Prej kohësh ja kam hedhur sytë si shtiza një mesazhi të ftohtë që njofton vdekjen tënde profesor Agron Bala! Truri ka shtangur, sytë janë errësuar dhe duart kanë ngrirë e s’binden që të shkruajnë disa rreshta për këtë ikje të gënjeshtërt.
As ato nuk e besojnë, se nga ky moment nuk do të shtrëngojnë më dorën tuaj të sinqertë, që të takonte si student, si mik dhe si prind.
E di që po të zhgënjej sepse mendon se shkruaj mirë, por qenka më shumë se e vështirë të shkruash për ty.
Fjalët që përpiqem të derdh qëndrojnë të vogla përpara veprës tënde të madhe e cila është shndërruar në frymëzim për gjenerata të tëra gazetarësh. Ajo ndjehet kudo. Flet në botën e radios dhe televizionit, ndjehet në botën e letrave, tregon për një jetë të tërë në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ky rrugëtim 60 vjeçar nuk duhet të ndalte në dhomën e zbrazët brenda spitalit “San Giovanni” të Torinos ku deri në frymën e fundit luftove ashpër me jetën.
Ti trokite shpejt në derën e vdekjes duke më gënjyer se do të riktheheshe përsëri për tu ngjitur nëpër shkallët e mermerta të universitetit.
Kur u takuam herën e fundit në zemër të dhjetorit pranë dyerve të RTSH-së, më fole gjatë për ëndrrat e reja. Më fole për ato ëndrra mes të cilave ti na motivoje për të ecur në rrugët e egra që të ofron ky vend. Kishe besim tek të rinjtë. Kishe besim se e ardhmja do të kalonte nëpërmjet shkollës.
Kjo ishte një nga arsyet pse universiteti “Aleksandër Xhuvani” të mori dhe të mbajti pranë për shumë vite.
Mëngjesi i të premtes nuk të gjeti atje. Salla u mbush shpejt nga zërat e studentëve të cilët prisnin të uritur ashtu si unë, për t’u ushqyer me fjalën tënde të vërtetë, të drejtë dhe burrërore.
Ju më premtuat që do të vini, por vdekja të tha që të më gënjeje!
Auditori 303 heshti! Edhe auditorët që do mbushen vitet në vijim nuk do të mund të dëgjojnë më zërin tënd.
Sa herë takoj miq të medias që kanë dalë nga dyert e universitetit të Elbasanit i dëgjoj të thonë:
-Në këtë rrugë më futi Goni!
-Profesor Agroni është njeriu që më zgjati dorën!
-Agroni di të të vlerësojë dhe të ndihmon!
Ky varg është më i gjatë, dhe ndjehem mirë për të kuptuar cilin njeri njoha siç ndjej hidhërim kur kuptoj cilin njeri humba.
15 janari ti mbylli sytë pabesisht duke qëndruar krah sëmundjes që të gjunjëzoi dhe vdekjes së pa tërhequr.
Ende s’mund ta besoj që ndryshoj kohën e foljes nga ‘je’ në ‘ishe’!
Është bërë e modës të shkruash mirë për të vdekurit, por kjo fjali duket e pavend kur kryefjalë është shembulli i ndershmërisë dhe njeriut të mirë, Agron Bala.
Në një orë leksion arrita të memorizoj mirë një shprehje të Benjamin Franklin të cilën ju e belbëzuat disa herë: “Nëse nuk do të harrohesh, sapo ke vdekur apo je kalbur, ose ke shkruar gjëra me vlerë për t’u lexuar, ose ke bërë gjëra me vlerë për t’u shkruar.”
I lehtë qoftë dheu i tokës që aq shumë e deshe mbi trupin tënd!
U prefsh në paqe!
I përjetshëm qoftë kujtimi yt!
Me mirënjohje, respekt dhe konsideratë të lartë,
studenti Andrea Danglli!
Komentet