Gjykata Kushtetuese vendosi “ngrirjen” e zbatimit të dy vendimeve të GJKKO-së që kishin pezulluar nga detyra zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Gjykata vendosi në favor të Kryeministrit dhe vendimi u mor me 5 vota pro dhe 3 kundër, duke reflektuar një ndarje të qartë brenda trupës gjyqësore.
Në favor të qeverisë votuan Sonila Bejtja, Fiona Papajorgji, Genti Ibrahimi, Sandër Beci dhe Marjana Semini, ndërsa kundër votuan Marsida Xhaferllari, Ilir Toska dhe Asim Vokshi, të cilët formalizuan një mendim pakice.
Gazetarja Klodiana Lala rreth ketij votimi tha në studion e News24 se deri në orët e fundit në Kushtetuese, gjyqtarët kanë qenë të ndarë 4 me 4. Vetëm në minutën e fundit njëri prej anëtarëve ka ndërruar mendim duke e çuar raportin në 5 me 3.
“Vendimi i Kushtetueses është marrë në një klimë të fortë tensioni mes kryeministrit dhe GJKKO. Zoti Rama menjëherë pas vendimit të GJKKO që e pezulloi Ballukun, vendosi t’i drejtohej Kushtetueses. Për Ballukun vazhdojnë të qëndrojnë në fuqi masat ndaluese për mos daljen jashtë shtetit.
Deri në orët e fundit në Kushtetuese, gjyqtarët kanë qenë të ndarë 4 me 4 dhe deri në minutën e fundit ka votuar një tjetër duke e çuar raportin 5 me 3.
Kushtetuesja ka thënë qartë se Balluku rikthehet përkohësisht në detyrën që kishte deri në datën 22 janar kur do të mbahet seanca plenare publike. Por jo domosdoshmërisht kjo tregon se kryeministri e ka fituar betejën sepse në seancën plenare publike do të ketë përfaqësi ligjore të të gjithë institucioneve” – tha Lala.
Sipas gazetares, 3 gjyqtarët që votuan kundër kanë qenë të sulmuar në mënyrë brutale.
“Pashë mendimin e pakicës. Sulmi që iu bë Asim Vokshit nga të gjithë krahët e politikës, u provua se ishte sulm i koordinuar. Xhaferllari dhe Vokshi, pra nuk janë të kapur nga politika. Qeverisë dhe ndoshta segmente të caktuara të politikës, ju duhen gjyqtarë të kapur.
3 gjyqtarët thonë se ndërhyrja në gjykatë dëmton mirë-administrimin e drejtësisë. Pra Gjykata Kushtetuese ka thënë vërtet e kemi rikthyer në detyrë, por sipas pakicës ka cenuar drejtësinë, i ka dhënë mundësisë që nëse ka risk të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët ta bëjë menjëherë” – tha gazetarja.

Zbardhet vendimi i Kushtetueses për Ballukun! Kush ishin pro dhe kush votoi kundër kërkesës së Kryeministrit (Emrat)