Nga Doug Schoen, FOX NEWS
Me vendimin e jashtëzakonshëm të presidentit Donald Trump për të sulmuar tre nga pikat kyçe bërthamore të Iranit, lindin dy pyetje: Së pari, si do të reagojë popullsia iraniane ndaj këtij vendimi? Së dyti, a do t’i dëmtojë apo i ndihmojë kjo shanset për ndryshimin e regjimit?
Sigurisht, nuk do të marrim përgjigje të menjëhershme për këto pyetje. Por mendoj se është e drejtë të themi që historia, jo shumë larg në kohë, ofron një udhërrëfyes të vlefshëm për atë që mund të ndodhë.
Edhe pse është sfiduese të japësh përgjigje të sigurta tani, ka një analogji historike në të cilën kam qenë thellësisht i përfshirë dhe që mund të japë disa njohuri.
Më shumë se 24 vjet më parë, ndërsa punoja në administratën e Bill Clinton-it, isha një nga aktorët kryesorë që këshillonim Departamentin e Shtetit mbi situatën në Serbi. Aty, unë udhëhoqa përpjekjet në terren për t’i treguar opozitës serbe se presidenti Slobodan Millosheviç mund të mundej.
Në atë kohë, shumë njerëz, si në SHBA, ashtu edhe në Serbi, mendonin se 80 ditë bombardimesh të NATO-s dhe lufta e Kosovës në 1999 kishin krijuar një efekt mbështetjeje të fortë për Millosheviçin.
Megjithatë, sondazhet që unë kreva, treguan në mënyrë përfundimtare të kundërtën.
Të dhënat zbuluan se, pavarësisht përpjekjeve të regjimit për ta paraqitur Millosheviçin si të fortë dhe popullor, ai ishte jashtëzakonisht i dobët, me një vlerësim negativ prej 70%.
Ashtu siç u pranua në ‘Washington Post’ atë kohë, udhëzimet strategjike që unë sigurova, bazuar në ato sondazhe, çuan në zhvillimin e një fushate që së shpejti rrëzoi një regjim që shumë pak e konsideronin kaq të cenueshëm.
Ekzistojnë ngjashmëri të dukshme mes rënies së Millosheviçit dhe situatës ku ndodhet sot regjimi i Khameneit.
Në të dy rastet, ka njerëz që mendojnë se sulmet ajrore të huaja do të forconin sentimentin nacionalist në favor të një regjimi që përqendrohet në krijimin e një aureole popullariteti, pavarësisht se është jashtëzakonisht i urryer nga qytetarët e vet.
Gjithashtu, në Serbi ne zbuluam një zemërim të thellë ndaj qeverisë, veçanërisht për shkak të gjendjes së keqe të ekonomisë. Në Iran, ka një pakënaqësi të ngjashme – në fakt edhe më të fortë – për menaxhimin kronikisht të keq të politikave ekonomike dhe kombëtare nga ana e regjimit.
Sigurisht, të dhënat e sondazheve brenda Iranit janë të kufizuara, megjithatë Stasis, një kompani që specializohet në kryerjen e sondazheve metodologjikisht të sakta në vend, publikoi një sondazh në tetor të kaluar që është shumë domethënës.
Ata gjetën se afërsisht 8 nga 10 iranianë (78%) mendojnë se politikat e qeverisë janë shkaku i vështirësive ekonomike të vendit.
Gjithashtu, në një vend me 90 milionë banorë, ku rreth 60% janë nën moshën 30 vjeç, i njëjti sondazh tregon se më shumë se tre të katërtat (77%) e iranianëve besojnë se “rinia iraniane nuk sheh prosperitet për të ardhmen e tyre në Iran.”
Të gjitha këto tregojnë se, ashtu si regjimi i Millosheviçit, qeveria iraniane duket sikur ka mbështetje të fortë popullore, por nën sipërfaqe është jashtëzakonisht e dobët dhe e cenueshme.
Për shumëkënd, ideja që Izraeli – dhe sidomos kryeministri Benjamin Netanyahu – mund të sjellë ndryshim regjimi në Iran është e vështirë për t’u marrë seriozisht.
Por, një shqyrtim më i detajuar i situatës aktuale, si dhe historia e fundit e Iranit, mbështet idenë që Netanyahu mund të jetë më i saktë sesa jo.
Mendo për historinë: Që nga viti 2009, kanë ndodhur 10 lëvizje protestash në gjithë vendin, me miliona iranianë që kanë dalë në rrugë kundër qeverisë.
Dhe megjithëse ka pasur një gamë të gjerë arsyesh për këto protesta – nga manipulimi i hapur zgjedhor deri te demonstratat më të fundit që u shkaktuan nga vrasja e Mahsa Aminit – të gjitha tregojnë një kundërshtim të gjerë ndaj regjimit aktual.
Në të njëjtin frymë, ashtu siç pashë në Serbi, numri i madh i protestave dhe arsyet e tyre të ndryshme tregojnë për një opozitë shumë të madhe që, nën kushtet e duhura, mund të mobilizohet dhe të ushtrojë presion efektiv ndaj regjimit.
Në këtë drejtim, ndërsa në Serbi ne duhej të organizonim aktivisht ato lëvizje, këto kushte janë tashmë të dukshme në Iran dhe në një shkallë shumë më të madhe.
Përveç të ardhmes së zymtë që presin të rinjtë e Iranit, ligjet shtypëse të regjimit ndaj pothuajse 44 milionë qytetareve femra, kanë kthyer praktikisht gjysmën e popullsisë në qytetare të dorës së dytë, me pak gjëra për të humbur nga revolta, ashtu siç bënë qindra mijëra gjatë protestave të vitit 2022 për Mahsa Aminin.
Duke theksuar sa e thellë është urrejtja ndaj regjimit, ‘Iran International’ ka raportuar se ka marrë letra falenderimi personale për Netanyahu-n, dhe ‘Jerusalem Post’ ka raportuar se një burim iranian u tha atyre: “Kjo luftë ka forcuar shumë dhe ka rilindur optimizmin e ri” mes iranianëve për ndryshim regjimi.
Burimi i ‘Jerusalem Post’ brenda Iranit vazhdoi duke thënë se “bisedat në kryeqytet (Teheran) fokusohen te ditët e fundit të regjimit”.
Jashtë Iranit, debati ka nisur tashmë.
Në një anë janë udhëheqës si kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, si dhe analistë si ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton dhe presidenti i Yorktown Institute, Seth Cropsey.
Këta persona kanë argumentuar – Bolton dhe Cropsey në ‘Wall Street Journal’, dhe Netanyahu duke folur për ‘Fox News’ me Bret Baier dhe në forume të tjera – se ky është momenti më i favorshëm për ndryshim regjimi në Iran që nga revolucioni i vitit 1979.
Duke marrë parasysh sentimentin e thellë anti-regjim mes popullit iranian, argumenti vazhdon se veprimi më i mirë është që shkatërrimi nga Izraeli i forcave ushtarake dhe simboleve të pushtetit të regjimit do t’u japë iranianëve guximin të ngrihen, të bashkuar, kundër qeverisë.
Në anën tjetër të debatit janë ata si presidenti francez Emmanuel Macron. I shqetësuar nga përpjekjet e dështuara për ndryshim regjimi në Irak dhe Libi, Macron shpreh dyshime për suksesin e një ndryshimi regjimi, duke thënë se kjo do të “sjellë kaos”.
Disa gjithashtu kanë argumentuar se veprimet e Izraelit mund të krijojnë një efekt “bashkimi rreth flamurit” dhe të ndezin nacionalizmin mes popullit iranian.
Qartësoj se, ndërsa të dyja palët kanë argumente legjitime, bazuar në përvojën time në Serbi, besoj se Netanyahu dhe ata në anën e tij kanë një rast shumë më të fortë.
Qeveria iraniane është më e dobët se kurrë më parë, pasi Izraeli ka shkatërruar pothuajse të gjithë zinxhirin e komandës së saj dhe vazhdon të ketë kontroll total mbi hapësirën ajrore iraniane.
Gjithashtu, ndryshe nga Libia dhe Iraku, Irani ka një opozitë të mirëorganizuar, me një ndjenjë më të thellë të unitetit kombëtar sesa ato vende ndonjëherë kanë pasur.
Të gjitha këto tregojnë për një besim të fortë të Izraelit se regjimi iranian mund të rrëzohet, veçanërisht duke pasur parasysh kujdesin e jashtëzakonshëm të Izraelit për të goditur vetëm simbolet e regjimit, në mënyrë që të shmangë ndezjen e nacionalizmit.
Sigurisht, ekzistojnë rreziqe në nxitjen e ndryshimit të regjimit, dhe nuk është aspak e garantuar që regjimi i ardhshëm do të jetë ai që Perëndimi dëshiron. Mund të rezultojë edhe në një qeveri më ekstreme, të udhëhequr nga mbeturinat e fraksionit të ashpër të Gardës Revolucionare.
Megjithatë, është një gabim po aq i madh të përjashtohet kjo mundësi pa e shqyrtuar. Historia ka treguar se kur një popull i shtypur, i zemëruar ndaj qeverisë së vet, gjen besimin dhe mbështetjen – edhe vetëm nga fuqia ajrore – rezultati nuk është domosdoshmërisht kaos apo mbijetesë e qeverisë aktuale.
Ka ndodhur më parë dhe mund të ndodhë përsëri: ndryshim i vërtetë regjimi.
Në të dy rastet, në Iran dhe Serbi, pati bombardime të gjera në vend, me dëme anësore tek popullsia civile. Në rastin e Serbisë, rezultati neto ishte forcimi i vendosmërisë së popullit serb për të hequr qafe një diktator autoritar – Millosheviçin. Ndërsa në rastin e Iranit, nëse historia shërben si udhëzues, kjo do të dobësojë një regjim tashmë të brishtë dhe të shpresojmë të ofrojë një zgjidhje për miliona iranianë që duan më shumë liri dhe paqe në jetën e tyre.