Protestuesi iranian Erfan Soltani, i arrestuar në janar gjatë lëvizjes kundër qeverisë në Iran dhe për të cilin Uashingtoni kishte shprehur shqetësime se mund të ekzekutohej, është liruar me garanci, bëri të ditur sot avokati i tij.
Sipas avokatit Amir Musakani, 26-vjeçari u lirua të shtunën dhe mori mbrapsht sendet e tij personale, pasi u pagua një garanci prej dy miliardë tomanësh iranianë, rreth 10.600 euro.
Soltani u arrestua më 10 janar, së bashku me dhjetëra protestues të tjerë, gjatë demonstratave të mëdha antiqeveritare që shpërthyen në Iran dhe që, sipas autoriteteve, çuan në mijëra viktima. Ai mbahej i ndaluar në qendrën e paraburgimit në Karaj, pranë Teheranit, nën akuzat për propagandë kundër sistemit islamik dhe rrezikim të sigurisë kombëtare, sipas drejtësisë iraniane.
Në mesin e janarit, Shtetet e Bashkuara dhe disa organizata joqeveritare kishin shprehur shqetësime se Soltani rrezikonte ekzekutimin. Megjithatë, autoritetet iraniane, në një vend që zbaton gjerësisht dënimin me vdekje, mohuan se ai përballej me një rrezik të tillë për veprat që i atribuoheshin.
Sipas zyrtarëve iranianë, protestat që nisën më 28 dhjetor fillimisht ishin paqësore dhe të lidhura me rritjen e kostos së jetesës, por më pas u shndërruan në “trazira”, të shoqëruara me viktima dhe akte vandalizmi.
Teherani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se kanë nxitur protestat, duke i cilësuar ato si pjesë e asaj që e përshkroi si një “operacion terrorist”, veçanërisht në kulmin e demonstratave më 8 dhe 9 janar. gsh