Një pjesë e hapësirës së gjelbër përreth Piramidës në kryeqytet është transformuar në një kantier ndërtimi për ngritjen e strukturave të reja në formë kubash prej betoni. Rivitalizmi i kësaj parcele, në zemër të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, do të përfundojë në tetor. Kur gjithçka të jetë gati, afro një e pesta e gjelbërimit do të jetë zhdukur.
Autor: Artan Rama | Citizens Channel
Pak metra më tej, kulla e re “Downtown One Tirana”, 140 metra e lartë, projekti i së cilës u miratua në 2018-n, ka rrëmbyer pjesën qendrore të parkut ikonik të Tiranës së viteve ’70, i ashtuquajturi “Lodrat e Elbasanit”. Të dyzet katet që do të ngrihen mbi një sipërfaqe prej 8 ha do ta shndërrojnë këtë hapësirë, historikisht të qetë, në një territor me densitet të lartë urban. Një tjetër hapësirë me përmasa të ngjashme, e njohur si ish Parku i Autobuzëve, një nga më të mëdhatë që kishte mbetur e gjelbër, u shkëmbye në vitin 2017 me një leje ndërtimi e cila mundësoi aty ngritjen e një kompleksi pallatesh shumëkatëshe. Më herët, në 2015-n, një shumëkatësh i ri, me fasadë tërheqëse, rrëmbeu disa hektarë gjelbërim në krahun verilindor të Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës. Në vazhdim, të tjera sipërfaqe të gjelbra të këtij parkut po shndërrohen në troje ndërtimi për ngritjen e disa qindra apartamenteve të reja.
Në dhjetë vitet e fundit, energji dhe përpjekje të veçanta po ushqejnë objektivin për ta shndërruar Tiranën në një qendër të fuqishme ekonomike dhe financiare për të gjithë Shqipërinë. Autoritetet po ndjekin disa rrugë për arritjen e këtij objektivi. Arkitektura e re është një përpjekje e dukshme, e cila reflekton pikërisht këtë ambicie. Por ngritja e ndërtesave po realizohet përmes një aksioni të dhimbshëm urbanistik që mbështetet kryesisht, në shkatërrimin, apo në tjetërsimin e hapësirave, veçanërisht të gjelbra, për të cilat ky qytet krenohej dikur.
Në vitin 2021, “Instituti për Zhvillimin e Habitatit” (Co-Plan), një prej organizatave më të mëdha në rajon, me qendër në Tiranë, publikoi monitorimin “Mushkëri të gjelbra”, që vinte në dukje kushtet mjedisore në të cilat jetonin kryeqytetasit. Studimi ishte rezultat i vëzhgimit urban i cili kombinoi përpilimin e një produkti hartografik, të furnizuar me të dhëna nga terreni, duke i krahasuar më pas me imazhet historike satelitore në platformën “Google Earth”. Ai konkludoi se humbja e sipërfaqeve natyrore brenda Unazës së Madhe të Tiranës shkonte në 526,000 m2.
“Në vitet e fundit Tirana po regjistron nivelin më të lartë të korracimit, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor”, – shprehet Rodion Gjoka, Kreu i Departamentit Mjedisor pranë Co-Plan. “Vlerësohet se 87% e qytetit të jetë e korracuar, – pa aftësi përthithëse për ujërat e shiut që infiltrojnë nëntokë”, vijon më tej ai.
Vitin e shkuar (2021) në Tiranë, autoritetet miratuan një sipërfaqe ndërtimi për ndërtesa të reja 8 herë më e madhe, krahasuar me sipërfaqen e miratuar në vitin 2016: vitin e fundit përpara miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor (TR 030). Në tre vitet e fundit, sipërfaqja e miratuar në Tiranë arriti në 4.2 milionë m2. Ende nuk është e qartë se në ç’raport mes tyre do të jenë sipërfaqet e betonizuara me ato natyrore pas realizimit të ndërtimeve.
“Problemi fillon tek legjislacioni”, – shprehet urbanistja Doriana Musai, një kërkuese shkencore e re, e cila po dokumenton efektet zhvillimore të Planit të Përgjithshëm Vendor TR 030. “Sepse termi sipërfaqe e gjelbër nuk ekziston në legjislacionin planifikues. Plani i Përgjithshëm Vendor (PPV) ka përcaktuar vetëm hapësira publike, duke nënkuptuar përfshirjen brenda saj edhe të sipërfaqes së gjelbër, por legjislacioni nuk specifikon përmasat fizike të këtij gjelbërimi, apo mënyrën sesi do të krijohet ai. Kjo paqartësi, shpesh kjo përplasje, mes hapësirës dhe gjelbërimit, krijon mbivendosje të njërës ndaj tjetrës, si dhe nxit mundësinë për spekulime në praktikë. PPV-ja njeh vetëm përqindjen e hapësirës publike që duhet respektuar në një zonë ndërtimi, por nuk specifikon raportin mes elementëve përbërës brenda saj, si psh., trotuaret, kalimet e makinave, shtigjet e kalimtarëve, parqet etj., madje as madhësinë fizike të parqeve brenda kësaj hapësire”.
Doriana thotë se për shkak se dizenjimi i hapësirës i lihet në dorë arkitektit të kontraktuar nga investitori dhe se, kur në kushtet e mungesës së standardeve të projektimit, manualeve dhe rregulloreve të miratuara në lidhje me sipërfaqen boshe të hapësirës publike, si psh., madhësinë fizike të sipërfaqes së gjelbër, llojin e kurorave të gjelbëra që duhet të mbillen, moshën e pemës etj., shpesh kjo hapësirë përfundon e betonizuar dhe shfrytëzimi i saj i lihet tregut të bareve dhe të restoranteve, apo bizneseve të kateve përdhe, pothuajse në mungesë absolute të tokës së mbjellë me bar apo me lule.
Kur në vitin 2018, Bashkia e Tiranës, e mbështetur nga “Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim” (BERZH) miratoi Planin e Veprimit Qyteti i Gjelbër (PVQGj), një dokument i cili, krahas detyrimit ligjor, kishte peshën e një premtimi, Kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj, deklaroi se “Tirana është në prag të një revolucioni të gjelbër”. Ai premtoi ngritjen e Pyllit Metropolitan që parashikonte mbjelljen e dy milionë pemëve, që do t’i garantonin Tiranës “mushkëritë e saj të gjelbra”. Plani parashikonte krijimin e xhepave dhe të korridoreve të gjelbra, ndërtimin dhe rinovimin e hapësirave publike dhe vendosi si objektiv mbjelljen vjetore të 200,000 rrënjëve të reja deri në 2030. Por sot, katër vjet pas këtij premtimi, vizioni i gjelbër, ose ai që konsiderohet si Objektivi Strategjik Nr. 2 i Planit të Veprimit (SO 2A) ka mbetur ende i bardhë në letër. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit (APR) që administron hapësirat e gjelbra nuk ka arritur të mbjellë as 60 mijë pemët e para. Parashikimet për mbjelljen e një totali prej 900 mijë fidanësh të rinj, deri në fund të 2023, janë të zymta dhe praktikisht, të pamundura. Agjencia po përballet me mungesën e tokës publike, e nevojshme për vendosjen e dy milionë fidanëve të rinj. Mungesa e tokës po pengon bashkinë për të ngritur një fidanishte komplekse, e domosdoshme për të prodhuar fidanët që duhet të furnizojnë Pyllin Metropolitan.
“Hedhja apo vendosja, përkatësisht e dy milionë farave apo fidanëve, qoftë edhe në një afat të shkurtër, nuk mund të konsiderohet si mbjellje pemësh, pasi suksesi i zënies ka një probabilitet i cili varet nga disa faktorë”, thotë z. Gjoka nga Co-Plan. “Nga ana tjetër, që një pemë e rritur të ofrojë shërbimet e saj (thithja e ndotjes, çlirimi i oksigjenit, hijezimi etj.), do të duhen rreth njëzet apo tridhjetë vjet”.
Gjatë pesëvjeçarit të shkuar, Shqipëria pësoi rënie të numrit të popullsisë. Pothuajse me të njëjtën shifër (rreth 50,000 persona) popullsia në Tiranë u rrit. Mbështetur në projeksionet e Kombeve të Bashkuara (UN) mbi dinamikat e popullsisë në zonat urbane, gjatë pesë viteve (2020-2025) Tirana do të jetë qyteti me rritjen më të shpejtë ndër kryeqytetet evropiane. Por në tre vitet e fundit, në Tiranë nuk është ndërtuar asnjë lulishte apo park i ri urban. Sipas informacionit të ofruar prej Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit bëhet fjalë për ndërtimin dhe rehabilitimin e disa dhjetëra shesheve, të ashtuquajtura rekreative, por që nga dizajini janë larg së konsideruari hapësira të gjelbra, apo parqe pushimi me sipërfaqe gjelbëruese. Të ashtuquajturat hapësira rekreative në Tiranë, nuk janë veçse grumbuj lodrash mbi zhavorr, si dhe një numër i pakët fushash sporti me bar plastik të cilat po zëvendësojnë sipërfaqet e bollshme të gjelbra të dikurshme.
“Dëmi që shkakton në shëndetin e fëmijëve, loja me top, apo vrapimi në këto hapësira artificiale, në krahasim me aktivitetet në një terren natyror me bar, është i jashtëzakonshëm”, – thotë pedagogu i arkitekturës dhe arkitekti restaurator Kreshnik Merxhani. “Në të ardhmen këta fëmijë rrezikojnë të kenë një paraqitje fizike më të dobët, krahasuar me fëmijët që rriten në një terren natyror të gjelbër”.
Nëse depërtojmë në brendësi të shesheve, gjendja fizike e tyre është e mjeruar dhe shpesh mobilimi nuk jep siguri për frekuentuesit. Përdorimi i materialeve te ngurta: zhavorri, betoni, bari plastik, apo rrjetat metalike mund të krijojnë rezistencë dhe qëndrueshmëri më të madhe, por nga ana tjetër, përpos rrezikut për dëmtime apo trauma, ato zbehin dëshirën e njerëzve për t’i frekuentuar.
“Për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, autoritetet përpiqen që t’i zgjidhin gjërat shpejt”, – shprehet arkitekti Merxhani. “Por me një organizim më të qëndrueshëm, jo vetëm cilësia e shërbimit, por edhe kostot e mirëmbajtjes së këtyre hapësirave të gjelbra do të ishin më ekonomike, krahasuar me hapësirat e betonizuara”.
Në fakt, tre vjet pas miratimit të Planit të Veprimit për një Qytet të Gjelbër (2018), urbanizimi i Tiranës po ndjek një ritëm të pakrahasueshëm. Ky përshpejtim alarmant po e zhvendos shqetësimin mbi cilësinë fizike të hapësirave në të tjera pasoja më të rënda: shëndetin e qytetarëve, veçanërisht atë mendor.
“Tirana po shndërrohet në një fjetore të dehumanizuar, ku pallatet-përbindësha, dendësia dhe vendndodhja e tyre e palogjikshme i bën lagjet e pajetueshme”, – thotë urbanistja Eltjana Shkreli. “Banori i Tiranës nxiton t’i bashkohet një turme, gjithnjë në rritje, që mbush rrugët, gjithnjë e më të pamjaftueshme për makinat, të cilat edhe kur fiken, zaptojnë hapësirat e vogla të mbetura mes pallateve. Mendja e tij bëhet gjithnjë e më e ngjeshur nga presioni që shkakton mungesa e hapësirës, e gjelbërimit dhe ndotja e ajrit”.
Të dhënat e ofruara nga Drejtoria e Taksave pranë bashkisë, tregojnë se në tre vitet e fundit (2019; 2020; 2021), të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë (TNI) kanë kërcyer, veçanërisht pas vitit 2018-s. Gjatë një vlerësimi mbi kapacitetin dhe performancën financiare të bashkive, “Co Plan” konkludoi se vlera e TNI prej ndërtimeve të reja është rritur me ritme të përshpejtuara, duke u shndërruar në një burim të qenësishëm të ardhurash për Bashkinë e Tiranës. Të ardhurat, vlerat e të cilave, deri në qershorin e shkuar (2019-qershor 2021) arrinin shumën e 133 milionë eurove u korrespondonin një sipërfaqeje ndërtimi prej 400 ha, më e madhja e miratuar në një periudhe kaq të shkurtër, qysh prej caktimit të Tiranës kryeqytet.
Nëse do të krahasojmë të dhënat nga Zyra e Urbanistikës së Bashkisë Tiranë me të dhënat e ofruara nga APR-ja, në tre vjet, norma mes sipërfaqes së miratuar për ndërtim me hapësirën publike të trajtuar (jo domosdoshmërisht të gjelbër) rezulton dramatikisht e skajshme: për çdo 100 ha të miratuara për ndërtime të reja, është ngritur vetëm 1 ha shesh rekreativ.
Në 2020, “Tirana Parking”, një agjenci pranë Bashkisë që administron shërbimin e parkimit me pagesë në kryeqytet, shpërndau 15,784 pulla rezidenciale të reja. Kushdo që mund të pajisej me një të tillë fitonte të drejtën për të parkuar, falas, makinën e tij private pranë vendit të banimit. Ndonëse një përpjekje për të organizuar dhe për të disiplinuar lëvizjen kaotike, ky shërbim legjitimoi shndërrimin e hapësirave mes pallateve në sheshe parkimi.
Referuar numrit të pullave të reja të lëshuara nga “Tirana Parking”, në 2020-n u zunë nga makinat, rreth 95,000 m2 sipërfaqe publike të tjera, të cilat përfshinin të katër zonat e administrimit (ZAP 1, 2, 3, 4.) pa llogaritur zonat tarifore (A, B, C.) që kanë të bëjnë vetëm më hapësirat anësore përgjatë rrugëve publike. Sipas standardeve të zyrtarizuara, ku për parkimin e një makine nevojitet një sipërfaqe prej 6m2, në 2020 rezultoi se hapësira shtesë në dispozicion të banorëve për parkim ishte 7 herë më e madhe sesa hapësira e shesheve rekreative të ngritura nga APR-ja në të njëjtin vit (2020). Në këtë vlerësim nuk përfshihen hapësirat që kanë zaptuar dhjetëra e dhjetëra biznese parkimesh private të tjera, të ngritura mes shesheve të pallateve. Autoriteti vendor nuk ka ende një informacion mbi sipërfaqen totale që përdorin bizneset e parkimeve private. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave të Bashkisë Tiranë, këto biznese paguajnë të njëjtat detyrime fiskale, pavarësisht përmasave të hapësirës që ato shfrytëzojnë.
Një sipërfaqe gjithnjë e më e madhe midis hapësirave të pallateve, apo nëpër sheshe, po shërben si hapësirë parkimi. Vetë “Tirana Parking”, përmes një rrjeti impiantesh të parkimit publik, mbi tokë dhe nëntokë, po siguron të ardhura të konsiderueshme, të cilat së bashku me të ardhurat e siguruara nga zënia e hapësirave të tjera publike, në tre vitet e fundit (pas miratimit të PVQGj-s, 2018) janë shndërruar në burim të rëndësishëm për buxhetin vendor. Por gjatë këtyre tri viteve Bashkia e Tiranës nuk ka blerë as 1 m2 truall nga pronarët e tokës për t’i shndërruar në sipërfaqe të gjelbra në interes të qytetarëve. Nuk ekziston ende ndonjë marrëveshje, mes bashkisë dhe pronarëve të shesheve private ndërmjet pallateve, për të përdorur hapësirat në pronësi private për ngritjen e një serie parqesh të gjelbra, ndonëse marrëveshje të tilla janë parashikuar në Planin e Veprimit për një Qytet të Gjelbër (PVQGj). Një tjetër masë që rekomandohet në PVQGj, lidhet me lejimin për shtimin e intensitetit të ndërtimit mbi regjimin e përcaktuar, me kusht që zhvilluesi t’i dhurojë autoriteteve vendore një pjesë të sipërfaqes së shtuar në funksion të zgjerimit të hapësirës publike në zonën e ndërtimit.
“Ky koncept, i njohur si intensiteti i zhvillimit me kusht është një marrëveshje kushtore, mes autoriteteve vendore dhe zhvilluesit,”, – thotë znj. Musai. “Por deri tani, ky instrument planifikimi është keqpërdorur prej autoriteteve, pasi në praktikë ai ka shtuar numrin e kateve mbi planin e përgjithshëm të miratuar, por nuk ka dhënë asnjë metër katror më shumë hapësirë, veçanërisht të gjelbër”, – përfundon ajo.
Të ardhurat e Bashkisë së Tiranës nga burimet e saj janë dyfishuar në pesë vitet e fundit. Kjo përbën një vlerë disa herë më të lartë se mesatarja kombëtare. Por kjo begati po shpërfill detyrimet që burojnë nga “Plani i Veprimit për një Qytet të Gjelbër”. Ngushtimi i hapësirave shkakton mbipopullimin dhe mbi shfrytëzimin e tyre, i cili, i kombinuar me kufizimet buxhetore në drejtim të sipërfaqeve të gjelbra sjell degradimin e tyre dhe ndikon në rënien e cilësisë së jetës dhe qëndrueshmërinë e qytetit.
“Prej 2014-s mungojnë të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP)”, – thotë Rodion Gjoka nga Co-Plan. “Nuk mund të dimë me saktësi nivelin e stresit; gjendjen higjeno-sanitare të qytetit etj. Në mungesë të hapësirave të gjelbra, Tirana po vuan frymëmarrjen e saj natyrale, ku akset e rrugëve mbeten të vetmet korridore frymëmarrje. Nga ana tjetër kjo mungesë e së gjelbrës shton ndotjen dhe zhurmën, por akoma më shumë, ajo nxit ndarjen mes njeriut dhe natyrës dhe për të tjerë, rrit kostot e jetesës, gjatë përpjekjes për të aksesuar habitate natyrore në distanca më të largëta”. – përfundon ai.
Në tridhjetë vjet në Shqipërinë post-totalitare nuk është ndërtuar asnjë park për qëllime pushimi dhe shëtitje me sipërfaqe të gjelbëruar, përveç se është administruar çka ka ekzistuar më parë. Në një qytet, i cili do të tejkalojë së shpejti milionëshin, mjedisi urban po zgjerohet në kurriz të mjedisit natyror. Hendeku mes natyrës dhe urbanizimit po thellohet. Ndërsa Tirana ngjeshet, “revolucioni i gjelbër” nuk ka filluar ende aksionin…
“Arkitektura e re në Tiranë nuk ka hapësirë, nuk ka frymëmarrje”, – thotë Z. Merxhani. Jo vetëm që është eliminuar koncepti i hapësirës së gjelbër, por po eliminohet edhe hapësira për të perceptuar objektet…
Përpjekja e autoriteteve për të nxitur një zhvillim të shpejtë, duke propaganduar virtualisht, nën maskën e një kurore të gjelbër imagjinare Tiranën, vazhdon të tërheqë rezidentë të rinj. Por ne nuk dimë se çfarë do të bëjnë ata dhe pasardhësit e tyre të afërt, jo shumë larg prej këtej, kur të kuptojnë se po jetojnë në një qytet të bardhë betoni…/ Ina.Media
Organizata “Reporterët Pa Kufij” shpreh shqetësim për gjendjen e lirisë së shtypit në botë e cila sipas saj po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike, shkruan Zëri i Amerikës.
Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta.
“Këtë rënie ne duhet ta shohim në kontekstin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, në këtë kontekst, gazetarët në Kosovë janë përballur dhe kanë duruar shumë sulme fizike ndaj tyre. Janë me dhjetra sulme të tilla, ndërkohë që Partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur. Ka patur dhe një lloj përndjekjeje administrative ndaj stacionit privat televiziv ‘Klan Kosova’.
Nga ana tjetër, u bë zgjedhja e drejtorit të televizionit publik, i cili është i lidhur me kampin qeveritar. Pra, janë këto rreziqe të sigurisë dhe rreziqe politike, të cilat ju e dini se kanë patur pasoja të rënda mbi lirinë e shtypit në Kosovë”, thotë për Zërin e Amerikës”, Pavol Szalai, i “Reporterëve pa Kufij”.
Gazetarja kazake Zhamila Maricheva doli para gjyqit të enjten, për shkak të një artikulli që e kishte shkruar në mbështetje të shërbimit kazak të Radios Evropa e Lirë (REL), i njohur në vend si Radio Azattyq.
Maricheva u arrestua më 24 prill derisa kishte dalë për një vrapim, dhe më pas u akuza për përhapjen e “informatave të rrejshme”.
Akuzat kundër saj burojnë nga një artikull që ajo e kishte postuar në kanalin e vet në Telegram, ProTenge, në janar, kur ajo e kishte ngritur çështjen e telasheve me të cilat Radio Azattyq përballej për të siguruar akreditim zyrtar nga Ministria e Jashtme e Kazakistanit.
Kjo kishte nxitur frikë se Qeveria po përpiqej t’i shtypte mediat e pavarura.
Maricheva e lartësoi Radion Azattyq për, siç tha ajo, profesionalizmin e saj, duke e theksuar rëndësinë e programeve të REL-it në Kazakistan.
Një gazetar tjetër kazak, Askhat Niyazov, e kishte shpërndarë artikullin e Marichevas asokohe dhe si pasojë ishte akuzuar për shpifje.
Një gjykatë e shpalli të pafajshëm Niyazovin vitin e kaluar dhe e mbylli rastin kundër tij, duke thënë se nuk kishte asgjë të jashtëligjshme në veprimet e tij.
Maricheva e përsëriti pafajësinë e saj gjatë seancës gjyqësore të enjten dhe theksoi se policia e shkeli të drejtën e saj duke e arrestuar për ta marrë në pyetje derisa ajo po bënte një vrapim, në vend se ta thërriste zyrtarisht për intervistim në stacion policor.
Avokatja e Marichevas, Asel Toqaeva, i kërkoi gjykatës ta hedhë poshtë rastin kundër saj dhe tha se të drejtat kushtetuese të Marichevas u shkelën nga policia gjatë arrestimit dhe intervistimit të saj.
Në janar 2023, Ministria e Jashtme ua mohoi akreditimin 36 gazetarëve të Radios Azattyq. Disa prej korrespondentëve nuk kanë qenë në gjendje ta vazhdojnë akreditimin prej fundit të vitit 2022.
Situata u përkeqësua kur një grup i ligjvënësve kazakë e miratuan një draft projektligj, i cili do t’ia mundësonte autoriteteve të ish-republikës sovjetike ta refuzojnë akreditimin për mediat e huaja dhe reporterët e tyre, për shkaqe të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.
REL-i arriti marrëveshje me Ministrinë e Jashtme të Kazakistanit për akreditimin para rreth dy javëve.
Protesta e diasporës këtë të enjte në tribunat e Kuvendit të Shqipërisë është akti i parë i një luftë për një kauze të drejtë. Nëse gjërat nuk ndryshojnë dhe kjo mazhorancë merr rrezikun t’i mbajë zgjedhjet pa diasporën, lufta e kësaj të fundit do të përfundojë në sallën e Gjykatës së të drejtave të njeriut në Strasburg, për mos njohje të rezultatit të zgjedhjeve legjislative të organizuara në kundërshtim me vendimin detyrues të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për pjesmarrjen e diasporës me vote ne zgjedhje.
Mazhoranca dhe faktori ndërkombëtar po marrin kështu qartazi një rrezik të pa llogaritshëm me mos njohjen e zgjedhjeve në një vend që ende s’po hap një kapitull të parë të negocjatave për integrim në BE për shkak tashmë të problemeve me zbatimin e rregullave demokratike. Në momentin që po hedhim këtë shkrim në botim, gjasat janë që mazhoranca ka vendosur t’i hyjë rrugës së skenarit të më së keqes, kaosit institucional, politik dhe te sigurise në Shqipërinë e pas zgjedhjeve të 2025-ës që rrezikojnë të mos njihen si legale.
Për PS-në në pushtet është tepër vonë tani që të programohet votimi i diasporës Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste në pushtet, Blendi Klosi pati “meritën” këtë javë të bëjë publik pesimizmin e partisë së tij për sa i përket votës së Diasporës, duke i çjerrur në këtë mënyrë maskën Rilindjes. Me një cinizëm transparent apo me një transparencë cinike Blendi Klosi u shpreh kështu nga Shkodra:”… do të kishim shumë dëshirë që të realizonim votën e emigrantëve … por mungesa e opozitës shumë gjatë në komisionin per réformen zgjedhore na e bëri të pamundur të gjenim diskutim, negocim dhe vendimmarrje në komision”.
PS-ja akton ose aktron në këtë mënyre se nuk do të kete votë të diasporës për zgjedhjet e 2025, meqënëse sipas saj është tepër vonë tani. Këtë vonesë mazhoranca ia faturon sigurisht jo vetes por Opozitës. Të qeshësh apo të qash. Apo të dyja bashkë.
Në këtë shkrim do i përmendim disa të vërteta Blendi Klosit dhe liderit të tij maximo Edi Rama që i trembet po aq shumë votës së diasporës sa dhe reportazheve të gazetarëve të huaj si Rai 3. Të dyja palët , diasporë shqiptare dhe media perëndimore kanë një gjë të përbashkët, ato nuk kontrollohen nga kryeministri i Shqipërisë. Ndaj ky i fundit përpiqet të mbajë sa më larg vetes dhe Shqipërisë si angazhimin politik të diasporës ashtu dhe mediat investiguese ndërkombëtare në mënyrë që asgjë që vjen nga jashtë mos t’i cënojë pushtetin e tij brënda, një pushtet që e do pa limite në thellësi dhe në kohë.
Me ata që janë brenda Shqipërisë, që infuencojnë fletët e votimit, që numërojnë kutitë e votimit dhe që supozohen të gjykojnë krimet gjatë procesit të votimit, Rama merret vetë si ia do dëshira. Me ata që janë jashtë dhe që s’ka se çfarë t’u bëjë, ose i pengon të votojnë duke mos lejuar votën e diasporës, ose u bën telefonata kërcënuese siç veproi me drejtorin e RAI-t, duke thyer kështu dhe një rekord që deri atëherë e mbante Kremlini i Putinit. Rama po thyen dhe një rekord tjetër të Kremlinit. Regjimet e Putinit dhe të Vuçiçit të paktën sa për sy e faqe e lejojnë votën e diasporës, ai i Edi Ramës dhe këtë obligacion minimal kushtetues të një vendi anëtar të Këshillit të Europës nuk e përmbush.
Mazhoranca do mbajë përgjegjësinë për mos njohjen e zgjedhjeve nga GJK ose Strasburgu Blendi Klosi mund të bëjë sa të dojë sofizma për llogari të shefit të tij të llojit si ato që dëgjuam në Shkodër: “Ligjvënësi kur e ka ndërtuar Kushtetutën dhe ligjin ka menduar se do të ketë forca të ndërgjegjshme politike të cilat do të duan të ulen në tryezë, të negociojnë mes tyre dhe të marrin vendime përsa i përket ligjeve të rëndësishme të vendit. Mungesa e vullnetit nga krahu i opozitës na la në këtë situatë”.
E para, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste ta rrotullojë gjuhën shtatë herë në gojë para se të përmendë Kushtetutën që kjo mazhorancë po e trajton si qilim kashte para portës ku fshin këmbët. Kushtetuta u njeh të gjithë shtetasve shqiptare, pra çdo qytetari që ka pasaportë shqiptare, të drejtën e votës! Për Diasporën shqiptare kjo e drejtë u ri-konfirmua biles në mënyrë specifike nga nje vendim enkas ne favor te saj nga Gjykata Kushtetuese.
Përse duhet të presë mazhoranca dakordësinë e opozitës për votën e diasporës? Kjo mazhorancë që s’pyet për opozitë kur ve në rend të ditës për votim në Parlament ligje nga më anti-shqiptaret si pakti Rama – Meloni për afrikanët, Butrinti që i jepet privatit, apo zvogëlimi zonave të mbrojtura natyrore të Shqipërisë, pse fshihet pas nevojës se një konsensusi me opozitën në rastin e votës për diasporën? U dashkan 84 vota thotë Blendi Klosi? Po le ta çojë mazhoranca ligjin për votën e diasporës, të japë të gjithë votat e saj të mundshme, 70 e disa që ka, dhe t’ja lërë kështu dopjo gjashtën në dorë opozitës po qe nevoja.
Le të guxojë nga ana e saj opozita para kamerave të gjithë botës të votojë kundër ligjit të propozuar nga mazhoranca për votën e diasporës. I takon shqiptarëve të gjykojnë kush po ia saboton votën diasporës, jo mazhorancës. Detyra e mazhorancës, ngaqë është mazhorancë është të japë shembullin dhe jo të ngrejë alibira boshe.
U bë mbi një dekadë që Edi Rama është në pushtet. Si produkt i diasporës me banim më parë në Paris, Edi Rama e futi të drejtën e diasporës për votim që në programin e Partisë Socialiste më 2013. Mbi 10 vjet më vonë asgjë. Mburret Edi Rama se arriti të paarritshmen me votimin e Reformës së Drejtësisë më 2016. Pse nuk vuri të njëjtën tempo, energji, përkushtim e atdhetarizëm për të realizuar votimin për votën e diasporës? Pse? Sepse me Reformën në Drejtësi ai shpresonte të realizonte vënien e drejtësisë së re nën hiqmin e mazhorancës së re dhe kjo e motivoi tej mase t’i shkonte deri në fund. Ndërsa votës së diasporës ai nuk i sheh veçse efekte negative me mbi 1 milion njerëz jashtë që nuk mund t’i kontrollojë. Ndaj ai tallet dhe votimin për votën e diasporës, e shtyn periodikisht për në “kalendat greke”, për të mos ta lejuar kurrë, për aq kohë sa ai do të jetë në pushtet. Është më e ndershme t’i prezantosh gjërat kështu, se sa të fshihesh pas topureve të opozitës se po e pengon kjo votën e diasporës. Këtë fabul si ajo tjetra mbi papërgjegjësinë e Ramës në korrupsionin galopant që ka përfshirë vendin si në “flakët e Ferrit” mund ta hanë disa mendje naive në Shqipëri por nuk do gjesh një adult apo adoleshent të diasporës shqiptare ta besojë këtë qeveri në mashtrimin se votën e diasporës nuk e ka ajo në dorë, por opozita.
Thirrje spektrit politik për solidaritet me diasporën deri në mosnjohje të zgjedhjeve Diaspora shqiptare nuk duhet të merret me gjatë me lutje ndaj një mazhorance me qëndrim të qartë anti-shqiptar karshi votës së diasporës. Strategjia e diasporës duhet t’i bëhet e ditur mazhorancës dhe ndërkombëtarëve. Nëse ajo nuk lejohet të votojë në 2025, do të ketë rekurse te gjithanshme për mosnjohje të zgjedhjeve dhe kërkesë për ripërsëritje të tyre deri sa të integrohet vota e diasporës. Diaspora ka forcën e ligjit me vete, ka Kushtetutën e Shqipërisë dhe vendimin specifik në favor të saj të Gjykates Kushtetutese.
Edhe sikur gjykatat shqiptare mos t’i japin të drejtë diasporës për mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve legjislative të 2025-ës pa votën e diasporës, çështja do të shkojë deri në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg që mbarë Europa ta njohë të vërtetën e pushtetit të Edi Ramës në Shqipëri si i vetmi pushtet në Europën moderne që ia ndalon diasporës të votojë duke e tejkaluar siç u tha më sipër edhe Rusinë apo Serbinë.
Diaspora shqiptare duhet po ashtu të vërë para përgjegjësive të gjitha partitë e opozitës që këto të jenë të gatshme ashtu si diaspora të mos e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të 2025 në Shqipëri nëse ato zhvillohen pa votën e diasporës.
Një ultimatum i këtij lloji t’i dërgohet përfaqësive perëndimore në Tiranë. Dhe ato të marrin përgjegjësitë e tyre nëse situata shkon në mosnjohje të zgjedhjeve nga opozita për shkak të mohimit të votës së diasporës. Perëndimorët që janë kaq të ndjeshëm ndaj situatës së sigurisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon, kanë sot rastin të veprojnë që situata në Shqipëri mos të degradojë në 2025 nëse delegjitimohen zgjedhjet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e ka bërë detyruese votën e diasporës për 2025-ën.
Kur arriti të pamundurën më 2016, me 140 vota mbi 140 në favor të Reformës në Drejtësi, faktori ndërkombëtar të lëvizë tani sa nuk është vonë për të detyruar mazhorancën të lëvizë sa më shpejt për votën e diasporës. Më vonë do të jetë tepër vonë, Shqipëria do të rrezikojë të zhytet në një krizë politike dhe sigurie në 2025 atëherë kur nuk i dihet fati as situatës së sigurisë më gjerë në Europë pas një fitoreje të mundshme të Donald Trump në SHBA. Përgjegjësit në Shqipëri dhe në kancelaritë perëndimore të marrin bashkarisht përgjegjësitë e tyre: me mohimin e votës së diasporës shqiptare po luhet me zjarrin që gjithmonë është vërtetuar si një lojë tepër e rrezikshme
Një Shqipëri pa zgjedhje të legjitimuara do të jetë një Shqipëri në kaos!
Kreu i grupit parlamentar të PD, në fjalën e tij në lidhje me protestën e organizuar nga gazetarët në hyrje të Kuvendit në lidhje me sulmet ndaj mediave, tha se këto raste turpërojnë të gjithë politikën, jo vetëm ata që i kryen.
“I dënojmë sulmet ndaj medias. Liria e shtypit është një nga shtyllat e demokracisë. Gazetarët e terrenit kanë vështirësitë tuaja ashtu si media ka qenë pre e autoritarizmit të Ramës. Janë raste që turpërojnë jo vetëm ata që e kanë kryer por të gjithë politikën.
Në emër të grupit të PD keni mbështetjen e plotë tonën për të bërë punën tuaj”, tha ai.
Më parë për gazetarin Osman Stafa foli edhe deputeti Toni Gogu.
“Vetëm ju mos t’ju cënojnë pa dashje. (qesh)”, tha deputeti i PS-së, Toni Gogu para gazetarëve.bw
Gazetarë të terrenit janë mbledhur sot para hyrjes së Kuvendit, ku po protestojnë për të drejtat e tyre. Me pankarta në duar, me mesazhe të ndryshme, gazetarët që përcjellin çdo ditë lajmin e fundit, të vërtetën te publiku, punonjësit e medias kanë protestuar sot, një ditë para 3 majit, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit. Kjo për faktin se sot ka seancë plenare dhe për të sjellë më mirë mesazhet te politika. Vetëm këtë vit janë raportuar rreth 30 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave. “Keni mbështetjen tonë. Unë dënoj çdo lloj sulmi.
Vetëm ju mos t’ju cenojnë pa dashje. (qesh)”, tha deputeti i PS-së, Toni Gogu para gazetarëve.
“Gazetarëve iu janë dërguar mesazhe kërcënuese. Nga Politikanë apo personazhe të tjera. Janë identifikuar gjatë këtij viti 30 sulme ndaj gazetarëve dhe mediave. Sot dita e sotme duhet të jetë alarm për ne gazetarët dhe çdo politikan të zgjedhur”, tha gazetari Isa Myzyraj duke bërë thirrje që politika duhet të reflektojë.
Afrimi i 25 prillit do të rindezë krahasimet ndërmjet Lirimit tonë e atij të të tjerëve. Është e parashikueshme që në manifestimet do të ridëgjohet thirrja “Palestina e lirë”, e do të hymnizohet “qëndresa” e atij popilli. Por po aq e sigurtë është se të njëjtin interes nuk do të shkaktojë qëndresa e ukrainasve. Simbas një paradoksi të eksperimentuar mirë në debatin tonë publik: pikërisht ata që janë më shumë të zotuar për të kundërshtuar pushtuesin izraelian, janë më të prirurit për të kuptuar arsyet e pushtuesit rus. Megjithëse Gaza nuk ishte e pushtuar para se të shpërthente lufta, ndërsa Donbasi ishte dhe është. Kjo vëngëri etike e politike është interesante edhe në motivimet e saj. Pardje ishte një dëgjuese e radios tepër e zemëruar me qeverinë ukrainase: “Atë që e gjej të palejueshëm – thonte – është përçmimi i skajshëm i jetës njerëzore nga ana e atij që dërgon dy ushtarë të luftojnë kundër dymijëve”. Zakonisht mbajmë anën e më të dobtit. Ndërsa në rastin e Rusisë, fuqia ushtarake dhe demografike e së cilës e quajtur e tepruar, është që në fillim një arsye shumë e mirë që ajo t’a fitojë luftën. Pra:zemërohemi në emër të shënjtërisë së jetës me ata dy që qëndrojnë, por jo me dymijët që përpiqen t’i vrasin.
Duke lënë mënjanë faktin që në histori shpesh herë më i trashi i ka marrë goditjet (Rusia cariste, rul ngjeshës i Evropës, qe për shëmbull fuqia e parë që u mund nga një Vend aziatik, Japonia e vogël, më 1905). Por ai që bën më shumë përshtypje është arsyetimi që mohon në rrënjë të drejtën e qëndresës së më të dobtit, që është i ligjëruar pikërisht nga dobësia e tij numerike e ushtarake e atij që pëson një padrejtësi e një paudhësi. Nuk e di nëse përkrahësit e kësaj teze a e kuptojnë se arrijnë deri në mohimin e shëmbëllesave të heroizmit si ajo e treqind spartanëve, që në Termopile mbrojtën lirinë e grekëve përballë fuqisë së pakufishme ushtarake persiane; ose atë të vietkongëve që në shtegun Ho Shi Min më së fundi mundën gjigandin amerikan; madje edhe qëndresën e hindianëve t’Amerikës, që më mirë se sa të përfundonin të internuar në një vend, parapëlqyen të përballeshin në një fushë beteje.
Shkurt: nëse më i dobti nuk ka të drejtë të mbrohet, duhet rishkruar e gjithë historia e njerëzimit. Nga ana tjetër, jam i sigurtë se e njëjta dëgjuese nuk do të kishte përdorur kurrë të njëjtin argument për të dënuar veprimet e partizanëve italianë ndërmjet 1943 e 1945, madje duke përsëritur padinë e vjetër të të bërit përgjegjës, me luftën e tyre, të shpagimeve të llahtarëshme nazifashiste të Marzabottos e të Sant’Anna të Stacemës. Nga ana tjetër ata që mendojnë si ajo sigurisht nuk i kërkojnë Hamasit të pushojë luftën për të shmangur plojën e mijra civilëve palestinezë. Madje dhe Hamasi, duke ngritur të famshmin flamur të bardhë, do të kishte fuqinë t’i jepte fund luftës, duke mos pranuar të përballonte një kundërshtar qartësisht më të fuqishëm për aftësi ushtarake e teknologjike. Megjithatë përgjegjësia e Hamasit, ploja e izraelianëve e 7 tetorit, nuk mund të krahasohet as së largëti me çfarëdo “casus belli” të përdorur nga Moska ndaj Kievit për të ligjëruar mësymjen. Pikërisht ndeshtrasha e luftës arabo-izraeliane, e filluar 76 vite më parë, do të duhej të na mësonte se paqja nuk është një fitore ushtarake, se nuk mjafton një bashkëngjitje territori ose dorzimi i armikut për t’a siguruar. Më 1948, kur OKB-ja vendosi lindjen e dy Shteteve në Palestinë, më të dobtit ishin hebrejtë, pak qindra mijra të rrethuar nga një det miljona arabësh në Egjypt, Jordani, Siri, Liban, Irak; të cilët bënë gabimin të mos pranimit të planit të ndarjes, të bindur se do të mbizotëronin me forcën, duke hapur kështu një nga luftërat sot më larg çdo shprese të paqes. Në të njëjtën mënyrë, nëse nesër në mëngjes një qeveri ukrainase do të vendoste t’i dorëzohej Putinit, nuk do të ishte fundi i luftës, por fillimi i një lufte të re, të zvarritur e të pafund, ndoshta edhe një stine terrorizmi ndërkombëtar; pikërisht ashtu siç ndodhi në Lidjen e Mesme, kur palestinezët e Arafatit e përqafuan atë si armë qëndrese.
Rusët duhet t’a dinë mirë, mbas përvojës së Afganistanit: e mësyen edhe atë Vend, por u detyruan të tërhiqeshin mbas dhjetë vitesh, duke lënë të hapur plagën e skajshmërisë islamike nga e cila mbiu sulmi i Bin Ladenit Amerikës, përgjigja e Bushit të ri, lufta e Irakut, pafundësia e vatrave të luftës dhe atentateve që ende sot gjakosin botën. “Nuk ka paqë pa drejtësi”. E ka thënë edhe Gjon Pali i II, duke shtuar: “Nuk ka drejtësi pa falje”. Kush përgatitet të ndyejë kujtimin luftës sonë të Lirimit për të përligjur shtypjen e të tjerëve, ose për të bërë dy pesha e dy masa simbas mësyesve, le të kujtojë këto fjalë më 25 prill.
“Corriere della Sera”, 15 prill 2024 Përktheu Eugjen Merlika
Ivan Ilin është njëri ndër filozofët e parapëlqyer të Vladimir Putinit, të cilin e citon shpesh e me dëshirë. Por Ilini, i vdekur më 1954, ka qënë edhe një adhurues i bindur i Hitlerit, përpkrahës i nazizmit dhe i quajtur si teoricieni i “fashizmit rus”.
Prandaj studentët e Universitetit Shtetëror për studimet humaniste ngritën krye përballë vendimit të Rektoratit për të titulluar me të Shkollën e re eprore të Politikës, duke emëruar si drejtor një tjetër figurë të diskutueshme, mendimtarin tejet kombëtarist Alexandër Dugin. Në një thirrje zyrtare, të nënëshkruar nga 5 mijë veta, studentët i kërkojnë ministrisë së Shkencës e Prokurorisë federale të ndryshojnë emrin e Shkollës, mbasi”qëndra e kërkimeve të njërit ndër universitetet kryesorë të Vendit që ka thyer nazifashizmin, nuk mund të mbajë emrin e një mbështetësi t’atyre ideve”. Një deputet i Dumës, Vladimir Isakov, ka kërkuar një hulumtim mbi vendimin, sepse po të kishte qenë gjallë Ilini, do të ishte në dhunimin e ligjit rus që ndalon riabilitimin e nazizmit.
Gjëja më kureshtare është se, në përgjigje të një pyetjeje, zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peshkov, paska thënë se Kremlini “nuk parapëlqen të jetë i ngatërruar në këtë diskutim”. Nga të dyja njëra: o Putini lejon që sistemi të ketë ndonjëherë ndonjë valvul shpërthimi, ose nuk i bën përshtypje të vetëkundërshtohet, duke paditur ukrainasit se janë të gjithë fashistë e ndërkaq merr frymëzim nga një filozof nazist. Janë sjelljet tipike të Carëve, fundi i të cilëve filloi pikërisht nga Universitetet.
“Corriere della Sera”, 23 prill 2024 Përktheu Eugjen Merlika
Prej ditës së mërkurë ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes, sipas të cilit, qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës do të kalojnë përmes pikës kufitare të përbashkët Shqipëri-Kosovë me procedura të shpejtuara përgjatë 9 muajve të vitit dhe në fundjavat e festave.
Më herët, kjo periudhë e lehtësimit të lëvizjes ishte në 4 muajt e verës. Qytetarët e Kosovës që kanë zgjedhur të udhëtojnë sot thonë se zbatimi i kësaj marrëveshje lehtëson ndjeshëm kalimet në kufi.
Ndërkohë, që në orët e para të ditës së sotme, pika doganore e Morinës është përballur me një fluks të madh udhëtarësh nga Kosova, të cilët udhëtonin drejt Shqipërisë për të festuar Ditën e 1 Majit, por edhe për të kaluar disa ditë pushimi.
Vetëm në orët e para të ditës së sotme, nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri rreth 5 mijë shtetas të Kosovës dhe 3 mijë mjete të vogla e dhjetëra autobusë.sn
Kryebashkiaku i Tiranës u paraqit të martën në SPAK pas një fletë-thirrje të javës së kaluar për të dëshmuar në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës.
BIRN
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u pyet të martën për gati 7 orë për aferën e inceneratorit të Tiranës nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK.
Rreth orës 09:00 të mëngjesit, Veliaj u paraqit në ambjentet e SPAK me një dosje në dorë dhe kur doli pas dëshmisë, deklaroi para gazetarëve se kishte shkuar si ‘bashkëpunëtor’, pasi kishte kohë që e kishte kërkuar vetë një takim.
Duke i quajtur hetuesit e SPAK si “dy kolegë hetues profesionistë dhe të disiplinuar”, Veliaj tha ndër të tjera se kishte patur një ezaurim total të çështjes së incineratorëve. Ai shtoi se ishin thënë edhe disa detaje të tjera, por u tregua i rezervuar me argumentin se për shkak të sekretit hetimor i ishte “kërkuar dashamirësisht që të mos i ndante me gazetarët”.
I pyetur nga BIRN mbi cilësinë e marrjes në pyetje, kreu i SPAK, Altin Dumani dha një version tjetër të paraqitjes së Veliajt në Prokurorinë e Posaçme.
“I është dërguar fletë-thirrje të mërkurën e javës së kaluar për t’u pyetur në cilësinë e deklaruesit si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës,” tha Dumani.
Projekti koncesionar për inceneratorin e Tiranës u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 100 milionë euro – ndonëse punët mbetën përgjysmë dhe inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme caktoi 15 masa sigurie për zyrtarë dhe biznesmenë të përfshirë në këtë aferë, mes të cilëve edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish- deputeti socialist, Alqi Bllako dhe drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha.
Në gusht të vitit 2023, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës duke argumentuar se hetimet paraprake kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash për dy incineratorët e tjerë, Elbasanin dhe Fierin.
Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, projekti koncesionar i trajtimit të mbetjeve në Tiranë mori jetë pasi kryebashkiaku Veliaj i dërgoi qeverisë në janar të vitit 2016 një studim fizibiliteti të IFC-së për zgjerimin e landfillit të Sharrës bashkë me propozimin për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane në kryeqytet.
Projekti u udhëhoq më pas nga Ministria e Mjedisit, ku u përfshinë edhe dy biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto përmes një oferte të pakërkuar.
Media greke i ka kushtuar një artikull ngritjes në detyrë të zëvendëskryeministres, Belinda Ballukut dhe bashkëpunëtorëve të saj, siç është rasti i Evis Berberit, që ndodhet pas hekurave për shpërdorim detyre.
Newsbombë.gr shkruan për arrestimin e Berberit, krahut të djathtë të ministres së Infrastrukturës, Balluku.
Po ashtu shtrohen një seri me pyetje se pse ende nuk zbatohet vendimi i gjykatës franceze që shteti shqiptar t’i paguaj 50 milionë euro kompanisë greke “Actor”.
ARTIKULLI
Emri Belinda Balluku mund të mos jetë shumë i njohur për ju, por në Shqipëri do të thotë shumë. Emri i ministres së Infrastrukturës dhe zv/kryeministres Edi Rama përbën një çarje në ngërçin e Shqipërisë. Më 13 mars, SPAK, Gjykata kundër Korrupsionit, arrestoi Evis Berberin, kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe një nga bashkëpunëtorët më të besuar të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe zv/kryeministres, Belinda Balluku. Akuza kishte të bënte me projektet e ndërtimit dhe konkurset luksoze, të cilat po fitoheshin nga të zgjedhurit e Edi Ramës. Sipas mediave shqiptare, pas një bastisjeje të policisë, SPAK, Gjykata Kundër Korrupsionit, arrestoi Evis Berberin, kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Policia e arrestoi atë së bashku me dy shokë biznesi (Valter Begaj dhe Ervis Lamajn), ndërsa në banesën e tij u sekuestruan shuma të mëdha parash dhe piktura me vlerë qindra mijëra euro. Evis Berberi ishte krahu i djathtë i ministrit Balluku dhe ishte ai që u fotografua pranë saj në të gjitha inspektimet dhe inaugurimet e projekteve të mëdha rrugore. Sipas SPAK, Valter Begaj, pronar i kompanisë NET – GROUP, ka fituar 6 tenderë publikë, paratë nga të cilat i ka transferuar nëpërmjet transaksioneve tek kompania DAAM. Përfitimi duket se shkon në 2.7 milionë euro.
NET-GROUP fitoi këto gara, paratë u transferuan përmes transaksioneve në kompaninë DAAM. Këto veprime kanë ngritur dyshime për veprimtari pastrimi parash. Hetimi i SPAK raportohet se ka nisur javët e fundit, me fokus shitjen e DAAM. DAAM është blerë nga Berberi me një çmim shumë të ulët, është shitur shumëfish, ndërsa pronësia dhe menaxhimi ndryshon disa herë mes biznesmenëve. Ka dyshime për një transferim të rremë për të shmangur konfliktin e interesit pasi Berberi ishte vendosur të emërohej këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. I gjithë skandali i mësipërm ka shkaktuar lëkundje ‘tektonike’ në skenën politike të Shqipërisë.
Shumë pikëpyetje ngre ngritja e bukuroshes dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila para karrierës së saj të re punonte në Greqi si ndihmëse shtëpiake. Praktikisht, një ndihmëse shtëpiake u bë numri dy i qeverisë shqiptare dhe ministre e Infrastrukturës dhe për këtë arsye komandon punët publike të vendit fqinj.
HISTORIA
Ka një proces gjyqësor që kompania e ndërtimit ‘Actor’ ka fituar nga një gjykatë franceze, ndaj shtetit shqiptar, në shumën 50 milionë euro, për të cilën Ministria e Drejtësisë dhe e Jashtme nuk kanë dhënë dritën jeshile për ta ekzekutuar. Dhe diku këtu është përfshirë Balluku, ku krahu i saj i djathtë u arrestua për pastrim parash, ndërkohë që ajo u kishte kërkuar shefave (të vjetërit e kompanisë së ndërtimit) të shpejtonin ndërtimin e projektit. Por kur punimet u bënë, Balluku nuk i pagoi shumat.
Me fjalë të tjera, kompania ‘Actor’ bëri punën, shkoi në gjyq, fitoi 50 milionë euro dhe e zgjedhura e Edi Ramës ‘fishkëllen’ indiferente. Por ja ku nisin ‘pyetjet’ e nxehta:
-Kush dhe pse nuk i jep dritën jeshile zotit Exarchou të kompanisë ‘Actor’ për të ekzekutuar?
-Çfarë lojërash luhen në sfondin diplomatik që pengojnë pagesën e shumave ndaj një kompanie greke që ka fituar ligjërisht?
-Kë mbulon shteti shqiptar?
-Çfarë di Athina për këto raste dhe çfarë do të bëjë? A do të vazhdojë ‘të fërshëllejë’ indiferente?
Plani i dhëndrit të ish presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, për të ndërtuar objekte turistike në Ballkan, ka nxitur reagime të shumta dhe shpesh edhe pakënaqësi në popull.
Sa i përket Serbisë plani i tij parashikon që një ndërtesë e cila shihet si kujtesë e bombardimeve të NATO-s në Beograd në 1999, të kthehet në një kompleks hotelesh luksoze.
Kjo është përkthyer si një ndërhyrje në kujtesën kolektive serbe të luftës.
Aleksandar Jovanoviç Çuta, një ambientalist, aktivist dhe anëtar i opozitës serbe u shpreh se nuk është normale që një vend ku civilët humbën jetën nga bombardimet, të kthehet në hotele me jakuzi dhe kazino.
Ai shtoi se Serbia nuk është “bar bufe” dhe presidenti Aleksandër Vuçiç nuk është kamerier që të japë me qira 99 vite godinat që nuk janë pronë tij private.
Si Jovanoviç, edhe figura të tjera të opozitës kanë nisur një peticion kundër projektit, duke mbledhur rreth 22,000 nënshkrime, ndërsa kanë bërë thirrje për protesta për të parandaluar zhvillimin e projektit.
Financimi prej 500 milionë dollarësh, do të ndërmerret nga firma e investimeve e Kushnerit, Affinity Partners, të cilën ai e themeloi pasi ai dhe vjehrri i tij, Donald Trump, u larguan nga Shtëpia e Bardhë.
Ka raportime se ai ka siguruar 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite dhe gjithashtu ka marrë qindra milionë nga fondet sovrane të pasurisë së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit.
Jared Kushner tha kohët e fundit se palët negociuese kanë rënë dakord paraprakisht që t’i japin qeverisë serbe 22% të fitimeve nga projekti, në një kohë kur presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe qeveria e tij argumentojnë se Beogradi duhet të rritet për më tepër për të krijuar mundësi biznesi.
Shkodrani Rin Zef MONAJKA (11 Qershor 1953 – 1 Maji 1997) asht nder Herojt e Perjetshem të qytetit Martir të Shkodres, që organizoi me guxim të pakrahasueshem Demostraten e Parë Antikomuniste me grupin e të rijve, me 11 e 14 Janar 1990, per rrëzimin e bustit Stalinit në qender të qytetit të Shkodres, me praninë e disa mija qytetarve antikomunistë.
Pergatitja filloi me daten 10 Janar dhe fatkeqësisht Sigurimi i shtetit ra në gjurmët e asaj Demostratë, ku arrestoi ma shumë se 300 persona, që i ka torturue mizorisht ashtu si zakonisht vepronte ai me armiqtë e vet.
Rin Monajka i siguroi Gjergj Livadhit se demostrata do të bahej mbasi atë e kishin dhanë ndër lajme edhe disa stacione televizive italiane.
Rin Monajka, diku në një prej rrugëve drejt piacës, ishte takue edhe me ambasadorin gjerman që kishte ardhë nga Tirana dhe kishte zhvillue me atë një bisedë dy-tre minutash per demostratën që pritej të bahej.
Personat kryesorë që po merreshin me organizimin e demonstratës që pritej të bahej më 14 janar në sheshin kryesor të qytetit ku në atë lulishtë ishte busti i Stalinit, në mbramjen e 13 janarit Forcat Speciale që kishin ardhë nga Tirana në drejtimin e Sigurimit të Shtetit me Zylyftar Ramizin, dhe me mbështetjen e Degës së Mbrendëshme të Shkodrës, ndërmorën arrestimet e para dhe njëni ishte Gjergj Livadhi, Po ajo që duhet shenue asht se Sigurimi perdori torturat ma shtazore ndaj t’ arrestuemve.
Edhe pse Muri i Berlinit ra, Ora e Lirisë nuk ndalej! Në dhjetorin e 1989, Çaushesku asht ai që jep shembullin e “ruejtjes së parimëve komuniste”!
Shqipnia vazhdonte me Popullin e vet udhën e martirizimit komunist.
Me 14 Janar 1990, u thye njëherë e përgjithmonë miti i atij sistemi të rrebtë aqsa përbindsh dhe i pakrahasueshem me vendet tjera komuniste!
Demostrata e heshtun në Sheshin e Dëshmorve të Shkodres, njofton Tiranën endè të kuqe, se komunizmit gjakatar i erdhi fundi!.. Mija vetë të grumbulluem në atë Shesh, e pritshin rrëzimin e bustit të diktatorit të njohun gjeorgjianokomunist Stalin. Mija vetë drejtuen sytë nga toka e, presin kur po shprazën mbi kokat e tyne automatikët nga dritaret e hotel Turizmit, Sahatit Inglizit, hetuesisë apo apartamentit mbi PTT e qytetit, që ishin të mbushun me sampistë kriminelë të ardhun nga Tirana, vetëm për gjakderdhje e masakra ndaj Rinisë “rebele” shkodrane.
Angazhimi i pashoq i Ramiz Alisë: “Edhe bar do të hajmë e parimet nuk i shklasim!”, asht krimi ma i madh i tij kundër Popullit Shqiptar!
Po, a u mjaftue ajo bishë e terbueme vetem me kaq tue ngranë bar ?
– Jo, sëpse në mbrendsinë e tij ziente krimi dhe vrasjet. Këte e vërtetojnë kufomat e djelmëve të rijë, të mashtruem ndër kufinjë, të shporuem nga qindra plumba automatiku dhe të lidhun në hunjë me tela me ferra, tue u shetitë ndër pjacat e qyteteve tona të të gjithë Shqipnisë Martire.
Rinia Shkodrane ka vendosë me u vetsakrifikue deri në shumje të Saj!
Mungonin disa djelmë të cilët një natë maparë ishin tradhëtue e kapë nga forcat speciale të ardhuna për këte qellim nga Tirana, të kryesueme nga krimineli Zylyftar Ramizi, i cili nuk do të kursente asnjë torturë!
Mikrobuzët e bardhë të poliklinikës vazhdonin fotografimet në qytet dhe gatishmëninë! Në çdo skutë shiheshin vetem njerzë të pranguem.
Tek sheshi qendror i Deshmorëve mungonte edhe Rini Monajka, djali trim që kishte njoftue Ambasadën Gjermane për aksionin e organizuem me këte rasë. Rini ishte ndër kryesorët e kësaj vepre heroike, me të cilën do ti tregohej Botës mbarë se, në Shkoder gjaku i Martirve të ramë nën shpatën e diktaturës komuniste, po vlonte në damarët e Rinisë, dhe se, Gjaku i Atyne Martirëve t’ Atdheut s’ kishte shkue huptë si kujtonin disa.
Vetem mungonin aty disa nga kriminelët si Shyqyri Qoku me shokë!
Numri i të arrestuemëve i kaloi të 300 të rinjë dhe të reja, që torturohen mizorisht nga organet e Sigurimit. Arrestimet vazhdonin. Një pjesë përcillen për Tiranë ndër labirintët e zymta të Ministrisë së terrorit. Shumë familje në ankth nuk dijnë as ku i kanë djelmët e vajzat e tyne.
Diktatura komuniste me buzët e saja të gjakosuna, vazhdonte atë kafshimin e zgerdhimjen, sikur të mos kishte ndodhë asgja në vendet e Europës Lindore! Flamurtarët e diktaturës në Shqipni krenoheshin…
Mbas disa muej tortura e vuejtje një grup u dënue me nenët 57 dhe 55 të Kodit Penal të RPSSH, që ishte në fuqi më këte motivacion: “Për krijimin e një organizate kundër revolucionare me karakter antisocialist. Për krime kundër Shtetit dhe për përmbysje të tij me dhunë…”, pra, siç shihët, rruga e hetimëve të Sigurimit i çonte drejtë plumbit. Spaçi e Qafë Bari vazhdonin të ndertonin socializmin me rob të burgosun si gjithnjë!
Rin Monajka ishte nder kryesorët organizatorë me Gjergj Livadhin, Dedë Kasnecin dhe djelmë të tjerë që nuk e “njohën” friken e Sigurimit katil të shtetit komunist shqiptar që drejtonte skilja vrastare Ramiz Alia.
Katilëve nuk i mjaftonte fraktura e kafkës së kokës së Rinit në tortura, por duhej të vuente edhe burg nder kampet e shfarosjes.
Qendrimi i Tij burrnor asht një model i qendresës kundrejt diktaturës terroriste ma mizore që ka përjetue Shqipnia për 47 vjet. Ndonse, nga kjo diktaturë, Rini u torturue me mjetet ma të paligjëshme. Endè sot askush nga kriminelët vrastarë nuk ka mbajtë asnjë përgjegjësi, përveç asaj që terroristët janë të penduem për çka nuk kanë mujtë me ba!
Kampi i Qafë Barit dhe Burgu i Burrelit ishin e ardhmja e Rinit.
Një çudi ndaj kësaj demostrate në Shkoder ishte qendrimi jo dashamirës i të gjitha shtetëve fqinjë. Jugosllavia sigurisht parandjente diçka, që per ate ishte krejt e justifikueshme.
Një stacion i radios greke pak muej para kishte transmetue: “Sikur të hapën kufinjtë e Shqipnisë, nuk kanë me mbetë as breshkat aty, edhe ato do të ikin!”, edhe kjo ishte një e vërtetë.
Italia si gjithnjë përsëriti qendrimin e saj që ka mbajtë përgjatë gjithë Shekullit XX. Ajo u tregue shumë e gatëshme me ndihmue idealet e disa “socialistëve” të konvertuem në “demokratë” (I vuna nder thojza, mbasi asnjeni emen nuk ka ekzistue kurrë në drejtimin e shtetit që nga 1944).
Me datën 16 Janar 1990, pra dy ditë mbas Demostratës, demokristjani i njohun Roco Butiglone, jep një deklaratë për shtypin: “Me datën 14 Dhjetor unë isha në Shkoder, po gjendja në atë qytet ishte e qetë. Nuk më ka ra në sy ndonjë demostratë….”. Me plot gojë një turp për atë deputet të “demokristjanës” italiane. Ai me të vërtetë ka kenë në Shkoder, madje edhe në Kafe të Madhe, edhe i ulun tek dritaria e tretë pranë xhamit në krahun e djathtë të Kafes, sëpse, e kam pa unë me sytë e mij në ora 11.15’, pikërisht, kur në shesh ishin mbi 4000 vetë në Demostratën e heshtun, dhe “zotni demokristjanit” nuk i kishte ra në sy asgja, tue kenë jo ma larg se 20 ml., nga busti i Stalinit. E çka mujshin me pritë shkodranët e masakruem nder tortura nga këta “demokristjanë” komshijë italianë?
Në vitin 1991 Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shkodres, kishte Kryetarin e Nderuem Ferdinand Temali, që kërkoi me forcë lirimin e të dënuemve për rrëzimin e monumentit të diktatorit Stalin. Me pjestarët e grupit u lirue edhe Rini Monajka, ndonse i gjymtuem nga shndeti.
Kur e takova mbas lirimit, unë ndjeva vërtetë një kënaqësi që Ky djalë i kulturuem ishte i lirë, gjithmonë me shpresë se do të përmirësohej edhe me shëndet, mbasi ngjyra e verdhë e ftyrës vazhdonte me e shoqnue Ate.
Ishte shumë mirnjohës dhe nuk dinte sesi me u shpreh per ndihmen e madhe të Ferdinandit dhe BSPSh së Shkodres per lirimin e Tij.
Mbas lirimit nga burgu Rini, ashtusi shumë të tjerë që dhanë kontributin e Tyne tue rrezikue jetën për të ardhmën demokratike të Shqipnisë, u harruene shumë shpejtë! As sot nuk e kuptoj psehin?
Kishe shumë dëshirë që ti jepej mundësia e një kurimi të mirë kur mora vesh se iku në Austri, por ndodhi e kundërta, ndoshta, autoambulanca që me 14 Janar 1990, qendronte para hotel Turizmit në Shkoder, e kishte ndjekë deri në Austri, deri në Villach, ku me 1 Maji 1997, Rini Monajka mbylli sytë pergjithmonë krejtë i vetmuem, si shumë e shumë Demokratë Shqiptarë! Një akt i pafalshem dhe shumë tronditës per ne!
Sa pak janë këto rreshta per mirënjohjen që duhet të tregojmë për ditët e Lirisë që na solli Rini dhe Rinia Shkodrane, ndonse sot, Veprave të Tyne, u kanë dalë perzot shumë prej “atyne” që po kerkojnë me i harrue ose ma keq, me rikthye “disa” foto e emna terroristësh në shkrimet e veta!
Detyrohem me persëritë sot edhe njëherë një ide që kam shpreh prej sa kohe perpara per Bashkinë e Shkodres:
Dikur, në krahun e majtë të monumentit të Stalinit ishte një gur mermeri i daltuem. Ishte mendue mbi Té me u vendosë një Shqipe me krah të hapun, simbol i së ciles ishte ruejtja nën krahët e Asaj Shqipe: “Lavdia e Deshmorëve të Lirisë”. Njëditë guri “lëvizi e kaloi” nga turizmi!
Askush nuk u çudit në Shkoder per këte lëvizje të Atij Guri mermerit!
Sa do të ishte me vlerë për Qytetin dhe Popullin e Shkodres, që në ballë të Parkut në qendren e Shkodres, mbas Monumentit të Luigj Gurakuqit, të vëndoseshin disa Gurë të daltuem (25 X 35 cm.) me emnat e Martirëve dhe të Dëshmorëve të Shkodres, që nuk janë aq pak dhe ku, në një prej këtyne Gurëve, duhet daltue edhe Emni i nderuem i shkodranit Hero i Demokracisë: RIN MONAJKA (DUKAGJINI) 1953 – 1997.
Ju lutem Shkodranë të Nderuem vlersonje këte mendim të timin!
Shkodra jo vetem duhet ti kujtojë Herojt e Saj, po duhet t’i Perjetsojë në Shekuj Emnat e Nderuem dhe të Pavdekshem të Herojve të Saj tue fillue nga Studenti Mark Çuni, që asht vra i Pari si DEMOKRAT SHQIPTAR, e ndoshta i Pari edhe n’ Europën e Lirë mbas Luftës së Dytë Botnore!
Kurr mos i harroni sakrificat e Popullit Shqiptar dhe, kryesisht t’ Atij të Shkodres, që kanë dhanë jeten aq shumë vetë per Liri dhe Demokraci!
Emnat e Atyne Herojve vazhdojnë me shndritë në qiellin e Demokracisë!
ATA NUK HARROHEN KURR NGA SHKODRA E, AS NGA SHKODRANI !
SEJCILI PREJ GURVE T’ ROZAFES KA T’ DALTUEM NJI EMEN HEROI !
Komentet