“Në shtëpinë time do të ishim plotësisht dakord për ndryshimin e orareve të punës. Fëmijët e mi nuk e shohin të atin gjatë javës”, thotë Cristina Matarranz nga Madridi, që po merr vajzën tre vjeçe nga kopshti dhe djalin shtatë vjeç nga shkolla, pasi ka mbaruar turnin deri në tre të pasdites në bankë.
Kompania e furnizimeve mjekësore ku punon partneri i saj, këmbëngul që punonjësit të jenë në zyrë nga ora tetë e mëngjesit deri në shtatë të darkës, orari klasik spanjoll që përfshin pushimin dy orë të drekës, nga ora dy në katër.
Ngaqë e ka punën një orë larg nga shtëpia, ai nuk ka kohë të mjaftueshëm të shijojë vaktet e gatuara në shtëpi dhe të bëjë një gjumë dreke, ndaj ai kthehet në shtëpi në orën tetë të mbrëmjes, thotë Matarranz.
“Shumë rrallë e lënë të punojë nga shtëpia. Njerëzit në shkollë nuk besojnë se fëmijët tanë kanë një baba – ai nuk i merr ata kurrë dhe nuk vjen në asnjë festë të tyre.”
Në një vend ku papunësia është 21 për qind, mund të jetë e vështirë të kërkosh për ndërgjegje nga një punëdhënës, gjë që është arsyeja përse aktivistët si Jose Luis Casero kërkojnë të ndryshojnë orët e punës.
“Njerëzit duan të punojnë, por ata duhet të shijojnë edhe jetën”, thotë Casero, kryetar i Komisionit Kombëtar për Racionalizimin e Orareve Spanjolle.
Ai mendon se punëdhënësi që ofron kohë fleksibël dhe punë nga shtëpia duhet të shlyhet duke i ulur taksat dhe ai kërkon që qeveria të ofrojë më shumë kopshte, si dhe shkollat të hapen më herët në mëngjes.
Arsyeja përse Spanja ka një normë të ulët lindjeje prej 1.32 fëmijësh për çdo grua, krahasuar me 1.58 fëmijë në të gjithë Bashkimin Europian, është pjesërisht prej gjendjes ekonomike, por edhe sepse njerëzit janë të lodhur kur vjen puna te lidhjet njerëzore.
Carolina Dobrzynki Kearney, një nënë beqare në Madrid që punon në marketing, thotë se gjysma e ditës së saj i shkon dëm, sepse klientët nuk janë të gatshëm për angazhim në periudha të gjata.
“Mund ta mbaroj punën për gjashtë orë, por duhet që njerëzit t’u përgjigjen telefonatave të mia”, thotë ajo. “Deri në dhjetë të mëngjesit askush nuk përgjigjet dhe pastaj nga ora 13:30 ose dy e drekës kjo është sërish e pamundur. Ndaj e gjej veten duke diskutuar me njerëzit nga ora gjashtë deri në tetë të mbrëmjes, kur duhej të isha në park me vajzën.”
Kjo është një betejë e vazhdueshme me hapësirën që duhet të marrë familja e saj, thotë ajo.
“Si individë duhet të përpiqemi të argumentojmë se nuk duhet t’u themi po detyrave të punës në kohën e caktuar për familjen, por kjo mund të na dëmtojë. Njerëzit në Spanjë janë të fiksuar pas zakoneve. Ata ankohen për oraret, por nuk bëjnë gjë tjetër. Dikush duhet të kërkojë ndryshimin e kësaj.”
Një ide e çuar përpara nga Rajoy është kthimi i orareve spanjolle një orë mbrapa orës qendrore europiane dhe kombinimi me orën e Portugalisë, Britanisë dhe Irlandës. Kjo, në fakt, do të kthente status quo-në përpara se diktatori Franko më 1942-shin ta zhvendoste orën përpara për t’u përshtatur me Hitlerin.
Jose Luis Casero ia hedh fajin përdorimit “anormal” të orës qendrore europiane për kulturën e orëve të vona që e çojnë kulmin e orës më të ndjekur televizive në orën dhjetë deri në mesnatë.
“Spanja duhet të përdorë orën e zonës ku është”, thotë ai. “Meridiani i Grinuiçit kalon nëpër Zaragoza.” Por është fundi i orëve të punës në mbrëmje ajo që prezanton ndryshimin më të madh për shumicën e familjeve.
Disa banorë në Spanjë, si për shembull Penny Thompson, që punon për një media britanike, megjithatë mendojnë se vendi do ta humbasë sharmin e tij nëse bën të jashtëligjshëm konceptin e periudhës së gjumit të drekës.
“Një pushim i vogël në drekë është i arsyeshëm, për shkak të motit të ngrohtë që është këtu në këtë kohë të vitit deri në tetor”, thotë Thompson, që jeton pranë Malagës prej një dekade.
“Shumica e familjeve preferon të hanë një vakt së bashku në mbrëmje. Për shkak të të nxehtit, ata nuk do të mund ta bëjnë këtë në fillim të pasdites. Dhe në kohë dreke gjithashtu, ka një fokus tek ushqimi i gatuar në shtëpi. Ai ushqim i freskët kërkon kohën e vet.”
Jeta moderne mund të jetë duke drejtuar orën tonë të brendshme. Ne duam të besojmë se mund të bëjmë çfarë të duam në çdo orë të ditës ose natës, si për shembull të hamë darkë në orën njëmbëdhjetë apo të ndërmarrim një udhëtim ku ndryshon orari, pa pasur pasoja në shëndet. Megjithatë, miliona vite evolucioni u kanë dhënë trupave tanë një orë të brendshme, që është e vështirë të shpërfillet.













Komentet