VOAL

VOAL

Sqaron Hasani: Vetëm partia e parë jep emrin për kryeministër, Thaçi mund të rrijë e të mos flasë

January 8, 2020

Komentet

Kosovë: 15 vjet heqje lirie për pjesëmarrje në masakrën e Izbicës

VOA

Një gjykatë në Prishtinë e dënoi të premten një shqiptarë me shtetësi serbe me 15 vjet heqje lirie, nën akuzat për krime lufte kundër popullsisë shqiptare në pranverën e vitit 1999.

Gjykata tha se Muhamet Alidemaj, “me dashje dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, shkeli rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre”.

Sipas akuzës, ai mori pjesë në masakrën e 28 marsit të vitit 1999 në fshatin Izbicë të komunës së Skenderajt, në Kosovën qendrore në të cilën u vranë mbi 130 veta.

Trupat e të vrarëve, që ishin varrosur nga të mbijetuarit, ishin zhvarrosur më pas nga forcat serbe dhe ishin shpërndarë në vende të ndryshme në Kosovë dhe në Serbi, për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre.

Edhe më tej nuk janë gjetur trupat e të paktën 6 prej të vrarëve në fshatin Izbicë.

I dënuari ishte arrestuar në mars të vitit 2021, ndërsa akuza ndaj tij u ngrit në mars të vitit 2022.

Ai i ka mohuar akuzat.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe 24 vjet më pas nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1 mijë e 600 personave.

Osmani takohet me kryeministren e Danimarkës: Diskutuam për qëllimet në mbrojtje të paqes

Presidentja Vjosa Osmani është takuar me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, në margjinat e Samitit të NATO-s në Washington.

Ajo tha se me të ka folur për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë në Europë.

“Me Kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, diskutime në margjina të Samitit të NATO-s në Washington D.C., për qëllimet tona të përbashkëta në mbrojtje të paqes e sigurisë në kontinentin tonë”, ka shkruar Osmani.

Osmani po merr pjesë në aktivitete që mbahen në kuadër të Samitit të NATO-s në Washington, me të cilat shënohet 75 vjetori i kësaj organizate, e që i dedikohen agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. sn

Kurti: Gjenocidi në Srebrenicë na kujton plagët tona të përbashkëta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen përkujtimore të gjenocidit në Srebrenicë, organizuar në sallën e Institutit të Historisë. Në fjalën e tij, në emër të Qeverisë së Kosovës, ai shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për popullin boshnjak, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

“Para 29 vitesh, në qytetin e vogël të Srebrenicës, u krye një nga tmerret më të mëdha të gjenocidit në Evropë. 8372 burra dhe djem boshnjakë u vranë mizorisht, në mënyrë sistematike. Ky krim la plagë të hapura për mijëra familje boshnjake, siç la plagë të hapur në ndërgjegjen e njerëzimit. Andaj, çdo përvjetor është dhembje që ripërtërihet, jo vetëm për popullin boshnjak, por edhe për ne, popullin e Kosovës, që 25 vite më parë kemi përjetuar tmerret e luftës.” tha kryeministri Kurti.

Më tej, ai shtoi se masakra në Srebrenicë ishte dhe paralajmërim për projektin gjenocidal të Serbisë në Kosovë, ku nga viti 1998 deri në vitin 1999, mbi 13 mijë shqiptarë të Kosovës u vranë, mbi 1 milion u dëbuan nga shtëpitë e tyre, afër 1600 janë ende të pagjetur dhe rreth 20 mijë gra e vajza por edhe burra dhe djem, janë të mbijetuar të përdhunimit seksual.

Kryeministri rikujtoi se sot Qeveria e Republikës së Kosovës ka shpallur 11 korrikun ditë memoriale në përkujtim të gjenocidit të Srebrenicës, duke shtuar se: “Gjenocidi në Srebrenicë na kujton plagët tona të përbashkëta, plagë që ende janë të njoma, siç janë ende qindra varre të zbrazëta. Pashmangshëm na kujtohet ideologjia çetnike që u përdor nga Serbia në Kroaci, Bosnjë e Kosovë. Njësiti famëkeq “Shkorpionët” që ka marrë pjesë në masakrën e Srebrenicës, është i njëjti që ka kryer masakra edhe në Kosovë. Ndër to, edhe masakrën mbi familjen e Nënkryetares tonë të Kuvendit, Saranda Bogujevci, të cilës iu vranë 16 anëtarë të familjes ndërkaq ajo u mbijetoi 16 plumbave në trupin e saj kur si kishte as 14 vjeç.”

“Andaj, për viktimat dhe për të mbijetuarit që ua vranë më të shtrenjtit, ne nuk mund të harrojmë. Në emër të drejtësisë, paqes, e të pajtimit, e të ruajtjes së të vërtetës, ne duhet të kujtojmë.” përfundoi fjalën e tij kryeministri.bw

Rashiq ngre çështjen e bashkëjetesës në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës

Ministri për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Nenad Rashiq, e ngriti çështjen e bashkëjetesës në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se ajo duhet të jetë një dukuri krejt normale në një shoqëri multietnike.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të mos u kushtojnë rëndësi deklaratave të politikanëve, por t’i pranojnë realisht bashkëqytetarët nga komunitetet tjera.

Më 9 korrik, Radio Evropa e Lirë shkroi se në Kosovë ka një diskurs negativ kur bëhet fjalë për bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe serbëve, ndërsa sektori civil tha se bashkëpunimi mes këtyre dy komuniteteve zhvillohet më së shumti “pas perdeve”, për shkak të retorikës së përdorur nga politikanët.

Përndryshe, disa bashkëbisedues të Radios Evropa e Lirë ka rastisur të përballen me kërcënime më herët, sepse kanë folur mirë për fqinjët ose të njohurit e tyre nga një bashkësi tjetër etnike.

Ka pasur edhe raste kur individët kanë hezituar të flasin publikisht për marrëdhëniet e mira ndëretnike, sepse i janë frikësuar dënimit nga komuniteti i tyre.

“Dua t’u bëj thirrje të gjithëve që të mos i shohin bashkëqytetarët e tyre – të kombeve apo feve të tjera – si politikanë. Por, t’i shohin në një mënyrë të pranueshme”, tha Rashiq në mbledhjen e Qeverisë më 10 korrik.

Kryeministri Albin Kurti e falënderoi atë për informacionet e paraqitura dhe vazhdoi me tema të tjera.

Rashiq i tha më herët REL-it se çështja e promovimit të bashkëjetesës do të jetë një temë me të cilën do të merret.

“Do të përpiqem të gjej një rrugë që gjërat të shihen në një mënyrë tjetër, më normale. Do të flas drejtpërdrejt me kryeministrin, ndoshta edhe me kolegë të tjerë, për metodologjinë që mund të përdoret për të parandaluar diskursin negativ kur bëhet fjalë për bashkëjetesën”, tha Rashiq.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse është në dijeni se bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe serbëve në terren shoqërohet shpeshherë me një diskurs negativ dhe çfarë është duke bërë ajo për të promovuar bashkëpunimin dhe tolerancën.

Qeveria nuk u përgjigj drejtpërdrejt në këto pyetje, por theksoi rëndësinë e integrimit të komunitetit serb, duke shtuar se punësimi dhe arsimi janë mënyra më e mirë për këtë.

Komuniteti shqiptar dhe ai serb në Kosovë janë thellësisht të ndarë që nga lufta në fund të viteve ‘90, kur janë vrarë rreth 13.000 njerëz – kryesisht shqiptarë.

Në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia kanë filluar një dialog për normalizimin e marrëdhënieve, por synimi nuk është arritur ende. REL

Kosova: 11 korriku, ditë përkujtimore për gjenocidin në Srebrenicë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme do të shqyrtojë propozim-vendimin për shpalljen e 11 korrikut, ditë përkujtimore për gjenocidin në Srebrenicë.

Propozimi ka ardhur nga zyra e kryeministrit, zyrë kjo që ka propozuar edhe vendimin për emërimin e bordit mbikëqyrës të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Trepça”.

Në këtë mbledhje pritet të shqyrtohet edhe drafti i strategjisë për turizmin në Republikën e Kosovë 2024-2030, dhe plani i veprimit, raporton Klan Kosova.

Gjithashtu do të shqyrtohen propozim-vendimi për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga zgjerimi i rrugës Kijevë-Zahaq, segmenti Dollc-Ramun, si dhe shpronësimin e pronave që prekin projektin konservimi, restaurimi dhe ndërtimi i Kompleksit Memorial “Masakra e Reçakut”

Konjufca: Serbia do ta përsërisë Banjskën nëse nuk ndëshkohet

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se ekziston rreziku që Serbia të përsërisë sulmin si në Banjskë, duke kërkuar që ajo të ndëshkohet.

Në takim me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, Konjufca ka thënë se Kosova po përballet me rrezik për shkak të pretendimeve të autoriteteve serbe.

“Një temë e pashmangshme në këto rrethana ishte edhe siguria në Kosovë dhe rreziqet që po përballemi për shkak të pretendimeve territoriale që ka Serbia ndaj Kosovës. Ia shpreha shqetësimet po që se Serbia lihet e pandëshkuar lidhur me agresionin e 24 shtatorit në Banjskë, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenarë. Një nga shtet që nuk e ka sanksionuar Rusinë por që vazhdon të ketë bashkëpunim me Rusinë”, ka deklaruar Konjufca, shkroi EO.

Duke folur për Marrëveshjen me Serbinë, kryeparlamentari ka thënë para gazetarëve se Beogradi s’mund të jetë fqinj i mirë kur ka sjellje agresore. Ai tha se Serbia po i shkel parimet e marrëveshjes.

“Kjo çështja e pozicionit të Kosovës po ndërlikohet pa nevojë. E para marrëveshja përbëhet prej parimeve dhe çështjet konkrete. Parimet e përbejnë frymën e marrëveshjes. Parimet nuk kanë afat, nuk mund të thotë Serbia me Kosovën mund të sillet agresore dhe në një moment mund të bëhet fqinjë i mirë. Çështjet konkrete mund të kenë afate. Problemi është se Serbia po i shkel parimet e marrëveshjes. Atë barazinë sovrane mes shteteve duke mos e pranuar Kosovën fare si shtet dhe e dyta pengimin e Kosovës për anëtarësim në institucionet e BE. Nuk mund të kesh barazi sovrane mes shteteve kur Ana Bernabiq dërgon letrën për të zhvlerësuar marrëveshjen. Ne kemi subjektivitetin ndërkombëtar edhe pa Serbinë. Fakti që Serbia po i shkel këto parime kjo na jep të drejt që të mos hedhim hapin tjetër, keni dëgjuar për Asociacioni, po është pika e shtatë. Asociacioni ka afat”, ka thënë Konjufca në konferencë të përbashkët me Nussbaumer.

E Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, ka ftuar Kosovën dhe Serbinë të ndërmarrin hapa që parandalojnë tensionet dhe të kthehen në tavolinë të bisedimeve.

Takimin me Konjufcën, Nussbaumer e cilësoi të frytshëm, duke shtuar se Zvicra është mbështetëse e Kosovës dhe aleate për zhvillim e integrim evropian.

“Ne kemi pasur një takim të frytshëm, diskutimet tona i kanë theksuar marrëdhënie dinamike dhe të fuqishme. Kosova dhe Zvicra kanë bashkëpunuar edhe në fushën e diplomacisë parlamentare. Unë e kam përshëndetur bashkëpunimin e ekspertizave parlamentare. Zvicra është një mbështetëse e vazhdueshme e Kosovës, Zvicra është krenare me komunitetin e integruar mirë në shoqërinë tonë, të kosovarëve. Zvicra është e shqetësuar për tensionet në rritje në lidhje me pakicat serbe në Kosovë. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa që të parandalojnë tensionet. Zvicra mbështet dialogun, Kosova ka Zvicrën një aleate të besueshme për zhvillim dhe integrimin evropian”, ka thënë ai. sn

Liberalizimi i vizave me BE, serbët e Kosovës “heqin dorë” nga Beogradi, kërkojnë pajisjen me dokumente nga Prishtina

Interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me dokumente pas liberalizimit të vizave në Kosovë, është rritur dukshëm. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, rreth 270 mijë qytetarë kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaporta dhe afro 130 mijë të tjerë me letërnjoftime.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe edhe qytetarët serbë kanë shprehur interesim të integrohen dhe të pajisjen me dokumente të Kosovës. Kështu bëri të ditur drejtori i Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj, derisa tregoi se fluksi më i madh i qytetarëve me kërkesa për dokumente ka qenë në muajt janar, shkurt dhe mars të këtij viti.

“Kërkesat për pajisje me dokumente që nga janari kanë shkuar në ngritje, kështu që këtë vit kemi rritje të kërkesave. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kanë aplikuar diku rreth 125 mijë e 143 qytetarë për letërnjoftime. Ndërsa, për t’u pajisur me pasaporta, diku kanë aplikuar 263 mijë e 850 qytetarë. Ky është totali i gjashtëmujorit të parë. Tani jemi në normalitet, por kërkesat në fillim ishin shumë të mëdha, patëm një farë afati të stërzgjatur në pajisje me dokumente të qytetarëve, që iu desh të prisnin, por tani jemi në afat ligjor. Pothuajse, afati për pajisje me pasaporta shkon diku 7 ditë pune, gjithashtu edhe për letërnjoftime. Muaji janar, shkurt dhe nga mesi i marsit, ishte fluksi më i madh i qytetarëve për t’u pajisur me pasaporta, sepse ishte edhe liberalizmi i vizave”, theksoi Camaj.

Ai potencoi se pas liberalizmit të vizave në Kosovë është vërejtur interesim edhe nga qytetarët serbë për marrjen e dokumenteve të Kosovës.

Sipas tij rreth katër mijë qytetarë serbë kanë aplikuar për letërnjoftime në komunat veriore, ndërsa mbi tre mijë janë pajisur me pasaporta.

“Edhe qytetarët serbë janë të interesuar të integrohen dhe të pajisen me dokumente (të Kosovës). Sidomos pas liberalizmit të vizave, qytetarët serbë kanë aplikuar nëpër komunat veriore, mendojnë diku rreth 4 mijë qytetarë janë pajisur me letërnjoftime. Ndërsa, me pasaporta që në mujorin e parë janë pajisur diku rreth 3 mijë e 200 qytetarë. Qytetarët serbë gjithashtu janë të pajisur diku në 4 komuna veriore me letërnjoftime mbi 46 mijë qytetarë, me pasaporta janë mbi 7 mijë e 500. Ndërsa, në komunat me shumicë serbe në tërë territorin e Kosovës, janë të pajisur rreth 102 mijë me letërnjoftime dhe mbi 37 mijë me pasaporta”, potencoi ai.

Camaj tregoi se afro dy mijë qytetarë serbë kanë aplikuar për konvertimin e patentë shoferit, që nga vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në muajin maj.

Ai potencoi se nga viti 2011 deri në 2020-n, janë konvertuar mbi 18 mijë patentë shoferë.

“Patentë shofer, nëse mendojmë konvertimi i patentë shoferëve që nga 10 maji kur është nxjerrë vendimi i ministrit për t’ia mundësuar qytetarëve serbë konvertimin nga patentë shoferët e strukturave jolegale të Republikës së Kosovës, deri më sot (05 korrik) kanë aplikuar rreth 1 mijë e 956 qytetarë. Konvertimi i tyre është bërë nëpër faza, sidomos në bazë të marrëveshjeve. Diku në marrëveshjet e para që nga viti 2011 deri në 2020, janë konvertuar mbi 18 mijë patentë shofer”, tregon Camaj.

Përveç këtyre, Camaj tha se në muajt e parë të këtij viti, për shkak të fluksit të madh të qytetarëve për dokumente, procesi shkonte më ngadalë, porse shton se tanimë gjërat i janë kthyer normalitetit.

Ai potencoi se afati për pajisje me pasaporta dhe letërnjoftime shkon në afro shtatë ditë pune. /KSP

Muja: Paga mesatare në Kosovë është 780 euro

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, pret që buxheti për vitin 2025 të jetë 3.2 miliardë euro. Krahasuar me vitin 2020, Muja ka thënë për se ka dyfishim të të hyrave buxhetore. Sipas tij, paga mesatare në Kosovë këtë vit është 780 euro.

Deputeti i partisë në pushtet (VV) ka thënë se pas katër viteve mandat ne do të kemi dyfishim të hyrave, ndërsa mohon se ka pasur keqpërdorim të buxhetit të shtetit.

Muja ka thënë se pret që të ketë rritje edhe tek të ardhurat nga korporatat, pasi nga 86 milionë euro në vit sa kanë qenë, sipas tij do të shkojnë në rreth 230 milionë euro në vit.

“Ministri i Financave është në proces të konsultimeve pas përpilimit të tavaneve buxhetore, pres që deri me datën 30 tetor Ministria e Financave ta sjellë në Komisionin për Buxhet në Kuvend një projektligj për projektin të buxhet. Dinamikat që unë i parashikoj është fillimisht duhet të shihen të hyrat nga po vijnë dhe e dyta ku po orientohen shpenzimet struktura e shpenzimeve. Ajo që unë parashoh tek të hyrat është që të hyrat duhet për vitin 2025 duhet të jenë në bazë të dinamikave dikur rreth 3.2 miliardë euro. Krahasuar me vitin 2020 është pothuajse dyfishimi i të hyrave dhe këtë duhet të keni parasysh. Sa do që të kenë debat të madh në shoqëri këtë e konsiderojë një arritje të jashtëzakonshme”.

“Shteti i Kosovës me të gjitha ato kapacitete që i ka, ka arritur t’i sigurojë 1.7 miliardë euro të hyra. Pas katër viteve mandat ne do të kemi dyfishim të hyrave. Unë pres tek strukturat se nga po vijnë të hyrat pres një rritje të ndjeshme tek të hyrat e të ardhurave personale, të ardhurave të korporatave. Të ardhurat tek korporatave kur kemi ardhur ne kanë qenë 86 milionë euro në vit, kurse në vitin që po vjen pres që ato të trefishohen të shkojnë diku rreth 230 milionë euro në vit. Të hyrat në TVSH pres të kalkulohen 1.5 miliardë, kur kemi ardhur të hyrat nga TVSH kanë qenë 750 milionë euro. Subvencionet dhe transferet pres që të vlerësohen dikur rreth 1.2 miliardë në buxhet e radhës, kurse në shpenzimet kapitale unë pres të vlerësohen 950 milionë eurove”, ka thënë Muja.

Muja ka thënë se për vitin e ardhshëm do të ketë rritje të buxhetit për mbrojtje për rreth dy për qind të GDP-së. Rritje beson se do të ketë në arsim, shëndetësi e bujqësi.

“Sa i përket shpenzimeve të tjera që lidhen me mallra dhe shërbimet po ashtu pres që të ketë një rritje të lehtë, mirëpo përgjithësisht buxheti në kuptimin sektorial që pres të rritet është buxheti në shpenzimin në mbrojte i cili duhet të jetë në pah dikur rreth dy për qind në raport me GDP. Pres që shpenzimet të rriten në arsim, në shëndetësi, bujqësi të shkojnë nga 90 milionë në 100 milionë euro”, ka thënë Muja, teksa përmend edhe rritjen e koeficientit për paga.

“Koeficienti i pagave, kur kemi ardhur ne paga mesatare në sektorin publik ka qenë kur jemi ardhur, mandati ka qenë 580, kurse në këtë vit paga mesatare është 780 euro. Një rritje mbi 30 për qind krahasuar me vitin 2019. Pres që në vitin 2025 të ketë një reflektim të bazuar në trendin e rritjes ekonomike të vitit paraprak. Duhet të jetë domosdoshmërish 4-5 për qind reflektim në bazë të ligjit. Pres që paga mesatare në sektorin publik ta mbërrijë një nivel i cili është shumë më i mirë sesa që ka qenë. Ne kur kemi ardhur në pushtet kemi marrë me 83 mijë punëtorë, diku tash janë 81 mijë punëtor që i bie rreth dy mijë pozita më pak”.

Muja ka mohuar se nuk ka keqpërdorime të buxhetit shtetëror, pasi sipas tij kanë trashëguar 300 milionë euro detyrime të papaguara.

Gjithashtu për detyrimin nga shpronësimi ai ka thënë se nga 185 milionë euro është ulur në 85 milionë euro

“Të dhënat buxhetore janë gjakftohtë ato reflektohen në raste se ka kontekste politike gjithmonë të gjithë mund t’i drejtohen thesarit të shtetit, agjencisë të ATK-së dhe duhet të japin një opinion të saktë pa u ndikuar nga politika. Mirëpo kur jemi ardhur në pushtet kanë qenë rreth 300 milionë euro detyrime të papaguara pra afatshkurtra që ishte dashur që të kryhen brenda vitit. E di që i kemi trashëguar edhe 185 milionë euro detyrime nga shpronësimi. Faktuarat e papaguara dhe detyrimet e papaguara këtë vit kanë rënë ndjeshme dhe është stabilizuar. Gjithashtu detyrimi nga shpronësimi nga 185 milionë euro kanë mbërri në 85 milionë euro. Detyrimet për shpronësimet ka qenë tmerri i të gjithave investimet kapitale. Në vitin 2023 nuk ka asnjë financim nga ATK-ja as nuk ka huazime të ndjeshme, ne po i mbledhim dhe po i shpenzojmë ashtu si po i marrim”, u shpreh Muja.

Ai ka theksuar se deri në fund të mandatit do t’i realizojë të gjithë premtimet, dhe si rezultat Kosova do të ketë dyfishim të rritjes ekonomike.

Sipas tij, të hyrat doganore kanë qenë 1.1 miliardë euro dhe të njëjtat sipas tij pritet të shkojnë në 2 miliardë euro.

“Në fund të mandatit pres që viti 2025 të shkoj gjithçka që të dyfishohet. Të hyrat që i ka mbledh ATK-ja ne i kemi pasur i kemi marrë diku rreth 530 milionë eurove unë pres që deri në fund të mandatit të shkojnë të hyrat diku 1.1 miliardë euro që do të thotë është dyfishim i të hyrave. Të hyrat nga dogana kur kemi ardhur ne 1.1 miliardë ne presim që të shkoj deri në dy miliardë në vitin 2025. Do të marrë pak kohë derisa impakti të rrjedh e rëndësishme që transferet sociale janë rekord, investimet kapitale. Këto janë projekte strategjike kombëtare, pres që linja hekurudhore midis Hanit të Elezit deri në Mitrovicë të përfundojë gjatë këtij viti, gjithashtu edhe hekurudhën tjetër, do të kemi qasje për rritjen ekonomike”, ka deklaruar Muja. /EkonomiaOnline

Hovenier: Unik, pasioni i kosovarëve për të festuar Pavarësinë e SHBA

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka shprehur mirënjohjen e tij për gatishmërinë e kosovarëve në shënim të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.

Në një postim në X, duke shpërndarë dhjetëra fotografi nga manifestimi, Hovenier ka thënë se ndihet i gëzuar për pjesëmarrjen e madhe në festimin e djeshëm në Prishtinë

“Pasioni i kosovarëve për t’u bashkuar me ne në festimin e Ditës së Pavarësisë Amerikane është unik, dhe për këtë jam thellësisht i nderuar. Gëzuar 4 Korriku për të gjithë”, ka shkruar ai. sn

Hovenier për Radoiçiçin: E konsiderojmë kriminel, duhet të dalë para drejtësisë

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur për sulmin terrorist në Banjskë gjatë shtatorit 2023 dhe kryekriminelin Milan Radoiçiç.

Hovenier tha se Qeveria e ShBA-së pret që ata që e kryen këtë akt kriminal të mbajnë përgjegjësi, teksa përmendi faktin që Radoiçiqi, përmes avokatëve të tij e pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

“Nga këndvështrimi ynë, ai është padyshim tashmë i sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të tij me krimin e organizuar transnacional. Por, ky është indikator i mëtejshëm i kriminalitetit të tij dhe ne presim që ai të mbajë përgjegjësi”, tha Hovenier në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje, ambasadori amerikan u tregua preciz në titullin që qeveria amerikane e ka për Radoiçiqin – kriminel, për të cilin tha se duhet të përjetojë drejtësinë për sulmin në Banjskë.

“Ne e konsiderojmë atë si kriminel dhe besojmë se ai duhet të vuajë – të përjetojë – jo të vuajë – të përjetojë drejtësinë dhe të mbahet përgjegjës për krimin më të fundit që e kreu, që është roli që luajti në sulmin në Banjskë”.

“Por unë gjithashtu do të thosha se ai nuk është i vetmi. Dua të them, se qartazi ka njerëz të tjerë, përveç  Radoiçiqit të përfshirë në sulmin në Banjskë dhe ata të gjithë duhet të japin llogari. Dhe presim që autoritetet në Serbi të përdorin sistemin e tyre të zbatimit të ligjit dhe sistemin e sundimit të ligjit për t’i mbajtur ata përgjegjës”, tha ai.bw

Kërcënimet serbe, Kosovës i kërkohet të vijojë investimin në mbrojtje

Veprimet e Serbisë vijojnë të jenë kërcënim për Kosovën dhe kjo ka bërë që edhe liderët të ngrenë shqetësimet publikisht për çfarë mund të pasojë.

Për ekspertët e sigurisë, Kosova duhet të krijojë një bazë të fortë të qëndrueshmërisë për t’ju kundërpërgjigjur çfarëdo rreziku dhe kjo bëhet edhe me krijimin e mekanizmave të rinj të sigurisë.

“Ne do të duhet të fillojmë të mendojmë në kontekstin e avancimit dhe përmbylljes së arkitekutrës së sigurisë, të krijojmë mekanzima të rinj të sigurisë dhe të investojmë më tutje në aspektin e sigurisë dhe dalëngadalë të krijojmë edhe Agjencionin e Industrisë së Mbrojtjes që është parakusht kryesor i stabilitetit në kontekstin logjistik, operacional për komponentën e Republikës së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë”, tha Drizan Shala.

Kosova duhet të vijojë të investojë në pajisje dhe kuadro por gjithashtu theksohet nevoja që politika të mbajë duart larg nga institucionet e sigurisë, si pjesa më vitale e shtetit.

“Kushdo që është në pushtet, sot është Vetëvendosje, nesër mund të vijë PDK, pasnesër dikush tjetër, të jetë e kujdesshme që institucionet e sigurisë të mos politizohen por të mbështeten, gjithashtu të mbështeten profesionistët në këto institucione, pra nëse ne investojmë në pajisje, në logjistikë, në trajnime, në zhvillim, ne duhet që sa më shumë politika të qëndrojë larg, jashtë policisë, jashtë FSK-së, jashtë AKI-së, ndërsa normalisht të bëhet mbikëqyrja demokratike që kanë edhe mandat ministrisë e caktuara”, u shpreh Rashit Qalaj, ish-drejtor i policisë.

Përpos policisë, përgjegjës për sigurinë në Kosovë mbetet edhe KFOR-i dhe EULEX, por që të dy këto misione pritet që t’ju përfundojë mandati një ditë. sn

Do sulmojnë Kosovën? Publikohen pamjet e “grupit të Banjskës” duke u stërvitur në Serbi

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca të hënën ngriti përsëri alarmin se grupe të reja po trajnohen në Serbi, për të kryer sulme në katër komunat veriore. Tëvë1 ka siguruar një video ku shihen persona duke bërë trajnime.

Në këto pamje, shihen edhe flamuj të NATO-s, e që simbolizohet kundërshtimi i veprimtarisë së aleancës veri-atlantike, ndërkaq, pamjet tregojnë edhe parullën ku thuhet se “ Kosova është pjesë e Serbisë”.

Se grupi i Banjskës po përbën kërcënim për vendin, e konfirmon edhe zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Është e vërtetë se derisa grupi i Banjskës ka ikur nga Kosova dhe është i lirë, normalisht që neve na shtynë me qenë sa më shumë vigjilent, dhe nuk mund të përjashtojmë përgatitjen tonë, sa më shumë që është e mundshme, që një situatë e tillë të mos përsëritet, për neve është e rëndësishme, nëse diçka ndodh, ne të mund të reagojmë”, ka thënë Elshani.

Në anën tjetër, anëtari i komisionit për çështje të Sigurisë, Mefail Bajqinofci, kërkon që të ketë reagim edhe nga faktori ndërkombëtar.

“ Është tregues i qartë se ata përgatiten për sulm ndaj rendit Kushtetues pra ndaj policisë së Kosovës, dhe ata ushtrimet i bëjnë pikërisht për të bërë sulme, ndaj Republikë së Kosovës, sulme të brendshme apo hyrjes se si kanë hyrë atëherë në Banjskë. Por mendoj se është shqetësuese, pak kemi deklarata nga bashkësia Ndëkombëtare, të cilët duhet të dalin dhe ta dënojnë veprime të cilat destabilizojnë vendin”, ka thënë ai.

Sipas Bajqinofcit, këto pamje por dhe fotografi të mëhershme të cilat i ka publikuar televizioni të grupit “Brigada e veriut”duke u trajnuar në Serbi, tashmë i kanë edhe institucionet e Sigurisë në Kosovë.

“Ka video, por ka pas edhe fotografi ku ju vet personalisht i keni publikuar, në mediumin tuaj, dhe unë mendoj se nuk ka nevojë shumë sot më të thuhet ka apo nuk ka trajnime për këtë qështje sepse e dimë të gjithë ka foto, video të bollshme nga institucionet e sigurisë”, shprehet deputeti i VV-së.

Njohësi i Sigurisë, Nuredin Ibishi, vlerësoi se, Serbia me këto veprime po e kërcënon Kosovën.

“Serbia hapur vazhdon në trend me kërcënua Kosovën, prezenca e Forcave të Armatosura në kufi me Kosovën të dy brigadave por edhe armatimi i rëndë edhe dhe të tjera dhe njësitet Speciale. Por përveç kësaj kur flet Konjufca bazohet në informacionet që i ka në disponim, flet me një kryetare të parlamentit Slloven në këtë rast, zonjën Zupanchiq, mendoj se duhet ta marrim me seriozitet këtë çështje, duhet ta dinë ndërkombëtarët”, ka thënë Ibishi.

Më 24-shtator në Banjskë të Zveçanit, një grup paraushtarak serb me në krye, Millan Radojiçiq, kryen sulm ndaj policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë, rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, dhe u plagosën dy policë./ Tëvë/


Send this to a friend