VOAL

VOAL

SYNI I TRETË I KRIJUESIT – Nga TON ZMALI

September 16, 2019
blank

Komentet

blank

Njohja dhe miqësia me regjisorin grek të filmit për marrëdhëniet e Partisë Komuniste Greke dhe asaj shqiptare – Nga PETRO MEJDI

Nga kujtimet e Skoresë:
– Pesëdhjetë vjet më parë….
Një histori nga Shqipëria e para Pleniumit të Katërt, Qershor 1973, e cila ka lidhje me filmin serial grek ” O paraksenos taksidhjotis”( Udhëtari i çuditshëm “, i regjisorit të shquar grek Kostas Kucomitis, romani ” To koqino tango” për Zahariadhin, pjesa shqiptare e romanit, i cili nuk u bë kurrë film, të tjerë personazhe, ne të Skoresë dhe…. një post scriptum nga një dëshmitar i kohës së filmit në Skore.
blank
KOSTAS KUCOMITIS: Grevena, 1938 -Athinë, 2016–
Në shkrim: njohja ime me regjisorin, Skoreja e Pogonit, filmi serial ” O paraksenos raksidhjotis ” ( Udhëtari i çuditshëm) me regji të Kucomitit, film të cilin na e la në mes atmosfera politike e viteve 1972 – 1973 në Shqipëri, ( ΕΡΤ ) dhe romani “Tangoja e kuqe ” i cili nuk u bë dot film, pjesa shqiptare në këtë roman.
Refleksion
Kostas Kucomitis e njihte mirë historinë e së majtës në Greqi. Ai, gjatë kohës që shkruante romanin dhe skenarin e filmit ” Tangoja e kuqe” njohu me hollësi marrëdhëniet midis P.K. Greke dhe Partisë Komuniste Shqiptare, njihte divergjencat që lindën midis tyre të shprehura këto nga udhëheqja e KKE- së dhe Enver Hoxhës. Më të mprehta u bënë këto divergjenca gjatë dhe pas luftës civile në Greqi. Kjo detyroi Stalinin që t’ i ballafaqojë të dy krerët në Kremlin.
Kemi sjellë në mënyrë integrale nga romani i Kucomitit me bashkautor mjekun dhe shkrimtarin Evangjellos Mavrudhis, pjesët që kanë të bëjnë me Shqipërinë.
— Miku im Kostas Kucomitis.
Shkak që të njihemi u bë puna që bëj si shitës ambulant llotosh ( llahia ). Në një emision të kanalit televiziv ERT, një emision për vllehët e Greqisë, gjatë debatit të ndezur, siç ndodh rëndom në biseda të tilla, ku kundërtia e mendimeve diametralisht të kundërta e bëjnë bisedën të marrë zjarr, flitej për vllehët e Greqisë. Kur kamera ishte përqendruar tek gazetari, ndërhyn dikush dhe nga zëri e njoha që ishte regjisori i njohur grek Kostas Kucomitis . -Po ky , thashë me vete për një çast, ç’lidhje ka me këtë temën e vllehëve ?! Dhe kureshtjen time e daraviti vëtë Kucomiti.-Edhe unë jam vllahos, nga një fshat i Grevenasë ( Grebeneja, e dëgjuar dhe në Shqipëri, në jug, për kurbetin dhe sidomos për këngën e njohur Qiraxhi i Grebenesë) Kur gazetari filloi të rreshtojë filmat kryesorë të regjisorit, mua më tërhoqi vëmendjen filmi serial, prodhim i ERT, O paraksenos taksidhjotis ( Udhëtari i çuditshëm). -A, ja stasu file Kosta, thashë me vete ( pa dale pak, zoti Kosta). Dhe vendosa që, kur të takoheshim, banonte në Rafinë, do t’i rrëfeja një histori Shqipërie për këtë serial, regjisor i të cilit ishte vëtë ai. E dija se ku bujtëte më shpesh. Tek taverna pranë manave. Natyrisht do ta lija të më thëriste vetë për të blerë llahia. Nuk i pëlqente as t’i shtrija llahiot përpara syve dhe as t’i lutesha. Po të donte, më thërriste vetë. Me që në tavernë s’kishte shumë klientë, mendova se është rasti më i mirë.-Pardje u pashë në një emision, iu drejtova. -Çfarë të pëlqeu, ngaqë thashë se jam vllahos dhe njoh gjuhën?! -Edhe për këtë, i përgjigjem, se dhe vetë jam vllahos. U çel në fytyrë dhe filloi të më flasë në vllahisht. Unë u befasova, nuk e prisja këtë gjë. -Unë, vazhdova, doja t’ju tregoja një histori të ndodhur në pranverën e vitit 1973 , në fshatin tim, në Pogon, një krahinë minoritare greke në Shqipëri për serialin tuaj “O paraksenos taksidhjotis”. Sapo mbarova këto fjalë, në tavernë ra qetësi absolute. U kthyen të gjithë nga unë, ndërprenë dhe bisedën dhe të ngrënit.
-Në Skore, pranvera e vitit 1973.
Dhe ja ç’kishte ngjarë në Skorenë e largët ato ditë pranvere me shira thuajse çdo mbasdite dhe me shumë gjelbërim: Televizioni grek ERT ndiqej fshehurazi në anët tona pranë kufirit me Greqinë. Njerëzit, duke përfituar dhe nga klima liberale që ishte në Shqipëri para Pleniumit të Katërt Qershor 1973 , ashtu si gjithë shqiptarët , ndiqnin pa patur shumë frikë për pasojat, kanalin e vetëm grek. Në atë kohë, me sa mbaj mënd, në fshat kishte vetëm një televizor, ai i vatrës së kulturës. Dhe, për këtë arsye, mbushej çdo darkë me shikues. Antenën, të fshehur midis gjelbërimit të gjethnajës së ndonjë mani ose të pemës së dëndur të blinit, ditën e drejtonim nga Çajupi, ndërsa si të fillonte të errej, nga greku , siç i thoshnim në ato kohë. Seriali i Kucomitit jepej një herë në javë, përsëritej në mes të javës në orët e drekës. Kjo mblodhi gati gjithë fshatin në sallë. Kjo për dy arsye: e para, gjuha dhe, e dyta, karakteri melodramatik i serialit, i cili nga seria në seri, bëhej më interesant dhe më prekës.
Aq i vertetë ishte liberalizmi i asaj kohe, sa që u dha guxim dhe shokëve komunistë që të ndiqnin serialin. Mbaj mend se tekevizori ishte në sallën e leximit, nga krahu i dritareve të shkollës. Nisur nga nazet e antenës, ndonjë seri e kemi parë dhe tek shkolla, në klasën me dritaret nga kthina e vogël e Qirkajve. Por kur panë se një çikë me vonesë vinte dhe vetë sekretari i organizatës bazë, të tjerëve u iku dhe ajo frikë dhe mëdyshje që u kishte mbetur. Por nuk zgjati shumë. Pas disa episodeve, më duket se numri i tyre ishte i madh, filmi dhe gëzimi ynë mbaruan. Vetë ata shokët komunistë, me sekretarin në krye, që shikonin serialin me ne, pasi kishin lexuar një fjalim sekret të Enverit, e ndrruan pllakën . -Kush drejton antenën nga greku, kush dëgjon radion te greku, do të konsiderohet si shkelës i vijës së Partisë, do të tregohet me gisht si i ndikuar nga ideologjia e huaj borgjezo -revizioniste.
Intermexo
Natyrisht, atyre ua rrëfeva më shkurt. Kucomitit i pëlqeu shumë. Kjo dukej dhe në sytë e tij. Dikush i tha: -Kosta, për një krijues është gjë e mirë që vepra e tij të shikohet dhe jashtë kufijve. Kjo mund t’i ndodhë çdo krijuesi, por kjo mesele që na tregoi zotëria, nuk i dodh kujtdo. Ajo i shton biografisë tuaj krijuese në fakt të ri, një notë të re. Dhe ka lidhje me vëllezërit tanë grekë të Shqipërisë. Nuk e besoj se ka vepër tjetër greke, që të ketë këtë histori. Midis atyre që e dëgjuan këtë histori, kishte dhe nga ata që nuk u pëlqeu fakti që kjo histori, kjo censurë, ky izolim vinin nga një vend që ata, si të majtë, përpara pak vjetësh e sillnin si shembull dhe argument politik dhe idelogjik në tubimet e tyre. Kjo ngjarje bëri që me Kucomitin të bisedojmë me shpesh për vllehët dhe artin. Edhe për atë shqiptar.
-Romani “Tangoja e kuqe”, një vështrim mbi pjesën shqiptare të tij.
Më vonë mësova se po shkruante një roman, së bashku me mjekun shkrimtar të Rafinës, Evangjellos Mavrudhis, me titullin ” To koqino tango” me motive nga jeta dhe veprimtaria politike e udhëheqësit legjendar dhe aq i kundërthënë dhe po me aq antiteza dhe dritëhije, Nikos Zahariadhis, Sekretar i Përgjithëshëm i PK Greke ( KKΕ). Është një roman që, kur e lexon, të duket se po shikon sekuencat e një filmi, pasi ata e kishin e ndërmend që ta xhironin si film. Por vdekja e Kucomitit bëri që kjo të mbetet një dëshirë.
Në kopertinën e romanit thuhet: ” Në dritëhijet e historisë shpaloset një triller politik. Një roman për jetën plot dallgë e peripeci të Nikos Zahariadhis.”
Megjithëse, që kur nisi të shkruhet nga të dy bashkautorët, regjisorin e njohur grek Kostas Kucomitis dhe pathologun shkrimtar të Rafinës, Evangjellos Mavrudhis, autor i një trilogjie të suksesshme me subjekt nga jeta, dëbimi dhe vendosja në Greqi e refugjatëve grekë të Mikras Asias ( Azisë së Vogël) të njohur më shumë me emërtimin ” mikrasiates” , pra ky roman, që në kompozicionin e të cilit bie në sy fragmentarizmi, pasi autorët kanë ndjekur logjikën letrare dhe kompozicionale, që kërkon një skenar letrar për film artistik, ai nuk u xhirua kurrë, për shkak të ikjes nga kjo jetë të regjisorit Kucomitis.
Romani tregon të letrarizuar jetën dhe aktivitetin politik të Sekretarit të Përgjithëshëm të PK Greke (ΚΚΕ) Nikos Zahariadhis(Νικος Ζαχαριαδης) .
Ai fillon shtjellimin e subjektit me zbritjen në Athinë dhe pritjen me metoda klandestine ( në Greqi situata politike ishte shumë e turbullt), nga shokë të partisë të Zahariadhit, nga një aeroplan ushtarak anglez, fakt ky enigmatik, fakt dyshues dhe që e ndoqi Zahariadhin deri në vdekjen e tij.
Këtë moment, së pari, ne lexuesit shqiptarë të Enver Hoxhës, e kemi ndeshur në librin ” Me Stalinin”. Në një takim me Stalinin në Kremlin të dy delekacioneve të partive simotra PKSH dhe ΚΚΕ, takim që u thir për të sheshuar para Stalinit divergjencat midis Enver Hoxhës dhe Nikos Zahariadhit, divergjenca të cilat u bënë më të mprehta pas deklaratave të Zahariadhit për Vorio Epirin dhe taktikave të tij gjatë luftës civile, pakënaqësive të komunistëve grekë për ndihmën dhe mbështetjen e PKSH-së dhe Enver Hoxhës në këtë luftë.
Në një moment Stalini thëret mënjanë Enver Hoxhën dhe Zahariadhin. Enveri i thotë Stalinit se Zahariadhi u kthye në Greqi nga kampi shfarosës i Mathauzenit, me një aeroplan anglez. Natyrisht që Stalini e njihte këtë zhvillim në jetën e Zahariadhit. Fakti që Zahariadhi doli i gjallë nga ai kamp shfarosësh, ku u mbytën në dhomat e gazit njerëz të thjeshtë dhe doli i gjallë një nga komunistët më të njohur të kohës, është një tjetër enigmë e jetës plot të papritura dhe tallaze të Zahariadhit.
Zahariadhi, thotë Enver Hoxha ( Me Stalinin ) , dha sqarimet e duhura përpara Stalinit dhe çështja u quajt e ezauruar.
Enver Hoxha ka patur në kohën e luftës civile greke shumë shkëmbime mendimesh. Librat thonë se ata të dy nuk janë takuar asnjëherë në vitet e luftës civile, as në rastet kur Zahariadhi ndodhej në Shqipëri. Me të është takuar Koçi Xoxe dhe Mehmet Shehu.
Mendimi i Enver Hoxhës për Zahariadhin ka qënë: -” Njeri shumë i zgjuar, por jo komunist sa duhet.”
Qefmbetja e Enver Hoxhës ndaj Zahariadhit filloi që në vitin 1945 kur ai, si komunist, u bashkua me partitë e tjera, sidomos ato të spektrit të djathtë, të cilat ranë dakort për të filluar veprime luftarake për të kthyer Vorio Epirin si pjesë integrale te shtetit grek. Më vonë Zahariadhi do të bënte autokritikë për këtë qëndrim dhe e justifikoi me njohjen e mangët që kishte për situatën politike në Ballkanin e kohës, për shkak të mungesës së tij të gjatë në Mathauzen. Por këto veprime mbetën në letër, për faktin se Anglia dhe Amerika nuk ishin dakort.
Në roman Shqipëria dhe fryma shqiptare bëhen më të dëndura nga kalimi i veprimeve të ΔΣΤ.( Δημοκρατικος Στρατος) Ushtria Demokratike në Epir, Maqedoni dhe Greqinë kontinentale.
Do të ishte me intetes të shikonim në se sekuencat e fimit që kishin lidhje me Shqipërinë do të xhiroheshin në tokën shqiptare.
A iku Zahariadhi për në Evropë nga Shqipëria? Fredi Jermanos në romanin e tij ” To andiqimeno” (Objekti), një roman i lënë përgjysëm nga vdekja e parakohshme e Jermanoit, lë të kuptohet që ai iku nëpërmjet Shqipërisë. Në botime të tjera kam ndeshur mendinin se Zahariadhi e la Greqinë të shkatëruar nga lufta civile, një luftë e filluar dhe nga gabimet e tij, nëpërmjet kufirit bullgar, pasi kufiri jugosllav ishte i mbyllur me kohë, që në grindjen e Stalinit me Titon. Çastet e fundit të tij në Greqi u dramatizuan në Nausa.
Zahariadhi ka paguar nga të parët destalinizimin të nisur nga Hrushovi.
Në një Plenium të KKE në Bukuresht, u shkarkua dhe u internua në afërsi të Tashkentit, ku një mëngjes u gjet i varur.
Megjithë përpjekjet që bëri për t’u lejuar që të kthehej si qytetar i thjeshtë në Greqi, u fut në ambasadën e Greqisë në Moskë, gjë që bëri shumë zhurmë në atë kohë.
Si e pa që ishte e pamundur kthimi në Greqi, la amanet tek njeri nga djemtë Josifi ( për nder të Josif Stalinit) që t’i sillte nga Greqia një grusht dhe.
Por Zahariadhi dhe mijërat e komunistëve dhe familjet e tyre, erdhën në Greqi me ardhjen në pushtet të Papandreut. Ky riatdhesim kishte nisur që herët, por në mënyrë selektive. Papandreu dha amnisti të përgjithshme.
Zahariadhi u kthye i mbuluar me flamurin grek. U përcoll në banesën e përherëshmë tashmë nga mijëra njerëz. KKE tregoi me këtë ceremoni forcën e vet politike në Metapolitefsi.
Kjo ndodhi para më se 30 vjetësh.
Epilog
Kisha vënë re se nuk vinte shpesh tek taverna e tij e dashur me pak dritë, me orendi të vjetra, me orë të vjetra dhe ndonjë zile të varura në mur, me fotografi të Rafinës të viteve pesëdhjetë, plazhi, barkat, ranishtja dhe vetë njerëzit, nuk ngjanin me të sotmet , sidomos ajo kopeja me dhen që ecte dhe kulloste gati pranë ujërave të Egjeut. Më ngjante i lodhur. Tani më shpesh e shoqëronin herë një zonjë, e shoqja, dhe herë i biri, dhe ai njeri i artit .
–Dhen ton ehome kalla ton Kosta, ( Nuk e kemi mirë Kostën ) më tha një ditë pak si mënjanë miku i tij më i mirë. Nga mënyra se si ma tha, e kuptova, gjendja ishte serioze. Një nga bisedat më të fundit ishte për filmin e ardhëshëm, sipas romanit për Zahariadhin. Unë i përsërita ato që kisha lexuar në Veprat e Enver Hoxhës, atij i interesonin këto, dhe hollësitë më të vogla. Gjendjen e pashpresë të Kucomitit e lexova dhe në fytyrën e doktorit, Mavrdhudhiut, bashkautor në romanin “Tangoja e kuqe” . Kur shkoja në jatrion e doktorit, kur qëllonte që nuk kishte njerëz, bisedonim për romanin, ai e dinte se e kisha blerë dhe e lexoja.
Kucomiti iku dhe skenari mbeti skenar.
***
Post scriptum:
Nga një dëshmitar i kohës së para Pleniumit.
Rreth shkrimit qe postove për Kucomitin: Nga që ngjarjet e asaj kohe i kam jetuar nga afër, shikimi masiv i ” Paraksenios taksidhiotis” mori përmasa të mëdha. Informatorët kishin informuar me çdo hollësi organet e partisë në rreth për çka po ndodhte në Skore. Të deleguarit nga lart shkonin e vinin. Sekretari i partisë dhe të tjerët shpetuan me vërejtje për liberalizëm dhe mungesë vigjilence.
Ne aktakuzën e gjyqit të vitit 1978 kundër sekretarit ndërmjet të tjerave thuhej: ” Me qëllim armiqësor dëmtimin e opinionit të shendoshë ndaj vijës së partisë, me vetëdije të plotë, ka nxitur depërtimin e propagandës së huaj borgjezokapitaliste, duke lejuar dhe nxitur shikimin masiv të programeve të televizionit grek.” edhe shume të tjera.
blank
blank
blank
blank

(Video) Kori i zërave të bardhë performon me sukses të plotë Nga Etrita Ibrahimi

Krijimi i korit të zërave të bardhë, ishte një dëshirë e hershme e drejtoreshës aktuale të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, znj. Abigeila Voshtina, e mbështetur natyrisht edhe nga ne, që prej disa vitesh japim kontributin tonë për edukimin përmes artit.

Nga shtatori i vitit 2022, kjo dëshirë e përbashkët u bë realitet dhe fëmijët po fillojnë të japin më të mirën e tyre, duke realizuar njëra pas tjetrës performanca gjithmonë e më të suksesshme!

E tillë ishte edhe paraqitja si të ftuar të veçantë, në koncertin recital të mentores së tyre, sopranos Sonila Baboçi, ku me vitalitetin dhe pasionin fëminor, e perfshinë të gjithë publikun, i cili u dhuroi duartrokitje të forta!

Shumë urime për punën e madhe që bën me ta Sonila në veçanti, si dhe Dritan Lumshi e Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor!
Suksese të tjera!🙏🙏🙏👏👏👏

**Quhen zëra të bardhë, zërat e fëmijëve që nuk kanë arritur moshën kur u ndryshon zëri, zakonisht kjo moshë varian nga 6 deri në 16 vjeç

blank

blank

blank

Mos mungoni – Sopranoja me famë botërore Inva Mula e shoqëruar nga Genc Tukiçi performon më 24 maj në Town Hall Theatre New York

Sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula në  koncert në Nju Jork më 24 maj në një përpjekje për të mbledhur fonde për OriginAL, një program për të mbajtur të lidhur shqiptarët në diasporë me atdheun e tyre dhe për t’i frymëzuar ata të jenë pjesë e një komuniteti global shqiptar.

Organizata ofron një sërë shërbimesh, duke përfshirë mundësitë e zhvillimit arsimor dhe profesional, ngjarjet kulturore dhe programet e komunikimit me komunitetin. Misioni i saj është të promovojë zhvillimin e një komuniteti të fortë dhe të lidhur të diasporës shqiptare që mund të kontribuojë në rritjen dhe prosperitetin e Shqipërisë dhe popullit të saj.

Koncerti, i cili po mbështetet nga Germin dhe Global Albanians.

Artistja Inva Mula do të jetë shoqërohet nga pianisti i mirënjohur Genc Tukiçi.

Sopranoja e famshme Inva Mula e nominuar për Grammy, ka interpretuar në skenat më prestigjioze të operës në botë, si Opera Metropolitan në Nju Jork, La Scala në Milano, Royal Opera House në Londër etj. Ajo konsiderohet gjerësisht si një nga sopranot më të talentuara të brezit të saj dhe ka fituar vlerësime kritike për interpretimet e saj në një gamë të gjerë rolesh operistike. Përveç kësaj, ajo është e njohur për sigurimin e zërit të Plavalaguna në Elementi i Pestë.

Koncerti Inva Mula është i fundit në serinë e aktiviteteve të organizuara nga Organizata Rinore e Diasporës Shqiptare. Aktiviteti pritet të tërheqë një turmë të madhe dashamirës të muzikës dhe përkrahësve të komunitetit shqiptar të diasporës. Të pranishmit do të kenë mundësinë të shijojnë një mbrëmje me muzikë të klasit botëror duke mbështetur edhe një kauzë të denjë.

Koncerti po mbështetet nga Germin dhe Global Albanians, dy organizata që janë të përkushtuara për të promovuar interesat dhe mirëqenien e popullit shqiptar në mbarë botën. Germin është një organizatë jofitimprurëse që punon për të lidhur dhe fuqizuar komunitetin shqiptar të diasporës, ndërsa Global Albanians është një rrjet profesionistësh dhe sipërmarrësish shqiptarë që punojnë për të promovuar zhvillimin ekonomik dhe përparimin social në Shqipëri dhe më gjerë.

Për më shumë informacion rreth koncertit Inva Mula ose OpenAL

blank

“Veshjet popullore shqiptare në pikturë”, ekspozitë e piktorit Xhevdet Spahija  Nga Iliriana Pylla

 

Pasuria dhe shumëllojshmëria e veshjeve popullore shqiptare, motivuan piktorin Xhevdet Spahija, që përmes penelit dhe vajërave, ti hedh në pëlhurë motivet më të bukura të kësaj pasurie kombëtare. Veshje këto që shfaqin tipare të veçanta dhe shpesh të rralla, të cilat mahnitën botën ndër vite.

 

Ekspozita personale titulluar, :” Veshjet popullore shqiptare në pikturë” është hapur në ambientet e bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë.

Artëdashësit patën rastin të shijojnë artin e bukur, veshjet tona të cilat i mbajmë me krenari e sidomos aty vërehet xhubleta shqiptare, veshja 4 mijë vjeçare, e cila tashmë është marrë nën mbrojtje nga UNESCO-Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

 

Xhevdet Spahija piktor, u lind në Pejë (Kosovë) më 1950. 1971 kreu shkollën e teknikëve të artit figurativ – Pejë. Në vitin 1982 u diplomua në akademinë e arteve në Prishtinë – dega e artit figurativ. 2005 kreu studimet pasdiplomike dhe mori grandën Mr. i pikturës.

 

Përgjatë viteve ka marrë pjesë në një mori ekspozitash kolektive e personale si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, Poloni, Kroaci, Suedi, e vende të tjera. Xhevdet Spahija ka marrë pjesë po ashtu edhe në ekspozitat e qershorit “DITA E PRISHTINËS” si dhe në festat e nëntorit që organizohen në kryeqytet. Bienalet ndërkombëtare “Raciborz 2000 dhe 2002” në Poloni dhe kolonitë artistike “Jedretina 2001” në Zarë të Kroacisë.

 

Kemi të bëjmë me një piktor i cili kreativitetin e tij në artin pamor e ka zhvilluar ndër vite duke sjellur te artëdashësit shpirtin e tij krijues.

 

Për piktorin Spahija të shumë janë kritikët që e kanë vlerësuar krijimtarinë  e tij, por në hapje të kësaj ekspozite ishte Prof. Hivzi Muharremi-kritik arti, i cili ka thënë se opusi krijues, përkatësisht veprat e realizuara dhe të ekspozuara janë dëshmi e punës vetmohuese të autorit i cili vlerëson çdo motiv që vendos ta hedh në vepër.

“ Autori tërësisht është liruar nga ana përmbajtësore dhe figurative që ka hedhur në veprat e tij. Është një qasje kur autori të bukurën orvatet ta paraqesë si një idilë të fshehur në magmën e shpirtit të vet, në imagjinatën e shprehjes së tij artistike duke sjellur para nesh portrete e figura që janë të mbushura me jetë, ngjyra e domethënie”, ka thënë Muharremi.

Ndërsa shkrimtari Kadrush Radogoshi enkas për këtë ekspozitë është shprehur se piktorin akademik shqiptar Xhevdet Spahija, shikuesi ka mundësinë ta shijojë në një numër të konsiderueshëm pikturash me motive të etnografisë, mitologjisë, historisë dhe arkiktekturës tradicionale nga tërë areali shqiptar si trashëgimtar i arealit antik iliro -pellazg.

“Autori i këtyre pikturave gjatë aktit krijues në pikturë udhëhiqet nga parimi I shprehur në aforizmin e romakëve të vjetër “Istroria est magistra vitae”(Historia është mësuese e jetës), por duke e zgjeruar kuptimin e termit histori edhe me entografinë, arkitekturën dhe mitologjinë. Pjesa më e madhe e pikturave të kësaj ekspozite I janë kushtuar etnografisë shqiptare, motivet, format dhe ngjyrat e së cilës e lidhin bashkëkohësin me lashtësinë historike dhe mitologjike iliro shqiptare. Piktura ”Xhubleta’, me të cilën hapet ky katalog dhe e pasuar nga piktura ”Gjyshja e Nanës Terezë”, na e sjellin parasysh veshjen apo petkun e femrave shqiptare, të vjetër më shumë se 3000 e të zbuluar në varrezat ilire në Bosnje, në Kroaci dhe në tërë arealin e sotëm shqiptar. Kjo veshje ilire është ruajtur deri në ditët e sotme në zonat veriore shqiptare konkretisht në Malësinë e Mbishkodrës dhe të Dukagjinit në Shqipëri”, ka thënë Radogoshi.

 

Një vështrim ka sjellur edhe prof. dr. Edmond Muço, ligjërues në Fakultetin e Arteve në Shkodër.

“Piktori Xhevdet Spahija vjen në këtë ekspozitë me tematikë nga etnologjia, historia dhe mitologjia, titulluar ”Veshjet popullore shqiptare në pikturë”. Ai na prezanton kronologjikisht periudhat më të rëndësishme historike, përmes personaliteteve më të njohura dhe më të ndritshme të kombit tonëtë cilët kanë vepruar dhe kontribuar në çështjen tonë kombëtare. Në këtë ekspozitë piktori thekson veçanërisht veshjet popullore shqiptare në periudha të ndryshme historike. Në këto vepra artistike të autorit ato flasin dhe janë dëshmi të autoktonisë sonë që nga etnogjeneza iliro-pellazge  e deri më sot në vijimësi pa u ndërprerë. Në tablotë kompozicionale autori shpalos karakteristika të trashëginmisë kulturore shqiptare, ku populli ynë krijoi një kulturë të veçantë në të gjitha trevat shqiptare dhe lanë gjurmë të pashlyeshme për brezat pasardhëse ku piktori synimin kryesor e ka t’i tregojë botës mbarë se stërgjyshërit ilir janë të parët tanë”, është shprehur ai.

 

Vet autori ka thënë se motivet i ka marrë  kryesisht nga veshjet e krahinave të ndryshme të shqiptarëve.

“Motivet që i kam marrë janë kryesisht veshjet nga krahina të ndryshme të shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, të Preshevës dhe kryesisht të Shqipërisë. Mund të them se “Xhubleta” është kryevepra e kësaj ekspozite, mandej Atlantidat shqiptare që edhe sot e kësaj dite në zonën e Mirëditës përdoren këto veshje”, ka thënë Spahija, duke shtuar se ka vite që ishte duke punuar për këtë ekspozitë.

 

Kjo ekspozitë me rreth 30 vepra, kohë më parë është hapur edhe në Zagreb të Kroacisë me rastin e festës së 28 nëntorit pak ditë para se xhubleta të hyjë nën mbrojtjen e UNESCO-s. Autori po planifikon që këtë ekspozitë ta hap edhe në disa qytete të Shqipërisë, natyrisht nëse arrinë të sigurojë mbështetje financiare, është shprehur ai.

 

Hapja e ekspozitës është shoqëruar nga tingujt e kitarës së kitaristit të shquar profesor, Luan Sapunxhiu.

blank

Iliriana Pylla

10 maj Prishtinë

blank

Bllaga Dimitrova, poetesha që këndoi për lirinë e Kosovës- Nga AGIM VINCA

Më 2 maj 2003, në Sofje, në moshën 81 vjeçare, vdiq poetesha e madhe bullgare, Bllaga Dimitrova

Për ne shqiptarët vdekja e kësaj poeteshe është humbje e një mikeje të madhe, e cila në ditët më të vështira për Kosovën, kishte ngritur zërin në mbrojtje të saj, sepse Dimitrova, përveç se një krijuese me diapazon të gjerë krjues, ishte njëkohësisht edhe një mike e madhe e lirisë së popujve dhe e së vërtetës në jetë dhe në art.

Autore e rreth 50 veprave letrare (poezi, prozë, dramë, ese, publicistikë etj.), pjesa dërrmuese e të cilave janë botuar e ribotuar shumë herë, brenda dhe jashtë Bullgarisë, Bllaga Dimitrova është jo vetëm një shkrimtare e madhe – ndër më të mëdhatë në Ballkan dhe në Evropë, por edhe një personalitet i rrallë i vendit të vet.

Rrallë ndonjë penë tjetër femërore ka arritur të kapë maja të tilla si Bllaga Dimitrova, ka thënë bashkëkombësja e saj, studiuesja e njohur franceze me origjinë bullgare, Julia Kristeva.

E lindur më 2 janar 1922, pasi mbaroi gjimnazin klasik dhe studimet për filologji në Universitetin e Sofjes, qëndroi në Institutin e letërsisë “Gorki” në Moskë, ku më 1951 mbrojti disertacionin e doktoratës me temë “Majakovski dhe letërsia bullgare”.

Duke e nisur krijimtarinë në kohën kur Majakovski dhe Nazim Hikmeti ishin jo vetëm poetët më të lexuar, por edhe modelet më të preferuara letrare në mbarë botën lindore, Dimitrova, në fillimet e saj krijuese, i pagoi haraç utopisë sociale. Mirëpo, pa kaluar shumë kohë, ajo do të vërejë mospërputhjen mes ëndrrës e realitetit dhe do të priret drejt një krijimtarie të lirë, të çliruar nga skemat e estetikës normative, që do ta çojë, herët a vonë, në pozitat e një krijueseje disidente.

Shembull i kësaj disidence është romani Fytyra, vepër që flet për jetën dhe moralin e njeriut në sistemin totalitar. Duket se censura e kapi mesazhin e këtij romani të çuditshëm, hero i të cilit është jo një njeri, por një fikus (autorja kishte dobësi edhe në jetë ndaj kësaj bime tropikale), prandaj edhe e ndaloi atë. Disa pak kopje që arritën të shiten me rastin e botimit të parë më 1981, qarkulluan dorë më dorë si literaturë klandestine. Por pjesa dërrmuese e tirazhit u konfiskua dhe u mbajt nën embargo ose, si thotë vetë autorja, “në burgun e librave”, deri në fund të viteve ‘80, kur filluan proceset demokratike në atdheun e saj. Kur në vitin 1990 e ribotoi versionin e plotë të romanit Fytyra, të cilin autorja e konsideronte veprën që shprehte më së miri karakterin e saj,[1] poshtë titullit të tij vuri këtë shënim: “Roman-ish i burgosur, që vuajti nëntë vjet burg në burgun e librave”. Një kuriozitet i llojit të vet!

Bllaga Dimitrova është shkrimtare me opus tejet të gjerë letrar dhe me energji të mëdha krijuese. Kritika letrare e ka quajtur me të drejtë “mbretëreshë e poezisë bullgare”, kurse personalitetet më të spikatura të jetës shoqërore, politike, letrare dhe shkencore bullgare, konfirmuan njëzërit me rastin e vdekjes së saj, se ajo ishte jo vetëm një autoritet letrar, por edhe një autoritet moral i vendit të vet.

Fama dhe autoriteti i saj i kalon kufijtë e vendit në të cilin lindi dhe të gjuhës në të cilën shkroi. Krijimtaria e saj dhe në mënyrë të veçantë poezia, që përbën pjesën më të madhe e, mbase, edhe më të rëndësishme të saj, është përkthyer pothuajse në të gjitha gjuhët e Evropës: në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, rusisht, spanjisht, danisht, suedisht, polonisht, hungarisht, çekisht etj., ndërsa emri i saj zë vend në të gjitha enciklopeditë letrare të metropolave evropiane.

Është nder për kulturën tonë që një vepër e kësaj poeteshe të madhe është përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Në verë të vitit 1999, në kohën kur mbahen “Mbrëmjet e Poezisë në Strugë”, rastësisht më ra në dorë libri i saj me poezi dhe ese me titull Ballkaniada-ada, i botuar po atë vit në Sofje. U befasova këndshëm kur pashë se në të kishte një cikël poezish kushtuar Kosovës. Një poete bullgare, domethënë sllave, që jeton në një vend ballkanik, gjykon krimet serbe në Kosovë.

“Një kosë e tmerrshme kosit Kosovën.

 Ç’murtajë e zezë i veshi me të zeza

 nënat plaka dhe nuset e reja?”

Më impresionuan pa masë këto vargje, sikundër edhe i tërë libri, prej të cilit përktheva në fillim vetëm ciklin për Kosovën dhe pastaj librin në tërësi. Ballkaniada është një libër mikst, që përbëhet nga tre cikle me poezi (Bosnjë, dhembja ime, Era nga Kosova dhe Kryqi ballkanik) dhe një triptik esesh (Mos e vrisni lajmëtarin!, Vallja ballkanase me kryevalltar Danilo Kishin dhe Homo ballkanikusi – njeri udhëkryqesh e fjalëkryqesh), por që ka një temë-bosht: Ballkanin dhe historinë e tij tragjike, me theks të veçantë te drama e përgjakshme që u luajt në dekadën e fundit të shekullit XX në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Më intrigoi gjithashtu fakti që autorja e librit, Bllaga Dimitrova, nuk merrte pjesë në manifestimin ndërkombëtar letrar të Strugës. Dama e parë e poezisë bullgare e ballkanike nuk ishte e pranishme në atë paradë poetike, por libri i saj që fliste për golgotën ballkanike dhe veçanërisht për dy nga pikat më të dhimbshme të saj, Bosnjën dhe Kosovën, kishte arritur aty. (Pas vdekjes së saj do të mësoj se Dimitrova nuk kishte pranuar ta merrte Çmimin “Kurora e artë” të MPS-së, edhe pse i qe ofruar qysh më 1992, për shkak se kishte refuzuar që poezitë t’i përktheheshin nga bullgarishtja në maqedonisht).

Ballkaniada e Dimitrovës në gjuhën shqipe përjetoi dy botime brenda një viti (brenda vitit 2000), një në Prishtinë dhe një në Shkodër, kurse reagimet e lexuesve dhe të kritikës në të dy anët e kufirit ishin tejet të favorshme.

Botuesi “Sfinga”, pas botimit të librit, i pati bërë autores një ftesë për të vizituar Prishtinën, por ajo, për arsye shëndetësore, nuk mundi t’i përgjigjej ftesës.

Si shumë poetë të shquar të kohës sonë, Dimitrova është jo vetëm poete, por edhe përkthyese e poezisë. Kështu, pos Iliadës (si bashkautore), ajo ka përkthyer në bullgarisht edhe vepra si Pan Tadeushi i Mickieviçit, Vasilij Tjorkini i Tvardovskit, poezi të zgjedhura të nobelistes polake Vislava Shimborska e të tjera.

Albanologia Rusana Bejleri, lektore e gjuhës shqipe në Universitetin e Sofjes, nëpërmjet së cilës i kam mbajtur “kontaktet” me Dimitrovën, më shkruante në pranverë të vitit 2000 se kur i kishin rënë në dorë ekzemplarët e parë të Ballkaniadës, Bllaga kishte kërkuar prej saj që t’ia lexonte poezitë në gjuhën shqipe në mënyrë që të dëgjonte se si tingëllonin vargjet e saj në këtë gjuhë. Ndërkaq, e pyetur në një rast se nga i merrte informatat për Kosovën, poetesha e njohur qe përgjigjur: “Poeti i merr informatat nga era!”. Kjo përgjigje, tejet inventive e origjinale, e deshifron plotësisht titullin e ciklit të poezive të saj kushtuar Kosovës: Era nga Kosova.

Bllaga Dimitrova u nda nga jeta në maj të  vitit 2003, duke lënë pas vetes një opus të gjerë krijues dhe një emër të nderuar jo vetëm si shkrimtare, por edhe si veprimtare e dalluar për të drejtat dhe liritë njerëzore. Në vitin 1992, falë kontributit të saj në proceset demokratike të vendit të vet, ajo qe zgjedhur nënkryetare e shtetit (zëvendëse e Zhelevit), por, e dëshpëruar nga politika, dha dorëheqeje nga posti i vicepresidentes, për t’iu kthyer vokacionit të saj jetësor – poezisë, ku shkëlqeu më shumë se në çdo fushë tjetër.

Arti poetik i Bllaga Dimitrovës është art që shtron pyetje. Krijuesi, sipas saj, duhet të ketë guximin të shtrojë pyetje dhe të kërkojë përgjigje për të gjitha problemet e kësaj bote: morale, politike, shoqërore, etike, ekzistenciale, metafizike. Për ta ilustruar këtë fakt po japim në vazhdim një poezi të poetes së nderuar, e cila flet pikërisht për këtë obsesion të madh krijues e jetësor të kësaj krijueseje e humanisteje të madhe.


Bllaga Dimitrova

FRIKË NGA PYETJET

Ju keni frikë nga pyetjet e mia,

zoti president, zoti kryeministër!

Babai ka frikë nga pyetjet e të birit.

Mësuesi ka frikë nga pyetjet e nxënësit.

Burokrati ka frikë nga pyetjet e poetit.

Geringu nga pyetjet e Dimitrovit.

Njeriu ka lindur për të bërë pyetje.

Kujt? Gjithkujt që tutet nga pyetjet.

Madje edhe atyre që s’gjegjen kurrë:

Vdekjes, Gjithësisë, Amshimit.

Mos pusho së pyeturi nga djepi gjer në varr!

Qofsh edhe në pranga a me vdekje dënuar,

Qofsh edhe gojëkyçur a zë në shkretëtirë,

Bëje të fundit pyetje me gjuhën e gjakut

të valë!

Ç’tmerr nëse edhe ti vetë, o mik,

nga pyetjet e tua ke frikë!

Sofje, 1971


[1]      Konsideroj se romani Fytyra është vepra që shpreh më së miri karakterin tim, pati thënë Dimitrova në intervistën e saj të fundit dhënë dy muaj para se të vdiste gazetës “Trud”.

Marrë nga ExLibris

blank

Profile: Drago Siliqi- KRITIKU DHE BOTUESI QË AFIRMONTE TË RENË NË LETËRSI- Nga Ymer Çiraku

Drago Siliqi (1930 – 1963) bën pjesë në brezin e atyre krijuesve, që nisi të afirmohej në fundin e viteve ‘50 dhe fillimin e viteve ‘60 të shekullit të kaluar. Qysh fare i ri u përfshi në lëvizjen antifashiste gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Pas mbarimit të kësaj lufte, disa kohë punon gazetar dhe njëherazi – nisi që të botojë një varg krijimesh letrare, kryesisht këto në poezi. Krijimtaria e tij poetike ishte një poezi që përcillte atmosferën e kohës, sidomos prirjes realiste, me ndjeshmëri të përcjelljes poetike ndaj ndryshimeve që ndodhin. Ishin ende ato vite kur utopitë sociale dhe politike, qenë në apogjeun dhe kërshërinë e tyre nxitëse për jo pak krijues dhe bjerrja, si dhe inflacioni i këtyre utopive – do të nisnin që të ndiheshin më pas. Do të ndiheshin në vetë realitetin e vështirë të jetës, si dhe në modelin e raporteve të skajshme klasore të instaluara. Por do të ndiheshin sigurisht edhe në letërsi, në trajta të ndryshme e sipas rastit: në mospajtim të hapur ndaj dogmave të socrealizmit; në tejkalimin e tyre përmes të ashtuquajturit refuzim estetik, ashtu sikundër shpesh edhe në konformizëm të hapur e skematik me ato parime të ngurta dogmatike. Por, duhet pasur parasysh se profili si kritik letrar mbetet të jetë më i spikaturi dhe më i çmuari në aktivitetin krijues, për fat të keq aq jetëshkurtër, të Drago Siliqit.
Ky dimension intelektual, pra, i lëvruesit si kritik letrar, për hir të së vërtetës duhet kujtuar se përgjithësisht nuk është se ka aq shumë dashamirë të qëndrueshëm. E për pasojë, me pak përjashtime sigurisht, kritiku nuk kujtohet dhe nuk lë gjurmë aq gjatë në meset kulturore e letrare të një kohe, apo të një vendi. Por, me Drago Siliqin, si me disa pak kritikë të tjerë, me gjithë bjerrjet që vijnë natyrshëm prej tejkalimeve si dhe shndërrimeve të shijeve e problematikave/interpretimeve letrare – prej një kohe në tjetrën nuk ka mundur dot që ta shtrijë pushtetin e vet amnesia/ harresa. Në memorien e bashkëkohësve të tij, por edhe të tjerëve, që erdhën më pas, ai vazhdon që të kujtohet dhe të vlerësohet me nderim. Dhe kjo sigurisht që i ka arsyet e veta.
Si drejtues prej disa vitesh i të vetmes shtëpie të botimeve letrare “Naim Frashëri”, e falë edhe moshës së tij shumë të re, ai mund që të zgjidhte të rehatohej në konformizmin aq ndjellës të asaj kohe – që ia bënte sigurisht më të garantuar karrierën e mëtejshme. Por përkundrazi, edhe brenda kornizave e kufizimeve të njohura të kohës, ai ndoqi modelin e njeriut mendjehapur, shije-hollë e të guximshëm, për t’i përcjellë në opinion vlerësimet e tij për letërsinë, nisur veçse prej kredos së tij të emancipuar estetike. Nuk zgjodhi të ishte as drejtuesi hijerëndë i një institucioni të vetëm botues letrar të vendit dhe as kritiku ex kathedra. Në të dyja misionet, të kryebotuesit dhe të kritikut letrar, ai u shfaq një dhe i pandarë: në principialitetin për të përkrahur dhe për të bërë kauzë me artin e vërtetë. Kësaj kohe, redaksia e përkthimeve, ku merrnin pjesë disa korifenj të shquar të shkollës shqiptare të përkthimit, njohu një ritëm të bujshëm shqipërimi, duke i përcjellë lexuesit shqiptar mjaft prej kryeveprave nga letërsia botërore, të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, që të jenë fondi i artë përkthimor i bibliotekës shqiptare. Këtu duhet kujtuar edhe përkujdesja e tij për t’i dalluar dhe pastaj për t’i aktivizuar këto personalitete të përkthimit, disa prej të cilëve, është e kuptueshme, që punonin atje, edhe sepse ishte vënë si të thuash peng për ta – garancia e tij. Dhe ai mbetej kështu për ta, ai engjëlli i tyre mbrojtës. “Na qeshi fati…” do të shprehej me ngazëllim Lasgushi për ato vite, kur Dragoja ishte drejtori i shtëpisë botuese dhe i kishte vënë punët për mbarë.
Kjo sjellje e tij fisnike njerëzore do të vazhdonte edhe në marrëdhëniet me shkrimtarët. Pa njohur te vetja kurrfarë zilije salieriane, ai entuziazmohej për veprat cilësore të botuara, u sugjeronte, i nxiste miqtë e vet shkrimtarë rreth projekteve të tyre letrare, duke dëshmuar përherë shije e intuitë prej një kritiku të mençur e vizionar. Pra, ky kritik i mprehtë, kishte atë shqisën e bekuar të vështrimit e vlerësimit të veprave, qysh në ngjizje të tyre. Është fakt i njohur se ishte ai, që i sugjeroi Kadaresë se një tregim i tij, i botuar qysh në fillim të viteve ‘60-të, kishte bërthamën e një romani të pritshëm. Që në fakt nuk do të vononte të shkruhej dhe të botohej, si një nga veprat më të shquara të shkrimtarit me famë të përbotshme, pikërisht romani: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Një vepër kjo, që sikundër dihet, do të hapte shpejt udhën e famës kadarejane, në Shqipëri dhe në mbarë botën.
Vetë Ismail Kadare kujton një rrethanë tjetër rreth këtij njeriu vizionar dhe miku me besë. Kujton pikërisht momentin, kur nën përgjegjësinë e vet, pa ia dorëzuar askujt tjetër për procedurë botimi, i bindur se vetëm pengesa e zvarritje burokratike do të kishte, Dragoja, pra vetë drejtori, botoi librin me vjersha e poema “Shekulli im” (1961). Një libër ky, ku ai si drejtor do të marrë përsipër të nënshkruajë zyrtarisht edhe përgjegjësinë e redaktorit letrar. Nga Kadareja, ky rast kujtohet dhe vlerësohet si guxim tepër mbresëlënës, po të kihet parasysh se ajo përmbledhje poetike, do të ishte nga librat më “skandalozë” e më të çlirët, për nga mosrespektimi i skemave të socrealizmit.
Në radhën e episodeve të shumta të këtij raporti sui generis, – të kritikut me shkrimtarin, nuk mund të harrohet as ai fakti tjetër prekës, kur në bagazhin e tij personal të udhëtimit, i shpërndarë në Irkutskun e largët të Rusisë – pas katastrofës ajrore ku ai humbi jetën, u gjet edhe dorëshkrimi i një romani të shkrimtarit Petro Marko. Romani ishte marrë me vete prej Drago Siliqit, për t’u lexuar gjatë atij udhëtimi pa kthim.
“Mbylla telefonin… Mora një stol dhe dola në ballkon. Më rridhnin lotët, sikur të isha fëmijë… Humba një shok e mik të dashur…”, shkruan Petro Marko rreth atij lajmi tronditës. Por, kurora e tërë këtij angazhimi në raport me letërsinë, sigurisht që mbetet kritika e tij, e përcjellë sistematikisht përmes një mori shkrimesh dhe recensionesh të botuara në shtypin letrar gjatë fundit të viteve ‘50, si dhe në fillimin e viteve ‘60.
Mund të thuhet se mbetet një aksiomë për misionin e kritikës, se para së gjithash, ajo duhet të shquajë e të përcjellë me ndezullimë dhe njëherazi me guxim të renë në letërsi, atë që e trondit për të mirë statusin aktual të një letërsie. Në funksion të këtij misioni të saj, prej kritikës duhet që të shqyrtohen pa droje, deri edhe vlerat kanonike të traditës, të ndërtohen debate e polemika të nxehta letrare, të projektohen dhe pastaj të rimodelohen (apo rivlerësohen) hierarki vlerash, pikërisht në procesin e përballjes me dukuritë e reja pritëse. Këto dukuri të reja, mund të mos kenë mirëpritjen e menjëhershme, madje mund të krijojnë edhe keqkuptime nga ato që e trondisin atmosferën letrare. Por ato risi konceptuale dhe stilistike duhen ndjerë dhe duhen mbrojtur prej kritikës profesionale e të guximshme.
Drago Siliqi ishte ndjekës i vëmendshëm dhe dashamirës i kësaj prirjeje. Ai u shfaq përpara opinionit letrar si një kritik i lindur, i talentuar. Mund të thuhet se e pati për obsesionin e tij shquarjen dhe njoftimin e sinjaleve të reja që sillte një vepër, apo edhe një prirje e caktuar letrare. Në kërkim të së resë – mbetet apeli dhe kredoja e tij permanente, e cila jo rastësisht përcillej në mënyrë frekuente edhe në titull shkrimi, apo si lajtmotiv diskutimesh letrare, ku ai ishte i pranishëm.
Te poezia, këtë të re ai e vërente/shquante dhe e vlerësonte para së gjithash, te prirja dhe risia e saj për një abstraksion figurativ më të stërholluar, që kishte nisur të shfaqej te disa krijues të rinj të talentuar aso kohe. Që në fakt, ky vlerësim afirmues i këtij modeli letrar shtronte kërkesën për të mënjanuar ligjërimin e thatë, steril, pa shpirtin e spontanitetit dhe pa atë velin e bukur të mjegullave të dilemave njerëzore. Për kritikun, e reja në letërsi, nuk e cenon bazamentin kulturor nacional, sikundër pretendohej nga krijuesit tradicionalistë të kohës, ithtarë të stanjacionit. Përkundrazi, sipas tij, një letërsi që udhëton me të renë, i ka të garantuara vlerat nacionale, të cilat vazhdimisht përtërihen dhe nuk bjerren e nuk atrofizohen në rrugën e pandalur të saj për kërkime stilistike. Kësisoj, ai mbron pikëpamjen e drejtë se fryma dhe koloriti nacional nuk mbeten të ngujuara kurrsesi në formate vargëzimesh të kalcifikuara – apo dekore lulkash etnografike dhe frazeologjish popullore. Nacionaliteti mund dhe duhet që të shprehet dhe të garantohet vijueshëm – edhe me arsenalin e prirjeve të reja në letërsi. Duke rënë kështu alibia e tradicionalistëve konservatorë, që mungesën apo zvetënimin e talentit të tyre letrar, e mbulojnë me kinse shqetësimin dhe zellin për ta mbrojtur besnikërisht/fanatikisht frymën nacionale, si një model të dhënë njëherë e përgjithmonë, në ngrirje muzeale.
“… E reja e çan rrugën me vështirësi – shkruan kritiku D. Siliqi, – por herët a vonë, fitorja e saj është e sigurt. Kështu ngjet veçanërisht me të renë poetike. Elementet konservatorë, shpeshherë s’e kuptojnë kërkimin në këtë lëmë e bile, kur gjenden përballë faktit real të zbulimit poetik, ta quajmë kështu, prapëseprapë ngurojnë në pohimin e së drejtës së ekzistencës së saj… Dashur padashur, konservatorët poetikë pengojnë larminë e stileve dhe të profileve letrare, një nga cilësitë më të çmuara të letërsisë së re; ata luftojnë vetëm për një tel, vetëm për një instrument…”.
Për vizionin e këtij kritiku, rruga e kërkimeve për të renë në letërsi përcaktohet si alternativa e vetme për të garantuar funksionimin e saj si një sistem letrar dinamik, rrjedhimisht me të ardhme të paskajuar. Duke mbetur një ithtar konsekuent i kësaj filozofie kulturologjike – për të shquar projektimet e atyre shenjave të reja letrare, madje edhe përtej kohës, ai i garantoi ndërkaq edhe vetes një vend të sigurt për t’u kujtuar viteve të mëpasshme, pra në të ardhmen. Që është sigurisht shansi i atyre krijuesve vizionarë, që në veprat e tyre mbartin atribute të vlerësuara dhe të verifikuara prej kohës. Si vëllim, tekstet kritike të D. Siliqit nuk janë shumë. Por, ato kanë vlerën e madhe, sepse burojnë prej ideve të guximshme për kohën. Dhe këto ide përqendrohen te një vizion/projeksion i palëkundur: Në kërkim të së resë në letërsi. Ky do të jetë edhe mesazhi i tij konstant estetik, që është në harmoni me rrugën e gjithëkohshme të zhvillimit të mbarë letërsisë, kudo dhe kurdo ku ajo lëvrohet. Por nuk do t’u qeshte gjatë fati shkrimtarëve, siç shprehej Lasgushi për këtë mecenat shpirtëror të tyre. Sepse botuesi dhe kritiku i talentuar Drago Siliqi – do të ndahej shpejt nga jeta, në një aksident fatal ajror. Fare i ri, vetëm 33 vjeç. (Hejza)
blank

Dita Botërore e Librit, pse 23 prilli është shënuar në histori për letërsinë

Data 23 prill është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995 me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj.

Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. Më 23 prill të vitit 1616 u nda nga kjo botë Servantesi, Shekspiri dhe Garcilaso de la Vega, i ashtuquajtur Inca.

23 prilli shënon edhe lindjen ose vdekjen e shkrimtarëve të tjerë, si Maurice Druon, K.Laxness, Vladimir Nabokov, Joseph Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.

Kjo është arsyeja, për të cilën kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor../ dita

blank

Nga Sokrati tek Don Kishoti- TË VËRTETA TË RREZIKSHME

Nga Sokrati, tek Don Kishoti, fati i atyre që kërkojnë drejtësi. Njëri mbronte lirinë e mendimit; tjetri idealin. Ja përse çdokush mund të gjejë veten tek ata
Në 19 janar 2007 mësuam se gazetari turk me origjinë armene, Hrant Dink, ishte vrarë në Stamboll nga një nacionalist turk, një djalosh vetëm 17 vjeçar, sepse kishte kritikuar mohimin e gjenocidit armen nga ana e qeverisë. Vrasja e gazetarëve që përpiqen të thonë të vërtetën është një zakon i konstatuar nga koha dhe justifikimet e adoptuar për këtë krim janë një traditë po kaq e vjetër. Nga Shën Gjon Pagëzori tek Seneka, nga Rudolf Ualsh tek Ana Politkovskaja, ata që thonë të vërtetën dhe ekzekutuesit e tyre zënë një hapësirë çuditërisht të madhe në bibliotekat tona.
Pak më shumë se 24 shekuj më parë, në 399 p.e.s. tre qytetarë athiniotë dërguan në gjykatë filozofin Sokrat, sepse e konsideronin një rrezik për shoqërinë. Në fund të procesit, gjatë të cilit akuza dhe mbrojtja paraqitën tezat e tyre respektive, shumica e jurisë, e formuar nga përfaqësues të qytetarëve të Athinës, e shpallën Sokratin fajtor dhe, me një ashpërsi unike, e dënuan me vdekje. Pak kohë më vonë, Platoni, dishepulli që e donte Sokratin ndoshta më shumë se kushdo tjetër, transkriptoi diskutimin e tij të mbrojtjes që ka mbërritur deri në ditët tona me titullin Apologjia. Në të, Platoni, përmes gojës së Sokratit diskuton shumë argumente: koncepti i pabesisë, karakteri i akuzuesve të tij, fajësimi i herezisë, korruptimi i të rinjve dhe nëpërkëmbja e identitetit demokratik të Athinës. Kjo akuza e fundit jehon edhe sot e kësaj dite si shumë e njohur. Dhe Sokrati analizon çështjen e përgjegjësisë së qytetarëve në një shoqëri të drejtë.
Aty, afër gjysmës së diskutimit të tij, filozofi nis të flasë për rreziqet që has ai që dëshiron të thotë të vërtetën në botën e politikës. “Asnjë njeri mbi këtë Tokë që, në mënyrë të vetëdijshme, pengon verifikimin e padrejtësive dhe paligjshmërisë në mjedisin e tij”, thotë Sokrati, “nuk mundet të shpëtojë jetën e tij. Mbrojtësi i vërtetë i drejtësisë, që ka ndërmend të mbijetojë qoftë edhe për një kohë të shkurtër, duhet domosdoshmërish të kufizohet në jetën private dhe të braktisë politikën”.
Nuk ka asnjë dyshim. Duke filluar që nga profetët e parë, është e gjatë lista e atyre që, pasi kanë thënë të vërtetën, kanë paguar me jetën e tyre këtë vokacion njerëzor, dhe çdo vit Amnesty International boton një listë të gjatë të personave të burgosur në të gjithë botën, për arsyen e vetme se kanë bërë të dëgjohet zëri i tyre.
Hans Kristian Andersen, tek “Rrobat e reja të perandorit”, harroi të na thotë se çfarë i ndodhi fëmijës që tërhoqi vëmendjen e të tjerëve duke u thënë që perandorit, në të vërtetë nuk kishte veshur asgjë. Nuk do të habiteshim po të zbulonim që i tiji nuk do të kish qenë një fat i lumtur.
Sokrati i shpjegon gjykatës se është më se i vetëdijshëm për rreziqet që i vijnë nëse thotë të vërtetën. Personi që u kundërvihet padrejtësive apo paligjshmërive, vëren Sokrati, paguan me jetë zgjedhjen e tij për të thënë të vërtetën mbi to. Deri këtu, gjithçka është e qartë. Por, më tej Sokrati, për të cilin gjurmimi i të vërtetës është, siç duhet të jetë për të gjithë ne, objektivi parësor i ekzistencës, vazhdon duke thënë që, nëse një person dëshiron të shpëtojë lëkurën “edhe për pak kohë”, ky objektiv duhet që të kufizohet në sferën private dhe nuk duhet të lejohet që të vërshojë edhe në mjedisin e gjerë social.
Po si është e mundur të bëhet kjo?
Gjithmonë nëse toni i Sokratit nuk ka qenë ironik, pikërisht ai, më shumë se çdokush tjetër, duhet ta dinte që sa herë kërkohet e vërteta, sa herë që vihet në dyshim një gënjeshtër, sa herë që bëhen përpjekje të çirret maska e një mashtrimi, sa herë që vërehet se perandori është vërtetë lakuriq, duhet që domosdoshmërish të shkelet në atë terren të përbashkët, në atë botë që e banojmë bashkë me bashkëqytetarët tanë. Në dy ekstremet e jetës jemi të vetëm, në barkun e nënës dhe në varr, por hapësira që përshkojmë mes këtyre dy pikave është një mbretëri e përbashkët, në të cilën të drejtat dhe përgjegjësitë e gjithkujt përcaktohen prej të drejtave dhe përgjegjësive të fqinjëve tanë, dhe çdo gjë e rreme, çdo falsitet, çdo tentativë për të fshehur të vërtetën dëmton këdo në atë mbretëri, duke përfshirë në fund të fundit edhe vetë atë që gënjen. Pasi Sokrati u detyrua t’i japë fund jetës së tij, athinasit u penduan, mbyllën gjimnaze dhe palestra në shenjë zie, dëbuan dy prej akuzuesve nga Athina dhe dënuan me vdekje të tretin.
Sokrati ishte i vetëdijshëm që çdo shoqëri vetëpërcaktohet në dy mënyra: përmes asaj që lejon dhe përmes asaj që ndalon, përmes asaj që përfshin duke e pranuar si imazhin e vet, dhe përmes asaj që përjashton, injoron dhe mohon. Çdo qytetar që jeton brenda mureve të një shoqërie ka një detyrim të dyfishtë: atë që t’u bindet këtyre përfshirjeve dhe përjashtimeve të përbashkët dhe (domethënë ligjet e shoqërisë) dhe detyrimin ndaj vetvetes. Një shoqëri e gjallë duhet të ketë, në brendësi të saj, instrumentet për t’u mundësuar qytetarëve të saj që të realizojnë këtë detyrë të dyfishtë: pra atë të bindjes ndaj ligjeve dhe atë të vënies së tyre në diskutim, atë të respektimit të tyre dhe atë të ndryshimit të tyre.
Një shoqëri që u lejon qytetarëve vetëm njërin prej dy detyrimeve (një diktaturë apo një shtet anarkik) dhe një shoqëri që nuk ka besim në parimet e saj dhe si pasojë është në rrezik zhdukjeje. Qeniet njerëzore kanë nevojë për mbrojtjen e përbashkët të ligjit, si dhe lirisë për t’i dhënë zë mendimeve të tyre, dëshmive të tyre, dyshimeve të tyre, po aq sa kanë nevojë edhe për lirinë për të marrë frymë. Kjo është themelore.
Ndoshta e kemi më të lehtë të kuptojmë fjalët e Sokratit, nëse i dëgjojmë të rijehojnë tek një dishepull i tiji i largët dhe i çuditshëm, një zotëri që, i obsesionuar prej leximit të romaneve kalorësiakë, vendos një ditë që të bëhet ai vetë kalorës për të vënë në praktikë parimet e vlerave dhe ndershmërisë “për të rritur nderin e tij dhe për t’i shërbyer vendit të tij”. Ashtu si Sokrati, Don Kishoti i njeh rreziqet në përpjekjen “për të mos lejuar të ndodhin padrejtësi dhe paligjshmëri në vendin e tij”. Dhe për këtë arsye, Don Kishoti konsiderohet një i marrë.
Po çfarë është saktësisht marrëzia e tij? Don Kishoti ngatërron mullinjtë e erës me gjigantë dhe bagëtitë për luftëtarë, dhe beson tek kuajt që fluturojnë, por përtej të gjithë fantazive të tij, ka besim tek diçka solide si për shembull toka mbi të cilën ecën, apo tek nevoja e pakundërshtueshme për drejtësi. Vizionet përrallorë të Don Kishotit janë imagjinata rrethanore, mënyra për t’i bërë ballë “gri”-së së realitetit. Por në detyrimin e pasionit të tij dhe bindjeve të pagabueshme, ai thotë se jetimët duhet të ndihmohen dhe vejushat të shpëtohen – edhe pse, për shkak të veprimeve të tij, fati si i shpëtimtarëve, ashtu edhe të viktimave, përkeqësohet. Ja paradoksi i madh me të cilin na vë përballë Servantesi: drejtësia është e domosdoshme, edhe pse bota mbetet e padrejtë. Veprimet dashakeqë nuk duhet të mbeten të pakundërshtuar, edhe kur pas tyre vijnë të këqija më të mëdha. Jorge Luis Borges e shpreh këtë koncept tek njëri prej personazheve të tij më të tmerrshëm: “Që parajsa të ekzistojë vërtetë, edhe pse vendi im është në ferr”.(bota.al)
blank

Iksi romanesk i Jakov Xoxës (100-vjetori i lindjes)- Nga Agim Vinca

Ky shkrim është botuar në gazetën e studentëve të Prishtinës “Bota e re” në prill të vitit 1974

E ndiej veten me fat që kam pasur rastin ta njoh personalisht Jakov Xoxën, në kohën e pjekurisë së tij si njeri dhe shkrimtar, në vitin 1974.

Në pranverë të atij viti, kur unë dhe kolegët e mi të Universitetit të Prishtinës të ardhur në Tiranë për një qëndrim studiues, do të bënim udhëtimin për në jug të vendit, me ne do të udhëtonte, me të njëjtën makinë, edhe shkrimtari Jakov Xoxa. Na erdhi si një sihariq në hotel “Dajti” lajmi se do të udhëtonim bashkë me Jakov Xoxën nga Tirana në Fier, kurse takimi me të mbeti i paharrueshëm për të gjithë ne që e patëm këtë shans, mbase krejt rastësisht. Gjatë gjithë rrugës patëm biseduar me Jakovin. I ri dhe kureshtar unë i bëja pyetje pas pyetjeje lidhur me veprën e tij dhe në mënyrë të veçantë romanin Lumi i vdekur, që në Kosovë ishte aq i popullarizuar dhe ai më përgjigjej pa përtesë. Shoqëruesit tonë zyrtar, që ishte një tip dogmatik, nuk i vinte mirë që unë flisja lirshëm, pa “censurë” dhe mundohej ta largonte bisedën nga temat e ndieshme. Aty pata dëgjuar për herë të parë për ciklin e tij prej pesë romanesh në formë Iksi, kurse gjatë vizitës në Kombinatin e Tekstilit në Berat, kur ndodhte të këputej filli dhe në makinat endëse (prodhim kinez) ndizej sinjali i kuq, Kovi, si e thërrisnin miqtë e tij, pati thënë: “Eh, sikur edhe ne shkrimtarët të kishim një sinjal të tillë që të ndizej kur nuk e kemi mirë!”. Në rrethanat në të cilat krijonin atëbotë shkrimtarët shqiptarë, në kushtet e sistemit totalitar, kjo ishte një fjali me nëntekst. Me t’u vendosur në dhomën e hotelit në Fier, puna e parë që bëra ishte ta shkruaja bisedën me Jakov Xoxën. Kur zbrita në restorant për darkë, kërkova pëlqimin e tij që bisedën ta botoja në Kosovë. Ashtu edhe u bë. Shkrimi im për takimin me Jakovin (Iksi romanesk i Jakov Xoxës) doli në plot dy faqe në gazetën “Bota e re” të studentëve, që ishin lexuesit më të mëdhenj të veprës së tij.

Kanë kaluar më se dyzet vjet nga ajo kohë, por ende e ruaj të freskët në kujtesë atë takim. Mbaj mend se bari rreth manastirit kishte gufuar, kurse unë dhe një kolegu im, si më të rinjtë e grupit, improvizuam një “përleshje” si të ishim Adili e Llazi, në sy të krijuesit të tyre, që na vështronte me mall e dashuri…

Nuk do ta takoja më Jakov Xoxën, as në ’76-n e as në ’79-n, kur iku nga kjo botë, por portreti i tij, që rrezatonte mirësi, çiltërsi e fisnikëri, do të më ngelë përgjithmonë në kujtesë.

* * *

Jakov Xoxën e takoja për herë të parë. Në mars të këtij viti, me grupin e pedagogëve të Universitetit të Prishtinës, që shkonte për në Jug të Shqipërisë, udhëtoi edhe shkrimtari Jakov Xoxa. Ai shkonte në Fier, në vendlindjen e tij dhe së andejmi në Apolloni, ku e kalon pjesën më të madhe të kohës dhe të jetës.

Vetëm dy muaj në vit, kur mban ligjëratat e stilistikës në USHT, Jakovi qëndron në Tiranë. Pushimet verore i kalon në Pogradec, sepse, si thotë vetë, “atje është më freskët, më qetë. Në Durrës bëhet tollovi”. Pjesën tjetër të vitit shkrimtari (Jakov Xoxa është  shkrimtar me profesion) e kalon në Apolloni dhe vetëm herë pas here shkon në Tiranë, për të parë familjen, për ndonjë mbledhje në redaksinë e “Nëntorit”, për ndonjë diskutim krijues etj. Aty, në zemër të Myzeqesë, larg zhurmës dhe reklamës, punon njeriu që i ka dhuruar letërsisë shqipe dy vepra kapitale: Lumin e vdekur dhe Jugën e bardhë. Aty i gdhin ditët dhe i ngrys netët njeriu dhe shkrimtari që jeton “gju më gju me popullin”.

Jakov Xoxa është nga ata njerëz që “të bëjnë për vete” që në takimin e parë. I shkurtër, i drejtë, gojëmbël ai të lë përshtypjen e një njeriu fisnik në plotkuptimin e fjalës. Ndonëse i ka kaluar të pesëdhjetat, ai është i gatshëm për bisedë; në çdo kohë dhe në çdo vend.

Shtron çështje për diskutim, por edhe përgjigjet në pyetjet që i bëhen. Flet seriozisht, me përkushtim, por në ligjërimin e tij ka edhe humor të shijshëm. Biografët e shkrimtarëve të mëdhenj, të prirur shpesh kah sensacionet, kanë shkruar se ata (shkrimtarët) dinë të jenë të heshtur e nervozë, të rreptë dhe cinikë, ose edhe të lehtë dhe të qetë, të sjellshëm dhe të butë…

Jakov Xoxa nuk futet në asnjërën nga këto “kategori”. Ai nuk i qas kallëpet as në jetë as në art. Është origjinal në mënyrën se si e organizon jetën familjare dhe në mënyrën se si e organizon veprën letrare.

Është adhurues i madh i natyrës; i shëtitjeve në ajër të pastër, por nuk përton të vizitojë edhe kombinatet e fabrikat, qendrat e punës dhe kantieret. Për kooperativat as të flasim. Ai është gjithnjë në mesin e kooperativistëve myzeqarë. I pëlqen zhurma e makinave dhe era e avullit, por akoma më shumë i pëlqejnë këngët e mbledhëseve të pambukut në fushën e gjerë të Myzeqesë. Sikurse Turgenievi dhe Hemingueji, të cilët i do dhe i çmon si shkrimtarë, Jakov Xoxa e ka hobi gjuetinë. Ai flet me pasion për rosat e egra dhe lepujt e Myzeqesë, ashtu siç flet për statujat e Apollonisë dhe për prozën e Tolstoit, të Mopasanit, Gollsuorthit, Shollohovit…

– Gjuetia është jo vetëm një pushim aktiv, por edhe mënyra më e mirë për të kontaktuar me njerëzit, me ata që nesër mund të bëhen personazhe të veprave të tua. Ku je “gjuetar” bisedon më lirisht me fshatarët. Ky është kuvendim spontan, i përzemërt dhe pa rezerva; kuvendim i barabartë. Me kollanin brezit dhe me çiften në krah futesh më thellë në botën e tyre, sesa me kollare qafës dhe me laps në dorë. Kjo është përparësia e “gjahtarit” ndaj gazetarit dhe shkrimtarit. Në do të bëhesh shkrimtar i mirë, duhet ta njohësh popullin tënd dhe në do ta njohësh popullin tënd, duhet të qëndrosh me të. Me ditë, me muaj, me vjet. Unë kam qëndruar tre vjet në bazë. As tani s’mund të them se s’jam po aty. Kjo është e domosdoshme për një shkrimtar, për një prozator aq më shumë. Njohja e jetës, për romancierin, është po aq e nevojshme sa edhe njohja e estetikës dhe e artit, e rregullave të kompozicionit, për shembull. Nga kabineti nuk mund të shkruhen vepra të mëdha…

E vazhdojmë bisedën me Jakov Xoxën me një pyetje konvencionale: “Çka punoni? Çfarë shkruani në kohë të fundit?” – e pyet njëri nga kolegët tanë. Ai nuk ngurron të përgjigjet pa poza:

– Kam një roman të ri në dorë. Do të jetë “vëlla” i Lumit… Bën fjalë për punëtorët shqiptarë të paraluftës, për punëtorët me mëditje, argatët. Ngjarja ndodh në kriporen e Vlorës, në mbarim të viteve ‘30. Shpresoj ta kryej brenda këtyre muajve dhe të konkurroj në Konkursin letrar të 30- vjetorit të çlirimit. Ky është një jubile i madh yni, që duhet të shënohet edhe me rezultate në artet tona, me fitore në “frontin letrar”.

Pas këtyre fjalëve shkrimtari pushon së foluri. Heshtim edhe ne të tjerët për një çast. Pas pak, në bisedë ndërhyn shoqëruesi ynë, bashkëpunëtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Luan Kokona:

– Kovi (kështu e quajnë shkrimtarin shokët dhe të afërmit e tij), tregoju këtyre shokëve për atë Iksin tënd të romaneve… dhe Luani kryqëzon gishtat tregues të të dy duarve.

Tani shkrimtari zbulon diç më shumë nga planet e tij krijuese. Tregon se ka në plan të shkruajë një cikël romanesh në formë të X (iksit). Ky “Iks romanesk” do të sajohet nga pesë romane, dy nga të cilët tashmë i kemi në duar. Në dy skajet e sipërme do të “vendosen” romanet me temë nga e kaluara, ndërsa në skajet e poshtme romanet me temë nga koha e sotme. Ndërkaq, në mes, ku kryqëzohen dy linjat, do të “qëndrojë” romani mbi Luftën Nacionalçlirimtare, si një nyjë lidhëse e këtyre dy epokave të rëndësishme të jetës shqiptare. I paraqitur skematikisht, X (iksi) romanesk i Jakov Xoxës do të dukej kështu:

Lumi i vdekur                                                     Lulja e kripës

                       Dielli lind nga malet

Juga e bardhë                                                     Ari i zi

Pyetjes se a do të merret akoma me familjet e Shpiragajve dhe të Tafilajve në romanet e tij të rinj, ashtu siç pat premtuar edhe në një bisedë të hershme në shtyp dhe siç mund të konkludohet nga Juga e bardhë, shkrimtari i përgjigjet:

– Në romanin mbi LNÇ-në, skicat e të cilit i kam gati, Adilin “e çoj” partizan në Kosovë. Llazi, siç mund të supozohet, do të vendoset në anën e reaksionit. Për ta realizuar sa më mirë dhe sa më bindshëm këtë ide, më duhet të bëj një udhëtim në Kosovë. Të shoh viset dhe njerëzit, së bashku me kosovarin “tim” trim Adilin. (I them se ardhja e tij në Kosovë pritet kaherë. Se veprat e tij, sidomos tash, pas botimit të kompletit, lexohen dhe studiohen nga nxënësit, studentët, arsimtarët, shkrimtarët… Buzëqesh dhe më falënderon).

Pastaj kalojmë pjesë të tëra të rrugës pa fjalë. (Harrova t’ju them se biseda me Jakov Xoxën zhvillohet në rrugë e sipër, në mikrobus). Kalojmë Kavajën, Lushnjën. Shkrimtari, herë pas here, na flet për vendet përreth. Ndryshime të mëdha janë bërë në këto vise. Myzeqeja e djeshme ka qenë vend tipik i mushkonjave dhe bretkosave, i malaries dhe i sëmundjeve të tjera. Aspak më lehtë s’kanë kaluar as viset e tjera të Shqipërisë. Epidemitë kanë qenë vizitore të shpeshta; vdekjet para kohe, sidomos të fëmijëve. Ndaj ka thënë poeti “jeta ishull, vdekja det”… Tani ka ndryshuar shumëçka. Ka ndryshuar fytyra e Myzeqesë. Ka ndryshuar fytyra e gjithë Shqipërisë. Bujqësia, shëndetësia dhe arsimi, tri degët të cilat i kishte në plan t’i zhvillonte Fan Noli, u jetësuan pas 1945-s. Shifrat shkrimtarit nuk i hyjnë në punë, por ato duhen ditur. Le të shënojmë me këtë rast një të dhënë nga lëmi i arsimit. Kush e viziton Shtëpinë muze, ku është hapur shkolla e parë shqipe më 7 mars të vitit 1887 në Korçë, do të mësojë, pos të tjerash, se Shqipëria në vitin 1938 ka pasur gjithsej: 58340 nxënës dhe 1151 mësues, ndërsa në vitin shkollor 1973/74 ka: 740000 nxënës dhe 30857 mësues.

Me mendime të tilla arrijmë në Berat, në Qytetin e një mijë e një dritareve, si e quajnë qytetin e lashtë, apo edhe në “qytetin e trëndafilave”, si e ka quajtur bejtexhiu i famshëm Ibrahim Nezimi (“Të mirë mbeç, o Gjylistan!”). Për nga pozita gjeografike, arkitektura dhe pamja, Berati ta kujton Ohrin dhe Prizrenin, dy qytete që kanë sipër kalanë, Prizreni edhe lumin… Vizitojmë Kombinatin e Tekstileve. Kalojmë nëpër të gjitha repartet; nga ai i krehjes, tek ai i tjerrjes; nga ai i endjes, tek ai i ngjyrosjes. Në repartin e endjes qëndrojmë pak më gjatë. Jakov Xoxa interesohet për çdo gjë. Sheh si funksionojnë makinat, prek me dorë bobinat. Makinat (prodhim kinez) kanë sinjalin e kuq, i cili, në rast këputjeje të fijes së pambukut aktivizohet. “Një sinjal i tillë do të ishte i mirë dhe për shkrimtarët”, thotë me të qeshur. “Do të ishte mirë të ndizej drita e kuqe në vetëdijen tonë kur diçka nuk ecën si duhet; kur këputet fija e mendimit, kur pëlhura e romanit nuk endet mbarë e mirë. Sepse, edhe vepra letrare, si pëlhura kur këputet ndonjë fije, humb nga bukuria dhe fortësia, humb nga qëndrueshmëria”.

Në Kalanë e Beratit, prej nga qyteti duket si në pëllëmbë të dorës, ndërsa Osumi plak rrëshqet si një gjarpër i lodhur, ulemi të pushojmë pak. E vazhdojmë bisedën (letrare) mbi muret e lashta ilire.

– Romani juaj i parë Lumi i vdekur u vlerësua lart nga kritika jonë. Disa e quajtën edhe sagë dhe kryevepër të letërsisë kombëtare. Ndërkaq, romani juaj i dytë, Juga e bardhë, nuk e pati këtë “fat”. Ç’mund të na thoni për këtë? – është pyetja jonë, nga pak provokuese. Shkrimtari hesht për një çast. Duket sikur nuk i ka pëlqyer pikërisht kjo pyetje. Por, i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë, siç është, thotë: “Romani Juga e bardhë nuk është kuptuar drejt nga një pjesë e kritikës sonë letrare. Ka pasur një keqkuptim apo edhe moskuptim të idesë kryesore. E kam thënë edhe një herë tjetër se nuk është kapur drejt linja Shpresa-Ylli dhe insistimi i vajzës që të shkulet në qytet. Unë, ngritjen e nivelit jetësor të fshatarit nuk e shoh në shpërnguljen e tyre në qytet, por në zhdukjen e diferencave midis fshatit dhe qytetit, në shndërrimin e fshatit në qytet. Këtë, heroina ime, Shpresa, arrin ta kuptojë vonë, pas dramës tragjike të të dashurit të saj traktorist, Yllit. Por, ky ka qenë koncepcioni im i ngritjes së Shpresës nga poshtë-lart dhe i rënies, sipas logjikës së kundërt, të një personazhi tjetër, Kiu Korroziut. Shpresa starton si një vajzë mikroborgjeze fshati dhe arrin te një e re e ndërgjegjshme dhe militante, ndërsa Kiu, niset nga partizani dhe arrin te renegati e burokrati… Edhe diçka për kritikën tonë. Ka kritikë që nuk e marrin me seriozitetin e duhur punën e tyre. Në qoftë se shkrimtarit i është dashur të punojë katër-pesë vjet në një vepër, si mundet atëherë, ju lutem, kritiku, për 4-5 ditë ose edhe për 4-5 orë ta hedhë poshtë a priori  punën e tij?! Kritiku duhet ta studiojë dhe ta zbërthejë veprën letrare, romanin aq më shumë; jo të japë gjykime të paargumentuara dhe me disa fraza “të mëdha” e terma “modernë” të shesë erudicion. Kjo flet për kulturën e mangët dhe horizontin e ngushtë të kritikut…”.

– Një nga vërejtjet që i është bërë romanit tuaj është proliksiteti…

– Mua ma zënë për të madhe (disa) pse shkruaj romane të gjata, pse nuk shkruaj romane të shkurtra, si Ismail Kadareja, fjala vjen. Për mua problemi i “shkurtësisë” dhe i “gjatësisë” në veprën letrare është një problem fiktiv, i paqenë. Unë mendoj se ka vepra të mira dhe të dobëta, e jo vepra “të gjata” dhe “të shkurtra”. Çështja e leximit? Një roman i gjatë, por i mirë, a nuk lexohet më shpejt dhe më me ëndje nga një roman i shkurtër, por i dobët? Besoj se pajtoheni me mua.

-Në një sesion shkencor të mbajtur vitin e kaluar përkitazi me çështjen e novatorizmit në art dhe në letërsi, ju paraqitët kumtesën me titull “Patologjia e novatorizmit”. A mund të na shkoqitni me pak fjalë tezën tuaj?

– Edhe me këtë problem më duket se është spekuluar mjaft. Novatorizmi nuk duhet të jetë qëllim më vete. As nuk mund të arrihet në këtë mënyrë. Disa “teorikë” dhe “shkrimtarë” novatorizmin e identifikojnë me artistiken. Kështu lindi diçka absurde në shkencën e letërsisë: kriter vlerësimi estetik për disa nuk është më realizimi artistik, por novatorizmi në formë, virtuoziteti teknik, gjuhësor, kompozicional etj. Kjo patologji e “novatorizmit” shpie në epigonizëm. Arti nuk është garë atletike. Në letërsi mbetet jo ai që arrin i pari, por ai që arrin më mirë, më bukur, artistikisht.

– Ç’mendim keni për letërsinë që krijohet në Kosovë, veçmas për prozën? Sa arrini ta përcillni dhe lexoni atë?

– Unë i kam redaktuar dy romanet e Hivzi Sulejmanit (Njerëzit đhe Fëmijët e lumit tim) të botuar në Tiranë. E kam lexuar R. Kelmendin, N. Rrahmanin, A. Pashkun. Një pjesë e letërsisë së Kosovës, si poezia ashtu edhe proza, vuan nga një lloj hermetizmi. Hermetizmin duhet luftuar si në planin teorik ashtu edhe në praktikë. Teoretikisht e ka shtruar drejt këtë çështje Rexhep Qosja në artikujt dhe studimet e tij, por praktikisht këtë duhet ta bëjnë vetë shkrimtarët…

Vonë, kah ora tetë e mbrëmjes, arrijmë në qytetin e Fierit, ku 51 vjet më parë lindi Jakov Xoxa.

Pasi vendosemi në hotel, hamë darkë bashkë. Në ndërkohë, para se të zbrisnim në restorant, shfrytëzova rastin ta hidhja në letër shpejt e shpejt bisedën me Xoxën, kurse në ndarje t’i kërkoja leje për botimin e saj eventual në Prishtinë. Me modestinë që e karakterizonte, Xoxa më tha: “çne”, por unë tërthorazi e mora si pëlqim për ta bërë publike këtë bisedë për lexuesit e Kosovës dhe veçanërisht për studentët dhe pedagogët e Universitetit të Prishtinës.

blank

MENDIME TË JAKOV XOXËS

Nga “Lumi i vdekur”

– Zemra qenka një pus i thellë: po s’qe pashi i dhembjes i gjatë e i rëndë, s’mund të nxjerrësh jashtë një pikë lot… Po arriti gjer atje, zënë e dalin vetë… A ka pash më të gjatë, më të thellë e më të rëndë se sa vdekja e nënës?

– Zemrat e fshatarëve janë burime, jo puse: leri të rrjedhin vetë, po i mbylle një herë, shterin.

– Çudi, ajo që njerëzit rrahin ta largojnë me çdo kusht, ajo vjen e u ngulet në mend më keq…

– Frika dhe shqetësimi lind gjithmonë nga e panjohura, qoftë ajo edhe hiçgjë përpara një të njohure shumë më të rrezikshme.

– Mos vallë bukuria paska mbi njerëzit më pushtet nga e drejta?

– Kur rrinë pranë e mira me të keqen, sikur i japin diçka njëra-tịetrës.

– Dashuria është si grëmi: lidhet e shtohet më shumë në dhé.

Nga “Juga e bardhë”

– Një urë lidh dy brigje, një e puthur mbyll dy shtigje…

– Një e puthur mbyll katër sy dhe hap dy zemra.

– Bujqësia është një uzinë pa çati.

– Pa u lëvruar mirë koka, s’ka si të lëvrohet mirë toka.

– Koka qenka si toka, nuk pjell po nuk e ngave thellë.

– Të mos kthehet ajo që është mjet jete, në qëllim jete…

– Kur fshatarja bëhet qytetare, bëhet më e prapë se qytetaret.

– Idetë e mëdha janë si lumenjtë malorë: as dredhojnë, as nuk kthehen mbas.

– Le të bëhet e mira “e keqe” që të zhduket e keqja.

– Kujtimet janë si mullarët e sanës: i vemë në verë gë t’i konsumojmë në dimër.

(Zgjodhi: A. V.)

Marrë nga ExLibris

blank

Princ Leka: Përralla kushtuar gjyshes sime të dashur, Mretëreshës Geraldine, botohet në Itali

VOAL- Princ Leka, në faqen e tij në fb, bën të ditur se përralla kushtuar gjyshes së tij, Mbretëreshës Geraldine, është botuar italisht nga shtëpia botues Feltrinelli:

Të dashur miq, përralla kushtuar gjyshes sime të dashur, Mretëreshës Geraldine, vjen e botuar në gjuhën italiane nga shtëpia botuese prestigjoze @feltrinelli_editore . La Rosa Bianca tashmë mund të gjehet në çdo librari të shtetit fqinj dhe lexuesit e vegjël që jetojnë në Itali do mund të kenë në bibliotekat e tyre një copëz nga vendi i shqiponjave! Faleminderit @elia.zaharia.zogu për këtë iniciativë të vyer! 🇦🇱 🇮🇹

blank

POEZIA DHE ARTI POETIK KA PËR QËLLIM TRASIMIN E RRUGËTIMIT TË SHËNDETSHËM NË PËRMASA NJERËZORE- Nga TAHIR BEZHANI

Vështrim libri: Bukurie Hajdarmataj: “ Grua pa faj”,2016, botoi “OLYMP” Prishtinë

”Libër që përmban shtyllat e edukatës njerëzore në artin poetik”
blank
Autorja e librit, Bukurie Hajdarmataj, para lexuesve del për herë të parë me librin poetik të lartcekur me të cilin ndez dritën e shpresës tek lexuesi se do kemi një poete të mirëfilltë me një talent të spikatur. Ky vlerësim buron nga penda e saj e mprehtë e cila me një modesti njerëzore e krijuese, skalit vargun brilant duke dhënë mesazhe të brumosura nga jeta njerëzore, nga përditshmëria e rrethanave të së kaluarës dhe së tanishmes.
Bukurie Hajdarmataj, e lindur në Shoshan të Tropojës, e punësuar në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Hoxhë Zogu” në Zogaj, në vete mbart një përvojë jete e pune të gjatë, ku përjetimet e saja, kanë prekur ndjenjat e saj intelektual, duke nxitur në krijimtari që nga shkolla fillore dhe ajo e mesme. Idetë e saja krijuese prekin të gjitha fushat e jetës njerëzore, duke ngërthyer në brendi dhembjen dhe dashurinë si shtylla të ndërgjegjes njerëzore nëpër kohë….
Libri poetik me titull mjaft provokativ, “Grua pa faj,” përmban sekuenca të ndjeshmërisë shpirtërore duke dhënë preferenca plot dhembje mbi fatin e femrës shqiptare në trojet tona. Njëkosisht, pos vuajtjes së saj, nxjerr në dritë edhe kontributin historik, si pjesë e pandashme dhe e barabartë e shoqërisë sonë.
Poezia “Shqiponja e malësisë ”, dedikuar mësueses e cila vuajti nga diktatura e monizmit në Shqipëri, Rukie Ramës, përmban gjithë kalavarën e dhimbjes së femrës shqiptare, duke personifikuar atë me gjitha vuajtjet e nënave shqiptare në kohë e rrethana tejet të ndërlikuara. Duke paraqitur një sistem tejet monstruoz të kohës, në poezinë e lartëcekur shkruan:
” Bisha të sëmura ata ishin/ Ah!…/Njollë e zezë e shoqërisë/Ja gjakosën këmbët shqiponjës/Në jetë e vdekje gjynahe mbajnë mbi kurriz”
Duke cilësuar personalitetin e një mësueseje në rrethana të tilla, si Rukie Ramën poetja më tej e karakterizon, duke nxjerrë si heroinë, simbol të qëndresës:
“Ishte vajza e parë që grisi shaminë/udhëtare në rrugën e shpresës së thyer/vrapon një vajzë, djalë, a shqiponjë fluturon/ mes shtigjeve bytyqase, / nga vapa dhe shirat gërryer”.
Ideja për të arritur qëllimin duhet të kaloi përmes një martirizimi ideologjik, duke kredhur në baltimin e brendshëm. Mënyra e tillë e qasjes së vargut poetik, poezinë e bënë art kreativ përmasash, ku autori mbetet gjatë në mbamendje. Mendoj se refleksioni i kësaj poezie përkushtuese ka prodhuar me arsye gjithë përjetimin e dhimbshëm të një mësueseje brenda një diktature të egër e të gjatë….
Ndonëse, poezia e titulluar “Grua pa faj”, ngritë në piedestal gjithë fatin ecejakeve jetësore, duke triumfuar në luftë me kohën, si në vargjet:
” Grua gri në k’të botë gri/Gëzimi yt i vetëm fëmijët/Bota të shkeli ty?/ Apo botën po e shkel tash ti?”
Autorja e librit, Bukurie Hajdarmataj, duke qenë edukatore brezash, përditshmëria e saj është përherë e atakuar me ngjarje të rëndësishme të jetës, të cilat, si valë deti, e trazojnë deri në hidhërime e gëzime jete. Uni i saj krijues kacafytet me çdo rrethanë nga ku pikon arti këndshëm….
Poetja Bukurie Hajdarmataj artin poetik e ka si kështjellë të ndërgjegjes njerëzore e shoqërore, përmes së cilës jeta lë gjurmë të kohës . Ajo i detyrohet profesionit të edukatores dhe përmes poezisë, tregon gjithë dashurinë për shkollën, nxënësit, brezat e ardhshëm, dritë ardhmërie e vendit tonë. Duke përjetuar thellë dashurinë ndaj nxënësve, natyrshëm, reflekton me vargje: “çdo ditë marr buzëqeshje /Çdo mëngjes ndihem e gëzuar /ndihem e bekuar me nxënësit e mi…”
E përkushtuar tërësisht në edukimin e brezave, me sinqeritet krijues, nxjerr në pah tërë respektin edukativ që duhet të ketë një mësues apo mësuese. Me të tillë karakter dashurie për gjeneratat paraqitet edhe tek poezia “Maturantët,” ku përditshmëria e jetës përkon me dashuri dhe përkushtim të sinqertë kudo.
Në librin poetik “Grua pa faj” gërshetohen edhe një mori termash të cilat spikasin dhimbje e dashuri kohësh, por edhe gëzime nga fëmijëria, duke përkujtuar një jetë të ëmbël në prehërin e nënës e gjyshërve, aty ku jeta merr hov lartësive. Autorja me forcë shpirti i kushton vargje motrës së dashur, duke kujtuar atë “ që njeh detin e tallazeve brenda meje,” duke iu drejtuar se çfarë të quaj ty, ”Rreze dielli kur bie shi/Apo….Në mjegullën time ylberi im?.”.
Ndërsa për vëllain, ka një peshë akoma më të ndjeshme, sigurisht, bazuar edhe në traditën tonë me rastin e lindjes se djalit. Autorja vëllait i drejtohet me vargje madhështore:” Vëlla është dera e pragut/Është gëzimi i konakut/Vëllai fjala e shpresës/Vëllai është drita e jetës…”.
Një element i veçantë që bie në sy të lexuesit është glorifikimi deri ne piedestal të gjyshit të fëmijëve të saj, gjegjësisht, vjehrrit, ku rrallë e ndeshim në poezi një përkushtim vjehërror, ose fare. Kjo flet për një përkushtim të mirëfilltë familjarë, një dashuri edukative si rregullator i jetës brenda familjes.
Bukurie Hajdarmataj, në librin e saj “Grua pa faj,” trajton një mori temash aktuale duke u nisur nga motivet e vjetra e që akoma kanë rrënjë në kohën tonë, pastaj duke iu qasur gyrbetit, si dukuri dhe dhimbje e madhe e kohës sonë, me pasojë zbrazja e vendit nga brezat e rij dhe asimilimi i tyre në botën perëndimore, pa a asnjë arsye.
Duke lexuar një libër me poezi të arrira e tema të llojllojshmërisë të jetës sonë në tërësi, mbesim me shpresë se nga autorja Bukurie Hajdarmataj, do lexojmë vepra të reja poetike, e pse jo edhe në prozë, duke na befasuar këndshëm me boten e saj të brendshme plot thesar jete….

Gjakovë, 14.04.2023

blank

Poezia e të famshmit Hafiz Shirazi- NJË POET PËR POETËT- Nga Sulejman MEHAZI

Gjermania për nder të Hafizit, ka ngritur një përmendore të madhe në rajonin e Waimar-it me emrim “Qendra ndërkombëtare e dialogut ndërmjet civilizimeve”
Hafizi lindi në shekullin e 14-të në qytetin e Shirazit (1320-1389), që ndodhet në qendër të Iranit. Që në fëmijëri për shkak ndikimit islam dhe kulturës arabe e cila ishte përhapur në atë periudhë në Iran mësoi gjuhën arabe, më pas mëson dhe Kur’anin përmendësh. Për këtë arsye e quajtën Hafiz. Me rastin e datëlindjes së tij, sot e kësaj dite admiruesit e tij udhëtojnë në qytetin e Shirazit te mazoleumi që i është ngritur, me tetë kolona dhe një kupolë. Poetët nga vendet e tjera të botës vijnë e i thurin lavde poetike, Hafizit, mbi varrin e tij. Sot në shumë vende të botës organizohen përkujtimore dhe simpoziume në nderim të tij.
Poezitë e Hafizit “Divani i Hafizit” ( përmbledhje poetike) karakterizohen kryesisht me ndjenja spirituale, moralit, botës së përjetimeve mistike, besimit e dashurisë ndaj Zotit. Frymëzimet poetike të Hafizit s’pajtoheshin kurrë që spiritualen, të padukshmen e vërtetë mistike – poetike ta braktiste për shkak lakmisë së kësaj bote njerëzore e të robërohej shpirti i tij artistik ndaj materiales. Për këtë shkak shumë poetë të shquar, dijetarë të mëdhenj dhe poetë idealistë pëlqejnë poezitë e Hafizit duke ftuar lexuesit që të qëndrojnë larg materies për të forcuar lidhjet me shpirtëroren dhe mistiken.
Motivet kuptimplote shpirtërore poetike drejt mistikës, së shenjtës e kanë bërë që Hafizi të përkthehet në shumë gjuhë të botës: anglisht, frëngjisht gjermanisht, arabisht, rusisht, turqisht etj. Poezitë e Hafizit ftojnë lexuesit të depërtojë në thellësitë e shpirtit dhe mistikës për të qenë të lumtur. Mënyra e të shprehurit poetik, stili ëmbël spiritual-mistik e bëri poet të dashur në mbarë botën. Respekti ndaj fesë e besimit dhe adhurimit ndaj Zotit vërehet qartë në poezinë e tij:
“Lufta ka pushtuar 72 kombe,
sepse i largohen së vërtetës dhe i bashkohen mitit”.
Në këto vargje Hafizi pranon njohjen, besimin, botëkuptimin mistik e spiritual, Zotin, duke ua bërë me dije njerëzve se pa logjikuar fare e “lënë të vërtetën dhe i bashkohen mitit”. Poeti i shquar gjerman Johannes Wolfgang Gëte jo vetëm që u mahnit dhe u magjeps prej përmbajtjes së lartë të poezive të Hafizit, por ishte prej atyre personaliteteve që e kuptoi shumë mirë poezinë e tij.. Jo më kot Gëte thotë: “Pasi njoha poezitë e Hafizit, njoha edhe botën e madhe dhe kuptova që ekzistojnë shumë burra dhe personalitete të mëdha, me talent të fshehur, që i kanë dhënë shumë kësaj bote”. Gjermania për nder të Hafizit, ka ngritur një përmendore të madhe në rajonin e Waimar-it me emrim “Qendra ndërkombëtare e dialogut ndërmjet civilizimeve”.
“Ti o saki, zbuloje të fshehtën e kupës time dhe asaj çka brenda në të,
Dashuria në fillim ishte e lehtë, më pas lindin vështirësitë”.
Fama dhe nderi që gëzon poeti, Hafiz Shirazi, mbase në botën letrare është relative, por në Iran nuk mund të hasësh asnjë person që mos të ketë dëgjuar emrin e tij, madje çdo njeri di përmendësh të paktën disa vargje nga poezitë e tij. Në shtëpinë e çdo iraniani të arsimuar dhe kulturuar të paktën gjendet një vëllim poetik i Hafizit.
Qysh prej disa shekujsh më parë iranianët, sipas traditës të tyre, në gëzime ose hidhërime gjenin ngushëllime, por edhe kërkonin kënaqësinë e çastit te poezitë e tij, të quajtura ndryshe nga populli “Divani i dashur”. Poezia e tij përcjell mesazhin e misterit, këndohet gojë më gojë dhe është e pranishme në çdo festë dhe në gëzime familjare. Këto janë mendimet e pjesës dërmuese të popujve aziatikë në lidhje me personalitetin e Hafizit. Njerëzit e kulturuar, popujt e Indisë, të Pakistanit, Afganistanit, Azisë Qendrore, Turqia, popullata e rajonit të Mesopotamisë, si dhe shtete të tjera, e njohin dhe e respektojnë shumë këtë poet të famshëm iranian.
Në Evropë para dy shekujsh njerëzit e kulturuar dhe admiruesit të poezisë dhe të letërsisë janë njohur me “Divanin e Hafizit”. Fillimisht, Hafizi, u njoh nga gjermanët. Poeti i madh Gëte u magjeps nga poezitë e tij të ëmbla dhe melodioze. I impresionuar dhe i frymëzuar nga Hafizi, Gëte shkroi vëllimin me poezi “Lindja dhe Perëndimi”. Skicat letrare Gëtja i ka titulluar me shprehjen perse “Hafiz-Name”, fjalë që shpreh admirimin e tij për Hafizin. Midis të tjerave Gëte do të shkruante: “Shpresoj të të përngjasoj ty në stilin e rimës; përsëritja e zanoreve ma mbush zemrën me kënaqësi”.
Edhe poetët romantikë francezë u mrekulluan nga magjia e një poeti të tillë si Hafizi. Hygoi, në vëllimin e tij poetik “Orientalizmat”, u bë rob i kësaj magjie. Po ashtu personalitete si T. Gotie, dhe Andre Zhid, e kanë vlerësuar shumë figurën e Hafiz Shirazit. Hafizi, shkruan Daniel Ladinski për B.B.C, është një nga poetët më të dashur jo vetëm në Persi, por i çmuar edhe nga shumë kultura të ndryshme- si një nga shtatë mrekullitë e botës letrare. Ja çfarë thotë kritiku letrar Ralph Waldo Emerson: “Ai nuk ka frikë asgjë, sheh shumë larg dhe i sheh të gjitha, e, kështu ai është i vetmi njeri që dua të shoh ose të jem”, më tej thotë se: ”Hafizi është një poet për poetët”. Poezia e tij është vlerësuar edhe nga Nietzche, edhr Garcia Lorka e vlerësonte shumë poetin sufi. Vargjet e Hafizit janë vërtetë mahnitëse dhe provokuese:
“Unë jam një vrimë në një flautë
nëpër të cilat kalon fryma e Krishtit,
dëgjojeni këtë muzikë.”, apo:
“shikoni buzëqeshjen në buzët e Tokës këtë mëngjes,
ajo u shtri sërish me mua natën e kaluar.”-
Poezia e Hafizit krijon aftësinë e të ngushëlluarit, gjallëron e pasuron ata që kanë nevojë shpirtërore. Poezia e Hafizit është dashurore që rrezaton, na lejon të ngrohemi nëse kemi të ftohtë, shuan etjen dhe urinë e brendshme shpirtërore.

Send this to a friend