Gazetari Sigfrido Ranucci nuk do të jetë më në drejtimin e emisionit investigativ “Report”. Rai ka vendosur që nga sezoni i ardhshëm programi t’u besohet dy gazetarëve, Giulia Presutti dhe Daniele Piervincenzi, një vendim që ka shkaktuar menjëherë polemika dhe reagime të forta brenda ekipit të emisionit.
Rai e ka zyrtarizuar vendimin përmes një njoftimi, duke deklaruar se “Report” do të hyjë në një fazë të re, me një drejtim të përbashkët nga dy gazetarë të përzgjedhur përmes konkursit të Rai-t.
Sipas kompanisë, zgjedhja e Presuttit dhe Piervincenzit është bërë në emër të profesionalizmit dhe eksperiencës së tyre të krijuar në terren.
Ranuccit, ndërkohë, i janë ofruar tre alternativa për një tjetër pozicion brenda Rai-t. Sipas ANSA-s, bëhet fjalë për një detyrë në RaiNews, në Tg3 ose në një zyrë korrespondence jashtë vendit.
Kush janë drejtuesit e rinj?
Giulia Presutti është prej vitesh gazetare dhe reportere e “Report”. Ajo është e angazhuar kryesisht në gazetarinë investigative dhe në realizimin e investigimeve mbi çështje me interes publik. Në konkursin e Rai-t për gazetarë profesionistë, Presutti u rendit e para.
Daniele Piervincenzi, gjithashtu fitues i konkursit të Rai-t, ka një eksperiencë të gjatë në gazetarinë televizive investigative. Ai ka qenë reporter dhe drejtues i programeve “Nemo – Nessuno escluso” dhe “Popolo Sovrano”, ku ka trajtuar tema sociale, kriminalitetin dhe problematikat e periferive.
Piervincenzi u bë i njohur edhe pas sulmit fizik që pësoi në vitin 2017 gjatë një investigimi në Ostia.
Tre alternativa për Ranuccin
Rai ka deklaruar se propozimet për Ranuccin janë në përputhje me nivelin dhe eksperiencën e tij profesionale, me synimin për të garantuar vazhdimësinë e karrierës së tij brenda kompanisë.
Megjithatë, sipas raportimeve të mediave italiane, gazetarit i janë propozuar një pozicion në RaiNews, një detyrë në Tg3 ose një zyrë korrespondence jashtë vendit. Vetë Ranucci ka reaguar ashpër ndaj vendimit.
“E kam mësuar nga ANSA se Rai më ka pezulluar nga drejtimi i ‘Report’”, shkroi ai në rrjetet sociale, duke e lidhur vendimin me valën e kritikave dhe artikujve të publikuar ndaj tij gjatë muajve të fundit.
Ai theksoi se nuk e konsideron largimin nga drejtimi i emisionit si një lamtumirë.
“E imja nuk është një lamtumirë. Nuk do të drejtoj ‘Report’, por do të drejtoj betejën më të rëndësishme të jetës sime për lirinë e shtypit”, deklaroi Ranucci.
Vendimi i Rai-t ka shkaktuar një tjetër përplasje të fortë me ekipin historik të emisionit. Gazetarët e “Report” e kanë cilësuar vendimin “plotësisht të papranueshëm”, duke kritikuar mënyrën se si është marrë dhe duke deklaruar se nuk janë konsultuar nga drejtuesit e Rai-t.
Ata kanë paralajmëruar se mund të largohen në bllok nga programi, nëse kompania nuk tërhiqet nga vendimi.
“Vendimi i marrë nga Rai është për ne plotësisht i papranueshëm”, thuhet në deklaratën e reporterëve. Sipas tyre, personat e zgjedhur për drejtimin e ri nuk përfaqësojnë historinë dhe vlerat e “Report”.
“Duke qenë se qëllimi i kompanisë duket se është të shkatërrojë historinë dhe integritetin e programit, nëse Rai nuk do të tërhiqet nga vendimi, do të largohemi në bllok nga programi”, kanë deklaruar ata.
Mes emrave që kanë firmosur deklaratën janë Giorgio Mottola, Bernardo Iovene, Paolo Mondani, Giulia Innocenzi, Daniele Autieri, Danilo Procaccianti, Luca Bertazzoni, Walter Molino, Luca Chianca, Emanuele Bellano dhe Claudia Di Pasquale. Panorama