(Foto është marrë nga faqja zyrtare në Facebook e Presidentit të Finlandës, Alexander Stubb)
Bota ka ndryshuar më shumë në katër vitet e fundit sesa në 30 vitet para tyre. Lajmet tona janë të mbushura me përplasje dhe tragjedi. Rusia bombardhon Ukrainën, Lindja e Mesme zien, dhe luftërat vazhdojnë në Afrikë. Ndërsa konfliktet janë në rritje, duket sikur demokracitë janë në rënie. Epoka pas Luftës së Ftohtë ka marrë fund. Pavarësisht shpresave që lindën pas rrëzimit të Murit të Berlinit, bota nuk u bashkua në përqafimin e demokracisë dhe kapitalizmit të tregut. Në fakt, forcat që supozohej ta afronin botën—tregtia, energjia, teknologjia dhe informacioni—tani po e tërheqin atë drejt përçarjes.
Ne jetojmë në një botë të re të çrregullimit. Rendit liberal të bazuar te rregullat, që u ngrit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, po i vjen fundi. Bashkëpunimi shumëpalësh po ia lë vendin konkurrencës multipolare. Transaksionet oportuniste duken se kanë më shumë rëndësi sesa mbrojtja e rregullave ndërkombëtare. Konkurrenca ndër fuqitë e mëdha është rikthyer, ndërsa rivaliteti midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara përcakton kuadrin e gjeopolitikës. Por nuk është e vetmja forcë që po formëson rendin global. Fuqitë e reja të mesme, përfshirë Brazilin, Indinë, Meksikën, Nigerinë, Arabinë Saudite, Afrikën e Jugut dhe Turqinë, janë shndërruar në faktorë përcaktues. Së bashku, ato kanë kapacitet ekonomik dhe ndikim gjeopolitik për të ecur drejt stabilitetit ose për të shtuar trazirat. Ato gjithashtu kanë arsye të kërkojnë ndryshim: sistemi shumëpalësh pas Luftës së Dytë Botërore nuk u përshtat për të reflektuar në mënyrë adekuate pozitën e tyre në botë dhe për t’u dhënë rolin që meritojnë. Po merr formë një garë trekëndëshe midis asaj që unë e quaj Perëndimi global, Lindja globale dhe Jugu global. Duke zgjedhur ose forcimin e sistemit shumëpalësh ose kërkimin e multipolaritetit, Jugu global do të vendosë nëse gjeopolitika në epokën e ardhshme do të anojw drejt bashkëpunimit, fragmentimit apo dominimit.
Pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme ka gjasa të përcaktojnë rendin botëror për dekadat që vijnë. Sapo një rend të vendoset, priret të zgjasë për një kohë të gjatë. Pas Luftës së Parë Botërore, një rend i ri zgjati dy dekada. Rendit pas Luftës së Dytë Botërore i zgjati katër dekada. Tani, 30 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, diçka e re po shfaqet sërish. Kjo është mundësia e fundit për vendet perëndimore që të bindin pjesën tjetër të botës se janë të afta për dialog dhe jo monolog, për konsistencë dhe jo standarde të dyfishta, për bashkëpunim dhe jo dominim. Nëse shtetet heqin dorë nga bashkëpunimi dhe përqafojnë konkurrencën, na pret një botë me konflikte edhe më të mëdha.
Çdo shtet ka agjenci — edhe ata të vegjlit, si vendi im, Finlanda. Çelësi është të përpiqesh të maksimizosh ndikimin dhe, me mjetet në dispozicion, të shtysh drejt zgjidhjeve. Për mua, kjo do të thotë të bëj çdo gjë që mundem për të ruajtur rendin liberal botëror, edhe nëse ky sistem aktualisht “nuk është në modë”. Institucionet dhe normat ndërkombëtare ofrojnë kornizën për bashkëpunimin global. Ato duhet të përditësohen dhe reformohen për të reflektuar më mirë fuqinë ekonomike dhe politike të Jugut global dhe Lindjes globale. Udhëheqësit perëndimorë flasin prej kohësh për domosdoshmërinë e rregullimit të institucioneve shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara. Tani duhet ta bëjmë — duke filluar me riekuilibrimin e fuqisë brenda OKB-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare si Organizata Botërore e Tregtisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Pa këto ndryshime, sistemi shumëpalësh do të shembet. Ky sistem nuk është i përsosur; ka mangësi të brendshme dhe nuk mund të pasqyrojë kurrë saktësisht botën rreth nesh. Por alternativat janë shumë më të këqija: sfera influence, kaos dhe çrregullim.
HISTORIA NUK mbaron
Nisa studimet në shkencat politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Furman në Shtetet e Bashkuara në vitin 1989. Muri i Berlinit ra atë vjeshtë. Së shpejti, Gjermania u ribashkua, Evropa Qendrore dhe Lindore u çliruan nga prangat e komunizmit, dhe ajo që kishte qenë një botë bipolare, që vinte përballë Bashkimit Sovjetik komunist dhe autoritar me Shtetet e Bashkuara kapitaliste dhe demokratike, u shndërrua në një botë unipolare. Shtetet e Bashkuara u bënë superfuqia e padiskutueshme. Rendi liberal ndërkombëtar kishte fituar.
Unë isha i entuziazmuar në atë kohë. Mua, dhe shumë të tjerëve, na dukej se ndodheshim në pragun e një epoke më të ndritur. Politologu Francis Fukuyama e quajti këtë moment “fundin e historisë”, dhe nuk isha i vetmi që besoja se triumfi i liberalizmit ishte i pashmangshëm. Shumica e shteteve kombëtare, besohej, do të orientoheshin natyrshëm drejt demokracisë, kapitalizmit të tregut dhe lirisë. Globalizimi do të krijonte ndërlidhje ekonomike. Ndarjet e vjetra do të shuheshin dhe bota do të bëhej një.
Edhe në fund të dekadës, kur po përfundoja doktoraturën time në integrimin europian në London School of Economics, ky vizion dukej ende i afërt.
Por ajo e ardhme nuk mbërriti kurrë.
Momenti unipolar rezultoi jetëshkurtër. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Perëndimi i ktheu shpinën vlerave bazë që pretendonte se mbronte. U vu në pikëpyetje angazhimi i tij ndaj së drejtës ndërkombëtare. Ndërhyrjet e udhëhequra nga SHBA në Afganistan dhe Irak dështuan. Kriza financiare globale e vitit 2008 i dha një goditje të rëndë reputacionit të modelit ekonomik perëndimor, të bazuar në tregje globale. Shtetet e Bashkuara nuk ishin më forca që udhëhiqte politikën globale e vetme. Kina u shfaq si një superfuqi falë prodhimit, eksporteve dhe rritjes së saj të shpërthyer ekonomike, dhe qw atwherw rivaliteti i saj me SHBA-të ka dominuar gjeopolitikën. Dekada e fundit gjithashtu ka sjellë erozion të mëtejshëm të institucioneve shumëpalëshe, rritje të dyshimit dhe përplasjeve rreth tregtisë së lirë, si dhe konkurrencë të intensifikuar në teknologji.
Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022 i dha një goditje të re sistemit të vjetër. Ishte një nga shkeljet më flagrante të sistemit të bazuar në rregulla që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, dhe padyshim më e rënda që kishte parë Evropa. Fakti që autori ishte një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i krijuar për të ruajtur paqen, e bënte edhe më tronditës. Shtete që supozohej ta mbronin sistemin, e rrëzuan atë.
MULTILATERALIZMI OSE MULTIPOLARITETI
Rendi ndërkombëtar, megjithatë, nuk është zhdukur. Në mes të rrënimeve, ai po zhvendoset nga multilateralizmi drejt multipolaritetit.
Multilateralizmi është një sistem bashkëpunimi global që mbështetet te institucionet ndërkombëtare dhe rregullat e përbashkëta. Parimet e tij kyçe vlejnë njësoj për të gjitha vendet, pavarësisht madhësisë.
Multipolariteti, në kontrast, është një oligopol fuqish. Struktura e një bote multipolare mbështetet te disa pole, shpesh konkurruese. Marrëveshjet mes një numri të kufizuar aktorësh e dobësojnë sistemin e rregullave të përbashkëta dhe të institucioneve. Multipolariteti mund të çojë në sjellje ad hoc, oportuniste, dhe në aleanca të lëngshme, të bazuara në interesat momentale të shteteve. Një botë multipolare rrezikon t’i lërë shtetet e vogla dhe të mesme jashtë, fuqitë e mëdha bëjnë marrëveshje mbi kokat e tyre. Ndërsa multilateralizmi sjell rend, multipolariteti priret drejt çrregullimit dhe konfliktit.
Tensioni midis atyre që promovojnë multilateralizmin dhe rendin e bazuar në sundimin e ligjit dhe atyre që flasin gjuhën e multipolaritetit dhe transaksionalizmit është në rritje. Shtetet e vogla dhe fuqitë e mesme, si dhe organizata rajonale si Bashkimi Afrikan, ASEAN, BE dhe Mercosur, promovojnë multilateralizmin.
Kina, nga ana tjetër, promovon multipolaritetin me nuanca multilateralizmi; ajo mbështet grupe shumëpalëshe si BRICS, koalicioni i vendeve jo-perëndimore (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut), dhe Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, të cilat synojnë të krijojnë një rend më multipolar.
Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur theksin nga multilateralizmi drejt transaksionalizmit, ndonëse mbeten të angazhuara në institucione rajonale si NATO.
Shumë shtete, të mëdha dhe të vogla, po ndjekin atë që mund të përshkruhet si politikë të jashtme multivektoriale. Në thelb, qëllimi i tyre është të diversifikojnë marrëdhëniet me shumë aktorë, në vend të lidhjes me një bllok të vetëm.
Një politikë e jashtme transaksionale ose multivektoriale dominohet nga interesat. Shtetet e vogla, për shembull, shpesh balancojnë midis fuqive të mëdha: mund të rreshtohen me Kinën në disa fusha dhe të mbajnë anën e SHBA-ve në të tjera, duke u përpjekur të shmangin dominimin nga cilido prej tyre. Interesat drejtojnë zgjedhjen praktike të shteteve, dhe kjo është plotësisht legjitime. Por një qasje e tillë nuk duhet t’i shmanget vlerave, të cilat duhet të nënshtrojnë gjithçka që një shtet bën. Edhe politika e jashtme transaksionale duhet të mbështetet në një bërthamë vlerash themelore: sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve, ndalimi i përdorimit të forcës, respekti për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Vendet kanë një interes të qartë që t’i mbrojnë këto vlera dhe të sigurojnë që shkelësit të përballen me pasoja reale.
Shumë shtete po heqin dorë nga multilateralizmi në favor të marrëveshjeve më ad hoc. SHBA-të po përqendrohen te marrëveshjet bilaterale tregtare dhe ekonomike. Kina përdor Nismën Brezi dhe Rruga (BRI), programin e saj masiv të investimeve infrastrukturore, për të lehtësuar diplomacinë bilaterale dhe transaksionet ekonomike. BE po negocion marrëveshje bilaterale tregtare që rrezikojnë të mos jenë në përputhje me rregullat e OBT-së.
Ironikisht, kjo po ndodh pikërisht kur bota ka nevojë më shumë se kurrë për multilateralizëm për të zgjidhur sfidat e përbashkëta, ndryshimet klimatike, boshllëqet e zhvillimit, rregullimin e teknologjive të avancuara. Pa një sistem të fortë shumëpalësh, e gjithë diplomacia bëhet transaksionale. Një botë shumëpalëshe e kthen të mirën e përbashkët në interes të vetvetishëm.
Një botë multipolare funksionon vetëm sipas vetë-interesit.
REALIZMI I BAZUAR TE VLERAT I FINLANDËS
Politika e jashtme shpesh mbështetet në tre shtylla: vlerat, interesat dhe fuqinë. Këto tre elemente janë thelbësore kur ekuilibri dhe dinamika e rendit botëror janë duke u ndryshuar. Unë vij nga një vend relativisht i vogël, me një popullsi prej rreth gjashtë milionë banorësh. Megjithëse kemi një nga forcat mbrojtëse më të mëdha në Evropë, diplomacia jonë mbështetet tek vlerat dhe interesat. Fuqia, qoftë ajo e fortë apo e butë, është një luks që u përket kryesisht lojtarëve të mëdhenj. Ata mund të projektojnë forcë ekonomike dhe ushtarake, duke detyruar lojtarët më të vegjël të përshtaten me objektivat e tyre. Por vendet e vogla mund të gjejnë fuqi duke bashkëpunuar me të tjerët. Aleancat, grupimet dhe diplomacia e zgjuar i japin një vendi të vogël ndikim shumë më të madh sesa madhësia e ushtrisë apo ekonomisë së tij. Shpesh, këto aleanca bazohen në vlera të përbashkëta, si angazhimi ndaj të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
Si një vend i vogël që kufizohet me një fuqi imperialiste, Finlanda ka mësuar se ndonjëherë një shtet duhet të vendosë disa vlera në hije për të mbrojtur të tjerat, ose thjesht për të mbijetuar. Shtetësia është e bazuar në parimet e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial. Pas Luftës së Dytë Botërore, Finlanda ruajti pavarësinë e saj, ndryshe nga miqtë tanë baltikë, të cilët u përfshinë në Bashkimin Sovjetik. Por ne humbëm dhjetë për qind të territorit tonë ndaj Bashkimit Sovjetik, përfshirë zonat ku kishin lindur babai dhe gjyshërit e mi. Dhe, më e rëndësishmja, ne u detyruam të heqim dorë nga një pjesë e sovranitetit tonë. Finlanda nuk ishte në gjendje të anëtarësohej në institucionet ndërkombëtare ku ndihej natyrshëm pjesë, veçanërisht në BE dhe NATO.
Gjatë Luftës së Ftohtë, politika e jashtme finlandeze u përcaktua nga një “realizëm pragmatik”. Për të parandaluar Bashkimin Sovjetik të na sulmonte përsëri, siç bëri në vitin 1939, na u desh të komprometonim vlerat tona perëndimore. Kjo epokë në historinë e Finlandës, e cila i dha diplomacisë ndërkombëtare termin “finlandizim”, nuk është një periudhë për të cilën mund të jemi krenarë, por ne arritëm të ruajmë pavarësinë tonë. Ajo përvojë na ka bërë të jemi shumë të kujdesshëm ndaj çdo mundësie përsëritjeje. Kur disa sugjerojnë se finlandizimi mund të jetë një zgjidhje për përfundimin e luftës në Ukrainë, unë kundërshtoj ashpër. Një paqe e tillë do të vinte me një kosto tepër të rëndë, në fakt dorëzimin e sovranitetit dhe territorit.
Ne jetojmë në një botë të re të çrregullimit.
Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Finlanda, si shumë vende të tjera, përqafoi idenë se vlerat e Perëndimit global do të bëheshin normë, atë që unë e quaj “idealizëm i bazuar te vlerat”. Kjo e lejoi Finlandën të hynte në Bashkimin Evropian në vitin 1995. Në të njëjtën kohë, Finlanda bëri një gabim të rëndë: vendosi, me dëshirë, të qëndronte jashtë NATO-s. (Për hir të së vërtetës: prej 30 vitesh kam qenë një mbështetës i fortë i anëtarësimit të Finlandës në NATO.)
Disa finlandezë besonin në mënyrë idealiste se Rusia do të bëhej eventualisht një demokraci liberale, ndaj anëtarësimi në NATO ishte i panevojshëm. Të tjerë kishin frikë se Rusia do të reagonte keq ndaj anëtarësimit të Finlandës në aleancë. Disa të tjerë mendonin se Finlanda kontribuonte në ruajtjen e ekuilibrit, dhe rrjedhimisht të paqes, në rajonin e Detit Baltik duke qëndruar jashtë aleancës. Të gjitha këto arsye rezultuan të gabuara, dhe Finlanda u përshtat në përputhje me rrethanat: ajo iu bashkua NATO-s pas sulmit të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës.
Ky ishte një vendim që buronte si nga vlerat, ashtu edhe nga interesat e Finlandës. Finlanda ka përqafuar atë që unë e kam quajtur “realizëm i bazuar te vlerat”: një angazhim ndaj një grupi vlerash universale, liri, të drejta themelore dhe rregulla ndërkombëtare, duke respektuar njëkohësisht realitetet e ndryshme të kulturave dhe historive të botës. Perëndimi global duhet të qëndrojë besnik ndaj vlerave të tij, por duhet gjithashtu të kuptojë se problemet e botës nuk do të zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit me vende me mendësi të ngjashme.
Realizmi i bazuar te vlerat mund të tingëllojë si një kontradiktë, por nuk është. Dy teori të rëndësishme të epokës pas Luftës së Ftohtë dukej se vinin në kontrast vlera universale me një vlerësim më realist të ndarjeve politike. Teza e Fukuyama-s për fundin e historisë e shihte triumfin e kapitalizmit mbi komunizmin si shenjë të një bote që do të bëhej gjithnjë e më liberale dhe e orientuar drejt tregut. Politologu Samuel Huntington, në teorinë e tij “përplasja e civilizimeve”, parashikonte që vijat e përplasjes gjeopolitike do të zhvendoseshin nga ideologjia tek kultura. Në të vërtetë, shtetet mund të marrin elemente nga të dy kuptimet për të negociuar rendin e sotëm në ndryshim.
Në hartimin e politikës së jashtme, qeveritë e Perëndimit global mund të ruajnë besimin e tyre në demokraci dhe tregje pa pretenduar se ato janë universalisht të zbatueshme; në vende të tjera, mund të mbizotërojnë modele të ndryshme. Madje brenda vetë Perëndimit global, kërkimi i sigurisë dhe mbrojtja e sovranitetit do ta bëjnë ndonjëherë të pamundur ndjekjen strikte të idealeve liberale.
Vendet duhet të përpiqen të ndërtojnë një rend botëror bashkëpunues të bazuar në realizmin e bazuar te vlerat, duke respektuar si sundimin e ligjit ashtu edhe dallimet kulturore e politike. Për Finlandën, kjo do të thotë të arrijë tek vendet e Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine për të kuptuar më mirë qëndrimet e tyre mbi luftën e Rusisë në Ukrainë dhe konfliktet e tjera aktuale. Kjo nënkupton edhe zhvillimin e diskutimeve pragmatike në një bazë të barabartë mbi çështjet globale të rëndësishme, si ndarja e teknologjisë, materialet e para, dhe ndryshimet klimatike.
TRIANGULI I FUQISË
Tre rajone të gjera përbëjnë ekuilibrin global të fuqisë sot: Perëndimi global, Lindja globale dhe Jugu global.
Perëndimi global përfshin rreth 50 vende dhe tradicionalisht është udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Anëtarët e tij janë kryesisht shtete demokratike dhe të orientuara nga tregu në Evropë dhe Amerikën e Veriut, së bashku me aleatët e tyre të largët si Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut. Këto vende zakonisht synojnë të ruajnë një rend shumëpalësh të bazuar në rregulla, edhe nëse nuk bien dakord gjithmonë se si të mbrohet apo reformohet ai.
Lindja globale përbëhet nga rreth 25 shtete të udhëhequra nga Kina. Kjo zonë përfshin vende të lidhura si Irani, Koreja e Veriut dhe Rusia, që synojnë të rishikojnë ose zëvendësojnë rendin ekzistues ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Ato bashkohen nga një interes i përbashkët: dëshira për të ulur ndikimin e Perëndimit global.
Jugu global përfshin shumë prej shteteve në zhvillim ose me të ardhura të mesme nga Afrika, Amerika Latine, Azia Jugore dhe Azia Juglindore, dhe shumicën e popullsisë së botës. Shumë prej tyre kanë vuajtur nën kolonializmin perëndimor dhe më pas si terrene të luftërave përfaqësuese gjatë Luftës së Ftohtë. Jugu global përfshin shumë fuqi të mesme ose “shtete lëkundëse”, si Brazili, India, Indonezia, Kenia, Meksika, Nigeria, Arabia Saudite dhe Afrika e Jugut. Rritja demografike, zhvillimi ekonomik dhe eksportet e burimeve natyrore po shtyjnë fuqizimin e këtyre vendeve.
Perëndimi global dhe Lindja globale po përpiqen të fitojnë zemrat dhe mendjet e Jugut global. Arsyeja është e thjeshtë: ata e kuptojnë se Jugu global do të vendosë drejtimin e rendit të ri botëror. Ndërsa Perëndimi dhe Lindja tërheqin nga skaje të ndryshme, Jugu ka votën e vendimtare.
Perëndimi nuk mund të tërheqë Jugun global vetëm duke lavdëruar vlerat e lirisë dhe demokracisë; Ai duhet gjithashtu të financojë projekte zhvillimi, tw investojë në rritje ekonomike, dhe më e rëndësishmja: t’i japë Jugut një vend real në tryezë dhe të ndajë pushtetin.
Lindja globale, nga ana tjetër, gabon nëse mendon se investimet në infrastrukturë dhe kapital ekonomik do t’i blejnë ndikim të plotë në Jugun global. Dashuria nuk blihet lehtë. Siç ka thënë ministri i jashtëm indian Subrahmanyam Jaishankar: India dhe vendet e tjera të Jugut global nuk janë ulur në gardh, ato po qëndrojnë në terrenin e tyre.
Me fjalë të tjera: Si udhëheqësit e Perëndimit ashtu edhe të Lindjes do të kenë nevojë për realizëm të bazuar te vlerat. Politika e jashtme nuk është kurrë binare. Çdo ditë, politikbërësit duhet të marrin vendime që prekin si vlerat, ashtu edhe interesat. A do të blini armë nga një vend që shkel të drejtën ndërkombëtare? A do të financoni një diktaturë që lufton terrorizmin? A do t’i jepni ndihmë një vendi ku homoseksualiteti konsiderohet krim? A do të tregtoni me një vend që lejon dënimin me vdekje?
Disa vlera janë të panegociueshme. Kwto pwrfshijnw mbrojtjen e të drejtave themelore, mbrojtjen e pakicave, ruajtjen e demokracisë dhe respektimi i sundimit të ligjit. Këto vlera duhet të jenë themeli i asaj që Perëndimi global përfaqëson, veçanërisht kur kërkon bashkëpunim me Jugun global. Por Perëndimi duhet të kuptojë gjithashtu se jo të gjithë ndajnë të njëjtat vlera.
Qëllimi i realizmit të bazuar në vlera është të gjendet një ekuilibër midis vlerave dhe interesave në një mënyrë që prioritizon parimet, por pranon kufijtë e fuqisë së një shteti kur janë në rrezik interesat e paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Një rend botëror i bazuar në rregulla, i mbështetur nga një grup institucionesh ndërkombëtare që funksionojnë mirë dhe që garantojnë vlerat themelore, mbetet mënyra më e mirë për të parandaluar që konkurrenca të çojë në përplasje. Por, ndërsa këto institucione kanë humbur rëndësinë e tyre, vendet duhet të përqafojnë një ndjenjë më të fortë të realizmit. Liderët duhet të pranojnë ndryshimet midis vendeve: realitetet e gjeografisë, historisë, kulturës, fesë dhe fazave të ndryshme në zhvillimin ekonomik. Nëse duan që të tjerët të adresojnë më mirë çështje të tilla si të drejtat e qytetarëve, praktikat mjedisore dhe qeverisja e mirë, ata duhet të udhëheqin me shembull dhe të ofrojnë mbështetje, jo leksione.
Realizmi i bazuar në vlera fillon me sjellje dinjitoze, me respekt për pikëpamjet e të tjerëve dhe me një kuptim të ndryshimeve. Do të thotë bashkëpunim i bazuar në partneritete të barabarta, dhe jo në ndonjë perceptim historik se si duhet të jenë marrëdhëniet midis Perëndimit, Lindjes dhe Jugut global. Mënyra për vendet që të shikojnë përpara, dhe jo pas, është të përqendrohen në projekte të rëndësishme të përbashkëta si infrastruktura, tregtia dhe lehtësimi dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike.
Shumë pengesa qëndrojnë para çdo përpjekjeje të tre sferave globale për të ndërtuar një rend botëror që njëkohësisht respekton ndryshimet dhe lejon shtetet të vendosin interesat e tyre kombëtare brenda një kuadri më të gjerë të marrëdhënieve ndërkombëtare bashkëpunuese. Kostot e dështimit, megjithatë, janë të mëdha: gjysma e parë e shekullit XX tregoi mjaftueshëm paralajmërim.
Pasiguria është pjesë e marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe asnjëherë më shumë se gjatë tranzicionit nga një epokë në një tjetër. Çelësi është të kuptohet pse po ndodh ndryshimi dhe si të reagojmë ndaj tij. Nëse Perëndimi global kthehet te mënyrat e tij të vjetra të dominimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, ose arrogancës së hapur, ai do të humbasë betejën. Nëse kupton që Jugu global do të jetë një pjesë kyçe e rendit të ardhshëm botëror, mund të jetë në gjendje të krijojë partneritete si të bazuara në vlera, ashtu edhe në interesa, që mund të përballojnë sfidat kryesore globale. Realizmi i bazuar në vlera do t’i japë Perëndimit mjaft hapësirë për të lundruar në këtë epokë të re të marrëdhënieve ndërkombëtare.
BOTA E ARDHSHME
Një grup institucionesh pasluftës ka ndihmuar në drejtimin e botës gjatë periudhës së saj më të shpejtë të zhvillimit dhe kanw mbajtur një periudhë jashtëzakonisht të gjatë të paqes relative. Sot, ato janë në rrezik të shemben. Por ato duhet të mbijetojnë, sepse një botë e bazuar në konkurrencë pa bashkëpunim, do të çojë në konflikt. Për të mbijetuar, megjithatë, ato duhet të ndryshojnë, sepse shumë shtete nuk kanë agjenci në sistemin ekzistues dhe, në mungesë të ndryshimit, do të largohen prej tij. Këto shtete nuk mund të fajësohen për këtë; rendi i ri botëror nuk do të presë.
Të paktën tre skenarë mund të shfaqen në dekadën e ardhshme. Në të parin, thjesht do tw vazhdonte çrregullimi aktual. Do të mbeteshin ende elemente të rendit të vjetër, por respekti për rregullat dhe institucionet ndërkombëtare do të ishte “à la carte” dhe kryesisht i bazuar në interesa, jo vlera të lindura. Kapaciteti për të zgjidhur sfidat kryesore do të mbetej i kufizuar, por bota të paktën nuk do të kalonte në kaos më të madh. Përfundimi i konflikteve, megjithatë, do të bëhej veçanërisht i vështirë, sepse shumica e marrëveshjeve për paqe do të ishin tranzaksionale dhe do të mungonte autoriteti që vjen nga vulosja e Kombeve të Bashkuara.
Gjërat mund të jenë më keq: në një skenar të dytë, themelet e rendit ndërkombëtar liberal, rregullat dhe institucionet e tij, do të vazhdonin të shkatërroheshin, dhe rendi ekzistues do të shembej. Bota do të afrohej më shumë drejt kaosit pa një lidhje të qartë pushteti dhe me shtete të paafta për të zgjidhur kriza të mprehta, si uria, pandemia ose konflikte. Njerwz tw fortw, luftëtarë dhe aktorë jo-shtetërorë do të mbushnin vakumet e pushtetit të lëna nga organizatat ndërkombëtare në tërheqje. Konfliktet lokale do të rrezikonin të shkaktonin luftëra më të gjera. Stabiliteti dhe parashikueshmëria do të ishin përjashtime, jo norma, në një botë ku “i forti ha të dobëtin”. Ndërmjetësimi i paqes do të ishte pothuajse i pamundur.
Por nuk duhet të jetë kështu. Në një skenar të tretë, një simetri e re e fuqisë midis Perëndimit, Lindjes dhe Jugut global do të prodhonte një rend botëror ku vendet mund të trajtojnë sfidat më urgjente globale përmes bashkëpunimit dhe dialogut midis të barabartëve. Ky ekuilibër do të përmbante konkurrencën dhe do të shtynte botën drejt bashkëpunimit më të madh në çështje klimatike, sigurie dhe teknologjie, sfida kritike që asnjë vend nuk mund t’i zgjidhë vetëm. Në këtë skenar, parimet e Kartës së OKB-së do të mbizotëronin, duke çuar në marrëveshje të drejta dhe të qëndrueshme. Por qw tw ndodhw kjo, institucionet ndërkombëtare duhet të reformohen.
Momenti unipolar provoi të jetë i shkurtër.
Reforma fillon nga lart, domethënë në Kombet e Bashkuara. Reforma është gjithmonë një proces i gjatë dhe i komplikuar, por ka të paktën tre ndryshime të mundshme që do të forcojnë automatikisht OKB-në dhe do t’u japin agjenci atyre shteteve që ndihen se nuk kanë mjaft fuqi në Nju Jork, Gjenevë, Vjenë ose Nairobi.
Së pari, të gjitha kontinentet kryesore duhet të jenë të përfaqësuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në të gjitha kohërat. Nuk është e pranueshme që nuk ka përfaqësim të përhershëm nga Afrika dhe Amerika Latine në Këshillin e Sigurimit dhe që Kina përfaqëson vetëm Azinë. Numri i anëtarëve të përhershëm duhet të rritet të paktën me pesë: dy nga Afrika, dy nga Azia dhe një nga Amerika Latine.
Së dyti, asnjë shtet i vetëm nuk duhet të ketë të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit. Vetoja ishte e nevojshme pas Luftës së Dytë Botërore, por në botën e sotme ka paralizuar Këshillin e Sigurimit. Agjencitë e OKB-së në Gjenevë funksionojnë mirë pikërisht sepse asnjë anëtar i vetëm nuk mund ta pengojë këtë.
Së treti, nëse një anëtar i përhershëm ose rotativ i Këshillit të Sigurimit shkel Kartën e OKB-së, anëtarësimi i tij në OKB duhet të pezullohet. Kjo nwnkupton që organi do të kishte pezulluar Rusinë pas pushtimit të saj të plotë të Ukrainës. Një vendim i tillë pezullimi mund të merrej në Asamblenë e Përgjithshme. Nuk duhet të ketë vend për standarde të dyfishta në Kombet e Bashkuara.
Tregtia globale dhe institucionet financiare gjithashtu duhet të përditësohen. Organizata Botërore e Tregtisë, e cila ka qenë e paralizuar për vite me rradhë nga mekanizmi i saj i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, është ende thelbësore. Pavarësisht një rritjeje të marrëveshjeve të tregtisë së lirë jashtë juridiksionit të OBT-së, mbi 70 për qind e tregtisë globale ende kryhet nën parimin “nacionaliteti më i favorizuar” të OBT-së. Qëllimi i sistemit tregtar multilateral është të sigurojë trajtim të drejtë dhe të barabartë për të gjithë anëtarët e tij. Tarifat dhe shkeljet e tjera të rregullave të OBT-së përfundojnë duke dëmtuar të gjithë. Procesi aktual i reformës duhet të çojë në transparencë më të madhe, veçanërisht sa i përket subvencioneve, dhe fleksibilitet në proceset vendimmarrëse të OBT-së. Dhe këto reforma duhet të zbatohet shpejt; sistemi do të humbasë kredibilitet nëse OBT-ja mbetet e bllokuar në këtë impas aktual.
Reforma është e vështirë, dhe disa nga këto propozime mund të duken joreale. Por po ashtu dukeshin edhe ato të bëra në San Francisko kur u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara mbi 80 vjet më parë. Nëse 193 anëtarët e OKB-së pranojnë këto ndryshime, do të varet nga fokusi i politikës së tyre të jashtme: mbi vlera, interesa ose fuqi. Ndarja e pushtetit mbi bazën e vlerave dhe interesave ishte themeli i krijimit të rendit botëror liberal pas Luftës së Dytë Botërore. Ka ardhur koha të rishikohet sistemi që na ka shërbyer kaq mirë për gati një shekull.
Kartë e egër për Perëndimin global në të gjithë këtë situatw do të jetë nëse Shtetet e Bashkuara duan të ruajnë rendin multilateral botëror që kanë qenë kaq instrumentale në ndërtimin e tij dhe nga i cili kanë përfituar shumë. Kjo mund të mos jetë një rrugë e lehtë, duke marrë parasysh tërheqjen e Uashingtonit nga institucionet dhe marrëveshjet kryesore, si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe marrëveshja klimatike e Parisit, dhe qasjen e tij së fundmi merkantiliste ndaj tregtisë ndërkufitare. Sistemi i OKB-së ka ndihmuar në ruajtjen e paqes midis fuqive të mëdha, duke lejuar Shtetet e Bashkuara të dalin si fuqia kryesore gjeopolitike. Në shumë institucione të OKB-së, ka marrë rolin kryesor dhe ka qenë në gjendje të ndjekë objektivat e saj të politikës shumë efektivisht. Tregtia globale e lirë ka ndihmuar Shtetet e Bashkuara të vendosen si fuqia kryesore ekonomike në botë, ndërkohë që ka sjellë produkte me kosto të ulët për konsumatorët amerikanë. Aleancat si NATO-ja i kanë dhënë Shteteve të Bashkuara avantazhe ushtarake dhe politike jashtë rajonit të tyre. Pjesa tjetër e Perëndimit ka detyrën të bindë administratën Trump për vlerën e institucioneve pasluftës dhe rolit aktiv të Shteteve të Bashkuara në to.
Kartë e egër për Lindjen globale do të jetë se si Kina do të luajë kartën e saj në skenën botërore. Ajo mund të ndërmarrë hapa të tjerë për të mbushur vakumet e pushtetit të lëna nga Shtetet e Bashkuara në fusha si tregtia e lirë, bashkëpunimi për ndryshimet klimatike dhe zhvillimi. Mund të përpiqet të formësojë institucionet ndërkombëtare ku tani ka një pozicion shumë më të fortë. Mund të kërkojë të projektojë më tej fuqinë në rajonin e saj. Dhe mund të braktisë strategjinë e gjatë të fshehjes së forcës dhe pritjes së kohës dhe të vendosë që ka ardhur koha për veprime më agresive, për shembull në Detin e Kinës Jugore dhe ngushticën e Tajvanit.
JALTA APO HELSINKI?
Një rend ndërkombëtar, si ai i krijuar nga Perandoria Romake, mund të mbijetojë në shekuj. Shumicën e kohës, megjithatë, ai zgjas vetëm disa dekada. Lufta e agresionit e Rusisë në Ukrainë shënon fillimin e një tjetër ndryshimi në rendin botëror. Për të rinjtë sot, ky është momenti i tyre 1918, 1945, ose 1989. Bota mund të marrë një kthesë të gabuar në këto momente, siç ndodhi pas Luftës së Parë Botërore, kur Lidhja e Kombeve nuk arriti të përmbajë konkurrencën midis fuqive të mëdha, duke rezultuar në një luftë tjetër të përgjakshme botërore.
Vendet gjithashtu mund ta trajtojnë më shumë ose më pak saktë situatën, siç ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore me krijimin e Kombeve të Bashkuara. Ai rend i pasluftës, pas të gjithave, ruajti paqen midis dy superfuqive të Luftës së Ftohtë, Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara. Sigurisht, ai stabilitet relativ erdhi me një kosto të lartë për ato shtete që u detyruan të nënshtrohen ose vuajtën gjatë konflikteve proxy. Dhe edhe pse fundi i Luftës së Dytë Botërore shtriu themelet për një rend që mbijetoi për dekada, ai gjithashtu mbolli farat e pabarazisë aktuale.
Në 1945, fituesit e luftës u takuan në Jalte, në Krime. Atje, Presidenti amerikan Franklin Roosevelt, Kryeministri britanik Winston Churchill dhe lideri sovjetik Joseph Stalin hartuan një rend të pasluftës bazuar në sferat e influencës. Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të shfaqej si skenë ku superfuqitë mund të adresonin dallimet e tyre, por ofronte pak hapësirë për të tjerët. Në Jaltë, shtetet e mëdha bënë një marrëveshje për shtetet e vogla. Ai gabim historik duhet të rregullohet tani.
Pa një sistem multilateral të fortë, diplomacia bëhet tranzaksionale.
Mbledhja e Konferencës mbi Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë në 1975 ofron një kontrast të qartë me Jaltën. Tridhjetë e dy vende evropiane, plus Kanadaja, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara, u takuan në Helsinki për të krijuar një strukturë sigurie evropiane bazuar në rregulla dhe norma të zbatueshme për të gjithë. Ata ranë dakord për parime themelore që rregullojnë sjelljen e shteteve ndaj qytetarëve dhe njëri-tjetrit. Ishte një arritje e jashtëzakonshme e multilateralizmit në një kohë tensionesh të mëdha dhe u bë thelbësore për të shpejtuar përfundimin e Luftës së Ftohtë.
Jalta ishte multipolare në rezultatet e saj, dhe Helsinki ishte multilateral. Tani bota përballet me një zgjedhje, dhe unë besoj se Helsinki ofron rrugën e duhur përpara. Zgjedhjet që të gjithë ne bëjmë në dekadën e ardhshme do të përcaktojnë rendin botëror për shekullin njëzet e një.
Shtetet e vogla si i imi nuk janë thjesht spektatorë në këtë histori. Rendi i ri do të përcaktohet nga vendimet e udhëheqësve politikë në shtete të mëdha dhe të vogla, qoftë demokratë, autokratë ose diçka në mes. Dhe këtu një përgjegjësi e veçantë bie mbi Perëndimin global, si arkitekt i rendit në largim dhe ende, ekonomikisht dhe ushtarakisht, koalicioni më i fuqishëm global. Mënyra se si mbajmë këtë rol ka rëndësi. Kjo është mundësia jonë e fundit.
*Autori i kësaj analize ndërkombëtare është Presidenti i Finlandës. Artikulli është publikuar në “Foreign Affairs”











ik mor idiot!