Szabolcs Panyi thotë se akuzat për spiunazh synojnë ta diskreditojnë pas raportimeve për kontakte të fshehta me Rusinë
Gazetari hungarez Szabolcs Panyi deklaroi se shërbimet e inteligjencës së jashtme të Hungarisë kanë monitoruar bisedat e tij private.
Panyi, i cili prej vitesh raporton mbi ndikimin rus në Hungari, tha se ishte paralajmëruar nga burime brenda qeverisë se bisedat e tij me kontaktet ishin interceptuar dhe i ishin dërguar Zyrës së Informacionit të Hungarisë, për t’u përdorur më pas nga Qeveria e kryeministrit Viktor Orban në përpjekje për ta diskredituar.
Sipas tij, fushata e supozuar nisi në mesin e vitit 2025 dhe u bë “më agresive” pasi Direkt36, një qendër jofitimprurëse e gazetarisë investigative në Hungari ku ai punon, publikoi vitin e kaluar një artikull mbi një operativ të inteligjencës hungareze që përpiqej të rekrutonte zyrtarë të Komisionit Evropian në Bruksel.
“Pas këtij raportimi, mora paralajmërime nga burime të sigurisë hungareze se drejtori i Zyrës së Informacionit ishte shumë i zemëruar,” tha Panyi për Politico, duke iu referuar agjencisë civile të inteligjencës së jashtme të Hungarisë. Në vijim ai shtoi “mora informacion se inteligjenca hungareze ishte në dijeni të disa bisedave për një hetim që po zhvilloja, që përfshinte anëtarë të kabinetit hungarez.”
Këto pretendime për përgjim vijnë në një moment të ndjeshëm për Orbán, vetëm disa javë para një zgjedhjeje të rëndësishme me pasoja të mëdha për Evropën, ndërsa sondazhet tregojnë se partia e tij është rreth nëntë pikë përqindjeje prapa, mes kritikave në rritje për dobësimin e standardeve demokratike dhe pengimin e proceseve të BE-së.
Zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, nuk iu përgjigj kërkesave të shumta për koment mbi akuzat e Panyi-t.

Szabolcs Panyi
“Kompromat”
Panyi tha se beson që survejimi ka gjasa të jetë kryer përmes vendosjes së pajisjeve përgjimi në ambiente ose përmes telefonave të burimeve të tij, pasi nuk kishte tregues që informacione të tjera nga pajisjet e tij ishin rrjedhur.
Ai kontrollon rregullisht telefonin për programe spiunazhi, pasi në vitin 2021 raportoi se ishte infektuar me mjetin izraelit Pegasus, i cili thuhet se është përdorur edhe ndaj figurave të njohura, përfshirë kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez dhe disidentin saudit Jamal Khashoggi.
Panyi shtoi se presioni u rrit kur qeveria mori vesh se ai po hetonte komunikimet e ministrit të Jashtëm Péter Szijjártó me zyrtarë rusë, përfshirë përdorimin e një telefoni të veçantë që nuk ishte deklaruar në ministri.
“Në atë moment ata morën gjithë materialin që kishin për mua, e redaktuan, e shtrembëruan dhe e publikuan si një lloj kompromati,” tha Panyi, duke përdorur termin rus për materiale komprometuese.
Szijjarto ka pranuar se ka komunikuar me homologë rusë para dhe pas takimeve të BE-së, pas raportimit të The Washington Post se ai i kishte dhënë ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov informacione mbi diskutimet dhe zgjidhjet e mundshme në këto takime.
Të enjten, ministri i Zyrës së Kryeministrit, Gergely Gulyas, njoftoi se qeveria kishte paraqitur kallëzim penal ndaj Panyi-t, duke e akuzuar për spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimet ukrainase. Kallëzimi pretendon se ai ka ndarë informacione sensitive për Szijjártó, por nuk jep detaje apo prova konkrete. Prokurorët duhet tani të vendosin nëse do të nisin hetim.
Orbán dhe Szijjarto kanë ruajtur marrëdhënie të afërta me Kremlinin, duke përfshirë vizita të shumta në Moskë, edhe pasi BE-ja izoloi Rusinë pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Kjo ka nxitur tensione të vazhdueshme mes Budapestit dhe Kievit, i cili vazhdon të përballet me agresionin rus.

“I tradhtuar”
Panyi tha se ishte një “sekret i hapur” në mesin e shërbimeve evropiane të sigurisë që komunikimet mes Szijjártó dhe Lavrov ishin të rregullta. Ai shtoi se këto komunikime monitoroheshin nga disa agjenci inteligjence, por nuk u ndërmor asnjë veprim nga qeveritë e BE-së.
“Ndjej një lloj tradhtie. Gjithmonë jam ndjerë i tradhtuar nga BE-ja… për mënyrën se si e lanë Orbán të ndërtojë ‘Rusinë e tij të vogël’,” tha ai, duke shtuar “këtë herë kishin prova se po ndodhte diçka pothuajse kriminale dhe nuk vepruan. Si gazetar dhe qytetar hungarez, misioni im ishte ta bëja publike.”
Komisioni Evropian nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Panyi argumenton se taktikat e frikësimit që ai ia atribuon partisë Fidesz të kryeministrit tregojnë se Orbán nuk është në kontroll, por “në mbrojtje”.
“Nuk duam të kthehemi në një epokë kur shërbimet e inteligjencës përdoren për të shtypur kundërshtimin. Ajo që më ndodhi mua synonte të më ushtronte presion psikologjik dhe të shkatërronte besueshmërinë time”, thotë gazetari.
Megjithatë, ai tha se ka marrë mbështetje të gjerë publike, përfshirë 10 mijë euro donacione nga qytetarë përmes një platforme financimi brenda vetëm tre ditësh.
Në një deklaratë, Direkt36 dhe organizata të tjera mediatike dënuan atë që e quajtën një fushatë të koordinuar shpifjeje ndaj Panyi-t, të mbështetur nga metoda të shërbimeve sekrete dhe e zhvilluar nga media pranë qeverisë.
“E konsiderojmë alarmante që qeveria po përpiqet ta stigmatizojë gazetarin me akuza për spiunazh,” thuhet në deklaratë. /Përshtatur nga Politico/