Shoqëria Civile ka dalë në protestë paraditen e kësaj të premte para Kuvendit, aty ku pritet të shqyrtohet imuniteti i Belida Ballukut, dhe autorizimi për arrestimin e saj.
Aktivistët me pankarta në duar kërkojnë drejtësi dhe dënimin e duhur për zyrtaren e korruptuar të qeverisë Rama.
“Drejtësi deri në fund”, “Peshku qelbet nga koka”, “Në mbrojtje të drejtësisë, drejtësi deri në fund” janë disa nga pankartat e tyre.
Një tjetër protestë ka nisur nga “Mundësia” e Agron Shehajt. Me pankarta në duar përfaqësuesit e partisë janë mbledhur para Kuvendit dhe kërkojnë të hiqet imuniteti i Ballukut dhe të lejohet arrestimi i saj nga SPAK.
Ndërkohë janë regjistruar edhe tensione mes deputetëve të kësaj partie dhe Gardës së Republikës. Raportohet se Agron Shehaj dhe Erald Kapri janë futur brenda ambienteve të Kuvendit dhe kanë kërkuar të jenë të pranishëm në mbledhjen për Ballukun, por janë penguar nga Garda.
“Duan të mbajnë fshehur gjithçka dhe të nxjerrin vetëm çfarë duan ata. Ne do të ngulim këmbë sepse është e parashikuar nga rregullorja. Mbyllën edhe derën këtu. Kemi bërë kërkesë bashkë me deputetin Kapri për të marr pjesë. Por këta nuk duan t’ia dinë. Ky është skandal i vërtetë. Kanë marrë urdhër nga Rama që të mos na lejojnë të hymë. Ne i kemi dërguar një shkresë kryetarit të Kuvendit, Peleshi ku i kemi kërkuar që të jemi pjesëmarrës në mbledhje. Deri tani, ende nuk kemi marrë një përgjigje nga ana e tij dhe po mbahemi jashtë”, është shprehur Shehaj.
Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit është mbledhur pak më herët te Kuvendi, ndërkohë të pranishëm nga prokurorët do të jenë Dritan Prenci, Dorina Bejko, dy prokurorët e çështjes si dhe kreu i ri i SPAK, Klodian Braho./bn
