Korrupsioni renditet në krye të fjalëve më të përdorshme çdo vit për shqiptarët. Ndërsa Retorizmi Politik i Ramës është po ai mjet që nga viti në vit po tregon dëgjuesve shqiptarë dhe ndërkombëtarë se fjalët e tij të “përzgjedhura” nuk kanë mundur të dalin nga kreu sepse përmbajtja e tyre jo vetëm që ngre korrupsionin si fjalë, por atij i ka dhënë përmbajtjen numerike dhe kuptimin në shifrën 83.
83 kartonë (deputetë), në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të mjaftueshme që Shqipëria të humbasë pluralizmin dhe demokracinë.
Pra 83 kartonë aq sa i duhen për t’i mbushur mendjen vetes dhe të tjerëve, ky vullnet ka dalë nga zgjedhjet e 11 Majit, 2025.
Në qoftë se duam të kuptojmë pasojat e sotme se kryeministri Rama gjatë tre mandateve ka shpenzuar gjithshka për të shkatërruar e shuar zërin e opozitës dhe për të zëvendësuar konceptin e korrupsionit me mirëqeverisje dhe pushtet personal të pakufishëm, këtë ne na e tregon Retorizmi Politik i tij. Ai shpreh sot thellësisht thelbin e përmbajtjes së vërtetë të elitës së rilindësve socialistë që përpara se të jenë një parti politike (PS) dalin nga gara me votën e zgjedhësve për të qeverisur vendin, ata janë shndërruar në një organizatë përfituese e mirëstrukturuar që përmes parave të shtetit, taksave dhe përdorimit të çdo burimi të pasurive kombëtare (natyrore, demografike, kulturore dhe të traditës).
Por nuk do të duhej më shumë se sa ballafaqimi sot me atë të vetëm 20 muajve më parë, më 27 Maj, 2024. Retorizmi i Ramës.
Ajo që i ka humbur shqiptarëve nga fushëpamja janë zgjedhjet e 11 Majit. Janë rezultati i saj ku dështimi spektakolar i farsës zgjedhore dhe ndotja e votës së lirë të diasporës në rastin më të parë sollën pikërisht një kulm që korrupsioni i kthyer në sistem do të mund të kriminalizojë shoqërinë, në qoftë se nuk ndalet.
Vetëm sikur të krahasoni retorizmin e Ramës se me mirëqeverisje, me sundim të ligjit dhe me masat antikorrupsionin se Partia Socialiste ka përpara dhe “e vetme” sfidën e BE-së 2030 duke plotësuar të gjitha detyrimet që burojnë prej saj, kjo REZOLUTË tregoi se kurrë nuk veproi.
Sa qendron ky retorizëm sot në realitetin shqiptar kur motivimi dhe shprehja e harruar e kryeministrit ka nevojë të dalë në sipërfaqe:- “SPAK është ilaçi i hidhur që o e pi, o vdes dhe që kush e pi një herë po njëherë jo, jo që nuk ka shans të vetëpastrohet dhe të vazhdojë para, por vetëm zgjat agoninë e vetë dhe tretet siç po treteni ju te rrugica e shpresës”.*
A e mban mend se çfarë ka thënë Zoti Rama?
Me fjalët e tija ai si “reformator i vetëm” i duhet t’i mbushë mendjen të vetëve ta marRin kurën.
Në retorikën e përpunuar mediatike sidomos (pra jo në retorizmin e Ramës), korrupsioni është barazuar dhe krahasuar për dëmet dhe rrezikshmërinë në institucione, politikë, shoqëri si një kancer. Një sëmundje që duhet kapur në kohë. Nuk shërohet një korrupsion kancerogjen tashmë me presion ndaj drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese. Emergjenca për ta luftuar korrupsionin si kancerin nuk mund të presë as edhe 22 Janarin, pa iu nënshtruar kurës. Është e rëndësishme të ndalemi dhe të ndajmë një të vërtetë të madhe se çfarë përmbajnë pikat 5 dhe 6 të Rezolutës nga Kuvendi i mëparshëm.
Në një shënim të tij UGSHPD me titull: “Rezoluta antikorrupsion, realiteti i votimit në bllok si e vërteta e frikës prej drejtësisë”, vlerësoi se me 76 vota pro, 0 abstenime (kur janë 61 të pranishëm që nuk kanë votuar) dhe 2 kundër, ky qëndrim jo pluralist i vazhdueshëm i jetës parlamentare duhet të jetë një kambanë e fortë alarmi për popullsinë shqiptare, diasporën shqiptare dhe BE-në se në çfarë rruge po rrëshqet vendi.*
Pra ja arritëm kësaj dite falë Retorizmit, Arrogancës dhe Pasurimit të një elite në kurriz të shqiptarëve, që tundin datat e dhe pasaportat e BE-së, pa respektuar ato çfarë kanë shkruar e aprovuar.
Ndokush që ka nevojë për t’i freskuar pikat 5 dhe 6 të asaj rezolute le t’i lexojë:
5. Të konsiderojë domosdoshmëri jetike për të ardhmen e vendit thellimin e luftës ndaj korrupsionit e fenomenit të pandëshkueshmërisë në mënyrë kapilare në të gjitha nivelet, duke e vendosur në fokus të shoqërisë shqiptare dhe të të gjitha institucioneve të shtetit, përmes një përpjekje të bashkërenduar nga Kuvendi, zbatimit të objektivave të Strategjisë kombëtare antikorrupsion dhe të shoqëruar me rekomandime masash konkrete ligjore, institucionale dhe administrative veçanërisht për sektorët më vulnerabël ndaj korrupsionit (kadastra dhe të drejtat pronësore, taksat, doganat, arsimi, shëndetësia, përdorimi i fondeve publike, prokurimet publike, infrastruktura publike, etj.), në të gjithë territorin e vendit;
6. Të thellojë më tej përpjekjet për forcimin e zbatimit të ligjit duke mundësuar një proces analitik vlerësimi dhe rekomandimesh me masa konkrete ligjore dhe institucionale që synojnë ndër të tjera edhe reformimin, me të njëjtën ambicie dhe thellësi siç vepruam me reformën në drejtësi edhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit që kanë në përgjegjësi luftën ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administrimin e pasurisë publike, krimin ekonomik, parandalimin e pastrimit të parave, deklarimin dhe kontrollin e pasurive të zyrtarëve dhe konfliktit të interesit, auditimin dhe inspektimin financiar, kontrollin e brendshëm, informalitetin apo të mbikqyrjes së tregut, të rregjistrimit e administrimit të pronës etj. duke synuar motivimin, integritetin, përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe efikasitetin më të mirë të këtyre strukturave në respektim dhe zbatim të ligjit në të gjitha nivelet e qeverisjes;
Dhe që t’i respektosh të gjitha këto, pa retorikë, more edhe pa opozitë fare po të duash, qoftë edhe vetëm me inteligjencën artificiale dhe me ndihmën e BE-ë do të duhej të paktën që çdo pushtetar, ministër apo zyrtar, punonjës i institucioneve shtetërore që të qëndronte qoftë edhe njëherë të vetme me integritet dhe profesionalizëm, me ndërgjegje dhe qytetari për t’u dorëhequr dhe për ta lënë drejtësinë në rrugën e saj. Ka ardhur koha që këtë rezolutë sidomos duhet ta lexojnë, ndjejnë dhe zbatojnë 83 përfaqësuesit e mazhorancës socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, drejt të cilëve peshorja e ligjshmërisë do të tregojë shumë.
____________
ATSH 27 Maj, 2024 – “Pr/rezoluta antikorrupsion, Rama: Thellim i luftës për t’iu përgjigjur sfidës së integrimit në BE.
UGSHPD- 28 Maj, 2024 link https://www.voal.ch/ugshpd-rezoluta-antikorrupsion-realiteti-i-votimit-ne-bllok-si-e-verteta-e-frikes-prej-drejtesise/aktuale/fokus/
16 Dhjetor, 2025




Komentet