Artur Shehu në urdhër arresti
Në pranga, mësohet se ka rënë Leonard Bishaj, krahu i djathtë i tij e administrator i Crystal Luxury Resort, biznesmeni Orest Sota, Ilir Shtufi ( i fundit permendej edhe në dosjen e Ballukut). Masa e sigurisë për Shehun e Shtufin nuk është ekzekutuar pasi ndodhen jashtë vendit.
Shkruajta pak ditë më parë se shfaqja në TV e Artur Shehut ishte shenjë paniku o mesazhi për dikë…. Pêr kë?
Unë e kam një ide.
Ju?
Emrat
I nomi
Artur Shehu
Leonard Bishaj
Artur alias Luçiano Koçeku
Abedin Koçeku
Ervin Koçeku
Orest Sota
Ilir Shtufi
Orgest Birçaj
Dritan Aga
Gëzim Islami
Edmond Jaupi
Alfredo Hamzai
Ardian Zykaj
Adrian Rama
Erjon Rama
Elton Memeti
Arben Ismailaj
Bensik Myftari
Astrit Vladi
—-
Dalja e Artur Shehut në ekran: mesazh force apo shenjë shqetësimi?
Pas vitesh heshtjeje publike, Artur Shehu u shfaq mbrëmë në një studio televizive. Për disa ai mbetet investitor i suksesshëm; për të tjerë, një personazh që prej vitesh shfaqet në sfondin e disa prej historive më të debatueshme që lidhen me pronat, investimet strategjike dhe interesat e mëdha ekonomike në Shqipëri.
Unë e pashë këtë dalje televizive si lajm të mirë. Jo sepse intervista dha përgjigje bindëse. Përkundrazi. Në një kohë kur emri i tij është rikthyer në qendër të vëmendjes për shkak të raportimeve investigative dhe pyetjeve të shumta mbi origjinën e pronave, strukturat e biznesit dhe përfitimet ekonomike të lidhura me to, prania në ekran duket si një lëvizje që duhet lexuar përtej fjalëve të intervistës.
Shehu jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara, por aktiviteti i tij ekonomik në Shqipëri mbetet i konsiderueshëm. Kompanitë e lidhura me të operojnë në sektorë strategjikë dhe kanë zgjeruar ndikimin e tyre gjatë viteve të fundit. Kjo e bën figurën e tij të rëndësishme për ekonominë, por edhe për interesin publik. Sa më i madh ndikimi ekonomik, aq më e madhe nevoja për transparencë.
Problemi është se emri i Artur Shehut nuk është përmendur vetëm në bilance kompanish dhe projekte investimi. Gjatë viteve të fundit ai është shfaqur vazhdimisht në raportime investigative që kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë. Emri i tij është përmendur edhe në librin e gazetarit investigativ italian Nello Trocchia mbi historinë e ishullit Aruba, një çështje që ka gjeneruar debat publik dhe ka ngritur pikëpyetje mbi rrjetet e interesave në turizëm që veprojnë përtej kufijve kombëtarë.
Por ndoshta rasti më domethënës është ai i ish-gjeneralit italian Fabrizio Lisi. Jo vetëm për emrin e madh që mbante në Itali si ish-drejtues i Guardia di Finanza dhe ish-zyrtar i strukturave të Interpolit, por sepse historia përmbledh në mënyrë perfekte modelin që shfaqet vazhdimisht në shumë prej këtyre çështjeve: prona me vlerë të jashtëzakonshme, fondacione, ndërmjetës, dokumente dhe pyetje pa përgjigje.
Sipas raportimeve të mediave italiane dhe emisioneve investigative të transmetuara në RAI 3, rreth 30 hektarë tokë në bregdetin e Vlorës iu dhuruan fondacionit të drejtuar nga Lisi. Dhurues rezultonte Artur Shehu. Vetë Lisi deklaroi publikisht se nuk e njihte personalisht Shehun dhe se kishte vepruar mbi bazën e dokumenteve që i ishin paraqitur. Por pikërisht këtu lind pyetja që nuk mori kurrë një përgjigje bindëse: përse një sipërfaqe me vlerë potencialisht milionëshe do t’i jepej falas një fondacioni të huaj? Cili ishte interesi ekonomik? Kush përfitonte realisht? Dhe përse një operacion i tillë kërkonte kaq shumë ndërmjetës dhe kaq pak transparencë?
Historia u bë edhe më e rëndë kur emri i Lisit u përfshi më vonë në hetime për korrupsion në Itali. Kjo nuk provon automatikisht paligjshmëri në rastin shqiptar. Por shton edhe më shumë nevojën për të kuptuar se çfarë ndodhi realisht me ato prona dhe pse emra kaq të rëndësishëm ndërkombëtarë shfaqen vazhdimisht në histori që lidhen me pasuri të mëdha në Shqipëri.
Sot, megjithatë, vëmendja është përqendruar te Zvërneci. Sipas raportimeve të medias investigative Shteg, pas projektit të madh turistik në zonë gjendet një strukturë komplekse kompanish, transaksionesh dhe pronash që meriton transparencë të plotë. Artikulli “Matrioshkat e Zvërnecit” ngre pyetje serioze mbi mënyrën se si janë konsoliduar pronësitë dhe kush përfiton realisht prej tyre. Nuk kemi më të bëjmë me një kompani të vetme apo një investitor të vetëm. Kemi të bëjmë me një labirint shoqërish tregtare, transferimesh aksionesh, pronarësh formalë dhe përfituesish fundorë që e bëjnë të vështirë identifikimin e qartë të interesave reale.
Dhe pikërisht këtu qëndron problemi. Në Shqipëri është bërë pothuajse rregull që sa herë flitet për prona me vlerë të jashtëzakonshme ekonomike, strategjike apo turistike, shfaqen të njëjtat elemente: kompani mbi kompani, guacka korporative, fondacione, përfaqësues, administratorë dhe një mjegull e dendur që e bën të vështirë të kuptohet se kush është pronari real dhe kush është përfituesi i vërtetë.
Pikërisht në këtë moment Artur Shehu vendosi të shfaqet në ekran pasi emri i tij përmendet në pronat e Zvërnecit.
Gjatë intervistës, referencat e shpeshta te avokatët dhe mbrojtja ligjore lanë përshtypjen e një njeriu që nuk po ndërtonte një vizion publik, por po pozicionohej përballë një presioni në rritje. Dhe kur një biznesmen që ka zgjedhur heshtjen për vite të tëra ndien nevojën të flasë pikërisht në kulmin e këtyre debateve, publiku ka të drejtë të pyesë nëse kemi të bëjmë me një demonstrim force apo me shenjën e parë të shqetësimit.
Rikthimi i Artur Shehut nuk është fundi i historisë. Ndoshta është sinjali se historia po hyn në fazën më të rëndësishme të saj. Një fazë ku nuk mjaftojnë më intervistat televizive, deklaratat e kujdesshme dhe sqarimet e përgjithshme.
Sepse në fund të fundit, pyetja nuk është më kush është Artur Shehu. Pyetja është si janë ndërtuar këto pasuri, si kanë kaluar këto prona, kush përfiton prej tyre dhe nëse interesi publik është mbrojtur apo është përdorur si dekor për interesa private. Derisa këto pyetje të marrin përgjigje, çdo dalje televizive do të prodhojë më shumë dyshime sesa qartësi.