Në fjalimin e mbajtur sot gjatë ceremonisë së pranimit të çmimit prestigjioz “Karli i Madh” në Aachen të Gjermanisë, ish-kryeministri italian dhe ish-presidenti i BQE-së, Mario Draghi, analizoi dobësitë strukturore të bllokut dhe propozoi një vizion të ri për integrimin. Ai bën thirrje për një “federalizëm pragmatik” si mjetin e vetëm për të garantuar sovranitetin dhe zhvillimin e Evropës në një botë që po ndryshon rrënjësisht.
Nuk pretendoj se ajo që e pret Evropën është e lehtë. Presioni mbi kontinentin tonë është i madh dhe po shtohet muaj pas muaji. Megjithatë, ky nuk është vetëm një moment rreziku; është një moment zbulimi.
Forcat që sot na vënë në provë po realizojnë diçka që dekada paqeje nuk e arritën dot. Ato po na detyrojnë të njohim përsëri atë që kemi të përbashkët dhe atë që jemi të gatshëm të ndërtojmë së bashku.
Që nga viti 2020, kemi përjetuar një seri tronditjesh të jashtme që e kanë ngushtuar hapësirën tonë për ngurrim. Jemi ende duke u përballur me tarifat tregtare më të larta të shekullit, ndërkohë që lufta në Lindjen e Mesme ka rikthyer inflacionin e lartë dhe ankthin në familjet tona.
Nevojat tona për investime janë bërë gjigante. Ato që dikur vlerësoheshin si 800 miliardë euro shpenzime strategjike, me angazhimet e reja për mbrojtjen sot kanë shkuar në mesatarisht 1.200 miliardë euro në vit.
Bota që dikur e ndihmonte Evropën të lulëzonte nuk ekziston më. Ajo është bërë më e ashpër dhe më e përçarë. Nuk mund të supozojmë më se kujdestarët e rendit të pasluftës përtej Atlantikut do të vazhdojnë ta mbrojnë atë me të njëjtin përkushtim.
Për herë të parë që nga viti 1949, duhet të përballemi me mundësinë që Shtetet e Bashkuara të mos garantojnë më sigurinë tonë në kushtet që i kishim marrë si të mirëqena. Po ashtu, Kina nuk ofron një alternativë.
Ajo po grumbullon teprica industriale që kërcënojnë të zbrazin bazën tonë prodhuese, ndërsa mbështet drejtpërdrejt kundërshtarin tonë, Rusinë. Për herë të parë, ne jemi vërtet vetëm.
Sistemi ynë evropian u ndërtua me mençuri për të parandaluar përqendrimin e pushtetit pas tmerreve të shekullit të kaluar. Ky model solli paqe, tregun unik dhe euron. Por ai bazohej në dy supozime që sot kanë rënë: supozimi se bota do të ishte gjithmonë e hapur për tregtinë e lirë dhe që dikush tjetër do t’i zgjidhte çështjet tona të sigurisë.
Sot, ne e gjejmë veten me një treg unik të papërfunduar, tregje kapitali të fragmentuara dhe sisteme energjetike të izoluara. Kemi tre dobësi kryesore që duhen adresuar menjëherë.
Së pari, ekspozimi ndaj kërkesës së jashtme. Kompanitë tona janë detyruar të kërkojnë rritje jashtë, sepse Evropa nuk ofronte mjaftueshëm hapësirë brenda. Kjo na bën jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj vendimeve politike të Uashingtonit apo Pekinit.
Së dyti, varësia strategjike. Ne varemi nga Amerika për 60 për qind të importeve tona të gazit dhe mbetemi të varur nga zinxhirët kinezë të furnizimit edhe për tranzicionin tonë të gjelbër. Nëse do të kishim integruar tregjet tona të kapitalit dhe energjisë, kursimet evropiane do të financonin inovacionin në shtëpi dhe faturat e energjisë do të ishin përgjysmuar.
Së treti, prapambetja teknologjike. Hendeku i produktivitetit me SHBA-në po zgjerohet. Inteligjenca Artificiale nuk është thjesht një mjet tjetër; ajo është një transformim që kërkon investime pesë herë më të larta se ato që po bëjmë sot.
Kush fiton garën e Inteligjencës Artificiale, fiton të ardhmen ekonomike në mënyrë të përhershme. Pra, si duhet të përgjigjemi? Disa sugjerojnë të mos ndryshojmë asgjë, por kjo do të ishte mungesë vendimmarrjeje.
Të tjerë duan rikthimin e shtetit mbrojtës, por politika industriale kombëtare brenda tregut unik do të ishte e kushtueshme dhe fragmentuese. Subvencionet e dhëna nga një shtet dëmtojnë rritjen e tjetrit. Unë gjykoj se zgjidhja është integrimi i vërtetë.
Duhet të koordinojmë ndihmat shtetërore në nivel BE-je që të krijojmë “kampionë evropianë” të aftë për të konkurruar globalisht. Sa më shumë të reformohemi, aq më pak do të kemi nevojë për borxh të ri.
Po ashtu, duhet të ndryshojë marrëdhënia jonë me SHBA-në. Një aleancë ku Evropa varet nga Amerika për mbrojtjen, është një aleancë ku siguria përdoret si mjet presioni në tregti dhe energji. Autonomia jonë në mbrojtje nuk dobëson NATO-n; përkundrazi, e bën Evropën një aleat më të vlefshëm dhe më të fortë.
Ne shpenzojmë miliarda për armë amerikane dhe humbim 60 miliardë të tjerë çdo vit për shkak të mungesës së bashkëpunimit mes nesh. Ka ardhur koha që mbrojtja jonë të jetë po aq evropiane sa edhe vlerat tona.
Ne duhet t’i japim substancë operative mbrojtjes së ndërsjellë. Nëse një shtet anëtar sulmohet, përgjigja duhet të jetë e padiskutueshme. Nuk është e thënë që çdo vend të kontribuojë me tanke; dikush mund të ofrojë mbrojtje kibernetike, dikush logjistikë dhe dikush mbështetje financiare.
E rëndësishme është detyrimi ndaj tjetrit. Sot, qytetarët tanë kërkojnë më shumë Evropë, por jo një Evropë abstrakte. Ata duan përmirësime konkrete që mund t’i prekin. Problemi ynë është se veprimi në nivelin e 27 shteteve shpesh bllokohet nga komitete që e hollojnë ambicien fillestare deri në pafuqi.
Ne duhet ta prishim këtë cikël. Vendet që duan dhe ndjejnë nevojën për të ecur përpara duhet të jenë të lira ta bëjnë këtë. Ky është federalizmi pragmatik. Është një qasje eksperimentale, ku bashkëpunimi thellohet në fusha konkrete si energjia, teknologjia dhe mbrojtja.
Modeli ynë është euroja: ata që ishin të gatshëm e nisën, ndërtuan institucione të forta dhe sot dalja nga ajo është e pamendueshme. Të nderuar udhëheqës, sot gjendemi në një pikë ku vendimet që duhet të marrim nuk mund të jenë më brenda kornizës së vjetër. Evropianët duan që BE-ja të mbrojë lirinë, zhvillimin dhe solidaritetin e tyre.
Detyra jonë është t’i përgjigjemi këtij besimi me guxim. Le t’u tregojmë, pra, atyre se Evropa ka ende forcën për ta transformuar këtë krizë në një bashkim të pathyeshëm./ Përshtati “Pamfleti”, nga “Il Foglio”