VOAL

VOAL

shkrimtarët e diktaturës sot qese të cofta vneri drejt ferrit Nga elida buçpapaj

September 24, 2019
4 Comments
  • author avatar
    Eugjen Merlika 5 years ago Reply

    E gjej teper te fuqishme e te thelle kete poezi, qe sjell te gjalle jehonen e vajit te femijeve te nje epoke ogurzeze te historise sone, te viktimave te pafajshme te nje regjimi qe vazhdon te jetoje jo vetem nepermjet mallit te fanatikeve qe dalin me portretet e Enverit ne ditet perkujtimore te tij, por edhe vendimeve te pafund te autoriteteve “demokratike” qe vazhdojne te shpallin “Nder i kombit” ata qe poetja i quan “qese te ftofta vneri”, “nderi i kobit, i kobit te kombit”
    Edhe tridhjete vjet mbas tjetersimit te regjimit, asnjeri nga shkrimtaret e tij nuk arriti te shkruaje per “klithmat e nanes” qe evokon poetja nane e qytetare, diçka per turpin e kombit qe qene kampet e debimit e te çfarosjes se njerezve, si ai te cilit i referohet autorja e mirenjohur.
    Falenderime te sinqerta per kete poezi nga nje ish femije i kampit te Tepelenes e pergezime akoma me te çiltera e miqesore per humanizmin, atdhedashurine e guximin qytetar qe shpalos pa nderprerje znj. Elida Buçpapaj, nje nder ndergjegjet kritike te gjalla te shoqerise shqiptare.

    • author avatar
      voal.ch 5 years ago Reply

      Mik i nderuar Eugjen Merlika,
      Po para se me pasë në mendje vuajtjet e mia, kam në zemër vuajtjet e juaja dhe të gjithë shokëve e shoqeve të mia që kaluan jetën nëpër lagerat e regjimit komunist. Kam në vesh të qamen e foshnjeve në Tepelenë që nuk i rritën kurrë, edhe 30 vjet pas rrëzimit të diktaturës, i thënshin rrëzim, bijtë e etërve janë më të zinj se paraardhësit e tyne, ndërsa elita është shërbëtore e bindun e tyne. A keni pa ndonjë shkrimtar të socrealizmit të ketë ngritur zërin për viktimat e regjimit komunist? Asnjë! Në diktaturë ishin përbindësha, sot janë po aq përbindësha sa edhe dje, sepse as nuk kanë kërkuar ndjesë për poshtërsitë e tyne dhe sot mbajnë flamujt e grisë të demnokracisë shqiptare!
      Ju flm edhe një herë dhe ju shpreh mirënjohjen time bashkë me të falat e mija dhe të Skënderit!
      Elida Buçpapaj

  • author avatar
    Fritz Radovani 5 years ago Reply

    Nganjehere dy rreshta jane sa dy libra:
    “e shkrimtarët e diktaturës
    qese të cofta vneri…”
    Ju falemnderes e Nderueme!

    • author avatar
      voal.ch 5 years ago Reply

      MIk i nderum Fritz Radovani,
      Qofshi me nder dhe i bekum gjithmonë!
      Respektet dhe të falat e Skënderit e të mijat
      Elida Buçpapaj

Komentet

Leave a Reply to voal.ch Cancel reply

Sa monotoni Poezi nga Elida Buçpapaj

 

Sa monotoni
mërzi
kotësi
bezdi
neveri

në Tiranë
vetëm flihet
ose
ditë e natë
gogësihet

të lluqur
si zhaba
në lluksin e baltës dhe llucës
të shkelur nën shollën
dhe thundrën
e këpucës

në metropolin
e rrenës dhe përrallës
nën hënën dhe diellin
tallës

ku njerëzia
i djeg ditët pa dhimbje
në thatësirën
e indiferencës tribale
ku as pret as të presin
ku trupin dhe shpirtin
e shesin

ku nuk mendohet
as fantazohet
ku askush
nuk rebelohet
veç kënetohet
dhe i këndohet
shëmtimit

ku edhe zgjuar
flihet
dhe gogësihet
gjymtueshëm
shfytyrueshëm
trishtueshëm

nën orkestrën
monotone
të hiçit
që nuk e lëshon
skeptrin e
diçit

si gramafoni
bajat
që i shkretëron
ditët e jetës

mes gogësimave
të shëmtimit
prej moslëvizjes

nën marshin idiot
të rrumpallave
që e kthyen vendin
në gërmadhë

dhe populli u bë
shurdh-memec
sa keq
ajme, ajme
për dreq

Më 1 maj 1909 lindi poeti i shquar grek Janis Ricos

Janis Ricos (gr. Γιάννης Ρίτσος; Monemvasia, 1 maj 1909 – Athinë, 11 nëntor 1990) ka qenë poet dhe komunist grek, veprimtar aktiv i qëndresës greke gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse nuk donte të cilësohej si poet politik, është cilësuar “poeti i madh i së majtës greke.”

Biografia

U lind në Monemvasia, në krahinën e Lakonisë në Peloponez, ishte i katërti dhe më i vogli nga fëmijët e një familjeje pronarësh toke. Në moshën tetë-vjeçare nis të pikturojë, të shkruajë poezi dhe të luajë në piano. “Nëntë dritare kish në shtëpinë tonë dhe të gjitha hapeshin nga ana e universit”, do të ndërmendë ai më vonë vitet e fëmijërisë. Por, parajsa fëmijënore nuk vazhdon gjatë. Nga viti 1921, poeti i ardhshëm nis të njohë një mori fatkeqësish: familja rrënohet ekonomikisht, nëna dhe vëllai i madh vdesin para kohe, babai, që vuante nga trazime mendore, shtrohet në një spital psikiatrik. Vetë poeti do të kalojë tre vjet (1927-1930) në sanatorium për t’u kuruar nga tuberkulozi, sëmundje që e shoqëroi gjithë jetën. Këto ngjarje tragjike do të mbeten të pashqitshme nga vepra e tij poetike.

Një prirje vetjake dhe sidomos leximet e ndryshme të kësaj kohe e nxitin Ricosin të bëhet poet dhe revolucionar. Në vitin 1934, ai boton librin e tij të parë Traktori, i frymëzuar kryesisht nga futurizmi i Majakovskit dhe, një vit më vonë, librin Piramidat, dy vepra këto që realizojnë një ekuilibër të brishtë midis besimit tek e ardhmja, që bazohet mbi idealin komunist, dhe dëshpërimit vetjak. Në vitin 1936, poema e gjatë Epitafi shfrytëzon formën e poezisë popullore tradicionale dhe jep, nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë, një mesazh prekës vëllazërimi. Muzika e Miki Theodhoraqisit më 1960-n, do ta bëjë këtë poemë ndezësin e revolucionit kulturor në Greqi.

Në vitet 1937–1940, Ricos boton librin Kënga e motrës sime. Me këtë rast, patriarku i letrave greke, Kostis Palamas, i shkruan Ricosit: “… Po mënjanohemi, Poet, që të kalosh.” Librat Simfoni pranverore dhe Marshi i Oqeanit përbëjnë bazën e Simfonisë së Shtatë të Theodhoraqisit, e njohur ndryshe si “Simfonia pranverore”. Te libri Mazurka e vjetër me ritmin e shiut (1942), Ricosi artikulon për të parën herë lidhjen e tij me hapësirën greke – mbartëse e kujtesës historike, që do të lejë gjurmë të pashlyeshme në krejt veprën e tij të ardhme.

Gjatë luftës civile, Ricosi angazhohet në luftën kundër të djathtës fashiste, çka i kushton katër vjet qëndrim nëpër kampe të ndryshëm “riedukimi”: Limnos, Ajos Efstratios, Makronisos. Megjithatë, ai vazhdon në kushte nga më të vështirat, të shkruajë vepra të rëndësishme në këtë kohë, që do të përmblidhen në librin Zgjim. Nga ferri i këtyre kampeve do të shpëtojë përkohësisht duke rigjetur Athinën, falë solidaritetit ndërkombëtar të nxitur prej poetëve dhe artistëve si Eluard, Aragon, Neruda, Picasso-s, etj.

Në vitin 1956, Ricosi boton veprën e madhe të pjekurisë së tij, Sonatë në dritën e hënës, që e vlerëson me Çmimin Kombëtar të Poezisë e, më pas, në vitet 1958 – 1966, vijnë me radhë përmbledhjet Kur vjen i huaji, Plakat dhe deti, Shtëpia e vdekur, ku nis seria e monologëve të gjatë të frymëzuar nga mitologjia dhe tragjedia antike, pastaj Filokteti, pastaj Oresti. Në vitet 1967 – 1971, junta ushtarake e ardhur në pushtet me grusht shteti, e internon përsëri poetin në Jaros dhe Leros e më pas në Samos, çka nuk e pengon ta pasurojë më tej veprën e tij të gjerë dhe ta zgjerojë frymëzimin në antikitetin grek: Persefoni, Agamemnoni, Izmini, Ajaksi, Helena, Kthimi i Ifigjenisë, Fedra janë poemat e shkruara në vitet 1965 – 1975. Përmbledhja madhore Përmasa e katërt do të grupojë të gjitha këto tekste që kanë formën e monologut “teatral” e që janë frymëzuar, siç thamë, prej mitit antik. Heronjtë e këtyre veprave gjenden shpesh para një konflikti ose në zgrip të vdekjes, në çastin kur duhet të bëjnë bilancin e jetës së tyre. Të gjitha këto poema janë një meditim i thellë për pleqërinë, vdekjen, kohën, historinë dhe copëtimin e një ekzistence të kapur midis ekzigjencave vetjake dhe imperativëve kolektivë, për vetminë dhe krizën e lëvizjeve revolucionare. Paralelisht me këtë kulm të krijimtarisë së tij, Ricosi shkruan edhe një numër të madh poezish të shkurtra që pasqyrojnë, në mënyrë therrëse, makthin e zgjuar të popullit të tij, të cilat i mblodhi në vëllimet Muri në pasqyrë, 18 këngë të atdheut të hidhur, Korridor dhe shkallë, Gjeste, letra, etj.

Nga viti 1970, poezia e Ricosit merr formën e sintezave të gjata apo të thyerjeve onirike, ku ëndrra dhe mbirealja ndërfuten pa ndërprerje tek e përditshmja, sidomos me praninë e personazheve të çuditshëm dhe zhvendosjen e vazhduar në kohë dhe hapësirë. Një univers më vete krijohet te librat E ardhme dhe Këngë fitoreje, të cilët këndojnë bukurinë e jetës, teksa Erotiket përbëjnë një himn shndritës për dashurinë në të gjitha dimensionet e saj. Ndërkohë, në vitin 1975, Ricosit i jepet titulli doktor honoris causa i Universitetit të Selanikut, si dhe çmimi Alfred de Vigny i qytetit të Parisit. I diskutuar për çmimin Nobel, ai deklaron se nuk do të mund të pranonte një çmim që dy vjet më parë ia kishin dhënë Henri Kissinger-it. Në 1977, Ricosit i jepet çmimi Lenin për paqe. Me këtë rast, ai udhëton në Moskë në shoqërinë e Aragon-it.

Vitet tetëdhjetë e kthejnë Ricosin te proza. Nëntë libra përmblidhen nën titullin Ikonostas shenjtorësh anonimë, ku mbizotërojnë ngadhënjimet e poetit: liria e metaforave, alternimi i reales me oniriken, gjuha e guximshme, hapja e shqisave mbi një univers erotik ku bashkekzistojnë epokat dhe moshat. Poezitë e librit të tij të fundit Vonë, shumë vonë nëpër natë (1987-1989) janë të mbushura me trishtim dhe ndërgjegjësim për humbjet, por mënyra përvujtnisht poetike me të cilën poeti rimëkëmb jetën dhe botën rreth tij, u ruan atyre një dritë shprese në një hovje të fundme krijimi.

Disa Poezi

  • NJË DIJE E HIDHUR
Qëndron, me krahë të kryqëzuar, në gjysmëhijen mbrojtëse.
Gardiani çalaman i natës s’ka më vend ku të ulet. Karriget
i kanë shitur që para dy javësh. Përjashta, në oborr,
po pastrojnë fuçi të mëdha. Në port lagen
rimorkiatorë të rëndë. Te shtëpia përkarshi,
dëgjohet zëri i spikerit të radios. Nuk dua të dëgjoj.
Mbi tryezë unë mbledh fluturat e djegura të natës, duke ditur vetëm
se gjithë pesha e tyre është tek lehtësia.
  • DISFATË
Gazeta të vjetra hedhur në oborr. Përherë të njëjtat avaze:
vjedhje, krime, luftra. Ç’të lexosh?
Bie një mbrëmje e ndryshkur. Drita të verdha.
Dhe ata, që dikur kishin besuar tek e përjetshmja, janë plakur.
Nga dhoma ngjitur çlirohet avulli i heshtjes. Kërmijtë
i ngjiten murit. Buburrecat koloviten
nëpër kutitë prej hekuri të biskotave.
Dëgjohet zëzëllima e zbrazëtisë. Dhe një dorë e madhe e paformë
i zë gojën e trishtë dhe fisnike Atij
që bëri çmos të shqiptonte fjalën lule.
  • NË SPITAL
Mbrëmje e qetë. Një oxhak, çatitë, vija e kodrës,
një re e vockël. Me sa dashuri
vështron ti qiellin nga dritarja e hapur
sikur të merrje leje prej tij. Edhe qielli të vështron. Në fakt,
ç’ke marrë? Ç’ke dhënë? Tani është tepër vonë të bësh një bilanc.
Fjalën tënde të parë dhe të fundit
e ka thënë dashuria dhe revolucioni.
Gjithë heshtjen tënde e ka thënë poezia. Sa shpejt thahen
trëndafilat! Prandaj dhe ti do ikësh kur të të vijë ora
i shoqëruar nga arushi që rri në këmbë
me një trëndafil të madh artificial në putrat e parme.
  • PAS TROJËS
Fjalët tashmë të mbyllura për bujarinë e yjve.
Fëmijët janë rritur. Të tjerët kanë ikur.
Në dhomëz, një kukull e thyer.
Kali i vogël prej druri i Neoptolemit ka mbetur
në korridorin e errët me pllaka bardh-e-zi. Askush
nuk i hipën më. Sa për atë tjetrin, kalin e madh të zgavërt,
aty strehohen buburrecat dhe merimangat. Ai nuk mashtron
as miq, as armiq. Çarçafët e dikurshëm, në sënduk,
me veshjet e ditës së fundit të karnavaleve, pa naftalinë.
Gjithçka e kanë ngrënë mola. Me çfarë rasti
ai filozof i marrë këlthiti një natë të egër:
“Hirin tim e çova lart në mal”. Pastaj heshti përgjithmonë.
  • POST-SCRIPTUM
Duke u përsëritur e përsëritur, gjërat humbasin kuptim dhe ngjyrë –
gurë, ujëra, dritare, dhe ai burrë me valixhe të shformuar
që pret para doganës teksa sahati i madh
thërret orën tetë dhe anija nuk do të vijë më
ndonëse është dëgjuar sirena. Mbi mol,
ka mbetur vetëm vinçi i kryqëzuar dhe koshat e zbrazët.
Pastaj yjet u ngritën mbi maunat e përgjumura
dhe atje, në sheshin e shkretuar, në këmbë të përmendores për të vdekurit,
katër marinarë vunë trupin e palombarit të mbytur.
  • STATUJAT DHE NE
Statujat gjakftohta s’e vrasin mendjen që roniten;
u presin krahët, këmbët a kokën
dhe ato prap rrinë drejt, në të njëjtin qëndrim,
apo, të shtrira përmbys, buzëqeshin,
apo, me hundën përtokë, na kthejnë shpinën, i kthejnë shpinën kohës
a thua se çiftëzohen, a thua se i dorëzohen
një dashurie të pafund, teksa ne i vëzhgojmë
me një lodhje dhe një brengë të pashpjegueshme. Më vonë
hyjmë në një hotel të lirë, hapim perdet
që të futet drita e mesditës dhe nisim,
të zhveshur krejt edhe ne, të shtrirë në shtratin e parehatshëm,
të imitojmë shtangien e qetë të statujave.
  • IDEM
Shtëpitë dhe pemët janë zbrazur. Zogjtë nuk kanë më
ku të ulen. Gjatë gjithë ditës
parakalojnë tregtarët shëtitës. Me këtë jemi mësuar.
Petka të rreme, stoli të rreme.
Kur bie mbrëmja, ata ikin. Pa shitur asgjë. Megjithatë
në rrugën bregdetare, kur ndizen dritat,
një lukuni e madhe qensh të egër endacakë
zihen akoma për një kockë.
  • KJO “NDOSHTA”
Ndoshta kanë njëfarë vlere
gjërat që kemi lënë pas,
ndoshta shkëlqejnë dymbëdhjetë gotat
mbi tryezën e gostisë zyrtare,
ndoshta do t’i japin një ditë emrin tonë
një fshati, një mali, një rruge.
Ndoshta. Ndoshta. Por ja sesi tani
kjo “ndoshta” në buzët e tua
ka humbur shkëlqimin dhe freskinë.
  • SHPËRNGULJE
Shtëpitë po zbrazen pak nga pak. Fjalët po zbrazen.
Deri dje, kishte dy mollë tek ajo shportë.
Zejtari, në rrugë, mprihte thikat e vjetra. Tani
ti nxjerr dorën nga dritarja
jo për t’i bërë shenjë ndonjë reje apo anijeje
por thjesht për të ndier prekjen e ajrit, dhe në dorë
ti mbart erën e akullt e gërryese të zbrazëtisë.
  • MË KOT
Fytyra të lodhura, duar të lodhura.
Kujtesa e lodhur. Dhe ky shurdhim
i pikëlluar. Ka rënë mbrëmja.
Fëmijët janë rritur. Kanë ikur.
Ti nuk pret përgjigje. Se mos
kishe për çfarë të pyesje! Më kot
je përpjekur kaq vjet të ngjitësh
mbi këtë maskë prej kartoni
një buzëqeshje miratuese. Mbylli sytë.
  • NDRYSHIME
Ata që ikën ishin nga tanët. Na ka marrë malli.
Ata që u kthyen janë krejt të panjohur për ne.
Dikur nuk kishin syze. Tani mbajnë.
Vështirë të thuash që ka sy pas xhamave.
Vetëm nëse ua sheh në befasi teksa flejnë,
kur valixhet e tyre të hapura në korridor
çlirojnë erën e pazakontë të ndërresave të reja,
kur feneri i madh ndizet në rrugë
duke ndriçuar dyert e dyqaneve të mbyllur
dhe kur e pamundura bëhet e mundur sepse ti
nuk ke më asgjë për të blerë a për të shitur.
  • NË NJË ORË SHIU
Balona të vjetra, të grisura, të mbajtura me fije
në pemët e zhveshura dhe telat e telegrafit
kërcasin në erë. Papritmas
ra një rrebesh i rrëmbyer dhe tregtari i ri i katër stinëve
hapi një çadër të madhe e të zezë mbi karrocën e tij
për të mbuluar portokallet. Dhe ky kontrast
midis portokalleve të praruara dhe çadrës së zezë
u bashkua me zhurmën e shiut, duke pasuruar
të errtën e të pashpjegueshmen bukuri të botës.
  • VARKA E ZEZË
Plaku është ulur te pragu. Është natë. Është vetëm.
Në dorë mban një mollë. Të tjerët
e kanë lënë jetën në dorën e yjve.
Ç’tu thuash? Nata është natë.
Nuk dimë as ç’do të vijë më pas. Hëna
bën sikur zbavitet
tek shndrit deri tutje mbi det. Mirëpo,
në mes të kësaj madhështie, dallohet më qartë
varka e zezë me dy rrema dhe varkëtari i zymtë që afrohet.

(Wikipedia)

Sa herë vjen  1 MAJI… (tregim i jetuar) Nga Përparim  Hysi

   Kushdo që ka jetuar në SHQIPËRI nga viti  1944 deri në vitin 1990 e di mirë se “Dita Ndërkombëtare e punëtorëve”ose DITA e 1 MAJIT,ishte festa që festohej më shumë. Për çdo 1maji në qytete dhe,sidomos në kryeqytet ku jetonte “NJËSHI e CO…” festa kish një status të veçantë:veç klasës punëtore,ia grahnin skalione nga kooeperativistët si aleatë të klasës punëtore dhe fill mbas tyre, stundentët e Universitetit dhe,pas tyre,nxënësit e shkollave nga CIKLI ULËT dhe deri tek shkollat e mesme. Nëse shkruaj këtë tregim,nuk dua të bëj histori,por dua të kujtoj , se ç’kam hequr,pikërisht në datën 1 MAJI.
*     *    *
Ka qenë data 1 maj 1958 dhe unë kam qenë nxnësi vitit të tretë në Shkollën Pedagogjike “LUIGJ GURAKUQI” në ELBASAN. KIshim një muaj që veç orarit të mësimeve(bënim 6-orë mësim), përgatiteshim për të festuar 1-Majin me ushtrime gjimnastikore dhe për të demonstruar në mes të qytetit. Po pikërisht në 1 maji 1958,qëlloi qe DITA e BAJRAMIT. Gjithmonë kam qenë i prirur për”mbarësira” dhe,ngaqë shumë prej nesh,konviktorëve,ishim myslimanë,përgatita braktisjen e kuadrateve të manifestimit. Ishte nismë e rrezikshme kjo imja,por kot nuk thonë:”Rrushi i papjekur nuk hahet”. Më hipi në kokë për t’ia mbathur për në shtëpi dhe u”fryva në veshë” shumë prej bashkëshokëve. Rebelimi im pati sukses: plot 14-vetë,të gjithë nga KAVAJA e SHIJAKU ku DITA E BAJRAMIT festohet më shumë,dhe vetëm unë nga FIERI dhe një tjetër nga LUSHNJA. Natyrshëm,e morëm rrezikun mbi kokë,por unë që hiqesha si “më i mençmi”,ua mbusha mendjen:- Ne jemi paramaturantë dhe ATDHEU ka nevojë për mësues,mezi na pret. Nuk ka mundësi drejtori që do t’na ndëshkojë. Dhe prapë,nga që u kouotova si lider,thashë:-Po ndodhi që drejtori të na ndëshkojë,drejt e në MINISTRI,në TIRANË. Nuk kish më mendim iracional se ky imi. Kësaj i thonë:- T’i bësh hesapet,pa e pyetur hanxhinë!!!  Iracional arsyetimi im,por malli na kish marrë,plus dhe DITA E BAJRAMIT dhe mend kërcenim prej qejfit. Pse kot thonë:”Kur je në qejf,as zgjebja nuk të ha”. E thënë, e bërë:u vodhëm nga konvikti dhe frymën tek stacioni i trenit. Unë e lushnjari zbritëm në  Rrogozhinë e të tjerët vazhduan më tej, Ashtu,sa i malluar,por dhe aq i frikësuar mbrrita në shtëpi dhe,për herë të parë i tregova babait për”proçkën” që kisha bërë. Sado që nuk i erdhi mirë,Babai bëri sikur më fali për gjestin tim të rëndë.  Festova të nesërmen dhe,sa hëngra drekë,u nisa për në Elbasan se në datën 2 maj kishim mësim. Mbritëm me trenin e mbasditës,pothuaj të katërmbëdhjetë dhe,kur u futëm tek oborri  i shkollës,na priti tufani. Tufani qe DREJTORi i SHKOLLËS,VASIL KAMAMI që ishte NJERI INSTITUCION. Qe në të drejtën e tij,kur na dha mandatin:- Jini të përjashtuar nga shkolla e konvikti. Na i rrëzoi”puplat” e qejfit dhe”rebelimin” aq të pështirë. Natyrshëm,si”kapo” duhet  të shpëtoja”anijen të mbushur me piratë”.- O burra,- thashë,- me tren drejt TIRANËS! Do flemë në hotel dhe nesër tek MINSTRI. Të gjeje hotel në TIRANË nuk paskej qenë aq lehtë,por u ndreqëm duke fjetur dy veta në një krevat. Tërë natës me diskutimin,gjithmonë iracional,u mbushja mendjen shokëve:- Kini për të parë,kur të takojmë MINiSTRIN.Ky do thotë:”…ÇFARË? 14-paramaturantë që partia dhe ATDHEU mezi presin dhe një vit të dalin mësues,përjashto VASIL KAMAMI? HË-hë, dale-dale. Epo tamam mendje axhamiu. U zgjuam në mëngjes dhe u them:- Do ndahemi në dy grupe se jemi shumë. Që në orën 7.30 unë me grupin e parë,u vendosëm afër ministrisë. KIsha dëgjuar që rojet civile xhëku hanë ryshfet.KIsha blerë një paketë”Partizani” ia zgjata rojes për ta qerasur dhe,kur zgjati dorën,i them:- Mbaje,por më trego  se ç’ngjyrë ka vetura e ministrit.- Ngjyrëkafe dhe,pa mbaruar fjalën,erdhi vetura bojëkafe. Zbriti dhe ngjyrëkafe kish dhe kostumin. I dola përpara me gjithë”Çetën e Robin Hudit” dhe i them:- Shoku Ministër… ai ndaloi një hap dhe më tha:- Hë,çfarë do më thuash! Por unë,sado që nga goja kam qenë ezber,tak dhe sikur kafshova gjuhën.- More,-tha,- nga vini ju? – Nga Elbasani,- fola me gjysmë zëri. Mirë,- tha ai,- hajdeni pas meje!
Ngjitmë shkallët pas tij(qe RAMIS ALIA) dhe u futëm në zyrë. Herë e parë që shihja një zyrë kaq komode dhe,sikur,po harroja ku isha. Tani,- m’u drejtua,- pa më thuaj pse kini ardhur dhe qenkeni 7-veta. Jo,- i thashë,- ne jemi 14-veta,por grupi tjetër është tek lulishtja. Katërmbëdhjete,- sikur përsëriti me vete,-por hë,çfarë”trimërie” kini bërë?
– Lamë kuadratet e manifestimit dhe shkuam në shtëpi për Bajramllëk!
-Si,or si,- latë kuadratet e manifestimit dhe më vini këtu?
-Erdhëm,se DREJTORI i shkollës na përjashtoi.
– Jini anëtarë të rinisë ju?
-Po.
Jini anëtarë rinie dhe prishni një festë aq të rëndësishme si 1 MAJI! I lumtë VASIL KAMAMIT që ju ka përjashtuar.Tani shkoni e ruani lopët!!!
S’kishte “audiencë” më të bukur:Djersë të ftohta në ditën e 2-majit. Tek po linim zyrën e ministrit që na bëri për ujë të ftohtë,befas u rrëfye zëvendësi që dëgjoi ç’u fol.
-Çuna,- tha ai,- pa futuni këtu tek zyra ime. U futëm. Pa m’i thoni një nga një të 14-emrat! Fillova nga emri im.
-Ti,-më tha,- mos je nga SKRAPARI? Po i thashë:- Babai im është nga VËRZHEZHA! E pashë që qeshi,nën buzë.Qe zv-ministri  KAHREMAN YLLI që dikur ka patur për grua kushërirën e timeti dhe qe ndarë. Sidoqoftë,na mbajti shënim emrat dhe na tha:- Kini bërë faj! Si fajtorë  që jini,do vini t’i kërkoni ndjesë DREJTORIT;VASIL KAMAMIT dhe do bisedojmë edhe ne. U ngrohëm nga fjalët e tij dhe,pasi morëm dhe pjesën tjetër të”çetës” mbrritëm në ELBASAN. Na priti  drejtori dhe kërkoi që prindërit tanë të vinin në shkollë për t’u njohur me”rebelimin” tonë. Erdhi BABAI im i shkretë dhe foli duke demaskuar gjestin tim dhe shokëve të tjerë.
SA herë që vjen 1 maji,unë e përjetoj me dhimbje atë ç’kam bërë. Dhe nuk e harroj dot.
                                   Tiranë,30 prill 2024

FALEMINDERIT, REZARTA! Poezi nga Zhuliana Jorganxhi

 

Nuk është e lehtë të hapen porta zemrash!
Pa ndërroje të tregohet gjithë një shpirt!
Duhet të ecësh me hapa shumë të lehta,
të flasësh ti me to veç ëmbëlsisht.

Shpirt’ i njeriut është si gjithësia!
Me rrugë pafund e labirinte plot,
hap porta zemre krijuesish “ARRATIA”,
“Faleminderit!”, i thonë të gjithë sot.

Tek “ARRATIA” hyjnë të gjithë ata,
që ditës: “Mirëmëngjes!” i thonë në ecje,
përpara nesh vijnë jetët e mëdha,
të bukrën’ kan’ burim, ku shuajn’ etjen.

E kanë një pasion –zjarr të pashuar,
talenti i tyre është një thesar
dhe mrekullisht krijojnë me ato duar,
kulturën e një vendi, shkencë, art.

Shpirt’ i njeriut është si gjithësia,
me rrugë pafund e labirinte plot!
Hap porta zemre krijuesish “ARRATIA”
“Faleminderit!” Rezarta, themi gjithë sot!

 

Kujtim prej hiri që bie si muzg i vranët- Cikël poetik nga LULZIM LOGU

SONETE

MËKATAR
Ndoshta nesër papritur nuk do të jem tjetër , por në lëkurën time prapë
Prapë ndjej shijen e athtë të netëve të pambaruara me ty dhe trupin tënd
Teksa avullon tisin e ngrohtë të dashnisë të vonuar në kohë dhe ankthin
Ankthin e të qënit pjesë e të fundmes strehë të pasionit mëkatar, të vjetër
Të vjetër tashmë në pamundësinë e trishtë të mbijetesës…

Ti ngadalë shndrrohesh në një kujtim prej hiri që bie si muzg i vranët
Mbi krahët e thyeshëm të ëndrrës së pafajshme dhe të shpresës…

MOLI
Cukla resh ndjellin muzgun pranë nesh
Dhe shlyejnë buzëkuqin prej buzëve tua
Që ngadalë shndrrohet më i ëmbël, më gri
E ndjej që edhe sonte po të ikësh sikur dielli
Asnjë peng mes nesh nuk mbetet tjetër
Kur silueta jote te moli shket , varkë e fundit
Mbi syrprinën e ëndërrt të vesës…

VERA
Mbi qelqin e gotës vizatuar trajtat e mungesës
Ngjyer në tulin e purpurtë të një qershie të vetme
Zhytur padashur në lëngun e akullt që marrëmënd
Duke kuptuar ritmin e çmendur të jetës
Dhe kufijtë e vetes…

Shtyj gotën përtej pragut por nuk thyhet
Teksa rrokulliset në barin e brishtë të muzgut
Vera e vjetër…

AMANET
Amanet ta kisha lënë zemrën pa ngurim
Atë mbrëmje jam kthyer me gjoksin bosh
Një pikëllimë të madhe në zgavrën e tij
Binte si këmbanë natën e pambarueme
Ndërsa ti shkoje me zemrën time në duar
Ndër banesa të shkretuara, ndër mure…

Amanet ta kisha lënë zemrën pa ngurim
Llambë për ty në rrugën e gjatë të kthimit
E pashë kur u shua skaj horizontit të largët
Si drita e zbehtë e një ylli …

Një zog nate ulet të çukisë mbi mua
I uritur dhe me cicërima ndër vaje
Por ti mos u ndal rrugës tënde e dashur
Si fener shprese, zemrën time mbaje…

KOHA
Netve, kur më merr malli
Kthej kohën e shkuar kah vetja
E flas me të në sofrën e natës
Së bashku pimë verë të valë
Me gllënjka të vogla, të ngadalta
Dehemi pakuptuar deri në ag…

Ajo ka shkuar në krahë yjesh
Në sofrën e përmbysur të mëngjesit
Pelerinë e saj e përgjakur kullon
Diellin e sapolindur dhe të sotmen
Pengjet e mia merr me vete
Si lotë shiu mbi horizont i zbraz…

Tropojë, Mars 2024

Për Shenjtin liqeni vajtonte me lot të mëdhenj… (Ngjarje e jetuar)- Nga KRISTAQ TURTULLI 

Në shenjë respekti për të parët tanë, të themi atë që nuk është thënë.

 

-Në manastirin e Shën Naumit është varri i stërgjyshit tonë Papa Nikolla,- më kish thënë nëna ime:- Ai ka qenë prift i parë në manastir, por askush nga ne stërnipërit e tij nuk mundi të shkojë, se ashtu shkuan punët, Më 1924 e mori Jugosllavia, erdhi lufta dhe më pas komunizmi.

Para tre vitesh shkova në Shën Naum së bashku me vëllain Vangjushin. Prapa sportelit qëndronte një prift mesoburrë, me mjekër të gjatë, të zezë. Bleva qirinj dhe e pyeta në gjuhën angleze:

-Ju lutem më tregoni ku mund të gjej varrin e Papa Nikollës?

Prifti më veshtoi i hutuar dhe mu përgjigj me një anglishte të çalë:

-Nuk kuptoj anglisht …

– Po shqip di?- e pyeta.

Prifti i nervozuar ngriti supet dhe mërmëriti

-No, no , no…

U ndjeva i trishtuar, në këtë manastir klerikët për qindra vjet kanë qenë shqiptarë dhe flitej shqip.

Për fat të mirë pranë nesh u afrua një djalë i ri, i cili e zotëronte mjaft mirë gjuhën angleze.

U përpoqa ti a sqaroja, interesohesha për varrin e stërgjyshit tim, kryepriftin e këtij manastiri, Papa Nikollën…

-Papa Nikolla, sigurisht duhet të ketë qenë prift bullgar… maqedonas, – më ndërpreu djali i ri.

-Ah jo. Stërgjyshi im, Papa Nikolla, ishte kryeprift shqiptar, sikundër jam dhe unë,- i thashë.

-A, a, a! – Mërmëriti i habitur djaloshi.

-Po. Dhe kjo tokë, ky manastir dikur ishte tokë shqiptare, -i thashë.

-A, a, a, a!- Përsëdyti djaloshi.

-Stërgjyshi im Papa Nikolla,  kryeprifti i këtij manastiri ishte shqiptar dhe njeri human. Në ato vite dhe shekuj të rënda të pushtimit, dhunës dhe përdhosjes ishte tmerrësisht e vështirë të përballeshe me ligjet, obskurantizmin fetar dhe terrin e rëndë të Turqisë. Stërgjyshi im Papa Nikolla e kishte mare parasysh rrezikimin e jetës së tij për hir të qëllimit të madh, të shenjtë. Ai ndihmonte familjet e vobekta, me çka mundej. Kur bejlerët donin të dërgonin djemtë e familjeve të varfra krishtere, ushtarë në shkretëtirën e Anadollit, i ndihmonte të bëheshin murgjë e më pas i ndihte të iknin në Evropë. Ndërsa vajzat e vobekta, kur bejlerët i kërkonin për në harem, i fuste në manastir, dorëzoheshin murgesha, dhe më pas i martonte. Por këto veprime  humane binin ndesh, u prishte shumë punë bejlerëve vendas, sepse Porta e Lartë u kërkonte ushtarë dhe vajza të bukura shqiptare për harem.

Pashallarët dhe bejlerët ia kishin bërë benë për ta zhdukur, por Papa Nikolla kishte emër të shenjtë në gjithë trevën dhe fshatarët linin kokën për jetën e tij. Por uji fle, hasmi nuk fle. Ishte prifti bullgar, Dushan i paguar nga bejlerët që e tradhtoi e shiti në vrastarët të shenjtin Papa Nikolla. Ky prift Judë, bujti një natë në manastir, gjoja i dërguar nga Patrikana e Ohrit dhe Papa Nikolla e priti me gjithë të mirat. Ky prift Judë, u ngrit në mesnatë dhe tinës u hapi vrasësve derën e manastirit.

Ishte natë e errët me shi kur vrastarët hynë në manastir dhe rrëmbyen kryepriftin e manastirit. Ata lidhën duar dhe këmbë Papa Nikollën, e tërhoqën zvarrë në rruginën e ngushtë të Shën Naumit që çonte drejt liqenit që dergjej në errësirë.

Vrasësit e hipën kryepriftin në varkë dhe lundruan në thellësi të liqenit. Atje ku thellësi e ujit ishte e madhe, qëndruan. Mbajtën vesh një copë herë dihatjen e trazuar të ujit, i acaronte. Shanë me inat.  Një napë e rëndë shtypte supet e vrasësve. Nuk ishte e lehtë të martirizohej me mbytje një klerik, një shenjtor. Me ngutje i lidhën tre gurë të mëdhenj; një në qafë, në duar dhe këmbë, që trupi të shkonte në thellësi, të humbiste pa nam dhe nishan. Vrastarët e lëshuan pa zhurmë trupin e lidhur të Papa Nikollën me shikime të mbërthyera në terrin e rëndë. Uji nxinte si mellan. Trupi i shenjtorit pluskoi një moment, pastaj thellësia e errët e ujit të liqenit e tërhoqi me ngut drejt fundit të vet, atje ku dergjeshin varkat e mbytura dhe fshiheshin krime të mëdha.

Vrastarëve iu bë sikur dëgjuan rënkim të thellë, uji i liqenit zjeu, u llokoçit, Ata të trembur rrahën lopatat me ngut, u përpinë nga errësira e thellë.  Liqeni vajtonte me lot të mëdhenj për vrasjen e pabesë të shenjtorit. Vrastarët dridheshin nuk pandehnin të shungullonte uji i liqenit dhe kaq e rëndë të ish nata, të behej vrastare si ata.

Çuditërisht pas tre ditësh kërkimesh fshatarët e gjetën trupin e të shenjtit Papa Nikolla në breg të liqenit, të zgjidhur, të bukur dhe trupi i tij  mbante erë trëndelinë. Fshatarët e varrosën brenda kishës së manastirit.

-Me sa di unë, përgjatë shekujve, kisha dhe manastiri janë djegur tre herë dhe rindërtuar tre herë,- më tha djaloshi,-  Nuk di të ketë ndonjë gjurmë të kryepriftit Papa Nikolla. Ndoshta eshtrat duhet të jenë lënë diku pa ndonjë shenjë të veçantë.

 

 KRISTAQ TURTULLI

Kumbulla e fëmijërisë Poemë nga Elida Buçpapaj

Kumbulla
e oborrit të fëmijërisë
arqipelag i përhumbur
mjegullnajash malli
në lisharësin prej resh
më përkund
gunga malesh
karvani devesh
më mban të lidhur fort
me venat e gjakut
litar shtrënguar rrotull pas trungut
hijet e Carl Jungut

***
treshja perfekte
Mix, Max, Mex 1)
një çift i ri me një fëmijë
trinom trinie
një zgjua që vlonte
ëndërrash të zjarrta rinie
në apartamentin 84
shkalla 12
Pallatet e Aviacionit
Tirana e re
kati i tretë
parashutë qielli
aty ku ndërtonin
foletë dallandyshet
e ktheheshin çdo pranverë
përballë Dajtit
kuvlisë djep
ku lind dhe sot dielli

***

një mbrëmje
im atë nuk u kthye në shtëpi
ime më u përpoq
të më shpjegonte
me gënjeshtra të bardha më kot
veshët i mbaja përpjetë
të dëgjoja trokitjen e nxituar
ta shihja tim atë të hynte
të më ngrinte në duar
pastaj të më vinte në gjumë
me përrallën e shpikur
enkas për mua
atë natë
mosha e përrallave
kish perënduar
bota e madhe ish futur e gjitha
në syrin e një dritareje
e zvogëluar

***

sa ngrinte qerpikët dita
lavjerrësi i frikës
binte me ding dong
kērceja si sustë
shtrati ishte me ethe
nga mardhësia
në dritare
pa abrakadabra
ja behte gjithësia –

***

bota që shfaqej
oborri i lojrave
shoqja ime besnike
kumbulla
dhe pallati përballë
ndërtuar gjatë
pushtimit italian
banohej nga ish gjeneralë
dikur djem të trimëruar
të luftës antifashiste
trimëri e thërmuar
pa nam e pa nishan

***

për kumbullën
çdo ditë dilja
nga koraca e kërmillit
ku fshihesha kruspull
m’i vrente lastarët
me antenat e bisqeve
kumbulla e bukur manekine
bënte pasarela mode
e ngulur në oborrin tonë
të lojrave
në varësi si i lakoheshin
rrezet e diellit,
shirat, stinët
ndërronte veshjet,
me kostume marsi,
prilli, maji, qershori…
në dimër dremiste përzishëm
më ngjasonte me gjyshen
ia dëgjoja këshillat
m’a largonte frikën

***

kur i fryheshin
e i plasnin sythet
gjelbërore
deri sa shpërthenin petalkat
nga fryma pranverore
për ne vajzat e vogla
të dy pallateve përballë
fillonin shtegtimet
mbi kuaj flatrorë
ditë vellobardha nusërore
me lulekumbullat
kurora aureole

***

sa hapja sytë
t’i ikja lakut gotik
me padurimin vrik
që se fshihja
zija vend në dritare
kiçin e anijes së shpëtimit
pikën e vrojtimit
gjithë rruzullin
një grusht fëmije
si në pëllëmbën e dorës
ta shihja

***

e para ishte sythesumbulla
gjumin aty e bënte
edhe zgjimin
ku kishte ngulur
këmbët e drunjta
e ngritur me degëza
shtëpizën e saj kumbullore
pa kumt tingëlluar
kumbuese kumbanore
hija e lulzimi i saj
na shoqëroi si shenjtore
në rritjen zemërmardhur
në ditë të paluajtura
lojrash fëmijënore
faltore e pafajësisë
në kohë fatkeqësish
prej marramendjes
me habinë që na mbështolli
qoftë e bekuar
ajo dorë e panjohur që e mbolli

***

e pavarur nga mjergullat
sorrat e zeza të reve,
e pa ndikuar
nga fatthënat e rreshjeve
kumbulla botën
360 gradë
rreth e rrotull e kundronte
larg nënqeshjeve
oborri i lojrave
një pus i mbyllur,
me kova imagjinare
të zbrazura e mbushura
me ujë të bekuar
një furrë tavëpjekëse
me prush të valë
në jetën reale
ishin kontinente më vete
dy pallatet kundruall
dy shtete
banuar me fëmijë, të rinj
prindër e gjyshër
që donin të jetonin plot poterë
nën syrin e vigjilencës
njëri pallat i zbukuruar
me mermere e porta druri
rimeso të stilizuar
ndërtuar nga arkitektë italianë
gjatë pushtimit fashist
tjetri kur kisha lindur unë
i thjeshtë, skematik,
si letërsia socrealiste
ndērtuar sipas thatësirës moniste
pa shfaqje të huaja
perëndimore
me ornamente të fshehura
veshësh përgjimi
që gjithësesi
gumëzhinte nga zërat fëmijnore

***

kumbulla shoqja ime unike
alter egoja binjake
e pandashmja
si kukulla fëmijës
nga duart nuk më shqitej
shoqja ime fisnike
me lapsat magjikë të bojrave
ia ndryshonte ngjyrat kohës
e vishte me imagjinatë futuriste
oborrin e lojrave

***

një botë më vete
ishte furxhiu tiranas
që piqte me gruan e tij
tavat e gjithë lagjes
radion e hapte në kupë të qiellit
për këngët e Hafsa Zymerit

***

në furrë sillnin
tava me perime, speca të mbushura e patëllxhanë imam bajëlldi
byrekë gjithëfarësh
të holluar nga duar të rrudhura gjyshesh
gjirokastrite, labesh, e korçaresh,
shkodranesh, sarandiotesh e lushnjaresh
për Vitin e Ri dyndeshin
e viheshin në rradhë tepsitë
me gjela deti e bakllava
të prera në forma trekëndëshash
e me rombe,
revani e kadaif
gjyshet kremtonin në fshehtësi
Krishtlindje, Bajram e Pashkë
e në Netët e Mira
gatuanin hallvë
për shpirtrat e burrave të tyre
por ne fëmijëve nuk na tregonin
qysh e përse
era e gjalpit përhapej
e ngjitej në çdo kat
deri kur doli shpikja e tollonit
hyri në çdo shtëpi
si shpikja sot e ajfonit
dhe era e gjalpit mori fund
e zëvendësoi 100% policia popullore
spiunimi u bë meny kursimi
shkallë më shkallë
e pallat më pallat
atëherë furra u mbyll me qepena
kumbulla dhe unë qamë me lot
u përmbyt një kontinet
nga gjithësia
askush nuk mërmëriti
një të vetme Ave Maria

***

im atë ishte shtatë Dajte larg
pranë gjirit të klasës punëtore
saldonte nëpër skela
dimrat e ftohtë
mendimet që kishte në kokë
e urdhëronin t’i digjte
me saldatriçe

***

tek tavëpjekësi
në pushimet verore
unë fëmija çova tavën time të parë
patate me kripë e vaj ulliri,
kur erdhi ime më nga puna
drekuam nënë e bijë
patate të pjekura në furrë
me thëngjij të kuq si kratere
vullkani të shuar
dreka e përgatitur
me duart e mija të vogla
ishte sikur dhashë koncert
një kapriçio Paganini me violinë
në guzhinën tonë të thjeshtë buiti
në tavolinën ku ishim ulur ajo dhe unë
ime më e mahnitur më duartrokiti

***

kumbulla me durim priste
t’i shpërthenin
nga lulkat bardhoshe
frutet e vogla gjelbëroshe
e ne fëmijët
e dy pallateve përballë
të linim oborrin e lodrave
t’i kacavareshim si majmunë
nëpër degë deri në lartësirë
duke shtrëmbëruar
fytyrkat e bukura
prej thartësirës

***

poshtë pemës na luteshin
më të vegjlit fare
ej na jepni edhe ne ca
kumbulla
ështē e të gjithë fëmijëve
nuk është vetëm juaja
asnjëherë frutet nuk
i lamë të rritën,
nuk u bënë rrumbullake
topka të blerta
ping-pongu,
po kumbullës nuk i bëhej vonë
në këtë periudhë të vitit
kur rreth saj roisnim
si bletët në hoje
kumbulla harenë
e vinte në pah
e gatëshme të fluturonte
në qiellin e shtatë
me krahë

***

oborri i lodrave
fushëz e baltosur kur binte shi
lëndinëz e gjelbëruar
ditëve me diell
shesh i vogël pikpjekje, piktakimi
nga dritaret përballë
njëri tjetrin thërrisnim
me emra, me tinguj, me jehona,
me personazhet e librave e filmave
hej Spartak, Guliver, Paris,
Helenë e Trojës
me shenja, me mimikë,
me gishtrinj, alfabete fëmijësh
ej do vish të luajmë,
erdha më prit,
s’kam bërë ende
detyrat e matematikës
sot nuk mundem
kam gabuar
po vij sa të hapesh
e të mbyllësh sytë
po hidhem direkt
nga dritarja sa mirë
që jemi kati i parë
dhe oborri gumëzhinte
vinin fëmijë nga pallatet fqinjë
futboll, me cingla, hapa dollapa
kukafshehtas, ne vajzat
kërcenim në litar
e kujdeseshim
mos të na dukeshin breçkat
në atë oborr lodrash
deshëm të mbeteshim
Piter Panë në përjetësi
nën të njējtin qiell, diell e hënë
nën sytë e spektatores
kumbullës Shën Mëri
por nuk ishte e thënë

***

fëmijë moshatarë
orë pas ore zgjateshim
çdo ditë na ngushtoheshin
rrobat e trupit
na rritej këmba e numri i këpucës
Zoti na përgatiste
të nisnim fluturimin
në sheshin e lojrave të shpikur
mes dy pallateve tona
një fushë e baltosur kur binte shi
aty ku lodrat vriteshin
e ne kishim frikë të rriteshim

***

një mëngjes herët
pa u zbardhur
i dridhur, i mardhur
erdhi kamioni i internimit
nga pallati i ish gjeneralëve
mori shokët tonë të lodrave
bashkë me prindërit,
vëllezër e motra
kamionët e internimit atë ditë
kishin ngarkuar familje në masë
me plot fëmijë të lagjes sonë
kryeqyteti ish boshatisur
nga armiqtë e klasës

***

kur u ktheva atë ditë
nga shkolla
dhe vrapova në pikën e vrojtimit
sytë më mbetën tek dritaret bosh
ku shoket e shoqet e mia
nxirrnin kokat
bota ishte shuar
të dyja me kumbullën
qamë prapë me lot
kur u takuam

***

në oborrin e lojrave
atë ditë nuk dolëm të luanim
por të nesërmen
asnjëri nga ne
nuk pyeti për shokët
që na mungonin aq shumë
ishin pyetje të ndaluara
që na shkaktonin të dredhur
pyetje që ia bënin vetëm vetes
si këngët e Bitëllsave
që i dëgjonim fshehur

***

një ditë shtatori
një kamionçinë e mori
edhe familjen tonë
asnjë nga fëmijët
e dy pallateve nuk na përcolli
me ne nuk u përshëndet
kokat e tyre fshiheshin
në dritare pas perdeve
vetëm kumbulla
më qendroi besnike
fëmijëri e çrrënjosur
hedhur si një rreckë
gjithë pluhur
në një kamion rrangallë
me një adresë
në një fshat të humbur
me kujtesën e helmuar
vëth në vesh
thoni shyqyr që mbetët gjallë

***

kumbulla mbeti aty
nuk mundi t’i ndalte ikjet
e fëmijve të oborrit të lodrave
midis dy pallateve kundruall
fëmijëri e prerë në mes dhunshëm
kumbulla mbeti aty
gjethetharë
deshmitare e fëmijërisë sonë
të vrarë

***

kur u ndamë
i premtova se do të kthehesha
sido të më hidhte fati
sa për t’ia prekur
me gishta trungun e ledhatuar
e për t’i thënë se kurrë
nuk e kam harruar
në labirintet tunel
nga ku ma hodhën
si breshëri automatiku terrin
mbulesë qielli e tokë përfund
arkitektët e zinj të ferrit
që na dizajnonin jetët
ku drita nuk dukej askund

***

mallin për kumbullën
e mora me vete
në çdo kontinent e vend të botës
që i rashë rrotull e mbijetuar të gjeja strehë paqeje
ku humba si një grimcë atomike
në qiellin pa kufij e praqe
në çdo metropol të rruzullit,
bulevarde, lulishte e parqe
pashë si lulëzonin lumturisht kumbullat
prej mrekullisë e kujdesit
të gjithë Perëndimit demiurg
nga Central Park, Kopshtet e Vatikanit…
në Jardin du Luxemburg
asnjëra nuk e pati atë hijeshinë
e kumbullës sime
mrekulli mes ditësh e fëmijërish
të djegura nga inkuizicioni
sidomos kur lart në degët e saj
një zog i friksuar fshihesh
përballë dritares së pallatit
në katin e tretë
parashutë qielli ngrihesh
ku shfaqej ime më
një e bukur grua a perëndi
në kohë të shterpëra apokaliptike
krijuar prej shkumës së detit dhe erës
që më thërriste
“Zbrit nga kumbulla Lidka se do të biesh”
me kumtin e Herës.

***

1) Tre personazhë të një romani të Luis Sepúlveda-s
Janar-Prill 2024
(Nga libri në përgatitje Skaterr)

Poezi nga AVIGDOR HAMEIRI  (1890 -1970)- I përktheu MIMOZA EREBERA

 

Hameiri lindi si Avigdor Menachem Feuerstein në 1890, në fshatin Odavidhaza (afër Munkatsch), Ruthenia Karpate në Austri Hungari. Rritja me gjyshin e tij i nguliti dashurinë për gjuhën hebraike. Edhe pse pjesa më e madhe e hebrenjve hungarezë ishte ende anti-sionist, ai kishte zhvilluar tashmë një admirim për sionizmin kur u transferua në Budapest.Ai shërbeu në ushtrinë austro-hungareze përgjatë frontit lindor të Luftës së Parë Botërore. I zënë rob nga rusët gjatë ofensivës Brusilov në 1916, ai iu bashkua një grupi shkrimtarësh hebrenj në Odessa pas lirimit të tij. Me mbështetjen e tyre, ai emigroi në Palestinë në vitin 1921 dhe luftoi në Luftën e Pavarësisë së vitit 1948.Ai regjistroi ngjarjet e shërbimit të tij të luftës në kujtimet e tij, Çmenduria e Madhe (1929), Ferri në tokë (1932). Libri i tij i parë me poezi u botua rreth vitit 1912, kur ai jetonte ende në Budapest. Ai botoi gazetën e parë të pavarur të shtetit izraelit dhe ndihmoi në organizimin e bankës së punëtorëve. Hameiri ishte poeti i parë të cilit iu dha titulli Laureat i Poetit të Izraelit. Librat e tij janë botuar në 12 gjuhë. Ai vdiq në Izrael më 3 prill 1970.

 

AVIGDOR HAMEIRI  (1890 -1970)

Nëna dhe djali

Poezia është shkruar në kohën e luftës së madhe për krijimin e      shtetit të Izraelit, kur hebrenjtë, kudo në Diasporë u thirrën nëTokën e Premtuar.Ata që u vendosën të parët u quajtën –pionierë. Dhe Lëvizja, Ideologjia,- sioniste.

Një nënë shkruan me lotin e syrit

Për djalin e saj të mirë në Jerusalem:

“Babai ka vdekur, dhe unë jam e sëmurë

Eja në shtëpi, në diasporë…

Eja në shtëpi në pranverë,

Eja në shtëpi biri i dashur.

Eja!”

Pionieri shkruan me lotin e syrit

Është viti 1924 në Jerusalem.

“Më fal, Nëna ime e sëmurë,

Nuk do të kthehem më në diasporë.

Nëse më do vërtet,

eja ti këtu dhe më përqafo.

Nuk do të jem më një endacak,

Unë nuk do të lëviz nga këtu, përgjithmonë.

Unë nuk do të lëviz, nuk do të lëviz.

Jo!”

 

Pashkët në Jeruzalem

Engjëjt kënduan sot në Jerusalem,

Mijëra emocione ngjeshur me mua ecën

Drejt varrit të tij, ku skeleti merr frymë diellin

“Mirë se erdhët, të gjithë ju, lajmëtarë të Zotit –

Unë jam duke pritur sot, po pres për një

Mesia,

shpenguar e josh këdo që të vijë.

Nëse vetëm ai vjen:

Sot është Pashkë, festë dhe besimi ka kufi”

Një mijë puthje të lashta kumbojnë sot në Jerusalem,

Bota qan në bollëkun mbytës të lulëzimit të perëndishëm

Dhe nga varret e të parëve të mi,

buron kënga e gjakut:

“Jerusalem, Jerusalem, qyteti i lutjes dhe tokë e thatë

A do të më shtrish sot një shtrat të ngrohtë martesor

Për puthjen e burrit të rinisë sate, dhëndrit të gjakut,

Për vajtuesin e gjakut,

Për të nxjerrë nga zemra jote, lindjen e mbretit Mesia?”

Bicikleta dhe… (më tepër se një tregim) Nga Përparim Hysi

 

Kam arsye që të flas për bicikletën se jo vetëm ajo ka qenë”makina”ime -dhe jo vetëm imja- por,me bicikletën kam shumë e shumë kujtime.Këto biçikletat kanë qenë “makinat” tona të punës jo
vetëm në Myzeqe ku kam jetuar unë,po kudo nëpër Shqipëri ku ky mjet mund të përdorej..Gjatë dyzet e ca vjetëve punë unë kam përodur,pothuaj,të gjithë llojet e markave të bicikletave që janë
shitur në Shqipëri.E kam filluar me një “Robusta”,kam vazhduar me një”Mifa”,me “Diamant”(të zi)(Këto qenë më të fortat nga të gjithë bicikletat dhe pastakj kam vazhduar me një “Minsk”,me një “Zil”(ruse këto marka) dhe,për të përfunduar në vitet e fundit me një bicikletë kimeze grarishte që,këtë të fundit,e përdornim herë unë dhe herë imeshoqe.Kjo qe edhe e fundit që përdorëm, se,pastaj,lindën”kollajllëke” të tjera:pra,hynë makinat që i nxorrën si jashktëkohe bicikletat.

* * *

Së pari,kam patur një”Robust” grarishte dhe kjo ka ndodhur në Janar 1962.E mora grarishte ,se po në janar 1962 u martova dhe ime shoqe e kish punën larg..Gruan jo vetëm e mora kaure (kjo atë kohë,sidomos në fshat) ,qe si një thagmë,qoftë për njerëzit e mi,po ashtu dhe për ata të gruas,po ku dëgjoja unë me atë vesh,se…Jo vetëm kaure,por e mora për ditë hëne(se,siç kuptohet,e “rrëmbeva”) ,dhe,në paragjykimin popullor,për ditë të hëne,u martokan vetëm gratë e veja,ndaj dhe ,rreth e qark,shihja gratë e lagjes që shkulnin faqet.Më quanin të krisur.Po “krisja” ime nuk kish as anë dhe as fund.E solla time shoqe në shtëpi të hënën e 21 janarit 1962 (atë ditë mbusha plot 19 -vjeç,pra,kisha ditëlindjen!!!) ,dhe jo më vonë se të nesërmen ,mbasdite,mora bicikletën dhe bashkë timeshoqe,dola në xhade-si punë e asj këngë që thotë:”Të dielë u martove,të hënën në punë!!!),- (xhadenë’e kam as 20 çapa nga shtëpia) , për t’i mësuar bicikletën!!! T’i mësoja bicikletën se duhet të shkonte në punë si infermiere që qe.Kur panë që “kokëkrisjet” e mia vazhdonin,atëherë grave të lagjes u ranë faqet copë:në vënd të uronin,të trashëgohet,dhanë britmën:-Zengjine
(emri i sime ëme që ka vjete që më ka lënë) ,ç’të ka gjetur!!! Por unë as që nuk pyeta,sado që e shihja mospëlqimin nga prindërit e mi.Por e bëja nga e keqja.Jo vetëm ia mësova bicikletën simeshoqeje,por mos iu duket çudi,po t’ju them se ime shoqe ka qenë femra e parë që ka ngarë bicikletë në qytetin e Fierit.Ndoshta ka patur qytetare që e ngisnin bicikletën,por kjo qe e para se do vinte në punë.Pra,e para që dukej çdo ditë mbi bicikletë.

* * *

Natyrisht,të gjitha nuk i mbaj mënd,por bicikletën “Zil” e mbaj mënd.Kisha vajtur dhe e bleva të re-akull në Tiranë.Ato kishin dhe kilometrazh.Nga kilometrazhi dhe më kujtohet.Me mikun tim,Zenel Sallata,sapo i kishim blerë dhe një ditë,në Fier (ka qenë ditë e dielë),”Apolonia” do luante në Peqin.Sado që qemë në kategorinë e dytë,ne nuk i ndaheshim skuadrës sonë.Brënda apo dhe jashtë,po të luante.Vendosëm që me bicikletë të niseshim për Peqin.Një rrugë e dy punë:Çuam kilomterazhet zero se donim të matnim distancën.Se sa orë e bëmë,nuk ka rëndësi,se e bëmë ec e qëndro,po e gjetëm:Peqini nga Fieri qe plot 54 kilometra.Dhe ndeshjen e Peqinit e paguam për një thelë-një pelë..Jo vetëm që u mundëm 2 me 4 nga Peqini,po,kur u kthyemë,në Lushnje na sosën fuqitë.Nuk po e shtynim dot më dhe ndaluam një makinë.Ky,shoferi,një i njohur imi,pasi na urdhëroi që të hidhnim bicikletat lart,na mori përpara dhe,kur zbritëm,në Mbrostar-Urën time,më tha:-Nga 100 lek për person.Si!!!-shfaqja habinë unë,nga Lushnja dhe as deri në Fier nga 100 lekë? Po shoferi qe më i zgjuar nga unë:-Papi,Papi,qejfi paguhet.Qetë për futboll,hajd tundni lekët,se faj pata unë që nuk u lashë atje,në Lushnje.Kështu që “tundëm” lekët.Por se mos ishim të vetmit që ndiqnim ndeshjet me bicikelta.Po ka këtu vënd për të shënuar për një të “sëmurë” pas “Apolonisë” që e ndiqte skuadrën e Fierit kudo:ky ka qenë elktricisti fierak,Jani Tole.Do të çuditeni,po ky,Jani Tole,kish ardhur me biciklete deri në Lezhë për ta parë skuadrën e tij të zëmrës.Unë aso kohe isha ushtar në Shëngjin dhe kur shkova për të parë ndeshjen me Fierin,takoj fierakë të njohur dhe,mes tyre,Jani Tole,me bicikletë.Patjetër ky është “ginesi” i pashpallur.Kushedi se ku e ka vërtirur kjo era e emigracionit,por kurrë nuk e harroj pasionin e ti,pothuaj,të sëmurë,pas “Apolonisë”.

* * *

Dhe me të vëretë,ato,bicikleta,qenë “makinat” tona.Qenë dhe këmbët tona.Pa ato,nuk do vinim dot në punë dhe na kanë bërë shërbime të mëdha.Po të ndodhte që të prisheshin apo ca më shumë të na i vidhninn (se duhet thënë që vidheshin),ndjenim sikur kishim humbur diçka të shtrenjtë;ndjenin dhe dhimbje se e dinim se të nesërmen e kësaj humbjeje krejt “aksidenatle”,do na lindnin vështirësi,pothuaj jetike. Dhe kujt nuk i ka ndodhur një “avari” e tillë.Për “prishjet”,kish dhe ilaç:qenë punishtet e artizanatit ku kish mjeshtra të vërtetë,që,ne,pasi i njihnim,mundoheshim t’i zinim miq,se na duheshin për ditë të keqe.Për t’i zënë miq,u jepnim pak përmbi hakën:herë drejt për drejt dhe herë,me fshehuri syve të të tjerëve që punonin atje.Më mjeshtërin në Fier,e kisha zënë mik.Sa herë që çoja bicikletën,e kisha mësuar që i jepja diçka:qoft dhe një dhjetëshe të vjetër,de!Një ditë,i them një shoku:-Çoje pak këtë biciketën time për t’i bërë një pulle.I dhashë dhe lekët,po pa atë “bishtin” prapa.Ma solli shoku dhe thashë:-Hera e parë që nuk pagova ryshfet.Po,kur bëra të ikja nga Fieri,ballë për ballë me ustanë (atë,pra,mjeshtërin).Më thotë ai:-Sot e kishe dërguar me atë shokun bicikletën.Dhe ta rregullova.Merreni me mend:me qindra e qindra bicikleta nëpër duart e tij,megjithatë,ai e mbante mënd bicikletën time,se gjithmonëe dorovitja.. Kambanat binin fort. -Ah,i thashë,më fal usta,se qeshë zënë me punë dhe tak nxora nga xhepi një peëshjetëshe të vjetër (vetëm atë kisha),kështu që dola rruar qethur.Por a mund të mbarojnë historitë me bicikletën dhe me bicikletat?Kur e titullova shkrimin tim”Më shumë se një tregim),kam aryse se,më poshtë unë do rreshtoj disa”histori” që,gjithsesi,kanë në qendër bicikletat.

* * *

Sa e pashë një kolegun tim,më të vjetër nga unë në moshë , e ftova për kafe.Koli,- i thirra,- hajde të pimë një kafe.Tek u afrua,pashë që po shfrynnte:-Po njëherë,njëherë nuk më fali.Nuk po kuptoja dhe kërkova që të shpjegohej. Ja, për këtë,që mos e pifsha dhe m’u bëftë farmak,e pagova (më tregoi cigaren që po e thithte,sikur do t’i nxirte tërë vrerin,) për këtë,sa u zgjata tek baraka për të blerë një paketë,dikush më vodhi bicikletën.Dhe kafenë e piu zeher,pa sheqer. Pa sheqer,shfaqa habinë unë.Po mua dhe nepërka,po më kafshoi,e mbys,-më tha helm e vrerë.Dhe kish hak.E me se do shkonte në punë të nesërmen.Por gjithmonë ka keq dhe më keq.Sado që e keqja jote të duket më e keqja,por,tek gjerbnim kafen,mbrriti një i njohur tjetër.Ky qe nga një fshat ngjitur me qytetin.E pamë që qe bërë tym dhe Koli,para meje,i thotë:-Ore,burazer,mos të ka ngrënë gomari bukën që nxinë e sterron kështu.Të bëj unë që më vodhën biçikletën hajde de,por ti…Ky,tjetri,sa zu vënd,ripërsëriti:-Çfarë the,o Koli,të kanë vjedhur bicikletën?.Po mua ca më keq:shkova në degë të brëndëshme dhe,sa u futa brënda,për të takuar të plotfuqishmin,kur dola jashtë bicikleta kish “avulluar”.Kthehem brënda që të ankohem.Kot.Ku ta gjejmë ne?-thanë ata të policisë.Tym dhe sos në shtëpi.Më panë ata që nuk qeshë mirë dhe kur u rrëfeva ç’më kish gjetur,im vëlla,më i vogël
nga unë,po është shpuzë dhe nuk mbahet.-Bicikletën!-bërtiti.Ku?Në Degë të Brëndshme/?Vete dhe e gjej unë.I hipi bicikletës së tij dhe u bë erë.Pas një ore u kthye.E pashë kur hyri në shtëpi,që i kishin rënë pëndët.Po prisnim që të na rrëfente “trimërinë” e tij,por…foli si nëpër gojë:-E vodhën edhe timen!!!Koli,humbësi,sdado i mërzitur,ia dha të qeshurit:-Paska dhe më, keq…Po,ku mbarohen ato të shkreta histori me bicikleta.Kur plakesh,kështu siç jam plakur unë,të vjen parasysh e kaluara dhe zë e çmallesh apo më shumë përmallohesh.Siç m’u kujtu dhe mua bicikleta dhe disa histori që,gjithsesi,kanë dhe pak komicitet brënda.Duke e sjellë për lexuesit,them që secili mund të ketë të tilla dhe nuk ka për t’u mërzitur.

Tiranë, 26 prill 2024

ROGANA, ATDHEU IM I VOGEL- Poezi nga ATDHE GECI

Një qershi mali më tha  në Roganë

një pemë lajthie  e kam këtu pranë

ka dru shkoze dhe xhufka krekëze,

e rreth e rrotull ansamble  me zogj.

.

Edhe lisi më tha i kam fqinjët e mi

ku ajri  dhe  era  më  japin shëndet

bimët e pyllit janë bimë  me  vlerë

pylli pa lisa është i thatë e i mjerë!

.

Qielli mbi pyll sot është i kthjellët

ai i jep shkëlqim  gjelbërimit këtej

prania e bariut  është nderë i pyllit

gjuhën e pyllit  bariu e njeh bukur.

.

Tëra stinët në  Roganë janë klimë

nëpër stinë hapet gjithësia natyrës

në rrudha lisi koha  vë veten e vet

në Roganë shpirti im fluturon lart.

.

Rogana  është  atdheu  im  i vogël

Kodra e Brijës  i  mbështet  erërat

e bukura Roganës i vret vetëtimat

në Roganë, atdheu e ka një atdhe!

.

Atdhe Geci

Më 23 prill 1850 u nda nga jeta poeti i shquar anglez William Wordsworth

VOAL- William Wordsworth lindi më 7 prill 1770 në Cookermouth në rajonin Cumberland të Anglisë. Fëmijëria e tij, ndryshe nga ajo e shumë poetëve romantikë, ishte e qetë dhe e lumtur falë dashurisë së nënës së tij dhe disponueshmërisë ekonomike të lejuar nga babai i tij, i cili punonte si avokat dhe taksambledhës.

Lumturia që i riu Uilliam gëzon i zhytur në natyrë, të cilën mëson ta dojë në këto vite, ndërpritet fillimisht nga vdekja e nënës së tij dhe më pas nga vdekja e babait, pesë vjet larg njëri-tjetrit. Kur babai i tij vdiq ai ishte vetëm trembëdhjetë vjeç dhe me ndihmën e xhaxhallarëve të tij ai hyri në një shkollë lokale dhe më pas vazhdoi studimet në Universitetin e Kembrixhit.

Debutimi i William Wordsworth si poet ndodhi në 1787, kur ai botoi sonetin “The European Magazine”. Në të njëjtin vit ai u regjistrua në universitet, duke u diplomuar më 1791.

Në vitin 1790 ai bëri një udhëtim në Zvicër dhe Francë, të cilat i kaloi rreptësisht në këmbë. Megjithatë, është gjatë udhëtimit të tij të dytë në Francë që jeta e Wordsworth pëson një pengesë. Revolucioni po tërbohet në Francë dhe ai nuk qëndron indiferent, i ndikuar nga kapiteni Michel Beaupuy, me të cilin është bërë mik, përfundon duke marrë anën e Girondinëve deri në atë pikë sa thuajse përfshihet fizikisht në betejën në Orleans.

Ai në fillim nuk tronditet negativisht nga masakrat e Terrorit, i bindur se është i nevojshëm një rigjenerim total politik. Megjithatë, në momentin që zbulon qëllimet imperialiste franceze, ai tronditet thellësisht. Kriza personale që ai përjeton në këtë periudhë bëhet protagonist i dramës “Kufijtë” (1795). Për të përkeqësuar konfuzionin e tij është edhe lidhja me të renë Annette Vallon, me të cilën ka një vajzë, Caroline, të cilën e njeh edhe pse nuk martohet me të dashurën e tij.

Ndërkohë, paratë e pakta me të cilat ai jeton i mbarojnë, kështu që detyrohet të kthehet në Angli, por dhimbja e ndarjes dhe ndjenja e fajit për braktisjen e vajzës do të mbeten gjithmonë të gjalla në shpirtin e tij, duke shkaktuar shumë poezi në tema e gruas së braktisur. Kështu ai del në pension për të jetuar në fshat së bashku me motrën e tij të pandarë Dorothy.

Më 1797 William Wordsworth takoi Samuel Taylor Coleridge dhe lindi një miqësi e thellë mes të dyve, e cila gjithashtu i shtyu ata të punonin së bashku. Fryti i punës së tyre poetike u botua në vitin 1798 me titullin “Balada lirike”. Synimi me të cilin Wordsworth shkruan poezitë e tij është të pikturojë jetën e zakonshme të njerëzve duke përdorur gjuhën e tyre, domethënë gjuhën e jetës së përditshme. Poetikën e tij e sqaron në parathënien e rëndësishme të botimit të dytë të “Baladave lirike” (1800).

Vitet në vijim karakterizohen nga një angazhim poetik gjithnjë e më total, i shoqëruar vetëm nga një sërë udhëtimesh në Itali, Belgjikë, Zvicër dhe Gjermani. Wordsworth jeton në rajonin e liqenit, në Grasmere, duke pasur një ekzistencë në pension dhe varfëri, por suksesi pas botimit të Baladave Lyrical i lejon atij t’i dërgojë para Annette dhe vajzës së saj.

Në 1802 ai u martua me Mary Hutchinson. Gruaja e re shënon ndarjen përfundimtare nga Franca dhe Anet. Viti 1810 pa edhe ndarjen nga Samuel Taylor Coleridge, e cila u bë e nevojshme nga dallimet poetike dhe personale, duke përfshirë varësinë shqetësuese të shokut të tij ndaj alkoolit.

Në periudhën e tij të fundit ai u bë gjithnjë e më konservator në pikëpamjet e tij, duke iu afruar gjithashtu ortodoksisë së krishterë, siç dëshmohet nga “Sonetet kishtare” (1822). Ndryshimi i tij lindi nga zhgënjimi i hidhur me synimet ekspansioniste franceze. Ai ishte i bindur se Franca mund të ishte feneri i ndryshimeve demokratike në Evropë, por luftërat e Napoleonit, të cilat shkaktuan edhe vdekjen tragjike të vëllait të tij Xhonit, i cili u mbyt, e shtynë atë të rishikonte monarkinë angleze, duke përqafuar synimet e saj.

Ndërkohë, Wordsworth kompozoi poezinë e tij më të famshme së bashku me “Tintern Abbey” në këtë periudhë, duke e nënshtruar atë në rishikime të pafundme: “Preludi”, botuar pas vdekjes nga gruaja e tij. Më në fund botoi “Poezi në dy vëllime” më 1807.

Vitet më të lumtura nga pikëpamja poetike për poetin anglez ishin ato midis viteve 1830 dhe 1843, vit i fundit në të cilin ai mori titullin Poeti Laureat. Në mënyrë paradoksale, këto ishin edhe vitet më të këqija nga pikëpamja personale: ai dëshmoi i pafuqishëm vdekjen e dy prej pesë fëmijëve të tij dhe paralizën e motrës së tij të dashur Dorothy, më 1829.

William Wordsworth vdiq në moshën 80-vjeçare më 23 prill 1850 në Rydal Mount, ku jetoi për tridhjetë e tetë vjet./Elida Buçpapaj

23 Prilli, Dita Botërore e Librit

Dita ndërkombëtar e Librit dhe të drejtave autoriale që është përzgjedhur të jetë 23 prilli, është një datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore. Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shekspirit në Angli dhe Miguel de Servantes në Spanjë. I pari konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohëve dhe vendeve, ndërsa i dyti është autori i veprës më të përkthyer në botë.

Kjo datë lidh edhe autorë tjerë në ditën e lindjes a vdekjes së tyre: Inca Garcilaso de la Vega, Maurice Druon, Halldór Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo. Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është pazgjedhur në vitin 1995 me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit. Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit.

Suksesi i librit dhe i të drejtës autoriale varet kryesisht në mbështetjen që duhet marrë nga të gjitha palët e interesuara ku hyjnë autorët e librit, botuesit, mësuesit, bibliotekistët, institucionet publike dhe private, OJQ-të dhe mediat, të cilat mobilizohen në çdo vend. Duke qenë një nga mjetet më të vjetra të komunikimit dhe shpërndarjes, jo vetëm libri që ka ndikim shpirtërore, arsimore dhe kulturore, por ai përfshin edhe aspektet ligjore ekonomike të tregtisë botuese. Dita botërore e librit dhe të drejtës autoriale këtë vit shënohet edhe në Kosovë në bashkëpunimin e organizatave të shoqërisë civile që mbështesin kulturën.

Kjo ditë është një mundësi për të nisur një fushatë të gjerë dhe të qëndrueshme për ngritjen e vetëdijes, duke synuar të mbështesë veprimin e aktorëve lokalë dhe institucioneve në favor të librit dhe të leximit. Ajo bazohet në një qasje pjesëmarrëse dhe në partneritet me profesionistë, aktorët politikë dhe përfituesit që nënkuptohet në nivel kombëtar dhe rajonal.bw


Send this to a friend