Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka zhvilluar takimin e paralajmëruar me demokratët në qytetin e Shkodrës, ku ka reaguar me tone të ashpra ndaj mesazhit të shpërndarë nga zyrat e PD-së, që u bënte thirrje anëtarëve të mos merrnin pjesë në këtë takim, me pretendimin se ai ishte i organizuar nga kryebashkiaku Benet Beci.
Gjatë fjalës së tij, Salianji akuzoi drejtues të Partisë Demokratike se po përpiqen të ushtrojnë presion mbi bazën dhe të pengojnë mbledhjen e demokratëve të pakënaqur. “Rrogëtarët e PD nuk ju njohin dhe nuk duan t’i shohin sallat plot, që nuk mbushen prej nesh apo prej meje, por prej pakënaqësisë që ka çdo demokrat,” u shpreh ai, duke shtuar se kontributi, sakrifica dhe merita e anëtarëve të partisë po shpërfillen, ndërsa rregullat e përcaktuara në statut, sipas tij, “hidhen në kosh të plehrave”.
Salianji kritikoi ashpër atë që e quajti sjellje të “kolltukofagëve”, të cilët, sipas tij, janë të fiksuar pas karriges dhe mendojnë se mund të ushtrojnë presion përmes deklaratave publike. “Mendojnë se na bëjnë presion duke thënë çudira në publik, por e kanë gabim,” deklaroi ai.
Në vijim, Salianji theksoi se personalisht nuk i nënshtrohet presionit, duke sjellë si shembull edhe përballjet e tij me qeverinë. “Presionin nuk e njoh. Nuk më bëjnë dot presion as njerëz më të rëndësishëm se këta. Nuk më bëri presion as Rama në burg, ku më vendosi regjimi,” tha ai.
Ai akuzoi disa figura brenda dhe jashtë partisë se, sipas tij, tregohen të butë përballë qeverisë, ndërsa përpiqen të shfaqen të fortë përballë demokratëve. “Shumica që sillen si lepurusha para regjimit dhe para demokratëve duan të duken si tigra, por e kanë gabim,” u shpreh Salianji.
Në përfundim, ai theksoi se forca politike dhe morale, sipas tij, nuk vjen nga rroga apo privilegjet, por nga përballja, qëndresa, sakrifica dhe dëgjimi i zërit të demokratëve.
Takimi në Shkodër u zhvillua në kuadër të turit të tij me strukturat dhe mbështetësit e Partisë Demokratike në qytete të ndryshme të vendit.
“Nuk ju kanë uruar as për Krishtlindje, por kërkojnë të mos takohemi bashkë”, Salianji me tone të forta nga Shkodra: Benet Beci ka qenë drejtor i PD, sot është kryebashkiak i PS
Në fjalën e tij përpara demokratëve, Salianji tha se mesazhi i shpërndarë është kthyer në një praktikë të zakonshme në çdo takim që ai zhvillon në qytete të ndryshme të vendit. “Gjatë ditës së djeshme, ju dhe pothuajse të gjithë demokratët keni parë një mesazh që vjen në emër të PD-së dhe që thotë se ky takim organizohet nga Benet Beci. Mesazhi vjen nga një numër që paguhet nga Partia Demokratike,” u shpreh Salianji.
Ai kritikoi drejtuesit e partisë për, sipas tij, mungesë komunikimi me bazën dhe përdorim të burimeve vetëm për të penguar takime të tilla. “Nuk ju kanë uruar as për Krishtlindje, as për Bajram, nuk kanë bërë thirrje për protesta, por bëjnë thirrje që të mos takohemi bashkë,” deklaroi Salianji, duke i cilësuar këto veprime si të kota dhe të motivuara nga frika për humbjen e pozicioneve drejtuese.
Salianji u ndal edhe te rasti i Benet Becit, duke theksuar se ai nuk është emëruar nga vetë ai apo nga demokratët, por nga drejtues të Partisë Demokratike në të shkuarën. “Siç e dini, Benet Beci nuk është një emërim i imi apo i juaji, por i emëruar nga drejtues të PD-së,” tha ai, duke shtuar se kjo çështje po ngrihet në çdo qytet si shembull i gabimeve të bëra ndër vite.
Sipas Salianjit, gjendja aktuale e Partisë Demokratike është pasojë e emërimeve të padrejta dhe mungesës së promovimit të strukturave që kanë sakrifikuar për partinë. Ai kritikoi ashpër emërimet me lidhje nepotike, duke përmendur rastin e Benet Becit, i cili, sipas tij, nga drejtues në PD përfundoi si kryebashkiak i Partisë Socialiste.
“Statuti s’ka rast përjashtimi për askënd”, Salianji i përgjigjet Berishës: Nuk ka vetëpërjashtim! Rrogëtarëve të PD nuk u vjen mirë ta mbajnë detyrën me punë
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka zhvilluar takimin e paralajmëruar me demokratët në qytetin e Shkodrës, ku ka folur për situatën brenda partisë, pas deklaratave të lidershipit Sali Berisha që pretendon se ai është vetëpërjashtuar nga PD-ja për shkak të takimeve që ka zhvilluar.
Gjatë fjalës së tij para demokratëve shkodranë, Salianji u shpreh se Partia Demokratike duhet të reflektojë dhe të përgatitet për të rrëzuar qeverinë aktuale. “Sot duhet të jemi të sinqertë edhe me veten. PD duhet të reflektojë për të rrëzuar Ramën. Shqipëria nuk ndryshon duke kthyer politika të vjetra, figura të konsumuara dhe mentalitete që i kanë zhgënjyer qytetarët vite më parë,” tha ai.
Salianji theksoi se e vjetra ka dështuar sepse ka folur shumë dhe ka vepruar pak, duke u mbyllur në interesa të ngushta. Ai solli si shembull situatën aktuale në PD, duke e lidhur me reagimin e lidershipit demokrat në lidhje me takimet e tij.
“PD ka një statut dhe nuk ka asnjë rast të përjashtimit të dikujt nga partia. Por për shkak se disa zyrtarë dhe punonjës të PD nuk duan që funksionet që kanë të mbahen me punë, ata shpikin marifete dhe termat që nuk ekzistojnë,” tha Salianji.
Ai e quajti këtë situatë si “vetëpërfshirje dhe vetë-aktivizim” dhe nënvizoi se qëllimi i tij është përballja dhe ndryshimi i PD-së. “Ne do ja dalim deri në fund ta ndryshojmë PD. Kjo politikë ka ndryshuar sepse ka harruar se politika është shërbim dhe jo pronë. Ne jemi këtu jo vetëm për PD, por për shtetin e së drejtës dhe politikën e së drejtës,” përfundoi ai. bw