VOAL

VOAL

Shqiptarët më të mjerët në rajon, 28% e familjeve nuk paguajnë dot ujin dhe dritat

July 23, 2019
blank

Komentet

blank

Banka Botërore: Ukrainës i duhen 411 miliardë dollarë për rindërtim

RFE/RL

Banka Botërore ka thënë se Ukrainës do t’i duhen 411 miliardë dollarë për rindërtim të shtetit.

Këto vlerësime janë bërë një vit pas nisjes së luftës së Rusisë në territorin ukrainas.

Dokumenti, që është përpiluar nga Qeveria ukrainase, Banka Botërore, Komisioni Evropian dhe Kombet e Bashkuara, parasheh që Kievi të kërkojë “14 miliardë dollarë për rindërtime kritike më 2023”.

Për të përmbushur këto nevoja, Qeverisë ukrainase do t’i duhen 11 miliardë dollarë më shumë sesa që ka paraparë në buxhetin e vitit 2023.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka ndikuar në zhvendosjen e miliona njerëzve dhe me rritje globale të çmimeve të ushqimit dhe energjisë.

“Infrastruktura e energjisë, strehimi, infrastruktura kritike, ekonomia dhe deminimi janë prioritetet tona kryesore këtë vit”, ka thënë kryeministri ukrainas, Denys Shmygal, përmes një deklarate.

Mirëpo Shmygal ka paralajmëruar se “shkalla e dëmeve dhe nevojat për rindërtime, nuk përfshijnë të dhënat për humbje të infrastrukturës, strehimit dhe bizneseve në territoret e pushtuara”.

Ai ka thënë se kur forcat mbrojtëse t’i çlirojnë ato territore, autoritetet do të nisin punën dhe vlerësimet në to.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

blank

Genc Burimi për sekuestron e Prestige Resort: “Çdo shqiptar i ndershëm që mendon se ka një bosht rreth kombit të tij duhet të angazhohet”

TIRANË

Analisti Genc Burimi bëri thirrje për reagim nga qytetarët shqiptarë pas sekuestrimit të Prestige Resort ditën e sotme.

Burimi tha në News24 se çdo shqiptar i ndershëm që mendon se ka një bosht rreth kombit të tij duhet të angazhohet në kritikë sa më shpejt për t’i sjellë fundin këtij regjimi dhe Hysenbelliu duhet ta bëjë.

“Kur nuk ka kufi, s’ka më limite. Nuk ka më kufij ky. Kështu është ky regjim sot. Ky pushtet sot bën gjithçka. Ky kërkon të zotërojë gjithçka. Nuk pyet ky, nuk sheh këto argumente. Shpresoj që çështja të shkojë deri në Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg, por dua dhe njëherë që të ketë një angazhim politik të pronarit të grupit Hysenbelliu që ka një tjetër metodë, një mënyrë që ai të mos kujtojë se është i plotfuqishëm. Të bëhet avokat i qytetarëve shqiptarë. Unë dua që kur këta njerëz politikanë bëjnë gjëra arbitrare dhe kur humbasin se do humbasin, t’u merret pasuria, t’i merret shtëpia në Surrel. Këtë vendim e merr populli shqiptar me votë. Kjo ndodh me një ofertë të re politike. Berisha, Meta të bëjnë pjesën e tyre. Asgjë nuk e pengon një njeri si z.Hysenbelliu të angazhohet në politikë. Po del jashtë binarët ky pushtet. Ai nuk është se sfidon vetëm raportin e DASH, ai sfidon gjithçka. Ai sot ndihet i paprekshëm. Kur erdhën dy zyrtarët e lartë të BE në Tiranë Borrell dhe Varhelyi ai ndihet i paprekshëm. Ne na duhet demokracia. Sot shkon në Londër, shpresoj që t’ia bëjnë të qartë, 15 mijë kërkesa për azil në një vit. Gati gjysma thonë që largohemi se nuk ka drejtësi në këtë vend, plus 60% thonë se ka papunësi te të rinjtë”, deklaroi Burimi.

Ai theksoi se pas vënies në dijeni të kancelarive europiane për sulmin e qeverisë Rama ndaj mediave, Rama është si një bishë e plagosur dhe se kjo gjë e bëri si xhind.

 

“Tregon se akti juaj qe akti i duhur që e goditi aty ku i dhembi. Ku i dhemb atij, i dhemb te reputacioni jashtë, se brenda në Shqipëri ai s’pyet fare, te reputacioni jashtë i dhemb. Ajo letër i mori erzin, e bëri si xhind.

 

Ky vendim nuk është marrë dje apo pardje, kur doli raporti i DASH-it. Ky vendim është marrë para shumë ditësh. Ka marrë telefonata nga Brukseli, shiko çfarë po bën. Ok ke vendin në dorë, por menaxhoje se i shkon dhe shtypit europian. Sot ai është një raport force të favorshëm për të në raport me perëndimorët. Në kontekstin e luftës në Ukrainë, është bërë si një lloj ankandi. Mua më shokoi shumë ajo që thanë Borrell dhe Varhelyi në Tiranë që zgjerimi është sepse nuk duam ta lëmë Ballkanin Perëndimor në duart e perandorive jo demokratike dhe rivale Kinë, Rusi. Rama këtë po bën, po ngre pazarin. Këtu duhet thënë Perëndimit, shikoni nuk do shkoni larg me këtë njeri sepse e destabilizoni vendin. Po e destabilizoni demokracinë. Në këtë rast Shqipëria mund të bëhet pre për vende si Kina dhe Rusia. Ke rruaza të kuqe në Greqi, ke rruaza të kuqe në Francë, opinioni vepron, e çon qeverinë të reagojë. Kurse ky nuk ka asnjë rruazë të kuqe përballë, nuk ka asnjë leukocit”, tha Burimi.bw

blank

Osmani: Serbia të penalizohet për shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit

RFE/RL

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pa kaluar 24 orë nga pajtimi për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, Beogradi deklaroi se nuk do ta zbatojë atë.

Osmani, gjatë një prononcimi për media në Prishtimë më 22 mars, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta drejtojnë “presionin mbi Serbinë” që të respektojë obligimet që ka marrë nga Marrëveshja Bazë e arritur në Bruksel më 27 shkurt, dhe nga Aneksi, për të cilën palët u dakorduan në Ohër më 18 mars.

“Mendoj që të gjitha përpjekjet, i gjithë presioni, angazhimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë pikërisht te [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiqi që ato për të cilat ai është dakorduar, që në esencë përbëjnë njohje de facto të Kosovës – sepse kur ja njeh dikujt sovranitetin, kur e njeh si të barabartë në relacionet ndërshtetërore, kur ja njeh dikujt integritetin territorial, këto janë elementet shtetërore të shtetësisë. E vetmja që mungon është një letër njohjeje të cilën nuk e ka nënshkruar”, tha Osmani.

“Por, përderisa Vuçiqi refuzon t’i zbatojë këto, atëherë kjo vërtetë rrezikon gjithçka. Shpresoj shumë që do të ketë penalizim të qartë nga komuniteti ndërkombëtar për Serbinë”, theksoi ajo.

Osmani tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shkelur nenin 4 të marrëveshjes, që thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Vuçiq ka deklaruar se Serbia nuk do të respektojë pjesë të marrëveshjes sa i përket anëtarësimit eventual të Kosovës në Kombet e Bashkuara, dhe as nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Sipas presidentes Osmani, teksti i Marrëveshjes drejt normalizimit nuk ndryshohet dhe do të mbetet në fuqi, pavarësisht se palët nuk e kanë nënshkruar atë.

Presidentja kosovare foli edhe për nenin 7 të marrëveshjes që kërkon sigurimin e një “niveli adekuat të vetëmenaxhimit për komunitetin serb”. Sipas saj, ndërkombëtarët po e interpretojnë këtë nen si “zbatim i obligimeve që Kosova ka marrë më 2013”, përkatësisht për marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kjo për mua si presidente e Republikës nënkupton respektim të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç kam thënë nga viti 2015 e tutje. Bashkimi i komunave ose qytetarëve në asociacione është e drejtë që Kosova tashmë e njeh me Kushtetutën e saj”, tha Osmani, duke shtuar se ky nen mund të zbatohet vetëm përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2015.

Më 2015, Kushtetuesja gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit – të arritur po atë vit në Bruksel – nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, por tha se mund të harmonizohet.

“Në esencë unë mendoj se neni 7, kur të fillojë të zbatohet nënkupton një lloj dokumenti – nuk po ia vendosi tani emrin e saktë – i cili do të përcaktojë jo vetëm të drejta, por mbi të gjitha detyrime të cilat janë të përcaktuara me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Pra, gjithçka brenda Kushtetutës sonë, legjislacionit tonë, brenda praktikave më të mira evropiane”, tha Osmani.

Sipas saj, modeli më i mirë për themelimin e Asociacionit është pikërisht atë që ka udhëzuar vendimi i Kushtetueses më 2015.

Kosova dhe Serbia më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht se nuk është nënshkruar, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

blank

Zelensky viziton ushtarët në vijën e frontit pranë Bahmut: I nderuar të jem sot këtu!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zekenskiy, ka vizituar vijën e parë të frontit pranë qytetit lindor të rrethuar të Bahmutit, sipas një deklarate nga zyra e tij.

Gjatë vizitës së tij, Zelensky dëgjoi raportet mbi situatën operacionale dhe rrjedhën e luftimeve në vijën e frontit, thuhet në deklaratë.

Ai u takua gjithashtu me ushtarakët ukrainas dhe mbajti një moment heshtje në kujtim të të rënëve në luftë.

“Jam i nderuar të jem sot këtu, në lindje të vendit tonë, në Donbas, dhe t’i shpërblej heronjtë tanë, t’ju falënderoj, të shtrëngoj duart. Faleminderit që mbroni shtetin, sovranitetin, lindjen e Ukrainës,” theksoi Zelensky.bw

blank

Nis muaji i Ramazanit: Kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu uron shqiptarët

Kryetari i Komitetit Mysliman, Bujar Spahiu ka uruar të gjithë shqiptarët muajin e bekuar të Ramazanit. Ai ka bërë thirrje që këtë muaj të ketë më shumë solidaritet me familjet në vështirësi dhe të syhohet harmonia me qytetarët.

Muaji i Ramazanit thotë ai është muaji i faljes dhe i begatisë.

 

MESAZHI I PLOTË:

Gëzuar Muajin e Bekuar të Ramazanit të gjithë shqiptarëve kudo që janë!

blank

Të dashur qytetarë, motra dhe vëllezër, nesër është dita e parë e muajit të bekuar të Ramazanit.

 

Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, ju përcjell urimet më të sinqerta që ky Ramazan të jetë muaji i faljes, muaji i begatisë, muaji mirëkuptimit të ndërsjelltë me njëri-tjetrin, muaji i ngritjes morale dhe shpirtërore, për përballimin me sukses të çdo vështirësie që kemi.

Gjatë Ramazanit ju ftojmë të jeni më solidarë me familjet në nevojë, t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit në punë të mira.

Të nderuar besimtarë, çdo gjë gjatë këtij muaji ka vlerë shumëfish më të madhe, prandaj njerëzit përmes sakrificave të shumanshme personale, synojnë të lartësohen shpirtërisht dhe të afrohen më shumë me Zotin.

Gjithashtu ky muaj, është muaji i veprave të bamirësisë që impaktojnë në të gjithë shoqërinë.

Të lëmë anash mospajtimet, mëritë e egoizmin.

Të synojmë të arrijmë vetëm kënaqësinë e Zotit dhe harmoninë me njerëzit, me të cilët rrethohemi.

Uroj që ky të jetë muaji i faljes për ne.

Duke ju uruar muajin e Ramazanit më lejoni tju dëshiroj një agjërim të lehtë, pranim të lutjeve tuaja, shëndet të mirë, lumturi e prosperitet për ju dhe familjet tuaja!bw

blank

Sot Sulltan Novruzi, festa më e rëndësishme e bektashinjve

Besimtarët bektashianë kremtojnë sot Ditën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu.

Festa e Sulltan Novruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Alit në Qabe. Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Në Shqipëri Dita e Sulltan Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

Në vendin tonë sekti i bektashinjve, është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.

Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.

Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai u krijua në Anadoll në shekullin e XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj Haxhi Bektash Beliu. Në Shqipëri, Bektashizmi depërtoi me pushtimin osman në qytete dhe qendra garnizonesh si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Frashër etj.

Sipas burimeve historike, Bektashizmi njohu një përhapje të gjerë në popullsinë shqiptare të pakënaqur nga reformat centralizuese të Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman, si dhe përdori gjuhën shqipe për një letërsi të tijën.

Gjatë Rilindjes Kombëtare bektashinjtë e mbështetën luftën për liri dhe gjuhën kombëtare, ndër të cilët veprimtarët Baba Alushi i Frashërit dhe Baba Hyseni i Melçanit.

Një varg teqesh të tyre u shndërruan në qendra të lëvizjes kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjës bektashizmi u njoh zyrtarisht si komunitet fetar i pavarur. Në vitin 1924 selia Botërore e Bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë. I detyruar nga regjimi komunist, bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare, e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për ta rifilluar përsëri gjatë vitit ’91.

Gatimet për festën e Sulltan Nevruzit
Me këtë rast bektashinjtë gatuajnë ushqimet karakteristike, që janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh,(spinaq, lëpjetë, majdanoz, fletë lakre, kopër, gjethe prasi, labot, qepë, oriz, etj). Bimët e tokës simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë, brenda në byrek futet edhe një monedhë metalike. Pasi është pjekur byreku ndahet nga amvisa e shtëpisë në pjesë dhe më pas i jepet secilit prej anëtarëve të familjes nga një pjesë. Ai që gjen monedhën në pjesën e tij është me fat. Do të kalojë një vit të begatë e me mbarësi. Gatuhet përshesh me pulë ose mish qengji, qengji i pjekur, sultjash është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite, sepse përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës, orizi që simbolizon drithërat, bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe, gjithashtu në disa raste gatuhet edhe kabuni (me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra).

blank

Kurti: Vuçiq refuzoi ofertën time për vetëmenaxhimin e serbëve

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka refuzuar një ofertë të tij për “vetëmenaxhim të serbëve të Kosovës, në një asociacion” që do ta hartonte dhe propozonte vetë Kurti.

Ai nuk ka dhënë më shumë hollësi për këtë ofertë.

Në një postim në Twitter, Kurti e ka përmendur këtë refuzim të Vuçiqit, duke i rikujtuar edhe refuzimet tjera të presidentit serb për të nënshkruar Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt, si dhe aneksin për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, më 18 mars në Ohër.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë më 18 mars në Ohër se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Vuçiq ka thënë një ditë më vonë se Kurti në takimin në Ohër ka folur për “tri shtylla” mbi të cilat duhet të bazohet Asociacioni, por Serbia nuk mund ta pranojë këtë, sepse për Asociacionin është dakorduar me Marrëveshjen e Brukselit.

“Asociacioni është i rëndësishëm sepse serbët kanë një kornizë institucionale për veprim”, tha Vuçiq.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka përmendur muajin e kaluar tri kushte të Kosovës për formim të Asociacionit.

“Asociacioni duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, duhet të jetë në përputhje me qëndrimet e BE-së se nuk mund të ketë fuqi ekzekutive, siç është thënë në letrën që ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini, ia kishte dërguar atëbotë kryeministrit të Kosovës. Së treti, që Asociacioni të mos paraqesë nivelin e tretë të pushtetit”, ka thënë Bislimi para Parlamentit Evropian në Bruksel.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.

blank

Mbipeshkimi dhe ndotja dëmtojnë habitatin detar të Shqipërisë

Rrjetat e peshkatarëve, Patok

VOA/Luljeta Progni, BIRN

Në bregdetin shqiptar, ndotja e ujërave dhe peshkimi pa kriter ka sjellë rënien e sasisë së peshkut dhe dëmtimin e gjallesave detare, ndërsa Ministria e Bujqësisë thotë se po merr masat e duhura për të minimizuar dëmet. Në bregdetin shqiptar, ndotja e ujërave dhe peshkimi pa kriter ka sjellë rënien e sasisë së peshkut dhe dëmtimin e gjallesave detare, ndërsa Ministria e Bujqësisë thotë se po merr masat e duhura për të minimizuar dëmet.

Në luginën e Patokut buzë detit Adriatik, peshkatarët kanë gjetur mënyra të reja për të nxjerrë peshkun në breg.

Boshti i këtij automjeti të vjetër të markës “Benz” shërben për të vënë në lëvizje litarët, ku janë mbërthyer rrjetat e peshkimit. I gjithë procesi drejtohet nga kabina e makinës.

Praktikat primitive të peshkimit nuk janë problemi i vetëm i peshkatarëve të kësaj zone. Shqetësim kryesor është minimizimi i stokut të peshkut. Në lagunën Kune Vain, ulja e sasisë së peshkut lidhet me shumë faktorë.


Një ndër më të rëndësishmit është ndotja që vjen nga qyteti i Lezhës apo nga kimikatet që përdoren për tokat bujqësore, të cilat mbërrijnë në lagunë përmes hidrovoreve.

“Problemi i ndotjes është hidrovori, i cili bjen të gjitha mbeturinat e zonave përreth. Të gjithë detergjentet dhe helmet kalojnë në lagunë dhe peshku detyrimisht që nuk hyn. Vetë laguna është cekur nga hyrja e Drinit që futet brenda. Ka ra me shumë- shumë hyrja e peshkut dhe prodhimi i peshkut”, thotë Çelë Gjetja, Organizata e Menaxhimit të Peshkimit në Kune-Vain.

Rënia e stokut të peshkut nuk është e kufizuar vetëm në luginën e Patokut, por është e shpërndarë në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë. Sipas studiuesve të fushës, kjo ka ndodhur për shkak të peshkimit pa kriter dhe të paligjshëm, por edhe nga kompanitë e mëdha që operojnë në këtë biznes.

“Pranohet gjerësisht që në tre dekadat e fundit, ka një ulje të stokut të peshkut. Nëse kapnim 100 peshq, 100 ngjala sot kapim 25. Kohët e fundit vëret një shqetësim i të gjithë peshkatarëve, që quhet peshkim në nivel të vogël. Ata ndeshen me faktin që kompani të mëdha, të cilat kanë anije të fuqishme, gjuajnë jo në zonën e përcaktuar disa milje larg bregut, por ato futen edhe në pjesën fundore duke gjuajtur në këtë mënyrë edhe në hapësira që nuk iu përkasin atyre. Kjo ka efekte shumë negative”, thotë Spase Shumka – profesor i Akuakulturës në Universitetin Bujqësor të Kamzës.

Porti i Peshkimit në Shëngjin

Porti i Peshkimit në Shëngjin

Sipas të dhënave të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë, FAO, deti Mesdhe ka një shkalle të lartë të mbipeshkimit dhe vetëm 36.6% e specieve janë të shfrytëzuara në mënyrë të qëndrueshme.

Bazuar në rekomandimet e FAO, Shqipëria ka ndaluar dhënien e lejeve të reja për peshkim tregtar profesional prej vitit 2020 si dhe i ka pajisur anijet e mëdha të peshkimit me sistem monitorimi satelitor për të ndaluar aktivitetin e tyre përtej distancës prej 3 milje detare ose 50 metra thellësi.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, peshkimi tregtar me anije të mëdha është sektori më i formalizuar i ekonomisë, ndërsa sistemi i monitorimit mundëson vëzhgimin e tyre në kohë reale nëpërmjet satelitit.

“Që nga fundi i janarit 2022 deri më sot, asnjë anije peshkimi nuk ka hyre në zonë të ndaluar dhe nuk është marrë asnjë masë administrative”.

Ekspertët e Akuakulturës i vënë në dyshim rezultatet e ministrisë, pasi në ekspeditat e tyre kanë gjetur dëme në habitatin e detit, që sipas tyre nuk mund të shkaktohen kurrsesi nga peshkatarët e vegjël dhe mjetet e tyre primitive.

“Gjithnjë e më pak ne ndeshim molusqe që janë specifike për zonat e thella, të cilat gjuhen me trata. Ose sfungjerët e detit pothuajse po shkojnë drejt niveleve minimale. Yjet e detit, iriqët e detit, kastravecët e detit por edhe grupe të tjera siç janë knedarët… Si rezultat i përdorimit të tratave, ato nuk janë dëmtuar jo vetëm në zonën e tyre të cilën ne e quajmë zona cirkalitorali, zonë që shkon mbi 40 metra thellësi, por edhe në zona të tjera të cilat janë më të cekëta“, thotë zoti Shumka.

Profesor Shumka e konsideron gjithashtu shqetësuese gjuetinë e peshqve në madhësi shumë të vogël dhe apelon për më shumë kontroll ndaj operatorëve të peshkimit.

blank

Shtetet e Bashkuara përshpejtojnë dërgimin e tankeve Abrams në Ukrainë

VOA/Marrë nga Associated Press

Pentagoni po përshpejton dërgimin e tankeve Abrams në Ukrainë, duke zgjedhur të dërgojë një model të vjetër të rinovuar, që mund të jetë gati më shpejt.

Zyrtarët amerikanë i thanë Agjencisë së lajmeve Associated Press se synohet që tanket gjigande me peshë gati 70 tonë të dërgohen në zonat e luftës brenda 8 ose 10 muajve.

Plani fillestar ishte që në Ukrainë të dërgoheshin 31 tanke Abrams të modelit të ri M1A2, por për prodhimin tyre dhe transportimin me anije, do duheshin 1 deri në dy vjet. Por zyrtarët vendosën të dërgojnë modelin e vjetër M1A1, që është gjendje në rezervat e armatimit të ushtrisë për kohë lufte dhe mund të dërgohet në Ukrainë para fundit të këtij viti.

Sipas zyrtarëve, forcat ukrainase do ta kenë më të lehtë të mësojnë përdorimin dhe mirëmbajtjen e modelit M1A1, ndërsa ata përballen me trupat ruse.

Administrata e Presidentit Biden njoftoi në muajin janar dërgimin e tankeve në Ukrainë, pasi kishte këmbëngulur më parë se trupat ukrainase e kishin të vështirë mirëmbajtjen dhe riparimin e tankeve amerikane.

Vendimi ishte pjesë e një lëvizjeje më të gjerë politike, që i hapi rrugën Gjermanisë të njoftonte dërgimin e tankeve Leopard 2 në Ukrainë, si edhe Polonisë dhe vendeve të tjera aleate të bënin të njëjtën gjë.

Është e paqartë se kur Shtetet e Bashkuara, do të nisin të trajnojnë forcat ukrainase, se si të përdorin, mirëmbajnë dhe riparojnë tanket.

Po ashtu, Pentagoni duhet të sigurohet se forcat ukrainase do të kenë zinxhirin e duhur të furnizimit me pjesë këmbimi për funksionimin e tankeve.

Nuk pritet që tanket të mbërrijnë deri në pranverë, periudhë kur mendohet që Rusia dhe Ukraina të intensifikojnë ofensivat. Të dyja palët nuk kanë bërë përparime për një kohë të gjatë, duke fituar apo humbur kontroll mbi territore të ngushta, përgjatë dimrit.

Betejat më të ashpra po kryhen në rajonin lindor të Donsekut, ku Rusia po përpiqet të rrethojë qytetin e Bakhmutit, por po përballet me rezistencën e forcave ukrainase. Guvernatori i qytetit, Petro Kyrylenko tha për mediat ukrainase se një civil u vra dhe një tjetër u plagos, një ditë më parë, si pasojë e bombardimeve ruse.

Gjatë një vizite në uzinën e prodhimit të tankeve në shtetin e Ohajos, në muajin shkurt, Sekretarja e Ushtrisë Christine Wormuth u takua me drejtuesit e uzinës për të diskutuar rreth alternativave më të mira për dërgimin e tankeve në Ukrainë.

“Mes të tjerash, qëllimi i kësaj vizite është të kuptojmë cila është alternativa më e mirë që na jep mundësi të marrim në dorëzim, sa më parë, tanket që do të dërgohen në Ukrainë, pa ndërprerë shitjet e prodhimeve ushtarake jashtë vendit”, tha zonja Wormuth.

Drejtuesit e uzinës, që është në pronësi të Forcave të Armatosura, por nën administrimin e kompanisë General Dynamics, me bazë në Reston, të Virxhinias, thane se prodhimi i tankeve varion, sipas kërkesave kontraktuale. Aktualisht, fabrika prodhon 15-20 mjete të blinduara në muaj, përfshirë tanke, por lehtësisht mund prodhojnë 33 të tillë apo të shtojë personelin dhe të prodhojë edhe më shumë, nëse është e nevojshme.

Puna për prodhimin e tankeve për Ukrainën duhet të ndodhë paralelisht me punën për prodhimin e tankeve për shitje jashtë vendit, sipas kontratave akutale, përshirë 250 tanke për Poloninë dhe 75 për Australinë.

Udhëheqësit ukrainas kanë këmbëngulur vazhdimisht për marrjen e tankeve Abrams, që u përdorën për herë të parë në luftë në vitin 1991.

Tanku është i pajisur me një top 120 milimetërsh, për të shkatërruar tanket e armikut dhe automjetet e tjera të rënda të blinduara. Me një motor prej 1 mijë e 500 kuaj-fuqi, tanku amerikan Abrams konsiderohet gjerësisht si tanku me teknologjinë më të përparuar në përdorim. Mund të lëvizë me një shpejtësi prej rreth 68 kilometrash në orë.

blank

Kurti: Serbia të dënohet për mosnënshkrimin e marrëveshjes

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se faktorët ndërkombëtarë duhet ta “dënojnë” Serbinë, e cila, sipas tij, ka refuzuar që ta nënshkruajë aneksin për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes dy shteteve.

Gjatë një prononcimi për gazetarët në Prishtinë më 21 shkurt, Kurti tha se për Kosovën Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i zbatimit të saj, janë “marrëveshje”, pavarësisht se më 18 mars, Serbia nuk pranoi që ta nënshkruajë të njëjtën.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara thanë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, ato e konsiderojnë atë si të tillë.

“Edhe Marrëveshjen Bazë dhe planin e zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për ne kjo është marrëveshje, por unë pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë, ta dënojnë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takime thotë ‘nuk nënshkruaj’, e ndërmjet takimeve thotë ‘nuk zbatoj gjë’”, tha Kurti.

“Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara, nuk mund të flasë se si kurrë nuk do ta njohë Kosovën, me qenë se Marrëveshja Bazë është njohje de facto. Pra, unë besoj se kjo është thelbësore për procesin dhe është e rëndësishme që të gjithë partnerët, aleatët, miqtë tanë të vendeve demokratike në Perëndim, dhe jo vetëm, të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës kur ne jemi konstruktivë, të përkushtuar, e kreativ si asnjëherë”, shtoi ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen, “sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova nuk është” prandaj, sipas tij, nuk mund të arrihet një marrëveshje juridike ndërkombëtare.

Në Ohër, më 18 mars, Kurti, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u pajtua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

Për këtë marrëveshje, palët ishin dakorduar në fund të shkurtit. Kjo marrëveshje, që njihet edhe si propozimi evropian, synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e raporteve.

I pyetur për kërkesën e Shteteve të Bashkuara që marrëveshja e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut të zbatohet menjëherë, Kurti u pajtua duke thënë se “zbatimi i kësaj marrëveshjeje duhet të fillojë qysh dje”.

Kryeministri kosovar tha se “topi” tashmë është në anën e Serbisë, duke argumentuar se theksi duhet të vendoset te refuzimi i Serbisë që të nënshkruajë marrëveshjen, e jo te pyetja për të se kur do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Për këtë të fundit, ai tha se është në kontakt të vazhdueshëm me ndërmjetësuesit e BE-së dhe SHBA-së.

“Do të duhej që atë formulimin për vetëmenaxhimin e komunitetit serb ta adresojmë, çështjet që na paskan ngelur pa u përmbushur dhe për ne bëhet fjalë një formulim i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, sipas Këshillit të Evropës”, tha ai.

Propozimi evropian për normalizim, që përbëhet nga 11 nene, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Propozimi evropian kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Marrëveshja e 2015, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, pikat mund të harmonizohen me ligjin.

BE-ja së fundmi i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës disa modele evropiane për të drejtat e komuniteteve joshumicë, nga të cilat mund të merren shembuj për themelimin e Asociacionit. Qeveria në Prishtinë ka konfirmuar se është duke i shqyrtuar ato.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së, dhe me mbështetjen e SHBA-së, që nga 2011. Kosova kërkon që në fund, marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, e Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi.

blank

DASH: Të dhëna të besueshme se trupat ruse kanë kryer krime lufte

VOA

Më raportin e Departamentit amerikan Shtetit, që dokumenton praktikat e të drejtave të njeriut në mbarë botën, thuhet se forcat e armatosura ruse kanë kryer “krime të shumta lufte dhe mizori të tjera”, që prej momentit që Moska nisi një sulm në shkallë të plotë të Ukrainës, më 24 shkurt të vitit 2022.

Ka pasur njoftime të besueshme për ekzekutime, torturave, përdhunimeve, sulmeve pa dallim si dhe sulmeve që kanë pasur si objektiv civilët dhe infrastrukturën civile, nga ana e forcave ruse në Ukrainë, të cilat të gjitha, përbëjnë krime lufte”, thuhet në raportin vjetor për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022, lëshuar të hënën nga Departamenti i Shtetit.

Raporti nënvizon gjithashtu rastet e dëbimit të detyruar të civilëve dhe fëmijëve nga Ukraina në Rusi.

Raporti vjen pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për krime lufte, ndaj Presidentit rus Vladimir Putin dhe Maria Alekseyevna Lvova-Belovas, Komisionere për të Drejtat e Fëmijëve në Zyrën e Presidentit të Federatës Ruse, lidhur me dyshimet për rolin e tyre në transferimin dhe deportimin e paligjshëm të fëmijëve nga territoret e pushtuara ukrainase drejt Rusisë.

Moska tha se urdhër arrestet janë skandaloze dhe ka hedhur poshtë mundësinë që zoti Putin të dalë para gjykatës. Rusia nuk e njeh juridiksionin Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe zyrtarë të lartë të administratës së tij kanë akuzuar Rusinë për kryerje të krimeve të luftës dhe mizori në Ukrainë. Në shkurt, Departamenti i Shtetit përcaktoi se anëtarët e forcave ruse dhe zyrtarë të tjerë rusë kishin kryer krime kundër njerëzimit në Ukrainë.

Raporti thekson gjithashtu shqetësimet lidhur me shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Iran, Kinë, Mianmar (njohur dikur si Burma), në Afganistan, Sudanin e Jugut, Siri dhe vende të tjera autoritare.

Për Iranin, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se raporti i këtij viti dokumenton në detaje “shtypjen e dhunshme dhe mohimin e vazhdueshëm që regjimi iranian u bën të drejtave universale të njeriut dhe lirive themelore në vend, përfshirë liritë e shprehjes dhe fesë apo besimit fetar”.

Vdekja në paraburgim shtatorin e kaluar e 22-vjeçares Mahsa Amini, arrestuar nga e ashtuquajtura “polici e moralit”, rreth dyshimeve për shkelje të kodit të veshjes, shkaktoi protesta paqësore në të gjithë Iranin.

Në raportin e Departamentit të Shtetit thuhet se ndërsa qeveria iraniane nisi një hetim pas vdekjes së zonjës Amini, ajo u përqendrua tek aktet e protestuesve, të cilët i quajti “rebelë”, por nuk dha asnjë shenjë se do të hetonte edhe sjelljen e forcave të sigurisë.

Lidhur me Kinën, zoti Blinken tha se “gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit” vazhduan të ndodhin kundër ujgurëve, kryesisht atyre myslimanë, si dhe anëtarëve të grupeve të tjera të pakicave etnike dhe fetare, në provincën Xinjiang të Kinës.

Raporti i ri dokumenton statusin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të punëtorëve në 198 vende dhe territore. Ky raport i Departamenti të Shtetit publikohet tashmë prej më shumë se 40 vitesh.

blank

DASH: Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e pavarësisë në media dhe korrupsioni, problemet kryesore në Shqipëri

VOA/Keida Kostreci

Mangësitë me pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit; mungesa e mediave të pavarura; dhe korrupsioni i vazhdueshëm në qeverisje, në organet e zbatimit të ligjit dhe në institucionet lokale, ishin problemet kryesore në Shqipëri gjatë vitit të kaluar, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, të botuar sot.

Ndonëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, “presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thuhet në raport.

Në raport vëren se ka patur edhe përparim, duke përmendur Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) i cili gjatë vitit të kaluar ka hetuar, ndjekur penalisht dhe dënuar zyrtarët e lartë dhe pjesëtarë të krimit të organizuar, të përfshirë në korrupsion.

Korrupsioni, thekson raporti, ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë edhe prokurimin publik dhe partneritetet publiko-private.

Një nga problemet kryesore të përmendura në raport është gjendja e medias dhe trysnia ndaj saj.

Sipas raportit, vëzhguesit pohojnë se “qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente”.

Ka media të lira dhe një përhapje të madhe të organeve të medias, veçanërisht në internet, që përfaqësojnë një spektër të gjerë pikëpamjesh pa përgjegjësi, shpesh pa e atribuar informacionin.

“Megjithatë, janë të pakta mediat e pavarura, pasi shumica e mediave janë në pronësi të biznesmenëve me peshë që kanë interesa të mëdha, të cilët përdorin mediat e tyre për të avancuar interesat e tyre, përfshirë përfitimin dhe nxitjen e interesave që kanë me partitë politike”, thuhet në raport.

Departamentit i Shtetit thotë gjithashtu se ka pasur raporte të besueshme sipas së cilave, përfaqësuesit e lartë të mediave përdornin organet e tyre për të ushtruar shantazh ndaj bizneseve, duke i kërcënuar ato me pasqyrim negativ.

“Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan median e pavarur të shkruar dhe gazetarët thuhet se kanë praktikuar autocensurë”, thuhet në raport.

Po sipas Departamentit të Shtetit, raporti i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve pas zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021 vlerësoi se gazetarët mbetën të pambrojtur ndaj presionit dhe korrupsionit.

Duke iu referuar këtyre zgjedhjeve, në raport thuhet se sipas Misionit Ndërkombëtar të Vëzhguesve megjithëse zgjedhjet në përgjithësi ishin të organizuara mirë, partia në pushtet siguroi avantazhe të rëndësishme nga fakti i të qënit pushteti i saj, nga kontrolli mbi administratat vendore dhe nga keqpërdorimi i burimeve administrative”.

Raporti përmend gjithashtu përfitimin që shumica siguroi nga mbulimi pozitiv i institucioneve shtetërore në media, si edhe pretendimet e besueshme për blerje të përhapura të votave nga partitë politike dhe nxjerrjen dhe përdorimin e paligjshëm të të dhënave të ndjeshme personale.

Në raport thuhet se disa pronarë biznesesh, aktivistë të shoqërisë civile dhe politikanë akuzuan qeverinë për zbatim selektiv të ligjit për sekuestrimin e pronave për qëllime politike.

Aty përmenden si shembuj mbyllja me forcë e një ambjenti biznesi të një deputeti të opozitës, i cili tha se kompania e tij ishte vënë në shënjestër, pasi ai kishte akuzuar vazhdimisht dhe publikisht zyrtarët e qeverisë për korrupsion.

Po ashtu përmendet shembja në dhjetor e një hoteli nga Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit , duke përmendur si arsye shkelje të rënda të ligjeve të ndërtimit.

Në raport përmendet fakti që pronari i hotelit, që është edhe pronar i disa mediave dhe bizneseve të tjera, pretendon se hoteli i tij u shkatërrua për të heshtur kritikat dhe kundërshtimet, ndërkohë që qeveria tha se veproi në përputhje me ligjet në fuqi.

Duke folur për të drejtat e grave, raporti vë në dukje se qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive kur bëhet fjalë për përdhunimet.

Po ashtu raporti thekson se autoritetet nuk kanë publikuar të dhëna për ndjekjet penale për rastet e përdhunimit bashkëshortor. Koncepti i përdhunimit nga bashkëshorti nuk është kuptuar mirë dhe autoritetet shpesh nuk e konsiderojnë atë si krim, thuhet në raport.

Megjithëse ligji e ndalon ngacmimin seksual, zyrtarët rrallë e zbatuan detyrimiun që rrjedh nga ky ligj, sipas raportit.


Send this to a friend