Edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar “MIK” starton nga qyteti i Korçës.
Festivali “MIK” lindi si ide e inkurajuar nga sopranoja Inva Mula. Festivali do sjellë 150 artistë, që do performojnë muzikën më të mirë, të ndërthurur me historinë e kulturën e qytetit të Korçës. “MIK Festival” do të zgjasë pesë ditë nga data 25 deri më 29 korrik, si një aktivitet për të promovuar kulturën, historinë e këtij qyteti.
Inva Mula premton gjithashtu një cikël koncertesh ku edhe muzika franceze do të pushtojë pazarin e vjetër e teatrin e ri, por në skenën e tij nuk do të mungojë dhe vetë sopranoja e njohur. Për sopranon shqiptare me famë ndërkombëtare edhe emri i festivalit që nis në edicionin e parë pas disa ditësh ka një domethënie. Sipas saj lidhet me miqtë e artit dhe muzikës. “Festivali quhet “MIK”. Më ka pëlqyer kjo fjalë, pasi përdoret shumë, por jo aq shumë sa ne do të dëshironim. Dëshironim që të ishim mik me njëri-tjetrin, një fjalë që shqiptarët më duket se e kanë harruar.
Do të dëshironim të ishim miq të artit, të projekteve të bukura dhe MIK është Muzika Internacionale në Korçë, që përkon me një fjalë që unë e kam përzemër”, tha mes të tjerave sopranoja Inva Mula. Për sopranon Mulat të gjithë e dinë sharmin e qytetit të bukur të Korçës, të gjithë tërhiqen nga ky qytet, dhe ky duhet të jetë një festival që mos ti ndahet asnjëherë këtij qyteti. “Të gjithë e dimë sharmin e këtij qyteti, ka diçka shumë atraktive. Të gjithë tërhiqen nga ky qytet që nuk ka as det, nuk ka as male, por ka një energji të jashtëzakonshme.
Pikërisht me këtë energji të bukur korçare, donim ta përkthenim edhe në art, edhe në muzikë, në një aktivitet që uroj të ketë një fillim të mbarë këtë vit edhe mos t’i ndahet asnjëherë qytetit të bukur të Korçës”, vijoi sopranoja Inva Mula. E pranishme në prezantimin e festivalit “MIK” që pritet të startojë në edicionin e parë në qytetin e Korçës ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e vlerësoi këtë event si simotrën e fustanellës, festivalit që mori jetë vjet në Gjirokastër duke ndërthurur historinë me muzikën e traditën.
Pesë ditë aktivitete
Festivalit “Muzika Internacionale në Korçë” (MIK) do të zgjasë plotë 5 ditë me aktivitete gjithëpërfshirëse për të promovuar kulturën. “Koncepti i tij është ndërthurja e formave të ndryshme të shprehjes së artit dhe vendosja e tyre në funksion të hapësirës dhe kohës. “MIK Festival” është festivali i parë që bën bashkë rreth 150 artistë të zhanreve të ndryshme për të performuar si asnjëherë më parë në këto 5 ditë të festivalit”, shkruhet në faqen e festivalit. Inva Mula tashmë është e njohur për suksesin e saj. Më 1993 merr një çmim në Operalia-n e parë të Placido Domingos në Paris. Ka bashkëpunuar me tenorë të famshëm në operën e Bastille-s në Paris, në Bruksel, në Mynih dhe në Oslo. Në vitin 1996 mori pjesë në operën “Medee” të Luigi Cherubini-t në Francë. Në 1998 rikthehet në operën e George Bizet “La Jolie fill de Perth”. Në filmin “Elementi i pestë” më 1997 i jep zërin këngëtares në rol Lucia di Lammermoor në skenën “The Diva Dance”. Më vonë ajo luajti në “Ivan IV” të Bizetit në Paris. Në vitin 2001 ishte e angazhuar në Itali ku luajti në teatrin “La Scala” pjesën e Verdit “Falstaff” dhe “Riggoleto” në Arenën e Veronës. Ka marrë pjesë rregullisht në “La Scala” ku luajti “Lucia di Lammermoor”, “La boheme”, Manon (2006). Luajti gjithashtu disa herë dhe “La Traviata” në qytete të rëndësishme si Tokio, Bilbao, Orange, Trieste dhe Toronto. Në 2007, ajo luajti Norine-n e parë në “L’elisir d’amore” në Toulouse të Francës. U njoh shumë dhe vlerësua për mënyrën e të kënduarit të saj gjë që e bëri atë të famshme./ Julia VRAPI

Komentet