Në kuadër të ciklit “Bisedë në Studio”, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGShPD) zhvilloi takimin e radhës me gazetarin dhe analistin Lutfi Dervishi, në një bashkëbisedim mbi gjendjen e medias shqiptare dhe sfidat e saj në kohën e informacionit të shpejtë dhe të polarizuar.
.
Duke u nisur nga reflektimi i tij “Dikur i gjithë populli ushtar, sot i gjithë populli gazetar” Dervishi dhe anëtarët e Unionit, diskutuan transformimin e rolit të informacionit në shoqëri, si dhe kufijtë gjithnjë e më të paqartë të gazetarisë profesionale.
.
Debati u përqendrua në disa shtylla kryesore të realitetit mediatik shqiptar:
.
Gazetaria hetimore, e cila u vlerësua ende në një fazë të brishtë zhvillimi, shpesh e varur nga rrjedhje informacioni politike apo institucionale dhe më e fokusuar te rastet e vogla sesa te aferat e mëdha. U ngrit pyetja nëse kjo gjendje ka evoluar apo vazhdon të mbetet peng i të njëjtave kufizime strukturore.
.
Solidariteti brenda komunitetit mediatik, u cilësua i dobët, veçanërisht në rastet kur gazetarët përballen me presion, kërcënime apo dhunë. U theksua se mbrojtja e lirisë së medias nuk mund të mbetet individuale, por kërkon reagim të koordinuar institucional dhe profesional. Në këtë kontekst u përmend edhe mungesa e reagimeve të forta pas sulmeve ndaj gazetarëve Aulon Kalaja dhe Felix Bilani më 17 prill.
.
Mediat e diasporës u trajtuan si një potencial i rëndësishëm i pashfrytëzuar, me nevojën për të kaluar nga roli tradicional kulturor dhe nostalgjik drejt një funksioni më analitik, kritik dhe monitorues ndaj zhvillimeve në Shqipëri. E mbi të gjitha rreziku i influencës së pushtetit në manipulimin e rolit të diasporës e mediave të disaporës.
.
Marrëdhënia mes medias dhe pushtetit, si dhe ndikimi i interesave politike dhe ekonomike, u diskutua si një nga sfidat më të mëdha të tranzicionit 35-vjeçar. U ngrit shqetësimi për rrezikun që media të humbasë pavarësinë editoriale dhe besueshmërinë publike, kur transparenca financiare dhe autonomia profesionale mbeten të brishta.
.
Në fokus ishte edhe statusi i gazetarit sot: kush konsiderohet gazetar në Shqipëri, sa i rregulluar është profesioni dhe sa afër janë standardet me praktikat europiane që e lidhin gazetarinë me dokumentimin real të profesionit, jo vetëm me identitetin deklarativ.
.
U diskutua gjithashtu edhe mbi mekanizmat ligjorë dhe institucionalë që duhet të garantojnë pavarësinë e medias, duke ngritur pyetjen thelbësore: kush e kontrollon realisht informacionin pushteti politik, oligarkia ekonomike apo një ndërthurje e të dyjave.
.
Një tjetër reflektim i Dervishit, “Facebook-u plot, sheshi bosh”, u soll si metaforë e një shoqërie ku reagimi virtual shpesh zëvendëson angazhimin qytetar real.
.
Biseda përmbylli diskutimin me mesazhin se media shqiptare ka domosdoshmëri për më shumë profesionalizëm, pavarësi dhe gazetari të mirë.



























Shumëvarësia e Kosovës
Po na vjen sërish përvjetori. Në prag datëlindja e dhjetë e republikës. Me çfarë, me kë, e me tek do ta presim, të shohim. Për këtë as që është e nevojshme të thuhet ndonjë fjalë, pasi që s’di a mbet gjë pa u thënë, përsëritur, stërpërsëritur e stërthënë por këmbëngulja e politikanë-pushtetarëve e të të veshurve, e të (pa)maskuarve të këtij sistemi ngulfatës s’po na lë rehat ndonjë herë. E kur po flasim e po numërojmë pak të bardha e fatkeqësisht shumë të zeza a e shihni se eksizton liria e fjalës po thonë, liria e të shprehurit, po çka do të thonë po t’u përmendet liria e kaosit, liria e rrënimeve e mjerimeve, liria e urisë, liria e papunësisë, liria e korrupcionit, liria e mosndëshkueshmërisë…
17 shkurti 2008 ështe një datë e rëndësishme por jo si datë historike e përmbylljes së procesit e aq më pak e parrullës propagandistike: “Bac u kry”, sepse gjërat nuk janë vënë në binarë të vet e s’janë aspak në terezi. Për këtë tashmë po pajtohemi të gjithë, të gjitha shtresat e nënshtresat, palët e nënpalët, grupet e nëngrupet, klanet, mbienënklanet…
Tash në 10 vjetorin e pavarësisë Kosova mbetet e shumë-pa-k-varura në aspektin e mbrendshëm e të jashtëm! Po cka me ba t’ia krisim festës ndonëse edhe këtu pajtohemi se festa do të jetë e zbehtë se para bajrami a ditës se falënderimeve nuk majmen as deshët e as quranat.
Edhe po jepen para nga buxheti i Kosovës ndërkoh për dekadën krenare ndërkohë korrozioni bashkë me korrupcionin po i shembin Kullat e Bacit. Dhe vazhdojnë varientet e pafundme te “Bac u…”Plus shto edhe 1001 halle e derte tjera.
Çfarë pavarësie mund të kemi kur mungojnë të drejtat elementare për një jetë me dinjitet.
Gjithkah po trumbetohen aktivitete të 10 vjetorshit. Në një koncert ‘pararendës’ për nder t’dekadës shtetërore “Elita 5” e interpretoi edhe këngën “Welcome to Albania”. Dhe këngën por edhe vargjet e saj “Problem kryesor është papunësia, depresion çdo të ri (njeri) që e sheh” çjerr maskat politike t’trumbetimeve boshe të boshteve korruptive shqiptare që keqperdorin emra heronjsh e cdo gjë që u bjen në mend e u shkon përshtati. S’lënë gjë pa lëvizur e s’lënë dy gurë bashkë në rrugën e tyre të faraonizmit. Jemi zhytur llum, e mund ta zgjasim edhe më shumë por…
Shumë gëjra janë thënë e po thuhen por shumë më pëlqeu poezia e Albin Mehmetit që e pashë në faqe interneti. Poezia kishte përmbledhur aq “llaftarueshëm” rrugëtimet e ankthet tona.që vazhdojnë, vazhdojnë…
Albin Mehmeti
Dita e errësueme
Errësina e t’djeshmes e errësina e sotit
Bashkë janë bâ
Qi nesër kur t’vjen dita e re
E errësueme me lé