Ish-kryetarja e Gjykatës Liliana Stevanoviq dhe anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nikolla Kabashiq me gjyqtarë dhe punëtorë administrativ pasi kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Doruntina Baliu
Institucionet e ndryshme në Kosovë kanë nisur punën në mbulimin e detyrave të qytetarëve serbë që u dorëhoqën masivisht.
Qindra qytetarë serbë të Kosovës, kryesisht nga katër komunat veriore të vendit, kanë hequr dorë nga pozitat e tyre në institucionet e Kosovës që nga 7 nëntori, në kundërshtim të vendimit për riregjistrimin e targave të veturave.
Dorëheqjet u dorëzuan në institucione si Policia, Gjykata e Prokuroria, Dogana e të tjera.
Edhe përfaqësuesit politikë në nivel lokal u dorëhoqën duke çuar në nevojën për zgjedhje të parakohshme në katër komuna të banuara me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Po ashtu, edhe 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës u dorëhoqën. Zëvendësimi i tyre u bë të mërkurën, më 17 nëntor.
Radio Evropa e Lirë ka mbledhur të dhëna nga institucionet, të cilat janë përballur me dorëheqje të stafit në lidhje me shifrat e dorëheqjeve dhe planet për zëvendësimin e këtyre punëtorëve.
Deri më tani, sipas të dhënave nga institucionet nuk janë hapur konkurse për plotësimin e vendeve nga jashtë, por në shumicë janë bërë rialokime të stafit ekzistues për pozitat që kanë mbetur të zbrazura.
Policia: Zëvendësim gradual
Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media, më 7 nëntor, deklaroi se dorëheqjen e kanë dorëzuar 578 zyrtarë policorë nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Policia e Kosovës ka thënë se pas dorëheqjeve “do të rriten gradualisht kapacitetet policore me zyrtarë të rendit publik, në numër të mjaftueshëm duke u bazuar në nevojat dhe vlerësimet operacionale”.
Ata nuk kanë sqaruar më tej se a do të hapin konkurs të ri në një të ardhme të afërt për zëvendësimin e policëve në atë zonë.
“Policia ka kapacitete të mjaftueshme policore dhe veprimet do t’i ndërmarrë konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve në të gjitha rastet që paraqiten”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Prokuroria: Transfere prokurorësh
Dhjetë prokurorë e 22 punëtorë të administratës, më 7 nëntor dhanë dorëheqje ga Prokuroria.
Kjo Prokurori përfshin territorin e Mitrovicës së Jugut, të Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë.
Ismet Ujkani, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, tha për Radion Evropa e Lirë se dorëheqjet nga ky institucion, “e kanë bërë më të vështirë punën”.
Ai ka treguar se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) që është përgjegjës për rekrutimet e prokurorëve, e ka ndihmuar këtë prokurori me transfere nga jashtë.
“Aktualisht, janë transferuar tre prokurorë prej prokurorive tjera. Prej Prokurorisë së Ferizajit një dhe prej Prokurorisë së Prishtinës”, ka thënë Ujkani.
Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se a do të ketë konkurs për zëvendësimin e prokurorëve, duke thënë se “për çdo veprim që do të merret në lidhje me situatën e krijuar, opinioni publik do të njoftohet me kohë”.
Çfarë thotë ligji për dorëheqjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve?
Me dorëheqjen eventuale të gjykatësve dhe prokurorëve, atyre edhe ligjërisht u përfundon mandati.
Për të krijuar efekte juridike, dorëheqja e një prokurori apo gjyqtari fillimisht duhet të miratohet nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe përkatësisht Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Pas kësaj, Këshilli e dërgon vendimin për lirimin nga puna e gjyqtarit te Presidenca e Kosovës.
Presidenca, brenda 30 ditësh duhet të nxjerrë dekretin për lirimin nga detyra e prokurorit.
E njëjta procedurë vlen edhe për dorëheqjet e gjyqtarëve.
Gjyqësori: Riorganizim stafi brenda gjykatës
Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes se sa është numri total i të dorëhequrve nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
Megjithatë, Bekim Veliqi, nënkryetar i Gjykatës në Mitrovicë tha për REL-in se numri i të dorëhequrve nga gjykata dhe degët e saj arrin në 130.
“I gjithë stafi (serb) që ka qenë, të gjithë kanë dhënë dorëheqje”, tha Veliqi.
Ndër të dorëhequrit është edhe kryetarja e kësaj gjykate, Lilana Stevanoviq.
Nënkryetari Veliqi tha për REL-in se aktualisht kanë bërë vetëm riorganizim të brendshëm për të mundësuar funksionimin e gjykatës.
“Ne jemi riorganizuar vetë si gjykatë, sipas obligimit që na ka rrjedhë nga mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Gjyqësor të Kosovës më 7 nëntor. Kemi bërë lëvizje të gjyqtarëve brenda gjykatës”, sqaroi Veliqi.
Ai theksoi se KGJK-ja e ka caktuar një koordinator që në komunikim me Gjykatën e Mitrovicës, do të përcaktojnë nëse duhet t’i transferojnë lëndët nëpër gjykata të tjera të Kosovës.
“Ne, si gjykatë, jemi të ngarkuar me lëndë të krimeve të rënda. I kemi diku 1400 raste në krime të rënda”, tregoi Veliqi.
Serbët ishin integruar në sistemin e drejtësisë dhe atë të rendit, pasi Kosova dhe Serbia më 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, kishin arritur marrëveshje për një gjë të tillë.
Dogana rialokoi stafin
Me dorëheqje u përball edhe Dogana e Kosovës, nga zyrtarë që punonin në zonat kufitare Kosovë- Serbi në Jarinjë dhe Bërnjak, në veri të Kosovës.
Nga Dogana i kanë thënë REL-it se 11 zyrtarë janë dorëhequr.
“Nëntë nga këta zyrtarë janë të nacionalitetit serb dhe dy boshnjakë”, thuhet në përgjigjen e Doganës.
Sipas përgjigjes së tyre, Dogana ka alokuar staf shtesë në pikëkalimet kufitare për t’i zëvendësuar personat e larguar.
As Dogana nuk i është përgjigjur pyetjes nëse pritet të hapet konkurs për zëvendësimin e zyrtarëve të dorëhequr.
*Video: Dyer të hapura dhe institucione boshe në komunat në veri
KQZ: Ende nuk dihet si do të zëvendësohen të dorëhequrit
Në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), për secilën komunë caktohet nga një udhëheqës i asaj që quhet Komision Komunal i Zgjedhjeve (KKZ).
Sipas Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, KKZ-ja është organ përgjegjës për zbatimin e aktiviteteve zgjedhore brenda territorit të komunës.
KKZ-të përbëhen nga kryesuesi që është i punësuar nga KQZ-ja, si dhe anëtarët që nominohen nga subjektet politike që kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet nacionale, nëse i nënshtrohen pragut zgjedhor.
Në vazhdën e dorëheqjeve, në katër komunat e veriut, dorëheqje dhanë edhe katër kryesuesit e KKZ-ve në ato katër komuna.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke e trajtuar këtë çështje dhe së shpejti do të kemi një njoftim se si do të procedojmë në këtë drejtim”, kanë thënë nga KQZ-ja për REL-in.
KQZ-ja tha se gjithashtu, është në fazën e ndërtimit të trupave zgjedhore, konkretisht Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
“Për këtë qëllim, KQZ-ja u ka dërguar ftesë subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës që t’i dorëzojnë propozimet e tyre për nominimin e anëtarëve në këto komisione komunale deri më 20 nëntor, në orën 16:00”, thuhet ndër tjerash në përgjigjen e KQZ-së.
Kuvendi i Kosovës
Procedura e zëvendësimit ka përfunduar për dhjetë deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – të cilët dhanë dorëheqje në javën e parë të nëntorit.
Të mërkurën, dhjetë deputetë të rinj janë betuar në Kuvendin e Kosovës duke marrë mandatet për të zëvendësuar deputetët e dorëhequr.
Në Kuvendin e Kosovës u betuan nëntë deputetë të Listës Serbe që janë: Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetislav Gjokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajlloviq, Bilana Makshiq, Milan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq, Olivera Zdravkoviq nga Lista Serbe.
Ndërkaq mandat mori edhe Cvetko Velkoviq nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Lista Serbe tha të mërkurën se nëntë deputetët e rinj të kësaj partie u betuan në Kuvendin e Kosovës për të “verifikuar teknikisht mandatet e tyre” dhe “për t’i mbajtur ato në duar të sigurta”.
“Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës dhe Metohisë, me të cilat janë shuar të gjitha institucionet e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.
Komunat e Kosovës në zgjedhje
Presidentja e Kosovës ka shpallur zgjedhjet lokale për katër komunat veriore të vendit, që do të mbahen më 18 dhjetor.
Në valën e dorëheqjeve të serbëve ishin edhe Zoran Todiq, kryetar i Leposaviqit, Srdjan Vuloviq, kryetar i Zubin Potokut, Dragisha Milloviq, kryetar i Zveçanit, si dhe Millan Radojeviq, kryetar i Mitrovicës së Veriut.
Dorëheqje dhanë edhe anëtarët e kuvendeve komunale nga Lista Serbe që janë shumicë në secilën prej katër komunave veriore.
Ligji për zgjedhje parasheh që secili anëtar i Kuvendit Komunal që jep dorëheqje, duhet të zëvendësohet, por institucionet nuk kanë sqaruar se si do të bëhet zëvendësimi i këtyre mandateve tani për tani.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje se sa shërbyes civilë brenda këtyre administrative komunale janë dorëhequr dhe si pritet të vazhdojë funksionimi i tyre tutje.
ATK-ja dhe AVUK-i pa dorëheqje
Jo të gjitha institucionet kosovare që kanë të punësuar të komunitetit serb nga komunat veriore, u përballën me dorëheqje.
Administrata Tatimore e Kosovës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka gjithsej 16 të punësuar nga komuniteti serb në zonën e Mitrovicës së Veriut.
“Prej tyre, tetë janë inspektorë në drejtorinë rajonale të ATK-së në Mitrovicë, si dhe tetë të tjerë në Departamentin e Mbledhjes së Detyrueshme në Prishtinë”, ka thënë ATK-ja.
Megjithatë, ky institucion deri më tani nuk ka pranuar asnjë dorëheqje. “Në rast se do të kemi dorëheqje, do të tentojmë të mobilizohemi, duke zëvendësuar me inspektorë nga regjionet tjera, në mënyrë që mos të kemi ndalim të aktiviteteve”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.
Edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se ka të punësuar 17 zyrtarë të komunitetit serb dhe prej tyre “14 janë nga komunat veriore”.
“Deri më tash nuk kemi pranuar asnjë njoftim apo paralajmërim për dorëheqje nga ana e tyre”, ka thënë AUV për Radion Evropa e Lirë.
“Problemi që kërkon zgjidhje politike”
Albert Krasniqi, nga Organizata Demokraci Plus (D+) mendon se zëvendësimi i të larguarve nga institucionet e Kosovës dhe sidomos në nivel politik, duhet të bëhet me kujdes.
“Është vështirë tani që institucionet e Kosovës të gjejnë zgjidhje përmes një rruge juridike sepse i gjithë ky problem kërkon një zgjidhje politike, në mënyrë që përfaqësimi i komunitetit serb në institucionet e Kosovës të jetë përmbajtësor”, thotë ai.
Krasniqi thotë se në strukturat e sigurisë si dorëheqjet në Polici, “‘do të jetë një proces më i gjatë i zëvendësimit”.
Ndërkohë, sipas Krasniqit, ftesa për serbët që t’i marrin ulëset në përfaqësim politik sikurse në Kuvendin e Kosovës, duhet bërë duke pasur parasysh edhe sigurinë e tyre.
“Në institucionet tjera si në Kuvendin e Kosovës, është me rëndësi që edhe ata që i marrin këto ulëse, të mos përballen me presion”, thotë ai.
Ndërkohë, Lista Serbe – e vlerësuar si partia kryesore e serbëve në Kosovë – tha se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e shpallura për katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Dushan Radakoviq, nga organizata joqeveritare Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike, për REL-in ka thënë më 15 nëntor se zgjedhjet parakohshme në veri mund të organizohen, porse ato nuk do të kenë legjitimitet pa pjesëmarrjen e komunitetit serb.
Dorëheqjet e serbëve erdhën në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Qeveria e Kosovës nga 1 nëntori ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targa RKS, Republika e Kosovës.
Faza e dytë do të zbatohet nga 21 nëntori dhe parasheh gjoba deri në 150 euro për të gjithë shoferët e automjeteve me targa ilegale serbe.
Qytetarët e Kosovës kanë filluar të bojkotojnë produktet me origjinë nga shteti i Serbisë, meritë për këtë është fushata e filluar tash e sa muaj kundër produkteve serbe, e cila duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mediet ka arritur që të mobilizojë në masë të madhe qytetarët që të mos blejnë prodhime serbe.
Rreth kësaj fushate qytetarët u shprehën se e përkrahin fuqishëm bojkotimin e produkteve serbe dhe për më tepër kërkojnë largimin e tyre nga tregu kosovar.
Këtë dëshirë, e pati qytetari Kadri Hasani, i cili e fajësoi qeverinë dhe marketet tona të cilat sipas tij po furnizohen me produkte serbe.
“Personalisht nëse e di jo, por të gjithë po i blejnë, hyn shikoje në markete të gjitha i ke 70-80% , të gjithë i blejnë … Këta duhet t’i uzurpojnë këta që i blejnë, jo konsumatorët, se konsumatori ka ndonjë që nuk e din, nuk e sheh, unë nuk e shoh, p.sh, e marrë kur ta dërgojë në shtëpi, e shoh të Kragujevcit, Nishit, Beogradit, andej… por fajin e kanë këta që i marrin, këta duhet në doganë me i ndalë, dhe jo me ndalë qytetarin, çka din ky pa shkollë, çka din katunari kur të hynë aty , kush e prodhon, si intereson prodhimi… Gjë më të keqe në botë nuk ka, veç njerëzit nuk kanë ku shkojnë, sjellje më të keqe nuk ka. Për çmime spo flasim, tërë natën merren vesh, se qysh t’i shtrenjtojnë çmimet. Merre me mend, ujin kur e shtrenjtojnë, në këtë krizë, që ishte katastrofë, ishte 30 cent, e kishin bërë 70 cent. Ku ka në rruzullin tokësor një ujë 30 cent të shitet barabartë me një qumësht”, u shpreh Hasani.
Fahriu, është një qytetar tjetër i cili ka dyshime se shpesh qytetarët po mashtrohen nga marketet kosovare, kështu duke i mbuluar produktet serbe në kuadër të atyre që janë prodhim i Kosovës. Ai thotë se duhet të kemi kujdes ndaj këtyre mashtrimeve.
“Unë konkretisht nuk i blej produktet serbe, e di të kujt janë, për atë nuk i blej . Edhe pse jam me syze, e kam marrë edhe llupen me vete për me mujt me pa ma mirë, se ka vende që po i fshijnë ose po qesin ushqime përmbi produkte, që të na mashtrojnë, kinse është prodhim ose i Shqipërisë ose diçka tjetër, por veç serbët dinë të bëjnë këto gjëra, por duhet të kemi kujdes”, tha Fahriu. Gjithashtu, ai u shpreh se me këtë veprim që ne po bëjmë, duke i blerë produktet serbe, ne nuk po i japim të holla Serbisë, por plumba kundër neve.
Enver Halimi, kritikon qeverinë e Kosovës, në lidhje me këtë çështje. Ai thotë se qeveria duhet ta gjejë mënyrën se si të furnizohet me produkte në mënyrë që mos t’i blejmë ato serbe.
“Të them të vërtetën unë nuk i blej, dhe nuk duhet ti blejmë produktet serbe ne shqiptarët. E familjarët disa po disa jo. Qeveria duhet ta gjejë mënyrën se a mundet të sjellë produkte prej një vendi tjetër, e më pas të thotë që mos t’i blejmë, mirëpo, ne mundemi të mos i blejmë ato”, tha Halimi.
I pyetur se a di që të dallojë një produkt të Serbisë, në mënyrë që ta evidentojë dhe mos ta blejë, ai tha se në bazë të flamujve dijnë ta dallojë, ani pse ka pasur raste kur kanë ndodhur falsifikime nga ana e marketeve, të cilat sipas tij duhet dënuar.
Fushata kundër bojkotimeve serbe, ka filluar qysh nga shtatori i vitit të kaluar, dhe po vazhdon edhe sot.
Kur jemi tek mallrat, cilësia dhe siguria e tyre në tregun kosovar, Inspektorati i Tregut në vazhdën e inspektimeve të intensifikuara ka kryer edhe inspektime lidhur me verifikimin e sasisë dhe peshës së produkteve nëpër operatorët ekonomik në Republikën e Kosovës, ku ka konstatuar se një vaj ushqimor, i prodhuar në Serbi, nuk e plotëson kriterin e mesatares për sasi siç e parasheh rregullorja 03/2020 për produktet e parapaketuara. /kp
Xhamia e Madhe në Prishtinë. Sipas të dhënave zyrtare, 95 për qind të popullsisë së Kosovës që i takon besimit islam. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Bekim Bislimi
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 25 janar, nuk përmban ndryshime të mëdha dhe rrënjësore, krahasuar me projektligjet e miratuara nga qeveritë e kaluara, vlerësojnë përfaqësues të bashkësive fetare.
Sociologu i religjionit, Ismail Hasani, në anën tjetër, thotë se në këtë projektligj ka mjaft terme të ngatërruara, të cilat më vonë mund të nxjerrin probleme.
Megjithatë, në rast se projektligji miratohet nga Kuvendi i Kosovës, bashkësitë fetare ligjërisht do të mund ta sigurojnë statusin e tyre juridik, i cili me Ligjin për lirinë fetare – i miratuar në vitin 2006 – nuk është përcaktuar.
Projektligji i miratuar së voni njeh ekzistencën e shtatë bashkësive fetare në Kosovë, të cilat përbëjnë trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit.
Ato janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia e Besimit Hebrej, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, Bashkësia e Tarikateve të Kosovës dhe Komuniteti Bektashian i Kosovës.
Projektligjet e miratuara në vitin 2020, 2017 dhe 2014, që nuk janë shndërruar në ligj për shkak të mungesës së votave në Kuvendin e Kosovës, kanë njohur ekzistencën e gjashtë bashkësive fetare, duke mos e përfshirë si të veçantë Komunitetin Bektashian të Kosovës.
Shumica e këtyre bashkësive e shohin projektligjin e ri si mjaft liberal. Por, kanë edhe vërejtje dhe mospajtime, të cilat, siç thonë, i kanë shprehur edhe gjatë shqyrtimit publik të tij, në dhjetor të vitit të kaluar.
BIK: Projektligji mundëson fraksione brenda një bashkësie
Të gjitha bashkësitë fetare pajtohen në një pikë – se duhet të ketë një ligj që e njeh statusin e tyre juridik.
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila ka për qëllim organizimin e jetës fetare të 95 për qind të popullsisë së Kosovës që i takon besimit islam, konsideron se projektligji i miratuar nga Qeveria e Kosovës më 25 janar, nuk është varianti që është pritur nga kjo bashkësi.
Ramadan Shkodra, përfaqësues i BIK-ut, thotë se kjo bashkësi ka kërkuar që të ruhet sistemi unitar brenda bashkësive fetare. Por, sipas tij, projektligji aktual, nëse miratohet si ligj, do të mundësojë krijimin e shumë fraksioneve brenda një bashkësie.
“Ne jemi në favor të asaj që të njihet ana historike e bashkësive fetare, të njihet rruga e formimit të bashkësive fetare. Ne jemi ‘për’ që çdo qytetari të Kosovës t’i garantohet liria e besimit. Por, liria e organizimit është krejt diçka tjetër. Me këtë ligj, në Kosovë do të kemi shumë telashe. Nesër mund të kemi bashkësi të këtyre ideologjive ekstremiste. Për anakronizëm, vetë Qeveria e Kosovë i ka ndaluar OJQ-të [organizatat joqeveritare] me baza fetare. Ndërkaq, tani krijon rehati që të krijohen shumë bashkësi fetare të një besimi”, thotë Shkodra për Radion Evropa e Lirë.
Në nenin 7A të projektligjit të ri thuhet se në Kosovë “mund të regjistrohen edhe bashkësi të reja fetare”, përmes kërkesës për regjistrim, si dhe me kushtin që kur regjistrohen “i kanë së paku 100 anëtarë” shtetas të Kosovës, të moshës madhore.
Kisha Katolike: Vërejtje lidhur me inspektimet financiare
Nga Kisha Katolike thonë se ky projektligj, në parim, është i pranueshëm.
Don Shan Zefi, kancelar ipeshkvor i Kosovës, thotë se si ipeshkvi kanë dhënë sugjerime dhe se një nga vërejtjet e tyre ka pasur të bëjë me çështjet ligjore të inspektimit të të hyrave dhe daljeve financiare të kishës.
“Aty i kemi pasur vërejtjet tona, sepse, në qoftë se investon Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës atëherë ka të drejtë për rishikimin e të hyrave dhe daljeve. Ndërkaq, ato që janë ekskluzivisht brenda kishës, siç janë ofertat brenda kishës nga besimtarët… Ne nuk e kemi pranuar këtë çështje”, thotë kancelari ipeshkvor i Kosovës.
Brenda katedrales Nëna Terezë në Prishtinë.
Në Nenin 12B të projektligjit, i cili përcakton raportimin financiar, thuhet se të gjitha bashkësitë fetare “janë të obliguara që deri më 31 mars të vitit pasardhës, t’i dërgojnë pasqyrat financiare të audituara për vitin paraprak”.
KOS: Nuk patëm mundësi të konsultohemi për projektligjin
Kisha Ortodokse Serbe (KOS), në dhjetor të vitit 2022, ka dërguar dy përfaqësues të saj në konsultimet e organizuara nga Qeveria e Kosovës lidhur me projektligjin, por ata “nuk kanë mundur të kenë qasje të plotë në këto konsultime dhe as t’i japin sugjerimet e veta”, për shkak se atyre “nuk u është siguruar përkthimi në gjuhën serbe, siç parashihet edhe me ligj”. Kështu thotë Millosh Periq, sekretar i Dioqezës së Prizrenit, në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.
“Ne jemi duke punuar në analizën e draftit të ri dhe avokatët tanë do të konsultohen me ekspertët përkatës, si dhe me përfaqësues ndërkombëtarë. Projektligji për të cilin Kisha jonë ra dakord para disa vitesh dhe ishte aktual deri vonë, u ndryshua në disa pika të rëndësishme, ndërsa ne nuk patëm mundësi të shprehim kundërshtime apo të konsultohemi për të”, thotë Periq.
Ai shton se, megjithatë, është mirë që në projektligjin e ri, ashtu sikurse edhe në atë të vitit 2020, Kisha Ortodokse Serbe është regjistruar me emrin e saj ligjor, i cili është i pranuar edhe në Kushtetutën e Kosovës.
Sipas tij, ligji do të garantojë paprekshmërinë e strukturës së brendshme të të gjitha bashkësive fetare, përfshirë edhe Kishën Ortodokse Serbe.
“Kjo do të thotë se Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë është një entitet i pandashëm me Kishën Ortodokse Serbe, selia e së cilës është në Beograd”, thotë Periq.
Video nga arkivi: Universiteti i Prishtinës dhe Kisha Ortodokse Serbe po përballen në gjykatë lidhur me të drejtën e shfrytëzimit të tokës, ku gjendet edhe kisha e papërfunduar ortodokse
Marrë parasysh se regjistrimi për komunitetet tradicionale fetare është automatik, ai thotë se Kisha Ortodokse Serbe “nuk do të kalojë në procesin e regjistrimit”, por se “subjektiviteti dhe vazhdimësia e saj ligjore në këto fusha do të njihen automatikisht”.
Në projektligj, në nenin 4A, pika 2, thuhet se shtatë bashkësive fetare, të cilat janë specifikuar, u pranohet statusi i personit juridik.
Ndërkaq, në nenin 7A, pika 1, thuhet se “bashkësitë fetare nuk janë të detyruara të regjistrohen dhe të pranojnë statusin e personit juridik kundër vullnetit të tyre”.
Periq thotë se qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe mbi projektligjin do të varet nga vlerësimi i ekspertëve për çështje juridike dhe fetare, me të cilët kjo kishë është duke u konsultuar. Ky qëndrim, më pas, do të jetë edhe bazë për deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës se si do të votojnë.
Marrë parasysh që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare është me rëndësi vitale, atëherë ai kërkon dy të tretat e votave të dyfishta të deputetëve, që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Kosovës. Komuniteti serb ka dhjetë ulëse të garantuara në Kuvend.
KPUK: Projektligj liberal me “detyrim skandaloz”
Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës (KPUK) e vlerëson si mjaft demokratik dhe liberal Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare. Por, kryetari i kësaj kishe, Femi Cakolli, thotë se ai nuk saktëson se kush i siguron parcelat për të gjitha bashkësitë fetare, me trajtim të barabartë.
Gjithashtu, thotë Cakolli, në projektligj nuk është futur sugjerimi që personat joshtetas të Kosovës që vijnë në vend për çështje besimi, të njihen si misionarë ose varësisht emërtimeve që mund t’ua japin bashkësitë fetare.
Projektligji aktual, sipas tij, trajton edhe një çështje, e cila në formën siç është përcaktuar, rrezikon të cenojë ruajtjen e besimit ndërmjet klerikut dhe besimtarit të krishterë, me rastin e “pendimit-rrëfimit”.
Pamje nga procesi i rrëfimit para priftit. Fotografi ilustruese nga arkivi.
“Aty, në mënyrë të prerë, thuhet se klerikët e bashkësisë fetare detyrohen të bashkëpunojnë me organet e ndjekjes për një të dyshuar. Mendoj se ky është rasti më skandaloz që mund të ekzistojë në këtë formë, sepse ‘detyrimi’ nuk do të duhej të ishte në këtë mënyrë dhe që shteti ose Qeveria të flasë me këtë gjuhë, apo ligjvënësit. Ne ia kemi bërë vërejtjen Qeverisë. Këtu mendoj se shteti ka shkuar përtej asaj sesi funksionon një bashkësi fetare. Por, ne pajtohemi që kur ka një vendim gjykate për një person që rrezikon sigurinë, që është për terrorizëm, për shëndet publik, etj…”, thotë Cakolli për Radion Evropa e Lirë.
Ai i referohet nenit 12 A, pikës 4 të projektligjit, ku thuhet: “Të gjitha bashkësitë fetare/kishat janë të detyruara të bashkëpunojnë me prokurorin e shtetit, gjykatat dhe organet e tjera kompetente që marrin pjesë në procedurat penale në lidhje me veprat penale (të ndryshme)”.
BTK: Pa regjistrimin e bashkësive fetare, Kosova nuk e njeh veten
Lulzim Shehu, sekretar i përgjithshëm i Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës (BTK), vlerëson se projektligji aktual nuk ka ndryshime esenciale, në krahasim me tri projektligjet e miratuara nga qeveritë paraprake të Kosovës.
Ai thotë se në procedurë të përpilimit të projektligjit nuk ka pasur probleme.
“Unë shpresoj që ky ligj do ta plotësojë një vakum, në të cilin Kosova, në të vërtetë, nuk e njeh vetveten. Nuk do të thotë që dikush nga jashtë të të njohë. Kosova nuk e njeh veten, me vetë faktin që nuk ka pasur mundësi që bashkësitë fetare të regjistrohen”, thotë Shehu për Radion Evropa e Lirë.
Dervishët gjatë një ceremonie fetare në Prizren. 21 mars 2013.
Hasani: Ngatërrim i termeve dhe emërtimeve
Profesori i sociologjisë së religjionit në Prishtinë, Ismail Hasani, vlerëson se projektligji në fjalë – me përjashtim të disa risive rreth mënyrës së organizimit të bashkësive fetare – nuk shkon përtej ligjit të miratuar në vitin 2006, si dhe projektligjeve që janë miratuar nga qeveritë deri në vitin 2020.
Në sfondin e bashkësive fetare, sipas tij, është shtuar Bashkësia e Komunitetit Bektashian, e cila më herët ka qenë në kuadër të Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës.
Gjithashtu, sipas tij, në projektligjin aktual nuk është shënuar asnjë hap më tej në përkufizimin e Kishës Ortodokse Serbe.
Hasani vlerëson se në projektligj ka terminologji të ngatërruar ndërmjet etnisë, bashkësive fetare dhe besimeve.
Sipas tij, përkufizimi i Kishës Ortodokse është ngatërruar me termin Kishë Ortodokse Serbe, duke i dhënë një entiteti edhe ndajshtesën e etnisë.
Ai thotë se është i vetëdijshëm që në këtë pikë ekziston sfondi politik i kësaj çështjeje, për shkak të përfshirjes së Kishës Ortodokse Serbe në Dokumentin e Ahatisarit – në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës në vitin 2008 – por edhe në hartimin e Kushtetutës së Kosovës.
“Do të ishte element civilizues që Kisha Ortodokse në Kosovë të mos e merrte ndajshtesën e elementit etnik, sepse Kishës Ortodokse mund t’i takojnë edhe njerëzit që nuk janë të entitetit etnik serb”, thotë Hasani.
Ai shton se ndajshtesën e natyrës etnike e ka marrë edhe Bashkësia e Besimit Hebrej.
Por, sipas tij, “nuk ekziston besimi hebre, por vetëm përkatësia etnike hebreje” dhe “besimi quhet judaizëm”.
Siç thotë Hasani, emërtimi në ligj “Kishë Katolike” gjithashtu krijon konfuzion, sepse ekzistojnë shumë kisha katolike. Ai thotë se, në këtë rast, është dashur të shtohet ndajshtesa e shtetit – përkatësisht “Kisha Katolike – Ipeshkvia e Kosovës” – ashtu siç është bërë me Bashkësinë Islame të Kosovës ose Kishën Protestante Ungjillore të Kosovës.
Për më tepër, thotë Hasani, nga Bashkësia e Tarikateve të Kosovës ka dalë një bashkësi tjetër që emërtohet Komunitet Bektashian i Kosovës, ndërkohë që “bektashinjtë i takojnë njërit prej 12 tarikateve që veprojnë në Kosovë”.
Hasani, po ashtu, thotë se është kundër kriterit që përcakton se për themelimin e një bashkësie fetare janë të domosdoshëm 100 persona. Sipas tij, theksi është dashur të bjerë më tepër në plotësimin e kritereve të tjera.
“Tani ky është sekret publik, pra paraqitja e grupeve të ndryshme ekstreme, që shpërfaqen jo vetëm në Kosovë, por gjithandej ku ka vende të krizave – pjesëtarë të entiteteve të ndryshme etnike, refugjatë të ndryshëm, të cilët janë të strehuar përkohësisht në Kosovë… Këto, pastaj, e ngatërrojnë gjithë situatën. Do të thotë, në pikëpamje ligjore, ne mund të jemi në rregull nëse përmbushet ky kriteri i numrit 100. Por, shtrohet pyetja se kush janë ata 100 persona? Ky është problemi”, thotë Hasani.
Sipas tij, në disa pika të projektligjit shpërfaqet edhe tendenca e përzierjes së institucioneve ose shtetit në rituale të caktuara të bashkësive fetare, që, në fakt, janë kompetenca rigoroze të këtyre bashkësive.
Për këtë arsye, siç thotë Hasani, projektligjit duhet t’i shtohet preambula, që specifikon se “Republika e Kosovës është shtet laik”.
Përfaqësuesit e bashkësive fetare në Kosovë shprehen skeptikë për miratimin e këtij projektligji në Kuvend, për shkak se nevojiten dy të tretat e dyfishta të votave të deputetëve të komuniteteve joshumicë, të cilat vështirë mund të sigurohen nëse deputetët e komunitetit serb janë kundër.
Se kur do të arrijë projektligji në Kuvend, nuk është ende e qartë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se me ftesë të presidentit të Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadorin e Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi dhe ish Kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka të premten ishin në një vizitë pune në qytetin historik të Stambollit.
“Përgjatë takimit dhe darkës së punës biseduam për raportet tona miqësore dhe për mënyrat sesi mund t’i thellojmë e forcojmë ato, – tregoi Kurti. – Diskutuam edhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar dhe të sigurisë e mbrojtjes.
I jemi përherë mirënjohës Turqisë për mbështetjen e pakursyer në çdo etapë të ndërtimit të shtetit tonë e shumë fusha të zhvillimit të tij. Presidentin Erdogan e falënderova për mikpritjen e përzemërt dhe për përkrahjen e zëshme të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Këshillin e Evropës.” syri.net
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani po vazhdon takimet e saj zyrtare në Islandë. Në takimet që pati sot me kryetarin e Kuvendit të Islandës Birgir Ármannsson dhe ministren e Jashtme, Thórdís Kolbrún Reykfjörd Gylfadóttir, Osmani tha se diskutuan thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona, si dhe rëndësinë e avancimit të rrugës euroatlantike për Kosovën.
“Kosova dhe Islanda ndajnë idealet e njëjta të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit, prandaj në këtë frymë, – theksoi Osmani, – në takimet me lidershipin e Islandës potencova rëndësinë vendimtare që Kosova t’i bashkohet Këshillit të Evropës dhe të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e këtyre vlerave.’ syri.net
Kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, janë relativisht të pranueshme, përveç njërës që mund të jetë më problematike, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë, Agon Maliqi dhe Artan Muhaxhiri.
Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, vlerëson se Kurti, dëshiron të imponojë qëndrimin se Asociacioni duhet të përfshijë vetëm katër komuna në veri të Kosovës.
Kurti, i cili deri tani ka kundërshtuar fuqishëm krijimin e Asociacionit njëetnik, të enjten shpalosi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushtet për formimin e tij.
Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.
Kurti po ashtu ka kërkuar që të shuhen strukturat ilegale në veri dhe të bëhet dorëzimi i armëve, si dhe Serbia të tërheqë letrat dërguar pesë shteteve mosnjohëse të BE-së për mospranimin e Kosovës në bllokun evropian. Kurti kushtëzoi themelimin e Asociacionit edhe me përfshirjen e tij në një marrëveshje eventuale finale me Serbinë, dhe të zbatohet pas njohjes së ndërsjellë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka cilësuar “përrallë” kushtet për Asociacionin. Në një seancë të Kuvendit të Serbisë, gjatë diskutimeve për Kosovën, Vuçiq ka thënë se Kurti në fakt “nuk do të formojë Asociacionin”.
Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë nënshkruar më 2013 marrëveshjen për formimin e Asociacionit, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Më 2015 është nënshkruar një marrëveshje tjetër, për siç është thënë, parimet e këtij Asociacioni.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se 23 pika të Marrëveshjes mbi parimet për themelimin e Asociacionit, nuk ishin në harmoni me aktin më të lartë juridik të shtetit. Por, gjykata tha se ato mund të harmonizohen.
“Hap përpara i Kurtit”
Maliqi thotë se qëndrimi i shprehur nga Kurti është hap përpara dhe mundësi që të lëvizet nga pozicioni “i ngurtë” i kreut të Qeverisë kosovare sa i përket Asociacionit.
“Është një lëvizje e pozicionit në kuptimin se tashmë Asociacioni bëhet i pranueshëm. Është një ‘po’ e kushtëzuar. Kushtet janë reale, në kuptim që janë pozicion i arsyeshëm fillestar i Kosovës. Mendoj se brenda atyre kushteve ka hapësirë që të arrihet deri te një lloj asociacioni që është i pranueshëm”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.
Për njohësin e çështjeve politike, njëherësh profesorin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Artan Muhaxhirin, deklaratat e Kurtit për Asociacionin janë një evoluim i pavullnetshëm politik, por megjithatë, sipas tij, ato paraqesin një mesazh të fortë për bashkësinë ndërkombëtare.
Ai thotë se pas këtyre deklaratave ekziston gatishmëria që të lëvizet nga qëndrimet bllokuese dhe të kërkohen gjetje kreative, që të arrihet deri te një pikë që është e përshtatshme për të gjithë.
“…sepse vetëm me këtë qasje mund të normalizohen raportet e dëmtuara me aleatët tanë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Është një ndryshim shumë i rëndësishëm sepse tregon një nivel tjetër të komunikimit të temës së Asociacionit, pasi më nuk është refuzim automatik, siç ishte deri më tani”, thotë ai.
Muhaxhiri shton se Kurti tashmë ka krijuar hapësirë që të bisedohet për Asociacionin, bazuar në kërkesat e tij.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të formojë Asociacionin.
SHBA-ja ka kërkuar nga Kurti që të paraqesë vizionin e tij për Asociacionin, duke thënë se dëshiron që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe jo të krijojë një Republika Sërpska, sikurse në Bosnje e Hercegovinë.
Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, vlerëson se Kurti, duke vënë kushte për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, po tenton ta imponojë qëndrimin se Asociacioni duhet të përfshijë vetëm katër komuna në veri të Kosovës dhe jo dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe që gjenden në gjithë Kosovën.
Në bazë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, Asociacioni do të duhej të përfshijë dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
“Kjo do t’i jepte një mundësi Qeverisë së Kosovës që më në fund të dalë me një propozim për integrim. Asnjë nga qeveritë e Kosovës nuk ka pasur program për integrim, kanë vetëm një program të largimit të institucioneve serbe dhe arritjes së sovranitetit të plotë. Unë i kuptoj, por është një politikë joproduktive”, thotë Janjiq.
Cili është kushti problematik?
Pavarësisht se disa nga kushtet e vendosura nga Kurti janë të pranueshme, ajo që Asociacioni të jetë në kuadër të marrëveshjes finale dhe të zbatohet pas njohjes së ndërsjellë, po shihet si problematike.
“Kjo mund të jetë problematike për shkak të rrethanave, për shkak të kontekstit të komplikuar gjeopolitik. Nuk mund të pritet që Serbia ta njohë në mënyrë të thjeshtë Kosovën. Por, me siguri duhet të bëhet ndonjë modalitet kreativ, në mënyrë që të gjendet një mes ku Serbia do të pranonte ekzistencën e shtetit të Kosovës”, thotë Artan Muhaxhiri.
Maliqi, ndërkaq, vlerëson se disa nga kushtet e vendosura nga Kurti nuk janë as kushte, pasi “janë të nënkuptuara në marrëveshjet, qoftë ato ekzistuese apo edhe në draftet që kanë qarkulluar”.
Pse ndryshoi qëndrimin kryeministri Kurti?
Agon Maliqi thotë se Kurti ka vlerësuar se Kosova gjendet në një pozicion që nuk mund ta shtyjë më temën e Asociacionit. Kjo, sipas tij, mund të jetë edhe për shkak të garancive që kryeministri mund të ketë marrë nga aleatët që procesi të shkojë përpara, ose edhe nga frika se mund të ketë masa ndëshkuese, qoftë për Kosovën, apo edhe për të personalisht, në aspektin politik.
“Pra, është modifikim i qëndrimeve, që ndoshta buron nga ‘mbështetja për muri’ dhe mungesa e hapësirës së mëtejme manovruese”, thekson ai.
Ndërkaq, Muhaxhiri mendon se ky ndryshim qëndrimesh ka ardhur si pasojë e presioneve të faktorit ndërkombëtar.
“Kryeministri Kurti e dinë se më këtë qasje nuk mund të ketë një qeverisje normale në të ardhmen. Ose duhet të japë dorëheqje ose të ndryshojë qëndrim. Duket se ka zgjedhur opsionin e dytë, pra modifikimin e qëndrimit, një lloji evoluimi në raport me gjithë situatën”, vlerëson ai.
SHBA-ja e ka vlerësuar si prioritet kryesor formimin e Asociacionit dhe për këtë çështje ka organizuar edhe një diskutim më 31 janar.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.
SHBA-ja dhe BE-ja së fundmi kanë shtuar përpjekjet e tyre për të dinamizuar procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga Brukseli.
Dialogu Kosovë-Serbi, që ka nisur më 2011, synon normalizimin e plotë të raporteve mes dy shteteve.
Pavarësisht se Kosova thotë se në këtë proces nuk diskutohet për statusin e saj, Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet në Prishtinë duhet ta kuptojnë se zgjidhja e statusit të Kosovës është në fakt zgjidhja e statusit të komunitetit serb.
“Komuniteti serb në Kosovë nuk mund të trajtohet si një nga minoritetet. Është thjesht një pakicë shumë e rëndësishme që Kosova të bëhet shtet. Është një problem themelor që nuk kuptohet dhe Beogradi shpesh e keqpërdor”, thotë Janjiq.
Përderisa Kosovës dhe Serbisë u është ofruar një plan për normalizimin e raporteve, që njihet si plani evropian, dy shtetet kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të procesit të dialogut. Kosova këmbëngul që një marrëveshje eventuale përfundimtare të përfshijë njohjen e ndërsjellë, por për Serbinë njohja është “vijë e kuqe”, teksa Beogradi insiston që dialogu të përmbyllet me një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
Duke folur për kërkesën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, u tha partive opozitare që të qëndrojnë “bashkë dhe unik për Kosovën, pavarësisht gjithçkaje që na kërkohet”.
Kështu tha ai gjatë seancës së 2 shkurtit në Kuvendin e Kosovës.
Ai u është drejtuar deputetëve opozitarë duke i pyetur nëse janë për themelimin e Asociacionit.
“A na tregoni ju a jeni për ‘Zajednicën’ [Asociacionin]? Jo çka po thotë Serbia, jo çka po thonë e kërkojnë negociatorët, por a e doni ju për Kosovën tonë, tash dhe në të ardhmen, Zajednicën e presidentit serb [Aleksandar] Vuçiqit? Kjo është pyetja”.
“A duam të jemi bashkë dhe unik për Kosovën, pavarësisht gjithçkaje që në kërkohet. Le të qëndrojmë bashkë: Jo Zajednicës, jo Vuçiqit brenda Kosovës dhe jo ndarjes së Kosovës në baza etnike”, tha ai.
Dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se themelimi i “Asociacionit njëetnik në Kosovën me Kushtetutë shumetnike nuk është i mundshëm”.
Ambasada amerikane në Prishtinë organizoi të martën një diskutim të mbyllur për Asociacionin.
Pas takimit, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.
Hovenier tha se SHBA-ja pret që “Kosova t’i përmbushë obligimet e saj”.
“Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që ta ofrojë vizionin e saj për Asociacionin, që beson se mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, multietnik, demokratik, dhe siguron të drejtat e pakicave në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha Hovenier.
Marrëveshja për formimin e këtij asociacioni është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.
Serbia, në anë tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht nga palët që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për Asociacionin.
Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çettës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.
Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë, shkruan RTK.
Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigje Millosheviqit për vetë emërimin si “kral” i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i paevitueshëm.
Kjo lëvizje u emërua si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetar u zgjodh Ibrahim Rugova. Ai kishte pranë vetes edhe njerëz të njohur si atdhetar. Askush nuk luftonte për bajraktarizëm por për atdheun, shkruan KosovaPress.
Kjo rini e shëndoshë pa hezitim timonin e pajtimit ua dhuroi Anton Çettës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbar trojet tona etnike.
Njerëzit në atë kohë në krye me Anton Çettën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh…pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për tu bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin.
Faleshin për hatrin e atdheut. Në këto tubime madhështore që organizoheshin anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit e n´Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte kris ora më e madhe e historisë sonë. Falje të gjaqeve vazhdojmë të kemi edhe tani.
Më 1 shkurt 1990, plot 33 vite më parë, duke demonstruar për lirinë e Kosovës në fshatin Lupç i Poshtëm, Elfete Humolli ra dëshmore e lirisë, e vrarë nga policia serbe. Atë ditë, ajo ishte e shoqëruar me vëllain e saj Mentorin, që 9 vite më pas do të binte dëshmor po sikur motra e tij.
Nga ky përvjetor, Elfete dhe Mentor Humolli do të mund të nderohen edhe te kompleksi memorial i ngritur për kujtim të tyre në Lupç të Poshtëm. Aty nderuam sot bashkë me Nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevcin, para se të vizitonim familjen Humolli, për të kujtuar Elfeten dhe Mentorin edhe pranë nënës Sevdije, nënës së këtyre dy dëshmorëve.
Atë ditë, më 1 shkurt 1990, fushat pranë rrugës magjistrale Prishtinë – Podujevë në Lupç të Poshtëm, ishin mbuluar nga gazi lotsjellës i hedhur nga policia e Serbisë, kundër mijëra demonstruesve shqiptarë nga fshatrat e kësaj ane të Llapit, që po thërrisnin për demokraci, përballë pushtetit të Serbisë që po i përndiqte shqiptarët në Kosovë duke i diskriminuar etnikisht dhe duke i shtypur egër politikisht. Ishte dita e dytë që banorët e këtyre anëve po demonstronin për të drejta politike, për liri dhe kundër shtypjes nga regjimi serb. Një ditë më parë, teksa po shpërndaheshin në mbrëmje, shumë demonstrues kishin bërë homazhe te varri i Afrim Zhitisë në fshatin Lluga.
Në demonstratën e 1 shkurtit 1990, policia serbe shtiu me breshëri në drejtim të demonstruesve duke goditur katër prej tyre: Elfete Humolli vdiq nga plagët në vend, kurse Eset Kaçiu, Ismet Krasniqi dhe Avni Retkoceri mbetën të plagosur.
E lindur më 15 shkurt 1973, Elfete Humolli u vra dy javë para se të bëhej 17 vjeçe. Atë ditë, Elfetja ishte agjërueshëm dhe para frymës së fundit, kishte pyetur për vëllanë e saj 13 vjeçar: “Ku është Mentori, a ka shpëtuar?”
Siç shihet edhe në fotografitë e asaj kohe, mbi 10 mijë njerëz nga gjithë Kosova morën pjesë në varrimin e Elfete Humollit, ndërsa në muajt në vazhdim, dhjetëra mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare vizituan familjen Humolli në Lupç të Poshtëm për të shprehur ngushëllime dhe mbështetje.
Atë kohë, shumë media botërore realizuan reportazhe duke e bërë rastin e Elfete Humollit të njohur edhe ndërkombëtarisht në publikun botëror. Do të duheshin edhe 9 vite për t’u përgjigjur ndryshe në pyetjen e fundit të vajzës trime, dëshmores Elfete Hymolli. Pas datës 21 mars 1999, vëllai i saj Mentori nuk do të ishte më veçse si dëshmor i lirisë, i vrarë gjatë luftimeve në Koshare.
Në rrugën e gjatë të popullit të Kosovës për t’u çliruar nga Serbia pushtuese, të ardhur nga dy rrugë të ndryshme, liria si destinacion i bashkoi motër dhe vëlla: Elfeten demonstruese për çlirim dhe Mentorin luftëtar të UÇK-së, që ranë bashkëdëshmorë për lirinë e Kosovës. Lavdi Elfete Humollit! Lavdi Mentor Humollit sikur edhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës.
Në Kosovë janë strehuar katër gazetarët e parë afganë, një muaj pasi Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për t’iu ofruar strehim atyre.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) njoftoi se në Kosovë kanë arritur gazetarët Amina Omid, Ahmad Shaker, Nimatullah Gholami dhe Raifullah Nikzad, të cilët do të strehohen në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”.
Më 28 dhjetor të vitit 2022, Qeveria e Kosovës miratoi buxhetin prej 30 mijë eurosh për strehimin e gazetarëve afganë. Ekzekutivi tha se Kosova do të pranojë pesë gazetarë nga Afganistani dhe ata do të mund të qëndrojnë në shtet për dy vjet.
Qeveria kosovare tha se do të ndajë edhe mjete shtesë për t’iu ofruar strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe kushte të tjera gazetarëve afganë, derisa të krijohen kushtet që ata të kthehen në shtëpitë e tyre.
Përzgjedhja e gazetarëve që strehohen në Kosovë bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.
Po ashtu, Kosova ka strehuar disa gazetarë ukrainas, dhe u ka ofruar kushte të njëjta, sikurse atyre afganë, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Pasi në gusht të vitit 2021, talibanët rimorën pushtetin, Kosova pranoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për strehimin e refugjatëve afganë, që ishin të rrezikuar nga talibanët.
Kosova ka strehuar përkohësisht 1.893 refugjatë afganë dhe më pas ata janë dërguar në SHBA dhe në shtete të tjera.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak zhvilloi mbrëmjen e djeshme një vizitë në Kosovë, në kuadër të intensifikimit të dialogut Kosovë-Serbi, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje.
Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në një postim në Twitter shkroi se kanë biseduar për hapat e mëtejshëm që do të ndiqen në dialog.
Ai bëri të ditur se kanë rënë dakord se të gjitha marrëveshjet e kaluara që janë arritur në kuadër të dialogut duhet të zbatohen plotësisht.
“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara nga dialogu duhet të zbatohen plotësisht”, shkruan Lajçak.bw
Policia e Kosovës e ka vazhduar afatin e konkursit për punësimin e pjesëtarëve të rinj nga komunitetet joshumicë, për të plotësuar pozitat e lira në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut.
Konkursi, që fillimisht është shpallur nga 5 deri më 26 janar, do të shtyhet deri më 10 shkurt, ka konfirmuar Policia e Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Mirëpo, ky institucion nuk ka ofruar hollësi se sa aplikacione ka pranuar deri më tani, nëse ka aplikuar dikush nga radhët e komunitetit serb, apo ish-policët nga veriu i Kosovës që kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, në nëntor të vitit të kaluar.
Policia ka thënë shkurtimisht se kriteret për punësimin e punonjësve të rinj të policisë mbeten të njëjta dhe se publiku do të informohet me kohë për hapat e mëtejshëm.
“Policia e Kosovës, përmes video-mesazheve, fushatave sensibilizuese dhe takimeve zyrtare që po mbahen në të gjitha rajonet, çdo herë ka inkurajuar dhe vazhdon t’i inkurajojë, dhe fton qytetarët e të gjitha komuniteteve pakicë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e Policisë.
Qeveria e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë, më 12 janar, se konkursi për rekrutimin e policëve të rinj është i hapur për të gjithë ata që plotësojnë kriteret dhe se Kosova nuk dëshiron të përjashtojë askënd nga institucionet apo të “zëvendësojë serbët me shqiptarë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar pjesëtarët e komunitetit serb, veçanërisht ata që nuk kanë punuar asnjëherë në institucionet e Kosovës, të aplikojnë në konkurs.
Ky konkurs është shpallur pas dorëheqjes së rreth 550 serbëve nga pozitat e tyre në veri të Kosovës, në nëntor të vitit 2022, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Megjithatë, në konkurs nuk përmendet numri i policëve të rinj që do të punësohen.
Cilat janë kushtet e konkursit?
Tash për tash nuk dihet nëse policët serbë nga veriu do të kthehen në vendet e tyre të punës që kanë lënë, e as nëse do të mund të aplikojnë në konkurs.
Një nga kushtet e konkursit, megjithatë, është që të interesuarit të mos jenë mbi 30 vjeç.
Pjesëtarët e komunitetit serb në veri janë integruar në Policinë e Kosovës në bazë të Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, të vitit 2013, dhe shumica prej tyre tani janë mbi 30 vjeç.
Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) ka deklaruar më 31 dhjetor të vitit të kaluar se, për shkak të dorëheqjeve në veri, ka vakum të sigurisë, duke kërkuar që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës.
Komentet