*Nishani mesazh ngushëllimi për viktimat në Francë: Akt çnjerëzor
*Rama: Strategjia e tmerrit nuk do ta gjunjëzojë kurrë botën e lirë, Franca dhe liria do triumfojnë
*Basha: Sulm shtazarak, luftë e pakompromis kundër çdo lloj ekstremizmi që merr jetë të pafajshme
*MPJ dënon sulmin në Nicë: Deri tani nuk rezultojnë shqiptarë të lënduar, masa për t’i ardhur kujtdo në ndihmë
TIRANE- Krerët e politikës shqiptare kanë shprehur mesazhe ngushëllimi për ngjarjen e rëndë në Francë, ku 84 persona humbën jetën nga një sulm terrorist, ndërsa u plagosën dhjetëra të tjerë. Në njoftimin e MPJ, theksohet se deri më tani nuk ka persona të lenduar nga ky sulm.
Sakaq, Presidenti Bujar Nishani ka shprehur ngushëllime për Francën dhe familjarët e viktimave.
NISHANI MESAZH NGUSHELLIMI PER VIKTIMAT NE FRANCE: AKT ÇNJERËZOR
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti Presidenti të Republikës franceze, François Hollande.
“I nderuar Zoti President,
Akti i mbrëmshëm terrorist në Nisë, që përgjaku Ditën Kombëtare të Francës dhe gëzimin e francezëve, më tronditi dhe më revoltoi pa masë.
E dënoj me forcën më të madhe këtë akt çnjerëzor dhe në këto momente dhimbje dhe zemërimi, unë dhe populli shqiptar jemi me ju dhe popullin francez.
Me trishtim të thellë u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve dhe të afërme të viktimave, juve dhe qeverisë suaj, ndërsa të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë.
Zoti ju dhëntë juve dhe popullit francez, qetësi, kurajë dhe forcë për përballimin dhe kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate!”, theksohet në mesazhin e Presidentit Nishani.
RAMA: STRATEGJIA E TMERRIT NUK DO TA GJUNJËZOJË KURRË BOTËN E LIRË, FRANCA DHE LIRIA DO TRIUMFOJNË
Kryeministri Edi Rama ka dënuar ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Francë. Kreu i Qeverisë shqiptare në mesazhin e tij të ngushëllimit thekson se ngjarje të tilla nuk do të mund të gjunjëzojnë botën e lirë, ndërsa shton se “nazizmi i ri do të mundet njësoj si i vjetri”.
“Strategjia e tmerrit nuk do ta gjunjëzojë kurrë botën e lirë! Nazizmi i ri do të mundet njësoj si i vjetri! Franca dhe liria do triumfojnë”, shkruan kryeministri Rama.
BASHA: SULM SHTAZARAK, LUFTË E PAKOMPROMIS KUNDËR ÇDO LLOJ EKSTREMIZMI QË MERR JETË TË PAFAJSHME
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Nicë. Duke e cilësuar sulm shtazarak, kryedemokrati thotë se ngjarja ka ngjallur trishtim e zemërim në mbarë botën.
Basha shpreh ngushëllime për familjet e viktimave, ndërsa thekson rëndësinë e luftës së pakompromis kundër çdo lloj ekstremizmi.
“Ngjarja shokuese në Nicë të Francës ku nga një sulm shtazarak kanë mbetur mbi 80 të vdekur, ka sjellë trishtim e zemërim kudo në mbarë botën dhe në Shqipëri. Dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të uroj nga zemra shërim të shpejtë të të plagosurve. Akti i pabesë terrorist, në orën që të rinj, fëmijë, burra e gra po festonin ditën kombëtare, ka lënduar gjithkënd por jam i bindur se Franca do të ringrihet më e fortë. Ne jemi më të bashkuar se kurrë në luftën pa kompromis kundër çdo lloj ekstremizmi që merr jetë të pafajshme”, shprehet kreu i PD-së Lulzim Basha.
KODHELI: SOT MË SHUMË SE KURRË PRANË POPULLIT FRANCEZ
Ngjarja tragjike që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Nicë të Francë, e dyshuar si një atentat ka tërhequr vëmendjen e gjerë të opinionit publik.
Ministria e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka reaguar përmes faqes së saj në facebook pas masakrës në Francë ku humbën jetën më shumë se 80 persona.
“Sa i tmerrshëm aq edhe tragjik sulmi në #Nice. Sot më shumë se kurrë përkrah popullit dhe qeverisë franceze kundër kësaj të keqeje”, shkruan Kodheli.
MPJ DËNON SULMIN NË NICË: DERI TANI NUK REZULTOJNË SHQIPTARË TË LËNDUAR, MASA PËR T’I ARDHUR KUJTDO NË NDIHMË
Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar mëngjesin e sotëm për sulmin terrorist në Francë, ku humbën jetën 84 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. MPJ sqaron se deri më tani nuk rezulton që ka sulmi të kenë humbur jetën shtetas shqiptarë.
Nisur nga kjo situatë e krijuar, Ambasada shqiptare në Paris vë në dispozicion numrin 0033-1472331051 për t’i ardhur në ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë aty, apo janë të prekur nga kjo ngjarje e rëndë.
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dënon sulmin e rëndë në Nicë, ndërsa shpreh mbështetje për Francën, duke i qëndruar “në krah në këtë situatë mjaft të vështirë”.
“MPJ dënon me forcë sulmin e rëndë terrorist të ndodhur dje në Francë dhe shpreh solidaritetin dhe ngushëllimet për popullin dhe autoritetet franceze në këtë moment të vështirë. Qëndrojmë krahë Francës në betejën kundër terrorizmit dhe dhunës ekstreme”, thuhet ne reagim.
“Ministria e Punëve te Jashtme dëshiron të informojë opinionin publik se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për t’i ardhur në ndihmë shtetasve shqiptarë që mund të jenë të përfshirë në këtë situatë krize”, vijon MPJ.
“Nga informacionet e deritanishme të përcjella nga Ambasada jonë në Paris nuk rezulton të kemi shtetas shqiptare që mund të kenë humbur jetën. Në ndihmë të qytetarëve tanë që ndodhen në Francë dhe familjeve të tyre, Ambasada shqiptare në Paris vë në dispozicion nr. e kontaktit: +33147233151. Ministria e Punëve të Jashtme do të informojë në vijimësi opinionin publik për zhvillime të mëtejshme”, perfundon deklarata e MPJ.
Mesditën e sotme, Ambasada Franceze në Tiranë do të zhvillojë një ceremoni për viktimat e Nicës, ku do të mbahet 1 minutë heshtje.
“Ju ftojmë të merrni pjesë në ceremoninë që do të zhvillohet në 12:00”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Franceze.
Komentet