Partia Demokratike ka denoncuar ditën skandalin në auditorët e universiteteve në vend.
Në një deklaratë publike, drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula, akuzoi qeverinë “Rama” për degradimin e arsimit të lartë në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, me “nepotizmin e shfrenuar”. Ajo vuri në dukje edhe keqmenaxhimin e universitetit me 13 vite qeverisjeje të socialistëve dhe “simbol të shpërbërjes së arsimit të lartë”.
Sipas PD, nepotizmi dhe klientelizmi kanë përfshirë çdo hallkë të institucionit, duke përfshirë punësimet, menaxhimin financiar dhe proceset akademike. Ajo pretendoi se në universitet janë krijuar “dinasti familjare dhe politike”, ku poste të rëndësishme mbahen nga persona me lidhje të afërta familjare.
“Gjatë këtyre trembëdhjetë viteve të qeverisjes së Edi Ramës, universiteti me emrin e madh të shkencave albanologjike, Eqrem Çabej, në Gjirokastër, është shndërruar në simbol të shpërbërjes së arsimit të lartë publik në Shqipëri.
Nepotizmi i shfrenuar, krijimi i dinastive familjare dhe politike sundon çdo hallkë të universitetit: nga punësimet te diplomat fantazmë; nga zbrazja e auditorëve te mjegullnaja e fondeve financiare, të lëvruara pa transparencë e shpesh në funksion të interesave të ngushta të drejtuesve që shkojnë deri në pikën e mospagesës për pedagogë të brendshëm kundrejt qokave për pedagogët e jashtëm.”- theksohet në deklaratë.
Në deklaratë renditen një sërë rastesh të pretenduara të konfliktit të interesit, ku drejtues dhe ish-drejtues të universitetit thuhet se kanë të punësuar familjarë të afërt në role akademike dhe administrative.
“– Në zyrën e kurrikulave gjendet ish-sanitarja e Universitetit, edhe pse ky pozicion kërkon profesioniste për ekspertiza të mirëfillta.
– Nuk ndodh kund në botë që zv. rektorja dhe përgjegjësja e marrëdhënieve me jashtë e universitetit, njëkohësisht kryetare e këshillit bashkiak të Gjirokastrës, e pagëzuar me titullin ‘Lubia e universitetit’ pedagogia e anglishtes M. I. të ketë edhe dy kunatat dhe dy kushërirat e para pedagoge.
– Ish-rektori B. M. ka djalin dhe nusen e djalit dhe krushkun pedagog dhe një person të afërt sekretare.
– Një tjetër ish-rektor, G. S., aktualisht zv/rektor ka edhe bashkëshorten shefe departamenti të historisë edhe djalin pedagog.
– Kryetari i bordit të universitetit, pedagogu, Th. T. ka marre edhe dy motrat pedagoge.
– Dekani i shkencave të Natyrës, S. M., ka dy vajzat pedagoge dhe nusen e nipit laborante.
– Në degën e studimit të Greqishtes janë 5 pedagogë në lidhje bashkëshortore dhe familjare shumë të afërta.
– Kancelari dhe administrator S. G., ka 2 pedagoge, vëlla e motër, 2 kushërinj.
– Nepotizmi që është shtrirë në të gjitha strukturat akademike në këtë universitet e ka pasur më të lehtë të zaptojë administratën: pesë anëtarë nga familja Shehu punojnë në administratë.
Kjo është vetëm një pjesë e panoramës së Universitetit të Gjirokastrës i cili nga qendër e dijes dhe kërkimit, është kthyer në një rrjet interesash të ndërthurura familjare dhe politike, ndërsa merita është zëvendësuar nga klientelizmi dhe korrupsioni.“- thekson Lili Sula.
Sula deklaron se, në këtë realitet të rëndë, ministria e arsimit, znj. Mirela Kumbaro, ironikisht, flet për hartimin e strategjisë 2027-2032 me prioritet cilësinë; për krijimin e mekanizmave për të kontrolluar cilësinë në arsimin e lartë dhe për ndërkombëtarizim të arsimit të lartë; për rishikimin e ligjit 80/2015, pas 11-të vitesh nga hyrja e tij në zbatim, pa zënë me gojë kolapsin e plotë universitar, që nuk karakterizon vetëm një universitet, por prej vitesh, ka ngërthyer gjithë sistemin universitar publik në vend.
PD u bën thirrje institucioneve përgjegjëse si Ministria e Arsimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit si dhe organeve të drejtësisë që të nisin pa vonesë verifikime të thelluara dhe të pavarura mbi fenomenin e konfliktit të interesit dhe nepotizmit në të gjitha universitetet publike në vend.
“Vetëm përmes transparencës, hetimit të paanshëm dhe ndëshkimit të çdo shkeljeje ligjore mund të rikthehet besimi i publikut dhe të garantohet funksionimi i një sistemi universitar të bazuar në meritë dhe integritet”.”- theksohet në deklaratë.