Pader Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Padër Anton Harapi, etj., etj. dhe që në vitet 1912, 1918, 1920,1930,  u vunë në jetë në një masë të madhe, pavarësisht devijimeve sekondare.

Ne prej kohësh shohim drejtues të vetëquajtur të djathtë, por asnjëherë nuk kemi vërejtur që atyre t’u shkojë ndermend, që detyra kryesore e nji partie konservatore është respektimi i njimendtë dhe i qendrueshëm i parimeve themelore të ndërtimit të Shqipërisë, interesave të saj strategjike Perëndimizuese, Demokratike dhe Laike; ata nuk e dijnë dhe mbase nuk dojnë ta dijnë, se janë aty për me drejtue politikisht shoqërinë, me shpetue çka ka pasë të mirë e kaluemja dhe njiheri me pergatitë të ardhmen, me një politike gjeneroze, modernizuese dhe konstante (dhe jo me hope sipas interesave të shfaqjes personale), pro europiane dhe pro amerikane.

Nji ndër objektivat që do të duhej të kishte parasysh në program një forcë politike konservatore, duhet te ishte një reforme e njimendtë për krijimin e një shërbimi civil të shkëlqyeshem.

Ndërkohë, ne nuk shohim askund që ai objektiv të na shfaqet në programet politike. Dhe kjo na ban me mendue, se njelloj si socialistët, ata mendojnë, se në një ditë të neserme fitoreje, do të mbajnë në kambe regjimin e rekomandimit dhe tarafit. E papranueshme në kendvështrimin qytetar, shkatërruese në aspektin e efikasitetit të veprimit governativ.

A kemi pa ne të shkrueme në rreshta të thukët dikund, se cilat janë Interesat Shqiptare, të brendshme dhe të jashtme, në mënyrë që kur të vihemi para kërkesave për strehime të pafundme refugjatësh nga Lindja, të dijmë si t’u përgjigjemi dhe si të sillemi me Aleatet, për të qenë njëkohësisht edhe humanë e civilë por, edhe konform bazamenteve dhe ekuilibrave të ndërtueme me kohe?! Askund! Spontaneiteti dhe Përulja Servile ka qenë dhe mbetet i vetmi motor që vë në veprim fjalën dhe vendimarrjen e këtyre njërëzve pa konstitucion formativ dhe civil, që nuk njohin vendin dhe janë të mbarsur me paragjykime dhe urrejtje ndaj komponenetëve të caktuar kulturorë të Shqipërisë. Vetëm mënyra se si e kanë pilotuar përfaqësinë, ose asgjësuar atë përfaqësi reale në Veri të vendit, është një shembull i mjaftueshëm i konstruktit formativ të tyre.

Dhe vijmë në fund tek sjellja parlamentare: Ai institucion siguron konstitucionalisht rend dhe dinjitet në kuvendim. Mirëpo ne edhe dje, pamë sjellje të improvizueme dhe krejt foshnjërake, pamë së në organin sovran, si prej kohësh të kalueme të tranzicionit, kemi dëmtue mësimin e themeluesve për shfrytëzimin e ndejes aty për rrahjen e çeshjeve publike me kompromis. Të metat që ka mekanizmi jonë konstitucional bajnë që debati parlamentar të marrë trajten e një luftë të organizueme në dy kampe ose kasta të mbylluna, të mbarsuna me urrejte të mëdha, që në pamje të parë ngjajnë të papajtueshëm. Mirëpo, mua nuk e di se si kjo e pardjeshmja në Parlament me ngjan me një teatër me aktorë të pavertetë, inskenuar enkas për një ditë të veçantë, ku luheshin paralelish dy “drama”.

Mirëpo, ata janë aq të errësuem sa nuk shohin se njerëzit e Shqipërisë janë të lodhun prej diskutimeve të tyre të vjetra dhe gjakftohtesia e kombit është ezauruar.

Mbase ato e dëshirojnë këtë lodhje, këtë dorëzim pa kushte të opinionit publik, të intelektualëve dhe qytetarëve që e dojnë vendin e tyre, sepse ky ezaurim i lejon ata me vijue punën e nisur, shfaqjen e radhës në teatrin e tyre të dashur, pa të cilin nuk jetojnë dot.

Dhe pyetja që të gjithë bajmë në këto ditë përplasjesh të jashtëzakonshme, asht kjo: A do kete Shqipnia në këtë mandat një parlament të bazuem në luftën e miresjellshme politike të partive prezente në ketë institucion?

Në qoftë se një ndërhyrje themeltare nuk ndodh për të ndërprerë këtë teatër rrënimtar të këtyre figurantëve, për të vendosur një listë reformash prioritare për interesin e vendit, zgjidhjesh të sakta politike të përgjithshme dhe krahinore, rivendosjes së kompetencës në drejtimin legjislativ dhe ekzekutiv për një përiudhë tranzitore deri në rikthim të sovranitetit në “Atdheun Legal”, unë mendoj se edhe më tutje nuk do kemi korigjim të pamjes së shëmtuar të dhuruar prej shumë vitesh në publik nga Skena e Parlamentit të Shqipërisë.

blank

Sovranist apo kolaboracionist Nga Parid Turdiu

OSHA (Occupational Safety and Health Administration) eshte agjensia federale amerikane e sigurise ne pune. Varet nga presidenti i USA.

Eshte pergjegjesia e qeverise te mbroje shendetin e popullit, mbarevajtjen e ekonomise dhe stabilitetin e rendit kushtetues.

Pres. Biden tha dje se ka urdheruar OSHA-n te detyroje punonjesit e kompanive me me shume se 100 punonjes te vaksinohen, ose te testohen nje here ne jave. (Testet e covidit ne USA jane falas.)

Mua kjo me duket e drejte; ka te beje me sigurine ne pune. Doli nje studim se te vaksinuarit vdesin nga covid 11 here me pak se te pavaksinuarit.

Mua me kane vdekur nga covid 5 te njohur ne Shqiperi dhe nje ne USA. Une besoj te vaksina, bile aq sa mora dozen e trete, por nuk jam per vaksinimin e detyruar, ne kete nivel ku ndodhet epidemia. Urdheri i Biden lejon alternativen per t’u testuar (falas), qe me duket e aresyeshme.

Partia Socialiste duket se eshte reduktuar thjeshte ne nje organizate pushteti e perfitimi. Dyshja pragmatiste Nano-Rama kane meriten (se erdhi kohe tjeter) qe e nxorren PPSH nga enverizmi gjakatar dhe e futen ne perfitimin lekist, qe eshte e keqja me e vogel. (Me mire te te marrin leket, se jeten.)

Partia Demokratike akoma e ruan nje shpirt idealist. U desh kjo çeshtja e Berishes qe te zbulohej. Ka nje perputhje ndermjet atyre qe e refuzojne vaksinen, me ata qe mbeshtesin Berishen ne kete skizem ne PD. Ata jane “sovranistet”.

Disa po i quajne anti amerikane, por e kane gabim. Keta njerez jane sovraniste, per trupin e vet dhe qendrimin e vet politik. Jane anti-autoritet, jo anti-Amerike. Qelloi ne qe kete ceshtje Autoriteti te jete qeveria e USA.

Nuk duan te bejne si u thote Autoriteti, por duan te vendosin me koken e vet. Ky eshte perkufizimi klasik i temperamentit te djathte.

Une i respektoj, shyqyr qe i kemi, ne USA dhe ne Shqiperi. Jane barrikade e lirise individuale, edhe kur jane te paaresyeshem. Eshte mire qe dikush te sfidoje Autoritetin.

Ka edhe teperime qesharake nga “konspiracionistet”, qe psh vaksina ka chip, ose qe e ka bere Bill Gates per te sterilizuar meshkujt. Por vaksinat MRNA jane material gjenetik, te cilit mund te mos i dihet efekti ne kohezgjatje. Ky nuk eshte nje shqetsim i paaresyeshem.

Sidoqofte, une bera zgjedhjen time, bazuar mbi moshen, shendetin dhe jetestilin tim dhe u vaksinova 3 here.

Ka egzagjerime edhe ne lidhje me veprimin e Bashes, se “tradhetoi”, “vrau babain”, “mohoi babain”. Ai mund te jete skuth e karrierist (cili politikan nuk eshte), por njekohesisht eshte i sjellshem dhe Berishen nuk e mohoi. Ne deklaraten e tij e vleresoi lart, si udheheqes i afte, themelues i pluralizmit, promotor i aleances amerikane dhe njeri me cilesi etiko-morale. Bile deshmoi kunder DASH, “une kam punuar nga afer me Berishen dhe e kam pare qe eshte i ndershem dhe i drejte”.

Per te vazhduar metaforen me marredheniet ate / bir, ai i tha, “baba te vleresoj, por une u martova, gruaja s’te do dhe me kercenon me divorc, duhet te dalesh ne shtepi me vehte”.

Varet nga premtimet private qe i kane bere njeri tjetrit, qe une nuk kam si t’i dij, por pergjithesisht, ne kohen e sotme, kjo nuk mund te quhet tradheti. Do ishte tradheti sikur te kishte qene Basha ai qe u ka kerkuar amerikaneve te godasin Berishen. Per kete nuk mund te spekullohet, se eshte e rende. Duhen prova.

Kam folur me njerez qe futen ne Shqup. Frika e aparatit partiak ishte se mos USA i shpallte “non grata” ata si individe dhe partine si organizate armiqsore, te padeshiruar.

Gabimi i Bashes, qe e ka perseritur disa here, eshte qe merr vendime personale pa pyetur partine. Argumenti qe “e bera per te shpetuar partine, se po t’i pyes ata vendosin gabim”, nuk mund te pranohet. Eshte njesoj si te thuash “po ta bej vaksinen me zor, se po te te pyes, ti vendos gabim”.

Kryetari nuk duhet te kete frike nga partia e vet. Kjo çeshtje duhej shtruar ne parti. Njerezit nuk jane budallenj; e kuptojne rendesine e aleances amerikane. Nqs partia do vendoste kunder Bashes dhe aparatit; aparati te jepte doreheqjen; ndodh ne gjithe boten Nuk duhet te kete aparat artificial, qe nuk eshte ne te njejten gjatesi vale me partine.

Regjimi Rama i vodhi zgjedhjet; sidomos duhet refuzuar kategorikisht makineria e patronazhisteve. Aty duhet te jete vemendja e demokrateve, jo te shahen mes vedit.

Debati sovranist apo kolaboracionist eshte i rendesishem.

Une vete kam temperament natyral te djathte: individualist, sovranist. Njekohesisht jam inxhinjer, dua te ndertoj, jo te prish; per me teper e di qe asgje nuk mund te behet vetem; per me teper nuk nisem per te perfituar ne kurriz te te tjereve, prandaj jam i prirur te kolaboroj me sinqeritet.

Njekohesisht e kam koken me thinja dhe e kam pare çfare dallaveresh bejne njerezit. Prandaj MO (modus operandi) im eshte “bashkepunim, por me vemendje mos te ta fusin”.

Don’t trust anybody really. Mos i beso askujt pa rezerva, por te duhet te besosh per te bere diçka. Kur beson dhe e peson, lepij plaget dhe ec perpara, pa derdhur lot; këshu eshte jeta. It is the cost of doing business. Eshte kostoja e te jetuarit.

Nje si une, qe nuk eksitohet nga populizmi, eshte pakice ne kete popull. Gjithemone kam qene pakice, qe kur kam lindur. E shoh nga reagimet ne FB: po te kem parti mund te marr … 5%, por mund te jete mjaftueshem per te vene gishtin ne anen me te mire te kandarit.

 

 

blank

Një editorial mbresëlënës i Prof.dr. Fatmir Terziut – Prof. dr. ESHREF YMERI

I dashur Profesor Fatmiri,

E lexova me shumë kërshëri editorialin tuaj të shkëlqyer, me titullU mbyll një kapitull i historisë së PD-së”. Sigurisht, me shumë kërshëri, por edhe me shumë trishtim për të vërtetat dëshpëruese që ju shpalosni aty me nuhatjen e një vizionari mendjehollë. Ju, me shumë të drejtë, citoni Freedom House”, që, tre vjet më parë, ka theksuar se “Demokracia është në krizë”. Pse, si shpjegohet kjo krizë? Në këndvështrimin tim, kriza e demokracisë e ka burimin në vetë natyrën njerëzore, në vetë karakterin e njerëzve, të cilët mbartin  në vetvete më shumë mëkate sesa virtyte.

Demokracia është në krizë se ka në themel një të vërtetë tragjike, e cla, çdo qytetar mendjekthjellët, e bën të shtrojë pyetjen:

Fakti që 1% e njerëzimit zotëron pjesën dërrmuese, deri në një përqindje shumë të lartë, të pasurive botërore, është vepër e Zotit apo e Djallit? Në këndvështrimin tim, është vepër e Djallit. Se sikur të mos ishte kështu, a do të ekzistonin vallë miliona e miliona të varfër, deri edhe të uritur, sidomos fëmijë, në mbarë rruzullin tokësor? Nuk e besoj. Rezultati: Zoti është i pafuqishëm para Djallit.

Kjo e vërtetë tragjike zbulon pangopësinë e një pjese shumë të vogë të njerëzimit dhe natyrën e nënshtruar të shumicës së tij. Prandaj editoriali  juaj më solli në kujtesë fjalët e shkrimtarit  dhe të reformatorit skocez Samuel Smails (Samuel Smiles1812-1904), autor librash të karakterit filozofiko-moral, të pasur me fakte nga biografitë e njerëzve të mëdhenj. Ai shkruan:

“Aftësitë intelektuale herë-herë janë të shkrira me natyrën më të neveritshme të moralit – me nënshtrimin prej skllavi ndaj njerëzve që mbajnë poste të larta dhe me fodullëkun ndaj atyre të shtresave të ulëta. Njeriu mund të ngrihet deri në shkallën më të lartë të përsosmërisë në artë, në letërsi dhe në shkencë, e megjithatë, për nga ndershmëria, virtyti. vërtetësia dhe ndjenja e detyrës, ai mund të qëndrojë shumë më ulët se çdo fshatar i varfër analfabet”.

Natyra mëkatare e njeriut është përjetësuar kaherazi në shprehjen aforistike me vlera të jashtëzakonshme njohësenjeriu për njeriun është ujk, një aforizëm ky që e ka burimin në lashtësi dhe që do të thotë njeriu ha njeriun, njeriu në shoqëri është egoist në skajshmëri. Shprehja citohet shpesh në latinisht homo homini lupus est ose lupus est homo homini. Me këtë shprehje që shërben si fjalë e urtë, del në pah karakteristika sarkastike e një njeriu tejet egoist. Ajo haset për herë të parë në veprën “Asinaria” (Gomarët) të komediografit të lashtë romak Plauti (Plautus 254-184 p.e.r.) dhe përdoret për të karakterizuar të tilla marrëdhënie dhe zakone njerëzore, në të cilat mbizotëron egoizmi, armiqësia dhe antagonizmi i skajshëm. Përdoret zakonisht gjatë diskutimit të veprimeve të ulëta, të cilat një njeri kryen ndaj një njeriu tjetër. Në kundërshtim me Plautin, filozofi romak Seneka (Lucius Annaeus Sĕnĕca minor4 p.e.r.-65) shkruante se “njeriu është diçka e shenjtë për njeriun”. Të dyja këto fjalë të urta me vlera aforistike i pati përdorur filozofi anglez Tomas Hobs (Thomas Hobbes 1588-1679) në kushtimin që shkruante për punimin e vet me titull “De Cive” (Për qytetarin), të botuar në vitin 1651: 

“Po të flasim pa pasion, atëherë të dyja thëniet janë të sakta. Njeriu për njeriun është në një farë kuptimi Perëndi dhe e saktë është edhe ajo që njeriu për njeriun është ujk, nëse do t’i krahasojmë njerëzit me njëri-tjetrin…”.

Vëzhgimet e Hobsit, nga ana e vet, kanë afri me Plautin që pohonte se njerëzit, për nga natyra, janë egoistë. Erazmi i Roterdamit (Desiderius Erasmus Roterodamus 1466-1536) këtë fjalë të urtë e pati përfshirë në përmbledhjen e vet me proverba, duke perifrazuar Plautin:

“Këtu ne na paralajmërojnë të mos ia besojmë veten një njeriu të panjohur, por të ruhemi prej tij si prej ujkut”.

Filozofi, teologu dhe juristi spanjoll Francisko de Vitoria (Francisco de Vitoria 1486-1546), në njërën nga veprat e veta me titull “Relectiones Theologicae” (Pasqyrime teologjike), shkruante se poeti romak Ovidi  (Publius Ovidius Nasō43 p.e.r.-18) nuk e pranon këtë fjalë të urtë. “Njeriu, – thoshte Ovidi, – nuk është ujk për shokun e tij njeri, por njeri”.

Psikiatri dhe neurologu austriak Frojdi (Sigmund Freud 1856-1939) e pranonte këtë fjalë të urtë dhe në veprën e vet me titull “as Das Unbehagen in der Kultur” (Pakënaqësia nga kultura) shkruante:

“… Ekziston gjithmonë tundimi për ta përdorur të afërmin tend si  mjet të përmbushjes së natyrës agresive, për të shfrytëzuar forcën e krahut të tij të punës pa shpërblim, për ta përdorur si objekt seksual, pa marrë pëlqimin e tij, për t’i marrë pasurinë, për ta poshtëruar, për t’i shkaktuar dhimbje, për ta torturuar dhe për ta vrarë. Homo homini lupus. Kush paska guximin ta vërë në diskutim këtë gjykim, duke pasur gjithë përvojën e jetës dhe të historisë?”.

Lidhur me krizën e Partisë Demokratike, duhet theksuar se në radhët e saj doli në pah thelbi i aforizmit të sipërcituar në qëndrimin ndaj Profesor Berishës. Ai qëndrim e theksoi edhe më shumë natyrën servile të shqiptarit, i cili respekton më shumë të huajin sesa vetveten. Me vendimin që mori kundër Profesor Berishës, Partia Demokratike, me dashje ose pa dashje, iu bashkua korit sorosian, me kryedirigjent Ramën, i cili, duke qenë i bindur thellë në vetëdijen e tij për gjendjen katastrofike ku e ka katandisur Shqipërinë gjatè tetë vjetëve, kërkon të bëjë një dash kurbani për të larë duart para popullit shqiptar, një popull që, çuditërisht, pabesueshmërisht, po luan thjesht rolin e një delemileti para tij.

Gjendja në Partinë Demokratike dëshmoi më së miri vërtetësinë e parashikimit ogurzi të Ramiz Alisë, i cili, në mbledhjen e Byrosë Politike të muajit nëntor 1989, deklaroi:

“Të jeni të sigurtë që e Ardhmja do të jetë e Jona…

Shqipërinë do ta gëzojmë Ne dhe Fëmijët tanë” (Citohet sipas: “Pas në kohë, fjalimi i pazakontë i Ramiz Alisë në vitin 1989”. Faqja e internetit e gazetës “Mapo”. 22 korrik 2018).

S’mund të ndodhte ndryshe. Sepse populli shqiptar, në shumicën e vet majtist, të kujton shprehjen frazeologjike të stilit shakatar është çuar me këmbën e majtë”, që do të thotë nuk është në humor, rri sikur i janë mbytur gjemitë. Në shumë popuj ekziston besëtytnia se po të çohesh nga shtrati me këmbë të majtë, kjo do të thotë se do të kalosh një ditë të keqe. Kjo shprehje haset në anglisht get out of bed with left leg, frëngjisht se lever du pied gauche, në rusisht vstat s levoj nogi.  Nocionet për të djathtën dhe për të majtën, në thellësi të shekujve, janë bashkuar me nocionin e së mirës dhe së keqes. Që asokohe ka pasë qarkulluar mendimi se çdo njeri, në anën e djathtë ka një shpirt mbrojtës, kurse në anën e majtë ka një shpirt të keq që e josh drejt mëkatit. Në Egjiptin e lashtë besonin se nëpër veshin e majtë vjen “frymëmarrja e vdekjes”, kurse në Greqinë e lashtë mendonin se ana e djathtë të premton sukses, kurse ana e majtë të sjell dështim.

Ramiz Alia e ka pasë njohur mirë natyrën e thekur majtiste të shumicës së popullit shqiptar, prandaj edhe deklaronte asisoj, duke qenë i bindur plotësisht se ajo shumicë, në mëngjes, nuk do të çohet kurrë nga shtrati me këmbën e djathtë.

Santa Barbara, Kaliforni

10 shtator 2021

 

 

blank

Përse jam sot me Jozefina Topallin! Nga Elida Buçpapaj

Fillimisht kam qenë përkrahësja e Jozefina Topallit, nisur nga prejardhja, familja dhe vuajtjet e saj personale gjatë diktaturës.

Jam kthyer një nga kritiket më të ashpra të Jozefina Topallit, për mënyrën se si bëri politikë, duke u kthyer në alter ego apo hije e Doktorit, në vend se të zhvillonte profilin e saj, të mbante pranë shtresën e vuajtur nga vinte e cila votonte për PD.

Kur do të duhej që të dorëzonte partinë, më 2013, Berisha në njërin krah kishte Jozefina Topallin, Nr.2 të PD dhe në tjerin krah Lulzim Bashën. Berisha zgjodhi Bashën, ndërsa Basha e shporri krahun e djathtë të Berishës nga politika. Lulzim Basha krijoi tarafin e tij dhe largoi rrethin e Berishës.

Metodologji e ashpër, reminishenca nga sistemi i egër diktatorial, pa rregulla, pa lojë free and fair, pa garë të ndershme, vetëm dëshmi besnikërie ndaj Njëshit!

Prej 2013 që kur mori frenat e Partisë Demokratike në dorë, Lulzim Basha ka imituar Sali Berishën, e ka kopjuar, si nxënësit tapë topi që kopjojnë ata më të zellëshmit e klasës, pa patur formatin dhe potencialin e tij, pa patur kauza, ideale, duke iu ëmbëlsuar lluksi si politikan surrogat!

Berisha nëse krijon sot një parti hyn menjëherë në Parlament, ndërsa një parti me markën Lulzim Basha nuk fiton asnjë ulëse në kuvend.

Elektorati i Partisë Demokratike e ka mbështetur Lulzim Bashën, me që Sali Berisha e ka mbështetur Lulzim Bashën.

Të gjitha prapësitë që i bënte Lulzim Basha gjatë këtyre tetë viteve u vinte emrin e “plakut”, dmth të Sali Berishës. Natyrisht Sali Berisha ka mëkatet dhe kusuret e veta, sepse i ka larguar të gjithë personalitetet pranë PD në shkëmbim të racës më të ulët të politikanëve që prodhoi vetë dhe që më në fund prej tyre e pësoi vetë.

Lulzim Basha për 8 vjet si politikan me profil juristi do të duhej që të paktën t’i jepte Shqipërisë një sistem zgjedhor si të Kosovës me përfaqësim proporcional me lista të hapura. Lulzim Basha është përgjegjësi kryesor që i la dorë të lirë diktatorit Edvin Rama të ndryshonte kodin zgjedhor dhe nga ky arbitraritet të përfitonte deputetë, ndërsa votat e Sovranit për opozitën të digjeshin.

Por bëma më e fundit e Lulzim Bashës, shitja që i bëri Sali Berishës, e ka deligjitimuar përfundimisht si politikan dhe si njeri. Sepse ka marrë vendime si oligark apo monark me pushtet absolut duke eleminuar demokracinë minimaliste dhe institucionet brënda partisë në një sistem pluralist.  Themeli që e mbante Lulzim Bashën ishte Sali Berisha. Kur vetë Lulzim Basha rrëzoi themelin e tij, atëherë ai është vetërrëzuar!

Prandaj jam me Jozefinën që thotë shprehimisht: Demokratë nxirreni nga zyra Lulzim Bashën, dhe përjashtojeni nga Partia Demokratike!

S’ka alternativë tjetër!

blank

“TËRHEQJA E SHBA NJË QUMËSHT DALLËNDYSHEJE PËR KINËN, JEMI NË LUFTËN E DYTË TË FTOHTË” – Nga FEDERICO FUBINI – Përktheu Eugjen Merlika

 

             Historiani Ferguson: “Biden-i ka gabuar gjithshka në Kabul, tani një shkallëzim me Pekinin”. “Dyluftimit  mbi armët bërthamore i ka zënë vëndin ai mbi zgjuarsinë artificiale”

 

Nga i dërguari i ynë në Cernobbio

Juve flisni për një luftë të ftohtë të dytë botërore. Çfarë doni të thoni?

“Kanë qënë  e Para dhe e Dyta luftë botërore. Përse të mos jenë edhe e para dhe e dyta luftë e ftohtë botërore? – pyet  buzë Forumit Ambrosetti të  Cernobbios historiani i madh i Stanfordit Niall Ferguson – Do të ishim të verbër nëse do të shtireshim se nuk është kështu. Zgjatet prej pak kohësh dhe ka zanafillën në kalimin e Xi Jinping-ut – i pastër, i ndërgjegjshëm – drejt një shëmbëllese marksiste-leniniste më autoritare brënda e në planin ndërkombëtar drejt një shemërie të hapur me Shtetet e Bashkuara për zotërimin, së paku, të zonës së Paqësorit. Në planin e brëndshëm është mendimi i Xi Jinping-ut, mbikqyrja digjitale, përqëndrimi i pushtetit në shumë pak duar, kthimi në totalitarizëm. Në botë është rruga e Mëndafshit e e gjithë armëria e shtrirjes kineze”

A mjaftojnë këto për t’a përcaktuar një luftë të dytë të ftohtë?

“E para kishte përmasa ideologjike, gjeopolitike, ekonomike dhe rendjen drejt armatimit. Përsëri kemi të gjitha këto. Shemëria ideologjike është bërë e dukëshme që kur Xi ka deklaruar se idetë perëndimore janë më të këqiat. Pastaj ka një shemëri ekonomike dhe teknologjike. Jo më për armët bërthamore, por për zgjuarsinë artificiale. Ka një rendje për armatim, me kinezët që ndërtojnë raketa tokë-ajër në gjëndje që të fundosin një aeroplanmbajtëse. E nëse shohim hartën gjeopolitike, bota është tashmë e ndarë në dy blloqe: Vëndet që përdorin Huawei dhe të tjerët”.

A flisni me kolegët tuaj kinezë?

“Kur u them atyre privatisht se kjo është një luftë e ftohtë, ata më shohin e thonë: është afërmëndsh”

Shtetet e Bashkuara dhe Kina a nuk janë shumë të ndërvarur në planin ekonomik?

“Mund t’i ndajnë interesat e tyre ekonomike shumë shpejt. Në 1914 Gjermania dhe Britania e Madhe e bënë në pak kohë. Kina, me ndërveprimtaritë e saj ekonomike, mund të bëjë spiunazh në një shkallë shumë më të gjërë se sa sovjetikët nuk kanë arritur kurrë t’a bëjnë. E dinim përsosmërisht se çfarë bënte cilido qytetar sovjetik në Shtetet e Bashkuara. Por kinezët janë milionë: studentë, njerëz me viza pune…”

Universitetet amerikane a do të duhej të ndalonin dyndjen e tyre?

“Jo. Besoj se nuk ka asnjë lloj problemi në ardhjen e studentëve kinezë për të studjuar në Shtetet e Bashkuara. Është një gjë shumë pohenike e nëse ndokush do t’i ndalojë ai njeri do të jetë Xi Jinping-u. Por është më pak e mundëshme që kinezët të mund të punojnë në laboratorët e zgjuarsisë artificiale të Google apo Apple ose të pranohen në laboratorët e kërkimeve më të përparuara të Stanfordit. Do t’ishte sikur të kishim qytetarë sovjetikë në role të tilla në vitet 50”.

A nuk po e teproni me demonizimin?

“Ka një vështrim historik: në kohët e para të luftës së parë të ftohtë, shumë amerikanë dhe evropianë parapëlqenin t’a largonin këtë realitet. Disa vazhdojnë t’a bëjnë edhe sot, deri aty sa t’i venë fajin e shemërisë mes mbifuqive Shteteve të Bashkuara. Nuk është e pazakontë që në fillim të luftës së ftohtë intelektualët ose vëzhgues të tjerë t’i mohojnë vetvetes dukjen sheshit të dukurisë. Mua më duket se është një tjetër tregues. Edhe mbas luftës kishte ndonjë që donte të mbante marrëdhënie të mira me Stalinin e kishte vështirësi të kuptonte kush ishte e me çfarë merrej. Tani me Kinën jemi në një fazë si vitet 1946 ose 1947 ishin me Rusinë”.

Çfarë do të thoni?

“Nuk kemi mundur të përvehtësojmë plotësisht faktin që do të ketë një shkallëzim, sepse Xi Jinping-u ka nevojë të jetë luftarak – si Stalini – për arsye shtëpijake. Sistemi e kërkon sepse baza e ligjëshmërisë së Xi-së nuk mund të jetë përgjithmonë rritja ekonomike. Ekonomia do të ngadalësojë dhe tashmë ka prodhuar një pabarazi jugamerikane. Nëse ka një plutokraci në botë, ajo është Kina. Shtrirja ndërkombëtare shërben për të bërë levë mbi ndjenjën kombëtariste”

Pra Afganistani është një betejë e humbur nga ana e Perëndimit dhe e fituar për Kinën?

“Besoj se nga pikpamja kineze ka qënë një qumësht dallëndysheje, sepse administrata Biden nuk ishte e shtrënguar të gabonte gjithshka në këtë mënyrë. Mund t’a zbërthesh një mision kolonial në mënyrë të përshtatëshme, britanikët ishin mjaft të zotët në këtë. Ose mund të bëhet si Joe Biden në Afganistan. Bën të duket e mirë edhe ikja nga Saigoni më 1975”.

“Corriere della Sera”, 8 shtator 2021   Përktheu Eugjen Merlika

 

blank

EVROPA E NDËRDYME PËRBALLË KRIZAVE BOTËRORE – Nga PAOLO MIELI – Përktheu Eugjen Merlika

 

Tani që, me daljen e të fundmit ushtarak amerikan, n’Afganistan është kthyer fleta, duhet thënë se në ditët e fundit qëndrimi i Evropës kundrejt Shteteve të Bashkuara ka qënë pak bujar, shumë pak bujar. Në kontinentin e vjetër janë ngritur zëra, pothuaj krejtësisht kritikë, a thuaj se ne evropianët në njëzet vitet e fundit, madje edhe në njëzet ditët e fundit ishim ngatërruar vetëm në mënyrë të pavetëdijshme n’atë aventurë. Qortime të rënda veprimtarisë së administratës amerikane i kanë ardhur edhe nga shumë intelektualë dhe politikanë amerikanë: por pothuaj të gjithë kritikët amerikanë  kanë vënë në dukje ndërlikimin e mëparshëm të tyre n’atë që ndodhi në njëzet vjetëshin e fundit. Ne jo.  Madje këtu n’Evropë mendohet se, së paku në bisedën publike, kishte qënë rasti për të vënë në diskutim themelet e vetë gjithë aleancës perëndimore. Duke filluar natyrisht nga NATO. Jo për t’a “prishur” Aleancën Atllantike, përcaktoi në Lajmëtarin Romano Prodi, por për t’a bërë  më “të dobishme” e më të aftë për të përballuar realitetet e reja të planetit.

Padia që ne i bëjmë Washingtonit është në thelb se nuk na ka lajmëruar për rreziqet që do të kishim kaluar në çastin e largimit. E që nuk na kanë dëgjuar për atë që kishim për të thënë mbi mënyrën e ikjes. Qortimi i parë, ai që nuk na kishin vënë në dukje rreziqet e lindura nga braktisja e fushës në të cilën ishim mundur, sido që të hartohet është vërtetë foshnjarake: kushdo që të ishte në vend i kishte mjetet për të kuptuar vetë se çfarë do të ndodhte. Po kufizohemi për të mbajtur parasysh pjesën e dytë të vëzhgimit: nga ajo që përceptohet, evropianët – nëse do t’ishin pyetur – do të kishin këshilluar që të mos linin në korrik bazën e Bagramit për të bërë të mundur ngritjen nga ai aeroport të aeroplanëvet të paracaktuar për kthimin n’atdhe të trupave amerikane. Ndoshta do të kishte qënë një këshillë e urtë (edhe se rruga që çon në Bagram është pa mbrojtje, aq sa është pagëzuar “rruga e gjuajtjes në shënjestër”). Por në thelb pranimi i asaj këshille nuk do të kishte ndryshuar shumë rendin e gjërave. Do të kishte lehtësuar paksa dramaticitetin  e daljes nga një luftë e humbur. Veçse nëse këto kritika të kishin nënkuptuar vullnetin e Vëndeve evropiane për të mbetur në Afganistan, duke zëvendësuar me ushtarët e tyre ata amerikanë në nisje. Por nuk duket se ishte ky qëllimi i Evropës, i asnjë Vëndi evropian.

Sa i përket nënkuptimeve, të përpiqemi të përimtojmë se çfarë mund të fshihet mbas vënies në diskutim të NATO-s. Aleanca Atllantike ka humbur funksionin e saj parësor tridhjetëedy vite më parë, me shëmbjen e murit të Berlinit. Që atëherë ka mbijetuar si strukturë ushtarake, në thelb nën drejtimin e SHBA, e përshtatëshme për të ndërhyrë në krizat në çdo qoshe të planetit. Kudo ku një Evropë “parazite” (mjeshtërisht e pikturuar nga Sergio Fabbrini në Il Sole 24 ore) nuk ishte dukshëm e gatëshme të bënte pjesën e vet kurrë. As në zjarret që ndizeshin në kufijtë e saj. Evropës i ishte lejuar të merrte përsipër vetëm 20 % të kostos së NATO-s, e edhe për këtë, me arsye, dinjiteti i barabartë në drejtim ishte një gjë pothuajse formale. Tani  – mbas një sërë humbjesh – është e qartë se NATO (ndoshta) do të mbijetojë por ndërhyrje si ato të së shkuarës nuk do të shohim më.

Tani do të shihet se çfarë do të jetë i aftë të ngrejë në këmbë kontinenti i ynë. Për çastin përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit evropian, Josep Borrel, ka lajmëruar (në këtë të përditëshme, me Federico Fubinin) krijimin e një “Initial Entry Force” prej “pesëmijë ushtarësh në gjëndje të mobilizohen me një thirrje të shpejtë”. Një fillim shumë i mirë, edhe se mbi “mobilizimin me një thirrje të shpejtë” është e ligjëshme të ushqehet ndonjë dyshim. Por që këtu deri në krijimin e një strukture ushtarake kontinentale në gjëndje të përballojë krizat që – merret me mënd – do të shfaqen, hapi është shumë i madh. Pa llogaritur që një lloj strukture e tillë ushtarake do të jetë e vlefshme vetëm nnëse do të ketë mbas shpine një njësi politike të bashkuar dhe – siç ka vënë në dukje efektshmërisht në këto faqe Angelo Panebianco – do të kërkojë “një qasje të jashtëme, me synim përfundimtar paqësimi në zonat më të turbullta të Lindjes së Mesme e t’Afrikës, nga mund t’i vijnë kërcënimet Evropës”. Për të patur këtë lloj “qasjeje” ushtria e re evropiane duhet të jetë e pajisur me atë “leje” të veçante për të parandaluar krizat me liri lëvizjeje, – që është prej kohësh e për të gjitha ushtritë – gjatë disa vijave të kufirit mes dritës e hijes.

Asgjë prej tërë kësaj nuk shihet në horizont. Evropa është prej dhjetëvjeçarësh një kontinent i specializuar në artin  e “shpëtimit të paqes” duke i u drejtuar krejtësisht diplomacisë. Nuk ka asnjë Vënd evropian që të ngurojë përpara mundësisë për të ndërmjetësuar, për të ndërhyrë e biseduar. Më mirë nëse me regjimet më iliberalë të tokës. Është e vetmja gjë që dijmë të bëjmë. Në ditët e zisë derdhen lotë e ngrihet zëri. Pastaj menjëherë kthehet ndërmjetësimi, ndërhyrja, bisedimi. Gjë që mund të duket pozitive përballë pështjellimesh të mëdha si ata të këtyre ditëve të fundit. Por nuk është e thënë që një bashkësi prej 27 Vëndesh ndërmjetësuesish – herë herë secili simbas kokës së tij – krejtësisht të paaftë të bëjnë të vlejë forca, as në rastet skajorë, të  jetë në gjëndje t’i japë jetë një bote më të paqësuar se sa kjo që po lemë mbas krahësh.

 

Corriere della Sera, 31 gusht 2021   Përktheu Eugjen Merlika

 


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend