Analisti Fatos Lubonja ka analizuar emërimin dhe shkarkimin më pas nga qeveria e Kosovës, të Vlora Hysenit, ish-kreu i SHISH që u përfshi në një skandal të paprecedentë në Shqipëri, ku informonte dhe ndihmonte në arrati biznesmenin Ergys Agasi.
“Zullumi këputet kur trashet!”. Kështu e cilëson analisti Fatos Lubonja, skandalin ku u përfshi ish-kreu i SHISH, Vlora Hyseni, që bashkëpunonte për të ndihmuar teksa ishte në arrati, biznesmenin Ergys Agasi.
Në emisionin “Minuta e parë” në News24, me Ola Brukon, Lubonja tha se të gjitha provat kundër kësaj qeverie po dalin sheshit. Ndërsa shtoi se synim i Ramës ka qenë kapja e institucioneve.
“E keqja është shumë e madhe, dhe zullumi ktputet kur trashet. Dhe të jep ndjesinë që nuk mban më. Por përsëri jemi në shesh. Jo se nuk ka qenë zullumi aty, por tani bëhet i dukshëm…Ato provat që i kanë ata që i bëjnë zullumet, po dalin sheshit. Ka kohë që ne e dimë, Edi Rama një nga gjërat që ka bërë që kur ka ardhur në pushtet, ka qenë kapja e institucioneve. Në kohën e Berishës ka qenë një kryetar i SHIK shumë i njohur, që dinte shumë sepse SHIK është vendi ku dihet gjithçka. Dhe ka për detyrë që për gjithçka që mendon që është e rëndësishme të informojë kryeministrin dhe Presidentin. Ajo mund ta ketë informuar se çfarë bëjnë kundërshtarët, për të kontrolluar se çfarë bëjnë kryetarët, kjo mund të jetë një hipotezë. Mua dashuria e tyre s’më intereson. Por çfarë ka bërë SHIK si informacion për të penguar kapjen e shtetit nga krimi i organizuar. . Kur krimi i organizuar ka shefin e shërbimit sekret , kur atë e emëron kryeministri çfarë mund të presësh”, tha ai.
Lubonja, në një intervistë për emisionin “Minuta e parë” në News24 me Ola Brukon, Lubonja tha se e emëroi Thaçi dhe e shkarkoi Kurti, ndërsa shtoi se këtu diçka ka pasur, duke shtuar se ka dyshime që Rama t’i ketë ditur këto probleme.
Sipas Lubonjës, Rama është padrinoja dhe i ka ditur të gjitha këto lëvizje të Hysenit.
“Ky është në krye. Për të mbuluar të keqen sigurisht që i duhen shumë mjete. Ky punon për këta që na vjedhin paratë publike që pastrojnë paratë e drogës, dhe të gjitha këto duhen mbuluar. Për t’i mbuluar nuk duhet të funksionojnë as mediat apo edhe SHISH. Kjo është e keqja. Nga sa di unë Vlora Hyseni është emëruar në Kosovë nga Thaçi është larguar nga Kurti dhe Osmani. Arsyet siç kemi parë janë sepse rezulton e lidhur me njerëz me krimin e organizuar, siç kemi lexuar. Që këtu fillon problemi i madh. Pra besoj se shkarkimi asaj atje është i mjaftueshëm për të marrë informacion më të saktë përse është larguar. Por pyetja është se e ka marrë sepse i shkonte shumë mirë projektit të tij për bashkëpunimin me krimin dhe shteti kthehet në bandë. Dhe ai e ka bërë me projekt, pra ai është padrino. Dëmtimi është shumë i madh. 1 mln shqiptarë që kanë ikur, mosbesimi te institucionet vjen nga këta që kanë punuar kundër njerëzve. Pra vjedhje, mizori po të duash mungesë e çdolloj empatie , për llogari të një bande kriminale”, tha mes të tjerash Lubonja.