VOAL

VOAL

SHBA: Nga rrëzimi i balonës – 16 persona të vdekur

July 31, 2016

Komentet

Kryeministri Kurti u takua me presidentin e Turqisë, Erdoğan

 

 

New York, 22 shtator 2026

 

Në nisje të punimeve të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

 

Kryeministri Kurti e falënderoi Presidentin Erdoğan për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë gjithë etapave të ndërtimit të shtetit të Kosovës, zhvillimit të tij, në diplomaci sikurse edhe për fuqizimin tonë ushtarak, bashkëpunimin në vënien e themeleve të industrisë sonë të mbrojtjes dhe përkrahjen për anëtarësimin në NATO.

 

Po ashtu, ai shprehu mirënjohje për rolin shumëvjeçar të Turqisë në KFOR dhe për kontributin e rëndësishëm që ajo vazhdon të ketë për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, duke theksuar profesionalizmin e Gjeneralmajor Özkan Ulutaş gjatë dy mandateve të tij si komandant i forcës së NATO-s në vendin tonë.

 

Kosova dhe Turqia kanë vazhduar forcimin dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare me ç’rast ato arrijnë në vlerën prej 1 miliard dollarësh, me synimin që të rriten më shumë në të ardhmen. Po ashtu, janë rritur edhe investimet në Kosovë ku së fundmi kemi nisjen e fabrikës së re të municionit në Gjakovë dhe Parkun e Energjisë së Erës në Rahovec, që janë në bashkëpunim me kompani nga Turqia.

 

Në takim kryeministri Kurti diskutoi edhe për aktgjykimin e padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht, të shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e që patjetër duhet të korrigjohet në Apel.

 

Çështje tjetër, të cilën e ngritën kryeministri Albin Kurti bashkë me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, ishte diskriminimi i vazhdueshëm dhe sistematik i shtetit të Serbisë ndaj komunitetit shqiptar atje, nga pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave e nënpërfaqësimi në secilin institucion shtetëror atje. Kryeministri thekoi se simetria e të drejtave të komuniteteve në vendet përkatëse është qasja dhe mënyra e domosdoshme për trajtim të drejtë dhe barabartë.

 

Kosova dhe Turqia do të vazhdojnë të thellojnë marrëdhëniet miqësore, sikurse do të rrisin e forcojnë edhe relacionet ekonomike e tregtare. Në përfundim të takimit, Kryeministri Kurti e ftoi Presidentin Erdoğan për një vizitë në Republikën e Kosovës. /Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u takua me kongresistin amerikan Mike Lawler

 

New York, 20 shtator 2026

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara me rastin e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të dielën u takua me kongresistin amerikan nga Partia Republikane, Mike Lawler, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kryetar i Nënkomisionit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

 

Kryeministri Kurti e falënderoi kongresistin Lawler për anëtarësimin e tij në Kaukusin për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, si dhe për bashkëpropozimin e rezolutës në Dhomën e Përfaqësuesve në mbështetje të integrimit të Kosovës në NATO. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati më i rëndësishëm i Kosovës.

 

Kryeministri e informoi kongresistin për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë votimin e Qeverisë së re në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 13 shtator, si dhe për gatishmërinë e Qeverisë për rifillimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara, me një agjendë konkrete për sigurinë, energjinë, investimet dhe sundimin e ligjit.

 

Po ashtu u theksua bashkëpunimi i shkëlqyeshëm dypalësh, ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fushën e mbrojtjes. Ndërsa, u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për tërheqjen e investimeve amerikane në Kosovë, sidomos në energji, teknologji dhe prodhim, si dhe për rolin e mërgatës shqiptare në New York si urë për tregti dhe investime.

 

Në këtë takim, pjesë e të cilit ishte edhe deputeti Shaip Kamberi, kryeministri Kurti e njoftoi kongresistin Lawler për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai theksoi se, pas njëzet e pesë vjetësh dhe katër kornizash integruese, Komisioni Evropian konstatoi në vitin 2025 se plani i fundit për përfaqësimin e shqiptarëve në institucione ende nuk ka dhënë rezultate të matshme. Ai theksoi se përfaqësimi i tyre në institucione mbetet shumë larg në raport me popullsinë. Kryeministri ngriti edhe çështjen e pasivizimit të adresave, që prek mijëra shqiptarë dhe që ka pasoja të drejtpërdrejta në të drejtën e votës dhe në pajisjen me dokumente identifikimi, si dhe për adresimin e kësaj çështjeje.

 

Kryeministri Kurti foli edhe për aktgjykimin e padrejtë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se është e rëndësishme të dallojmë atë që është thënë e pretenduar nga ajo që është provuar dhe vendosur nga gjykata.

 

Kryeministri tha se pretendimi për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, mbi të cilin u krijua pjesa dërrmuese e narrativës që parapriu themelimin e Dhomave të Specializuara, nuk ishte fare pjesë e aktakuzës, sikurse ra edhe pretendimi për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullatës civile. Kryeministri Kurti theksoi se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, e nuk mund të njolloset në asnjë mënyrë. Ndërsa shtoi se shqetësuese mbetet jotransparenca e Gjykatës Speciale që nga nisja e punës së saj e deri sot, si dhe dënimet e rënda pas vendimit që lëngon nga pasaktësia historike dhe faktike.

 

Në fund të takimit, Kryeministri Kurti e ftoi kongresistin Lawler për një vizitë në Republikën e Kosovës, bashkë me një delegacion të Kongresit amerikan.

 

Kryeministri Kurti u takua me kongresistin amerikan Joe Wilson

New York, 21 shtator 2026

Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në New York, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me kongresistin amerikan Joe Wilson, bashkëkryesues i Komisionit të Helsinkit të SHBA-së dhe anëtar i Komisioneve për Punë të Jashtme dhe Forcat e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.

Kryeministri Kurti theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati më i rëndësishëm i Kosovës dhe se ky partneritet mbetet themelor për sigurinë, zhvillimin dhe perspektivën euroatlantike të Republikës sonë.

Në takim u diskutua për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, me fokus në siguri dhe mbrojtje, investime dhe sundim të ligjit. Po ashtu u bisedua për synimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO, për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara dhe për partneritetin e FSK-së me Gardën Kombëtare të Iowa-s, që nga viti 2011. Ndërsa u theksua se nga konsumuese, Kosova është shndërruar në kontribuuese në sigurinë ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti dhe kongresisti Wilson gjithashtu folën për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, rëndësinë e ruajtjes së orientimit euroatlantik të rajonit dhe për pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Me kongresistin Wilson, i cili është njëherësh aktiv në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, kryeministri Kurti diskutoi edhe për aspiratën e Kosovës që të avancojë drejt pjesëmarrjes së plotë në OSBE.

Vëmendje të veçantë iu kushtua shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nënpërfaqësimit të tyre në institucionet publike, polici, gjyqësor e shëndetësi, pasivizimit të adresave, pengesave ndaj arsimit në gjuhën shqipe dhe mosnjohjes së diplomave të fituara në Kosovë. I shoqëruar edhe nga deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryeministri kërkoi që të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të mbrohen në Komisionin e Helsinkit dhe shkelja e tyre të trajtohet në komunikimet me Beogradin.

Kryeministri Kurti e falënderoi kongresistin Wilson për mbështetjen ndaj Kosovës si dhe për angazhimin në çështjet e sigurisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në rajon. Ai e ftoi kongresistin Wilson që ta vizitojë përsëri Republikën e Kosovës, së bashku me një delegacion të Kongresit amerikan. /Zyra e Kryeministrit

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit, Daniel Lawton: Po punojmë për të goditur në Shqipëri organizatat kriminale transnacionale (VIDEO)

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Lawton, ka dëshmuar përpara Nënkomitetit për Evropën të Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, ku ka shpalosur zyrtarisht strategjinë e administratës së Presidentit Donald Trump për Ballkanin Perëndimor. Në fjalimin e tij zyrtar, diplomati i lartë amerikan konfirmoi një kthesë thelbësore të politikës së jashtme të Uashingtonit, e cila bazohet te zgjidhjet pragmatike, forcimi i sigurisë dhe goditja e pamëshirshme e rrjeteve transnacionale të krimit të organizuar.

Gjatë dëshmisë së tij, Lawton bëri të qartë se SHBA nuk do të ofrojë më mbështetje pa afat për objektiva të papërcaktuara, duke shpallur zyrtarisht fundin e ndërhyrjeve klasike në rajon. “Vitin e kaluar, në përkujtimin e 30-vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit, Zëvendëssekretari Landau e bëri të qartë se epoka e ndërtimit të kombeve nga jashtë ka përfunduar. Siç u shpreh ai: ‘Shtetet e Bashkuara nuk po ofrojnë mjete të pakufizuara për objektiva të papërcaktuara, të pasigurta dhe jorealiste’”, deklaroi Lawton përpara ligjvënësve amerikanë.

Strategjia e re e Uashingtonit mbështetet mbi tri shtylla kryesore: ruajtja e stabilitetit, avancimi i interesave ekonomike të biznesit amerikan dhe lufta pa kompromis ndaj kërcënimeve të sigurisë. Në këtë kuadër, zyrtari amerikan vendosi theksin te luftimi i karteleve të drogës dhe rrjeteve kriminale ballkanike. “Shtylla e tretë është bashkëpunimi me partnerët për t’iu kundërvënë kërcënimeve, përfshirë organizatat kriminale transnacionale ballkanike që bashkëpunojnë drejtpërdrejt me kartelet e Hemisferës Perëndimore që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara”, nënvizoi ai.

Lidhur me Shqipërinë, Lawton konfirmoi bashkëpunimin operativ për spastrimin e rrjeteve kriminale dhe modernizimin e forcave të armatosura. “Ne po punojmë ngushtë me aleatin tonë të NATO-s, Shqipërinë, për të goditur organizatat kriminale transnacionale dhe për të zgjeruar qasjen e kompanive amerikane në treg. Një hua e finalizuar së fundmi në kuadër të Financimit të Huaj Ushtarak do ta ndihmojë Shqipërinë të përmbushë angazhimet e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes dhe të rrisë blerjen e pajisjeve të prodhuara në SHBA”, u shpreh Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit.

Më tej, diplomati amerikan nënvizoi përkushtimin ndaj sovranitetit të Bosnje-Hercegovinës dhe pavarësisë së Kosovës, ndërsa shprehu shqetësim për vonesat institucionale në Prishtinë dhe veprimet e tepruara policore ndaj popullsisë serbe. Lawton u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të shmangin provokimet e të rikthehen në dialogun e drejtpërdrejtë, ndërsa vlerësoi përparimin e arritur përmes Dialogut Strategjik me Serbinë, si dhe partneritetet infrastrukturore e energjetike me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. bw

SHBA vijon luftën kundër karteleve të drogës, Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit: Po punojmë për shkatërruar organizatat kriminale transnacionale në Shqipëri

Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Lawton, dëshmon sot para Nënkomitetit për Evropën të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, për të prezantuar politikën e administratës së Donald Trump për Ballkanin Perëndimor.

Në fjalimin e tij zyrtar, zyrtari i lartë amerikan do të shpalosë strategjinë e Uashingtonit për rajonin, duke u fokusuar në sigurinë dhe luftën kundër krimit të organizuar.

“Shtetet e Bashkuara synojnë një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm, paqësor dhe të begatë, që kontribuon në sigurinë rajonale dhe globale. Ne po zhvillojmë marrëdhënie pozitive me aktorët kryesorë në rajon për të ruajtur stabilitetin, për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe për t’iu kundërvënë kërcënimeve që prekin drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara.”, thuhet në deklaratë.

Duke përmendur vendet e rajonit, ai thotë se po punojnë me Shqipërinë për të goditur organizatat kriminale transnacionale dhe për të zgjeruar qasjen e kompanive amerikane në treg.

“Ne po punojmë ngushtë me aleatin tonë të NATO-s, Shqipërinë, për të goditur organizatat kriminale transnacionale dhe për të zgjeruar qasjen e kompanive amerikane në treg. Një hua e finalizuar së fundmi në kuadër të Financimit të Huaj Ushtarak do ta ndihmojë Shqipërinë të përmbushë angazhimet e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes dhe të rrisë blerjen e pajisjeve të prodhuara në SHBA.”, shton ai.

Lawton u ndal edhe te Kosova, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, duke nënvizuar rëndësinë e stabilitetit rajonal dhe të bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, ai tha se normalizimi i marrëdhënieve mbetet thelbësor për paqen në rajon dhe u bëri thirrje të dyja palëve të shmangin provokimet dhe të rikthehen në dialogun e drejtpërdrejtë.

Deklarata e Zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit Daniel Lawton para Nënkomisionit për Europën të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve

Kryetar Self, anëtar i rangut Keating, anëtarë të nderuar të Nënkomisionit për Europën, ju falënderoj për mundësinë që të dëshmoj sot mbi politikën e Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.

Ky është një rajon i rëndësishëm për interesat amerikane dhe ne e vlerësojmë vëmendjen e Kongresit, si edhe vizitat në rajon, përfshirë vizitën më të fundit të kryetarit Self në muajin maj.

Shtetet e Bashkuara synojnë një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm, paqësor dhe të begatë, që kontribuon në sigurinë rajonale dhe globale. Ne po zhvillojmë marrëdhënie pozitive me aktorët kryesorë në rajon për të ruajtur stabilitetin, për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe për t’iu kundërvënë kërcënimeve që prekin drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara.

Vitin e kaluar, në përkujtimin e 30-vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit, Zëvendëssekretari Landau e bëri të qartë se epoka e ndërtimit të kombeve nga jashtë ka përfunduar. Siç u shpreh ai, “Shtetet e Bashkuara nuk po ofrojnë mjete të pakufizuara për objektiva të papërcaktuara, të pasigurta dhe jorealiste”.

Në vend të kësaj, ne po u bëjmë thirrje liderëve lokalë të gjejnë zgjidhje lokale për problemet lokale. Ne duam që udhëheqësit në të gjithë rajonin të lënë pas debatet e së kaluarës dhe të fokusohen te nismat pragmatike që i çojnë vendet e tyre përpara.

Kjo nuk do të thotë tërheqje. SHBA mbetet aktive në promovimin e rezultateve konstruktive që avancojnë interesat tona dhe ndihmojnë aktorët lokalë në gjetjen e zgjidhjeve të tyre. Ne jemi të gatshëm të punojmë me ata që duan të ecin drejt së ardhmes, por kemi pak interes për ata që minojnë stabilitetin për interesa personale ose që rikthejnë vazhdimisht ankesat e dekadave të kaluara.

Politika amerikane mbështetet mbi tre shtylla. E para është ruajtja e stabilitetit, një parakusht për të gjitha objektivat tona. E dyta është avancimi i interesave ekonomike dhe tregtare të SHBA-së përmes rritjes së udhëhequr nga sektori privat dhe krijimit të një klime që mirëpret bizneset amerikane. Ne i shohim këto dy shtylla – stabilitetin dhe prosperitetin – si elemente që forcojnë njëra-tjetrën.

Shtylla e tretë është bashkëpunimi me partnerët për t’iu kundërvënë kërcënimeve, përfshirë organizatat kriminale transnacionale ballkanike që bashkëpunojnë drejtpërdrejt me kartelet e Hemisferës Perëndimore që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara.

Ne i ndjekim këto objektiva përmes angazhimit të vazhdueshëm në nivelet më të larta dhe duke përdorur të gjitha mjetet që kemi në dispozicion. Aktorët e rajonit e dinë se SHBA disponon instrumente shtesë të miratuara nga Kongresi. Gjithashtu, presim që partnerët europianë të mbajnë një pjesë më të madhe të barrës së sigurisë në rajon.

Për aleatët tanë të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, kjo përfshin modernizimin e forcave të armatosura dhe përmbushjen e angazhimeve për shpenzimet e mbrojtjes, në funksion të vizionit tonë të përbashkët për një NATO më të balancuar dhe më rezistente.

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnje-Hercegovinës dhe ndaj stabilitetit të garantuar nga Marrëveshja e Dejtonit. Vitin e kaluar, diplomacia amerikane zgjidhi një krizë të zgjatur, duke ruajtur kohezionin ligjor dhe rendin kushtetues të vendit, si edhe duke siguruar tërheqjen e legjislacionit më kundër Dejtonit të miratuar nga Republika Srpska.

Ulja e tensioneve krijoi hapësirë për përparim në projektin e gazsjellësit të Interkoneksionit Jugor me Kroacinë, i cili do të diversifikojë furnizimin dhe sigurinë energjetike të Bosnjës. Projekti do të nxisë gjithashtu rritjen ekonomike dhe do të krijojë mundësi për kompanitë amerikane.

Muajin e ardhshëm qytetarët e Bosnje-Hercegovinës do të votojnë në zgjedhje dhe ne jemi të gatshëm të punojmë me udhëheqjen e re mbi interesat e përbashkëta.

Në të njëjtën mënyrë, SHBA mbetet e përkushtuar ndaj pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës. Ne kemi një axhendë të gjerë bashkëpunimi me Kosovën, e cila fatkeqësisht është penguar nga zgjedhjet e përsëritura, qeveria e zgjatur në detyrë dhe vonesat në formimin e institucioneve të nevojshme për avancimin e prioriteteve tona të përbashkëta.

Ne u kemi bërë thirrje liderëve të Kosovës që ta përmbyllin këtë proces në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet gjyqësore. Gjithashtu kemi shprehur shqetësime për mbikëqyrjen e tepruar ligjore dhe veprimet policore ndaj popullsisë serbe në Kosovë. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të gëzojnë të drejta të barabarta dhe mbrojtje të ligjit nëse vendi dëshiron të ruajë stabilitetin.

Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) mbetet thelbësore për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe mbështetet edhe nga kontributi i forcave amerikane.

Në Serbi, ne po promovojmë Shtetet e Bashkuara si partnerin kryesor për të kundërshtuar ndikimet armiqësore. Përpjekjet tona po japin rezultate dhe partneriteti dypalësh po forcohet. Në korrik, zhvilluam Dialogun e parë Strategjik SHBA–Serbi, duke avancuar bashkëpunimin në energji, mbrojtje, siguri dhe tregti.

Angazhimi me këtë vend kyç për ekuilibrin rajonal do të mbetet i rëndësishëm për mbrojtjen e interesave amerikane.

Normalizimi i marrëdhënieve dhe ruajtja e paqes mes Serbisë dhe Kosovës janë thelbësore për stabilitetin rajonal. Përparim i konsiderueshëm është arritur që prej Marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020, të ndërmjetësuar nga presidenti Trump gjatë mandatit të tij të parë.

Megjithatë, dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Europian ka ngecur për shkak të mungesës së vullnetit politik nga të dyja palët. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin provokimet, të respektojnë angazhimet dhe të rifillojnë bisedimet e drejtpërdrejta pa parakushte.

Ne po punojmë ngushtë me aleatin tonë të NATO-s, Shqipërinë, për të goditur organizatat kriminale transnacionale dhe për të zgjeruar qasjen e kompanive amerikane në treg. Një hua e finalizuar së fundmi në kuadër të Financimit të Huaj Ushtarak do ta ndihmojë Shqipërinë të përmbushë angazhimet e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes dhe të rrisë blerjen e pajisjeve të prodhuara në SHBA.

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të afërt të NATO-s dhe partnerë të rëndësishëm të sigurisë, duke avancuar prioritete strategjike dhe projekte kyçe që përmirësojnë ndërlidhjen rajonale.

Maqedonia e Veriut është në një rrugë të besueshme për të përmbushur angazhimet e NATO-s për mbrojtjen dhe për të thelluar bashkëpunimin me SHBA-në në këtë fushë. Për shkak të pozicionit të saj strategjik, vendi pritet të shërbejë si nyje për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm nga Greqia drejt Serbisë, si edhe për zhvillimin e korridoreve të transportit veri-jug dhe lindje-perëndim.

Dialogu Strategjik SHBA–Maqedoni e Veriut, i zhvilluar në prill, riafirmoi përkushtimin e të dy vendeve për të avancuar këto prioritete.

Po ashtu, Marrëveshja Ndërqeveritare SHBA–Mali i Zi, e përfunduar së fundmi, krijon një kornizë bashkëpunimi që përfshin edhe korridorin Adriatiko-Jonian. Këto projekte janë jetike për ndërlidhjen rajonale dhe për zgjerimin e mundësive për kompanitë amerikane.

Angazhimi ynë në Ballkanin Perëndimor është i lidhur me objektiva të arritshme dhe rezultate të matshme. Fokusi ynë mbetet mbështetja e zgjidhjeve pragmatike të drejtuara nga vetë vendet e rajonit, zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe të sigurisë, si edhe avancimi i interesave amerikane. Panorama

Zgjedhjet dhe vonesat institucionale në Kosovë “pengojnë agjendën” me SHBA-në

Radio Evropa e Lirë

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës, por paralajmërojnë se ngërçi i zgjatur politik po e pengon agjendën e përbashkët mes dy vendeve.

Ky pritet të jetë një nga mesazhet kryesore të zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Lawton, gjatë dëshmisë së tij më 15 shtator para Nënkomisionit për Evropën të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.

Në deklaratën e përgatitur për seancën dhe të bërë publike paraprakisht, Lawton përmend zgjedhjet e përsëritura në Kosovë, periudhën e gjatë me qeveri në detyrë dhe vonesat në formimin e institucioneve si faktorë që kanë penguar avancimin e prioriteteve të përbashkëta.

“Kemi një agjendë të gjerë bashkëpunimi me Kosovën, e cila, fatkeqësisht, është penguar nga zgjedhjet e përsëritura, periudha e zgjatur me qeveri në detyrë dhe vonesat në formimin e institucioneve të nevojshme për avancimin e prioriteteve tona të përbashkëta”, thuhet në deklaratë.

Uashingtoni, sipas tij, u ka bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që ta përmbyllin procesin e formimit të institucioneve në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave.

Por, vërejtjet amerikane shkojnë edhe përtej ngërçit politik.

Lawton pritet të thotë se SHBA-ja ka ngritur shqetësime për atë që e përshkruan si “kontroll të tepruar ligjor dhe policor” ndaj popullsisë serbe të Kosovës.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të gëzojnë të drejta të barabarta dhe mbrojtje të barabartë nga ligji, nëse Kosova dëshiron ta ruajë stabilitetin”, thuhet në deklaratën e tij.

Lawton thekson, gjithashtu, rolin kritik të misionit të NATO-s, KFOR, në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë – mision në të cilin vazhdojnë të kontribuojnë edhe forcat amerikane.

Dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur

Normalizimin e marrëdhënieve dhe ruajtjen e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Lawton pritet t’i cilësojë si thelbësore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, që nga Marrëveshja e Uashingtonit e vitit 2020, e ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë mandatit të tij të parë, është bërë “përparim i rëndësishëm”.

Megjithatë, ai vlerëson se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka ngecur, për shkak të “vullnetit të pamjaftueshëm politik nga të dyja palët”.

SHBA-ja, sipas deklaratës, vazhdon t’i bëjë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që t’i shmangin provokimet, t’i përmbushin zotimet e tyre dhe t’u rikthehen bisedimeve të drejtpërdrejta pa parakushte.

Partneriteti me Serbinë po forcohet

Për marrëdhëniet me Serbinë, Lawton pritet të thotë se Uashingtoni po punon që Shtetet e Bashkuara të jenë “partneri i zgjedhur”, me synimin për të kundërshtuar ndikimin e aktorëve kundërshtarë të SHBA-së.

“Përpjekjet tona po funksionojnë dhe partneriteti ynë dypalësh po bëhet më i fortë”, thuhet në deklaratë.

Lawton përmend nisjen në korrik të Dialogut Strategjik SHBA-Serbi, i cili përfshin bashkëpunimin në energji, mbrojtje, siguri dhe ekonomi.

Ai e cilëson Serbinë si një “vend kyç në ekuilibrin rajonal” dhe thotë se angazhimi me të do të mbetet i rëndësishëm për mbrojtjen e interesave amerikane.

SHBA-ja kërkon “zgjidhje lokale për probleme lokale”

Në deklaratën e tij, Lawton paraqet edhe prioritetet më të gjera të politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor.

Ai thotë se SHBA-ja po u kërkon udhëheqësve të rajonit të mos vazhdojnë të rihapin mosmarrëveshjet e së kaluarës, por të përqendrohen në iniciativa konkrete për të çuar vendet e tyre përpara.

“Ne mbetemi të gatshëm të punojmë me ata që janë të përgatitur të ecin drejt së ardhmes, por kemi pak interes për ata që do të minonin stabilitetin për qëllime vetjake, ose që vazhdojnë të rihapin mosmarrëveshje të dekadave të kaluara”, thuhet në deklaratën e Lawtonit.

Ai i referohet edhe qëndrimit të zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, Christopher Landau, se “epoka e ndërtimit të shteteve të imponuara nga jashtë ka përfunduar”.

Kjo, sipas Lawtonit, nuk nënkupton tërheqjen amerikane nga Ballkani Perëndimor.

Ai thotë se SHBA-ja mbetet aktive në përpjekjet për rezultate që avancojnë interesat e saj dhe që u mundësojnë aktorëve lokalë t’i gjejnë vetë zgjidhjet.

Tri shtyllat e politikës amerikane

Lawton e ndan politikën amerikane në Ballkanin Perëndimor në tri shtylla: stabiliteti, interesat ekonomike dhe tregtare dhe luftimi i kërcënimeve ndaj SHBA-së.

Stabiliteti, sipas tij, është parakusht për realizimin e të gjitha objektivave të tjera amerikane në rajon.

Në aspektin ekonomik, SHBA-ja synon të avancojë interesat e veta tregtare përmes rritjes së udhëhequr nga sektori privat dhe krijimit të një klime që favorizon investimet dhe bizneset amerikane.

Lawton i përshkruan stabilitetin dhe prosperitetin si objektiva që përforcojnë njëra-tjetrën.

Shtylla e tretë lidhet me kërcënimet ndaj sigurisë, përfshirë organizatat kriminale transnacionale nga Ballkani që bashkëpunojnë me kartelet në hemisferën perëndimore dhe që, sipas tij, përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për SHBA-në.

Uashingtoni pret gjithashtu që partnerët evropianë të marrin përsipër një pjesë më të madhe të barrës së sigurisë në rajon.

Nga aleatët e NATO-s në Ballkanin Perëndimor kërkohet modernizimi i ushtrive dhe përmbushja e zotimeve për shpenzimet e mbrojtjes.

Bosnja, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi

Për Bosnje dhe Hercegovinën, Lawton rikonfirmon përkushtimin e SHBA-së ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit dhe stabilitetit të siguruar nga Marrëveshja e Dejtonit.

Ai pritet të thotë se diplomacia amerikane, vitin e kaluar, ndihmoi në zgjidhjen e një krize të gjatë, duke ruajtur kohezionin ligjor dhe rendin kushtetues të vendit dhe duke siguruar tërheqjen e legjislacionit të Republikës Sërpska që ishte në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit.

Lawton veçon edhe projektin e gazsjellësit të Interkoneksionit Jugor me Kroacinë, i cili, sipas tij, do të diversifikojë furnizimin me energji të Bosnje dhe Hercegovinës dhe do të krijojë mundësi për kompanitë amerikane.

Në Shqipëri, SHBA-ja po punon me autoritetet për luftimin e organizatave kriminale transnacionale dhe zgjerimin e qasjes së kompanive amerikane në treg.

Lawton përmend edhe një kredi të sapopërfunduar në kuadër të Financimit të Huaj Ushtarak, e cila, sipas tij, do ta ndihmojë Shqipërinë të përmbushë zotimet për shpenzimet e mbrojtjes në NATO dhe të rrisë blerjen e pajisjeve të prodhuara në SHBA.

Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, Lawton i përshkruan si aleatë të afërt të NATO-s dhe partnerë të SHBA-së në fushën e sigurisë.

Për Maqedoninë e Veriut, ai veçon bashkëpunimin në mbrojtje, energji dhe infrastrukturë, si dhe Dialogun Strategjik SHBA-Maqedoni e Veriut të zhvilluar në prill.

Për Malin e Zi, Lawton përmend marrëveshjen ndërqeveritare të arritur së fundmi me SHBA-në, e cila krijon kornizë për bashkëpunim, përfshirë në Korridorin Adriatiko-Jonian.

Sipas Lawtonit, angazhimi amerikan në Ballkanin Perëndimor do të lidhet me objektiva të arritshme dhe rezultate të matshme, me fokus te zgjidhjet e drejtuara nga vetë vendet e rajonit, bashkëpunimi ekonomik dhe i sigurisë dhe avancimi i interesave amerikane.

Përgatiti: Valona Tela

Harry Bajraktari: Tërheqja e Prof. Dr. Bekim Sejdiu nga kandidatura për President lajm i keq për popullin e Kosovës, që po priste zgjidhje e jo lojëra politike

Më ka mërzitur shumë tërheqja e Prof. Dr. Bekim Sejdiu nga kandidatura për President të Kosovës 🇽🇰 Ky është lajm i keq për popullin e Kosovës, që po priste zgjidhje e jo lojëra politike.

Kosova e humbi mundësinë që të ketë një President profesional e të përgatitur dhe njëkohësisht ta zgjidhte bllokadën politike, të krijonte institucione funksionale dhe që vendi të ecte përpara. Këtë po e priste komuniteti shqiptaro-amerikan 🇦🇱 🇺🇸 , këtë e prisnin miqtë tanë në Washington 🇺🇸

Fatkeqësisht deputetët dështuan, nuk e kryen punën për çka i kanë marrë votat e popullit. Nuk e vendosën Kosovën të parën, por vazhduan me kalkulime politike.

Unë nuk e di se si do t’ia bëjnë politikanët tanë që ta nxjerrin vendin nga ky lëmsh ku e kanë futur. Është për të ardhur keq. Kështu nuk nderohet sakrifica dhe lufta e popullit të Kosovës, kështu nuk nderohen Shtetet e Bashkuara dhe miqtë tanë ndërkombëtarë që na ndihmuan ta kemi Kosovën tonë të lirë e të pavarur. Kështu po dëmtohet seriozisht e ardhmja e Kosovës.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe mbarë popullin shqiptar 🙏

Berisha takon kongresmenin amerikan Joe Wilson: Diskutim për narkotrafikun, korrupsionin dhe gjendjen e demokracisë në Shqipëri

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar në Dallas një takim me kongresmenin amerikan Joe Wilson, kryetar i Komisionit të Helsinkit të Kongresit të SHBA-së. Në takim ishte i pranishëm edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Sipas Berishës, diskutimet u përqendruan te trafiku i drogës dhe kartelet, korrupsioni qeveritar dhe ndikimi i tyre në zgjedhje, si dhe te gjendja e demokracisë dhe të drejtave të opozitës në Shqipëri.

Berisha akuzoi qeverinë Rama për përdorimin e administratës dhe institucioneve në funksion të pushtetit, ndërsa theksoi se lufta kundër narkotrafikut dhe krimit të organizuar ishte një nga çështjet kryesore të takimit.

Reagimi i plotë:

Takim me Kongresmenin Joe Wilson, kryetar i Komisionit te Helsinkit të kongresit të SHBA: Diskutuam, mbi pasojat e narkoshtetit dhe farsës zgjedhore nevoja për qeveri teknike në Shqipëri dhe gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shoqëruar nga Kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu, pata kënaqësinë të zhvilloja një takim të rëndësishëm me kryetarin e Komisionit të Helsinikit të Kongresit të SHBA. Diskutimi ynë u përqendrua në problemet madhore me të cilat përballet Shqipëria, kryesisht trafiku i drogës dhe narkoshteti, korrupsionin galopant qeveritar dhe ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë në shndërrimin e zgjedhjeve në farsë zgjedhore.

Lufta ndaj karteleve të drogës dhe ndikimi te zgjedhjet u trajtuan gjerësisht në këtë takim. Gjatë takimit u vu theksi te qëndrimet e shprehura nga Presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, sipas të cilëve partneriteti strategjik me Shqipërinë synon në radhë të parë luftën pa kompromis ndaj trafikut dhe karteleve të drogës janë një shpresë për shqiptaret. U denoncua fakti se krimi i organizuar dhe paratë e drogës të lidhura me nivelet më të larta të qeverisjes po përdoren nga administrata dhe qeveria e sotme e Edi Ramës për të manipuluar zgjedhjet, për të kontrolluar pushtetin dhe për të pastruar paratë e drogës.

E njohëm kongresmenin amerikan me situatën jashtëzakonisht të vështirë ku ndodhet vendi. Kryeministri Rama ka shkatërruar Kushtetutën dhe të gjitha institucionet e pavarura, duke përqendruar në duart e tij një pushtet absolut që prodhon korrupsion absolut. Po ashtu, ngritëm shqetësimin se të drejtat e opozitës në Parlament shkelen dhe nuk respektohen. Kryeministri kontrollon plotësisht drejtësinë dhe e përdor atë si armë politike kundër opozitës me qëllim mbajtjen e pushtetit. Ai refuzoi t’i heq imunitetin zv/kryeministres Balluku duke i bllokuar kështu haptas drejtesinë dhe luftën kundër korrupsionit. Në këtë takim e falenderuam Kongresmenin Joe Wilson për interesin e tij për gjendjen në Shqipëri dhe qëndrimet e tij të lidhura me zhvillimet në rajon!/Dosja.al

“Kontribut për forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA”- Berisha nderohet me Çelësin e Qytetit të Mesquite në Teksas! Kryebashkiaku i dorëzon dekoratën e vlerësimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është nderuar me Çelësin e Qytetit të Mesquite, në Teksas, në një ceremoni ku vlerësimi iu dorëzua nga kryebashkiaku i qytetit, Daniel Aleman Jr.

Gjatë ceremonisë, Aleman e cilësoi Çelësin e Qytetit si një nga nderimet më të larta qytetare që bashkia mund t’i akordojë një personi. Sipas tij, ky vlerësim shpreh respektin, besimin dhe marrëdhëniet e veçanta mes komunitetit të Mesquite dhe shqiptarëve.

“Nderimi për Berishën vjen si vlerësim për kontributin e tij në drejtimin politik të Shqipërisë dhe angazhimin për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ceremonia në Mesquite merr një tjetër dimension për komunitetin shqiptar në Teksas, duke shërbyer si një simbol i lidhjeve të forta shqiptaro-amerikane dhe i rolit që diaspora shqiptare ka në forcimin e këtyre marrëdhënieve”, thuhet një deklaratën e shpërndarë nga zyra e shtypit të PD.

Berisha takon kongresmenin republikan Pete Sessions në SHBA: Diskutuam për pasojat e narkoshtetit, farsën zgjedhore dhe nevojën për qeveri teknike në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kongresmenin republikan Pete Sessions, ku në fokus kanë qenë zhvillimet politike në Shqipëri, trafiku i drogës, korrupsioni dhe proceset zgjedhore.

Berisha, i shoqëruar nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se gjatë takimit u diskutua për ndikimin e krimit të organizuar dhe parave të drogës në politikë dhe zgjedhje. Sipas tij, këto fenomene po minojnë demokracinë dhe institucionet e pavarura në Shqipëri.

Në takim, Berisha ngriti gjithashtu shqetësimin për kontrollin e qeverisë mbi institucionet e drejtësisë, duke akuzuar kryeministrin Rama se po e përdor drejtësinë si “armë politike” kundër opozitës. Ai përmendi edhe çështjen e Belinda Ballukut, duke pretenduar se Rama ka bllokuar hetimin ndaj saj përmes mbrojtjes së saj politike.

Sipas Berishës, u diskutua edhe nevoja për një qeveri teknike në Shqipëri, si një hap për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe rikthimin e besimit te institucionet.

Në takim u trajtua gjithashtu lufta kundër karteleve të drogës dhe partneriteti strategjik SHBA-Shqipëri. Berisha falënderoi kongresmenin Sessions për interesin ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe rajon.

Në takim morën pjesë edhe Bert Misuzaëa, kandidat republikan për Senat në shtetin e Virxhinias, si dhe gjenerali Zapanta.

Reagimi i plotë:

Takim me Kongresmenin Pete Sessions: Diskutuam mbi pasojat e narkoshtetit dhe farsën zgjedhore, nevojën për qeveri teknike në Shqipëri

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shoqëruar nga Kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu, pata kënaqësinë të zhvilloja një takim të rëndësishëm me anëtarin e Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Reformës së Qeverisjes, kryetarin e Nënkomisionit të Operacioneve Qeveritare, Kongresmenin Pete Sessions. Diskutimi ynë u përqendrua në problemet madhore me të cilat përballet Shqipëria, kryesisht trafiku i drogës dhe narkoshteti, korrupsioni galopant dhe ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë në manipulimin e proceseve zgjedhore.

Lufta ndaj karteleve të drogës dhe ndikimi te zgjedhjet u trajtuan gjerësisht në këtë takim.

Gjatë takimit u vu theksi te qëndrimet e shprehura nga Presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, sipas të cilëve partneriteti strategjik me Shqipërinë synon në radhë të parë luftën pa kompromis ndaj trafikut dhe karteleve të drogës. U denoncua fakti se krimi i organizuar dhe paratë e drogës, të lidhura me nivelet më të larta të qeverisjes, po përdoren nga administrata dhe qeveria e sotme e Edi Ramës për të manipuluar zgjedhjet, për të kontrolluar pushtetin dhe për të pastruar paratë e drogës.

E njohëm kongresmenin amerikan me situatën jashtëzakonisht të vështirë ku ndodhet vendi. Kryeministri Rama ka shkatërruar Kushtetutën dhe të gjitha institucionet e pavarura, duke përqendruar në duart e tij një pushtet absolut që prodhon korrupsion absolut. Po ashtu, ngritëm shqetësimin se qeveria kontrollon plotësisht drejtësinë dhe po e përdor atë si armë politike kundër opozitës, me qëllim mbajtjen e pushtetit. Ai refuzoi t’i heqë imunitetin Ballukut, duke i bllokuar kështu haptas drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit.

Në këtë takim e falënderuam Kongresmenin Sessions për interesin e tij për zhvillimet në Shqipëri dhe rajon, luftën kundër karteleve të drogës dhe politizimin e drejtësisë. Takimi ishte i hapur. Në takim merrnin pjesë z. Bert Misuzaëa, kandidat republikan për Senat në Shtetin e Virxhinias, dhe Gjenerali Zapanta. bw

SHBA – Berisha takohet me Kongresmenin Keith Self: Diskutohet korrupsioni, trafiku i drogës dhe nevoja për qeveri teknike

 

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lideri i opozitës, Sali Berisha, i shoqëruar nga Kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me kryetarin e nënkomisionit të Kongresit Amerikan për Evropën, kongresmenin e Teksasit, Keith Self.

Në qendër të këtij diskutimi kanë qenë problemet madhore me të cilat përballet Shqipëria, kryesisht trafiku i drogës, korrupsioni galopant dhe ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë në manipulimin e proceseve zgjedhore.

Lufta ndaj karteleve të drogës dhe ndikimi te zgjedhjet

Gjatë takimit u vu theksi te qëndrimet e shprehura nga Presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, sipas të cilëve partneriteti strategjik me Shqipërinë synon në radhë të parë luftën pa kompromis ndaj trafikut dhe karteleve të drogës. U denoncua fakti se krimi i organizuar dhe paratë e drogës po përdoren nga administrata dhe qeveria e sotme e Edi Ramës për të manipuluar zgjedhjet, për të kontrolluar pushtetin dhe për të pastruar paratë në aferat korruptive. Kjo situatë u vlerësua si plotësisht jashtë standardeve të një vendi anëtar të NATO-s.

“Rama ka shkatërruar Kushtetutën”

Sali Berisha e njohu kongresmenin amerikan me situatën jashtëzakonisht të vështirë ku ndodhet vendi. Sipas Berishës, kryeministri Rama ka shkatërruar Kushtetutën dhe të gjitha institucionet e pavarura, duke përqendruar në duart e tij një pushtet absolut që prodhon korrupsion absolut. Po ashtu, u ngrit shqetësimi se qeveria kontrollon plotësisht drejtësinë dhe po e përdor atë si armë politike kundër opozitës me qëllim mbajtjen e pushtetit.

Konteksti rajonal dhe roli historik i kongresmenit Self

Nga ana e tij, kongresmeni Keith Self e vlerësoi situatën në Ballkan si një problem jashtëzakonisht të madh, sidomos në kontekstin e zhvillimeve globale dhe ndikimit të Rusisë. Duke pasur një eksperiencë të hershme, pasi ka qenë i angazhuar në kohën e luftës së Bosnjës, Self tregoi interes të shtuar për zhvillimet në rajon.

Zoti Berisha e falënderoi veçanërisht kongresmenin për qëndrimet e tij historike kombëtare, përfshirë deklaratën e fortë për dënimin e Ratko Mlladiçit – një iniciativë që Self e mori së bashku me senatoren Jeanne Shaheen dhe senatorin Pressley. Berisha shprehu mirënjohje edhe për interesin e veçantë që kongresmeni ka treguar për Luginën e Preshevës dhe përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke i dhënë takimit një kontekst të rëndësishëm mbarëkombëtar.

Propozimi për zgjedhjet: Model si Maqedonia e Veriut

Gjatë bisedës u konstatua se si Aleksandar Vuçiç në Beograd, ashtu edhe Edi Rama në Tiranë, nuk lejojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si zgjidhje e vetme për të garantuar një proces demokratik dhe instalimin e një demokracie normale ku pushteti vendoset me votë të lirë, u propozua krijimi i një qeverie teknike, duke marrë si model të suksesshëm rrugën e ndjekur nga Maqedonia e Veriut.

Kongresmeni Self shprehu interes të madh për të dëgjuar mbi hapat që mund të ndërmerren në vijim, duke konfirmuar se do të vazhdojë ta ndjekë me vëmendje maksimale situatën në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri.

Shqiptarët prej tre muajsh në shesh kundër Ramës, gazetarja e CNN Isa Soares në mbështetje: Dita e 100-të e Revolucionit të Flamingove!

Gazetarja e CNN, Isa Soares ka treguar sërish mbështetje ndaj protestës së qytetarëve shqiptarë, të cilët vijojnë prej tre muajsh në bulevardin përpara Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e qeverisë së Edi Ramës.

“Dita e 100-të e Revolucionit të Flamingove”, ka shkruar ajo krahas një fotoje të saj në rrjete sociale, duke treguar mbështetjen për protestën.


Send this to a friend