Një nga librat më të rëndësishëm që ka qarkulluar në Shqipëri vitet e fundit, në gjininë e vështirë të prozës së shkurtër, mendoj se është edhe libri “Hebreu i fundit” i gazetarit Shkëlqim Hajno.
Me biografi letrare pothuajse të bardhë, në vitin 1980 ai botoi një libër me tregime e skica humoristike me titull “Vjedhësi i viteve”. Në të, mund të flitet për artin e satirës në një regjim me çensurë të rreptë që shihte kudo armiq.
Shkëlqim Hajno, u ndodh në një nga udhëkryqet më dramatike për një krijues. Në udhëkryqin midis dy sistemeve. Në një anë, diktatura e njohur dhe, nga ana tjetër, një demokraci e brishtë, ku kufijtë e saj ngatërroheshin me anarkinë dhe hakmarrjen.
Hajno, duke njohur mirë artin e satirës, nuk ra në kurthin e letërsisë denoncuese, ku ranë shumë krijues. Preferoi heshtjen. Një heshtje kaq e gjatë saqë dikush mund ta merrte edhe si vdekje letrare.
Nuk ishte aspak vdekje. Duke përballuar me dinjitet, një varg dramash familjare, nga ato që e thyejnë njeriun, Hajno nuk e la pas dore letërsinë. Studioi mjeshtrat e prozës së shkurtër: Koliqin, Migjenin, Dhimitër Paskon, Vath Koreshin, Faik Ballancën, Naum Priftin, Sefedin Çelën, Nasi Lerën dhe mjaft autorë të tjerë që vunë nga një gur në atë që sot e quajmë Gjerdan i tregimit shqiptar. Atje, në atë zhanër të vështirë, gjeti veten si krijues.
Fati e solli që ai të kish lindur në Jug dhe të punonte si gazetar në këtë terren me kreshta, humnera e pejzazhe njerëzore të papritura, thesare për një krijues. Pa
ngarkesa negative historike, folklorizma dhe stereoptipe socialiste.
Hajno filloi të studjojë antrogjeografinë e Jugut ku dëgjoheshin zëra të ndryshëm dhe takoheshin herë si miq, herë si armiq, lebër, vllehë, grekër, çemër.
Nëse mund të bëja depistim në tematikën e tregimeve, do të thoshja se në librin e Hajnos, për herë të parë në letërsinë shqipe flitet për minoritetin grek, jo si
personazhe folklorike me veshjen brilante të grave të Dropullit dhe vallet e Pogonit, por si realitet me dramat dhe tragjeditë e tij. Bashkëjetesa me shqiptarët
nuk është diçka e dhënë dhe nuk bazohej vetëm në parimet socialiste të vëllazërimit të popujve. Kronika e fqinjësisë së mirë, vinte nga e kaluara. Nga
marrëdhëniet dhe lidhjet që krijojnë fqinjët dhe njerëzit që i ndan një lumë, një mal, një kodër, por i bashkon varfëria, mortet dhe gëzimet, karakteristika të
përbashkëta të të gjithë ballkanasve.
Shkëlqim Hajno jo vetëm që fut dramat e grekërve të Shqipërisë në tregimet e tij; (po ju kujtoj se këtë hap, nuk e tentoi asnjë shkrimtar i madh , gjitonë me
Dropullin: Kadareja.). Shikimi i tij i kalon kufijtë. Shtrihet në realitetin grek, jo vetëm në jetën e emigrantëve shqiptarë që luftuan të mbijetojnë në vendin fqinj,
por dhe në tragjeditë e popullit grek, siç është lufta e tmerrshme civile.
Vëllavrasja.
Në tregimet e Shkëlqim Hajnos, lexuesi përjeton skena, kronikën dhe fate njerëzish nga qytezat e Jugut që netëve në gjysmë errësirë dhe dritat e rralla, u ngjajnë
varrezave.
Është një prozë realiste që kalon lirshëm barjerat e kohërave.
Gjendemi para një libri ku leximi nuk mbaron në faqen e fundit të tregimeve. Mua më lindi dëshira që disa nga këto tregime t’i rilexoj. Për “Hebreu i fundit”, duam edhe një lexim të dytë dhe ai që e tenton, ka dalë i fituar.
Ky libër jete që ezauroi një pjesë të madhe të ngarkesës dhe emocioneve të autorit, ishte disi i pafat. Kritika letrare me përjashtime të rralla, nuk e vuri re. Nuk e pa. Nuk e lexoi. Është një sjellje mosmirënjohëse, miopike, më e pakta karshi një libri që kërkon me fuqinë e fjalës dhe begatinë e tematikës, një vend në prozën e
shkurtër shqiptare.
Tregimi thotë një shkrimtar i madh, është poezia e prozës. Mund të shkruash një roman, por “Lulin e vocërr” të Migjenit, “Kaun plak” të Elin Pelinit, “Njeriu në këllëf” të Çehovit, nuk e shkruan dot.
Sipas mendimit tim si krijues dhe tregimtar, nuk kam asgjë ngurim të them se, në librin e Hajnos ka 5-6 tregime që do t’i quaja antologjike. Megjithëse kanë kaluar tre vjet, akoma libri mbetet i hapur. Pret kritikun, estetin, studjuesin që do t’i japi vendin që meriton në letërsinë shqipe. Libri, i freskët, të buzëqesh. Autori ka vënë shumë dashuri në këtë libër voluminoz, tepër të madh për një përmbledhje me tregime.
Shkrimtar i dashur, të ka ndodhur që pas leximit të një libri të thuash: Do t’i doja t’i shkruaja unë 5-6 nga këto tregime? Kjo, më ka ndodhur mua me librin e Hajnos.
Besoj se kjo zili letrare është një tregues se Shkëlqimi futi duart thellë në vlagën dhe prushin e jetës.
Do të doja që veçoja dy tregime të dashura për mua: “Aroma e vjetër e trëndafilit”- një histori erotike, ku unë dyshoj se nëse ajo vajza e bukur ka ekzistuar me të
vërtetë apo, është pjellë e urisë erotike të brezit tonë dhe: “Lotët e babait”, të cilin sa herë e lexoj, më mbushen sytë sepse në të, lexoj jetën e babait tim.
Po i përfundoj këto mendime dhe nuk pretendoj te jetë një studim i plotë mbi veprën e autorit që meriton vëmendjen tonë.
Shkëlqim Hajno me “Hebreu i fundit” vërteton edhe njëherë risinë e njohur se për krijuesin e vërtetë, kurrë nuk është vonë për të hyjë në letërsi, mjafton të ekzistojë vepra.
Shkrimtari i njohur grek Mirivilis, romani antimilitarist i të cilit “Jeta në varr”, i përkthyer në Shqipëri në vitete ’30 dhe i botuar në Korçë; ka thënë:
“Mosha biologjike e shkrimtarit nuk ka lidhje me jetën e tij krijuese. Shkrimtari është gjithmonë i ri. Ai lind kur lind vepra e tij.”
Sarandë, 19 korrik 2026