Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka denoncuar rritjen e pazakontë të çmimeve të perimeve në Tiranë, duke e cilësuar situatën si një problem serioz për qytetarët.
Përmes një reagimi publik, Braçe tregon se ka verifikuar çmimet në disa zona të kryeqytetit, nga Njësia 5 te Njësia 2 (zona e Shkollës së Baletit) dhe Njësia 3 (Brryli), ku ka konstatuar të njëjtin nivel të lartë çmimesh.
“Perimet janë çmendur dhe ky është hall i madh”, shprehet ai, duke theksuar se çmimet janë të njëjta në të gjitha zonat e monitoruara.
Sipas deputetit, domatja po shitet me 300-350 lekë për kilogram, kryesisht import nga Greqia dhe Turqia, ndërsa prodhimi vendas është ende i kufizuar dhe shpesh i papjekur për shkak të nxjerrjes së hershme në treg.
Ndërkohë, speci i kuq arrin deri në 450 lekë për kilogram, por sasia në treg është e ulët.