VOAL

VOAL

Shaban Murati dhe libri i tij ‘Bosnja, një pikëpamje nga Tirana’ – Nga DUDA BALJE*

July 29, 2019

Komentet

BIRN – Ergys Agasi, ‘koordinatori’ me ndikim në majat e pushtetit

 

Pasditen e nxehtë të 26 gushtit, ndërsa dielli po perëndonte mbi plazhin e Durrësit, një Audi i zi u bllokua nga disa makina të pashënjuara policie në autostradë, pranë zonës së Plepave. Brenda tij ndodhej Ergys Agasi, një ish-zyrtar i Ministrisë së Mjedisit dhe biznesmen, të cilin SPAK e akuzon si drejtues të një grupi të strukturuar kriminal që përdorte çdo mjet, nga korrupsioni deri te pengmarrja, për kontrollin dhe manipulimin e tenderëve publikë të lidhur me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.

Në pamjet e publikuara nga Policia e Shtetit, Agasi shfaqet me një bluzë të bardhë dhe pantallona të shkurtra, i rrethuar nga policë në njërën anë të rrugës, me duart e lidhura pas shpine dhe kokën të ulur.

Më pak se një muaj më vonë, më 21 shtator, Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra për Vlora Hysenin, drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, SHISH, e dyshuar se kishte ndihmuar Agasin gjatë periudhës kur ai ishte në kërkim dhe se mund t’i kishte përcjellë informacione me karakter sekret. Edhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është marrë në pyetje nga SPAK dhe, sipas raportimeve mediatike, është nën hetim në lidhje me rrethanat e arratisë dhe mbrojtjes së dyshuar të Agasit.

Detajet e dosjes hetimore ndaj Vlora Hysenit, të rrjedhura në media, tregojnë se ish-drejtuesja e SHISH kishte krijuar një marrëdhënie romantike me Agasin. Hyseni i mohon akuzat dhe raportohet se i ka justifikuar komunikimet me biznemenin në kërkim me statusin e tij si informator i SHISH. Por sipas ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ndikimi i ish-zyrtarit durrsak shkonte përtej Hysenit dhe buronte nga një miqësi shumë më e rëndësishme politike, ajo me kryeministrin Edi Rama.

Ahmetaj e ka përshkruar publikisht Agasin si një “koordinator” mes qeverisë së Ramës dhe grupeve të krimit të organizuar, një akuzë që Agasi dhe Rama e kanë mohuar. Vetë Rama nuk e ka mohuar se e njihte dhe kishte afërsi personale me Agasin, por ka këmbëngulur se një marrëdhënie njerëzore me kryeministrin nuk përbën funksion publik dhe se Agasi nuk kishte autorizim të vepronte në emër të tij.

Edhe pse pa mandat apo post zyrtar, dosja e SPAK-ut e paraqet Agasin si një njeri me ndikim të drejtpërdrejtë mbi mënyrën se si ndaheshin kontrata publike me vlerë miliona euro. Sipas prokurorisë, ky ndikim i siguroi atij përfitime të mëdha financiare.

Djali i deputetit

Ergys Agasi lindi në Durrës në mars të vitit 1987. I ati, Bardhyl Agasi, ka qenë deputet i Partisë Socialiste për Durrësin për tre mandate, ka shërbyer si zëvendëskryetar i grupit parlamentar socialist dhe sekretar i Komisionit për Mjetet e Informimit Publik.

Gjurmët e para në internet të Ergys Agasit nuk lidhen me administratën publike, por me biznesin. Në nëntor 2011, në moshën 24-vjeçare, ai shfaqet si ortak dhe për një periudhë të shkurtër, administrator i kompanisë “Agasi Markoudis Group”, një shoqëri me seli në Durrës dhe objekt aktiviteti që shtrihej nga ndërtimi e tregtia te pasuritë e paluajtshme. Kompania hyri në likuidim dy vjet më vonë.

Në tetor 2013, vetëm pak javë pasi qeveria “Rama” kishte marrë detyrën, Agasi shfaqet publikisht si kryeinspektor i Mjedisit në një aksion kundër kompanive të inerteve në Zall Herr. Të dhënat e deklarimeve pasurore e regjistrojnë zyrtarisht në funksionin e kryeinspektorit të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve nga 21 shkurti 2014, kur ishte vetëm 26 vjeç.

Ministria e Mjedisit në atë kohë drejtohej nga Lefter Koka, i cili më vonë do të arrestohej për korruspion dhe pastrim parash për rolin e tij në skandalin e inceneratorëve.

Posti i kryeinspektorit i dha Agasit kontakt të drejtpërdrejtë me bizneset, lejet, inspektimet dhe strukturat shtetërore që kontrollonin sektorë të rëndësishëm të ekonomisë. Gjatë viteve në Ministrinë e Mjedisit, Agasi krijoi lidhje me ish-deputetin e PS-së, Alqi Bllako, i cili në vitet 2013-2016 shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm.

Në korrik 2016, ndërsa Agasi ishte ende kryeinspektor, ai themeloi së bashku me Edmond Bllakon, babanë e Alqi Bllakos, kompaninë EA Logistics, me nga 50% të kuotave secili. Pas largimit nga administrata, Agasi u bë administrator i kompanisë dhe në korrik 2018 bleu edhe 50% të aksioneve të Edmond Bllakos, duke u bërë pronar i vetëm.

Afërsia me pushtetin

Nga fundi i vitit 2021 ose fillimi i vitit 2022, biznesmeni Orest Sota kujton se nisi ta shihte rregullisht Ergys Agasin te lokali “Chocolattini” në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Agasi hante aty mëngjesin, ndërsa Sota shkonte për kafe. Fillimisht vetëm përshëndeteshin, por me kalimin e kohës marrëdhënia u forcua. Sota i tha më vonë SPAK-ut se kishte dëgjuar se Agasi filloi të merrte shumë fuqi në treg, si “biznesmen i fuqishëm me pushtetin”.

Nga ky reputacion i shpërndarë në treg duket se buron edhe fuqizimi i bizneseve të tij. Pasi u bë pronari i vetëm i kompanisë EA Logistics, Agasi ia ndryshoi emrin në EA Tobacco në mars 2019. Xhiroja e saj u rrit nga rreth 6.2 milionë lekë në vitin 2017 në 291.5 milionë lekë në vitin 2021 dhe 470.5 milionë lekë një vit më vonë.

Zgjerimi në këtë sektor vazhdoi edhe përmes Special Tobacco, një kompani e krijuar në vitin 2018. EA Tobacco mori kontrollin e plotë të saj dhe, më 28 shkurt 2020, kuotat iu transferuan drejtpërdrejt Agasit.

Kompania merrej me tregtimin e cigareve dhe produkteve të duhanit dhe më vonë ndryshoi emrin në EA Logistic. Edhe këtu rritja ishte e shpejtë. Xhiroja vjetore arriti rreth 371 milionë lekë në vitin 2021 dhe 559 milionë lekë në vitin 2022.

Në mars 2023, Agasi hyri edhe në sektorin e teknologjisë së informacionit me krijimin e EA Solution, ku ishte pronar i vetëm dhe fillimisht administrator. Kompania kishte si objekt aktiviteti shërbime në teknologjinë e informacionit, telekomunikacion dhe sisteme IT.

Vetëm gjatë vitit të parë të aktivitetit, EA Solution raportoi xhiro prej rreth 242.4 milionë lekësh dhe fitim para tatimit prej rreth 232.1 milionë lekësh. Pikërisht kjo kompani do të shndërrohej më vonë në një nga hallkat kryesore të hetimit të SPAK-ut për tenderët e AKSHI-t.

Denoncimi i Ahmetajt

Për vite me radhë, Ergys Agasi kishte mbetur një emër relativisht pak i njohur për publikun, edhe pse bizneset dhe pasuria e tij po zgjeroheshin. Kjo ndryshoi në vitin 2024, kur ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në një intervistë për emisionin “Report” të televizionit italian RAI 3, e vendosi atë në qendër të akuzave të tij ndaj qeverisë së Edi Ramës.

Ahmetaj e përshkroi Agasin si një “koordinator” mes kryeministrit dhe grupeve të krimit të organizuar, duke pretenduar se biznesmeni shërbente si ndërmjetës mes pushtetit politik dhe eksponentëve kriminalë, përfshirë edhe gjatë proceseve zgjedhore.

“Po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi,” i tha ai gazetari Sigfriddo Ranucci, duke pretenduar se biznesmeni durrsak ishte bërë “për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve”.

Në deklarata të mëvonshme, Ahmetaj pretendoi se marrëdhënia mes Ramës dhe Agasit ishte shumë më e afërt nga sa dukej publikisht.

Sipas tij, Agasi ishte i pranishëm në dreka dhe darka private të kryeministrit dhe kishte akses të drejtpërdrejtë në rrethin e tij të ngushtë. Ahmetaj ka pretenduar gjithashtu se Agasi kishte marrë pjesë në një darkë në rezidencën qeveritare, ku ishte i pranishëm edhe ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz.

Vetë Rama nuk e ka mohuar njohjen apo afërsinë personale me Agasin. Pas arrestimit të biznesmenit, kryeministri e përshkroi atë si një “marrëdhënie njerëzore”, por këmbënguli se Agasi nuk kishte pasur mandat apo autorizim për të vepruar në emër të tij.

“Tani mua më kanë bërë shumë afërsira ose shumë rrëfenja me afërsitë. Afërsia me mua e një njeriu apo e një njeriu tjetër, nuk është funksion publik. As fotografia, as raportet personale dhe as pretendimi që unë e kam me atë, unë flas në emër të atij, etj. Unë nuk kam autorizuar ndonjëherë ndonjë njeri që të flasë në emrin tim apo të bëjë punët e shtetit në emrin tim,” deklaroi me 11 shtator 2026, në podkastin “Flasim”.

“Patjetër që mua më vjen keq që gjendem në situatën kur një njeri që unë kam pasur një marrëdhënie njerëzore për një arsye apo një tjetër, ekspozohet si një njeri që ka probleme me ligjin. Por nga ana tjetër jam tërësisht i çliruar sepse, përtej keqardhjes, secili atje është përballë ligjit me veten dhe avokatin e vet,” shtoi ai.

Kontrabanda e cigareve

Në fillim të vitit 2025, Agasi zgjeroi më tej interesat në industrinë e duhanit përmes blerjes së kompanisë “Albania Tabak” në Librazhd. Marrëveshja parashikonte kalimin e plotë të kuotave te EA Tobacco, pasi pronarët e mëparshëm të shlyenin detyrimet e kompanisë. Në pamje të parë, ishte një tjetër hap në zgjerimin e biznesit të tij të cigareve.

Por fabrika që Agasi po merrte kishte hyrë ndërkohë në një hetim të SPAK-ut për kontrabandë cigaresh.

Sipas hetimit, gjatë viteve të mëparshme sasi cigaresh të prodhuara apo të deklaruara për eksport dyshohej se ishin devijuar drejt tregut të paligjshëm, përmes dokumentacionit dhe destinacioneve të rreme. Një nga episodet e hetuara lidhej me një ngarkesë të ndaluar nga autoritetet greke në vitin 2023.

Episodet kryesore të kontrabandës që hetonte SPAK-u i përkisnin periudhës përpara se Agasi të merrte kontrollin e “Albania Tabak”. Në atë kohë ai nuk ishte pronar i fabrikës dhe nuk rezultonte i përfshirë në skemën e dyshuar të ngritur nga administratorët dhe pronarët e mëparshëm.

Megjithatë, blerja e kompanisë e afroi për herë të parë seriozisht Agasin me një hetim të Prokurorisë së Posaçme. Në verën e vitit 2025, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontrolle në banesën dhe bizneset e tij në kuadër të procedimit për kontrabandën e cigareve.

Agasi deklaroi publikisht se nuk ishte person nën hetim në atë çështje dhe se nuk kishte dijeni për aktivitetin e dyshuar të pronarëve të mëparshëm të fabrikës. Sipas tij, marrja e “Albania Tabak” kishte qenë një vendim biznesi.

Kontrollet e BKH-së, megjithatë, shënuan një kthesë në trajektoren e tij. Për herë të parë, emri i Agasit nuk lidhej më vetëm me kompanitë, pasuritë dhe afërsinë e perceptuar me pushtetin, por edhe me një hetim penal të SPAK-ut.

Tenderat e AKSHI

Pas njohjes në ish-Bllok, Orest Sota dhe Ergys Agasi u afruan gradualisht, të ndihmuar edhe nga miqësia e përbashkët me Alqi Bllakon. Sipas dëshmisë së Sotës, me kalimin e kohës, mes tyre u krijua një miqësi e ngushtë.

Kjo miqësi do të merrte më vonë edhe një dimension praktik. Agasi i kërkoi Sotës t’i gjente një apartament me qira për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Sota i ofroi një pronë të tij pranë stadiumit “Air Albania”, ku Karçanaj u vendos më pas.

Sota u tha hetuesve se nuk e njihte Karçanajn dhe se nuk ishte takuar asnjëherë me të. Marrëveshja, sipas tij, ishte bërë përmes Agasit. Edhe çmimin e qirasë tha se e kishte vendosur në një nivel minimal “për t’i bërë nder shtetasit Ergys Agasi për shoqëri”.

Më 16 dhjetor 2025, SPAK njoftoi shpalljen në kërkim me masë “arrest në burg” të Ergys Agasit, i dyshuar si kreu i një grupi kriminal që, sipas prokurorisë, kishte manipuluar tenderët e AKSHI-t përmes favorizimit të kompanive të caktuara, faturave fiktive, presionit dhe dhunës.

Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi dyshohet se ndikonin në vendosjen e kritereve të tenderëve për të favorizuar “Soft & Solution”, “First”, “Fastech” dhe kompani të tjera të lidhura në mënyrë të tërthortë me Agasin.

Kompanitë që përfitonin tendera nga AKSHI transferonin shuma të mëdha në llogaritë e kompanisë EA Solutions të Agasit, përmes kontratave dhe faturave për shërbime që nuk ishin kryer realisht.

SPAK pretendon se Agasi përdorte presionin dhe dhunën për të kufizuar konkurrencën dhe për të mbajtur nën kontroll operatorët e tregut. Ai dyshohet se më 12 gusht 2025, urdhëroi rrëmbimin e biznesmenti Gerond Mece nga persona të maskuar për ta detyruar të tërhiqte ankimet ndaj tenderëve të AKSHI-t që cenonin interesat e kompanive të lidhura me Agasin.

Pasurimi shpejtë i Agasit

Kur u largua nga administrata shtetërore në vitin 2017, Ergys Agasi deklaronte një pasuri që përfshinte 106 mijë euro në cash, një Mercedes-Benz, një apartament me vlerë rreth 70 mijë euro, garazh dhe kuotat në EA Logistics. Nëntë vjet më vonë, SPAK evidentoi në emër të tij një portofol të gjerë pronash dhe llogarish bankare të konsiderueshme.

Një pjesë e pronave është përqendruar në zonën e Petrelës, në fshatin Qeha Shytaj, ku në emër të tij rezultojnë disa parcela pyjore me sipërfaqe prej mijëra e dhjetëra mijëra metrash katrorë, të shoqëruara me ndërtesa të mëdha.

Vetëm njëra prej pronave ka një sipërfaqe prej rreth 26.7 mijë metrash katrorë dhe një ndërtesë prej 346 metrash katrorë, ndërsa prona të tjera përfshijnë ndërtime prej 182, 350, 490 dhe 568 metrash katrorë. Një pjesë e këtyre pasurive u legalizuan në qershor 2024, mbi bazën e aplikimeve të bëra disa vite më herët.

Portofoli i pronave të Agasit nuk kufizohej vetëm te Petrela. Dosja evidenton prona dhe apartamente në Tiranë, Durrës dhe Lundër, përfshirë një garazh në kompleksin “Joy Residences”. Në bregdet, ai rezulton pronar i një vile në kompleksin “Green Coast” në Palasë, të blerë në mars 2022 për rreth 251 mijë euro. Në vitin 2025, Agasi bleu gjithashtu apartament dhe garazh në Tiranë me një vlerë totale prej 235 mijë eurosh.

Rritja e pasurisë shfaqet edhe te automjetet e shtrenjta që ai përdorte. SPAK evidenton në emër të tij një Land Rover Defender të vitit 2023, të marrë në vitin 2024 përmes shkëmbimit me një Range Rover që Agasi zotëronte më parë.

Përveç pronave dhe automjeteve, hetimi identifikoi edhe disa llogari bankare me shuma të konsiderueshme në lekë dhe euro. Vetëm një llogari në Credins Bank kishte një bilanc prej rreth 55.6 milionë lekësh, ndërsa një tjetër në BKT kishte një vlerë ekuivalente me rreth 90.3 milionë lekë.

Prokuroria pretendon se ai ka përfituar rreth 10 milionë euro nga skema e dyshuar korruptive e lidhur me AKSHI-n. Vetëm gjatë kontrollit të një vile të lidhur me Agasin në resortin “Equos”, në Lundër, hetuesit gjetën arka me verë “Romanée-Conti” dhe shampanjë të shtrenjtë, me një vlerë që, sipas SPAK-ut, arrinte afërsisht 1 milion euro.

Tetë muaj në arrati

Pasi iu shmang arrestimit në dhjetor 2025, Ergys Agasi qëndroi për rreth tetë muaj në arrati. Por sipas burimeve policore dhe materialeve të hetimit të raportuara nga BIRN, ai nuk ishte tërhequr në një vend të largët apo jashtë vendit. Baza e tij kryesore dyshohet se ishte një godinë në Shkozet të Durrësit, pjesë e një kompleks vilash që policia e konsideronte si bazë të grupit të Elvis Doçit, alias “Visi i Pojës”.

Më 26 gusht, Agasi u mbajt nën vëzhgim për rreth 11 orë, nga Shkozeti drejt Elbasanit dhe më pas në kthim për në Durrës. Survejimi me dron u ndërpre për gati pesë orë pranë tregut agro-ushqimor në Elbasan, ndërsa në mbrëmje ai u lokalizua sërish dhe u arrestua në Plepa.

Në timonin e makinës ishte Uljan Shpataraku, ish-zyrtar i Policisë së Shtetit dhe ish-zëvendësdrejtor i Policisë së Elbasanit. Ai u arrestua në flagrancë për “përkrahje të autorit të krimit”. Gjatë periudhës në arrati, Agasi dyshohet se lëvizte mes Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit dhe se vazhdonte të takohej e komunikonte me persona të lidhur me krimin e organizuar dhe funksionarë shtetërorë. Hetimet e mëvonshme treguan se ai nuk jetonte si një i arratisur i izoluar, por lëvizte në një territor relativisht të kufizuar dhe në zona ku policia kishte struktura të forta operative.

Informacionet për vendndodhjen e tij kishin qarkulluar në polici edhe përpara arrestimit. Megjithatë, ndërhyrja vendimtare erdhi vetëm pas ndryshimeve në drejtimin e Policisë së Shtetit dhe largimit si drejtor të Ilir Prodës gjatë verës së vitit 2026.

Në gjykatë, Uljan Shpataraku ka pretenduar se nuk e njihte Ergys Agasin dhe nuk e dinte se ishte person në kërkim; sipas versionit të tij, po kthehej nga Elbasani kur e mori rastësisht me autostop një burrë që iu prezantua me emrin “Berti” dhe i tha se merrej me duralumin.

Nga Policia tek SHISH-i

Arrestimi i Agasit nuk i dha fund hetimit mbi tetë muajt e arratisë së tij. Përkundrazi, telefoni, komunikimet dhe materialet e sekuestruara pas kapjes hapën një tjetër linjë hetimi, mbi personat  që e kishin ndihmuar në arrati dhe çfarë informacioni kishte marrë gjatë kohës që kërkohej nga drejtësia. Kjo linjë e çoi SPAK-un tek drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit.

Më 21 shtator 2026, Gjykata e Posaçme vendosi masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra për drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni, në kuadër të të njëjtit procedim penal që kishte nisur me hetimin e tenderëve të AKSHI-t. Ajo u mor nën hetim për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit shtetëror ose të shërbimit”.

Në qendër të dyshimeve janë komunikimet mes Hysenit dhe Agasit gjatë periudhës kur ky i fundit ishte në kërkim. Materialet e dosjes të raportuara në media flasin për qindra telefonata, mesazhe dhe komunikime përmes aplikacionit Signal deri pak ditë përpara arrestimit. Në disa prej tyre, Hyseni dyshohet se i përcillte Agasit informacione mbi takimet dhe aktivitetin e saj zyrtar, ndërsa SPAK po heton nëse ai ka marrë edhe të dhëna që lidheshin me veprimet e strukturave policore dhe me vetë situatën e tij si person në kërkim.

Hyseni ka dhënë një shpjegim tjetër për kontaktet. Sipas raportimeve mbi dëshminë e saj në SPAK, ajo ka pranuar komunikimin e vazhdueshëm me Agasin, por ka pretenduar se ai ishte një bashkëpunëtor i SHISH-it. Në gjykatë ajo ka mohuar se i kishte dhënë materiale sekrete shtetërore.

Një tjetër element i hetimit janë materialet e gjetura pas arrestimit të Agasit. Sipas raportimeve që i referohen dosjes, hetuesit kanë sekuestruar në automjetin e tij nëntë faqe me të dhëna që dyshohet se përmbanin informacion të prodhuar nga SHISH-i. Hyseni është pyetur për origjinën e tyre, ndërsa ka mohuar se ia kishte dhënë ajo Agasit.

Natyra, klasifikimi dhe mënyra se si këto materiale kanë përfunduar në posedimin e tij mbeten çështje të hetimit dhe nuk janë provuar ende përfundimisht në gjykatë.

Gjykata e Posaçme ka vendosur një masë sigurie që ndalon publikimin e akteve të dosjes hetimore ndaj Vlora Hysenit. Megjithatë, pyetje të rëndësishme mbeten ende pa përgjigje edhe për ngjitjen meteorike të Ergys Agasit – nga inspektor mjedisi në biznesmen me pasuri të mëdha dhe, sipas SPAK-ut, në drejtues të dyshuar të një grupi të strukturuar kriminal. Të dhënat e bëra publike deri tani sugjerojnë se ndikimi i tij kishte depërtuar deri në nivelet më të larta të politikës dhe institucioneve të sigurisë, një tjetër dëshmi e brishtësisë së shtetit shqiptar përballë korrupsionit dhe depërtimit të krimit të organizuar./ Reporter.al/

“Steinmeier dhe Macron, dy evropianë në prag të lamtumirës”- DW: Partneriteti franko-gjerman ka nevojë urgjente për impulse dhe ide të reja

Presidentët Frank-Walter Steinmeier dhe Emmanuel Macron po i afrohen fundit të mandateve të tyre. Takimi i tyre në Francë tregoi qartë se partneriteti franko-gjerman ka nevojë urgjente për impulse dhe ide të reja.

Delegacioni gjerman nuk pa asgjë nga grevat e nxënësve në rrugët e Parisit. Autokolonat e tyre kaluan pa pengesa nëpër kryeqytetin francez. Ndërkohë, rreth Harkut të Triumfit dhe Champs-Élysées qarkullimi ishte bllokuar për orë të tëra. Për shkak të vizitës së nivelit të lartë, rrugët ishin mbyllur në një zonë të gjerë.

Presidenti francez Emmanuel Macron kishte zgjedhur një gjest të veçantë. Nderimet ushtarake për mysafirin gjerman, presidentin Frank-Walter Steinmeier, u zhvilluan këtë herë nën Harkun e Triumfit. Kështu, herët në mëngjes, himni gjerman u dëgjua në zemër të Parisit, nën rrezet e diellit dhe në temperatura të ulëta.

Shumë pyetje, pak përgjigje
Ishte një gjest solemn, plot miqësi dhe simbolikë, por njëkohësisht dukej sikur vinte nga një epokë e largët. Në të dy vendet, forcat populiste në skajet e spektrit politik po fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje. Në Gjermani, AfD-ja renditet në vendin e parë në sondazhet kombëtare. Në Francë, pas Emmanuel Macron mund të vijë Jean-Luc Mélenchon nga e majta ose Marine Le Pen nga e djathta ekstreme.

Kësaj i shtohet edhe një krizë ekonomike që kërcënon mirëqenien. Çështjet e pazgjidhura të drejtësisë sociale po i nxjerrin brezat e rinj në protesta. Macron theksoi në Paris se rrjetet sociale po shndërrohen gjithnjë e më shumë në instrumente të dezinformimit dhe po nxisin dyshime ndaj demokracisë.

Ndërsa AfD-ja mund të formojë së shpejti qeverinë e parë në një land gjerman, presidenti Steinmeier mbetet optimist. Ai deklaroi se Gjermania do të vazhdojë të luajë një rol mbështetës dhe udhëheqës në Evropë dhe se gjermanët do të mbeten evropianë të mirë. Megjithatë, ai nuk shpjegoi se mbi çfarë e bazonte këtë bindje. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Pallatin Élysée nuk u lejuan pyetje nga gazetarët.

E ardhme pa plan
Politologu Jacob Ross nuk habitet nga kjo situatë. Sipas tij, si Macron ashtu edhe Steinmeier nuk kanë një program të qartë për Gjermaninë, Francën dhe Evropën. Ata përfaqësojnë sisteme politike që po përpiqen t’u përgjigjen krizave të shekullit XXI me receta të shekullit XX.

Edhe pse të dy kanë stile të ndryshme politike, Ross sheh ngjashmëri, veçanërisht aty ku politikat e tyre kanë dështuar. Një shembull është qasja ndaj Rusisë. Për një kohë të gjatë, të dy mbështetën një politikë që synonte integrimin e Rusisë në Evropë, por ngjarjet e vitit 2022 i detyruan të ndryshonin kurs. Që atëherë, sipas Ross, të dy kanë vepruar kryesisht në mënyrë reaktive.

Pak mbështetje për idetë e Macronit
Ross vlerëson se Macron ka bërë disa propozime të guximshme për Evropën, por pa mbështetjen e Berlinit. Për shumë vite, elitat politike gjermane janë përgjigjur me rezervë ndaj iniciativave që vinin nga Parisi, pa paraqitur vetë alternativa konkrete.

Një nismë e përbashkët që Franca dhe Gjermania promovuan së fundmi në Komisionin Evropian synon luftimin e konkurrencës së pandershme. Shtetet që përfitojnë avantazhe përmes praktikave të padrejta duhet të përballen me masa të rrepta evropiane. Edhe pse Kina nuk u përmend drejtpërdrejt, nisma synon kryesisht atë. Pekini subvencionon masivisht kompanitë e veta, produktet e të cilave po mbushin tregun evropian, ndërsa firmat evropiane ende përballen me pengesa për hyrjen në tregun kinez.

Bashkëpunim i vështirë në mbrojtje
Gjermania dhe Franca prej kohësh dëshirojnë më shumë bashkëpunim edhe në fushën e mbrojtjes. Megjithatë, projektet e mëdha të përbashkëta të armatimit po ecin me vështirësi.

Kur projekti i avionit luftarak FCAS dështoi në qershor, të dy palët theksuan se bashkëpunimi do të vazhdonte në projektin e tankut të së ardhmes MGCS. Por pikërisht gjatë vizitës shtetërore u shfaqën mosmarrëveshje.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm francez, Fabien Mandon, deklaroi në Asamblenë Kombëtare franceze se Gjermania kishte vendosur të tërhiqej nga projekti i tankut. Një ditë më vonë ai sqaroi se ishte shprehur në mënyrë të paqartë. Megjithatë, sipas vëzhguesve, ky “keqkuptim” pasqyron pakënaqësinë që ekziston në të dyja palët për bashkëpunimin dypalësh.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e kundërshtoi fuqishëm këtë interpretim. Ai deklaroi se projekti MGCS nuk është ndërprerë dhe përkundrazi mbetet një projekt kyç i bashkëpunimit franko-gjerman në sistemet tokësore. Projekti përfshin veçanërisht përpunimin dixhital të informacionit në fushën e betejës, si dhe sistemet pa pilot dhe të automatizuara. Prandaj, bashkëpunimi do të vazhdojë.

Një vështrim drejt së ardhmes përmes mbrojtjes dhe hapësirës
Të premten (10.10.2026), presidentët e Francës dhe Gjermanisë vizituan disa institucione pranë Bordosë, të lidhura ngushtë me sektorin hapësinor dhe me parandalimin bërthamor. Midis tyre ishte edhe ArianeGroup, një kompani franko-gjermane që prodhon raketat M51 të afta për të mbajtur armë bërthamore për nëndetëset franceze. Në program ishin përfshirë gjithashtu edhe kompani startup që fokusohen në teknologjitë e së ardhmes.

Thuhet jozyrtarisht se ky fokus ishte një dëshirë personale e Macronit. Presidenti francez ka folur prej kohësh për një “dimension evropian” të parandalimit bërthamor francez. Duke parë njoftimet amerikane për zvogëlimin e angazhimit të tyre në Evropë, idetë e tij po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje.

Që në vitin 2020, Macron propozoi një “dialog strategjik” mbi rolin e armëve bërthamore franceze në sigurinë evropiane. Sot disa vende, përfshirë Gjermaninë, tregojnë interes për këtë ide. Diskutimet aktuale përqendrohen tek ajo që Macron e ka quajtur “parandalim i avancuar”, që mund të përfshijë stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe vizita në vende strategjike.

Megjithatë, vendosja e përhershme e armëve bërthamore franceze në vende të tjera nuk është në diskutim. Sipas doktrinës bërthamore franceze, Franca ruan gjithmonë të drejtën ekskluzive për të vendosur mbi përdorimin e armëve të saj bërthamore.

Një lamtumirë e përbashkët
Të premten pasdite përfundoi vizita dyditore shtetërore e Steinmeierit në Francë. Deri tani janë ndjerë pak impulse të reja për marrëdhëniet franko-gjermane. Kjo e bën edhe më urgjente që pasuesit e dy presidentëve të zhvillojnë një vizion të përbashkët për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Macron dhe Steinmeier do të largohen pothuajse njëkohësisht nga postet e tyre në vitin 2027, pas dhjetë vjetësh në detyrë. Në këtë kuptim, vizita shtetërore në Francë ishte gjithashtu një nga takimet e tyre të fundit të përbashkëta, nën hijen e një lamtumire të afërt./DW

Profesori amerikan Daniel Serwer komenton ligjin për Specialen: BE-ja të vlerësojë ndryshimet, kompromisi për Presidenten ishte pozitiv

Profesori amerikan Daniel Serwer ka komentuar ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke ia lënë Bashkimit Evropian vlerësimin nëse dispozitat e reja janë në përputhje me detyrimet e Kosovës dhe me synimin për të cilin u krijua Gjykata Speciale. Në një përgjigje për Gazetën Express, Serwer tha se Brukseli duhet të shqyrtojë nëse ndryshimet ligjore garantojnë përmbushjen e misionit kryesor të gjykatës, që lidhet me vënien para përgjegjësisë të personave të dyshuar për krimet e përmendura në raportin e Dick Martyt.

Ndryshimet në ligj u miratuan më 6 tetor, pas vendimit të gjykatës në Hagë për dënimin me gjithsej 81 vjet burgim të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërhyrjet ligjore prekin disa aspekte të funksionimit të Dhomave të Specializuara, përfshirë juridiksionin, dënimet dhe procedurat. I pyetur nëse këto ndryshime mund të ndikojnë në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Serwer theksoi se vlerësimi i përket vetë institucioneve evropiane. Sipas tij, janë kriteret e përcaktuara nga BE-ja ato që do të përcaktojnë nëse legjislacioni i ri përbën problem për procesin e integrimit.

Profesori amerikan vlerësoi se qëllimi i ligjit të miratuar nga Kuvendi është që Gjykata Speciale të funksionojë më pranë asaj që, sipas tij, ishte kuptimi i përgjithshëm i mandatit të saj në momentin e krijimit. Megjithatë, ai vuri në dukje se Kosova nuk ka mundësi ta zbatojë vetë këtë legjislacion.

Bashkimi Evropian ka shprehur kundërshtime ndaj ndryshimeve, duke argumentuar se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Në reagimin e tij, Unioni ka kërkuar respektimin e plotë të mandatit dhe pavarësisë së Dhomave të Specializuara, të cilat janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe të sanksionuara në Kushtetutë. BE-ja ka theksuar gjithashtu se puna e gjykatës bazohet në parimin e përgjegjësisë penale individuale dhe ka kërkuar nga autoritetet kosovare të respektojnë detyrimet që garantojnë pavarësinë gjyqësore, llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet.

Shkëlqimi dhe rënia e shokut Vullnet Sinaj

 

Nga Boldnews.al

Nëse fjala burrë do të matej me pasuri padyshim që ai do ishte një “Big burrë”, por ajo që ndodhi në Parlament ishte përçudnimim i plotë. Ai u kishte premtuar zgjedhësve se Bashkia Selenicë nuk do të shkrihej, por deputeti “shkriu edhe dinjitetin” personal, bashkë me një zonë të tërë që po shpopullohet gjithnjë e më shumë. Në takimet me banorë, por edhe qëndrime publike, deputeti i PS-së Vullnet Sinaj deklarohej hapur kundër Hartës së re Territoriale dhe veçanërisht shkrirjes së Bashkisë Selenicë, duke iu bashkangjitur Vlorës.

Për shumë arsye apo për vetëm një të tillë, Vullneti përbetohej se vota e tij do ishte kundër dhe nuk do të tradhtonte kurrë zgjedhësit e tij, kryesisht atë që njihet si zona e Lumit të Vlorës. Si bir i asaj krahine ai kishte mësuar historinë e të parëve trima që kanë lënë shenjë në periudhat më të rëndësishme të vendit, nga koha e Perandorisë Osmane e më pas.

Po Vullneti u thirr në një betejë pa armiq, por me një “armë” të fortë siç ishte vota. Në mbledhjen e grupit Parlamentar të mbajtur një ditë para votimit, deputeti Sinaj dhe Braçe shprehën votën kundër, duke u trimëruar me kryetarin Balla. Një ditë më pas… Vullneti ndryshoi.

Para kërcënimit të hapur të kryeministrit Rama se do të përjashtonte nga grupi këdo që dilte kundër, Vullnet Sinaj u gjunjëzua, madje duhet edhe të mbante fjalim për të deklaruar votën pro. Ai është për herë të dytë deputet i zgjedhur i kuvendit të Shqipërisë ku në fundin e madatit të kaluar u vetëtrimërua pasi ia hodhi lehtë ndonëse ishte plotësisht në kushte të ngjashme si në rastin e ish-deputetit të PS-së Koço Kokëdhima që Gjykata Kushtetuese i ndërpreu mandatin.

Për njeriun që e mban veten për “Big burrë”, do mbetet i paharruar imazhi i mëngjesit së të premtes së 9 tetorit… I fshehur në fund të sallës votoi pro ndryshimit të hartës së re territoriale ku nga 61 bashki vendi bëhet me 46, ku ndër 9 të shkrirat është edhe Selenica.

Po ashtu tymi i një cigareje të ndezur brenda në sallë ishte domethënia më e saktë sesi me vullnet apo pa vullnet edhe Vullneti u traujtua thjesht si karton. Me këtë që bëri ka përdhosur emrin e paraardhësve të tij në zonën e Lumit të Vlorës.

Kemi njerëzit e politikës, të cilët nuk janë pasuruar më punë, dhe shumicën që po mbijetojnë. Nuk  është çudi që të rinjtë po ikin- Nga Skënder MULLIQI

 
—-Dhe kur vetëm  pak më mirë shikojmë, rrenacakët  dhe të pa moralet politik po kalojnë shkëlqyeshëm .Këta “zotërinj”  si duket nuk  kan kufij…
 Nuk do të shkruaj kësaj radhe shumë se si erdhi deri të zgjedhja e presidentës të shtetit dhe ligjit për zhvlerësimin apo kontrollimin e Gjykatës Speciale.Sigurisht së kemi shumë autor që kan shkruar mjaftë  për këtë punë, e cila u krye në një gjendje të them të jashtëzakonshme , më  një shpejtësi në gjysëm të natës, pas një maratone ditore.Mirë është bërë për vendin tek e fundit që janë zgjedhur organet, por mbetet shënja jo e mirë e shpejtësisë të një ndodhie të tillë.Ditët, muajit dhe vitët në vazhdim do të tregojnë në suksesin apo mos suksesin e Qeverisë dhe Presidencës, të cilët I presin  punë   të zorshme të kryhen…
Të nderuar lexues temë e këtij shkrimi më shumë do të jetë , se si njerëzit e definojnë pushtetin dhe shtetin, fuqinë politike, dhe shumë çka tjetër.Thënë të drejtën mua më vjen turp për veprimit e tyre të deritashme politike, të cilat shumë i dëmtuan proceset.Pa asnjë ndjeshmëri  shikuan së si të shpëtojnë prapanicat e tyre për pushtet dhe të mira materjale, duke lënë anash kështu interesin e përgjithshem.Kjo tregon së para ligjit nuk jemi të gjithë të njejtë.Ka shëmbuj të shumtë të kësaj që po  e thëm.Dikush nga njerëzit e thjeshtë  dënohet për diqka shumë të vogël, kurse ata që më vite të tëra po vjedhin më miliona shtetin as që po I merr dikush në pyetje!Kjo është zezon më të cilën u përballëm dhe ende po përballemi.Në jetën time nuk kam ndëgjuar dhe pa budallakina dhe cirkuzantë të tillë të skenës aktuale politike në Kuvend dhe jashtë tij .Mua po më vjen turp kur po I ndëgjojë në paraqitjët e tyre publike .Se si i zgjodhem këta përfaqësues të popullit, kur shumica prej tyre janë pa  integritet  përsonal dhe pa moral politik? Kur kemi njerëz të tillë për një kohë të gjatë në vëndimarrje politike , nuk është qudi pse të rinjët masivisht po largohen nga vendi.E ku po mbetën kategoritë tjera të cilat mëzi po mbijetojnë më këtë kosto të lartë të jetës? Kanë mbetur në mëshirën e kohës.Thjeshtë  nuk po iu intereson së si po jetojnë njerëzit?Po mendojnë se populli është mendjelehtë ,që tu  bësojnë rrenave të tyre.Ata kanë një shkëlqim të rrem.Na mbetet të shohim pas formimit të organeve të reja të shtetit, së sa do të avansohen proceset e ngecura.Qytetarët kan të drejtën e tyre për një jetë më të mirë, kurse Kosova si shtet ,  ka të drejtën të bëhët pjesë e Evropës së Bashkuar.A do të jenë në gjendje këta politikanë , ti shohin qytetarët në sy  shumë shpejtë do të tregojë koha.Mjaftë gjatë I fajësuan të tjerët për dështimet e mëdha të tyre .Të jësh “njeri”, për dikend është diqka e huaj.Kur po i shohim disa njerëz  në politikbërje, thënë të vërtetën më shumë po i duam shtazët, sepse e meritojnë…!

BIRN: Shqipëria, e papërgatitur për një ndryshim të rregullave të lojës nga BE

Komisioni Europian prezantoi më 6 tetor një paketë të re orientimesh politike të quajtur “Përgatitja për një Union më të gjerë” – e cila synon që ta përshtatë qeverisjen, politikat dhe buxhetin e BE-së për zgjerimin e ardhshëm.

Paketa ofron gjithashtu mundësinë e integrimit gradual të vendeve kandidate në politika të caktuara të BE-së, përpara anëtarësimit të plotë, për të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët. Megjithatë, vendet duhet të plotësojnë kriteret e kërkuara nga Brukseli.

Për të thjeshtuar dhe përshpejtuar procesin, dokumenti sugjeron përdorimin e votimit me shumicë të cilësuar për hapjen e grup-kapitujve negociues, duke synuar shmangien e vetove nga vende anëtare. Por lehtësia në vendimmarrje shoqërohet me vendosjen e klauzolave të forta mbrojtëse pas anëtarësimit, të cilat mund të çojnë deri në pezullimin e së drejtës së votës në Këshill për shkelje serioze të vlerave të BE-së – një mekanizëm që do të mbetet në fuqi për 15 vjet pas pranimit.

Propozimi në letër duket se e lehtëson rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit, duke i dhënë akses të hershëm në përfitime si pagesat SEPA apo zonat pa tarifa roaming. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se thelbi i propozimit e gjen vendin thellësisht të papërgatitur.

Një nga pikëtat e dobëta është ekonomia e brishtë shqiptare, e cila rrezikon të goditet ashpër nga konkurrenca e parakohshme e tregut të përbashkët, nëse nuk merren masa mbrojtëse. Ndërkohë, dobësitë në kapacitetet audituese dhe korrupsioni e ekspozojnë vendin ndaj bllokimit të shpejtë të fondeve jetike.

Ngritja e mekanizmave kaq të gjatë mbikëqyrës pas anëtarësimit sinjalizon një mungesë të thellë besimi nga Brukseli, duke krijuar atë që analistët e shohin si rrezikun e një anëtarësimi periferik, me të drejta të cunguara.

“Në thelb përbën ndryshimin e rregullave të lojës që nga 1956,” thotë studiuesi Blendi Çeka. “Nëse nuk jemi anëtarë të plotë, pranojmë statusin e periferisë, pa zë, pa të drejta të barabarta,” shtoi ai.

Propozimi për heqjen e vetos

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian përfaqësojnë një nga rrugëtimet më të gjata të vendit pas rënies së sistemit komunist në fillim të viteve ’90. Në vitin 1992, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Tregtisë dhe Bashkëpunimit me Komunitetin Evropian, por u deshën 14 vjet që vendi të nënshkruante Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Pavarësisht aplikimit të hershëm, krizat e njëpasnjëshme politike të brendshme bënë që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat vetëm në qershor të vitit 2014, duke humbur ritmin. Sipas metodologjisë së re për anëtarësim të miratuar në mars 2020, procesi zhvillohet i grupuar në gjashtë grup-kapituj të njohur si “Clusters”.

Shqipëria i ka hapur grup-kapitujt më 15 tetor 2024, me një synim ambicioz për t’i mbyllur të gjithë deri në fund të vitit 2027. Synimi i qeverisë Rama mbetet anëtarësimi i plotë në vitin 2030.

Për t’i dhënë një kornizë të qartë këtij procesi, Komisioni Europian planifikon të prezantojë në Paketën e Zgjerimit të vitit 2026 “udhërrëfyes tregues” specifikë për vendet më të avancuara si Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia, të cilat do të shërbejnë si busull negocimi, me kushtin strikt që këto vende të ruajnë ritmin e reformave. Megjithatë, siç theksojnë ekspertët, “thembra e Akilit” e këtij kalvari mbetet grup-kapitulli i parë, i cili ka të bëjë drejtpërdrejt me sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe institucionet demokratike. Ky grup-kapitull hapet i pari dhe mbyllet domosdoshmërisht i fundit, duke diktuar të gjithë ritmin e procesit.

Propozimi i Komisionit për të zëvendësuar unanimitetin me votimin me shumicë të cilësuar për vendimet ndërmjetëse në negociata, siç është hapja e grup-kapitujve, është parë si lëvizja kryesore diplomatike për të hequr veton si mjet bllokimi dypalësh. Por përtej entuziazmit sipërfaqësor, ekspertët janë skeptikë.

Eksperti i integrimit Europian, Geron Kamberi e quan këtë nismë një paradoks logjik, pasi: “që të hiqet unanimiteti në BE duhet të ketë unanimitet”. Sipas tij, vetoja u ka shërbyer shteteve të vogla apo të mesme që të ndjehen të barabarta brenda unionit dhe të ruajnë një peshë politike për të ekuilibruar pafuqinë e tyre përballë shteteve të mëdha.

Edhe Blendi Ceka ndan të njëjtin skepticizëm, duke e vlerësuar si një vendim që vështirë se mund të kalojë në Këshillin Europian, pasi shtetet anëtare i druhen “krijimit të një precedenti” dhe e shohin heqjen e vetos si lëvizje dizintegruese.

“Shtetet anëtare për arsye konceptuale dhe frikës së krijimit të një precedenti nuk besoj se heqin dorë nga unanimiteti,” thotë ai.

Sidoqoftë, për Gledis Gjipalin, drejtues i European Movement in Albania, nëse kjo kthehet në realitet, rëndësia është thelbësore.

“Për Shqipërinë, megjithëse i ka hapur të gjithë grupkapitujt, kjo qasje është e rëndësishme për mbylljen e tyre. Po ashtu do të eliminojë çdo justifikim për ngadalësim të reformave të brendshme, nga shkaku i një vetoje të mundshme gjatë procesit,” tha Gjipali.

Frika e BE-së

Plani i ri i Komisionit balancon heqjen e vetos gjatë negociatave me një kordon sigurie të hekurt pas anëtarësimit, duke parashikuar klauzola mbrojtëse institucionale që shkojnë deri në pezullimin e të drejtës së votës në Këshill për një periudhë deri në 15 vjet pas anëtarësimit zyrtar, në rast të shkeljes së vlerave thelbësore të Bashkimit.

Për analistin Blendi Ceka, ky kushtëzim i pashembullt i së drejtës së votës provon se vendimi “është tërësisht politik” dhe se shtetet pretendente do të vendosen në provë.

“Mospasja e së drejtës së votës i trajton vendet pretendente si statusi aktual kombinuar me rritjen e aksesit për të përfituar financiarisht në disa sektorë,” thotë ai.

Kamberi kujton se kjo “sindromë e hershme e BE” është testuar në të kaluarën me Rumaninë dhe Bullgarinë për probleme të sundimit të ligjit dhe korrupsionit, për 15 vjet radhazi 2008-2023.

Edhe Gjipali mendon se kjo klauzolë pasqyron frikën e drejtpërdrejtë të Brukselit, të cilit pas anëtarësimit i mbarojnë instrumentet shtrënguese.

“Klauzola shpreh frikën e BE-së nga përsëritja e një rasti si ai i Hungarisë me vendet e reja anëtare,” vëren ai, duke shpjeguar se reformat e ndërmarra me shpejtësi shpesh kërkojnë vite për të prodhuar efektet e plota.

Por Gjipali shton gjithashtu se aktivizimi i mekanizmit 15- vjeçar nuk nënkupton pezullim automatik të votës për 15 vjet, por ofron garanci shtesë për shtetet skeptike të zgjerimit.

“Shqetësimi legjitim është që ato të jenë proporcionale, të bazuara në fakte dhe të mos krijojnë trajtim arbitrar të anëtarëve të rinj, pa pasur parasysh specifikat e zhvillimit të tyre të brendshëm,” thotë Gjipali.

Kushtëzimet e ashpra shtrihen edhe në anën financiare dhe ekonomike. Plani evropian parashikon që fondet e instrumentit “Global Europe” të lidhen pazgjidhshmërisht me zbatimin e reformave, ku pagesat mund të pezullohen “nëse vërehen defekte serioze në menaxhimin financiar” dhe mangësi në sundimin e ligjit.

Gjipali thekson se ndërsa SEPA dhe roaming-u sjellin ulje direkte të kostove për qytetarët, hapja e tregut rrit konkurrencën dhe do të jenë “bizneset e vogla, fermerët dhe profesionistët që do të përballojnë të parët kostot e përshtatjes”.

Ceka është më drastik në leximin e tij.

Ai thekson se Shqipëria “nuk është gati në pothuajse asnjë standard të ballafaqohet me tregun e përbashkët dhe konkurrencën”.

Nëse miratohet, qasja e re e Bashkimit Europian duket sikur i favorizon vendet kandidate, por mbetet gjithsesi një medalje me dy anë.

“Ndryshimi mund të të kthejë në pikën fillestare të procesit nëse nuk ke arritur ta shfrytëzosh si duhet këtë moment të favorshëm,” thotë Gjipali, ndërsa shton se ndryshimi vjen vetëm përmes reformave të vërteta dhe të qëndrueshme./BIRN/

Shqipëria në planin rajonal për rikthimin e pyjeve, në fokus Alpet dhe pellgu i Drinit

Shqipëria përfshihet në një plan rajonal për rimëkëmbjen e pyjeve dhe zonave të lidhura me to, që synon të ulë rreziqet nga zjarret, përmbytjet dhe erozioni. Dokumenti veçon Alpet Shqiptare dhe pellgun e Drinit si hapësira ku bashkëpunimi me vendet fqinje mund të mbështesë mbrojtjen e natyrës dhe parandalimin e dëmeve.

Sipas “Planit për Restaurimin e Peizazheve Pyjore të Gjashtë Vendeve të Ballkanit Perëndimor”, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian, ndërhyrjet në më shumë se 50 zona prioritare ndërkufitare, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 725 mijë hektarësh, vlerësohet të kërkojnë nga 1,48 deri në 2,14 miliardë euro deri në vitin 2050.

Plani përfshin Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Ai lidhet me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe parashikon nisjen e aktiviteteve të restaurimit në vitin 2028.

Dokumenti i trajton pyjet së bashku me lumenjtë, tokat bujqësore, kullotat, ligatinat dhe vendbanimet, pasi gjendja e secilit prej këtyre elementeve ndikon te të tjerët.

Rimëkëmbja e pyjeve në shpatet e degraduara, për shembull, mund të ngadalësojë rrjedhjen e ujit pas reshjeve dhe të pakësojë gërryerjen e tokës. Rikthimi i bimësisë përgjatë lumenjve ndihmon në stabilizimin e brigjeve, ndërsa ligatinat dhe zonat që përmbyten natyrshëm mund të mbajnë një pjesë të ujit gjatë reshjeve të forta.

Për Shqipërinë, një nga shembujt më të drejtpërdrejtë në raport është pellgu i Drinit, i përbashkët me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Dokumenti e paraqet nismën për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet në këtë pellg si një model bashkëpunimi që mund të përdoret edhe për restaurimin e pyjeve.

Në vitin 2025 kjo nismë prodhoi strategjinë dhe planin e parë rajonal të veprimit për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet, të mbështetur në zgjidhje që përdorin funksionet mbrojtëse të natyrës. Ndër masat përmenden pyllëzimi përgjatë lumenjve dhe rimëkëmbja e zonave ujëmbledhëse.

Plani propozon që ndërhyrjet në pjesët e sipërme të pellgjeve të koordinohen me masat në rrjedhën e poshtme. Kjo do të thotë që restaurimi i një zone pyjore në një vend të marrë parasysh edhe ndikimin mbi përmbytjet dhe cilësinë e ujit në vendin fqinj.

Alpet Shqiptare, hapësirë për bashkëpunim ndërkufitar

Alpet Shqiptare përmenden si një tjetër shembull ku nismat për mbrojtjen e specieve mund të shërbejnë si pikënisje për restaurimin më të gjerë të ekosistemeve.

Synimi më i gjerë është të përmirësohet gjendja e pyjeve dhe të ruhen lidhjet mes habitateve, në mënyrë që kafshët dhe bimët të mos mbeten të izoluara në zona të shkëputura nga njëra-tjetra.

Një nga problemet kryesore që evidenton raporti është ndarja e përgjegjësive për të njëjtin territor mes institucioneve të pyjeve, mjedisit, bujqësisë, ujërave dhe planifikimit të territorit.

Për Shqipërinë, dokumenti i referohet Strategjisë së Pyjeve, e cila identifikon nevojën për struktura ndërinstitucionale për planifikimin e integruar të territorit. Raporti e paraqet këtë si një reformë që ende duhet të realizohet.

Në nivel rajonal, pengesat përfshijnë të dhëna të papërditësuara ose të papajtueshme mes institucioneve, financim të paqëndrueshëm dhe përfshirje të pamjaftueshme të komuniteteve lokale.

Gjithashtu zjarret, thatësirat dhe erozioni trajtohen si rreziqe të lidhura me njëri-tjetrin. Humbja e bimësisë pas një zjarri mund t’i lërë shpatet më të ekspozuara ndaj reshjeve dhe të përshpejtojë humbjen e tokës.

Për zonat me rrezik të lartë, plani parashikon hartëzimin e ekspozimit ndaj zjarreve gjatë viteve 2028–2029 dhe testimin e masave parandaluese e restauruese gjatë viteve 2029–2035.

Ndërhyrjet përfshijnë rigjenerimin natyror të asistuar, ripyllëzimin me specie vendase të përshtatshme për klimën dhe përmirësimin e strukturës së pyjeve të degraduara. Propozohen gjithashtu breza që kufizojnë përhapjen e zjarrit dhe procedura për vlerësimin e rimëkëmbjen e zonave të djegura.

Raporti vlerëson se pengesa kryesore për sigurimin e financimit është aftësia e institucioneve për të përgatitur projekte cilësore dhe për të përdorur fondet e disponueshme.

Për të gjithë rajonin, objektivi fillestar është mobilizimi i të paktën 25 milionë eurove deri në vitin 2030, me kontribute nga të paktën dy kategori burimesh financimi. Kjo shumë përfaqëson vetëm rreth 1% të vlerësimit qendror të kostos së restaurimit dhe trajtohet si një hap për ngritjen e një sistemi të qëndrueshëm financimi.

Dokumenti propozon kombinimin e fondeve publike vendase me instrumentet europiane, financimin ndërkombëtar për klimën dhe biodiversitetin, si dhe pjesëmarrjen e sektorit privat. Për Shqipërinë, ai përmend asistencën teknike të Agjencisë Franceze të Zhvillimit për buxhetimin e gjelbër dhe përfshirjen e klimës në vendimmarrjen për investimet publike si një përvojë të dobishme.

Kosto totale prej 1,48–2,14 miliardë nuk përfshin të gjitha nevojat për restaurim të gjashtë vendeve. Ajo mbulon zonat prioritare ndërkufitare, investimet fillestare dhe mirëmbajtjen e hershme, ndërsa financimi i përhershëm për mirëmbajtjen afatgjatë duhet të sigurohet veçmas.

Deri në vitin 2032, plani synon që të paktën një zonë prioritare ndërkufitare të tregojë përmirësim të matshëm në gjendjen dhe lidhjen mes ekosistemeve pyjore. Objektivi për të gjitha zonat prioritare shtrihet deri në vitin 2050./Monitor

ISSH dhe Patronato INCA forcojnë bashkëpunimin për shërbime më pranë qytetarëve

🤝 ISSH dhe Patronato INCA forcojnë bashkëpunimin për shërbime më pranë qytetarëve

Sot, më 8 tetor 2026, Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe Patronato INCA nënshkruan një Protokoll Bashkëpunimi, me fokus forcimin e asistencës, informimit dhe orientimit të qytetarëve në fushën e sigurimeve shoqërore.

Protokolli u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado, dhe përfaqësuesi i Patronato INCA, z. Giuseppe Peri.

🇦🇱 🇮🇹 Bashkëpunimi synon të lehtësojë aksesin në informacion dhe shërbime, veçanërisht për shtetasit shqiptarë me përvojë pune dhe migrimi në Itali, si dhe për shtetasit italianë që jetojnë në Shqipëri.

Në fokus janë:

🔹 asistenca për pensionet dhe përfitimet e sigurimeve shoqërore;

🔹 informimi mbi të drejtat dhe procedurat në Shqipëri dhe Itali;

🔹 promovimi i sigurimit vullnetar;

🔹 asistenca për shërbimet dhe aplikimet online;

🔹 shkëmbimi i informacionit dhe organizimi i aktiviteteve informuese e trajnuese.

Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm drejt shërbimeve më të aksesueshme, më efikase dhe më pranë qytetarëve.

Thellohet përplasja Balluku – TCH- ‘Fiks Fare’ nxjerr dëshminë: Të fortët më kërcënuan

Tashmë është e hapur përplasja mes ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe Top Channel. Pas emisionit të parë të “Fiks Fare” ku ish-numri 2 i qeverisë akuzohej se ushtronte ende influencat e saj në ministri edhe pas shkarkimit, Balluku e akuzoi televizionin kombëtar si “gjobëvënës”. “Fiks fare i është kthtyer sërish kësaj çështjeje.

Mbrëmjen e së mërkurës “Fiks Fare” ka sjellë dëshminë me zë dhe figurë të babait të Mirzeta Kashnicës, punonjëses në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është kërcënuar me jetë, pas bashkëpunimit me Prokurorinë e Posaçme për dosjen ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.

Para gazetarëve të emisionit investigativ, Zaim Krasniqi (alias Dhimitër Kashnica), babai i Mirzetës, e cila është marrë e pandehur në të njëjtën dosje me ish-ministren, tregon kalvarin e gjatë të së bijës, kërcënimet me jetë si dhe vetëvrasjen e bashkëshortit të punonjëses.

Historia fillon me një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore të viteve të fundit, tunelin e Llogorasë, pjesë e aksit rrugor Orikum-Himarë, në autostradën Vlorë-Sarandë. Por përpara se të bëhej realitet, projekti kaloi në dy procedura tenderimi. Tenderi i parë u hap më 11 dhjetor 2020, me një fond limit prej rreth 19.1 miliardë lekësh. Në garë morën pjesë 6 operatorë ekonomikë, por procedura u anulua në prill 2021, me argumentin se asnjë ofertë nuk ishte në përputhje me dokumentet e tenderit.

Mes ofertave ishte edhe ajo e kompanisë “Gjoka Konstruksion”, rreth 140 milionë euro, e cila rezultonte oferta më e ulët. Vetëm pak muaj më vonë, më 22 qershor 2021, tenderi u rihap. Këtë herë fondi limit ishte rreth 18.9 miliardë lekë pa TVSH. Në garë u paraqitën 5 oferta dhe fitues u shpall bashkimi i kompanive turke “Intekar” dhe “ASL”, me një ofertë rreth 170 milionë euro pa TVSH. Pikërisht kjo procedurë është sot objekt i hetimit të SPAK.

Sipas SPAK, zonja Belinda Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar procedurën nga faza përgatitore deri te lidhja e kontratës. Ndërsa pesë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave ishin Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica. Të gjithë janë marrë të pandehur për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim. SPAK pretendon se fituesi ishte paracaktuar dhe se kompanisë fituese iu krijuan avantazhe dhe privilegje të padrejta.

Por, në këtë histori, ka edhe një tjetër element. Mirzeta Kashnica, një prej anëtarëve të komisionit, në dëshminë e saj për SPAK ka deklaruar se në procedurën e parë ajo vlerësonte se “Gjoka Konstruksion” i përmbushte kriteret dhe duhej të shpallej fituese. Ajo ka deklaruar gjithashtu se më pas është vënë nën presion për qëndrimin e saj dhe për firmosjen e dokumenteve. Këto janë pretendime të pasqyruara në dëshminë e saj dhe do të duhet të vlerësohen nga drejtësia.

Por përtej dosjes dhe dokumenteve, grupi i Fiks Fare vendosi të shkojë te njerëzit që e njohin më nga afër Mirzeta Kashnicën. Te familja e saj. Dhe aty, babai i saj, u rrëfeu gazetarëve të emisionit investigativ një tjetër histori, atë të presioneve që, sipas tij, familja ka përjetuar.

“Ajo nuk firmosi për Zvërnecin, nuk firmosi për Llogoranë, nuk firmosi për Sazanin dhe për dy LOT-e sepse ishte shtatzëne. Çupën time tall ai që u hodh gjithandej në tiktok e televizor ‘e morën punonjësen e Ballukut, e ulën në karrige, i lidhën duart, i lidhën një tenije këtu (i referohet gojës) edhe i nxorën një thikë me pika gjaku’ – nëse i keni parë këto të Ramës” thotë babai.

Më tej shtoi se vajzën e ka me fatkeqësi të madhe. “Vjet i vrau veten burri! Ka dy fëmijë, djalë e vajzë. Burri ishte shofer i ministrit të Brendshëm, Bled Çuçit. Në atë moment ishin edhe këto problemet me Ballukun pasi ajo firmoste e vuloste çdo gjë” vijon ai. Më tej shton se Mirzeta nuk ka firmosur asnjë gjë, nuk pranonte as dhurata, asgjë. “Kur bëri unazën e tretë, kjo ishte te komisioni që do bëhej konkurrimi. Ishin tre veta që kishin hedhur unazën e tretë. Çupa ime një vit me tabelë me çantë nëpër shi e kontrollonte andej në Yzberisht. Kontrollonte komplet linjën ku do bëhej. Edhe thotë Rama ‘kush është kjo që do bëj këtë unazën, nga është ai që ka bërë unazën e tretë? Nga Fieri – O, provincial qenka?! Çupës sime i iku truri. Dhe ajo ja mbajti këtu (vathë në vesh)” thotë më tej ai.

Më pas tregon edhe momentin që vajza e tij ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Posaçme. “Tani që doli Rama të tallej me të në televizor, mori direkt kreun e Spakut në telefon: ‘Jam Mirzeta Krasniqi, dua të të takoj patjetër’. Kjo i vajti direkt brenda pa avokat fare. ‘Bjeri çik letrat këtu – i tha – më ka bere presion’. Por, deri në atë moment, çupa ime s’kishte pranuar asnjë gjë. Mendohu mirë – i tha kreu i SPAK-ut – se kjo që thua ti që më ka bërë presion Balluku, kjo është një akuzë që ne e marrim nga rruga atë dhe e fusim brenda atë. ‘Bjere letrën këtu! – i tha vajza – Mendohu mirë! Jam menduar’ – i tha ajo – ‘përderisa erdha këtu, e kam ndarë mendjen edhe për Ramën dhe për Ballukun’” shton ai.

Një rrëfim i sinqertë, nga një baba e familje që ka vuajtur shumë presionin mbi të bijën. “Edhe tani ka shumë, shumë presione. Çupa ime dhe sot e kësaj dite është në punë ajo dhe ka presione akoma. Ishte javën që shkoi dhe më tha mua ‘Si thua o babi, ta lë punën?! Si do e lësh punën’ – i thashë” pohon ai.

Bisedë mes gazetarëve të Fiks Fare dhe Zaim Krasniqit (alias Dhimitër Kashnica), babai i punonjëses së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Mirzeta Kashnica

Babai i Mirzetës – Vijnë çupat nga Tirana pasnesër. Nesër vjen një punëtore.

Fiksi – Pse i ke në Tiranë?

Babai i Mirzetës – Po në Tiranë, çupën e kam “Rama IK”.

Fiksi – Pse ku punon çupa jote?

Babai i Mirzetës – Në Kryeministri dhe vete edhe në protestë! Po nga vini juve, mos jeni të infiltruar?

Fiksi – Jo, ne na ra rruga këtej. Po goca mirë?

Babai i Mirzetës – Goca ime ka qenë e pandehura e Ballukut.

Fiksi – Ca thua?

Babai i Mirzetës – Po.

Fiksi – Po pse?

Babai i Mirzetës – Po atje ishte ajo shefe e zyrës. Te komisioni i ofertave.

Fiksi – E pandehur? Po si e kaloi?

Babai i Mirzetës – I ka ngjarë babait. Të tëre u dënuan, vetëm ajo doli e pafajshme. Ajo nuk firmosi për Zvërnecin, nuk firmosi për Llogoranë, nuk firmosi për Sazanin dhe për dy LOT-e sepse ishte shtatzëne ajo kur ishte loti I dhe loti II, nëse jeni në dijeni të këtyre çështjeve. Nuk pranoi dhe e tall Rama. Çupën time tall ai që u hodh gjithandej në tiktok e televizor ‘e morën punonjësen e Ballukut, e ulën në karrige, i lidhën duart, i lidhën një tenije këtu (i referohet gojës) edhe i nxorën një thikë me pika gjaku’ – nëse i keni parë këto të Ramës.

Fiksi – Po pse për vajzën tënde kanë qenë këto?

Babai i Mirzetës – Po për vajzën time!

Fiksi – Kanë ndodhur vërtet këto apo?

Babai i Mirzetës – Shiko, çupa ime është shumë e zgjuar dhe shumë e shkathët. Në atë vend s’e ka çuar as Berisha, as partia dhe as Rama. Ajo konkurroi me 40 veta dhe doli e para.

Babai i Mirzetës – Unazën e tretë të Tiranës çupa ime e ka bërë. Erdhi puna e thërritën atje. Unë i gjeta atë mikun tim, Saimir Vishaj, avokat. Shkoi 2-3 herë atje dhe erdhi puna u bë gjyqi. Ata u dënuan të tërë. Iu gjetën miliona nëpër shpi ose me arrest shtëpie kush paraqitej.

Babai i Mirzetës – E çupa ime shyqyr doli e pafajshme. Se çupen e kam me fatkeqësi të madhe unë.

Fiksi – Pse ça ka?

Babai i Mirzetës – Vjet i vrau veten burri! Ka dy fëmijë, djalë e vajzë. Burri ishte shofer i ministrit të Brendshëm, Bled Çuçit.

Fiksi – Po tani, kur vrau veten burri i vajzës, ishin këto probleme me Ballukun?

Babai i Mirzetës – Po, po, po ajo firmoste e vuloste çdo gjë. Po t’a kërkosh Mirzeta Kashnica… po t’a klikosh aty!

Fiksi – Po ka pasur presione vajza? Po si ka mundësi doli e pafajshme ajo?

Babai i Mirzetës – Po se ajo nuk firmosi asgjë, nuk pranonte as dhurata, asgjë. Bëj hesap ti, në kabinet janë vetëm 5 veta, nuk lejohet të hyjë asnjëri aty. ‘Kishte raste që dilja jashtë unë babi – tha (i referohet fjalëve të Mirzetës) – dhe kur hyja unë, ata pap – pap direkt bënin muhabete sporti, ndërronin muhabetin. Kur binte telefoni dilnin përjashta’.

Babai i Mirzetës – Ruheshin shumë nga mua se çupa ime është e djathte, nuk është  e majtë.

Babai i Mirzetës – Kemi qenë në dilemë të madhe shumë deri në momentin që prokuroria mbylli letrat, i çoi për gjykim dhe dha dënimet. Shpëtuam pastaj, u liruam, u qetësuam jashtë mase.

Fiksi – Paske kaluar hall të madh dhe me shtet.

Babai i Mirzetës – Me shtet, me shtet dhe dhëmb për dhemb. Kjo e mori inat Ramën.

Kur bëri unazën e tretë, kjo ishte te komisioni që do bëhej konkurrimi se kush do e fitoj. Ishin tre veta që kishin hedhur unazën e tretë. Çupa ime një vit me tabelë me çantë nëpër shi e kontrollonte andej në Yzberisht. Kontrollonte komplet linjën ku do bëhej. Edhe thotë Rama ‘kush është kjo që do bëj këtë unazën, nga është ai që ka bërë unazën e tretë? Nga Fieri – O, provincial qenka?! Çupës sime i iku truri. Dhe ajo ja mbajti këtu (vathë në vesh)

Babai i Mirzetës – Dhe tani që doli Rama që tallej me të në televizor, mori direkt kreun e Spakut në telefon: ‘Jam Mirzeta Krasniqi, dua të të takoj patjetër’. Kjo i vajti direkt brenda pa avokat fare. ‘Bjeri çik letrat këtu – i tha – më ka bere presion’. Por, deri në atë moment, çupa ime s’kishte pranuar asnjë gjë. Mendohu mirë – i tha kreu i SPAK-ut – se kjo që thua ti që më ka bërë presion Balluku, kjo është një akuzë që ne e marrim nga rruga atë dhe e fusim brenda atë. ‘Bjere letrën këtu! – i tha vajza – Mendohu mirë! Jam menduar’ – i tha ajo – ‘përderisa erdha këtu, e kam ndarë mendjen edhe për Ramën dhe për Ballukun’.

Fiksi – Me kë foli te SPAK-u ajo?

Babai i Mirzetës – Ishte Dumani dhe prokurori i çështjes. Ishte ky që i harrova emrin.

Babai i Mirzetës – Një të bërë denoncim ajo, është e vërtet ajo që thotë Rama, vajtën pastaj u kopsiten të tëra dosjet. Do hyjnë tani te Kushtetuesja. Kushtetuesja në Parlament, do t’i hiqet imuniteti dhe tek vendi (burgu).

Fiksi – Po ka pasur presione te mëdha?

Babai i Mirzetës – Shumë, shumë! Çupa ime dhe sot e kësaj dite është në punë ajo dhe ka presione akoma.

Babai i Mirzetës – Edhe ishte javën që shkoi dhe më tha mua ‘Si thua o babi, ta lë punën?! Si do e lësh punën’ – i thashë.

Fiksi – Po e fortë është që rri akoma në punë, duke pasur presione.

Babai i Mirzetës – Jo është kështu ajo, e di si është!

Fiksi – Po ju keni pasur presione, familja?

Babai i Mirzetës – Po, po.

Fiksi – Edhe ju?

Babai i Mirzetës – Mos pyet më se kalojmë në temë tjetër pastaj. Shumë, shumë, shumë …

Fiksi – Po si arritën deri tek familja?

Babai i Mirzetës – Yyy ç’janë ata… /Lapsi

‘Jam skeptik për marrëveshjen’, gazetari Sadiku: Presidentja e Kosovës, nuk ka qene zgjedhje as e Kurtit as e PDK

Gazetari Kron Sadiku duke folur për situatën në Kosovë pas marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentes së re tha gjatë një interviste ne emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri tv se ishte shumë skeptik për marrëveshjen e fundit arritur në Kosovë.

Kron Sadiku: Një parti e caktuar po dëshiron të shikojë nëse e ka një momentum politik për të shkuar në zgjedhje sipas tyre.  Pra ka qenë një parti, PDK e cila në një moment të caktuar nuk është se nuk ka dashur të çojë vendin në zgjedhje, duke marrë parasysh situatën politike që u krijua brenda edhe para qeverisë. Mirëpo forma se si i ka menaxhuar Albin Kurti këta tregon arsyen se pse ai është i pari e këta janë të dytët.

Presidentja e Kosovës e sotme, është një ministre e cila ka qene ministre e Energjetikës në kohën kur kryeministër ka qenë Hashim Thaçi. Edhe pse sot energjetika llogaritet një ndër dikasteret që këta akuzojnë Vetëvendosjen  dhe këtë qeveri për vjedhjet më të mëdha, zonja na del të jetë e pa korruptuar edhe në ministrinë e energjetikës. Është kryetare e Akademisë së shkencave, është grua e artikuluar, e zonja, e cila denjësisht e përfaqëson Kosovën pa i përfaqësuar edhe politikat partiake të cilat këta tentojnë ti integrojnë edhe në Presidencë. Pra, unë e mendoj se kësaj here i ka rënë mirë Kosovës, sepse zgjedhja e Presidentes Justina Shiroka Pula, është e vërtete që një rol e ka luajtur PDK, por nuk ka qenë zgjedhje e PDK e nuk ka qenë zgjedhje as e Albin Kurtit. Ka qenë zgjedhje e domosdoshmërisë së momentit për të mos shkuar në zgjedhje.

Pankartat: Prania Besnike e këtij shteti është vjedhja në çdo nivel që e sheh krejt mileti

Në Tiranë u zhvillua protesta e 130-të radhazi, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për rritjen e kostove të jetesës në vend dhe për përkeqësimin e shërbimeve publike.

Protesta është shoqëruar edhe me pankarta me mesazhe kundër qeverisë dhe zyrtarëve të saj.

Një prej pankartave duket se i referohet ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është nën akuzë nga SPAK. Në të shkruhet:

‘Nga Albcontrol te tuneli në Llogara, ku ka miliarda Bela bën hata.’

 

 

Në pankarta të tjera shkruhet:

‘SPAK mos bëj lojëra e mos mbaj anë, po bëj punën siç ta kanë dhënë.’

‘130 ditë, pyetjet vazhdojnë.’

Ndërsa një tjetër pankartë përcjell mesazhin:

‘Prania Besnike e këtij shteti është vjedhja në çdo nivel që e sheh krejt mileti.’

Protesta vijon në Tiranë, ndërsa qytetarët kanë përsëritur kërkesën për dorëheqjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. sn

Kosova me drejtim të ri politik!- Nga Florim Zeqa

 

 

Edhe pse me vonesa të mëdha, me pengesa të paarsyeshme dhe nën ndikimin e protestave, u arrit një vendim i madh dhe historik, i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për vendin. U votua Ligji për Dhomat e Specializuara dhe u zgjodh Justina Pula-Shiroka presidente e re e Republikës së Kosovës.

 

Dy votime, një zgjidhje fatlume për vendin

 

Me votimin e Ligjit dhe zgjedhjen e zonjes Justina Pula-Shiroka, Presidente të Republikës, Kosova jo vetëm që i shmangu zgjedhjet e jashtëzakonshme, e shmangu një cikël të ri krizash politike në vendin tonë!

Më në fund në krye të shtetit erdhi një zonjë e nderuar dhe e respektuar, me bagazh të pasur intelektual dhe me cilësi të larta njerëzore e cila pritet të jetë katalizator i unifikimit të skenës (së trazuar) politike në vendin tonë.

Znj. Justina Shiroka-Pula profesoreshë dhe akademike me përvojë, me integritet profesional dhe vlera të larta njerëzore mund t’i shërbejnë më mirë se askush tjetër vendit në rrethanat aktuale.

Uroj që një grua intelektuale dhe akademike, do ta ushtrojë postin e Presidentes së shtetit me përgjegjësi të lartë, me dinjitet, urtësi, unitet dhe përkushtim ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Siq dihet, para votimit për presidenten, Kuvendi miratoi në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, pjesë e marrëveshjes politike mes LVV-së dhe PDK-së që i riktheu deputetët në sallën e Kuvendit.

Me zgjedhjen e zonjes Justina Shiroka-Pula për Presidente, Kosova shmangu shkuarjen në zgjedhje të reja parlamentare si pasojë e moszgjedhjes së presidentit brenda afatit kushtetues.

U dëshmua qartë, se kur ka vullnet të mirë politik mes liderëve partiakë, parlamentarët merren vesh lehtë dhe shpejt, u mjaftojnë ‘5 minuta para orës 12’ për të vendosur në të mirë të vendit dhe qytetarëve!

Me kompletimin e të gjitha institucioneve shtetërore, presim që Kosova të ecën me hapa të shpejt në rrugën zhvillimore dhe prosperuese drejt integrimeve të reja ndërkombëtare.

 

Pas këtij hapi të vonuar, por të madh, Kosova e nisi një drejtim të ri politik, andaj nuk më mbetët tjetër, veçse t’i urojë të gjithë qytetarët dhe mërgimtarët për fillimin e mbarë të Kosovës! Pres që Presidentja e re ta mbajë balancën mes pushteteve, ta ruaj unitetin shoqëror dhe politik, ta respektojë Kushtetutën dhe ta mbrojë interesin e shtetit në arenën ndërkombëtare.

 

Florim Zeqa, analist i pavarur politik

 


Send this to a friend