Ministri i Jashtëm i Spanjës, Hoze Manuel Albares, deklaroi se Bashkimi Europian duhet të krijojë një forcë të përbashkët ushtarake dhe të mos varet më nga vendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një intervistë për Politico, Albares tha se Europa nuk mund të jetojë më me pasigurinë nëse SHBA do ta mbështesë ushtarakisht në rast krize.
“Qytetarët europianë meritojnë më shumë siguri. Nuk mund të zgjohemi çdo ditë duke pyetur çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara”, u shpreh ai.
Sipas ministrit spanjoll, lufta në Lindjen e Mesme dhe tensionet me Iranin tregojnë se Europa duhet të ketë më shumë pavarësi strategjike dhe mbrojtje të përbashkët.
Albares theksoi se krijimi i një force ushtarake europiane nuk është kundër NATO-s, por një mënyrë për të forcuar sigurinë dhe parandalimin ndaj kërcënimeve, si Rusia.
Deklaratat e tij vijnë pas tensioneve mes Madridit dhe Uashingtonit, pasi Spanja refuzoi përdorimin e bazave të saj nga avionët amerikanë për operacione që lidhen me konfliktin me Iranin.
Ministri spanjoll tha gjithashtu se administrata e Donald Trump ka një qasje të re ndaj marrëdhënieve transatlantike dhe Europa duhet të përshtatet me këtë “realitet të ri”. Panorama