VOAL

VOAL

Si mbijeton ideja e errët për ndarjen e Kosovës? – Nga MEHMET KRAJA

May 12, 2019

Komentet

Aeroplanët Rafale, hapi i Ukrainës drejt një flote perëndimore

Një pilot i ushtrisë së Indisë duke u ngjitur në aeroplanin Rafale. India është ndër vendet që ka flotën më të madhe në botë me këto fluturake franceze.

 

Amos Chapple

Nëse Franca e mban fjalën që e dha më 14 korrik që aeroplanët luftarakë Rafale do t’i dërgohen Ukrainës në një të ardhme të afërt, forcat ajrore të Kievit së shpejti do të operonin me tetë modele të ndryshme të aeroplanëve luftarakë, të dizajnuara në katër shtete të ndryshme.

Parisi njoftoi më 14 korrik se katër nga 16 aeroplanët e llojit Dassault Rafale do t’i dërgohen Ukrainës sapo pilotët e vendit dhe ekipet e mirëmbajtjes të trajnohen për të operuar me këtë fluturake franceze. Trajnimet mund të nisin “po më 2026”, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar nga Franca dhe Ukraina.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, forcat ajrore të Ukrainës trashëguan dhjetëra aeroplanë të epokës sovjetike, të cilët ende janë shtylla kryesore e flotës sulmuese ajrore. Por, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, aleatët perëndimorë e kanë furnizuar Kievin me aeroplanë të prodhimit amerikan F-16, por edhe me disa fluturake franceze Mirage 2000. Disa aeroplanë Gripen të Suedisë pritet të operohen nga pilotët ukrainas në fillim të vitit të ardhshëm, dhe Rafalet pritet të jenë fluturaket e radhës.

Operimi i një flote kaq të larmishme të fluturakeve luftarake zakonisht nuk preferohet nga ushtritë “për shkak të humbjes së përfitimeve ekonomike dhe për shkak të nevojës për të krijuar sisteme trajnimi, mbështetjeje dhe mirëmbajtjeje për secilin lloj aeroplani”, tha për Radion Evropa e Lirë, Christoph Bergs, analist për fuqinë ajrore në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI).

Disa shtete të NATO-s operojnë me flota të përbëra vetëm nga një model i aeroplanëve luftarakë, ndërsa edhe forcat ajrore të mëdha, si ato të Gjermanisë dhe Francës, aktualisht përdorin vetëm dy lloje të fluturakeve sulmuese.

Bergs tha se rritja e kompleksitetit të flotës ajrore luftarake të Ukrainës ka të ngjarë të jetë një hap drejt synimit afatgjatë të vendit për të hequr dorë plotësisht nga aeroplanët e epokës sovjetike. Mirëmbajtja e këtyre aeroplanëve po bëhet gjithnjë e më e vështirë për Kievin, pasi zinxhirët e furnizimeve me pjesë kyç janë ndërprerë për shkak të armiqësive pasi Rusia aneksoi Krimenë më 2014.

“Ukraina do të synojë të zëvendësojë flotën e trashëguar sovjetiko-ruse me aeroplanë krejtësisht perëndimorë”, parashikoi eksperti i fuqisë ajrore. “Prandaj, numri relativisht i vogël i aeroplanëve Gripen dhe Rafale, që do të futen gradualisht gjatë viteve të ardhshme, fillimisht do të shërbejë për një periudhë kalimtare, me gjasë të përshpejtuar, të trajnimit dhe integrimit taktik në skuadrilje”, thotë ai.

Aeroplani Rafale hyri për herë të parë në shërbim të forcave të armatosura franceze më 2001 dhe mori pjesë në operacionet e para luftarake vitin pasues, gjatë inavazionit të Afganistanit, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Kjo fluturake me dy motorë është dizajnuar që të luftojë aeroplanë të tjerë apo të shënjestrojë caqe në tokë, ditën dhe natën.

Rafale ka pasur sukses në tregun e eksporteve pjesërisht për shkak të faktit se shoqërohet me më pak kushte gjeopolitike sesa aeroplanët luftarakë të tjerë të ngjashëm me të të prodhuar nga Rusia, Shtetet e Bashkuara apo Kina.

Dy aeroplanë luftarakë Rafale të ushtrisë franceze.

Dy aeroplanë luftarakë Rafale të ushtrisë franceze.

Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe India aktualisht kanë flotat më të mëdha me Rafale franceze. Emri i këtij aeroplani në shqip mund të përkthehet si stuhi, erë e fuqishme apo shpërthim zjarri.

Kritika kryesore ndaj aeroplanit Rafale lidhet me koston e tij. Varësisht nga paketa e pajisjeve dhe mbështetjes, çmimi i një fluturakeje të vetëm mund të arrijë deri në rreth 250 milionë dollarë.

Edhe kostot e operimit janë të mëdha. Vlerësohet se fluturimi me një Rafale kushton nga 16.000 deri në 31.000 dollarë për një orë fluturim.

Ukraina planifikon që në fund të blejë 100 aeroplanë luftarakë Rafale, ndërsa financimi për këtë blerje do të sigurohet nga një kredi e Bashkimit Evropian prej 90 miliardë eurosh “si dhe nga çdo burim tjetër financimi”, kanë bërë të ditur Kievi dhe Parisi.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

BIRN: Brukseli rrit presionin për ligjin e Zonave të Mbrojtura dhe Investimeve Strategjike, por maxhoranca bllokon nismat në Kuvend për shfuqizimin e tyre

Komisioni Europian kërkoi nga qeveria shqiptare anulimin e ndryshimeve ligjore të vitit 2024 që prekin Zonat e Mbrojtura dhe shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, ndërkohë që në Kuvend, mazhoranca bllokon nismat e opozitës për shfuqizimin e tyre.

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos i kërkoi të martën kryeministrit Edi Rama që të shfuqizojë ligjin për Investimet Strategjike dhe amendimet e vitit 2024 të ligjit për Zonat e Mbrojtura, duke rritur presionin ndaj qeverisë shqiptare për të qenë në linjë me standardet europiane, ndërkohë që protestat e përditshme në Shqipëri kanë hyrë në muajin e dytë të tyre.

E pyetur për projektin specifik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit që ndezi protestat popullore, komisionerja Kos tha se: “mbrojtja mjedisore është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE, kritere shumë të rëndësishme dhe aktualisht ka një sërë ligjesh që duhen ndryshuar për të përmbushur këtë kriter”.

“Po edhe përpara sesa të nisnin këto protesta, kishim rënë dakord me Shqipërinë që gjatë këtij viti do të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 të ligjit për Zonat e Mbrojtura,” theksoi ajo.

Kos i bëri deklaratat në një konferencë për shtyp me kryeministrin Edi Rama pas konferencës së IX ndërqeveritare Shqipëri- BE, ku u zyrtarizua mbyllja e tre kapitujve negociues. Vetë Rama dha një përgjigje të paqartë për kërkesën që lidhet me ligjin për Zonat e Mbrojtura, ndërsa përsëriti se projekti turistik në Zvërnec do të bëhet.

“Shfuqizimi nënkupton anulim dhe ligji për Investimet Strategjike do të shfuqizohet dhe anulohet, ndërkohë që ligji për Zonat e Mbrojtura, që është një nga ligjet më të mira që kemi, do të përshtatet derisa të arrijë 100% standardet europiane,” tha Rama.

Ligji kontrovers për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015 si një ligj i përkohshëm për të nxitur investimet e huaja në sektorë strategjikë të ekonomisë, shërbeu në fakt si një mekanizëm për të lehtësuar ndërtimet në bregdet të biznesmenëve të afërt me qeverinë. Mazhoranca socialiste votoi shtyrjen e efekteve të tij gjashtë herë, edhe pse ishte zotuar për hartimin e një ligji të ri për investimet si pjesë e dokumentit negociues me Bashkimin Europian.

Nga ana tjetër, ligji për Zonat e Mbrojtura i vitit 2017 u ndryshua në vitin 2024 nëpërmjet një procesi jotransparent, pa konsultim të mirëfilltë dhe me kundërshtimin e organizatave mjedisore dhe kritikave të BE-së, duke hequr barrierat ligjore mbrojtëse për zonat e mbrojtura natyrore për t’i hapur rrugë betonizimit të tyre me projekte ndërtimesh si ai i Zvërnecit.

Prej fillimit të protestave, Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend dy nisma ligjore për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura, por asnjëra prej tyre nuk është futur në shqyrtim.

Të martën, mazhoranca socialiste kundërshtoi futjen në rendin e ditës të komisionit parlamentar për Turizmin një nismë ligjore të deputetes Ina Zhupa që propozonte shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të bëra në vitin 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura. Si kryetare e komisionit, ajo propozoi futjen në kalendar të nismës së saj të depozituar që në datën 14 maj në Kuvend, por nënkryetari socialist i Komisionit, Erjon Malaj tha se mazhoranca ishte kundër dhe që nismat duhej të përfshiheshin në kalendar pas vendimit të Konferencës së Kryetarëve.

Edhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka depozituar po ashtu nisma të ngjashme që kërkojnë shfuqizimin e atyre që konsiderohen si “ligje me porosi”, mes të cilave dhe dispozitat e ligjit për Zonat e Mbrojtura.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku vuri në dukje të mërkurën gjatë mbledhjes së komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut se asnjë prej ‘zotimeve’ të Ramës nuk ishte reflektuar në kalendarin e punës së Kuvendit për javët e fundit të këtij sesioni parlamentar.

“Nuk janë harresa dhe as gabime të qeverisë, janë mënyra se si këta kanë funksionuar, si i kanë ndarë asetet publike,” tha Tabaku për BIRN, ndërsa solli në kujtesë përpjekjet e vazhdueshme të opozitës kundër këtyre ligjeve.

Sipas Tabakut, ligji për Investimet Strategjike është shtyrë gjashtë herë dhe përgjatë këtyre viteve, ajo thotë se ka të paktën 15 komunikime me Komisionin Europian, me delegacionin dhe Parlamentin Europian, ku theksohet se ky ligj është kundër marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit dhe që prek kapitullin 27 të integrimit.

Për këtë arsye, Tabaku i sheh deklaratat e Ramës jo si premtime serioze, por si një “kalim radhe”.

“Ky është një shqetësim jo vetëm i BE, por për garën në vend, sepse këto ligje kanë cënuar konkurrencën, kanë cënuar asestet publike duke i ndarë pa konkurs dhe ka krijuar një precedent të rrezikshëm dhe për të ardhmen, sepse këto ligje nuk vijnë ndaras, janë pjesë e një pakete të ligjeve me porosi,” tha Tabaku.

Edhe deputeti Redi Muçi e pret me mosbesim deklaratën e Ramës, ndërkohë që nismat e tij për shfuqizimin e këtyre dispozitave ligjore që kërkohen nga BE rrinë në sirtarët e Kuvendit dhe nuk futen në shqyrtim.

“Nuk fakt më duket se Rama është detyruar t’i përshtatet narrativës së Marta Kos, si dhe rezolutës së PE, por nuk besoj se do t’i shfuqizojë këto ndryshime ligjore, sepse dhe më parë ka pasur kërkesa nga Brukseli për këto ligje problematike,” tha Muçi.

Sipas tij, strategjia e qeverisë shqiptare është ajo e ‘faktit të kryer’, siç ndodhi me investimin e Zvërnecit, “ku u rrethua hapësira e parashikuar për ndërtime dhe nisën punët pa pasur asnjë dokument shtetëror që të justifikonte gjithë këtë ndërhyrje”.

Muçi paralajmëron se presioni për të shfuqizuar këto dispozita ligjore mund të sjellë efektin e kundërt.

“Ka për të përshpejtuar ndërhyrjet në Zonat e Mbrojtura, por besoj se do t’a ketë të vështirë nga reagimi i njerëzve,” tha ai, duke konsideruar protestat si pengesë për planet e qeverisë, siç ndodhi me Zvërnecin./BIRN

Revolta në Tiranë në ditën e 47, Sky News: Dua Lipa mbështet shqiptarët që protestojnë, i cilësoi frymëzues

Mbështetja që këngëtarja Dua Lipa ka shprehur për protestat që po vijojnë prej 47 ditë tashmë në Tiranë, ka rrëmbyer titujt kryesorë të mediave më të mëdha në botë.


Së fundmi edhe Sky News, i ka kushtuar një artikull vendimit të këngëtares shqiptare.

“Dua Lipa ka shprehur mbështetjen e saj për shqiptarët që protestojnë kundër planeve për një vendpushim luksoz të lidhur me dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner.

Screenshot
Screenshot

Ylli i popit, e cila ka prindër shqiptarë të Kosovës, i përshkroi protestat si “frymëzuese” në podkastin ku mori pjesë.

Demonstratat kanë parë përleshje të policisë me protestuesit për më shumë se një muaj”, shkruan SkyNews. gsh

Gazetari Gjergj Erebara e ironizoi në rrjetet sociale, Balla i kundërvihet BIRN-it dhe u kërkon llogari ambasadave e donatorëve, mes tyre edhe Sorosit

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla është përfshirë në një replikë në distancë me gazetarin e BIRN, ekspertin e ekonomisë, Gjergj Erebara. Shkak është bërë një postim ironik që gazetari ka hedhur në rrjetin e privat Facebook.

Gazetari Erebara postoi një fotografi të modifikuar me AI, në të cilën ironizohej emri i Ballës dhe fotografitë nga droni që ky i fundit poston për të sulmuar protestën e qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës.

 

 

“Urgjent të mblidhen 30 patronazhistë ta bëjnë P-në B. Pranohen edhe trafikantë droge nga Elbasani. Kjo foto është krijim artistik dhe nuk reflekton postim real,” shkruan Erebara.

Erebara
Erebara

Pas këtij postimi, kreu i Grupit të PS sulmoi jo vetëm gazetarin, por edhe BIRN. Balla i kërkoi llogari ambasadave dhe donatorit Soros, i cili përmes Fondacionit për Shoqërinë e Hapur, jep fonde për këtë media.

Auto Sorosi11784116366
Auto Sorosi11784116366

“Ky “falsifikator” qenka redaktor/bashkëpunëtor i BIRN Albania, një organizatë që u merrka me gazetari investigative si dhe me trajnimin e gazetarëve dhe projekte për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies. Hajde mision hajde. Hajde gazetari investigative hajde. TURP!

Organizata u financoka nga donatorë ndërkombëtarë, përfshirë programe të Bashkimit Evropian, ambasada, fondacione dhe organizata ndërkombëtare, sipas projekteve që zbaton. Madje deklaron se misioni i saj është promovimi i gazetarisë cilësore, transparencës, llogaridhënies dhe vlerave demokratike.

Kam një pyetje për këto donatorët: Fondacioni Shoqëria e Hapur në Shqipëri (OSFA), Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA) dhe ambasadat e disa vendeve (nuk po i përmend këtu sepse do t’i drejtohem direkt), a është kjo në foto ajo gazetaria cilësore, transparente, që ju keni financuar? A mendoni se në vendet tuaja mund të lejohet që redaktori i një mediaje të financuar me para publike të falsifikojë dhe fyejë deri në këtë nivel?” shkruan Balla.

“Kjo racë autokratësh kalëron mbi varfërinë dhe papunësinë e njerëzve” – Deklarata e Ramës si opozitar që po bën xhiron e rrjetit

Në kohën kur fliste nga pozitat e opozitarit, Edi Rama artikulonte një të vërtetë të hidhur mbi natyrën e pushtetit në Shqipëri.

“Për këtë racë autokratësh njerëzit duhet të jenë të varfër sepse janë më të kollajshëm si zgjedhës… këta kalërojnë mbi dëshpërimin e njerëzve që t’i gënjejnë me një thes miell, t’u shtrojnë një rrugicë apo t’u marrin kartën e identitetit për 50 mijë lekë”, shprehej Rama për qeverinë asokohe.

 

 

Sot, pas më shumë se një dekade në pushtet, kjo deklaratë nuk tingëllon më si një akuzë ndaj paraardhësve, por si një diagnozë e saktë e qeverisjes së tij aktuale.

Prej më shumë se një muaji e gjysmë, Shqipëria po përballet me protesta masive popullore. Sheshet dhe rrugët e vendit janë mbushur nga qytetarë që nuk kërkojnë thjesht ndryshim emrash në zyra, por fundin e një sistemi që i ka varfëruar dhe i ka detyruar të emigrojnë.

Ironikisht, revolta e sotme ushqehet pikërisht nga ato fenomene që Rama denonconte dikur: varfëria ekstreme, përdorimi i ndihmave selektive, premtimet e ricikluara për “asfalt e ujë” dhe kontrolli i votës përmes patronazhistëve apo presionit ekonomik. bw

Nga rruga në Google: Si u kthyen vlerësimet online në armë proteste në Shqipëri?

Pamje nga një plazh në Shëngjin, 30 qershor 2026.

 

Jetmira Delia-Kaci

Dhjetëra biznese të mëdha në Shqipëri u bënë objekt i një forme të pazakontë proteste.

Nuk u sulmuan me gurë apo me ngjyrë, por me mijëra vlerësime negative në Google, të shoqëruara me thirrje për bojkotim në rrjetet sociale.

Brenda pak ditësh, profilet online të restoranteve, kompanive dhe mediave u mbushën me komente me një yll, duke ulur ndjeshëm vlerësimet e tyre publike.

Për bizneset, kjo përkthehet në një goditje të drejtpërdrejtë ndaj reputacionit dhe besimit të klientëve.

Për protestuesit, është një mënyrë për të ushtruar presion ndaj kompanive që, sipas tyre, kanë përfituar nga afërsia me pushtetin.

Fushata nisi në kuadër të protestave të njohura si Revolucioni i Flamingove.

Revolucioni i Flamingove është emri që iu dha një lëvizjeje qytetare protestash në Shqipëri, e cila nisi në fund të majit, si reagim ndaj një projekti për ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit.

Flamingoja u bë simboli i protestës, sepse Laguna e Nartës është një nga habitatet më të rëndësishme të flamingove në Shqipëri, dhe protestuesit argumentojnë se projekti rrezikon këtë ekosistem.

Me kalimin e javëve, protesta u zgjerua përtej çështjes mjedisore.

Ajo u shndërrua në një lëvizje më të gjerë kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama, me kërkesa për dorëheqjen e tij, hetimin e korrupsionit, më shumë transparencë e të tjera.

Fillimisht, kishte në shënjestër artistë, këngëtarë dhe figura të njohura të showbiz-it, të cilat protestuesit i akuzonin se mbështesnin pushtetin ose kishin zgjedhur të heshtnin përballë zhvillimeve politike në vend.

Shpejt, ajo ndryshoi drejtimin. Objektiv u bënë edhe kompani të mëdha që, sipas protestuesve, kanë përfituar nga vendimmarrjet e Qeverisë ose kanë ndërtuar marrëdhënie të privilegjuara me pushtetin.

Thirrjet për bojkot u shfaqën fillimisht në platformën sociale, Reddit, dhe më pas u përhapën në Facebook, Instagram dhe platforma të tjera, ku përdoruesit u nxitën të linin vlerësime me një yll në Google Reviews për dhjetëra kompani dhe media.

Google Reviews është një nga platformat më të përdorura për vlerësimin e bizneseve dhe, për shumë kompani, reputacioni online ndikon drejtpërdrejt në besimin e klientëve.

Për këtë arsye, një numër i tyre iu drejtuan autoriteteve me kallëzime.

Policia e Shtetit tha se ka identifikuar rreth 10 mijë llogari që dyshohen se janë përfshirë në këtë aktivitet të koordinuar online dhe shtoi se verifikimet janë në proces.

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje Prokurorisë të veprojë ndaj atyre që i cilësoi si “dhunues të pronës publike e private” dhe “shantazhues të qytetarëve”.

Nga kontratat “1 euro” te fushata në Google

Mes bizneseve që u gjendën në qendër të kësaj fushate është edhe ai i sipërmarrësit Gjergj Luca, i njohur për aktivitetin në industrinë e përpunimit të peshkut dhe për kompleksin “Rozafa Fish City” në Elbasan.

Protestuesit e vendosën atë në shënjestër, duke pretenduar se është një nga biznesmenët që ka përfituar nga afërsia me pushtetin.

Ata u referohen, mes tjerash, vendimeve të Këshillit të Ministrave, sipas të cilave, prej vitit 2015, kompania e tij ka marrë në përdorim pesë pasuri shtetërore me tarifën simbolike prej një euroje, në kuadër të skemës shtetërore për nxitjen e investimeve dhe punësimit.

Vetë kompania thotë se kontratat janë dhënë në përputhje me këtë skemë shtetërore dhe se investimet kanë sjellë zhvillim ekonomik dhe vende pune.

Brenda një periudhe të shkurtër, profilet e bizneseve të Lucës në Google Reviews u përballën me një valë komentesh negative dhe, sipas të dhënave publike në platformë, disa prej tyre ranë nga rreth 4.5 yje në afro 2.

Luca e përshkroi fushatën si sulm ndaj punës së ndërtuar ndër vite.

“Nuk dëmtohem unë, por hidhet baltë mbi njerëz që kanë punuar me sakrificë”, u shpreh ai publikisht, ndërsa në reagimet në rrjetet sociale, protestuesit i quajti “fashistë”.

Radio Evropa e Lirë e pyeti Lucën nëse bizneset e tij kanë pësuar dëme konkrete nga kjo fushatë, por ai nuk pranoi të japë komente shtesë, duke thënë se qëndrimi i tij mbetet ai që ka shprehur tashmë publikisht.

Pamje nga një protestë në Tiranë.

Pamje nga një protestë në Tiranë.

Për organizatorët e protestës, Luca është vetëm një nga shembujt.

Gent Progni, pjesë e grupit koordinator të “Revolucionit të Flamingove”, thotë se fushata nuk synon të godasë biznesin privat si të tillë, por kompanitë që, sipas tij, janë pasuruar falë privilegjeve të krijuara nga pushteti.

“Qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës me njerëz që, vetëm sepse janë afër me pushtetin, marrin prona me një euro për t’u pasuruar… Kushdo është i lirë të reagojë dhe të shprehë mendimin e tij”, thotë Progni.

Ai shton se fushata është frymëzuar nga nisma të ngjashme në vende të tjera, ku rrjetet sociale janë përdorur si mjet presioni ndaj kompanive ose figurave publike.

Liri e shprehjes apo sulm i koordinuar?

Për autoritetet shqiptare, nuk bëhet fjalë vetëm për komente negative në internet.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, tha në fund të javës së kaluar se rreth 10 mijë llogari në rrjetet sociale dyshohen se janë përfshirë në këtë aktivitet.

Sipas tij, janë identifikuar raste kur e njëjta llogari ka publikuar, brenda një kohe shumë të shkurtër, vlerësime negative për biznese në qytete të ndryshme të vendit – një model që, sipas policisë, ngre dyshime për një veprimtari të koordinuar.

Hitaj tha se autoritetet po bashkëpunojnë me platformat online dhe partnerët ndërkombëtarë për të siguruar prova dhe për të identifikuar personat që qëndrojnë pas këtyre veprimeve.

“Çdo person që do të rezultojë i përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm, pavarësisht vendndodhjes së tij, do të përballet me forcën e ligjit”, deklaroi ai.

Deklaratat e policisë u kundërshtuan menjëherë nga organizatorët e protestës, të cilët i cilësuan ato si përpjekje për të frikësuar qytetarët.

Gent Progni thotë se askush nuk mund të hetohet vetëm pse ka lënë një vlerësim negativ në një platformë online.

“Nuk ka asnjë bazë ligjore të hetosh apo ndalosh dikë për një ‘review’ negativ. Qytetarët po shprehin mendimin e tyre për bizneset. Kjo fushatë shkon edhe në të mirë të bizneseve të tjera, që ndoshta punojnë ndershmërisht dhe jo si biznesmenët e lidhur me pushtetin”, thotë ai.

Debatit iu bashkua edhe opozita.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se çdo qytetar ka të drejtë të shprehë mendimin për një shërbim privat apo publik.

Megjithatë, ai bëri dallim mes kritikës së sinqertë dhe përdorimit të llogarive të rreme për të publikuar vlerësime për shërbime që nuk janë marrë kurrë, duke thënë se kjo dëmton konkurrencën e ndershme.

Njëkohësisht, ai akuzoi Qeverinë se po përgatit kufizimin e rrjeteve sociale.

Në anën tjetër, kryeministri Rama e cilësoi këtë formë proteste si një “skemë kriminale” dhe tha se, me ndihmën e kompanisë Google, profileve të bizneseve po u rikthehen vlerësimet që, sipas tij, janë fituar “me punë e mund”.

Ai argumentoi se sulmet online nuk dëmtojnë vetëm kompanitë e prekura, por edhe imazhin e Shqipërisë si një vend i sigurt për investime dhe turizëm.

“Protesta ushqen perceptimin negativ e të pavërtetë të një vendi jomiqësor ndaj mjedisit, jomikpritës për investimet e huaja dhe të pasigurt për turistët”, tha Rama në një adresim për mediat këtë javë.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi kompaninë Google për ta pyetur nëse ka vërejtur ndonjë aktivitet të pazakonshëm në Shqipëri dhe, nëse po, çfarë masash ka marrë, por nuk mori përgjigje.

Kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e shprehjes dhe të mendimit.

Nëse provohet mashtrimi ose aktiviteti i koordinuar, atëherë çështja mund të mos trajtohet më si liri e shprehjes, por si vepër penale, në varësi të fakteve konkrete.

Vetë Kodi Penal nuk ka një nen specifik për “review bombing”.

Si është trajtuar “review bombing” në vende të tjera?

Fushatat e koordinuara me vlerësime negative në internet nuk janë një fenomen i ri.

Ato njihen ndërkombëtarisht si “review bombing” dhe, viteve të fundit, janë përdorur si formë proteste, presioni politik, por edhe shantazhi ndaj bizneseve.

Një nga rastet më të njohura u regjistrua gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – në vitet 2023-2024.

Restorante, kafene dhe biznese të vogla në vende të ndryshme u përballën me mijëra komente me një ose pesë yje nga përdorues që, në shumë raste, nuk kishin qenë kurrë klientë të tyre.

Google ndërhyri duke hequr një pjesë të vlerësimeve, pasi i konsideroi të rreme ose rezultat të aktivitetit të pazakontë dhe të koordinuar.

Në shumicën e rasteve të ngjashme, reagimi i parë nuk ka ardhur nga policia, por nga vetë platformat online.

Ato kanë hequr vlerësimet që kanë konsideruar të rreme ose të koordinuara dhe kanë pezulluar llogaritë që kanë shkelur rregullat e përdorimit.

Protestat masive kundër qeverisë Rama, media italiane: Dua Lipa ndan shqetësimet e qytetarëve, mobilizimin popullor e quan frymëzues

Media italiane “RaiNews” i ka kushtuar një artikull faktit që këngëtarja shqiptare Dua Lipa mbështet protestat që vijojnë në Tiranë.

Media shkruan se këngëtarja ndan shqetësimet e protestuesve dhe e quajti mobilizimin popullor “frymëzues”.

“Në podkastin e Klubit të Librit Service95, në një bisedë me shkrimtaren shqiptare Lea Ypi, Dua Lipa shprehu mbështetjen e saj për protestat kundër projektit për një vendpushim luksoz të lidhur me Ivanka Trump dhe bashkëshortin e saj Jared Kushner në Shqipëri.

Këngëtarja tha se ndan shqetësimet e protestuesve në lidhje me transparencën e projektit dhe e quajti mobilizimin popullor “frymëzues”. “Ajo që e gjej vërtet shqetësuese është parimi se qeveria thjesht mund të ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjet mjedisore pa asnjë konsultim publik”, tha ajo.

Projekti i turizmit, i vlerësuar të ketë një vlerë prej 4.6 miliardë dollarësh , u propozua për herë të parë për vitin 2024. Protestat filluan në fund të majit, pasi u instaluan gardhet dhe buldozerët mbërritën në zonën e prekur, dhe vazhdojnë çdo ditë në Tiranë. “, shkruan media italiane. Panorama

Mijëra shqiptarë në shesh kundër Ramës dhe qeverisë, media austriake: Dua Lipa mbështet lëvizjen protestuese në Shqipëri

Këngëtarja britanike Dua Lipa mbështet protestat në Shqipëri të nxitura nga një projekt i planifikuar për ndërtimin e banesave luksoze nga dhëndri i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në një rezervat natyror. Ajo e konsideron “shqetësuese” që një qeveri “thjesht mund të ndryshojë një ligj për të anashkaluar rregulloret mjedisore”, tha dje në podkastin “Service95 Book Club” 30-vjeçarja, prindërit e së cilës janë nga Kosova dhe Shqipëria.

Protestat drejtohen kundër planeve për të ndërtuar një hotel luksoz në rezervatin natyror të Zvërnecit në bregdetin jugperëndimor të Shqipërisë, një projekt i lidhur me vajzën e Presidentit të SHBA-së Trump, Ivanka Trump, dhe bashkëshortin e saj Jared Kushner. Projekti i ndërtimit u prezantua për herë të parë në vitin 2024. Protestat kundër kompleksit turistik filluan kur telat me gjemba dhe buldozerët u shfaqën në plazhet e Zvërnecit në fund të majit.

 

 

Zona e pushimit për zogjtë shtegtarë dhe flamingot e prekura

Plani përfshin gjithashtu transformimin e ishullit aktualisht të pabanuar të Sazanit – dikur një bazë ushtarake sekrete komuniste – në një vendpushim joshës për pushime. Laguna Vjosë-Nartë në bregdetin jugor të Adriatikut është një zonë e rëndësishme pushimi për zogjtë shtegtarë dhe flamingot.

Mijëra demonstrues kanë dalë në rrugët e kryeqytetit, Tiranës, çdo mbrëmje për javë të tëra. Kryeministri Edi Rama është bërë gjithashtu një shënjestër e protestuesve.

Qeveria shqiptare është përpjekur prej kohësh të nxisë ekonominë e saj përmes turizmit. Familja Trump ka investuar gjerësisht në projekte luksoze në të gjithë botën. Kritikët akuzojnë jo vetëm djemtë e Trump, por edhe Kushnerin dhe gruan e tij, se po e përdorin presidencën e Trump për interesat e tyre të biznesit./ ORF.at

“‘Revolucioni Flamingo’ ka mbështetjen e Dua Lipës” Berliner Zeitung: Këngëtarja kritikon qeverinë! Mijëra njerëz protestojnë kundër Ramës

Media gjermane “Berliner Zeitung” i ka kushtuar gjithashtu një artikull faktit që Dua Lipa mbështet protestat.

“Revolucioni i flamingove në Shqipëri po merr mbështetje të spikatur: Ylli i popit Dua Lipa ka shprehur mbështetjen e saj për protestat disajavore kundër resortit luksoz multi-miliardë dollarësh të Jared Kushner . Kushner është i martuar me Ivanka Trump dhe për këtë arsye është dhëndri i Presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Kritikat e 30-vjeçares drejtohen kryesisht ndaj veprimeve të qeverisë shqiptare. Në dhjetor 2024, parlamenti ndryshoi rregulloret ligjore, duke lehtësuar kështu projektet e ndërtimit në zonat ekologjikisht të ndjeshme. “Ajo që e gjej vërtet shqetësuese është parimi se qeveria thjesht mund të ndryshojë ligjin për të anashkaluar mbrojtjen e mjedisit pa asnjë konsultim publik”, tha Lipa. Nuk ka prova që Kushner ishte i përfshirë në ndryshim.

Sipas platformës së Lipës, Service95, biseda preku gjithashtu se kush përfiton nga zhvillimi ekonomik i Shqipërisë dhe si qytetarët mund të kontrollojnë pushtetin politik. Demonstratat e tanishme janë më të rëndësishmet që nga fundi i komunizmit.

Protestat filluan në fund të majit, pasi u ngritën gardhe me tela me gjemba dhe u shfaqën pajisje ndërtimi në vendin e planifikuar në Zvërnec.

Disa persona u plagosën në përleshjet me forcat private të sigurisë. Për më shumë se gjashtë javë tani, mijëra njerëz kanë demonstruar rregullisht kundër projektit dhe qeverisë së kryeministrit Edi Rama”, thuhet në artikull. bw

46 ditë revoltë- “Për javë të tëra, mijëra demonstrues kanë dalë në rrugë” Media gjermane: Dua Lipa mbështet protestat në Shqipëri

Qendrimi i këngëtares shqiptare me famë botërore Dua Lipa, në mbështetje të protestave që po vijojnë tashmë prej 46 ditësh në Tiranë, është pasqyruar në mediat botërore.

Media e njohur gjermane Stern.de, shkruan se Lipa e konsideron “shqetësuese” që një qeveri “thjesht mund të ndryshojë një ligj për të anashkaluar rregulloret mjedisore.

“E gjej shumë frymëzuese të shoh se sa shumë njerëzit kujdesen për këtë kauzë. Ekonomia e vendit duhet të ndërtohet në një mënyrë që u sjell dobi njerëzve”,. tha ajo lidhur me resortin në Zvërnec, në një intervistë të dhëna nga këngëtarja në podcasting e Lea Ypit “Service95 Book Club” të martën.

“Për javë të tëra, mijëra demonstrues kanë dalë në rrugët e kryeqytetit, Tiranës, çdo mbrëmje. Kryeministri Edi Rama është bërë tani gjithashtu një shënjestër e protestuesve.

Qeveria shqiptare është përpjekur prej kohësh të nxisë ekonominë e saj përmes turizmit. Familja Trump ka investuar gjerësisht në projekte luksoze në të gjithë botën. Kritikët akuzojnë jo vetëm djemtë e Trump, por edhe Kushnerin dhe gruan e tij, se po e përdorin presidencën e Trump për interesat e tyre të biznesit’, thuhet në artikull. bw

Protestat masive, The Guardian: “Revolucioni i flamingove” ka fituar mbështetjen e Dua Lipës! Reagimi i këngëtares u prit me entuziazëm nga qytetarët

Mbështetja e këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, për protestat kundër projektit turistik në Sazan dhe Zvërnec ka marrë jehonë në median prestigjioze britanike The Guardian, e cila i ka kushtuar një artikull të veçantë reagimit të artistes.

Sipas gazetës britanike, lëvizja qytetare e njohur si “Revolucioni i Flamingove” ka fituar mbështetësen e saj më të shquar deri më tani, pasi Dua Lipa shprehu publikisht admirimin për protestuesit që kundërshtojnë projektin e resortit të mbështetur nga investitorë të udhëhequr nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Në artikull thuhet se, ndërsa protestat kanë hyrë në javën e gjashtë, Dua Lipa i përshkroi ato si “frymëzuese” gjatë një bisede me akademiken dhe shkrimtaren Lea Ypi në podcastin Service95 Book Club.

 

 

“E gjej shumë frymëzuese të shoh se sa shumë njerëz interesohen vërtet,” u shpreh këngëtarja. The Guardian ndalet edhe te shqetësimet e ngritura nga Dua Lipa lidhur me ndryshimet në legjislacionin shqiptar për zonat e mbrojtura. Sipas saj, problemi nuk lidhet vetëm me projektin konkret, por me faktin që ligji mund të ndryshohet pa një proces konsultimi publik.

“Nuk mund të flasim për historinë e Shqipërisë pa folur për Shqipërinë e sotme. Ajo që më shqetëson është parimi që qeveria mund të ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë lloj konsultimi publik,” deklaroi Dua Lipa.

Media britanike kujton se projekti, me një vlerë prej rreth 1.6 miliardë eurosh, parashikon zhvillime turistike në ishullin e Sazanit dhe në gadishullin e Zvërnecit, zona që konsiderohen me rëndësi të veçantë për biodiversitetin. Artikulli thekson se ndryshimet ligjore që lejuan ndërtimet në zona të mbrojtura kanë nxitur kritika nga organizatat mjedisore dhe reagime edhe nga eurodeputetë, të cilët kanë paralajmëruar se respektimi i standardeve mjedisore është i rëndësishëm për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

The Guardian sjell edhe reagimin e Aleksandër Trajçes, drejtues i organizatës PPNEA, i cili e cilësoi mbështetjen e Dua Lipës si një moment të rëndësishëm për protestuesit.

“Ishte një deklaratë shumë e fuqishme. Shumë të rinj shqiptarë, që e shohin Dua Lipën si një idhull, janë frymëzuar. Kjo është dita e 45-të e protestave tona dhe nuk ka asnjë shenjë se ato do të ndalen,” tha ai.

Nga ana tjetër, gazeta rikujton se kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur projektin, duke e cilësuar atë si investimin më të madh në historinë e vendit dhe një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Ndërkohë, zhvilluesit kanë deklaruar se projekti do të realizohet me përgjegjësi, duke garantuar mbrojtjen e mjedisit dhe përfitime afatgjata për komunitetet lokale.bw

Bojkoti është gjithnjë gabim – Nga BUJAR LESKAJ

Bojkoti i djeshëm nga Partia Demokratike i seancës plenare të Kuvendit ishte një gabim politik dhe institucional. Ne duhej ta shfrytëzonim foltoren e Kuvendit për të përballur sektin Rama në qeverisje me argumenta, pyetje dhe kritika, por zgjodhëm mungesën, bojkotin.
Cili është kuptimi, ideja dhe mesazhi i këtij bojkoti? Më këtë vendimmarrje, humbëm mundësinë të denonconim fort disa raste:
Së pari, votën e manipuluar të Diasporës më 11 maj 2025. Në seancën e sotme do të diskutonim për Raportin Vjetor 2025 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të denonconim abuzimet dhe manipulimet e kryera me voten e mbi 240 mije përfaqësuesve nga Diapora në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025. Do të denonconim abuzimet dhe parregullsitë me administrimin e dërgesave postare. Rastet e vonesave të qëllimshme në shpërndarjen ose kthimin e zarfeve të votimit, shkaqet pse një pjesë e zgjedhësve në Diasporë nuk morën në kohë dokumentacionin për të votuar.
Do të denonconim abuzimet me verifikimin e identitetit të votuesit dhe zinxhirin defektoz të administrimit të fletës së votimit. Në sistemet e votimit me postë, transparenca e procedurës është vendimtare për të garantuar se vota është hedhur nga personi i autorizuar dhe se ajo ka mbërritur e paprekur, deri në administrimin zgjedhor. Patronazhistët e Ramës cënuan integritetin e zgjedhjeve, duke i grumbulluar ose ndërmjetësuar me zarfet e votimit dhe duke ndërhyrë në mënyrën e administrimit të tyre. SPAK duhet t’i hetojë me përparësi këto ndërhyrje, pasi kanë patur ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, duke përbërë krim zgjedhor.
Do të vinim përpara përgjegjësisë KQZ, për mungesën e plotë të transparencës mbi regjistrimin e votuesve nga jashtë. Procesi përfshinte regjistrimin elektronik dhe verifikimin e dokumentacionit. Kush i refuzonte dhe kush i pranonte aplikimet, sipas “rregjistrave” të patronazhistëve?
Do të kërkonim për të ardhmen përmirësimin e sistemit të gjurmimit të zarfeve postare në kohë reale; standardizimi i procedurave të verifikimit të identitetit; rritja e informimit të votuesve jashtë vendit; auditime të pavarura të procesit; si dhe një vlerësim i plotë nga vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë mbi funksionimin e votimit nga Diaspora.
Së dyti, do të denonconim punën e dobët dhe degradimin e institucioneve si AMF dhe INSTAT, institucione që duhej të mbronin qytetarin shqiptar nga pozitat pothuajse monopol të tregjeve financiare jobankare në Shqiperi(AMF) dhe duhej të përgatisnin tregues statistikorë të saktë e të besueshëm për vendim-marrjen financiare publike, qytetarët dhe studjuesit(INSTAT). Gje që s’e kanë bërë as gjatë vitit 2025.
Së treti, do të kritikonim dhe denonconim apatinë dhe mosveprimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, institucion tërësisht në mbrojtje të korrupsionit në Drejtësi.
Së katërti, duhej të denonconim gjendjen skandaloze financiare dhe korrupsionin e thellë në Radio Televizionin Shqiptar, institucion që mbahet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Si dhe apatinë dhe skllavërimin nga sekti Rama të Autoritetit të Mediave Audiovizuale(AMA), institucion që nuk ka gojë të vihet kundër goditjeve të Ramës ndaj mediave të pavarura.
Së pesti, dhe më kryesorja, do të mbështesnim në Kuvend protestën e madhe qytetare, që është në ditën e 45-stë sot të saj. Si opozitarë në Kuvend kemi detyrimin të përfaqësojmë kërkesat dhe pakënaqësitë e qytetarëve në protestë protestë. Kërkesat e tyre të drejta për abrogimin e katër ligjeve të qepura me dorë të sektit Rama janë edhe kërkesa tonat. Mbështetja jone ndaj kërkesave të protestuesve mund dhe duhet të shërbejë për t’i kthyer ato në iniciativa parlamentare dhe propozime konkrete.
Me protestën e kemi domosdoshmëri të koordinohemi për kërkesën kryesore të saj, dorëheqjen e autokratit Rama. Si dhe për Kodin e Ri Zgjedhor, pasi tashmë nuk janë dy palë, mazhorancë-opozitë në këtë reformë themelore, por shtohet mendimi qytetar i protestës. Duhet të koordinohemi edhe për realizimin e qeverisë teknike, sipas përcaktimeve të protestës qytetare.
Duhet kuptuar se çdo ndryshim në Kodin Zgjedhor dhe në Reformën territoriale kërkon domosdoshmërisht vulën dhe konfirmimin e Parlamentit Qytetar, që është në bulevardin e protestës dhe zgjedhjet e reja do të organizohen nga një qeveri teknike, e dalë nga kjo protestë.
Koordinimi, edhe pse jo institucional, mes veprimit parlamentar të opozitës dhe angazhimit qytetar në protestë, duhet dhe do të rrisë presionin politik për transparencë, debat dhe llogaridhënie. Opozita ka në dispozicion instrumente si interpelancat, komisionet hetimore, amendamentet dhe debatin parlamentar dhe sot duhet t’i përdorë sa më dendur ato, e jo të bojkotojë seanca plenare të Kuvendit.
xx
Historia politike shqiptare ka treguar se bojkotet parlamentare rrallëherë kanë prodhuar rezultatet që kanë synuar. Përkundrazi, ato kanë krijuar boshllëqe në përfaqësimin e qytetarëve dhe kanë dobësuar vetë rolin kushtetues të opozitës.
Qytetarët nuk i votojnë deputetët për të lënë bosh karriget në sallën e Parlamentit. Ata i zgjedhin për të ngritur shqetësimet e tyre, për të kundërshtuar ligje që i konsiderojnë të dëmshme dhe për të propozuar alternativa. Bojkoti nuk i zëvendëson këto detyrime.
Koha sot është e Parlamentit Qytetar të protestës dhe e opozitës. Ajo po punon mbrapsht për sektin Rama, qeverinë , maxhorancen dhe Kuvendin si noter të rëndomtë të Ramës. Ne duhet të ecim me hapin e kohës. Dhe këtë nuk e bëjmë dot përmes bojkoteve.

Send this to a friend