Të shtunën në mëngjes, persona të panjohur kanë hedhur shishe me benzinë mbi ndërtesën e presidencës së Kosovës. Institucionet dhe partitë politike, dënojnë sulmin
Në Kosovë, policia tha se persona të panjohur kanë hedhur shishe me benzinë mbi ndërtesën e presidencës së Kosovës.
Sulmi që la pas vetes dëme materiale, ka goditur murin dhe një dritare në pjesën e Parlamentit ku janë vendosur zyrat e presidentes së Kosovës.
Policia tha se sulmi ka ndodhur rreth orës 4 të mëngjesit dhe tash është duke u hetuar si “rast i shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë”.
Tash për tash nuk dihen më shumë hollësi rreth autorëve apo motiveve të mundshme të sulmit.
Sulmi i sotëm, pasoi disa incidente të javëve të fundit kur në rrethana të pasqaruara u dogjën disa makina të zyrtarëve të Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Kosova po përballet tash e një gjysme viti me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008.
Parlamenti i Kosovës është shndërruar në skenë përplasjesh për shkak të mospajtimeve ndërmjet opozitës dhe qeverisë. Partitë opozitare kanë hedhur vazhdimisht gaz lotsjellës në seancat e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Përleshje të dhunshme kanë ndodhur në disa prej protestave të opozitës edhe në rrugët e Prishtinës.
Opozita kërkon rrëzimin e qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Qeveria kërkon që shqetësimet e saj të diskutohen në institucione, ndërsa akuzon opozitën se po synon të marr pushtetin me dhunë.
Institucionet dhe partitë politike, dënojnë sulmin
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dënoi sulmin duke e cilësuar atë “veprim të papranueshëm që dëmton pronën publike dhe synon të krijojë pasiguri për qytetarët e Kosovës.”
Në një reagim të saj, shprehet shqetësimi për veprime të tilla të vandalizmit ndaj pronës publike dhe private.
Presidentja Jahjaga kërkon nga Policia e Kosovës dhe organet e drejtësisë që të hetojnë sulmin dhe t’i sjellin para drejtësisë kryesit e kësaj vepre dhe apelon te publiku që të ndihmojnë organet e rendit t’i zbardhin këto raste, thuhet në reagimin e saj.
Qeveria e Kosovës dënon ashpër sulmin mbi ndërtesën e parlamentit.
“Ky akt kriminal, i drejtuar kundër institucioneve të Kosovës, është vazhdimësi e sulmeve me bomba molotov mbi policinë, ndërtesën e qeverisë, djegies së makinave zyrtare dhe private, si dhe ndaj shtëpisë dhe familjes se kryeministrit, përgjegjësit e të cilave jo që nuk u ndriçuan dhe nuk u vunë para ligjit, por nuk kishte as reagime publike.
Aktet e tilla, qeveria e Kosovës i konsideron të rrezikshme për rendin kushtetues dhe për stabilitetin e vendit, prandaj kërkon me ngulm që ato të zbardhen dhe kryesit të përgjigjen para ligjit“.
Në nje reagim të qeverisë u bëhet thirrje “të gjithë përfaqësuesve politikë, të cilët në paraqitjet e tyre publike, po përpiqen të arsyetojnë sulmet me molotov mbi shtëpitë private dhe institucionet publike, duke u thirrur në kauza krejt fiktive, që të heqin dorë nga një gjuhë e tillë. Veprimet e tilla dëmtojnë interesat madhore të qytetarëve të Kosovës, proceset e intensifikuara eurointegruese, fuqizimin e shtetit ligjor dhe perspektivën ekonomike të vendit“.
Qeveria e Kosovës fton të gjithë përfaqësuesit politik, “të cilët duke u bazuar në kauza jo të qëndrueshme, kanë nxitur dhe promovuar futjen e gjuhës së molotovit dhe mjeteve tjera joligjore në jetën politike dhe publike në Kosovë, që të distancohen nga këto akte dhe të bëhen pjesë e përpjekjeve të qytetarëve dhe të qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime euroatlantike dhe fuqizim të partneritetit strategjik me SHBA-të dhe vendet tjera mike“, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dënoi sulmin e sotëm duke e cilësuar atë “një akt kriminal, të dënueshëm” dhe kërkoi ndërhyrjen urgjente të organeve të rendit për zbardhjen e tij.
“Është krejtësisht e papranueshme, se si sulmohet ndërtesa e një institucioni të lartë të vendit, që prezupozohet të jetë e vëzhguar me kamera dhe e ruajtur nga policia“, thuhet në reagim, duke u bërë thirrje institucioneve të rendit dhe të ligjit që ta bëjnë punën e tyre dhe ta zbardhin këtë akt kriminal, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe t’i identifikojnë sulmuesit, dhe të njëjtit t’i nxjerrin para drejtësisë dhe t’i bëjnë të njohur për opinionin publik.
“Ndërkaq Qeveria e vendit, është mirë që të mos paragjykojë kryesit e mundshëm të këtij akti qyqar, dhe të mos provojë që këto sulme kriminale, t’i përdorë për të justifikuar dështimet e veta. Për më tepër ta akuzojë Opozitën për kauza fiktive. Kauza “fiktive” e Opozitës ka rezultuar të jetë shkelje flagrante e Kushtetutës, nga kryeministri i vendit dhe partnerët e tij.
Prandaj sulmi i sotëm është një akt kriminal dhe duhet të trajtohet si i tillë. Përpjekjet për t’i dhënë këtij akti banditesk dimensione politike, pa u gjetur aktorët dhe motivet e tij, i konsiderojmë një tjetër sulm mbi stabilitetin e vendit“, thuhet ë reagimin e AAK-së.
Komentet