Ministria e Mbrojtjes raporton se deri në orën 14:00 të 15 gushtit janë regjistruar 12 vatra zjarri. 9 vatra vijojnë të jenë aktive, 2 janë nën monitorim dhe një është shuar plotësisht.
Dy zonat ku vijojnë operacionet kryesore janë Dajti në Tiranë dhe Gurë-Lura në Dibër.
Në Dajt, zjarri vijon mbi tunelet e Qafë-Mollës. Në operacion janë angazhuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zjarri nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Në Gurë-Lurë, Dibër, situata mbetet ndër më problematiket. Zjarri vijon aktiv dhe në terren janë angazhuar forca të shumta tokësore, ndërsa ndërhyrja nga ajri po kryhet me dy avionë Air Tractor. Hapja e korridoreve ka frenuar përparimin e flakëve drejt banesave.
Në Qafë Helmes, Bulqizë–Selishtë, zjarri është shuar nga krahu i Bulqizës, por mbetet aktiv nga krahu i Selishtës. Nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Krujë, vatra në Abaze vijon aktive me intensitet të ulët, ndërsa zjarri në Zidoll është nën monitorim.
Në Lufaj të Mirditës, vijon puna për izolimin e vatrës dhe hapjen e korridoreve mbrojtëse.
Ndërkohë, zjarri pranë stacionit të trenit në Mamurras është shuar plotësisht.
Vatra aktive raportohen edhe në Fushë-Lajë të Pukës, Sotirë në Dropull, Gjormë në Selenicë dhe Dardhë të Librazhdit, ku vijon puna për izolimin dhe shuarjen e tyre.
Bilanci deri në orën 14:00:
– 9 vatra aktive
– 2 vatra nën monitorim
– 1 vatër e shuar
– Dajti dhe Gurë-Lura mbeten ndër zonat kryesore të ndërhyrjes
– Mamurrasi është vatra e raportuar si e shuar plotësisht
– Në zonat e raportuara nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për banesat, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.
Njoftimi:
Ministria e Mbrojtjes – përditësim mbi situatën e zjarreve (15 gusht 2026 – ora 14:00)
Ministria e Mbrojtjes informon se, deri në orën 14:00 të datës 15 gusht 2026, janë regjistruar 12 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim, ndërsa një vatër është shuar plotësisht.
Në operacionet e ditës së sotme janë angazhuar 285 forca operacionale, të mbështetura nga 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor të Forcës Ajrore.
Në Dajt, Tiranë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës, me mbështetjen e 50 efektivëve të FA-së dhe 2 helikopterëve të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, zjarri në zonën e Priskës, Farkës, Lundrës dhe Gurrës së Madhe është vënë nën kontroll dhe po monitorohet nga forcat operacionale.
Në Gurë-Lurë, Dibër, vijon një nga operacionet kryesore. Në terren janë angazhuar 150 forca bashkiake, 20 forca policore, 11 forca të ADZM-së Dibër, 15 efektivë të MZSH-së Dibër, 50 efektivë të FA-së dhe 2 avionë Air Tractor. Hapja e korridoreve me fadroma dhe forca ka bërë të mundur ndalimin e përparimit të zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë Helmes, Bulqizë–Selishtë, vijon puna me 11 efektivë të MZSH Bulqizë, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA-së. Nga krahu i fshatit Bulqizë zjarri është shuar, ndërsa vijon aktiv nga krahu i Selishtës, pa rrezik për banesat.
Në Krujë, vatra në Abaze mbetet aktive, por me intensitet të ulët, ndërsa zjarri në Zidoll është në monitorim. Në Lufaj të Mirditës po punohet për hapjen e korridoreve ndarëse për të shmangur çdo rrezik për banesat, ndërsa zjarri pranë stacionit të trenit në Mamurras është shuar plotësisht, falë ndërhyrjes së shpejtë të strukturave operacionale.
Vijon puna edhe në Fushë-Lajë të Pukës, Sotirë në Dropull, Gjormë në Selenicë dhe Dardhë të Librazhdit, ku forcat operacionale janë të angazhuara për izolimin dhe shuarjen e vatrave. Në të gjitha këto zona nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
AKMC vijon ndjekjen dhe monitorimin e pandërprerë të situatës, në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore të sistemit të Mbrojtjes Civile, duke mbajtur në gatishmëri kapacitetet tokësore dhe ajrore për ndërhyrje aty ku kërkohet.