Dy orë pas transmetimit të intervistës së tejet të sikletshme të Kryetari të Kuvendit Ilir Meta ku ai u vu në pozitë tejet të vështirë nga moderatorja e Zërit të Amerikës me pyetje rreth përfshirjes së tij në mega-aferën CEZ-DIA dhe pasurinë e tij të majme, Zyra e Shtypit të Kuvendit ka shpërndarë versionin zyrtarë të intervistës. Ajo që bie në sy dhe mund të quhet pa frikë një skandal dhe censurë absurde nga Zyra e Shtypit e Kuvendit të Shqipërsë është fakti se në intervistën e servirur zyrtarisht, janë hequr të gjitha pyetjet e sikletshme që moderatorja e Zërit të Amerikës i bëri Ilir Metës dhe aty jepen vetëm një pjesë e intervistës që gjithë shqiptarët e ndoqën me zë e me figurë, aty ku “qetësia dhe dashuria” e Kryetarit të Kuvendit, dali në pah.
Ja cilat janë pyetje-përgjigjet e që janë censuruar nga njoftimi zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë!…
Zëri i Amerikës: Kriza në Evropë, filloi në 2008-ën menjëherë pas krizës në Amerikë, megjithatë në korrik ju keni pas mbi 7 mijë vet që kanë ikur – që kanë kërkuar azil në Gjermani, jo thjesht kanë ikur. 7 mijë e ca janë të regjistruar vetëm në Gjermani. Këto vende që ju i quani në krizë që janë partnerët tuaj për eksportet e Shqipërisë , këto vende po presin shqiptarët që kërkojnë një jetë më të mirë dhe ikin thjesht për nevojë ekonomike. Sot asnjëri nuk ikën më për mungesë dritash, e për fjalë të lirë e për dëshirën për të shkuar në Evropë. Këto janë të gjitha në Shqipëri. Ju keni një problem ekonomik që është ngritur dhe po ngrihet me shqetësim nga gjermanët që janë detyruar të thonë që do i kthejmë këto njerëz. Meqë përmendët vetë nevojën që vendi të ketë një zhvillim sa më të barabartë, të sjell një ndarje sa më të barabartë të përparimit që do të realizohet, desha t’u bëj një pyetje disi personale: klasa politike në Shqipëri, që shpalos një mënyrë jetese dhe një luks të jashtëzakonshëm. A ndjeheni ndonjëherë nën presionin e publikut, këtij publiku që ikën përditë, që ka një minimale të jetesës tek 5 dollarëshi në ditë, a ka ndonjëherë diçka që ju prek, ju kap në gjithë këtë shpalosje luksi dhe ekstravagance do të thosha?
Ilir Meta: Nuk e di për çfarë luksi ju e keni fjalën…
Zëri i Amerikës: Për mënyrën tuaj të jetesës, për shtëpinë e pushimit, për makinën, për pushimet ku i bëni, për …
Ilir Meta: Unë kam makinë të shtetit zonjë, por ju nuk jeni informuar mirë, kështu që nuk jam këtu për t’u marr…
Zëri i Amerikës: Zoti Meta, unë besoj se shikuesit tanë e gjykojnë atë që shohin me sytë e tyre përditë. Shqipëria është e vogël. Edhe besoj që kam detyrimin profesional t’ju ngre një shqetësim që e marrim përditë. Pyetja e vetme që marrim, ekskluzive për çdo politikan këtu është: Klasa politike e Shqipërisë duhet të largohet, ata po e mbajnë peng këtë vend pasi janë të gjithë të korruptuar. Them nga ana personale a e ndjeni ndonjëherë presionin, a ju vjen ndonjëherë siklet nga gjithë ajo që thuhet. A ndjeni dëshirën për të thënë: mjaft më! Dua të sqarohem, dua të lahem….
Ilir Meta: Po përderisa ju nga ana personale merrni përsipër të flisni në emër të gjithë popullit shqiptar…
Zëri i Amerikës: Jo, nga ana e shikuesve që na shkruajnë përditë…
Ilir Meta: Po pra dakord, nga ana profesionale, unë nuk mund të merrem me gjëra të tilla personale dhe ta ul nivelin e bisedës në këtë nivel. Unë jam politikan i cili jeton në Shqipëri, i cili vlerësohet dhe gjykohet nga shqiptarët, mund të vlerësohem edhe nga ata që ju kanë dërguar ju mesazhe të tilla por vlerësohem edhe nga ata që votojnë për këtë forcë politike. Ndërsa përsa i takon makinës nuk kam asnjë makinë personale…’
Zëri i Amerikës: Emri juaj është lakuar disa herë me afera korruptive. Ju keni thënë vetë që nuk përmendet emri im. Por kur mblidhen 1 edh 1 bëjnë 2, një kryeministër që më parë është akuzuar për korrupsion, kush tjetëer mund të jetë në këtë çështjen CEZ dhe DIA. Kjo ishte një ndër aferat e fundit që u përmend?
Ilir Meta: Si ishte kjo akuzë se paskeni shumë keqinformacionie?
Zëri i Amerikës: Një kompani që kishte lidhje me ju përfitonte nga kontrata që mori DIA nga CEZ-i…
Ilir Meta: Po, dhe nga provohet kjo?
Zëri i Amerikës: Kjo ka dalë nga një dokument të BIRN-it që është marrë nga firma, unë besoj që të gjithë shqiptarët e kanë lexuar këtë informacion.
Ilir Meta: Kjo është e keqja juaj, që unë kam marrë 260 mijë vota dhe nuk flas dot në emër të të gjithë shqiptarëve, madje jam i kujdesshëm të flas edhe në emër të atyre që kanë votuar për mua, ndërsa ju flisni në emër të të gjithë shqiptarëve për një mashtrim publik.
Zëri i Amerikës: Jo flas për një njoftim në media…
Ilir Meta: Sa njoftime ka në media…
Zëri i Amerikës: Ka një dokument që që thotë se një kompani që përfaqëson qeverinë shqiptare, ka përmend një ish-kryeministër.. .
Ilir Meta: Jo nuk është e vërtetë, unë do t’iu jap juve një… do t’iu jap dokumentin e firmës (ndërhyn gazetarja që thotë se do ta transmetonim me shumë kënaqësi e ta kishim ne faqen e internetit)… të lutem, të lumtem…Ju duhet ta kishit, duhet ta kishit përderisa bëni këtë pyetje, dhe aty bëhet e qartë se shkrimi i manipuluar i BIRN-it ka bërë të qartë se nuk përmendet emri i zotit Meta në asnjë rast për këtë çështje dhe ish-kryeministri që ka përfituar nga kjo kompani i ka dalë emri, i ka dalë dokumenti mund të ta jap edhe unë, unë se kam zakon të përmend emra. Ju e paskeni këtë kurajo të përmendni emra, kjo është e drejta juaj, mesa duket ju duhet ta filloni gazetarinë nga e para.
Zëri i Amerikës: Zoti Meta, një fakt që mbetet thembra e Akilit, korrupsioni. Ngrihet problemi me drejtësinë, me mosgjykimin e akuzave që bëhen.
Ilir Meta: Shqipëria e paska zgjidhur problemin e korrupsionit, se mund t’ju marr ju t’ju vë prokurore të përgjithshme dhe ju e zgjidhni në emër të popullit.
Zëri i Amerikës: Pyetje të këqia nuk ka, ju mund t’i sqaroni, unë mund të jem e painformuar.
Ilir Meta: Nëse flasim nga ana profesionale për lajme, të cilat publikisht janë konfirmuar, që janë të pavërteta, nëse ju flisni në emër të kësaj kompanisë që ka mbrojtur gjoja qeverinë shqiptare, kur ajo ka bërë një sqarim publik dhe zyrtar dhe ju nuk paskeni, atëhere mua më vjen shumë keq.
Zëri i Amerikës: Ajo thjesht thotë që nuk e kemi përmendur me emër zotin Meta. Asnjëherë nuk thotë që nuk bëhet fjalë.
Ilir Meta: Nuk e ka përmendur asnjëherë zotin Meta për asnjë tranfertë, apo praktika korruptive lidhur me këtë çështje. Kjo është kështu të lutem dhe ish-kryeministri e ka emrin, ka patur një aktivitet të tijin privat, gjërat janë bërë publike, ju nuk i dini këto gjëra, atëhere më vjen keq për profesionalizmin tuaj.
Zëri i Amerikës: Atëhere pse lakohet emri juaj, pse tërhiqni një vëmendje të tillë negative, a ka një arsye personale, apo inat personal që kanë gazetarët me ju?
Ilir Meta: Më vjen për të qeshur se jetoni në Amerikë. Sa herë që del emri i Klintonëve këtu për këto probleme…
Zëri i Amerikës: Jo për korrupsion të tillë.
Ilir Meta: Kur zoti Meta nuk do të jetë në politikë, patjetër që nuk do të dëgjoni për zotin Meta. Por kjo është një gjë që e vendosin qytetarët shqiptarë, nuk vendoset nga askush tjetër.
Zëri i Amerikës: Qytetarët shqiptarë po ikin përditë. Me aktet e tyre po tregojnë që kanë humbur besimin, në Transperancy International në anketa del gjithmonë mungesa e besimit tek qeveritarët. Ju nuk e ndjeni këtë si politikan veteran që jeni?
Ilir Meta: Unë natyrisht që ndiej atë përgjegjësi që kam, por mendoj që është gjëja më e lehtë që të flasim në mënyrë populiste, por duhet të tregohemi më realistë, sepse kemi edhe nga vendet anëtare të BE-së që ikin në vende më të zhvilluara, si në rastin e Gjermanisë, por kjo nuk do të thotë që këto vende kanë probleme që meritojnë një karkterizim të tillë edhe të përfaqësimit të tyre politik. Ne nuk duhet t’i gënjejmë njerëzit dhe t’u krijojmë iluzione e gjërat do të ndryshojnë në mënyrë të shpejtë dhe në mënyrë të jashtëzakonshme, duke ndryshuar disa politkanë që janë përgjegjës.
Zëri i Amerikës: Po ju erdhët në pushtet dy vjet përpara me premtimin që gjërat do ndryshojnë. Ju jeni kryetar i Parlamentit, ju ndani fondet për përparësitë e qeverisjes në Shqipëri, pra një përgjegjësi institucionale e keni…
Ilir Meta: Çdo gjë ndahet në mënyrë transparente. Dhe një nga arsyet që jemi këtu është për të forcuar bashkëpunimet me Institutin Demokratik Amerikan lidhur me programet e transparencës në Parlament…
Zëri i Amerikës: Shpresoj të dëgjoj në të ardhmen prej jush. Ju uroj suksese gjatë qëndrimit në Washington.
Ilir Meta: Faleminderit shumë.
Komentet